ROLI HISTORIK I KONGRESIT TË MANASTIRIT PËR NJËSIMIN E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE 14 – 22 NËNTOR 1908 (II)

(Pashtriku.org, 19. 11. 2012) – Gjatë fillim shekullit XIX, Manastiri ka qenë një nga vatrat kryesore të klubeve shqiptare, të cilat aspironin përhapjen e arsimit shqip kudo ndër shqiptarë. Pas revolucionit xhonturk (1908), duke përfituar nga koncesionet e vogla që i bënë në fillim xhonturqit, Manastiri bëhet çerdhe e vërtetë e klubeve shqiptare, patriotëve shqiptarë dhe shtypshkronjave të librave në gjuhën shqipe. Në këtë qytet shqiptar u mbajt Kongresi i Manastirit (1909) i cili vendosi për një alfabet të njësuar të gjuhës shqipe. Mbas Luftërave të përgjakshme ballkanike, Manastiri u pushtua nga hordhitë serbe të cilat bënë mizori të papapara mbi popullsinë shqiptare të Manastirit. Manastiri poashtu njihet edhe si një nga qytetet shqiptare, i cili e ka mbështetur Kryengritjen e Ilindenit (Ilirdës) (1903) e cila i siguroi Republikës së Krushevës një autonomi të shkurtër. Në këtë qytet janë takuar shpeshherë përfaqësuesit patriotë shqiptarë si Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno, Nazmi Bej Resnja me krerët e rezistenëcs maqedonase. Manastiri ka qenë kryeqendër gravituese e Vilajetit të Manastirit, i cili ka përfshirë një sipërfaqe prej 22.000 km katorë dhe, në të cilin bënin pjesë tokat shqiptare të Iliridës gjer në Elbasan.
REAKSIONI XHONTURK DHE QËNDRESA KUNDËR TIJ (1909 – 1910)

Megjithëse Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” kishte deklaruar se nuk do të përzihej në çështjen e zgjedhjes së alfabetit të gjuhës shqipe, në të vërtetë ai mobilizoi kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe në mënyrë të veçantë kundër klubeve e shkollave shqipe gjithë administratën shtetërore, qendrore e lokale, klerikët fanatikë myslimanë dhe ekspeditat e gjeneralëve osmanë. Xhonturqit u mbështetën në këtë veprimtari në ligjin mbi “Bandat”, që parashikonte masa shumë të rrepta për të gjithë ata që merrnin pjesë në çetat e armatosura dhe për të afërmit e tyre, si dhe në ligjin “Mbi shoqëritë”, që ndalonte të gjitha organizatat kombëtare, përveç atyre osmane. Këto dy ligje u miratuan nga parlamenti turk në vjeshtën e vitit 1909, me gjithë kundërshtimin e deputetëve të kombësive joturke.
Në shtator të vitit 1909 me urdhër të valiut të Kosovës u mbyll shkolla shqipe e Pejës, ndërsa në janar u dëmtua dhe më pas u mbyll shkolla shqipe e Gjilanit. Në shkurt të vitit 1910 valiu i Kosovës urdhëroi të mbyllen të gjitha shkollat shqipe të këtij vilajeti dhe të hiqej mësimi i gjuhës shqipe nga shkollat shtetërore turke. Hasan Prishtina, Nexhip Draga e atdhetarë të tjerë kosovarë protestuan menjëherë kundër këtyre veprimeve dhe kërkuan nga Stambolli largimin e valiut nga Kosova. Veprime të njëjta kundër shkollave shqipe u ndërmorën në vilajetin e Janinës, ku drejtoria e arsimit në fillim kundërshtoi kërkesat për hapjen e shkollave të reja shqipe (në Leskovik, Filat etj.), ndërsa në mars të vitit 1910 urdhëroi të ndalohej mësimi i gjuhëve të tjera në shkolla, përveç turqishtes.
Në fillim të vitit 1910 ministri i Arsimit deklaroi se “qeveria turke do të qëndrojë neutrale në punët e alfabetit, por në shkollat shtetërore do të vërë në zbatim alfabetin arab”. Pas kësaj administrata osmane filloi të fuste me forcë në të gjitha shkollat e vendit alfabetin arab për mësimin e shqipes. Sikurse theksonte ato ditë kryeministri turk, Ibrahim Haki pasha, qeveria e Stambollit e trajtonte çështjen e alfabetit shqip si një problem politik, shihte në përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e shqipes hapin e parë për shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia. Në përpjekjet e tyre për të penguar përhapjen e shkollës e të shkrimit shqip xhonturqit u mbështetën te klerikët konservatorë dhe tek elementët e tjerë turkomanë nga radhët e shqiptarëve. Kjo i dha mundësi Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim” ta paraqiste konfliktin rreth alfabetit shqip si një çështje të brendshme të shqiptarëve.
Myftiu i Manastirit, Rexhep Nuredini, që ishte autor i njërës prej tri abetareve shqipe me shkronja arabe, bënte propagandë kundër alfabetit shqip të Kongresit të Manastirit në vise të ndryshme të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut (deri në Vlorë), duke mobilizuar për këtë qëllim edhe klubet xhonturke të oficerëve. Po kështu vepronin myftinjtë e Korçës, të Gjirokastrës, të Kavajës etj., ndërsa ai i Prishtinës dhe i Dibrës nxorën qarkore, në të cilat u bënin thirrje gjithë klerikëve myslimanë të organizonin mitingje për të përkrahur alfabetin arab.
Të nxitur nga xhonturqit, një grup prej 14 deputetësh të parlamentit, që u paraqitën si shprehës “të ndjenjave të popullit shqiptar”, edhe pse mjaft prej tyre nuk dinin të shkruanin e të lexonin shqip, kërkuan nga kryeministri turk në janar të vitit 1910 që të përdorej alfabeti arab për shkrimin e shqipes dhe të ndalohej ai latin. Kishte midis tyre edhe deputetë shqiptarë të njohur për qëndrimet e tyre antikombëtare, si Mahmut Bedriu (Peja), Haxhi Ali Elbasani, Fuat Pasha i Prishtinës, Sait Efendiu (Idrizi) i Shkupit, Hasan Basriu i Dibrës, Riza Efendiu i Shkodrës etj.
Përkundrazi, deputetët atdhetarë, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj., të zemëruar nga veprimet e parlamentarëve turkomanë, i dërguan kryeministrit një letër proteste, ku kërkuan që të respektoheshin të drejtat e ligjshme të shqiptarëve, të liheshin ata të lirë të përdornin alfabetin që dëshironin dhe që administrata qeveritare të mos ndërhynte.
Në bashkëpunim me elementët turkomanë, si Sait Efendiu (deputet i Shkupit), Arif Hiqmeti etj., valiu i Kosovës, Masar Beu, më 2 shkurt të vitit 1910 organizoi një miting në një nga xhamitë e Shkupit, në të cilën klerikët fanatikë i shpallën shkronjat latine në kundërshtim me fenë islame dhe kërkuan që të ndalohej përdorimi i tyre për gjuhën shqipe. Më 6 shkurt u mbajt një miting tjetër në një nga xhamitë e Manastirit, ku u kërkua të hiqej alfabeti latin për gjuhën shqipe dhe të futej ai arab, me të cilin ishin shkruar edhe librat e shenjtë.
Mitingje të tilla në përkrahje të alfabetit arab u mbajtën në shkurt të atij viti edhe në Elbasan, në Gjakovë, në Korçë, në Gjilan, në Vuçiternë, në Mitrovicë e në qendra të tjera, në të cilat, sipas dëshmive të bashkëkohësve, morën pjesë vetëm klerikët konservatorë myslimanë dhe një grusht fanatikësh turkomanë.
Disa nga krerët turkomanë shqiptarë, duke pasur përkrahjen e xhonturqve, formuan në Stamboll më 4 mars 1910 shoqërinë me emrin “Rrethi arsimor shqiptar” (“Arnavud mahfel mearifi”), të kryesuar nga kleriku e senatori Haxhi Ali Elbasani, që ishte edhe deputet i parlamentit, Mahmut Bedriu, deputet i Pejës etj. Shoqëria ose “Mahfeli”, siç u quajt në atë kohë, filloi të punonte për të përhapur në Shqipëri arsimin me shkronja arabe, duke botuar libra e gazeta me këtë alfabet, që të forconte kështu “lidhjet e shqiptarëve me atdheun osman”.

Shtëpia e Alfabetit në Manastir.

…………………………………………….

Me gjithë përpjekjet e xhonturqve për ta shtrirë veprimtarinë e “Mahfelit” në vilajetin e Kosovës e në viset e tjera shqiptare, ajo u kufizua kryesisht në Stamboll. Edhe këtu iu kundërvunë atij shumë atdhetarë të Stambollit, që formuan “Shoqatën e intelektualëve shqiptarë”, e cila mbronte alfabetin shqip të Kongresit të Manastirit. I nxitur nga Komiteti “Bashkim e Përparim”, edhe Shejhylislami i propozoi Ministrisë së Arsimit që të ndalonte futjen e alfabetit latin për shkrimin e shqipes dhe më 5 prill, me anën e një qarkoreje të veçantë u kërkoi të njëjtën gjë gjithë myftinjve të Shqipërisë. Shejhylislami dhe fill pas tij shehlerët e hoxhallarët fanatikë e turkomanë mallkuan alfabetin latin, u ndaluan myslimanëve ta përdornin atë dhe kërkuan prej tyre të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me shkronjat “e shenjta” të Kuranit.
Në luftën kundër shkollës e kulturës kombëtare shqiptare turqit e rinj patën përkrahjen e dhespotëve ortodoksë grekë dhe të klerikëve grekomanë shqiptarë, të cilët, me ndihmën e bandave të andartëve që vepronin lirisht edhe pas shpalljes së kushtetutës, terrorizonin popullsinë e Negovanit, të Bellkamenit dhe të fshatrave të Shqipërisë së Jugut e të Mesme, që kërkonte çeljen e shkollave shqipe.
Këto veprime të xhonturqve shkaktuan zemërim të thellë tek atdhetarët dhe te populli shqiptar, që u ngritën për mbrojtjen e shkollës e të shkrimit shqip dhe të të drejtave kombëtare. Në krye të kësaj qëndrese, thuajse të përgjithshme, u vunë klubet e shoqëritë atdhetare, si klubi “Bashkimi” i Manastirit, klubi “Dituria” i Gjirokastrës, klubet e Korçës, të Elbasanit, të Pogradecit, të Kolonjës etj. Ato protestuan pranë qeverisë turke kundër ndjekjeve që po u bëheshin gjuhës shqipe dhe atdhetarëve shqiptarë.
Paria e Prishtinës, në një letër që i dërgonte në fund të dhjetorit të vitit 1909 deputetit të saj, Hasan Prishtina, në emër të popullsisë së kësaj treve, protestonte kundër përpjekjeve që po bëheshin për t’i detyruar shqiptarët të përdornin alfabetin arab, theksonte se alfabeti latin është më i përshtatshëm për gjuhën shqipe, se përdorimi i tij nuk krijon ndonjë shqetësim as nga pikëpamja politike, as edhe nga ajo fetare. Në këtë dokument i kërkohej Hasan Prishtinës që të ndërmjetësonte pranë qeverisë që mësimet në shkollat fillore të bëheshin në gjuhën shqipe dhe që ajo të jepej me alfabetin latin.
Orvatjet e qeverisë turke në fillim të vitit 1910 për të futur në shkolla alfabetin arab për mësimin e shqipes, hasën në qëndresën e vendosur të mësuesve dhe të nxënësve, që në shumë qytete të Shqipërisë, si në Korçë, Berat, Durrës, Janinë, Shkup e në vende të tjera, braktisën shkollat turke dhe protestuan kundër autoriteteve shtetërore. Edhe populli i Elbasanit iu përgjigj mitingut të klerikëve fanatikë e turkomanë myslimanë me një manifestim masiv kundër futjes së alfabetit arab, i cili u organizua më 18 shkurt 1910 në një nga sheshet e qytetit, ku morën pjesë rreth 7 000 qytetarë e fshatarë të ardhur nga Shpati dhe nga katundet e tjera të Elbasanit. Në këtë miting populli kërkoi nga qeveria dhe nga parlamenti të pranonin përdorimin e alfabetit shqiptar (latin) për shkrimin e gjuhës shqipe.
Më 27 shkurt u organizua nga klubi “Dituria” një miting i madh në Korçë në mbrojtje të abëcësë shqipe, ku morën pjesë rreth 15 000 veta nga qyteti e nga rrethi i Korçës, nga Devolli, nga Kolonja, nga Opari e nga Pogradeci. Në emër të popullit të mbledhur në këtë tubim iu dërguan telegrame proteste, kundër futjes së alfabetit arab, qeverisë turke dhe deputetëve shqiptarë të parlamentit.
Një pjesëmarrje të gjerë pati edhe mitingu që u zhvillua në Berat më 28 shkurt, ku qenë të pranishëm rreth 15 000 veta, banorë të qytetit e të fshatrave të rrethit. Në telegramet e protestës, që iu dërguan qeverisë turke në emër të popullit të Beratit, theksohej se, duke futur alfabetin arab “qeveria synon t’i lërë shqiptarët në padije si gjer më sot dhe të futë grindje e përçarje ndërmjet atyre myslimanë dhe ortodoksë”. Mitingje të tilla u mbajtën edhe në Tepelenë, në Përmet dhe në Skrapar. Telegrame proteste kundër përdorimit të alfabetit arab dhe për mbrojtjen e alfabetit latin iu dërguan qeverisë e parlamentit turk edhe në emër të popullit të Gjirokastrës (nga Shoqëria “Bashkimi”), të Çamërisë (nga klubi i Filatit), të Shkupit, të Ohrit, të Vlorës, të Prishtinës, të Mitrovicës, të Gramshit, të Përmetit, të Frashërit, të Tepelenës, të Konicës, të Leskovikut etj.
Duke vënë theksin në përmasat e kësaj lëvizjeje, konsulli francez në Shkodër i shkruante qeverisë së tij, në shkurt të vitit 1910, se tërë Shqipëria është ngritur kundër përpjekjeve të qeverisë turke për t’i detyruar shqiptarët të përdorin alfabetin arab, si dhe për të mbrojtur alfabetin shqip të vendosur në Kongresin e Manastirit. Mitingjet e zhvilluara nga klubet shqiptare në shkurt të vitit 1910, si nga shkalla e organizimit e rregulli që zotëroi në to, nga përmbajtja kombëtare e përparimtare e kërkesave të tyre, ashtu edhe nga përmasat që morën, ishin ngjarje të reja për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe të rralla e të papara deri atëherë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë Perandorinë Osmane.

KONGRESI KOMBËTAR I ELBASANIT (2 – 8 SHTATOR 1909 )

Kongresi i Dibrës nuk e ndryshoi vendimin e marrë qysh më parë nga rrethet atdhetare për të mbledhur një kongres kombëtar në Elbasan, i cili do të shqyrtonte në mënyrë të veçantë problemin e shkollës shqipe që ishte bërë objekt i sulmeve të xhonturqve, përgatitjen e mësuesve, organizimin në shkallë kombëtare të rrjetit të shkollave shqipe, drejtimin e përqendruar të tyre nga një institucion kombëtar dhe sigurimin e mjeteve financiare për mbajtjen e tyre. Thirrja e tij bëhej e domosdoshme edhe për shkak të rritjes së rrjetit të shkollave shqipe pas Kongresit të Manastirit.
Pak kohë para thirrjes së Kongresit (më 3 korrik 1909), Ministria e Arsimit e Turqisë, nën trysninë e kërkesave këmbëngulëse të shqiptarëve, u detyrua të njoftonte vilajetet që të përfshinin në programin mësimor të shkollave shtetërore, qytetëse (ruzhdie) dhe në gjimnazet (idadie), mësimin e gjuhës së vendit (shqipe) dhe që mësuesit e kësaj gjuhe të paguheshin nga buxheti i shtetit. Kjo ishte një rethanë që favorizonte punimet e Kongresit të Elbasanit për çështjet e arsimit shqiptar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut, i cili, qysh në fund të marsit njoftoi për këtë klubet e shoqëritë shqiptare, ndërsa me përgatitjen e tij të drejtpërdrejtë u morën klubet “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit, që u shpërndanë ftesat klubeve dhe shoqërive shqiptare brenda e jashtë vendit.
Kongresi i Elbasanit u hap më 2 shtator të vitit 1908 dhe i vijoi punimet deri më 8 shtator. Në të morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptare të qyteteve të tilla të Shqipërisë, si Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Korça, Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Pogradeci, Janina, Filati, krahinat e Gramshit, të Skraparit etj. Nuk mundën të dërgonin delegatët e tyre Vlora, për shkak të terrorit të xhonturqve mbi atdhetarët e këtij qyteti, Shkodra, për arsye të veprimtarisë së reaksionit xhonturk, të përkrahur nga klerikët konservatorë dhe elementët fanatikë turkomanë, si edhe vilajeti i Kosovës, po për shkak të pengesave që nxorën klerikët dhe paria konservatore e fanatike, që përkrahte alfabetin arab. Megjithatë, klubi i Shkupit ngarkoi si përfaqësues të vetin Mithat Frashërin, ndërsa atdhetarët shkodranë njoftuan në mënyrë paraprake se do t’i njihnin vendimet e këtij Kongresi. Po ashtu nuk u përfaqësuan edhe shoqëritë atdhetare të mërgimit.
Midis delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Josif Haxhi Mima, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Abdullah Rushit Ahmeti (Struga), Abdulla Koprëncka, Kristo Dako, Emin Haxhi Ademi, Selman Blloshmi, Andrea Konomi, Idhomenë Kosturi etj.
Punimet e Kongresit u drejtuan nga një kryesi e zgjedhur nga delegatët dhe e përbërë nga Dervish bej Biçaku (kryetar), Mithat Frashëri (nënkryetar) dhe Simon Shuteriqi e Josif Haxhi Mima (sekretarë). Ashtu siç ishte parashikuar, në Kongres u shqyrtuan tri çështje themelore: çelja e një shkolle normale dhe masat e nevojshme për të; krijimi i një qendre të vetme për drejtimin, për organizimin dhe për financimin e shkollave shqipe; masat për bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare.
Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin Vendimet ose, siç u quajt ndryshe, Rezoluta prej 15 nenesh, që u miratua dhe u nënshkrua nga gjithë delegatët. Një nga masat më të rëndësishme të kësaj Rezolute ishte çelja në Elbasan në vjeshtën e atij viti e një Shkolle Normale (pedagogjike), me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe. Shkolla pedagogjike do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. Në Kongres u miratua edhe një rregullore e veçantë e Shkollës Normale, e përpunuar nga një komision i posaçëm. Për t’i vënë shkollat shqipe nën një drejtim unik e të përqendruar në shkallë kombëtare, Kongresi vendosi që të krijohej në Korçë Shoqëria qendrore shkollore “Përparimi”.
Sipas statutit të saj të veçantë ajo do të quhej Shoqëria e mësonjëtoreve shqipe “Përparimi” dhe do të kishte për detyrë të kujdesej për mbajtjen e administrimin e Shkollës Normale të Elbasanit, për hapjen e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave të nevojshëm. Pranë shoqërisë krijohej edhe një arkë e përgjithshme, që do të plotësohej me kontributin e klubeve, të shoqërive dhe të atdhetarëve të veçantë. Me qëllim që Shoqëria “Përparimi” të ushtronte lirisht dhe pa pengesa veprimtarinë e saj, Kongresi kërkoi që ajo të njihej zyrtarisht si “person juridik” nga qeveria turke; u hartua një rregullore e veçantë e kësaj shoqërie, e cila do t’i paraqitej gjithashtu për miratim qeverisë. Shoqëria duhej të kërkonte ndihmën financiare të shtetit turk.
Kongresi ngarkoi “të gjitha klubet dhe shoqëritë, si edhe çdo shqiptar, të përpiqeshin të vinin gjuhën shqipe në të gjitha shkollat e vendit”. Në mënyrë të veçantë u ngarkua klubi qendror (i Manastirit) që të “nxirrte lejen që gjuha shqipe të hynte zyrtarisht në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, ndërsa me pikën 8 të Vendimeve, Kongresi i Elbasanit ngarkonte klubin qendror që sa më parë të “kërkonte futjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore fillore dhe qytetëse (ruzhdie)”. Përmbushja e këtyre kërkesave do të shënonte një hap të rëndësishëm në shndërrimin e të gjitha shkollave të huaja (turke ose në gjuhë të tjera) në shkolla shqipe dhe për themelimin e një sistemi kombëtar shkollor në Shqipëri. Kongresi ngarkonte gjithë atdhetarët shqiptarë që të kërkonin nga këshillat e vilajeteve hapjen e shkollave bujqësore, aq të nevojshme për popullsinë e zonave bujqësore të vendit.
Në Kongres u diskutuan gjithashtu disa çështje organizative dhe politike. Për të forcuar bashkëpunimin, lidhjet organizative dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet të gjitha klubeve e shoqërive, u vendos që të gjitha klubet e shoqëritë shqiptare të drejtoheshin nga një klub qendror. Në pajtim me këtë Kongresi zgjodhi si klub qendror (për dy vjet) klubin e Manastirit, i cili qëndronte në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për të bashkërenduar dhe për të organizuar më mirë e në përmasa kombëtare veprimtarinë politiko-kulturore të klubeve dhe të shoqërive shqiptare, u miratua një Rregullore e përgjithshme e klubeve dhe e shoqërive shqiptare, ku përcaktoheshin detyrat e tyre dhe format e lidhjeve e të bashkëpunimit ndërmjet tyre.
Në mbledhjet e mbyllura e të shpeshta në Kongres delegatët shprehën mosbesimin ndaj regjimit xhonturk dhe Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim”, të cilët në shumë qytete të Shqipërisë, si në Strugë, në Tiranë, në Gjirokastër, në Filat etj., nxitnin komitetet lokale që t’u kundërviheshin aspiratave kombëtare të shqiptarëve. Në emër të delegatëve të Kongresit iu dërgua kryeministrit turk një telegram, në të cilin protestohej kundër dhunës mbi atdhetarët shqiptarë në Vlorë e në qendra të tjera dhe kërkohej lirimi i bejlerëve atdhetarë të arrestuar. Po në këto mbledhje delegatët u shprehën për një organizim më të mirë të komiteteve të fshehta dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet tyre.
Në Kongres u shfaq mendimi se, në kushtet kur xhonturqit nuk pranonin t’i njihnin popullit shqiptar të drejtat më elementare kombëtare e njerëzore për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga arbitrariteti e zgjedha e turqve të rinj, shqiptarët duhej të organizonin luftën e armatosur për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe për këtë qëllim populli shqiptar duhej të bashkëpunonte me popujt e tjerë të shtypur të Turqisë Evropiane, me maqedonët, vllehët etj., që luftonin gjithashtu për çlirimin e tyre kombëtar.
Kongresi dënoi ndërhyrjet e fuqive të huaja në Shqipëri që ishin forcuar në fillim të shek. XX, e veçanërisht pas aneksimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Në këtë Kongres u vendos gjithashtu që pas tri vjetësh, më 1912, të mbahej po në Elbasan një kuvend tjetër, që do të shqyrtonte “nevojat e Shqipërisë”, programin e të cilit do ta përgatisnin shoqëritë e këtij qyteti.
Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe për arsimin kombëtar në përgjithësi. Të mbështetur në vendimet e tij, atdhetarët shqiptarë ngritën në Korçë, më 20 shtator 1909, Shoqërinë qendrore shkollore “Përparimi”, në kryesinë e së cilës u zgjodhën atdhetarët e njohur Orhan Pojani (kryetar), Stavri Karoli, Idhomenë Kosturi e Mihal Gramenoja.
Me qëllim që Shoqëria “Përparimi” të ushtronte ligjërisht të gjitha kompetencat e saj si një institucion qendror e drejtues i arsimit kombëtar, kryetari i saj Orhan Pojani, duke pasur mbështetjen e deputetëve atdhetarë shqiptarë të parlamentit, bëri përçapje pranë Këshillit të Shtetit në Stamboll për të siguruar njohjen e saj zyrtare si person juridik. Megjithëse kjo kërkesë u kundërshtua nga qeveria turke, Shoqëria “Përparimi” u kthye në të vërtetë në një organizatë arsimore kombëtare dhe dha një ndihmë të çmuar për organizimin e drejtimin e arsimit shqiptar. Ajo dha një ndihmesë të veçantë për sigurimin e fondeve të nevojshme financiare për Shkollën Normale të Elbasanit dhe për shkollat e tjera shqipe. Duke iu përgjigjur thirrjes që shpërndau për këtë qëllim brenda e jashtë Shqipërisë, dhjetëra klube dhe shoqëri atdhetare të vendit, organet e shtypit shqiptar, shoqëritë e kolonive të mërgimit dhe qindra atdhetarë derdhën në arkën e saj shuma të mëdha të hollash. Brenda një kohe të shkurtër u mblodhën për nevojat e Shkollës Normale dhe të shkollave të tjera 1 000 lira turke. Në mënyrë të veçantë rreth 340 atdhetarë dhanë ndihmën e tyre në të holla.
Më 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan Shkolla Normale (pedagogjike), që ishte shkolla e parë e mesme kombëtare shqipe. Mësuesit e saj të parë ishin atdhetarë të njohur dhe njerëz të shquar në lëmin e kulturës, si Aleksandër Xhuvani (i diplomuar në Greqi për filologji, i dalluar në fushën e letërsisë), Sotir Peci (i diplomuar gjithashtu në Greqi për matematikë-fizikë, drejtor i gazetës “Kombi”) etj. Drejtor i parë i saj u caktua Luigj Gurakuqi?, i cili vuri të gjitha forcat dhe aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Në Shkollën Normale jepnin gjithashtu mësim Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mejza dhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
Shkolla Normale kishte gjashtë klasa, me një plan mësimor prej 30 lëndësh, humanitare, të shkencave të natyrës etj. Ajo dallohej për karakterin e saj kombëtar, që përcaktohej nga përmbajtja e lëndëve dhe nga fakti se pranonte nxënës të të gjitha besimeve fetare, myslimanë e të krishterë. Atdhetarët bashkëkohës e çmonin atë si një vatër të formimit atdhetar të brezit të ri.
Qysh në vitin e parë të themelimit të saj (1909-1910) Shkolla Normale e Elbasanit pati 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Disa prej tyre, rreth 50 nxënës, kishin ardhur nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e Dibra, të dërguar nga klubet shqiptare, si ai i Shkupit, i Dibrës etj. dhe me kujdesin e veçantë të atdhetarëve Hasan Prishtina, Bajram Curri, Nexhip Draga etj.
Shkolla shqipe u hapën në këtë periudhë pas Kongresit të Elbasanit edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Në fund të shtatorit u bë në Korçë përurimi i shkollës së riorganizuar të djemve (i mësonjëtores së parë shqipe të vitit 1887), çelur qysh në pranverën e vitit 1909, e cila ishte një nga shkollat më të plota me pesë klasa dhe pesë mësues. Në tetor u hapën shkolla shqipe në Progër, në Cukaj të Martaneshit, në Verlen të Bilishtit, në Margëllëç, ndërsa në muajin dhjetor u çel shkolla shqipe në Negovan (nën drejtimin e Petro Nini Luarasit) dhe në fshatin Koshtan të Tepelenës.
Me përpjekjet e Klubit Arsimor të Shkupit, të Hasan Prishtinës e të atdhetarëve të tjerë kosovarë, në vjeshtën e vitit 1909 u hapën shkolla shqipe në vilajetin e Kosovës, në Moravë, në Gjilan dhe në fshatin Pozharan, ku mësonin edhe fëmijët e katundeve përreth. Shkolla shqipe kanë qenë ngritur në këtë kohë edhe në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Vuçiternë. Në janar të vitit 1910 klubi i Shkupit ngriti një shkollë private shqipe në këtë qytet, ndërsa në shkurt u hap shkolla shqipe në Mitrovicë.
Në mars-prill të vitit 1910 u çelën shkolla shqipe në Mesare të Leskovikut, në Labovën e Poshtme (nga klubi “Drita” i Gjirokastrës), në fshatra të Çamërisë, si në Ninat, Konispol, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek etj. Në verën e atij viti u hapën shkolla shqipe në Tepelenë, në Tiranë, në Vlorë, në Zerqan, në Kaninë, në Leskovik etj. U bënë përçapje për ngritjen e shkollave të tjera shqipe pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në fillim të vitit 1910 klubi i Dibrës mori nismën për hapjen e një numri të madh shkollash shqipe në këtë rreth.
Gjatë vitit shkollor 1909-1910, përveç qyteteve të tjera, gjuha shqipe u fut edhe në gjimnazet turke të Elbasanit, të Vlorës, të Beratit dhe të Shkupit (ku jepte mësim Bedri Pejani). Shqipja filloi të mësohej gjithashtu në shkollën “Edep” të Shkupit, që mbahej nga klubi “Rinia patriotike” (“Shubani vatan”) të këtij qyteti. Sipas të dhënave të shtypit shqiptar të kohës, në vjeshtën e vitit 1909 gjuha shqipe ishte futur si lëndë pothuajse në të gjitha gjimnazet (idadijet) turke të Shqipërisë dhe në shumë shkolla qytetëse (ruzhdie). Meqë Ministria e Arsimit, qysh në korrikun e vitit 1909, kishte lejuar mësimin e gjuhëve të vendit në gjimnazet turke, mësuesit e gjuhës shqipe në këto shkolla u emëruan nga organet e saj.
Por këto shkolla ndiqeshin nga një numër i kufizuar nxënësish, prandaj atdhetarët shqiptarë vijuan të kërkonin që gjuha shqipe të mësohej në të gjitha shkollat fillore të vendit, rrjeti i të cilave ishte më i gjerë. Në fundin e vitit shkollor 1909-1910 mësimi i shqipes u fut edhe në shkollën qytetëse të Prevezës, në atë të Lurosit, në shkollat fillore turke të Kolonjës, të Oparit, të Devollit, të Përmetit, të Elbasanit dhe të disa qendrave të Kosovës. Në fillim të vitit 1910 përfaqësues të popullsisë së Ohrit kërkuan nga parlamenti që gjuha shqipe të mësohej në të gjitha shkollat shtetërore të kësaj prefekture.
Me gjithë pengesat e shovinistëve grekë, atdhetarët shqiptarë gjatë vitit 1910 arritën të fusnin mësimin e shqipes edhe në shkollat e tjera greke, si në ato të Elbasanit, të Beratit, të Kavajës dhe të Labovës së Poshtme. Por përhapja e mëtejshme e shkollave dhe e shkrimit shqip u pengua për shkak të shpërthimit të reaksionit xhonturk kundër kulturës dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi.

KONGRESI I PARË I MANASTIRIT
Shkruan: Parasqevi Qiriazi ( * )

Për në Kongresin e Parë të Manastirit komisioni pregatitor ftoi edhe motrën time Sevasti të përfaqësonte shkollën shqipe të vajzavet në Korçë. Vjeshtën e motit 1908 për shkak të rrethanave politike të krijuara me shpalljen. e regjimit konstitucional në Turqi, shkolla jonë u çel me një numër shumë më të madh nxënësish se sa në vjetët e mëparshëm.
Puna e shumtë për të zmadhuar shkollën dhe internatin e penguan drejtoreshën të largohet, prandaj ajo më delegoi mua me të drejtën, për të përfaqësuar shkollën e vajzave të Korçës në këtë Kongres të parë kombëtar, sikundër u quajt atëhere prej shqiptarëvet.
Siç dihet, inisiativën e mori klubi i Manastirit „Bashkimi“, i cili u themelua fill pas Hyrietit, dhe vëllai im Gjergj Qiriazi pati luajtur një rol kryesor. Klubi i Korçës në këtë mbledhje të shënuar dërgoi përfaqësues Mihal Gramenon, Gligor Cilkën, Sami Pojanin dhe Thoma Avramin. Si grua që isha nuk munda të udhëtoja vetëm, prandaj mora shoqen time Fillomena A. Bonati të më shoqëronte në atë mision interesant.
Nuk do të flas këtu mbi vështirësitë që patën hasur im vëlla Gje-rasim Qiriazi me motrën Sevasti, për të çelur shkollën shqipe të vaj-zavet e për ta mbajtur hapur njëzet vjet me radhë gjatë sundimit tiranik të sulltan Hamitit.

Por dua të them se vetë ne mësueset e shkollës kur dëlnim nga shkolla, Mitropoliti grek porositte rrugaçët të na shanin “Masonka, Protestante, Papistë” – megjithëse nuk ishim as gjë tjetër veçse shqiptare patriote. Në një kohë të këtillë pra kur sundonin kushte barbare për femrat, pa të drejta politike për ato, dhe gratë muhamedane në rrugë s’mund të delnin pa ferexhe, do të ishte e parmindur dhe e padëgjuar që një .grua të delte sheshit në një kon-gnes burrash.
Im vëlla Gjergji më këshilloi të mos ekspozohesha në kongres e të mos dilja në tribunë. Megjithatë mua prapë m’u dha një rast i mirë të shërbej në komisionin që zgjodhi Kongresi për të caktuar abecenë. Ky komision i bënte mbledhjet në shtëpi të Gjergj Qiriazit.
Nëna jonë, Maria ishte e pamundur, por unë ndihmoja zonjën e Gjergjit për të pritur e përcjellë të tetë anëtarët e komisionit, të cilët punonin me ditë të tëra, të veçuar, për të shikuar çështjen e alfabetit, por edhe dhashë dorë duke mbajtur shënime për komisionin.
Por kjo puna ime gjatë kongresit qe e rëndësishme. Ajo që mbeti në formë koirkrete dhe e dobishme prej dorës sime, punë e frymëzuar prej kongresit të parë të Manastirit, është botimi i abetares sime të hartuar sipas rregullavet që vendosi kongresi vetë. Kjo abetare, e para e llojit të saj, doli pas disa muajve dhe u lajmua prej shtypit kombëtar si një pimë e vlefshme.
“Bashkimi kombëtar” më 5 të vjeshtës së tretë 1909 shkruante: *Kjo Oibër e vogël me 32 faqe dhe me 18 fytyra është radhitur bukur e pas methodhës së re me abecenë që vendosi Kongresi i Manastirit”. Abetarja vërtet mbante çminnin 20 para copa, por e vërteta është se ajo 01 shpërnda gratis jo vetëm tek të vobektit por edhe në gjithë nxënësit e shkollavet shqipe të atëhershme.
Që në Kongresin e Manastirit turqit dhe grekërit treguan planet e tyre ndaj shqiptarëvet. Bënë çmos që të merret alfabeti arab edhe grek ‘për të shkruar gjuhën shqipe.
Për të luftuar punën e vlefshme të Kongresit të parë të Manastirit dhe për të penguar mbrodhësinë e popullit shqiptar e të arësimit me gjuhën amtare, xhonturqit nisën fushatën kundër abecesë shqipe duke botuar një abetare të tyren me shkronja arabe. E zemëruar ruga kjo punë e keqe e xhonturqvet kundra abecesë aty për aty shkrova hymnin e alfabetit kombëtar, i cili u këndua në katër anët e Shqipërisë më 1909.
Alfabeti
1. Sot është dita, shqiptarë, të përpiqemi,
Alfabetin ton’ ta mprojmë,
Shpejt o burrani;
Shkronjat tona jan’ të arta,
Këto duamë

Udhëtimin nga Korça në Manastir e bëmë atë kohë në dy dite Nuk më del nga mendja nata që ngrysëm në han të Stenjas. Katër burra dhe dy gra në një kthinë trualli pa tavan e pa oxhak. Me rrobat e udhës e me pallton e madhe krahëvet u mblodhëm të gjithë rreth zjarrit të ndezur në mes të vatrës me tymin që ntrashej sa më shumë, se s’kish nga të delte.
Natën e gdhimë me biseda kombëtare dhe rreth çështjes së abecesë dhe herë herë duke dëgjuar ndonjë shaka prej Xha Mihalit, i cili ndërsa derdhnim lotë prej tymit, përpiqej të na bënte të qeshnim. Kur arritëm në Manastir një ditë para se të çelej Kongresi qemë pa gjumë e të lodhur prej udhës.
Edhe ky udhëtim edhe kongresi vetë më shtynë të mendohem se ç’duhej bërë për ta shpëtuar gruan nga gjendja në të cilën kredhej. Përveç abetares dhe hymnit të alfabetit, vendosa ashtu e heshtur, që kur të kthehesba në Korçë të ftoja shoqet e mija të qytetit dhe së bashku të fillonim organizimin të një shoqërie kombëtare për gruan.
Brenda vjetit e themeluam me emrin *Yll’i Mëngjezit” me qendër në Korçë.
Kjo shoqëri bëri punë të mirë për të mbrojtur të drejtat e gruas duke mbajtur konferenca kulturore patriotike dhe duke çelur kurse për të rejat që nuk vinin dot në shkollë.
Kjo shoqëri nuk u themelua – pa vështirësi, më thirën dhe në gjyq disa herë. Kundërshtarët e çështjes shqipe e shpiegonin këtë thirrjen time në gjyq si një turp, sikur të kisha bërë ndonjë punë të keqe, – “një grua ta bënje veten sa të shpien në gjyq”, – thoshin turkomanët dhe grekomanët. Por unë do ta kisha për nder sikur të më shpinin edhe hë litar për çështjen shqipe.
Kurrë nuk më shkonte ndër mend se do të rroja të shoh ëndrrat e mia të realizuara. Nuk jam më e zonja të marr pjesë në punën e madhe që bëhet për gruan dhe prej gravet, në këtë zhvillim madhështor të qytetërimit e të kulturës në Shqipëri, më mbetet të pakën e drejta natyrale të gëzohem edhe unë për këtë punë të mbarë…
* ) Marrë nga libri: “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (14-22 nëndor 1908), Tiranë 1972”). Libër me studime, materiale, dokumente nga Universiteti i Tiranës, Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë – Tiranë 1972. Shtypur në NISH të Shtypshkronjave “Mihal Duri´” – Tiranë. Faqet e librit 447. Redaksia: A. Buda, M. Domi (Redaktor përgjegjës), S. Pollo, K. Prifti, M. Samara (sekretar i redaksisë).
MIT’HAT FRASHËRI RRËFEN PERSONAZHET E KONGRESIT TË MANASTIRIT
Kongres’ i Abeces u mbajt në Manastir më 1 e gjer më 10 të Vjeshtës’ së tretë 1908. Kishinë marrë pjesë 32 delegatë t’ardhurë nga 22 shoqëri dhe qytete.. Fytyrat që po botojmë në këtë numër rrëfejnë, i pari Kongresin, i dyti Komisionin e Abecesë:
Në fytyrë të parë shohim këta veta:
1. Midhat Frashëri (Lumo Skëndo) delegate i Klubit të Selanikut dhe i Klubit të Janinës; kryetar i zgjedhur i Kongresit; dreqtonjës i së përkohëshmes s’ënë dhe i gazetës Lirija.
2. Gjergj Fishta, delegat’ i Shoqërisë Bashkim në Shkodrë; auktor i Lahut’ e Malcisë, Anzat e Parnasit dhe të tjera libra e vjersha; dreqtonjës i një shkolle shqipe në Shkodrë.
3. Emzot Kaçori, delegate i Durrësit dhe ndihmës i arqipeshkut të këti qyteti.
4. Dom Nre Mjeda delegat i shoqërisë Agim në Shkodrë, kryetar i kësaj shoqërije dhe auktor i librave shkollare të kësaj shoqërije; vjershëtor.
5. G.D.Qiriaz Manastiri, delegat i Ma-nastirit, nënëkryetar i Kongresit dhe auktor i Hristomathi.
6. Fehim be Zavalani, delegat’ i Manastirit, kryetar i Klubit të Manastirit.
7. Dimitri Mole, delegat’ i Filibesë
8. Nyzhet Vrioni, delegat’i Beratit.
9. Rok Berisha Gjakova, delegat’ i Shkupit
10. Bajo Topulli Gjirokastra, delegat i Gjirokastrës, luftëtar i lirisë.
11. Thoma Abrami, delegat’ i Korçësë, dreqtonjës i së përkohëshmes Besa që ka dalë në Kairo
12. Sotir Peci Dardha, delegat i sh-qiptarëvet n’Amerikë dhe të Bukureshtit, dreqtonjës i gazetës Kombi në Boston.
13. Luigji Gurakuqi Shkodra, delegat’ i këti qyteti; auktor dhe vjershëtor nënë pseudonimin lek Gruda.
14. Shahin Kolonja, delegat’ i Kolonjës; dreqtonjës i gazetës Drita që dilte në Sofje; depyte i Korçës.
15. Ahil Eftim Korça, delegat i Kostancës
16. Adham Shkaba Statobërdha, delegat i Sofjes.
17. Dimitri Buda Elbasani, delegat i këti qyteti
18. Matea Logoreci shkodra, delegat i shoqëris Agimi i këti qyteti 19. Azis, delegat i Starovës
20. Shevqet Frashëri, delegat’ i Korçës,
21. Simeon Shuteriqi Elbasani, delegat i këti qyteti dhe shkronjës i klubit t’Elbasanit
22. Leonidha Naçi Korça, delegat’ i Vlorës.
23. Zejnel Glina, delegat’ i Leskoviqit
24. Sami Pojani, delegat’ i Korçës, dretonjës i gazetës Korça.
25. Refik Toptani, delegat’ i Tiranës.
26. Mihal Gramenua, delegat’ i Korçës, luftëtar i lirisë auktori dhe vjershëtor’ i Vdekj’ e Piros dhe Mallkim i gjuhës shqipe.
Burri q’është në mes të zotit R. TOPTANI dhe zotit M.GRAMENO është ÇEÇO TOPULLI, luftëtar i lirisë. Më të mëngër të GRAMENOS është MUHTARI nga shokët e ÇEÇOS, dhe më të mëngër të MUHTARIT është kavas’ i klubit të Manastirit. Më të mëngër të zotit AHIL EFTIM është XHELAL BE PODA, dhe ay q’është në mes te zotërinjët SIMEON SHUTIRIQI dhe ZEINEL GLINA është zoti SELMAN nga Elbasani.
Në këtë fytyrë të delegatëve mungojnë: Zotërinjtë HIL MOSI, delegat’ i Shkodrës.
G.CILKA delegat’ i Korçës; HAFEZ IBRAHIMI dhe EMIN BEU, delegatët e Shkupit; RAUF BEU delegat’ i Gjinokastrës dhe SELAHEDDIN BEU nga Prizreni, delegat i Manastirit.
Mbi fotografinë që rrëfen personazhet.

Kjo foto paraqet një moment historik. Kongresin e famshëm të alfabetit i mbajtur 100 vjet më parë në qytetin e Manastirit. Por veç këtij fakti na bën të mundur të lidhim emrat e delegatëve që morën pjesë në këtë kongres me imazhet e tyre. Interesi i lexuesve të thjeshtë ka gjasa të jetë e i madh në këtë rast.
* * *
E ndeshim këtë mundësi në një botim të vjetër. Është botim i vitit 1909. Ekzaktësisht 1 janar 1909. Pra diçka më shumë se një muaj nga mbajta e Kongresit të Manastirit. MIDHAT FRASHËRI, një prej delegatëve të këtij Kongresi, i pranishëm dhe në këtë fotografi, është kujdesur që të saktësojë çdo detaj nga kjo ngjarje e madhe. Në revistën që ai drejtonte asokohe “DITURIJA”, veç materialeve të tjera boton edhe këtë foto me shpjegimet e imtësishme për personazhet që kanë pozuar në të. Një ekszemplar të këtij numri të revistës “DITURIJA” e gjejmë në arkivin e Bibliotekës Françeskane në Shkodër. Fotografojmë disa prej faqeve të kësaj reviste, ku vihet re se ende, edhe pak javë pas Kongresit të Alfabetit në botimet e kohës ky alfabet nuk kishte zënë vend. E botuar në Selanik, te “DITURIJA” e MIDHAT FRASHËRIT ende gjenden shumë shkronja greke, që zëvendësonin sh, dh, gj, xh, etj. E hasim këtë atmosferë edhe në shpjegimet e gjata që LUMO SKËNDO ka bërë për këtë fotografi. Këto shpjegime i kemi zbardhur të plota, si më poshtë, duke ruajtur atmosferën gjuhësore të kohës, me përjashtim të shkronjave të mësipërme të cilat i kemi zëvendësuar me ato të alfabetit të njesuar (ato mund të dallohen lehtësisht në faksimilen që po botojmë) bashkë me fotografinë.

(Përgatiti : Sheradin Berisha – kryeredaktor i www.pashtriku.org – 19. 11. 2012 ) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura