RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (16)

Nga Asllan Muharremi

 Në pritje të lirimit të shokëve

    Disa ditë më vonë e mora vesh se në burg nuk mbaheshin vetëm Dani dhe Ferkiu, por edhe shumë të tjerë. Në Prishtinë, dëgjova se numri i të arrestuarve ishte shumë më i madh nga numri që e merrja me mend; se arrestime kishte pasur në të katër anët e Kosovës.

    Sapo u kthye nga puna, im atë më njoftojë se nga Ismet Jashari, nga fshati Strofc, kishte dëgjuar se ishin burgosur dy kushërinj të tij: një ish i burgosur politik, që quhej Shefqet Jashari dhe një tjetër, që ishte student, dhe quhej Demë Jashari. Gjithashtu, nga im atë mësova se nga i ati i Ferkiut i kishte dëgjuar se në burg po mbahej edhe një kushëri i Danit, që quhej Latif Pllana.

    Lajmin për burgosjen e Shefqet Jasharit dhe Demë Jasharit, e vërtetova edhe nga Hoxha i Vogël, të cilin e takova disa ditë pas lirimit tim. Hoxha i Vogël më tha fjalë shumë të mira për Shefqet Jasharin. Ai  e njihte Shefqet Jasharin si një burrë të urtë dhe kishte dëgjuar shumë fjalë të mira për atë edhe nga bashkëfshatarët e tij, sidomos nga mësuesi i shkollës fillore “Liria” në Strofc, Sheremet Saraçi.

  • Hoxha i Vogël (Mahmut Murati)

Gjatë atij takimi, Hoxhën e Vogël e kam njoftuar, deri në detaje, se si pata kaluar gjatë arrestimit dhe se çka kërkonte nga unë UDB-a. Hoxha i Vogël ndjehej shumë i shqetësuar. Ai më këshilloi  të tregohesha i kujdesshëm me njerëzit që po takohesha e bisedoja!

    Fjalët e mira që i dëgjova nga Hoxha i Vogël, ma shtuan  respektin për Shefqet Jasharin, të cilin nuk e kisha takuar asnjëherë dhe nuk dija për të kaluarën e tij. Demë Jasharin e njihja dhe burgosja e tij edhe nuk më kishte befasuar shumë. Ndërsa burgosja e Shefqet Jasharit po më befasonte. Për Shefqet Jasharin nuk më kishin folur asnjëherë as Dani e as Ferkiu.

     Ato që dëgjova për Shefqet Jasharin po ma ngacmonin idenë se mos Dani dhe shokët tjerë kanë qenë pjesëtarë të ndonjë organizate? Më befasonte fakti se gjatë mbajtjes në arrest, udbashët nuk e kishin përmendur emrin e ndonjë organizate “armiqësore”! As Dani dhe Ferkiu nuk më kishin folur për ndonjë organizatë ilegale. Ndoshta, i përgjigjesha vetës, Dani dhe Ferkiu, nuk më kanë folur asgjë për emrin e organizatës,  sepse ata nuk më kanë njohur sa duhet dhe kanë pritur që koha t’ju dëshmojë se kush isha? Ky qëndrim i shokëve më pëlqente dhe më dukej si shprehje e pjekurisë së tyre.

    Në prag të Vitit të Ri 1979, nga një student në Fakultetin Ekonomik, dëgjova se UDB-a kishte tentuar ta arrestonte edhe poetin, gazetarin dhe këngëtarin e njohur Jusuf Gërvalla, mirëpo ai ishte arratisur dhe nuk dihej se ku fshihej. Në fakultet dëgjova, gjithashtu, se policia kishte dështuar, edhe në përpjekjen e saj, për  arrestimin e një ish të burgosuri politik dhe shoku të Adem Demaçit, që quhej Sabri Novosella, i cili gjithashtu ishte larguar nga shtëpia dhe fshihej diku, larg syve të policisë.

    Menjëherë pas lirimit nga paraburgimi, më kishte shkuar mendja ta takoja, të vëllanë e Danit, Xhemën. Mirëpo,  meqë gjatë hetimeve kisha deklaruar se nuk e njihja Danin, shkuarja ime në shtëpi të tij dhe zbulimi eventual i vizitës nga ana e policisë, mendoja, se  do të ishte e dëmshme jo vetëm për mua e Xhemën, por edhe për shokët në burg. Prandaj vendosa të tregohesha i përmbajtur dhe të pritja gjersa do të vinte ndonjë kohë më e përshtatshme për ta takuar  Xhemën.

    Qëndrimi në paraburgim e ballafaqimi me udbashët profesionistë, ishte një sfidë e madhe për mua. Ndonëse se më liruan, unë nuk isha i kënaqur me qëndrimin tim dhe dyshoja se gjatë ditëve të hetimit, pa qëllim dhe falë papjekurisë sime, i kisha zbuluar, para udbashëve, bindjet e mia politike! Ma thoshte mendja se librat e gjetura në shtëpi, nënvizimet dhe shënimet e mia në to, ishin prova të mjaftueshme për të më ndjekur, hap pas hapi, në të ardhmen. Prandaj, përkundër lirimit, mësimin e bindjeve të mia nga UDB-a,  e konsideroja si një të keqe të madhe për të ardhmen time politike!

    Në kohën kur jam arrestuar dhe hetuar, unë kam qenë shumë i papërgatitur për t’u përballur me UDB-ën dhe gjithçka më dukej si një ndeshje e pabarabartë! Ata ishin profesionist në punën e tyre ,  ndërsa unë  një “amator” entuziast; ata  punonin si ekip, ndërsa unë isha i vetëm; ata ishin të paguar për ta vrarë lirinë, ndërsa unë i brumosur  me dashurinë  për lirinë,  shokët dhe çlirimin e vendit tim.

    Mirëpo përkundër kësaj nuk ndjehesha i dëshpëruar, përkundrazi isha krenar. Ndjehesha krenar sepse asnjë nga shokët që kisha, pos Danit, Ferkiut dhe Latës, nuk u zbuluan. Tre ditë në “gojë të ujkut” më dukeshin si një shkollë e madhe dhe unë mendoja se këtë përvojë duhej, patjetër, t’jua përcillja edhe shokëve që i kisha në “liri”. 

     Meqë unë kisha shpëtuar, atë që mund të shpëtoja, dhe asnjë nga shokët e mi nuk ishte zbuluar nga UDB-a si dhe duke pasur parasysh përvojën e vlefshme gjatë hetimit nga UDB-a, nga ky këndvështrim, fitoren e bartja në anën time. Ata më zbuluan mua, por kurrë nuk do t’i zbulojnë shokët  e mi dhe lufta për liri do të vazhdojmë deri në fitore! – i thosha vetës sime.

    Kthimi në “liri” dhe përvoja ndeshjes me UDB-ën , në kokën time, më futi në mendime se si duhet të punojmë në të ardhmen.  Puna e parë, që duhej ta bëja, mendoja se duhej të ishte të mësoja nga gabimet, që i kisha bërë, gjatë marrjes në pyetje nga UDB-a. Pra, unë duhej t’ju rrëfeja shokëve se si ato do të duhej t’i evitonin  gabimet e mia dhe se si ata duhet të punojnë që të mos bien në “gojë të ujkut”, ashtu si rashë unë?! Kur të lirohen Dani, Ferkiu, Lata, Shefqeti, Dema dhe shokët tjerë,  shumë gjëra duhet t’i bëjmë më ndryshe nga ato që i kemi bërë gjer me tani, i thosha vetës. Do të duhej ta flakim tutje veprimtarinë tonë pothuajse legale, që kisha bërë gjer me tani, dhe ta forcojmë disiplinën dhe konspiracionin e punës sonë. Unë, bie fjala, librat dhe revistat e ndaluara nuk duhet  t’jua tregoja miqve dhe dashamirëve, ashtu siç kisha bërë gjer me tani dhe se një gjë të tillë duhet ta bëjnë edhe shokët. Nuk duhet të takohem me shokët në vendet publike, ashtu siç isha takuar me Danin dhe Ferkiun. Armiku na do në burg sepse nga burgu ne nuk mund të bëjmë asgjë kundër tij!‒ i thosha vetës.

    Pas lirimit tim, sipas zakonit, vërshuan të afërmit dhe miq për të më vizituar në shtëpi, thuajse kushedi se çka kishte ndodhur! Unë besoja se shumë prej tyre ishin njerëz të mirë dhe që vinin për ta ngushëlluar familjen, apo këtë e bënin për t’i ndjekur traditat tona, sa të mira aq të vjetra, por që nganjëherë  ishin edhe të bezdisshme. Por unë nuk kisha fuqinë t’i ndaloja ata të vinin. Njerëzit vinin pa të pyetur e për të qëndruar pranë dhe ne nuk na ngelte tjetër pos t’ua hapnim derën dhe t’u dëshironim mirëseardhje. Mirëpo isha i bindur se në mesin e atyre që do të vinin, do kishte ndonjë që  do ta dërgonte UDB-a. Tani e merrja me mend se UDB-a do të përdorte të gjitha fijet për ta marrë informacionin që i duhej. Unë, tashmë isha i bindur, më shumë se asnjëherë më parë se  UDB-a, për fatkeqësinë tonë, kishte edhe disa shpirtshitur që i shërbenin me zell të madh!

    Nga ata që më erdhën për vizitë, dolën edhe disa, që mund të numëroheshin në gishtat e një dore, që më bënë pyetje që unë nuk dëshiroja të përgjigjesha. Falë dyshimit se jo të gjithë ata që më vinin për vizitë ishin miq, në përgjithësi, unë e kalova mirë këtë “mbikëqyrje” në shtëpi nga UDB-a. Të gjithëve u thosha se mua më kishin marrë gabimisht dhe pasi e vërtetuan këtë më liruan: ”Njeriu i pafajshëm e ka vendin në shtëpi, u thosha atyre që më pyesnin për kohën e arrestimit!”

    Rinisja e kontakteve me shokë, ishte puna që më priste, por ajo ishte edhe një punë me rrezik, jo vetëm për mua por edhe për shokët.  Të lirë ishin Xhema, Xhafa,  Hoxha i Vogël, Rexha, Beda dhe Veba.  Vendosa t’i takoj të gjithë e një nga një.  

    Në takimin e parë me Xhemën e kam njoftuar lidhur me arrestimin tim dhe interesimin e udbashëve për veprimtarinë e Danit dhe Ferkiut, ashtu siç e kam njoftuar edhe për pyetjet që më ishin bërë në polici, për librat që i kanë marrë  në gojë gjatë hetimeve  etj.

    Nga takimi me Xhemën, e kam kuptuar edhe më mirë gjithë seriozitetin e gjendjes së krijuar pas arrestimeve të nëntorit 1979. Xhema, ishte shumë i shqetësuar për mbajtjen në arrest të Danit, Latës, Ferkiut dhe shumë shokëve të tjerë, që unë nuk i njihja dhe që nuk ua kisha dëgjuar emrat ndonjëherë. Ai ishte i mendimit se duhet të tregoheshim shumë të kujdesshëm. Duke pasur parasysh përmasat e arrestimeve, Xhema, druante se UDB-a kishte informacion të mjaftueshëm për veprimtarinë e shokëve dhe për t’i mbajtur ata në burg e ndoshta edhe për t’i dënuar një pjesë të atyre që ndodheshin në hetuesi.

    Takimi me Xhemën, më ndihmoi ta kuptoja gjendjen tonë dhe të isha më i matur në parashikimet e mia për informacionin që kishte UDB-a për veprimtarinë e shokëve tanë?! Takimi, më bëri të kuptoja se UDB-a dinte më shumë gjëra për shokët tanë, sesa dija unë. Gjatë takimit, nga Xhema, për herë të parë dëgjova për ekzistimin e organizatës “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi”. Edhe emri i organizatës, në kuadrin e të cilës kishin vepruar shokët, por siç po dukej kisha vepruar edhe unë, ishte një befasi e këndshme.

     Ato ditë, e kam takuar edhe Xhafën dhe i kam folur për arrestimin tim, për kohën e mbajtjes në arrest si dhe për arrestimin dhe mbajtjen në burg të shokëve të tjerë. Në atë rast, për herë të parë, Xhafës, i kam folur për kontaktet e mia me Danin dhe Ferkiun.  Gjatë takimit, Xhafa u tregua kureshtar për ato që dëgjoi nga unë, por nuk më tha asnjë fjalë më shumë lidhur me arrestimet!

     Brenda disa ditëve, i kam takuar, një nga një, edhe Rexhën, Bedën dhe Vebën  dhe të tre i kam njoftuar për arrestimin tim dhe burgosjen e shokëve.

     Me të gjithë shokët, jemi pajtuar, që tani e tutje të mos takohemi në vende publike dhe që të tregohemi të kujdesshëm se me cilët flasim e nga kush marrim libra të ndaluar.

     Xhemën, e kam takuar përsëri gjatë janarit 1980, në Shtitaricë. Gjithë natën qëndruam së bashku dhe biseduam për gjendjen. Xhema, në atë rast,  më njoftoi për lajmet që kishte lidhur me Danin dhe shokët e  burgosur. Ai më njoftoi se policia ende nuk kishte lejuar që familja ta vizitonte Danin. Kësaj radhe, Xhema, ishte edhe më pesimist për lirimin e shpejtë të shokëve. Ai dyshonte se grupit të shokëve të Danit ishte duke ju përgatitur aktakuza dhe se disa prej tyre do të dënoheshin me dënime të rënda. Xhema, ishte për kujdes të shtuar dhe për lëvizje të kufizuara. Ai dyshonte se edhe ai ishte i ndjekur nga njerëz të UDB-ës, ashtu siç më këshilloi edhe mua që të tregohesha edhe më shumë i kujdesshëm, sidomos me shokët që nuk ishin të zbuluar për policinë, pra që kontaktet me ta, në asnjë mënyrë, të mos i bëja në vende publike, por as në shtëpinë time.

     Që nga takimi me Xhemën, kontaktet me shokët e krahut tim, i mbaja nëpër vende larg syve të UDB-ës, nëpër shtëpi të shokëve të pazbuluar dhe nëpër vende të tjera. Kontaktet me Xhafën, i mbaja në shtëpi të tij e nganjëherë në vendin e qujtur libar6 që ishte fusha me të mbjella në mes lumit Llap dhe Silnicë në mes fshatit Stanofci i Ultë, Prelluzhë, Lumi i Madh dhe Mihaliq. Gjithashtu edhe kontaktet me Rexhën i mbaja në fshatin Cërrnushë, në fshatin Stranë. Nganjëherë vinte Rexha në fshatin Lumi i Madh dhe aty takoheshim afër lumit Llap. Me Vehbiun nga Gradica e Drenicës, i shpërngulur në Gllogovc, kontaktet i mbaja nëpërmjet Hoxhës që ishin në mes vete kunetër. Zakonisht takoheshim në shtëpi të Hoxhës. Edhe kontaktet me Bedën, i mbaja nëpërmjet shtëpisë së gjyshit të tij dhe burrit të hallës sime, Bahtir Selmani. Unë shkoja për ta takuar hallën time dhe me Bedri Selmanin, e gjenim mundësinë dhe bisedonim vetëm.
(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (17)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura