BEDRI ISLAMI: DALJA NGA HIJA, HIJA E BUXHOVIT! (I)

Pashtriku.org, 03. 02. 2014 – Sa poshtë kemi rënë, kur udbashët na shpallen atdhetarë, sa poshtë kemi rënë kur nga hijet e së djeshmes dalin zërat e së sotmes dhe, pa asnjë lloj turpi, të paktën, deklarojnë se dërguan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës spiunët e tyre. Kujt do i shërbenin këto bashkëpunëtorë të UDB-së, veçse pushtuesit. Dhe ne i japim gjithë hapësirën mediale që duan… pasi kemi rënë poshtë… Qëllimit të rimëkmbësjes së idesë së Kombit mbi tradhtinë, i shërben sado pak edhe ky fejton politik. Ka disa njerëz, shpesh herë edhe publikë, pra të njohur, të cilët, edhe kur koha e tyre ka shkuar dhe mëkati që u rëndon është më i ashpër se sa supet e tyre, përsëri nuk zënë mend, turfullojnë dhe presin një moment të caktuar për t’u rikthyer edhe një herë në grazhdin e vjetër. Të tillët, thellësisht mjerueshëm, ende nuk janë mbushur mend se, në këtë kohë të vështirë për t’u përballuar dhe kur Kosova është në mijra halle të tjera, shtimi edhe i një derivati politik nuk është më një gabim i përkohshëm, por një faj i qëllimshëm, i cili bëhet në një kohë të caktuar. Në një kohë kur thesi i mashtrimit është hapur në Beograd dhe fillon e derdhet edhe në botën mediale të Kosovës, kësaj here përmes gjithëfarë llumi.
Kjo më është kujtuar fillimisht kur dëgjova për një intervistë të Jusuf Buxhovit dhënë ditën e mërkurë, 22 janar 2014, në emisionin “Rubikon” të KTV-së. Ndoshta është nga të paktët emisione që ndjek me dëshirë, pasi respektoj vizionin dhe mendimin e drejtuesit të saj, dhe kur them nga të paktët, nuk kam parasysh vetëm stacionet mediale në Kosovë, por në të gjithë këtë hapësirë, që jemi mësuar ta quajmë mbarëkombëtare.

– Korrespodenti i “Rilindjes” dhe themeluesi i LDK’së, Jusuf Buxhovi –

Jusuf Buxhovi nuk është një njeri i panjohur në Kosovë. Nuk është i panjohur pasi fillesën e mërit e bëri tek “Rilindja”, ku mbi 90 për qind ishin komunistë, dhe ai ishte njëri prej tyre, nuk është i panjohur pasi për katër vite ai ishte i dërguar special i “Rilindjes” në Gjermaninë Perëndimore, dhe kjo nuk ishte pak, nuk është i panjohur pasi, në cilësinë e njeriut “të reformuar” do të bëhet pjesë e themelimit të LDK-së, dhe jo rastësisht të gjithë ata që ishin nismëtarë të saj do të ishin antarë të Lidhjes Komuniste të Kosovës, një aneks i Lidhjes Komuniste të Serbisë, nuk është i panjohur pasi, haptas, jo vetëm një i burgosur politik si Hysen Gega, por edhe të tjerë, e kanë akuzuar si një bashkëpunëtor të rëndësishëm të shërbimit sekret serb UDB; dhe një trajtesë e tillë kishte dalë që në ditët e para kur emri i tij u lidh me LDK-në, nuk është i panjohur edhe nga librat që ka shkruar. Por duhet thënë se ai është një përsonazh enigmatik. Edhe pamja e tij e jashtme tregon se brenda vetes fsheh diçka, një lloj skuthie, e cila, sa më shumë që përhapet, aq më tepër qelb dynjanë. Në të vërtetë nuk më ka interesuar kurrë ai as si themelues i LDK-së, sepse kjo është punë e dikujt tjetër dhe, natyrisht, ai stan, duke përjashtuar disa meritorë që gabimisht u gjendën aty dhe shpejt dolën jashtë saj, nuk do të kishte bulmet tjetër dhe, kush ka pritur një fillesë tjetër, të ndryshme, nga ajo që na serviri shërbimi i fshehtë serb, ka qenë i gabuar. Buxhovi nuk më ka interesuar as si prozator. Duke qenë në dijeni të prapshtive që ka bërë, shumë nga të cilat mbi kurrizin e miqve të mi, duke njohur shumë nga ndërhyrjet e tij në dëm të shqiptarëve në mërgim dhe forcimit të tyre si rrënjë e kombit jashtë vatanit; duke sjellë ndër mend përçarjet që kishte ngjallur mes tyre si nje filo jugosllavizëm, të gjitha këto, së bashku dhe veç e veç, më kishin hequr çdo dëshirë për të lexuar librat e tij, ashtu si e di dhe jam i bindur se edhe ai nuk ka lexuar asnjë nga librat e mi. Vemendja ime e parë ndaj Buxhovit u kthye përciptas në leximin e librit “Vite të humbura” të Mehmet Krajës. ishin dy pasazhe që më bënë përshtypje dhe të cilat, edhe një herë, vërtetuen se ato që më kishin thënë për të nuk ishin fjalëzime në erë, por përmbanin disa të vërteta të hidhura dhe të dëmshme. Duke shkruar për themelimin e LDK-së, njëri nga themeluesit e saj, Mehmet Kraja , kujton se “Buxhovi solli programin dhe statutin. Që në fjalinë e parë e hetova se programi nuk ishte shkruar nga Buxhovi dhe asnga ndonjë “ekip” më i gjërë, por nga një përson “pa emër”, që i takon klanit të vjetër politik, autonomist…”. Kohë më vonë Buxhovi do e fshihte këtë të vërtetë, pasi, dashje pa dashje, do pranonte se zanafilla e kësaj strukture nuk ishte askund tjetër, veçse në një seli tjetër, amë, që do të pillte bijën e saj, dhe që, përmes saj do të merrte përsipër rolin e saj të përkohshëm të shuarjes së lëvizjes çlirimtare. Fakti që këtë statut e program, brezi i vjetër partiak e përcillte përmes Buxhovit ka të bëjë me faktin se ai ishte njeriu i besuar i tyre, për më tepër, njeriu i dërguar aty për të bërë “paqësisht” atë që nuk kishin arritur të bënin përmes dhunës dhe tankeve. Më tej, në librin e tij, Mehmet Kraja, shkruan Buxhovi do të ishte njeriu që do të na nxirrte më shumë andrralla me biografië e tij, pasi “për të do të pëshpëritet se gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani, kishte bashkëpunuar me organet e pushtetit dhe të sigurimit jugosllav”. Por edhe pas saj, shumë vetë, mes tyre edhe unë, e harrova fenomenin Buxhovi, pasi, si ai kishte pasur edhe shumë të tjerë, të cilët ishin bërë pjesë e sistemit dhe e dhunës së tij. Biseda ime me Hysen Gegën, disa vite më parë, më ngjalli edhe një herë ndjenjën e vemjes politike, të cilat, herë këtu dhe herë aty, ku gjejnë mundësinë e artë, godasin dhe hedhin pezhishkën e tyre. Tani, edhe një herë, Buxhovi u shfaq krejt i sinqertë, me veten dhe me të tjerët, ashtu si kishte qenë në kohën e bashkëpunimit të tij me organet e pushtetit serb në Kosovë. Ai dëshmoi se asgjë nuk kishte ndërruar në kokën dhe në mendimin e tij, dhe se, vitet e shkuara, përcaktimet politike dhe sakrificat e jashtëzakonshme nga lëvizja klandestine çlirimtare, asgjë nuk i kishin mësuar dhe asgjë nuk kishte ndryshuar nga vetja. Të jetë ky një borxh i së djeshmes apo një ngulje, edhe një herë, në vitin 1981 e pak më pas, kur në Kosovë dhe jashtë saj, u ndeshën dy botë, ajo udbashe, e përfaqësuar nga njerëzit si Buxhovi, dhe ajo çlirimtare, e përfaqësuar nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka. Nëse në këtë vend do të kishte dy njerëz krejt të kundërt me njëri tjetrin, dhe përballë njëri tjetrit, këta do të ishin Jusuf Gërvalla dhe Jusuf Buxhovi. I pari në anën e çlirimtarëve, i dyti në anën e pushtuesve. Që të dy gazetarë, por ndërsa i pari do të vendoste që pena e tij të ishte në dobi të çlirimit të vendit, tjetri e kishte nënshkruar marrëveshjen me djallin që pena e tij të ishte në favorin e klasës sunduese në Kosovë. Gërvalla do të bëhej zëri çlirimtar përmes fjalës, këngës dhe medimit të tij politik. Buxhovi do të bëhej, dhe mjerisht paska mbetur, njëri nga përfaqësuesit e dhunës dhe poshtërimit të Kosovës, e nënshtrimit të paskaj të saj dhe, njëkohsisht e mjerimit të saj politik. Gërvalla do të ishte frymëzuesi dhe njeriu në ballë të demonstratave për Republikën e Kosovës, Buxhovi do të bridhte nëpër klubet shqiptare me flamurin e serbizimit të tyre. Gërvalla do të bëhej pjesë e themelimit të një lëvizje të re politike, gjithëpërfshirëse, që në programin e saj do të ketë edhe luftën e armatosur, Buxhovi do të bëhej njeriu që merrte në pyetje të burgosurit politik dhe tentonte të shkelte mbi gjakun dhe idenë e tyre. Gërvalla, në fund, pikërisht nga njerëzit të cilëve u shërbente Buxhovi, do të vritej në një natë të ftohtë janari; po asaj kohe kur Buxhovi do të “lavdërohej” se ishte njëri nga të “tyret” e politikës së Beogradit. Mes këtyre dy njerëzve, njëra figurë kombëtare dhe tjetra hije e pazakontë, qëndron një hendek i jashtëzakonshëm, jo vetëm njerëzor, por edhe i vizioneve, përcaktimeve dhe filozofisë që bartin. Ndaj është e pështirë të dëgjosh të flasësh për Gërvallën dhe Kadri Zekën një njeri që i ka ndjekur, që ka qenë ashpërsisht kundër tyre dhe, që askush nuk e di, se ku ishte kur ndodhi ngjarja e kobshme. Rishfaqja e fundit e Buxhovit, pas disa parapërgatitjeve jo edhe aq të rëndësishme, nuk vjen në një kohë të pazakontë dhe as si shenjë se skifterët e LDK-së po rikthehen edhe një hjerë. Ata, edhe po të duan, edhe aty nuk kanë më vend, pasi ngjajnë me limonët, të cilët shërbejnë për aq sa duhet dhe kur duhet. Zëri i Buxhovit është bërë në këtë kohë bashkë me disa zëra të tjerë, në median e shkruar dhe vizive, të cilët, edhe një herë, e përsëris, jo rastësisht, janë hedhur në një sulm të çakërdisur ndaj çdo vlere të lëvizjes çlirimtare. Koha që kanë zgjedhur është në sinkron me kohën e shqyrtimit të raportit famëkeq të Dik Martyt dhe telasheve të Karla del Pontes, pra koha kur dinjiteti i Kosovës do të vihet edhe një herë në provë, dhe, duke vrapuar, si gjithnjë në anën e kundërt të popullit të tyre, po hidhen edhe lakejtë e djeshëm të klanit titist e udbash. Synimi i tyre është i njëjt me atë synim që kanë pasur në vitin 1968, me aspiratën e tyre rrënuese në vitin 1981, me sulmet e egra dhe vrasjet në vitin 1989, me synimin për denigrimin e lëvizjes çlirimtare klandestine në vitin 1990, fill pas krijimit të LDK-së, dhe më pas, me një kulm të pamenduar, kundër luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në asnjë popull tjetër nuk ka një skotë të tillë, kaq mjerane dhe kaq të pështirë sa udbashët e Kosovës, sidomos komunistët udbashë, të cilët, dy herë të zinj, si antarë të një partie komuniste që kishte gllabruar vendin dhe si spiunë të saj, u lëshuan kundër popullit. Pra, koha është e gjetur, dhe ajo me të cilën isha dakord ne paraqitjen e Buxhovit, ishte sinqeriteti i tij, i imponuar ose jo nga e kaluara e tij, dhe nga e cila ai nuk po heq dorë as tani kur gjërat kanë ndryshuar. Buxhovi u shfaq ashtu si gjithësecili nga titistët e djeshëm, me të njëjtat teza, me të njëjtat shpifje, i gatshëm për të shërbyer deri në fund ndaj një kauze që është e tija, por jo vetëm e tija, dhe që është në çdo aspekt e kundërta e së vërtetës historike dhe e aspiratës së një populli; ai u shfaq ashtu si ishte pritur të shfaqej në vitin 1981, në vitin 1989, krejt i devotshëm ndaj tezave të plasuara fillimisht nga Tanjugu e më pas në “Rilindja”, si pjesë e rëndësishme e së cilës ishte; edhe një herë ai zgjoi një gjuhë që kishim menduar se ishte harruar, si shenjë pendese të paktën, thirri në ndihmë të njëjtin fjalor që kishte dikur më parë udb-ja dhe tellallët e saj medialë; dhe e gjithë kjo do të dukej e pabesueshme se mund të ndodhte kur çdo gjë, edhe më e thella, tashmë është e qartë për të gjithë. Pse ndodh e gjithë kjo? Vërtet këta njerëz, si Buxhovi, nuk e dinë një të vërtetë historike? Vërtet nuk e di se njerëzit të cilët deri dje, në shkrimet e tij i cilësonte si irredentistë dhe nacionalistë, dhe i mallkonte se po prishnin bashkim-vllaznimin, janë në të vërtetë çlirimtarët e vërtetë të Kosovës, më të përkushtuarit, më të dvotshmit dhe më të sakrifikuarit? Vërtet nuk e di se nga kjo plejadë çlirimtarësh kanë dalë figurat më mitike të Kosovës, pa ekzistencën e tyre Kosova do të ishte vërtet një çështje e humbur, do të ishim një komb me ndërperje historike? Vërtet nuk e di se, pikërisht këta çlirimtarët dergjeshin burgjeve serbe, kur ai dhe pinjollët titistë endeshin nëpër botë dhe ankoheshin se vakancat në vendet perëndimore nuk i shkonin si duhet? Vërtet nuk e di dhe skota e tij se nga këta njerëz, të heshtur deri në dhimbje, janë bërë me mijra vite burg…dhe ky burgim, si në çdo gjë epike, është përjetuar si një gjë normale për hir të Kosovës? Natyrisht, ata, të gjithë, e dinë. Shumë nga nacionalistët e irredentistët e djeshëm, janë burgosur e torturuar nga skota e afërt me Buxhovin, janë ndjekur e në fund janë vrarë pikërisht nga këta pinjollë, të cilët, jo shumë vite më parë mburreshin se për çlirimtarët “vrima e miut do të ishte pesëqind grosh”. E dinë, e kanë ndjekur vetë, dhe e kanë përgojuar vetë. Rikthimi i tyre në këtë temë të kujton postulatin se vrasësi kthehet gjithnjë në vendin e krimit. Shkrimet e dikurshme të gazetës “Rilindja” ishin as më shumë e as më pak veçse aktakuzat për nacionalistët dhe irredentistët, ishin parathënia e dënimeve që do të vinte, shënimet e tyre politike ishin në fakt diferencimi politik mes njerëzve, ku nga njëra anë ishin çlirimtarët dhe lëvizja e tyre politike, dhe, nga ana tjetër ishin diferencuesit, të cilëve i përkiste edhe Buxhovi. Rikthimi në diferencim dhe në tezat e qelbura të së djeshmes nuk janë një farsë politike, nuk janë për të zgjidhur hallet mes LDK-së dhe për t’i dhënë zemër të humburve; është shumë më tepër se kaq. Është rikthimi i kushtrimit titist edhe për një hyxhym mbi lëvizjen çlirimtare, mbi të drejtën historike dhe mbi të vërtetën historike të një populli, i cili edhe nga humnera ku e kishte hedhur regjimi fashist titist, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte edhe Buxhovi, gjeti forcë të dilte në dritëzim, sepse vizioni që kishin ata njerëz dhe mendimi i tyre politik nuk ishte asgjë tjetër veçse vazhdë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pse ndodh e gjithë kjo…Kush qëndron pas tyre…a është rastësi kjo sintoni e llahtarshme e shpifjeve dhe cila është e vërteta e lëvizjes çlirimtare…ishin ata nacionalistë e atdhetarë apo të shitur tek UDB dhe KGB-ja…kush ishin në fakt të shiturit dhe kush ishin të sakrifikuarit…të gjitha këto, qetësisht, do i shohim në vazhdimin e këtij shkrimi.Togfjalëshin “hija e Buxhovit”, të cilin e vendosa në hyrjen e pjesës së dytë të këtij shkrimi, nuk e kam thjesht për hijen e një njeriu, sado i vockël qoftë ai, por për përfaqësimin që bart në politikën shqiptare në Kosovë. Me pak fjalë, mendimi është për hijen që lëshon ende mbi politikën e Kosovës politika e së djeshmes titiste dhe udbashe, përfaqësues tipik i së cilës nuk është prej ditës së sotme Buxhovi dhe që dashur-padashur rëndon mbi këtë politikë; e kam fjalën për atë mendësi dhe filozofi, e cila në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar u bë vetëdijshëm bashkëpunëtore e krimit dhe e pushtimit të saj, e kam fjalën për atë tabor njerëzish, shpeshherë edhe të njohur si intelektualë, të cilët vunë në shërbimin e pushtimit gjithë zellin e tyre, mjeshtërinë, forcën, veset dhe nuk hoqën dorë prej tyre edhe kur, jashtë dëshirës së tyre, gjendja u bë e ndryshme. Zakonisht, në botën e diplomacisë dhe të luftës njëkohësisht, këta njerëz u quajtën kolaboracionistë, në Kosovë u quajtën titistë dhe maja e tyre e politikës u quajtën udbash. Një hije e tillë, e këtij skalioni të mjerueshëm, por të rrezikshëm, vazhdon ende sot mbi qiellin e politikës në Kosovë. Çdo gjë e ka një fillesë, çdo gjë ka një nisje, një përcaktim, kur forma bëhet më e qartë dhe kur gjërat dalin nga “shishja e dreqit”. Në Kosovë ky është viti 1981, më saktë pranvera e këtij viti, e në fillimin e kësaj pranvere janë dy data, 11 mars dhe 2 prill. Ky është momenti kur ndahen mënjanë vizionarët, fillimisht më të paktë dhe, nga ana tjetër, zelltarët e pushtetit. Nga njëra anë do të jenë të burgosurit e kohës dhe të burgosurit e ardhshëm; në kahun tjetër do të jenë bukëshkelësit, udbashët, të privilegjuarit, të përkëdhelurit, që për të qenë pjesë e elitës politike, janë të gatshëm dhe shkelin mbi njerëzit vizionarë. Nga njëra anë do të jenë ata që e duan shtetin amë, Shqipërinë, pa marrë parasysh se cili regjim është vendosur atje; nga ana tjetër janë ata që duan ende serbizimin e Kosovës, që nuk shtyhen më tej se autonomia dhe kjo e fituar me gjakun e shqiptarëve dhe dhunën ndaj tyre; nga njëra anë është përgjigjja e Jusuf Gërvallës, “PA ASNJË DYSHIM”, pas pyetjes së medieve gjermane, nëse do të pranonit të bashkoheshit me Shqipërinë edhe po të ishte shtet kapitalist, monarki apo komunist; nga tjetër është grupi i njerëzve që mallkojnë Shqipërinë dhe thirrja e shefit të Jusuf Buxhovit, që në fakt është thirrja e tij, nëpërmjet Dushan Ristiqit, se” kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Nga njëra anë ndodhen idealistët që burgosen edhe me 10 vjet burg për një libër të zakonshëm të ardhur nga Shqipëria si, për shembull, “Prijësja e komitëve”, nga ana tjetër janë katër gazetarë të “Rilindjes”, të cilët kur kthehen nga Shqipëria grinden me njëri-tjetrin se cili do ta ketë nderin ta bëjë informacionin për UDB-në, pasi nga katër gazetarë, si kujton shkrimtari Mehmet Kraja, tre prej tyre janë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Ku ishte Buxhovi dhe ku ishin “buxhovët” e tjerë, kur në Kosovë po gatuhej në magjen e historisë? Ishte në Bon, kryeqyteti i Gjermanisë perëndimore, si pjesë e gazetës “Rilindja”, që nuk ishte asgjë tjetër veçse “Tanjug”-u në gjuhën shqipe. Ai ishte me mallkuesit, me fabrikuesit e ngjarjeve dhe, njëkohësisht, pjesë hetimore e njerëzve që donin ta ndryshonin historinë. Ai mund të jetë edhe më shumë se kaq, mund të jetë edhe pjesë denoncuese e lëvizjes çlirimtare dhe askush me mend nuk pret që një denoncues të dalë nga vetja, të tjetërsohet, kur ende pesha e mëkatit nuk rëndon të paktën në ndërgjegjen e tij.  Të gjitha ngjarjet që kanë ardhur më pas në historinë moderne të Kosovës, përfshirë edhe ato që po ndodhin sot, e kanë zanafillën, pikënisjen në vitin 1981. Aty, haptas tashmë, do të ndodhë procesi i diferencimit politik, qendra e të cilit do të jetë gazeta”Rilindja”, njëkohësisht, pas vrasjeve masive, do të fillojë edhe procesi i burgimeve të rënda, ku të burgosurit do të jenë pjesëtarët e forcave klandestine çlirimtare. Edhe më parë në Kosovë kishin ndodhur procese politike masive. Vrasjet më të mëdha, masive të shqiptarëve, ishin bërë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku në një kohë të shkurtër regjimi i Titos dhe i Rankoviqit, me ndihmën e shqipfolësve, do të vrisnin më shumë se 40 mijë veta. E saktësoj: më shumë se dyzet mijë veta. Por pas proceseve pastruese vrasëse jetike, regjimi serb në Kosovë kishte thirrur në ndihmë pikërisht mendimin politik të udbashëve të regjur, të paskrupullt dhe periudha nga viti 1968, pas demonstratave për flamurin dhe autonominë dhe deri në vitin 1981, do të jetë ajo nëpër të cilën, nga njëra anë vizionarët përgatiteshin për një betejë finale, ndërsa titistët dhe udbashët përgatiteshin që nëpërmjet një elite politike e intelektuale ta varroste përgjithnjë aspiratën e një pjese të rëndësishme të popullit shqiptar.  Buxhovi dhe përgjithësisht “buxhovistët”, (hej dreq, nuk e di pse më tingëllon si “koxixoxistët”) shpifnin mjerueshëm kur thonë e në këtë kohë e më pas 90 për qind e popullit ishin përkrah tyre. Nëse do të kishte qenë kështu do të kishim pasur të bëjmë me një popull pa histori dhe pa ndërgjegje kombëtare, të cilin as topat migjenianë nuk do të mund ta zgjonin pas pak vitesh dhe ta bënte njërën nga luftërat më të çmuara në fundin e shekullit të shkuar. Regjimi, të cilit i shërbente Buxhovi, kishte lejuar disa rregulla të lojës, të cilave, po t’u përmbaheshe, mund të jetoje rehat, por i shtypur. Të lejonte të dilje jashtë vendit, pasi ishe kontrolluar nga UDB-a, të lejonte të kishe një pronë private, por nuk të lejonte të ishe i lirë, nuk të lejonte as gjuhën e as flamurin, po të dilje sadopak jashtë këtyre rregullave, të shqepte në dru, të digjte, të burgoste dhe të vriste. Gjaku i derdhur më 2 prill 1981 dëshmoi se gjithçka që kishte qenë në sipërfaqe shpërtheu vrullshëm, regjimi hoqi maskën e tolerancës dhe foli me gjuhën e tankeve, rrugët e qyteteve të Kosovës u bënë edhe një herë vendi i gjakut të derdhur. Buxhovistët mbrojtën gjakun që u derdh nga pushteti si një gjë normale, pasi të vrarët, që kishin derdhur gjakun ishin, as më shumë e as më pak, irredentistë dhe nacionalistë dhe, si të tillë, lejohej edhe të vriteshin. Artikujt e gazetës “Rilindja” ishin në fakt licenca e pushtetit për të vrarë. Ndërsa të vrarët ishin idealistët e zakonshëm të Kosovës, të cilët nuk ishin ngritur për të bërë histori, por për gjërat normale që i takojnë çdo kombi, vetëvendosjen e tyre. Shkrimet e vitit 1981 e pas tij, po të lexohen sot edhe një herë, të bëjnë të mendosh se cila mendje djallëzore e mizore njëkohësisht ishte pas tyre, kush i kishte pjellë këta njerëz që nuk jepnin asnjë grosh për Kosovën, por përpiqeshin të vilnin çdo lot të saj… Çuditërisht nga kjo skotë, vrullshëm, filluan të dalin në sipërfaqe “demokratët” e ardhshëm, ata që, pasi e kishin shitur vendin, tani shpejtonin ta merrnin “patentën” nacionale të atdhedashurisë dhe të sakrificës. Kjo skotë vrapon edhe tani, në sinkron të plotë me Beogradin, dhe mjerimi i politikës është se, nëpërmjet një mijë rrugëve, ata ia kanë arritur të jenë pjesë dominuese në ekonominë e Kosovës dhe përmes një dere të hapur gabimisht, edhe pjesë të politikës së saj. Pas vitit 1981, periudhë për të cilën rëndon më shumë Buxhovi dhe buxhovistët e tjerë në deklarimet e tyre, në Kosovë do të ndodhë një fenomen jo i rastësishëm: zgjimi i vetëdijes kombëtare, edhe nëpërmjet medieve të shtetit shqiptar, por më shumë një pleksje mes traditës së odës shqiptare dhe frymimit universitar. Viti 1981 e të tjerët pas tij nuk do të jenë vite të humbura në historinë e Kosovës. Ata do të jenë kohë e parapërgatitjes për ngjarjet madhore të vitit 1989, me gjithë dëmtimet e jashtëzakonshme që do të kenë. Në Kosovë, në vitet e pushtimit serb të pasluftës, do të dënohen politikisht, më shumë se 300 mijë veta, por dënimet më të ndjeshme, më të shpeshta dhe më të rënda, do të jenë pas vitit 1981. Në pretencën e të gjithë këtyre grupimeve të dënuara, nuk ka asnjë akuzë si grupe marksiste-leniniste: të gjitha akuzat janë ngritur si grupe kundërrevolucionare, nacionaliste, irredentiste, që synonin rregullimin federativ të shtetit, me mjete të armatosura ta përmbysnin pushtetin serb në Kosovë dhe që kishin qëllim të tyre republikën e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë, Shqipërinë. Për ta bërë këtë sa më konkrete, po sjell, fjalë për fjalë, pjesë nga aktakuza ndaj 27 të pandehurve në prill 1986, pjesë e një grupi të lëvizjes çlirimtare, mes të cilëve edhe heronjtë, Fehmi Lladrovci e Shaban Shala. Ata do të gjykohen sepse “me qëllim të rrëzimit të pushtetit të klasës punëtorë dhe të punonjësve, minimin e rregullimit shoqëroro-ekonomik të përcaktuar me kushtetutë, prishjen e vllaznim-bashkimit e barazisë së kombeve e kombësive, ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit, nëpërmjet irredentizmit e nacionalizmit”, kështu shprehet kryetari i kolegjit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Tadej Radiqi, ndihmësi i tij Shefqet Bytyqi dhe Ismet Emra.  Më tej në procesverbalin përkatës mund të lexohet ende se “I akuzuari Fehmi Lladrovci, si në hetuesi ashtu edhe në seancën kryesore, pohon se e ka kryer veprën penale, e cila i vihet në ngarkim, se ka filluar të merret me veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar. Deklaron se për veprën e tij nuk pendohet dhe se qëndron pranë kërkesës së tij dhe shokëve të tij, që Kosovës duhet t’i njihet statusi i republikës dhe se kjo kërkesë është e drejtë”. 27 herë, nga të 27 të akuzuarit e më pas të dënuarit ashpër, përsëritet kjo deklaratë në sallën e gjyqit, në të cilin drejtuesit janë shqipfolës, torturues janë serbo-shqiptarët dhe, në të gjithë këtë zinxhir krimesh, më të ashpër dhe të panderë, janë gazetarët që shpifin, mallkojnë, licencojnë dënimet e ashpra. Shumë vite më vonë avokatët e djallit serb do të përpiqen në një kor të përbashkët të fshihen pas emërtimit, se ata që u dënuan ishin “marksistë-leninistë” dhe se pikërisht për këtë duheshin dënuar. Një ndër ideatorët e kësaj teze meskine dhe të rrezikshme, që lindi pas vitit 1989, sidomos nga pllehnia e Buxhovit, do të rikthehet herë pas here aty ku e nisi, jo sepse nuk e di të vërtetën, por sepse pas këtij petku mund të fshihej e shkuara e tyre deri në krim. Shteti serb, po ashtu një shtet komunist e më tej se kaq, sepse ishte nacionalfashist, çfarë u dëshmua pak vite më pas, nuk mund të dënonte askënd për të tilla pikëpamje, sepse ishte i mbytur deri në thellësi në krimin e tij. Përse lindi e gjithë kjo anatemë ndaj çlirimtarëve… ku ishte qëllimi i përdhosjes së vlerave çlirimtare dhe ku ishin bartësit e saj…përse në Kosovë, si askund tjetër, kjo klasë u bë më e pështirë, më e rrezikshme dhe më e dëmshme për vetë vlerat e kombit… si ndodhi që ajo gjeti përkrahje në Shqipërinë e pas vitit 1991… kur më përpara kishin gjetur përkrahje forcat çlirimtare… Për të gjitha këto le të vazhdojmë më tej, në ditët e ardhshme. Të gjitha grupet e dënuara nga lëvizja çlirimtare në Kosovë, në të gjitha instancat ku edhe janë dënuar, deri në Gjykatën Supreme, në asnjë rast nuk kanë pasur vite të caktuara dënimi si pjesë e një lëvizje marksiste-leniniste. Nëse ndonjë prej tyre, në fakt më e vendosura, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, OMLK, deri në janarin e vitit 1982 kishte paraqitjen e jashtme si një lëvizje e ngjashme me atë që ishte në shtetin amë, në thelbin e saj ajo ishte thellësisht nacionaliste, e këtë e dinin fare mirë të gjitha qarqet politike në shtetin serb. Pas Bashkim-Shkrirjes të të gjitha grupeve të lëvizjes çlirimtare dhe formimit të së njëjtës trupë drejtuese, ku për herë të parë do të përcaktohet edhe sekretari për problemet e luftës dhe ky do të ishte Fehmi Lladrovci, njëra ndër figurat më të shquara të saj , as si formë, aq më pak si përmbajtje, do të jetë emërtimi marksist-leninist. Dhe ata u dënuan si nacionalistë, separatistë dhe irredentistë, e si do të thoshte më pas një tjetër figurë e ndritur e Lëvizjes Çlirimtare, Xhavit Hoxha, “po, kemi qenë dhe mbetemi nacionalistë e irredentistë, sepse e duam Kosovën dhe sepse guxojmë të ëndërrojmë dhe të punojmë për bashkimin me Shqipërinë”. Në fund të fundit, edhe nga lidhjet e Lëvizjes Çlirimtare me shtetin shqiptar të kohës, atyre do t’u vinte një orientim i saktë, sipas të cilit, ata duhej të hiqnin dorë nga qëndrimet ideologjike, nga glorifikimi i shtetit shqiptar dhe i figurës së Enver Hoxhës dhe duhet të përqendroheshin në lëvizjen çlirimtare. Përse tani, pas kaq shumë viteve, “buxhovistët”, si një rrymë titiste në politikën shqiptare në Kosovë, duan ta akuzojnë Lëvizjen Çlirimtare si thellësisht të majtë dhe nëpërmjet saj t’i justifikojnë vrasjet masive, dhunën, burgosjet, torturat, shkatërrimet? Vërtet e vranë, le të marrim një shembull, Tahir Lush Berishën, 23-vjeçar, mësues i artit, sepse ai ishte marksist-leninist? Vërtet ia arrestuan nënën, Shkurte Berishën, 70-vjeçare, se i biri ishte marksist-leninist? Vallë për këtë shkak ia arrestuan të vëllezërit, Skënderin dhe Maxhunin, nuk i lejuan ceremoninë mortore dhe arrestuan edhe njerëzit që shkuan për ngushëllim? Tahir Berisha ishte një ndër të vrarët e Lëvizjes Çlirimtare, por jo i pari prej tyre dhe as i fundit. Vërtet policia serbe, të cilën e justifikon Jusuf Buxhovi, i vrau Hasan Ramadanin dhe bijën e tij, Fitnetën, 17-vjeçare, sepse ishin, babë e bijë, marksistë-leninistë? Ata ishin pjesë e Lëvizjes Çlirimtare të zonës së Llapit, nga ishte edhe Ali Ajeti, po ashtu i vrarë nga forcat serbe, këtë herë nëpërmjet helikopterëve ushtarakë dhe, jam i bindur se as që kishin menduar ndonjëherë për marksizëm, sepse edhe në përmbajtje edhe në formë, duke qenë një ideologji që vinte nga Lindja, nga i kishin ardhur të zezat Kosovës, ishte krejt e papranueshme për to. Interesant është fakti se akuzat më të mëdha dhe të pështira ndaj Lëvizjes Çlirimtare, si një forcë e majtë dhe që është dënuar si e tillë, i vijnë nga ish-komunistët shqiptarë në Kosovë, pjesë e Partisë Komuniste serbe, pra një aneks i saj dhe dyfish të neveritshëm. Jorastësisht, pikërisht këto forca proserbe dhe ish-komuniste do ta gjejnë përkrahjen më të ndjeshme në Shqipërinë e pas vitit 1992, do të kenë aleanca të përbashkëta dhe qëndrim, po ashtu të përbashkët dhe mohues ndaj forcave çlirimtare në Kosovë. Kjo nuk lidhet thjesht me dhëndërrimin proserb të Berishës, por me gjithë atë që ngjau aty, ku dolë në sipërfaqe dhe u ngjitën deri në majë të shtetit shumë nga ata që ishin të lidhur jo vetëm shpirtërisht, por edhe si pjesë të shërbimit të fshehtë, me shtetin serb. Lëvizja Çlirimtare në Kosovë do ta ketë fillimin e saj të përgjakur: me vrasjen e themeluesve, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, e kjo do ta shoqërojë atë në të gjitha vitet e rritjes së saj. Ajo do të jetë Organizata së cilës, në vite të ndryshme, nëpërmjet atentateve dhe njësive speciale, do t’i vriten drejtuesit kryesorë, politikë e ushtarakë, por do të ketë edhe meritën, sepse rishtas do ta ketë forcën e duhur për një ringritje. Për vrasjet e tjera do të flasim edhe më poshtë, duke dëshmuar se si ndodhën ato, por alibia e ngritur tani nga Buxhovi dhe të tjerë rreth e rreth tij, është alibia dhe justifikimi i vrasjeve, është marrja në mbrojtje e dhunës dhe e vrasjeve serbe, është justifikim për terrorin që ishte i pranishëm kudo, por jo në zyrën, në banesën dhe në jetën e Buxhovit. Çfarë kërkonin këta njerëz, të gatshëm për t’u sakrifikuar, të cilët qëndronin në Kosovë edhe kur ishin të bindur se të nesërmen do të arrestoheshin? Në përgjigjet e njëjta të 27 të burgosurve politikë, mes të cilëve emra të njohur të Lëvizjes Çlirimtare, do të theksohet se ata janë për republikën e Kosovës, se kërkesa e tyre është e drejtë dhe se këtë do ta arrijnë, “ja ma hatër, ja me luftë”. Që në krye të herës, pas gjithë llumit që është ngritur për fare pak kohë, pas si vazhdë e “përmbytjeve të dikurshme”, unë kam vënë disa pikëpyetje, sqarimi i të cilave tashmë, edhe një herë, qenka i domosdoshëm. Le t’i shohim qetësisht: Pse ndodh e gjithë kjo… Kush qëndron pas tyre… a është rastësi kjo sintoni e llahtarshme e shpifjeve dhe cila është e vërteta e lëvizjes çlirimtare… ishin ata nacionalistë e atdhetarë apo të shitur tek UDB-a dhe KGB-a… kush ishin në fakt të shiturit dhe kush ishin të sakrifikuarit…
Pse ndodh gjithë kjo? Njeriut të kujdesshëm do të mund t’i kujtohej se kjo nuk është hera e parë se, mjerisht, të gjitha këto që po ngrihen sot nuk janë asgjë tjetër veçse një përsëritje e asaj që ka ndodhur që me rishfaqjen e lëvizjes çlirimtare si një staturë e organizuar dhe mllefi i tashëm nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje në një kohë të mëvonshme, por që ka lidhje me të shkuarën. Nuk është interesant të vrojtohet se e gjithë propaganda e serbofilëve dhe e shqipfolësve, edhe kur janë intelektualë, si ishte, për shembull, Buxhovi, është e njëjtë me atë që ka derdhur shtypi beogradas. Nganjëherë detajet janë deri në imtësi, por përsëri, me gjithë shfaqjen e saj makabre, nuk ka qenë forma ajo që ka trazuar, por egërsia. Asnjëherë, në të gjithë shtypin e shkruar apo në atë medial, këta zëdhënës të shprishur nuk kanë, në asnjë të qindtën, kaq të rreptë ndaj aparatit policor serb, sa kanë qenë kundër lëvizjes çlirimtare. Që në krijimin e saj alternativa paqësore kosovare, e cila e gjeti oportune të regjistrohej në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd, megjithëse në letër e kishin krijuar Qeverinë e Kosovës, mllefin e saj e vendosi tek ish të burgosurit politikë dhe tek ajo që i përfaqësonte, Lëvizjen Çlirimtare, e strukturuar pas Lëvizjes Popullore të Kosovës. Gazeta “Bujku”, simotra e organit famëkeq “Rilindja”, në të gjithë numrat e saj të parë hodhi po këtë vrer që hedh sot Buxhovi, e kjo nuk çudit askënd që i di ngjarjet dhe personazhet dhe mund të kujtohet se ky Buxhov nuk ishte as më shumë e as më pak, veçse sekretari i LDK-së, njeriu i dytë në atë hierarki. Lëvizja Çlirimtare, përfaqësuesit e saj u takuan atë botë me Fehmi Aganin dhe i kërkuan t’i ndalnin sulmet e shpifjet, sepse “nëse ishte për të folur, lëvizja kishte shumë e shumë më tepër të vërteta sesa kishin ata shpifje e trillime”. Agani i drejtoi tek Rugova, e pas kësaj sulmet heshtën për një farë kohe, e përsëri kjo përkon me largimin e Buxhovit dhe të disa udbashëve nga drejtimi i LDK-së. Kjo që ndodh tani është një ndihmesë më shumë për trajtimet politike e juridike që do të ketë së shpejti çështja e Kosovës për të gjithë ata që prej kohe janë vendosur kundër saj. Është në një kohë sinkron me lëvizjet politike serbe, me disa botime të sponsorizuara prej saj, me regjistrimit e vëllezërve Kariq e të tjerëve nëpër kampet e emigrantëve serbë, shumë nga të cilët nuk kanë ikur nga Kosova sepse druheshin për hiçgjë, por sepse disa ishin pjesë e krimeve dhe disa të tjerë e dinë fare mirë se janë në tokë të huaj. Dhe toka e huaj nuk të mban. Jorastësisht, disa ditë më parë, një nga vëllezërit Kariq, në Slloveni, kishte të njëjtën retorikë si kjo që po mbin në Kosovë. Duhet të jesh naiv të besosh se kjo është rastësi. Kush qëndron pas tyre? Përgjigjja më e shkurtër dhe më e përgjithshme do të ishte, Beogradi. Kjo i thotë të gjitha dhe nuk thotë asgjë. I thotë të gjitha sepse, që andej, mjerisht edhe sot, mbi viset shqiptare në Kosovë kanë ardhur gjithnjë akullimet e jetës dhe të politikës dhe kanë ardhur së bashku me gjakun e derdhur. Por, tashmë, si në çdo krahasim tjetër që ka çalimin e tij, edhe kjo është një e vërtetë e përgjithshme, por që ka edhe specifikat e saj. Njëra prej tyre është edhe atë që mendohet të ndodhë: detantën politike. Para zhvillimit të ngjarjeve është një precedent: shteti kroat dorëzoi tek shteti gjerman emrin e një bashkëpunëtori të shërbimit të fshehtë të dikurshëm të saj, i cili kishte organizuar vrasjet e lëvizjes së rezistencës kroate në mërgim. dhe ka pasur disa të tilla. Për analogji, më në fund, shteti gjerman, sidomos pas disa shkrimeve, por edhe një libri të botuar nga unë, “Lëvizja… lindje e përgjakur: bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin”, ka ringritur disa ngjarje të tilla ndaj shqiptarëve të Kosovës. Është ringritur çështja e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, themelues të Lëvizjes Popullore të Kosovës, njëkohësisht heronjtë e parë të saj. Ringritja e kësaj çështje, por edhe e të tjerave, ka sjellë alarmin e disa nga bashkëpunëtorëve të afërt dhe të fshehtë, si janë zakonisht, të shërbimit sekret serb në falangat e shqiptarëve, shumë nga të cilët kanë qenë në Perëndim, pikërisht kur këto vrasje e të tjera si këto, kanë ndodhur. Këta bashkëpunëtorë kanë drojën e ligjshme se pas disa avantazheve që mund t’i jepen shtetit serb, mund të ketë lëshime të kësaj natyre, mund të sakrifikohen disa nga këta bashkëpunëtorë, të cilët janë edhe limonë të shtrydhur dhe nuk çojnë shumë peshë në politikën serbe, e cila, edhe në këtë rast, shumë mirë mund të fshihet pas fantazmës së përgjakur të Millosheviqit. Është i njohur fakti, apo mentaliteti serb, se për të përfituar qoftë edhe një gram në dobinë e tyre, janë të gatshëm të japin një ton me shqiptarë, aq më shumë nga ata të cilët nuk u duhen më. Duke e njohur edhe këtë mentalitet, bashkëpunëtorët e dikurshëm të shërbimit sekret serb, por edhe drojën se mund të përsëritet precedenti kroat, po rendnin për të dëshmuar se janë ende të dobishëm, si një shenjë se nuk duhet dhënë e kaluara e tyre, sepse mund të jenë të dobishëm edhe në të ardhmen. Pra, pas tyre, më shumë se gjithçka tjetër, qëndron e kaluara, momenti kur për hir të një udhëtimi, të një shërbimi, të një vile, të një libri apo për të qenë diku në Perëndim, kanë pranuar të bëhen bashkëpunëtorë të djallit. Sepse të thuash se e kanë bërë për hir të parimeve, kjo është larg mendsh, sepse asnjëri prej tyre, duke filluar që nga më i njohuri, Selim Brosha e deri tek anonimët dhe “intelektualët”, nuk ka pasur parime e nuk mund të ketë. Shumica e të burgosurve politikë shqiptarë kanë dëshmuar bindshëm se në ditët e gjata të torturave ata më shumë janë keqtrajtuar e rrahur deri në përgjakje nga shqipfolësit sesa nga hetuesit serbë, të cilët, pasi i ndërsenin kundër tyre, rrinin në një qoshe dhe zgërdhiheshin duke parë se si shqiptarë të shitur rrihnin shqiptarë të guximshëm. Të gjithë këto, hetues, prokurorë e hetues, të strukturë për disa kohë, u rizgjuan, sepse panë se si u hapën portat për to, edhe një herë, se si një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, atë që kishte dënuar dikur në vendin e tyre, po e lejonin këtu; vunë re se edhe të tjerë, veç serbëve, kishin nevojë për afrimin e tyre dhe, doli në skenë një tip i ri udbashi, që plekste të vjetrën me të renë, si ishte rasti i Fadil Sulejviqit, i cili aq sa kishte mëkate në regjimin e shkuar, si ishte rasti i rrëmbimit dhe i zhdukjes së mjekut atdhetar, Hafir Shala, ish i burgosur politik; po aq ishte i devotshëm të ngrinte akuza dhe specifikime të sajuara ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo skotë mendon se erdhi çasti për të goditur edhe një herë, por meqë nuk kanë asgjë të re nga thesi i vjetër, ata shkundin përsëri atë miell të zi. Kundër kujt?, tashmë dihet. Ata ishin e mbeten kundër lëvizjes çlirimtare, deri në ashpërsi, deri në thelb, e këtë e shfaqën haptas, sipas një udhëzimi të caktuar, që në fillesat e shfaqjes së saj. Është e mjerueshme të lexosh sot në “Rilindja” etiketimet e forcave çlirimtare si një forcë e ultrashovinistëve të Sheshelit, pastaj si dorë e zgjatur e Serbisë, si vegël e Arkanit dhe, tani, nga mendja e Buxhovit del edhe një “xhevahir”, si njerëz të KGB-së ruse. Vërtet çfarë ishin këta njerëz, të cilët më pas Ismail Kadare do t’i quante “dalzotësit e kombit”? Ishin vërtet “grupe terroriste” si i cilësonte shtypi shqiptar proverb, njëkohësisht media serbe, apo njerëz të vendosur për ta bërë detyrën e tyre… ishin ata dorë e zgjatur e shërbimit të fshehtë serb po atdhetarë të bindur se rruga e vetme që i kishte mbetur do të ishte lufta e armatosur? Dolën ata nga hiçi, apo ishin ngritur mbi një vizion të përcaktuar qartësisht? Ishin të panjohur dhe si ndodhi që u bënë figurat më mitike të epikës historike moderne në viset shqiptare në Kosovë? Le të vazhdojmë… Disa ditë më parë, mediat serbe shokuan njerëzit me një lajm, i cili, megjithëse ishte i vërtetë dhe dihej prej kohësh, të papriturën e kishin në faktin se atë e dhënë zyrtarët e lartë serbë, pra vazhduesit e atyre që kishin bërë këtë masakër. Në vitet e luftës, katër të rinj serbë,në një kafene në qytetin e Pejës, ishin vrarë me urdhër të regjimit të Millosheviqit, për të ngjallur ndjenjën e revoltës ndaj luftës çlirimtare. Si për të dashur të përligjë këtë akt mizor, Buxhovi hodhi tezën se, edhe në Kosovë, ka pasur raste të ngjashme, pasi lëvizja çlirimtare është vrarë ndër vedi, pra, më haptas, ata kanë vrarë njëri tjetrin. Ndër të gjithë aludimet dhe shpifjet, trillimet e paskrupullta, kjo ishte më makabër dhe , njëkohsisht edhe më absurde.Më është kujtuar menjëherë 22 shtatori i vitit 198, kur në Kodrën e Qëdresës, njëri ndër pjesët themelore të Lëvizjes Çlirimtare, Fehmi Lladrovci dhe figura më e ndritur e gruas shqiptare, Xhevë Krasniqi-Lladrovci,po ashtu pjesë e elitës drejtuese të Lëvizjes Çlirimtare, dhanë jetën e tyre vetëm për të mos braktisur trupat e rënë në lufë të Fatime Hetemit dhe të Shefqet Zekës. Mendova se si është e mundur që mendja njerëzore, e cila flet njëkohsisht edhe shqip, të ngrejë në vetdijen e tij e pastaj ta bëjë publike një mostër të tillë ideje. Lëvizja Çlirimtare, që kur është rikrijuar, sepse nuk është shuar asnjëherë, sidomos pas vitit 1981, kur edhe qëllimi i UDB-së nuk ishte më reprezalja masive , por eleminimi i drejtuesve politikë e ushtarakë, njërën ndër vetitë më të vyera ka pasur kohezionin e jashtëzakonshëm të pjesëve dhe të njerëzve të saj, të cilët, edhe pse kanë qenë nga vise të ndryshme të Kosovës (dhe me Kosovë janë kuptuar shqiptarët në të gjitha trojet e tyre në ish Jugosllavi), megjithëse shpesh herë kanë pasur edhe bindje të ndryshme, apo edhe besime fetare të ndryshme. Kjo është njëra ndër dukuritë që vazhdon ende, edhe sot e kësaj dite, dhe lidhja e dikurshme e lëvizjes klandestine është tashmë edhe më tej diçka më shumë se e zakonshmja njerëzore, sepse ka kaluar edhe tek brezat e tjerë.Ndoshta kjo ndodhi edhe pse mbronin ide të mëdha, jo rrallë edhe më të ndjeshme se sa supet e tyre, por edhe sepse pjesa mëe madhe e tyre ishin të burgosurn politikë, në burgje të njëjta dhe në qeli të njëjta. Por është e vërtetë se Lëvizja Çlirimtare, në të gjitha vitet e saj, që nga dita e themelimit dhe deri në pasfitoren e luftës, ka pasur humbje, bijtë që e përbënin atë janë vrarë, dhe fakt është se, nëse sot do të kemi ndër mend shtrirjen e këtij epizmi të jashtëzakonshëm, atë mund ta përceptojmë vetëm përmes Lëvizjes Çlirimtare. Të gjithë korifejtë e lirisë së Kosovës, pa asnjë përjashtim, kanë qenë pjesë të kësaj Lëvizje, ata kanë bërë historinë e saj dhe janë bërë njëkohsisht edhe citues të kësaj historie.  Si ndodhën vrasjet e tyre? Shumë pre tyre tashmë janë të nriçuara, dihet gjithçka, që nga momenti i rrethimit dhe deri tek rënia e tyre, dihet se kush i rrethoi dhe kush qëlloi mbi to, por, nëse del një nga stani i vjetër tititst, dhe më falni për krahasimin, leh si një qen i zgërbulur, rikthimi tek këto ngjarje, si dëshmi e epizmit, jo vetëm të një epoke apo të një krahine, tashmë është e domosdoshme. Enigmën më të madhe, që prej natës së vrasjes e deri më tash, pra një enigmë 32 vjeçare, e mbart vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Është një enigmë që është ngjizur me kujdes që të nesërmen, por zanafillën e ka pasur edhe para se të ndodhë krimi makabër.Jam i bindur se qysh para se të ndodhte vrasja, pra qysh se është bërë planfikimi i saj, janë caktuar njerëzit që do të qëllonin, njerëzit që do të bënin ndjekjen, informatorët për të ditur lëvizjet, përgjimet, deri edhe të letrave,pra qëkur është menduar gjithçka, është parashikuar edhe ngjizja e enigmës. UDB-ja nuk do të ishte UDB nëse gjërat do ia linte rastësisë, dhe nuk do të mund të ja linte pasvrasjen askundit. Dy gjëra janë të rëndësishme në këtë enigmë: megjithëse edhe nga zyrtarë të lartë të shërbimit të fshehtë serb, deri tek Stipe Dolanc, është bërë e ditur se vrasja e tyre ka qenë një punë e shërbimit të fshehtë serb, përsëri dorasi është kërkuar në mesin e shqiptarëve, dhe jo rastësisht e jo pa qëllim, që në ditët e para, është hedhur mjegulla se gjithçka ka ndodhur mes vetë njerëzve të Lëvizjes. Që asaj dite, kur trupat e tyre po futeshin në dheun e ftohtë të rrethinave të Shtutgartit, një ish gardian burgu, pjesëmarrës në varrim, do i thonte shokut të tij pfanë vetes, se “ ky që po flet, hiç nuk po i dridhet zani, ky do i ketë vra, he ja pafsha dreqin”. Rolin e gardianit të dikurshëm tani e zuri Buxhovi. Nuk dua të futem në deklarime gjithëfarësh, disa nga të cilat e fajsojnë vetë Buxhovin për këtë ngjarje, sepse nuk besoj se do të ketë qenë kaq i guximshëm, ( guximi i tij arrinte deri duke qenë pjesë e hetuesisë), por në këtë enigmë, në të cilën herë pas here janë bërë pjesë edhe të afërm të Gërvallës, por jo të Kadri Zekës, dy gjëra ende nuk janë shtruar si duhet, dhe le të besojmë se këtë do e zgjidhë shteti gjerman, kur tashmë kanë filluar të zbardhen shumë të vërteta të fshehura. Përse UDB-ja i vrau Kadri Zekën, si njeriun e organizimeve masive, gazetar dhe publicist, polemist i shquar, orator i përmasave të mëdha, me tepër autoritet dhe elitar; përse UDB-ja vrau Jusuf Gërvallën, intelektual i shquar,ideolog i lëvizjes kombëtare shqiptare, po ashtu, gazetar,rreth të cilit po mblidheshin njerëz të vendosur, të aftë për të ndryshuar gjithçka e të gatshëm deri në vetflijim? Edhe më parë, por jo në këto përmasa, në perëndim kishte pasur fillesa të rezistencës, ishin disa grupe të ngritura vrullshëm, nganjëherë me një besim deri në naivitet, por në janarin e vitit 1982, kur u bë e qartë se diferencat ishin kaluar e përmbyllur, se Lëvizja Çlirimtare kishte gjetur dy ndër liderët e spikatur të saj, se korniza ishte thyer dhe frika po vritej, kur prilli i vitit 1981 i Prishtinës ishte përsëritur në disa kryeqytete të botës, UDB-a nuk mund të toleronte më tej.Ajo ishte përpjekur të serbizonte klubet shqiptare, dhe njëri ndër klubthyerësit kishte qenë edhe Buxhovi, ndoshta më i dëshpëruari dhe më i egërsuari; ishte përpjekur të vendoste nën kontrollin e saj gjithçka që kishte qenë e mundur, por çdo gjë dëshmonte se tashmë gjërat po dilnin jashtë saj, po shkëndijohej një frymë e re, e cila, si gjithnje po vinte e mbarë nga perëndimi. UDB-ja nuk ishte nocion abstrakt, ajo gjallonte përmes këtyre gjërave amorfe njerëzore, si Buxhovi, të cilët, përmes shkrimeve dhe ndërhyrjeve të tyre, e deri përmes pjesës së hetimeve, i jepnin frymë asaj. Të gjithë bashkë, këto struktura, brenda e jashtë UDB-së, të njësuar me të qoftë edhe shpirtërisht, ishin të interesuara që të heshtin Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla. Kjospjegon edhe gjënë e dyrtë, por bën të qaertë faktin se ata që, jo vertëm e ndjenë plafgën deri në shpirt, por edhe që i trajtonin dy liderët si prijës dhe si dritën e syve ishin njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare, të cilët, edhe më pas, nuk lejuan që mbi to të binte pluhuri i harresës, thyen mjegullën udbashe se “ Gërvallajt ishin të dërguar nga UDB-ja”, e mbajtën kujtimin e tyre si një gjë jashtëzakonisht të vyer, dhe më në fund, kur gjithçka u vendos në provë, brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ua vendosën emrat e herojve. Kjo shtë e vetmja enigmë, që shpejt do të zbardhet, e përmes të cilës udbashët e çdo lloji kanë mjegulluar deri më tash. Ata kanë bërë çmos ta mbajnë gjallë këtë enigmë, e kanë ushqyer me të gjithë forcën e mendjes së tyre, gjithnjë tinzisht, herë pas here duke keqpërdorur edhe dhimbjen e të afërmve të herojve. Por, duke qenë se jo gjithçka u mbyll në këtë natë janari të vitit 1982, do të ishte normale të pyetej Buxhovi dhe buxhovistët rreth tij: Cilët ishin ata që vranë , po ashtu në një natë janari, dy liderë tjerë të Lëvizjes Çlirimtare, Rexhep Malja dhe Nuhi Berisha? Cili ishte ai që i rrethtoi, që u bëri pritën, që qëlloi dhe që në fund i vrau? VI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura