RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (III)

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (III)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

[I intervistuari nisë të flasë para se të xhirojë kamera: elaboron për grupet e ndryshme të përfshira në lëvizjen ilegale.]

Hydajet Hyseni: Minatorë nga anë të ndryshme… atje s’më njihnin njerëzit e tjera. Ndonjë kohë edhe nëpër qytetet e tjera të Kosovës, dhe nji kohë, pak edhe për shkak të arsyeve shëndetësore që kisha, por edhe për të shkëmbyer përvojë me shokët që i kishim atje… kur kisha kaluar unë në ilegalitet, Kadri Zeka, me t’cilin ishim n’gjithë këtë veprimtari bashkarisht, ai kaloi në Zvicër, me marrëveshje ishim… dhe kështu deri në vrasjen e tij. Unë pastaj kam kaluar në… dikun në verën e vitit ‘80, në Zvicër një kohë. Kam qëndruar ilegalisht po ashtu, deri në fillim të vitit… mars të vitit ‘81, pas demonstrates të parë, me 24 apo 25, aty dikund… mars, jam kthyer në Kosovë.

Kishim një qëndrim që njëri prej nesh të hynte në Kosovë, tjetri të mbetej në Zvicër. Në Zvicër atëhere ishte zgjeruar po ashtu organizata, kurse në Kosovë po ashtu kishim arritur të zgjerojmë rradhët në masë të ndjeshme. Kishim krijuar celula të shumta, pothuajse në gjitha qytetet e Kosovës, dhe kishim arritur të bëjmë aksione në gjithë Kosovën. Për shembull, shpërndarje të trakteve me rastin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pengesave që po i nxirreshin me rastin e vizitës të Titos në Kosovë, një trakt që kishim shpërndarë po ashtu në gjithë Kosovën, në gjitha qytetet, dhe për herë të parë po shpërndaheshin trakte në gjithë Kosovën.

Më pyete pak përpara për çështjet e dallimeve, orientimeve, e tjera [i drejtohet intervistuesëa]. Në atë kohë nuk kishte aq shumë dallime, sepse në njifarë mënyre, çështjet shiheshin edhe në groplan. Kosova ishte në gjendje të diskriminuar në Jugosllavinë e atëhershme, prandaj konsiderohej kjo si një nga çështjet kryesore që duheshin sfiduar. Gjendja ekonomike, sociale, si pasojë edhe e kësaj, ishte e randë dhe në keqësim e sipër, dhe kjo theksohej vazhdimisht. Kërkohej që të respektohej parimi i vetëvendosjes, po atëherë filloi edhe të formësohet kjo, edhe në nji formë fakti që Kosova nuk ishte e barabartë, kurse trajtohej sikur është Jugosllavia vendi i barabarsisë. e tjera. Tito merrte çmim, jo çmim më falni, po titullin Doktor Nderi, në Universitetin e Prishtinës për kontributin e jashtëzakonshëm në zgjidhjen e çështjes nacionale në Jugosllavi. Gjë që nuk ishte! Dhe siç ishte thënë atëhere nga kreu i Tiranës, “E vërteta për çështjen nacionale në Jugosllavi, do të tmerroj Titon në varr, pas vdekjes.” Çështja nacionale nuk zgjidhej me sllogane “Vëllazërim, Bashkim!” dhe me diskriminim të popujve, sidomos të shqiptarëve.

E vërteta ishte, dhe doli ashtu, e vërteta për çështjen nacionale në Jugosllavi ishte një mashtrim i madh. Sidomos me atë që ndodhi në Bosnje, e tjera. U dëshmua, se Bosnja konsiderohej si model i eksperimentit jugosllav, Vëllazërim-Bashkimit… njëfarë shartimi. Duke e shformuar identitetin e tyre shqiptar, të ktheheshin në ni identitet të ri, jugosllav… si thashë, shqiptar? Edhe shqiptar. Po identitetin e tyre… ta zamë, boshnjak, kroat, serb… po krijohej njifarë identiteti i ri jugosllav. Jugosllav filluan t’i ngjisin edhe emrat njerëzit. Aty këtu edhe ndonji shqiptar. Po jugosllav, ishte sllav i jugut, mund të kishte një kuptim për të tjerët, po çfarë kuptimi kishte për shqiptarët?

Dhe ajo që atëhere ishte shumë n’modë, dhe ishte letër shumë e rëndësishme, patriotizmi jugosllav, për shqiptarët s’kishte asnji kuptim. Përkundrazi, kishte një kuptim antishqiptar. Se patriotizmi jugosllav, do të thotë ishte zhbërje e patriotizmit shqiptar. Për më tepër, s’ishte vetëm n’kuptimin etnik, po ishte edhe n’kuptimin social, ekonomik, shoqëror. Ishte eliminim i perspektivës për nji popull të tërë. Prandaj edhe kjo i bashkonte njerëzit të orientimeve t’ndryshme në këtë program minimal. Liri kombëtare, barazi kombëtare e shoqërore, dhe ruajtje e frymës, dhe e andrrës së të parëve tanë, për të qenë të lirë e të bashkuar. Sepse ishim ndarë padrejtësisht, ishim ndarë me forcë, nuk ishim deklaruar kurrë për t’qenë të ndarë. Dhe praktikisht kjo ishte edhe platforma që bashkonte shqiptarët atëherë. Prandaj edhe në demonstratat e vitit ‘81 dolën këto parulla kryesisht në sipërfaqe.

Ne atëherë kishim filluar t’botonim një organ, një gazetë. E nxirrnim si fletushkë, e nxirrshim rrallë. E quajtëm “Liria”. E kishim ndërprerë atë “Zëri i Kosovës” për shkak t’burgosjeve, që t’mos krijohej përshtypja se janë ata përgjegjës edhe për këto që po bëheshin, dhe do t’mund të kishin pasoja. Dhe, ato vite kishim filluar edhe të botonim organin “Liria” pasi kishim ndërprerë botimin e organit “Zëri i Kosovës.” Dhe atje kishim shpalosur edhe disa nga kërkesat që dolën e u bënë pastaj parulla edhe të demonstratave t’vitit ‘81. Për shembull, kishim botuar nji shkrim “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë” që doli dhe u bë një nga parullat kryesore.

Po përgatitej regjistrimi i popullsisë, dhe kësaj po i paraprinte një fushatë e orkestruar, e përgatitur shumë mirë, për të ndikuar që pos atyre që do t’regjistroheshin si jugosllavë, n’përputhje me atë orientimin t’patriotizmit jugosllav, te shqiptarët të ndikohej që sidomos ata të regjistoheshin si turq, tërbeshë, dhe veçanërisht myslimanë. Kishte dalur atëhere nifarë Njazi Limanovcki, që ishte nji nga si intelektualët e Maqedonisë, dhe ai kishte proklamuar këtë që, “Ne jemi myslimanë dhe do të regjistrohemi si myslimanë”. Në Bosnje ishte ndikuar që shumica e boshnjakëve të regjistoheshin etnikisht si myslimanë. Kjo dukej sikur ishte diçka pa sherr, s’ka gjë t’keqe, ata janë myslimanë për nga besimi fetar, por më vonë u dëshmua se edhe kjo ishte djallëzore. Në një anë, ata nxiteshin që të identifikoheshin me identitetin mysliman, thjeshtë fetar, por në anën tjetër, Lëvizja për Pavarësi në Bosnje akuzohej dhe rrënohej, demonizohej, si një shprehje e fundamentalizmit islamik dhe një Lëvizje anti Evropë, qëbashkë me ndikimin shqiptar mund të rrezikojë të vihet si pykë për ta rrezikuar Evropën, si në mesjetë n’kohën e Turqisë, e tjera.

Kjo lojë e dyfishtë është përdorur edhe në Kosovë, në atë kohë. Dhe për t’ardhë më vonë, ka qe përdorur sidomos në kohën e Millosheviqit, kur u bllokua arsimi shqip, arsimi sekular shqip, po t’njejtën kohë u hapën katër pesë medrese në Kosovë. Dhe në t’njejtën kohë, vazhdonte një propagandë e errshme kundër Lëvizjes sonë, si Lëvizje fundamentaliste, antievropiane, antikristiane, e tjera. Prandaj ne edhe duhej t’i përgjigjeshim kësaj në mënyrën tonë. Trakti që shpërndamë atëherë, dhe kryeartikulli… artikulli që shkruam në gazetën tonë, u përhap gjithandej, dhe një nga parullat në demonstratën e ‘81-shës ishte, “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë!” Madje një variant, “Jemi shqiptarë, dhe asgjë tjetër!” N’kuptimin që kombëtarisht nuk jemi as jugosllavë, as myslimanë, as turq, as tërbeshë, as çka… gjithçka që… Mund të dëshironin t’na ripagëzonin. Kishte madje atëherë një… është harruar tani, nji investim bukur t’madh për t’na regjistuar një pjesë si malësorë. Malësori, thoshin, nuk janë shqiptarë. Ata janë diçka tjetër. Është bërë përpjekje me mirditorët kështu, të luajnë me identitetin e tyre. Dhe t’na bëjnë thela-thela, copa- copa.

Ose, të burgosurit politikë shqiptarë atëhere, dërgoheshin jashtë Serbisë dhe mbaheshin nëpër burgje t’ndryshme jashtë Serbisë. Edhe pse në Kosovë qe ndërtuar një burg, që quhej i Sigurisë të Lartë, në Dubravë. Ka qenë bërë investim i madh atëhere, edhe bukur shumë propagandë për të. Dhe ishte një kërkesë e jona për lirimin e të burgosurve politikë, dhe kthimin e tyre në Kosovë. Që erdhi pastaj e u bë po ashtu një nga parullat e demonstratave të ‘81-shës. Ose shkrimet që kishin t’bëjnë me pabarazinë ekonomike të Kosovës, që i kishim plasuar edhe në shtypin tonë. Por ishin botuar edhe në… artikuj të ndryshëm ishin shtruar si çështje edhe n’artikuj të ndryshëm të shtypit nga Tirana. Për shembull, revista “Ylli” kishte botuar atëherë një kryeartikull për gjendjen e rëndë ekonomike të Kosovës, e tjera. Dhe kishte filluar këndej një fushatë e egër kundër shtypit n’Shqipëri, se po e shtrembëron të vërtetën, e tjera.

Ç’është e vërteta, këto e përplotësonin njëra-tjetrën. Dhe krijonin atë njësinë e angazhimit të të gjitha orientimeve, grupeve, t’cilat përkundër dallimeve që kishin aty këtu, megjithate e kishte ma të rëndësishme atë që ishte e përbashkët. Kështu edhe u arrit që t’krijohet ajo frymë që shpërtheu në pranverën ‘81, që bashkoi pastaj t’gjithë përrejtë e pakënaqësisë në një lumë të fuqishëm, të cilës i kontibuoi shumë edhe Lëvizja në vet rrethet studentore. Grupe të ndryshme që atje po vepronin, po vetorganizoheshin, grupe t’paorganizuara po që spontanisht vepronin, grupe gjysëm të organizuara, pjesë të mbetura të organizatave t’burgosura, edhe ndikime tjera të gjithfarëshe, po që bashkarisht pastaj krijuan një frymë t’shpërthimit, që çoi në pranverën ‘81. Figurativisht, gjithmonë e kam krahasuar këtë me shpërthimin e pranverës. Pranvera nuk vjen vetëm në nji pllajnë, në nji breg, po shpërthen natyrshëm si t’thushë. Nji lule atje, nji lule këtu, nji blerim këtu, nji blerim atje, dhe bashkarisht pastaj ndërron gjithçka.

Kështu ishte edhe shpërthimi i pranverës ‘81, në t’cilën edhe organizata ku unë militoja ka pasur një rol t’rëndësishëm. Ka qenë ose organizata më e organizuar, më e zgjeruar, më me jetëgjatësi ma t’madhe, dhe me fond veprimesh më t’madh. Por megjithate, ne gjithmonë e kemi vlerësuar pranverën ‘81 si një shpërthim të të gjitha prurjeve, nga t’gjitha orientimet, të gjitha organizatat, grupacionet, e tjera. Dhe mbi t’gjitha si shpërthim të rinisë të Kosovës, që… të cilës iu bashkua pastaj populli i Kosovës. Ju bashkua punëtoria e Kosovës, dhe vërtetë është një fuqi e jashtëzakonshme kur bashkohet rinia me punëtorinë, me fshatarësinë. Dhe ishte një Lëvizje shumë autentike, shumë popullore.

Ka pasë sa e sa përpjekje për t’i demonizuar, për t’i diskredituar. Sidomos nga eksponentë të politikave zyrtare të atëhershme, të cilët mund edhe t’ishin befasuar, sepse jetonin në njifarë iluzioni t’nji parajse atëherë, që për ta deri diku edhe ishte. Është ajo që filozofi antik e ka thanë, “Skllevërit e kënaqur janë pengesa më e madhe për lirinë.” Ata që vet janë t’kënaqur, pastaj në nji mënyrë pengojnë çdo përpjekje për ndryshimin e gjendjes, sepse duket sikur po ua rrezikon atyre. Por ishte një shpërthim i natyrshëmi shumicës dërrmuese t’pakënaqur.

Dhe fakti që megjithate ata s’kanë mundur të gjejnë asnjë argument të qenësishëm, serioz, për akuzat spekulative, demonizuese, ndaj asaj Lëvizje, tregon që është ndër Lëvizjet e rralla n’histori, që janë vërtetë t’natyrshme, popullore, të çiltërta, siç është rinia. Janë rinore, dhe mendoj që është faqe vërtetë e lavdishme e historisë sonë. Siç ishte edhe nëntori i ‘68-tës, siç ishin pastaj edhe ato të vitit ‘89, Lëvizja Studentore e vitit ‘98, rezistenca e padhunshme politike e viteve ‘90 po ashtu, dhe veçanërisht pastaj edhe përballja e armatosur, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në krye. Historia e botës ka shumë faqe të lavdishme të historisë, por këto të Kosovës kanë ndoshta këtë veçorinë: që janë autentike, janë popullore, janë burimore. Nuk janë agjenturore, nuk janë të laboratoreve të ndryshme. Këtu qëndron forca e tyne për mendimn tim, po ndoshta edhe mangësia e tyre. Sepse ato që janë agjenturore, që janë të inkubatorëve të ndryshëm, të laboratorëve t’ndryshëm, kanë pastaj edhe stimulanse të ndryshme, që edhe mund t’i veshin me ma shumë suksese, e tjera. Por megjithate, mua më imponon respekt veçanërisht kjo qenia autentike, qenia origjinale, qenia burimore, vërtetë popullore.

—————-

Hydajet Hyseni / Pjesa e Tretë, Intervistë

VIJON …

________________________

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (IV)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura