FRENSIS FUKUJAMA – “FUNDI I HISTORISË”

FRENSIS FUKUJAMA – “FUNDI I HISTORISË”

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 19 Prill 2022

Mbase jemi dëshmitarë, jo vetëm të fundit të Luftës së ftohtë apo të ikjes së një periudhe të veçantë të historisë së pas luftës, por të fundit të historisë si të tillë… kjo është pika e fundit e evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizmi i demokracisë liberale perëndimore si formë përfundimtare e sundimit njerëzor. Në botë kanë triumfuar kultura e konsumit, Perëndimi dhe ideja perëndimore – Frensis Fukujama

*   *   *

Joshihiro Frensis Fukujama (Yoshihiro Francis Fukuyama, Çikago,27.10.1952-) është filozof amerikan, analist politiko-ekonomik dhe autor. Është i njohur për librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” në të cilin pohon se përhapja e demokracive liberale, e tregut të lirë dhe e mënyrës perëndimore të jetesës – në mbarë botën, janë pika të fundit në evolucionin socio-kulturor të njerëzimit dhe formë përfundimtare e rregullimit njerëzor. Por, në librin e vet “Mirëbesimi: Dilemat sociale dhe ndërtimi i prosperitetit”, e ndryshoi pozitën e vet paraprake dhe e pranoi se kultura nuk mund të ndahet lehtë nga ekonomia. Fukujama është i ndërlidhur po ashtu me paraqitjen e lëvizjes neo-konservatore, nga e cila më vonë u distancua. Është bashkëpunëtor i lartë i Qendrës për Demokraci, për Zhvillim dhe për Sundimin e së Drejtës pranë Universitetit Stenford (Stanford University). Paraprakisht ka punuar si profesor dhe si drejtor i Programit zhvillimor ndërkombëtar në Shkollën e Studimeve Përparimtare Ndërkombëtare pranë Universitetit Xhon Hopkins (Johns Hopkin University).

Frensis Fukujama lindi në Hajd Park (Hyde Park) në afërsi të Çikagos (Chicako). Babai i tij Joshio Fukujama (Yoshio Fukuyama, 1921-1995) është brezi i dytë i amerikanëve japonezë. Ishte klerik protestant. Doktoroi në sociologji në Universitetin e Çikagos. Nëna e Frensis Fukujamës, Toshiko Kavata Fukujama (Toshiko Kawata Fukuyama) ka lindur në Kjoto (Kyoto) të Japonisë. Është bijë e ekonomistit prominent Shiro Kavata (Shiro Kawata, 1883-1942) i cili ka qenë themelues i Departamentit të Ekonomisë në Universitetin e Kjoto (Kyoto University) dhe rektor i parë i Universitetit të Osakës. Vitet e fëmijërisë, Frensis Fukujama i kaloi në Nju-Jork. Në vitin 1967, familja e tij shpërngulet në Pensilvani. Frensis Fukujama e vazhdon arsimimin në Kolegjin shtetëror të Pensilavanisë (State College, Pennsylvania).

 Nën drejtimin e filozofit, klasicistit dhe akademikut, ligjërues në gjashtë universitete,  Alen Blum (Allan Bloom, 1930-1992)studioi filozofinë politike në Universitetin e Kornelit (Cornell University). Diplomoi për studimet klasike. Doktoroi në Universitetin e Harvardit me tezën “Bashkimi Sovjetik dhe Lindja e Mesme”. Mentor e kishte politologun amerikan Semjuel Hantington (Samuel Huntington, 1927-2008) dhe filozofin amerikan të politikës Harvi Mensfild (Harvey Mansfield, 1932-).

Që prej studimeve universitare në Kornel, mbante kontakte me asociacionin Telluride. Anëtarë të këtij asociacioni ishin edhe intelektualë të tjerë të rëndësishëm. Midis tyre edhe teoricieni i fizikës, laureat i çmimit “Nobel” për fizikë Stivën Vinberg (Steven Weinberg, 1933-2021),dijetaripolitik amerikan e diplomati Pol Volfovic (Paul Wolfowitz, 1943-) dhe gazetarja televizive amerikane Ketlin Sulivan (Kathleen Sullivan, 1953-).

Frensis Fukujama ishte profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare pranë biznesmenit amerikan Bernard L. Shvarc (Bernard Leon Schwartz, 1925-) dhe drejtor i Programit ndërkombëtar për zhvillim pranë Pal H. Niçe – Shkolla për Studime Përparimtare Ndërkombëtare.

Në kohën e lirë punon si fotograf. Merret po ashtu edhe me krijimin manual të mobilieve klasike virxhiniane. Tregon interesim për incizimin dhe për riprodhimin e zërit. Është i martuar me Laura Holmgren, të cilën e njohu kur ajo studionte në UKLA. Librin e vet “Trust: The Social Virtues and the Creation of Prosperity” ia dedikoi Laurës. Jetojnë në Kaliforni dhe kanë tre fëmijë: Julia, Dejvid (David) dhe Xhon (John).

*   *   *

Lëmi i studimit të Fukujamës është Filozofia bashkëkohore amerikane. I takon shkollës së liberalizmit dhe të neo-konservatorizmit. Veprimtaria kryesore e tij është historia e filozofisë, fundi i historisë, post-humanizmi, evolucioni, trans-humanizmi.

“Fundi i historisë” – Në vitin 1989, në numrin veror të revistës The National Intereset, Fukujama botoi tekstin me titull “Fundi i historisë?” Ky tekst lindi në bazë të ligjëratës që e ka mbajtur Fukujama në Qendrën e studimeve të teorisë dhe të praktikës së demokracisë pranë Universitetit të Çikagos. Kjo ese e Fukujamës do të bëhet shkas i një prej debateve intelektuale më të mëdha të fundit të shekullit XX. Duke aluduar për lëvizjen reformiste që u paraqit në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore, në këtë ese Fukujama thotë: “Në historinë e botës po ndodh diçka tejet fundamentale”. Me këtë rast thekson se në botë kanë triumfuar kultura e konsumit, Perëndimi dhe ideja perëndimore.

“Mbase jemi dëshmitarë, jo vetëm të fundit të Luftës së ftohtë apo të ikjes së një periudhe të veçantë të historisë së pas luftës, por të fundit të historisë si të tillë… kjo është pika e fundit e evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizmi i demokracisë liberale perëndimore si formë përfundimtare e sundimit njerëzor”.

Me krizën, më vonë edhe me rënien e komunizmit pason fitorja e liberalizmit, në radhë të parë në lëmine ideve apo vetëdijes. Në anën tjetër, kjo fitore, në botën materiale, nuk është e plotë. Por, Fukajama thotë se ekzistojnë arsye të forta për të besuar se liberalizmi është ideal që do të sundojë në botën materiale në mënyrë afatgjate.

Kjo ese hasi në kritika të një numrit të madh intelektualësh, si në ShBA, ashtu edhe në Japoni, në Evropë, në Brazil, në Afrikën e Jugut etj. Këtyre kritikave Fukujama do të përpiqet t’u përgjigjet me sqarime plotësuese. Shpejt pas kësaj do të tërhiqet nga Departamenti i Shtetit (State Departmen) dhe do ta shkruajë librin “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” ku do ta arsyetojë tezën e vet për fundin e evolucionit ideologjik të njeriut.

*   *   *

Në vitin 1999, Fukujama e boton veprën e vet “Natyra njerëzore dhe rikonstruktimi i rendit shoqëror” (The Great Disruption: Human Nature and the Reconstruction of Social Order, 1999). Këtu i prezanton kërkimet e veta për prejardhjen e normave shoqërore dhe i analizon ndryshimet vijuese në strukturën e traditave tona morale.   

Në vitin 2002 Fukujama botoi veprën e vet “E ardhmja jonë postume” (Our Posthuman Future: Consequences of the Biotechnology Revolution, 2002). Në këtë vepër Fukujama paralajmëron për rreziqet ndaj demokracisë liberale që do të mund të shfaqeshin si rezultat i zhvillimit të shkencave bio-teknologjike   

Në këtë vepër Fukujama pohon se bio-teknologjia do t’u mundësojë njerëzve ta kontrollojnë evolucionin e vet, ta ndryshojë natyrën njerëzore. Kësisoj vihet në rrezik demokracia liberale. Një prej pasojave të mundshme të zhvillimit të shkencave bio-teknologjike është ndryshimi i natyrës njerëzore dhe krijimi i pabarazive radikale.

Fukujama është kritikues i ashpër i trans-humanizmit (transhumanism), lëvizje intelektuale e cila thekson se post-humanizmi (posthumanity) është një objektiv i dëshirueshëm dhe ka të bëjë me ndryshimin e ADN-s së njeriut.   

*   *   *

Veprimtari politike dhe intelektuale – neo-konservatorizmi:Me rastin e krijimit të “Doktrinës së Reganit” (Reagan Doctrine), Fukujama ka luajtur rol kryesor në administratën e presidentit Ronald Regan (Ronald Wilson Reagan, 1911-2004). Në gjysmën e parë të viteve ’90 të shekullit XX, Fukujama ka ushtruar ndikim të madh për forcimin e neo-konservatorizmit (Neoconservatism) në politikën e jashtme të ShBA-së. Ai ka qenë anëtar aktiv i institutit politik (think tank), Projekt i shekullit të ri amerikan (Project for the New American Century). Detyrë kryesore e këtij asociacioni ka qenë përhapja e idesë për dobinë nga roli udhëheqës i ShBA-së në botë, duke potencuar me këtë rast se hegjemonia e ShBA-së është e dobishme, si për Amerikën, ashtu edhe për botën.

Fukujama me bashkëpunëtorët e tjerë mori pjesë në hartimin e memorandumit dërguar presidentit Bil Klinton (William Jefferson Clinton, 1946-), me të cilin kërkohej prej presidentit të atëhershëm të ShBA-së që të mbështeten kryengritësit irakianë për ta shembur kryetarin e Irakut, Sadam Husein (Saddam Hussein, 1937 – u ekzekutua me varje në Camp Justic, më 30.12.2006).

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të viti 2001, Fukujama është një prej dyzet nënshkruesve të peticionit të aktorit, komikut, shkrimtarit, producentit dhe regjisorit të filmit, amerikanit Uilliam Kristoll (William Edward Crystal, i njohur si Billy Crystal, 1948-)të datës 20 shtator 2001 me të cilën iu kërkua presidentit Xhorxh V. Bush (George Walker Bush, 1946-)që të zihet apo të vritet udhëheqësi i lëvizjes islamike militante Al Kaeda, Osama bin Laden, Rijad, 1957 – i vrarë prej amerikanëve në Abbottabad të Pakistanit më 2 maj 2011). Me këtë rast u potencua se nevojitet ndërhyrje ushtarake në Irak dhe rrëzimi Sadam Huseinit.

Por, në fillim të viti 2002 Fukujama fillon të distancohet nga agjenda neo-konservatore e presidentit Xhorxh V. Bush, dukei theksuar pasojat negative që do të lindnin nga ndërhyrja ushtarake, në vend të komponentë diplomatike dhe qasjes unilaterale ndaj Lindjes së Afërt në politikën e jashtme.

Në vitin 2003, Fukujama u shndërrua në kritik të zëshëm të luftës në Irak. Duhet thënë se, në thelb Fukujama nuk ka qenë kundërshtar i luftës. Ai ka qenë kundër mënyrës se si ishte përgatitur lufta dhe si zhvillohej ajo. Ai potenconte se ShBA-ja, për shkak të luftës në Irak dhe qasjes unilaterale në këtë përplasje, i prishi marrëdhëniet e mira politike me aleatët tradicionalë, veçanërisht me miqtë në Evropë. Me këtë rast kërkoi nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfeld (Donald Henry Rumsfeld, 1932-2021) të japë dorëheqje nga posti i njeriut të parë të Sekretariatit të Mbrojtjes të ShBA-së. Në vitin 2004 Fukujama potencon se administrata e presidentit Xhorxh V. Bush ka bërë tre gabime të mëdha:

– E zmadhoi pa arsye rrezikun nga fundamentalizmi islamik;

 – Shkaktoi reagime negative, sipas të cilave ShBA synon të shtrijë hegjemoninë e vet në botë; Sipas këtyre reagimeve ShBA-ja nuk bashkëpunon me Kombet e Bashkuara dhe me organizatat e tjera botërore; në shumë vende të botës u forcua anti-amerikanizmi;   

– E vlerësoi gabimisht vendosjen e paqes në Irak pas luftës, duke e lënë pas dore komponentin social-politik. Me fjalë të tjera, nuk i kushtoi vëmendje e duhur përhapjes së frymës dhe të ndjenjës liberale dhe demokratike brenda popullit irakian.

Fukujama beson se ShBA-ja ka të drejtë t’i promovojë vlerat e veta në botë, por deri në masën që ai e quan Vilsonizëm realist (realistic Wilsonianism). Me fjalë të tjera, ShBA-ja duhet ta zbatojë ndërhyrjen ushtarake vetëm si mjet të fundit dhe si shtojcë e masave të tjera. ShBA-ja shpenzon për forcat e veta ushtarake më tepër se pjesa tjetër e botës bashkërisht. Por, lufta në Irak dëshmon se ndërhyrja ushtarake amerikane nuk është plotësisht efektiv. Në vend të përdorimit të forcës, ShBA-ja duhet ta nxitë zhvillimin politik dhe ekonomik dhe të ketë qasje më fleksibile ndaj asaj që ndodh në vendet e tjera. ShBA-ja duhet të angazhohet për përhapjen e arsimimit, t’i prezantojë fshehtësitë e zhvillimit ekonomik dhe politik, të japë ndihma financiare. Duhet të angazhohet për t’i bindur njerëzit, në rastin konkret irakianët, që të mos presin ndihmë nga jashtë, por me forcat e veta të punojnë në dobi të vendit të tyre.

Fukujama potencon se duhet të ripërtërihet kredibiliteti i institucioneve ndërkombëtare, i rrënuar nga veprimet e administratës së presidentit Xhorxh V. Bush. Në politikën e jashtme, përdorimin e forcës ushtarake, ShBA-ja duhet ta kombinojë me mbështetjen dhe legjitimitetin të siguruar nga organizatat ndërkombëtare. Kjo tezë e e Fukujamës që ka të bëjë me Vilsonizmin realist të ri, është sqaruar në hollësi në librin e tij America at the Crossroads: Democracy, Power, and the Neoconservative Legacy.

Në periudhën e viteve 2006-2008, Fukujama e këshillonte udhëheqësin e Libisë, kolonelin Moamer el Gadafi (Mu’ammar Al-Qadhdhafi, 1942 – i vrarë më 20.10.2011) – si pjesë e firmës këshillimore Monitor Group me seli në Kembrixh (Cambridge). Në gusht të vitit 2005 Fukujama ishte njëri prej themeluesve të revistës The American Interest. Revista trajtonte  temën e gjerë “Amerika në botë”. Më pas, Fukujama u bë edhe kryetar i Këshillit redaktues. Në periudhën e viteve 1979-1980, 1983-1989 dhe 1995-1996 ishte anëtar i Sektorit të shkencave politike pranë Korporatës RAND. Më pas u bë anëtar i Këshillit të kreditorëve. Në vitet 2001-2004, Fukajama ka qenë anëtar i Këshillit për bioetikë, pranë administratës së presidentit. Është bashkëpunëtor i Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës. Është anëtar i Komitetit drejtues të Legal Defense Trust të Luis Skuter Libit* (Lewis “Scooter” Libby, 1950-). Me Libin kanë qenë miq shumëvjeçarë. Kanë punuar bashkërisht në Departamentin e Shtetit  (State Department).

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në ShBA të vitit 2008, Fukujama e mbështeti kandidatin e demokratëve – Barak Obamën (Barack Obama, 1961-) i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale. Fukujama është anëtar i Këshillit të këshilltarëve të Pyle Center për studime të Azisë Verilindore National Bureau of Asian Research. Është anëtar i Këshillit drejtues të Global Financial Integrity. Është anëtar i Këshillit ekzekutiv të Inter-American Dialogue.

*   *   *

Shënim: Luis Skuter Libit* (Lewis “Scooter” Libby, 1950-) intelektual me peshë; zyrtar kryesor në administratën e presidentit Xhorxh V. Bush; shef i personelit në Shtëpinë e Bardhë; shef kabineti dhe këshilltar për Siguri kombëtare i nënkryetarit të ShBA-së, Dik Çejni (Richard Bruce “Dick” Cheney); Libi ishte një prej mbështetësve kryesorë të invadimit në Irak nga ShBA-ja;ka luajtur rok tejet të rëndësishëm në ngjarjet që çuan në fundin e luftës së ftohtë. Më 28 tetor 2005, Luis Libi ufajësuapër pengim procedure ligjore, për shkelje të betimit dhe për dhënie të deklaratave të rrejshme. Gjatë hetimit u konstatua se në vitin 2003 Luis Libi ua kishte bërë publik gazetarëve emrin e agjentes sekrete të CIA-s, Valeri Plejm (Valerie Elise Plame, 1963-),  grua e ish-ambasadorit amerikan Xhozef Uilson (Joseph Charles Wilson, 1949-2019)i cili e kishte fajësuar administratën e presidentit Xhorxh V. Bush se arbitrarisht i kishte shtrembëruar të dhënat e shërbimit të inteligjencës lidhur me programin irakian të armëve për shkatërrim masiv, me qëllim të arsyetimit të invadimit në Irak në vitin 2003. Pohimet e tilla, zyrtarët e administratës së Bushit i mohuan. Libi u fajësua për tentim pengimi të hetimit të rastit, për gënjim nën betim dhe për dhënie të deklaratave të rrejshme agjentëve të FBI-së. Libi mohoi se informata për identitetin e agjentes Valeri Plejm (Plame), ka dalë prej tij. Sapo u ngrit aktakuza, Libi ia paraqiti dorëheqjen nënkryetarit Dik Çejni (Dick Cheney).Publikimi i emrave të operativëve të CIA-s dënohet me ligj. Sipas kongresistëve demokratë që ishin në opozitë, publikimi i emrit të agjentes së CIA-s Valeri Plejm (Valerie Plame), i shërben administratës së Bushit për t’i luftuar kritikuesit e luftë në Irak. Më 7 qershor 2007, Luis Skuter Libi (Lewis Scooter Libby) u dënua me dënim burgu në kohëzgjatje prej dy vjet e gjysmë.  

Çejni, Dik (Richard Bruce “Dick” Cheney, 1941-) nënkryetar i ShBA-së gjatë presidencës së Xhorxh V. Bushit në periudhën e viteve 2001-2009.

*   *   *

Veprat 

“Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”

Trust: The Social Virtues and the Creation of Prosperity. Free Press, 1995.

The Great Disruption: Human Nature and the Reconstitution of Social Order. Free Press, 1999.

Our Posthuman Future: Consequences of the Biotechnology Revolution. Farrar, Straus and Giroux, 2002. (E ardhmja jonë postume)

State-Building: Governance and World Order in the 21st Century. Cornell University Press, 2004.

America at the Crossroads: Democracy, Power, and the Neoconservative Legacy (Yale University Press, 2006).

After the Neo Cons: Where the Right went Wrong. Profile Books, 2006. (N.B. Published in the US as America at the Crossroads)

Falling Behind: Explaining the Development Gap between Latin America and the United States, ed. (Oxford University Press, 2008).

– The Origins of Political Order 

 Fukujama ka botuar edhe një numër të madh esesh në revistat më prestigjioze të botës. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura