RRUGËTIMI I MUSTAFË SHYTIT NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së … DHE RENIA E TIJ DËSHMOR NË LUFTËN E UÇK-së
Nga Qemal Aliu
Në mesin e intelektualëve dhe veprimtarëve të mirënjohur, që u inkuadruan në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte edhe Mustafë Shyti, profesor, krijues dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare.
Ai lindi më 10 tetor të vitit 1945 në fshatin Ashlan të Vushtrrisë në një familje me tradita atdhetarie. I ati Shaqiri dhe nëna Ajete me mund të pakursyer i rritën bijtë e bijat e tyre.
Mustafa shkollën fillore e mbaroi në vendlindjen e tij, në Ashlan, ndërsa shkollën normale e kreu në Mitrovicë. Në vitin shkollor 1965/66 fillon të punojë mësues, meqë asokohe ndihej mungesë e madhe e mësuesve shqiptarë nëpër shkollat tona.
- Mustafë Shaqir Shyti (10.10.1945 – 22.09.1998)
I pajisur me ndjenja atdhetare dhe i etur për dije, Mustafë Shyti qysh heret fillon të shkruajë skica, poezi dhe rrëfime, të cilat kohë pas kohe i boton në shtypin ditor dhe në atë periodik, si Rilindja, Zëri i Rinisë etj Për shkak të një shkrimi satirizues, në të cilin kishte stigmatizuar imponimin e gjuhës serbe, nga policia politike e kohës, merret në hetime nga inspektorët e UDB-së. Krahas aktiviteteve shkrimore Mustafa kishte pasion këngën atdhetare dhe instrumentet muzikore me të cilat ekzekutonte nëpër koncerte dhe programe të ndryshme kulturore.
Në vitin 1967 për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare ishte dënuar me burg. Në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit XX, Krahas punës në arsim, Mustafa regjistrohet në Fakultetin Filozofik, të Universitetit të Prishtinës, Dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Ishte regjistruar me korrespondencë me qëllim që të mos ndahej nga puna, meqë me të ardhurat të cilat i realizonte me punën e tij në arsim ai mbante edhe famljen.
- Sheremet Saraçi
Krahas angazhimeve në punë dhe në studime, Mustafë Shyti kontakton edhe me veprimtarë të lëvizjes së rezistencës. Në vitin 1976, së bashku me veprimtarin Ismet Saraçi nga fshati Burim, (Bivolak) dhe me Xhafer Durmishin nga Stanoci i Ulët veprojnë në radhët e organizatës e cila quhej Lëvizja Naciolançlirimtare e Kosovës dhe e viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ).
Në kuadër të kësaj organizate, Mustafa shkruan dhe shpërndan broshura e pamflete me përmbajtje revolucionare të rizgjimit kombëtar. Broshurat, me karakter militant çlirimtar i kishte shpërndarë në Vushtrri, në Mitrovicë dhe në Kastriot ( Obiliq). Ishte i vetëdijshëm se veprimi ilegal kërkonte syçeltësi, vigjilencë e mbi të gjitha konspiracion të thellë. Falë gjeturisë së tij kishte vepruar shumë kohë ilegalisht. Edhe pse merret në hetime dhe maltretohet nga inspektorët e UDB·së, nuk zbulohet veprimtaria e tij atdhetare.
Në nëntor të vitit 1968, Mustafa ka marrë pjesë aktive në demonstratat e studentëve në Prishtinë. Ai përkrah kërkesat e studentëve për barazi dhe liri. Veprimtari të veçantë atdhetare, pedagogjike e edukative Mustafë Shyti ka zhvilluar sidomos me nxënësit, te të cilët kishte kalitur ndjenjat patriotike, përmes leximit të literaturës kombëtare, aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe tematike. Edhe në kryengritjen e rinisë militante të Marsit dhe të Prillit të vitit 1981, Mustafë Shyti merr pjesë aktive në mesin e demonstruesve.
Fillimi i luftës në Drenicë, lufta dhe heriozmi i legjendarit Adem Jashari dhe i luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mustafë Shytin e gjen të pëgatitur shpirtërisht dhe fizikisht për t’u radhitur në njësitet e luftëtarëve të lirisë. Fillimisht angazhohet në pikën ushtarake të UÇK-së në vendlindjen e tij në Ashlan. Në atë njësit vendor ishin edhe bashkëluftëtarët: Bekim Shyti, Vesel Shyti, Adnan Shyti e të tjerë.
- Xhafer Durmishi
Në kohën e ristrukturimit të UÇK-së, Mustafë Shyti sistemohet në Njësitin e Parë, të Batalionit të Dytë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, ku kryen detyra ushtarake me përgjegjësi. Me rastin e fillimit të ofensivës së forcave ushtarake dhe policore serbe në shtator të vitit 1998, Mustafa ishte në vijën e parë të frontit, në pozicionet e para në Ashlan. Së bashku me dalëzotësit e tjerë të atdheut, ai rezistoi në mbrojtje të pozicioneve dhe të popullatës civile e cila ndodhej nën rrethim nga forcat serbe. Duke përshkruar luftimet fyt për fyt dhe heroizmin e luftëtarëve të lirisë.
Bashkëluftëtari i Mustafës, Vesel Shyti thotë:
“Atë ditë, më 22 shtator në vendin e quajtur Kodra e Vogël, takova Mustafën. Ai mbante automatikun e tij dhe dy bomba. Ishim të rrethuar nga të katër anët. Meqë pozicioni ynë ishte vënë në shënjestër të armës armike, u detyruam të tërhiqemi te vendi i quajtur Guri i Nezirit. Mustafa godet me mitraloz forcat armike në distancë prej 200 metrash. Gjitnjë në sulm të furishëm dhe në tërheqje taktike arrijmë deri te vendi që quhet Uji i Sokolave, ku ishte pozicionuar një masë e madhe e të zhvendosurve. Lufta zhvillohej fyt për fyt, meqë forcat policore serbe bënin përpjekje për të depërtuar te popullata civile. Mustafa plagoset por nuk e lëshon pozicionin. Me bomba dore arrin të shpartallojë disa policë, të cilët tërhiqen me humbje nga fushëbeteja. Edhe nga ana jonë pati të rënë. Mustafa ishte plagosur rëndë dhe nuk kishim arritur ta tërheqim. Tërë natën i plagosur kishte qëndruar në fushëbetejë në shi dhe lagështirë të tokës. Në mëngjesin e hershëm të 23 shtatorit e gjeta të plagosur dhe të molisur. Ia laga faqet me ujë, ndërsa ai më pyeti: -Vesel a ka shpëtuar shkolla? I tregova se shkolla nuk ishte dëmtuar shumë, ndërsa ai po mundohej të mos jepej.
Për shkak se luftëtarët e lirisë ndodheshin në rrethim të hekurt nga forcat serbe, Mustafë Shytit iu bë e pamundur çdo ndihmë mjekësore. Bashkëluftëtarët trupin e tij të molisur nga plagët e vendosin në bodrumin e një shtëpie, duke u përkujdesur për të dhe për të plagosurit e tjerë. Derisa Ashlani i tij i dashur po digjej flakë nga zjarri i barbarisë serbe, Mustafë Shyti thith sasinë e fundit të ajrit të vendlindjes të përzier me tym e barut.
Më 26 shtator të vitit 1998, bashkëluftëtarët e tij trupin e dëshmorit Mustafë Shyti dhe të 16 dëshmorëve dhe martirëve të tjerë të Ashlanit me nderime ushtarake, nën predhat dhe detonimet e fuqishme të armikut, i varrosin në varrezat e fshatit Ashlan.“
Në dyvjetorin e rënies së tij heroike, më 26 shtator të vitit 2000, trupin e dëshmorit bashkëluftëtarët dhe pjesëtarët e familjes së tij e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në vendlindjen e tij, në Ashlan. Nga kjo familje përveç Mustafës, nga arma serbe është martirizuar edhe Bahtir Shyti, ndërsa janë plagosur edhe shumë të tjerë, ndër ta edhe djali i dëshmorit Berat Shyti. Mustafa ka lënë pas bashkëshorten, Elhemen, bijtë: Beratin dhe Kushtrimin si dhe bijat: Vjollcën, Meritën, Jehonën dhe Sarandën. Në vitin 2001 janë botuar dy vepra poetike të dëshmorit: Pranverë gjaku dhe Dallgë jete. Pas çlirimit të Kosovës për jetën dhe veprën e dëshmorit janë botuar shkrime në shtypin tonë ditor dhe në atë periodik.
_____
Vargje nga poeti dëshmor Mustafë Shyti. Interpreton: Merita Gjyriqi aktore. Pjesa e tretë:
***
Sh. F. “Mustafë Shyti”, Kënga “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” në Oshlan – Vushtrri
***
HYRJA IME NË LNÇKVSHJ (1978…)
***
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (1…)