Nga Xhafer Durmishi-Skenderi
Sabri Maxhuni-Novosella: ”Xhafer Durmishit, bashkveprimtarit dhe bashkpunëtorit më të afërt të Heroit Jusuf Gërvalla në Gjermani. Me respekt. Autori. Shkurt 2012; fjalë të shkruara me dorë si dedikim të dhuratës-librit ”Rezistenca Kosovare mes dy zjarresh”, Prishtinë 2012)
Në fillim të vitit 1978, shokët e Organizatës, Lëvizjes së Jusuf Gërvallës, e cila ka vepruar në fshehtësi, në komunën e Vushtrrisë, më kanë propozuar që të anëtarësohem në Lëvizjen konkrete, me emrin konkret ‘Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi”. Këta shokë të Jusufit (edhe pse nuk e kanë ditur në atë kohë se janë në të njëjtën organizatë me Jusufin, edhe pse nuk e kanë ditur se kanë fatin të jenë në një Organizatë me Jusufin) kanë menduar se unë mund të kontribuoj për të mirë në këtë Lëvizje konkrete. Edhe unë kam besuar sikur ata dhe e kam pranuar propozimin e tyre. Duke pasur parasysh kushtet e veprimtarisë në ilegalitet të thellë mund të thuhet se nuk ka ekzistuar mundësia që unë ta kërkoj rrugën deri tek Organizata e Jusufit, por ka ndodhë e kundërta, ajo më ka gjetur mua.
Pas regjistrmit të studimeve kam marrë pasaportën në Mitrovicë. Kah fundi i vitit 1979 në Kosovë bëhen arrestime të disa anëtarëve të Lëvizjes së Jusufit, por jo edhe të atyre me të cilët unë kam pas lidhje direkte, andaj nuk kam pas nevojë për ndonjë shqetësim direkt për personin tim. Jusufi arratiset nga Kosova dhe më 21 dhjetor 1979 mbërrin në Shtutgart.
Me sa më kujtohet, përafërsisht në të njëjtën kohë, në të njëjtën javë, për arsye krejtësisht private, në bazë të lidhjeve familjare, e me iniciativën e kësaj lidhjeje, kam bërë udhëtimin e parë jashtë shtetit, dhe kam qëndruar pjesën kryesore të pushimit shkollor-dimëror 1979-1980 në Berlinin Perëndimor, pa përjashtuar as shëtitjet në Berlinin Lindor. Për këtë rrugë të gjitha shpenzimet i ka paguar personi i farefisit tim i cili ka punuar në Berlin. Poashtu në bazë të lidhjeve familjare, në pushimet verore të vitit 1980 kam punuar në Zvicër.
Në janar të vitit 1981, me kërkesën e dy shokëve të Lëvizjes së Jusufit, me të cilët kam pas kontakt, (Sheremet dhe Ismet Saraçi) kam udhëtuar për në Stamboll për ta takuar Sabri Novosellën. Të gjitha shpenzimet e këtij udhëtimi m’i kanë paguar dy shokët që më kanë dërguar, të cilët kanë punuar si arsimtarë në një shkollë fillore. Sabri Novosellën e kam takuar në banesën e Tefik Strajës, Cigdem sok. Nr. 24/6, Pendik, Istanbul. Pa u zgjeruar shumë me këtë rast, dua të them se Sabriu e ka marrë vesh nga unë ekzistencën dhe botimin e revistave „Lajmëtari i lirisë“ dhe „Liria“. Edhe pse ia kam përmend se në Kosovë flitet shumë për Jusuf Gërvallën, Sabriu nuk më ka thënë se Jusufi është i organizatës tonë, apo se fare e njeh. Pas qëndrimit disa ditësh në Stamboll, para se me u nda, Sabriu ma ka dhënë numrin e telefonit të banesës së vetë në Adapazar.
Pas kthimit tim nga Stambolli, pas rreth dy muajve filluan ngjarjet historike të Pranverës 1981. Dhuna policore, ndjekja e aktivistëve të organizatave politike dhe ngjarjet që u zhvilluan lanë gjurmë të ashpra tek unë. Duke pasur parasysh veprimtarinë time modeste në Kosovë dhe shqetësimin e madh psikik, i cili nuk ishte në proporcion me punën time, në marrëveshje edhe me shokët që kisha kontakt, në qershor 1981 shkova tek të afërmit e mi në Zvicër, për të punuar, ashtu siç kisha bërë një vit më parë. Me vete e kisha numrin e telefonit të Sabriut. Pas disa ditësh e kam thirrur në telefon dhe i kam treguar se jam në Zvicër. Në bisedën e parë, Sabriu ma ka dhënë numrin 0049714126091, i cili ka qenë numri i telefonit të zyrës së Bardhosh Gërvallës në Ludwigsburg, në Solitudestrasse 44, dhe më ka thënë që të merrem vesh me Bardhin dhe të shkoj në Shtutgart.
Më 17 korrik 1981 kam marrë trenin nga Zurichu për në Shtutgart. Jusuf Gërvallën, Bardhin, familjet e tyre dhe Naim Haradinajn për herë të parë në jetë i kam takuar më 17 korrik 1981. Përkundër argumenteve të pakta, unë pata menduar se në Shtutgart pas ndonjë jave do të kërkoj azil. Këtë ide timen Jusufi e ka hedhur poshtë menjëherë. Jusufi, jo vetëm mua, por nuk e ka lejua asnjë shokë të vetëm të vetin të kërkoj azil, duke përfshi edhe ata që kanë pas argumente shumë më të fuqishme e solide se unë. Me ndihmën e Bardhit dhe Haxhi Berishës, pas disa ditësh kam filluar punën në një fabrikë.
Për punën time me Jusufin në kuadër të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi nuk po zgjerohem. Para shokëve të tij, Jusufi më ka prezantuar me emrin Skender. Pos Jusufit, Bardhit e gruas së Jusufit – Suzanës, vetëm Haxhi Berisha nga Prapaqani e ka ditur emrin tim të vërtetë. Duke pas parasysh mbrojtjen e identitetit tim para të tjerëve nga ana e Jusufit dhe e imja, të dhënat se policia nuk më ka kërkuar gjatë muajve sa nuk kam qenë në fshatin tim të lindjes si dhe nevojat e Lëvizjes së Jusufit pas fillimit të botimit të revistës, me presionin dhe me insistimin tim, jam nisë për në Kosovë, rreth 10 dhjetorit 1981. Kjo rrugë është rruga e vetme (e para dhe e fundit) që e kam bërë për në Kosovë pas njohjes me Jusufin e për të gjallë të Jusufit. Këtë rrugë e kam bërë për t’i shërbyer Jusufit. Këtë rrugë dhe të gjitha shpenzimet rreth saj m’i ka paguar Jusufi. Për në këtë rrugë Jusufi më ka përcjellë deri në Munchen, së bashku me djalin e madh të Smajl Haradinajt nga Gllogjani, Naimin. Udhëtimin tim në Kosovë, Jusufi e komenton në letrën e tij të fundit që ia dërgon Sabri Novosellës, më 14 janar 1982.
Jusuf Gërvalla: “Edhe një lajm jo fort të mirë kam për ju. Me insistimin e Shpendit, për të mos thënë me presionin e tij, Shpendi shkoi në Kosovë për një qëndrim të shkurtër, disa kohë para vitit të ri. Së andejmi u paraqit disa herë në telefon, e së fundi disa ditë para vitit të ri, kur tha se do të kthehej menjëherë pas vitit të ri. Mirëpo, sot jemi më 14 janar, e ai as na thirri më, as erdhi. Por, jemi të brengosur shumë se mos i ka ndodhur gjë. Ndonjë lajm, a shenjë për të keq nuk kemi, veçse vonesa e tij na brengos. Nëse ka fat dhe kthehet, ai do të na sjellë materiale me vlerë, sepse për atë qëllim edhe pat shkuar.” (Letër Sabri Novosellës, 14 janar 1982 )
Një nga detyrat e mia me udhëtimin ka qenë ta pranoj numrin e parë të “Zërit të Kosovës”, në Slloveni, sipas kohës dhe instruksioneve që do t’i merrja nga Suzana, gruaja e Jusufit, pas thirrjeve të mia që do t’i bëja në telefonin e fqinjës së tyre të parë gjermane. Për këtë kam udhëtuar, (pasi kam mbërri së pari në Kosovë), vetë i dyti në Slloveni. E kam thirrur Suzanën në telefon dhe ajo më ka thënë të largohem menjëherë nga Sllovenia pasi ata që kanë pas me e sjellë gazetën janë zënë nga policia jugosllave (bëhet fjalë për arrestimin e veprimtarëve Shaban Klaiqi e Islam Rafuna: Lexoni ”Si u dënuan Shaban Klaiqi e Islam Rafuna për Zërin e Kosovës” në www.pashtriku.org). Pasi jemi kthyer në Kosovë së bashku me Bahtir Haradinajn, pas një nate apo dy, Televizioni Shqiptar e komunikoi lajmin e „vetëvrasjes“ së Mehmet Shehut. Lajmi i „vetëvrasjes“ së tij ka qenë lajm shumë i rëndë për ne që i kishim sytë e zemrën të kthyer nga Shqipëria.
Gjatë ditëve në vijim jam angazhuar me të gjitha aftësitë e mia të merrem me detyrat tjera që kisha marrë nga Jusufi.
Të marten, më 19 janar 1982, një mëngjes, kemi dalë së bashku apo e kemi lënë të takohemi në Prishtinë (kjo nuk më kujtohet me saktësi), me Asllan Muharremin, i biri i Behram Muharremit nga fshati Mihaliq, komuna e Vushtrrisë, i cili tani jeton me familjen e tij në periferi të qytetit Malmö, në jug të Suedisë. Kemi shkuar në Qendrën e Rinisë dhe kemi zënë vend në një kafe. Derisa unë isha ulur për të porositur kafet, Asllani shkoi në një kioskë të afërm për me e ble „Rilindjen“. Pas disa minutave erdhi Asllani dhe më thotë se ka lexuar një lajm shumë të keq në „Rilindje“, duke ma dhënë gazetën të hapur në faqen ku ishte lajmi, në të cilin lexova me sa vijon:
Në RF të Gjermanisë
U VRANË TRE EMIGRANTË
Sipas kumtesës së policisë këta janë Bardhosh e Jusuf
Gërvalla dhe Kadri Zeka
Bon, 18 janar – (TANJUG)
Policia e Shtutgardit kumtoi se gjatë natës së kaluar në vendin Untergrupenbah, afër Hajlbronit, në Krahinën Baden-Virtenberg u vranë tre emigrantë me prejardhje jugosllave. Këta janë Bardhosh Gërvalla (31), Jusuf Gërvalla (36) dhe Kadri Zeka (28).
Policia ende po i gjurmon dorasit, por mund të supozohet se është fjala për qërim tipik hesapesh midis emigrantëve të nëntokës së RFGJ, të cilëve, siç mendon policia i kanë takuar edhe viktimat e kësaj përleshjeje. Ky supozim jipet nga rezultati i parë i hetimeve të policisë, i cili nuk është definuar në mënyrë plotësisht të qartë, por që është mjaft indikativ. Konsiderohet në të vërtetë se “fjala është për krim me prapavijë politike”, sepse
ndërmjet emigrantëve të këtij lloji të orientuar armiqësisht ndaj Jugosllavisë, ka më shumë “rryma” dhe “grupacione”.
Bardhosh e Jusuf Gërvalla, siç merret vesh, janë vëllezër. Ata tash, sipas të gjitha gjasave, janë bërë viktima të mesit, të cilit i kanë takuar. Viktima e tretë, Kadri Zeka, siç pohon policia, para kësaj, ka jetuar në Zvicër, ku ka pasë marrë azil. Nuk ka dyshim se të vrarët tash një kohë të gjatë kanë jetuar në RFGJ.
Policia e Shtutgardit kumtoi se ka organizuar ndjekje përmasash të gjera për zënien e vrasësve të mundshëm.
Qeveria e Bonit, siç deklaroi përfaqësuesi i saj për shtyp, e dënon rrept vrasjen e tre personave. Ky përfaqësues shtoi në konferencën për shtyp se “qeveria shpreh keqardhje për shkak të përleshjeve të tilla.
Kjo është mënyra se si dhe kur jam njohur me Jusuf Gërvallën. Ky lajm i botuar në Rilindje, nga UDB-a, apo thënë më konkretisht nga sponsori medial i veprave të UDB-së, TANJUG-u, ishte mënyra se si u njoftova për vrasjen e Jusufit. Jo vetëm mua, por në këtë mënyrë UDB-a u përpoq ta informoj gjithë opinionin shqiptar e botëror, sikur të mos ishte këmbëngulja e pathyeshmëria e pafund e Jusufit dhe mospranimi i Tij për të hyrë në sallën e operacionit para se ta jep një deklaratë para policisë, në spitalin e Heilbronit.
Pasi leximit të këtij lajmi si kam mbërri me u përgatitë mirë në rrethanën e parë, më 20 janar jam nisë nga Fushë-Kosova për në Shtutgart dhe në Untergruppenbach kam mbërri më 21 janar 1982, në orën e fundit (rreth orës 14.00) kur firma e varrimeve i kishte sjellë kufomat në shtëpi të Jusufit, në mënyrë që familja dhe shokët të bënin përshëndetjet e fundit. Para arkivoleve me trupat e të vrarëve kam qenë i vetmi që e kam mbajtur një fjalim.
Të shtunën më 23 janar 1982 është bërë një demonstratë në Shtutgart për të cilin e kam shkrua fjalimin “Emrat tuaj, flamuj një beteja” (Zëri i Kosovës, mars 1982, faqe 8.).
Në javët, muajt dhe pikërisht në tri vitet në vazhdim, pra nga Janari 1982 deri në Janar 1985 kam bërë udhëtime tjera në shërbim të vazhdimit e përjetësimit të veprës së Jusufit, shtytjes së luftës përpara. Udhëtimet në vazhdim, shumicën absolute të tyre, i kam bërë së bashku me shokët e Shtutgartit, e nganjëherë edhe vetëm, por edhe në këto raste gjithmonë kam udhëtuar vetëm atëherë kur kam pasur përkrahjen, ndihmën dhe kërkesën e këtyre shokëve.
© Pashtriku.org
_______________
HYRJA IME NË LNÇKVSHJ (1978…)
***
ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË EVROPË 1979 – 1985 (1)
***
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së … (1)