RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (18)

Nga Asllan Muharremi

 Pranverë 1981

Ende pranvera nuk kishte ardh tek ne. Së bashku me tim vëlla, Skënderin,  kishim vajtur në mal për të mbledhur rrema të ngelur nga prerjet e vjeshtës. Ende pa kryer punë dhe krejt papritur, aty vije Ferkiu. U gëzova kur e pashë dhe pas përshëndetjes e paralajmërova se edhe pak do të mbarojmë punë dhe do të kthehemi në shtëpi.

U ulëm mbi një grumbull degësh dhe Ferkiu na njoftoi se një ditë më parë, në Mensën e Studentëve në Prishtinë, kishte nisur një protestë e cila më vonë ishte shndërruar në demonstratë të fuqishme! Sipas Ferkiut, në demonstratë kishin marrë pjesë me mijëra studentë dhe krahas kërkesave për kushte më të mira për studime,  ishin dëgjuar edhe  kërkesat: “Kushte për studentët!”, “Poshtë robëria!”, “Kosova-kosovarëve!”, “Jemi shqiptarë-s’jemi jugosllavë!”, “Kosova-Republikë!” etj.. Policia kishte ushtruar dhunë kundër studentëve dhe kishte arrestuar, siç flitej, disa qindra studentë!

Lajmet që mora më trazuan. Ndjehesha i befasuar. Nuk e prisje një demonstratë të tillë. Njëkohësisht, ndjehesha i entuziazmuar nga guximi i studentëve dhe kërkesat e tyre të drejta. Më mbushi plotë zemërim dhuna e egër, që ishte ushtruar nga policia kundër studentëve.

Kërkesat e drejta të studentëve dhe dhuna e ushtruar nga policia  më vunë para dilemave  të madha: vallë çdo do të sjell kjo pakënaqësi e studentëve dhe dhuna e pushtuesit? Si do të priten kërkesat e studentëve nga populli?  A thua si do të reagoi Shqipëria dhe  bota  demokratike kundër kërkesave të studentëve dhe dhunës policore?

Uroja të mbretërojë arsyeja e shëndoshë dhe që  bota nuk do të bëj sehir, aq më tepër se ajo nuk do të mashtrohet nga demagogjia jugosllave, por do t’i gjykojë me realizëm kërkesat e drejta të studentëve?

Kisha besim të plotë se përkrahja nga populli dhe  Shqipëria nuk do të mungojnë, por kur ishte në pyetje përkrahja nga bota e demokracisë perëndimore,  deri diku, isha skeptik dhe nuk prisja ndonjë ndihmë të madhe. Nuk ma merrte mendja se bota demokratike  do të prishej me pushtuesit serbo-jugosllav, për hir të shqiptarëve, aq më tepër kur jugosllavët do t’i prezantojnë kërkesat e shqiptarëve, jo si kërkesa për barazi, ashtu siç në të vërtetë ishin, por si kërkesa “nacionalistësh” e “irredentistësh” shqiptarë.

Mirëpo, përkundër qëndrimit të faktorit të jashtëm, unë mendoja se ishte krijuar një gjendje e re dhe një terren i përshtatshëm për ta shtuar aktivitetin tonë, liridashës. Prandaj për veprimet që do të bënim dhe detyrat që do t’i nxirrnim për të ardhmen, unë e shihja të nevojshme që të takohesha me shokët dhe ta dëgjoja mendimin e tyre. Mendoja se ne duhej të bisedonim me njëri-tjetrin dhe ta sqaronim qëndrimin tonë karshi kërkesave të  studentëve: për kushte më të mira, por edhe lidhur me kërkesën “Kosova-Republikë”.

Ne ishin një degë e shkëputur e organizatës “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” dhe veprimet tona nuk duhej të binin në kundërshtim me qëndrimet e udhëheqjes së Organizatës sonë. Prandaj më interesonte shumë qëndrimi i udhëheqjes së Organizatës sonë lidhur me kërkesat e studentëve  dhe sidomos ndaj kërkesës “Kosova-Republikë”.

Në një takim, që pata me shokët, u pajtuam që të tregoheshim shumë të kujdesshëm dhe që ne asnjë mënyrë të mos nxitoheshim e  të mos e kërkonim, me çdo kusht, krijimin e lidhjes me udhëheqjen e LNÇKVShJ-së.  Gjendja e krijuar bartte me vete rreziqe të madha. Nuk duhej të rrezikonim e të “shkelnim në dërrasë të kalbur”, për hir të krijimit, patjetër, të kontaktit me LNÇKVShJ-së, përkundrazi këtë çështje duhej ta shikonim me gjakftohtësi dhe durim të madh. Gjithashtu, me shokët  u pajtuam që gjersa të marrim lidhje me LNÇKVShJ-në, t’i mbështesim, pa rezervë, kërkesat e studentëve dhe ta vazhdonim veprimtarinë tonë në përputhje me programin dhe statutin e organizatës sonë.

Disa ditë pas demonstratës së 11 marsit kam arritur t’i takoj të gjithë shokët, me të cilët shoqërohesha, dhe ta dëgjoj mendimin e tyre për demonstratën dhe kërkesat e studentëve. Shokët shprehën entuziazmin dhe shpresën që kishte ngjallur, në popull, por edhe tek ata, demonstrata e 11 marsit dhe kërkesat e saj. Të gjithë uronim që kjo nisje të ishte fillimi i fundit të shtypjes dhe pabarazisë së shqiptarëve! Takimi me shokët, dhe ajo që dëgjova prej tyre, më mbushi edhe mua me entuziazëm dhe energji të re për ta vazhduar luftën për liri.

Menjëherë pas demonstratës së 11 marsit, Beogradi filloi një fushatë të egër thashethemesh e gënjeshtrash kundër shkaqeve që shtynë studentët të çoheshin në demonstrata!  Askund nuk flitej për kërkesat e studentëve dhe nuk shqyrtohej drejtësia e tyre, por përkundrazi  autoritetet jugosllave, opinionit i ofronin gënjeshtra bajate dhe bëheshin përpjekje maksimale për të krijuar armiq të jashtëm dhe fajësuar ata se gjoja i paskan “nxitur” studentët.

Veç kësaj, pushteti serb kishte aktivizuar të gjithë mekanizmat e tij për t’i kundërshtuar kërkesat e drejta të studentëve, të shprehura në demonstratën e 11 marsit. Kundër studentëve dhe kundër të ashtuquajturit nacionalizëm dhe irredentizëm shqiptar, Beogradi  villte helm e vrer, sulmonte studentët shqiptarë dhe kërkesat e tyre, por jo vetëm kaq, në këtë fushatë antishqiptare sulmohej edhe Shqipëria, si nxitëse e tyre, që ishte një gënjeshtër e madhe! Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, Lidhja e Socialiste e Jugosllavisë, ajo e Rinisë Socialiste të Jugosllavisë dhe të gjitha degët e saj në Kosovë filluan të ashtuquajturin diferencimit ideopolitikë. Nëpër vende pune, fakultete e shkolla mbaheshin mbledhje të rrufeshme, kur politikanë matufë, që u vinte era shlivovicë, i shanin studentët, të burgosurit dhe kërkesat e tyre, por njëkohësisht kërkonin nga popullit që t’i lëçitnin pjesëmarrësit në demonstratë dhe familjet e atyre që ishin burgosur.

Në këtë valle prinin edhe funksionarë federative si Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Ali Shukriu, Xhavid Nimani dhe shërbëtorë të tjerë të politikës serbe që kishin zbritur në Kosovë dhe po villnin vrer kundër studentëve dhe kërkesave të tyre të drejta.

Fatkeqësisht edhe kësaj here, këta politikanë matufë shqiptarë, u treguan përkrah shovinistëve serbë dhe dolën hapur kundër studentëve dhe kërkesave që ata shtruan për zgjidhje! Ky qëndrim qyqar, hodhi për toke edhe gënjeshtrat e UDB-ës se gjoja funksionarët shqiptarë ishin përkrah kërkesave për Republikë, të shtruara nga populli qysh gjatë demonstratave të vitit 1968.        

Në vorbullën e kësaj fushate të nisur nga pushtetarët jugosllav, në Prishtinë shpërthyen sërish demonstrata  e 25 dhe 26 marsit. Studentë, nxënës e qytetarë shfaqën përsëri kërkesat e tyre të ligjshme: për kushte më të mira për studim dhe që Kosovës t’i njihej statusi i Republikës.

Kundër demonstruesve paqësorë, kësaj radhe ndërhyri jo vetëm policia e Kosovës, por edhe njësitë e policisë speciale jugosllave që kishin ardhur dhe ishin stacionuar në Kosovë. Ndërhyrja ishte e egër. Me qindra studentë u burgosën, torturuan dhe plagosën. Flitej se kishte edhe studentë e nxënës të vrarë. Shifra zyrtare prej 8 të vrarësh nuk besohej nga askush.

Edhe demonstratat e 25 e 26 marsit më  “befasuan”!  Nuk isha në Prishtinë. Ndodhesha në Mihaliqin tim, që edhe kësaj radhe ndodhej shumë larg zhvillimeve në Prishtinë. “Fajet” për këtë ia hidhja mungesës së kontaktit me LNÇKVShJ-në apo ndonjë organizatë tjetër revolucionare.

Dhuna e përdorur gjatë demonstratave të 25 dhe 26 marsit në Prishtinë nga njësitë e policisë speciale jugosllave, shkaktoi zemërim të madh në popull. Çdo njeri që e takoja fliste me indinjatë të madhe kundër dhunës policore, të ushtruar kundër studentëve në Prishtinë dhe përkrahte kërkesat e studentëve.

Pas disa ditësh “qetësie”, si një vullkan shpërthyen demonstrate e 1, 2 dhe 3 prillit 1981, të cilat nuk u zhvilluan vetëm në Prishtinë, por në gjithë Kosovën. Për ndryshim nga demonstratat e ditëve më parë, që ishin kryesisht demonstrata të studentëve, me 1, 2 dhe 3 prill u ngritën në këmbë studentë, nxënës shkollash,  profesorë, punëtorë e fshatarë. Tani nuk kërkoheshin vetëm kushte më të mira për studim, por  i gjithë populli thërriste “Kosova-Republikë!”

Demonstratat e 1, 2 dhe 3 prillit 1981 dhe masivizimi  i tyre e tmerroi udhëheqjen antishqiptare jugosllave e cila me 2 prill pas një mbledhje të mbajtur, po atë ditë, në Zagreb nga i ashtuquajturi Këshilli për Mbrojtjen e Rregullit Kushtetues, veç të tjerash, vendosi që njësitë e APJ-së  të vendoseshin në hyrje dalje të Prishtinës, që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në territorin e komunës së Prishtinës dhe që të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 20.00-05.00.

Menjëherë pas demonstratave të 1, 2 dhe 3 prillit 1981, në shtëpinë time vije kushëriri im Avdullah Sadiku, përndryshe punonjës i Termocentralit të Obiliqit. Avdullahu nisi rrëfimin e tij se ai kishte shkuar së bashku me rreth 5000 punëtorë të Obiliqit në demonstratën e Prishtinës, por  edhe  më “qortoi”:

 ‒ Çfarë patrioti je ti që po rri në shtëpi edhe sot kur e tërë Kosova është ç’u në këmbë, më pyeti dhe qortoi kushëriri?!

I zënë ngushtë nga “akuza” e drejtë që më bëri kusheriri, nuk i thashë asgjë, por as nuk u mbrojta. Më erdhi mirë që ai dhe shokët e tij ju kishin bashkuar demonstratës. Aty për aty mu kujtua se si Avdullahu më kishte folur me skepticizëm të madh kur më kishin liruar nga arrestimi në vitin 1979 dhe kur më kishte thënë në atë rast se “ju s’keni çka bëni, sepse ju s’jeni as pesëqind veta dhe me aq pak njerëz nuk mund ta prishni Jugosllavinë dhe aq më pak që  ta bashkoni Kosovën  me Shqipërinë!” Tani koha kishte ndryshuar. Kushëriri im merrte pjesë në demonstrata liridashëse, ndërsa unë “patrioti” bëja sehir dhe i shikoja zhvillimet nga televizori. Megjithëkëtë kjo ishte një mrekulli. Populli po zgjohej. Unë kisha besim të patundur se kur zgjohet populli, ai di të bëj edhe mrekulli.

Ato ditë dëgjova, gjithashtu, se në Prishtinë ishte arrestuar edhe bashkëfshatari ime Shemsedin J. Mustafën. Siç dëgjova Shemsedin J. Mustafën e kishin zënë në një demonstratë në Prishtinë dhe në rastin e arrestimit e kishin kapur me një armë në dorë!

Nga dikush tjetër dëgjova se një grup demonstruesish ia kishin marrë  armën një polici, por meqë ata nuk kishin ditur ta përdornin atë,  në ndihmë u kishte dal Shemsedin J. Mustafa. Siç mësova, më vonë, Shemsedin J. Mustafa ka qenë në rrugë tek një këpucëtar, por ka hasur në demonstrues dhe ju ka bashkuar atyre.

Demonstratat e 11 marsit, ato të 25 e 26 marsit dhe 1, 2 dhe 3 prillit si dhe masivizimi i tyre, për mua, ishin  një argument  i qartë se ne nuk ishim të vetëm dhe se në radhët e studentëve, punëtorëve dhe nxënësve të shkollave të mesme vepronin edhe shumë grupe e organizata patriotike e revolucionare.  Edhe ky fakt ishte një gëzim, por edhe një shtytje e madhe, për mua  dhe shokët, në rrugën e lirisë.

Paraqitja e grupeve të ndryshme para nesh shtronte shumë probleme, e ndër to, një nga parësoret, ishte edhe çështja e bashkëveprimit dhe koordinimit të aktiviteteve tona. Por, në kushtet e veprimtarisë ilegale, kontakti me grupet tjera ishte edhe një punë me shumë rrezik. Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Jugosllav mund të infiltronte edhe agjentët e tij dhe një gabim  i vogël mund të na kushtonte dhjetëra vite burg. Prandaj duhej treguar shumë vigjilent.

Disa ditë pas demonstratave jam takuar me shokët një nga një. Me shokët i kemi komentuar demonstratat e fundit. Tek të gjithë shokët, demonstratat e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës, përkundër dhunës së egër të ushtruar nga policia, kishin ngjallur shpresë se po afrohej fundi i tiranisë serbo-jugosllave. Tek shokët kam gjetur më shumë se asnjëherë më parë entuziazëm për ta vazhduar rrugën e nisur. Disa nga shokët kishin marrë pjesë në demonstratat 11, 25 e 26 marsit dhe 1, 2 dhe 3 prillit si dhe disa të tjerë flisnin për shokët që kishin marrë pjesë në demonstratat të ndryshme nëpër Kosovë dhe tregonin për heroizmat e shprehur nga demonstruesit.

Në demonstratat e 1, 2 dhe 3 prillit, që u mbajtën edhe në Vushtrri, dëgjova se ishte burgosur edhe një kushëriri im, Zeqir Murati nga fshati Beçuk, i cili ishte punëtor i një ndërmarrje ndërtimore në Vushtrri. Gjithashtu dëgjova se ishin burgosur edhe Bali Dervishi, nga Gradica dhe Dinore Curri nga fshati Reznik. Flitej se Dinore Curri u kishte pri demonstruesve në Vushtrri, ashtu siç u kishte pri  çetave të luftëtarëve të lirisë Shote Galica! Veprat e tyre i frymëzonin të rinjtë, ashtu siç na frymëzonin edhe ne.

Në një gjendje të jashtëzakonshme që ishte shpallur vetëm për komunën e Prishtinës, por që në të vërtetë ishte një gjendje  shtetrrethimi ushtarako-policor që ishte vendosur në tërë territorin e Kosovës, lëvizjet duhej bërë me kujdes të shtuar.  Megjithëkëtë unë vendosa të shkoja në Prishtinë. Kudo pashë policë të armatosur deri në dhëmbë, ushtarë, tanke dhe lëvizje të vazhdueshme të policisë dhe ushtrisë.

Nga shokët që takova, mësova për dhunën e egër që ishte ushtruar kundër demonstruesve dhe se shifrat e lëshuara nga autoritetet jugosllave për gjoja vrasjen e 8, plagosjen e 75 të dhe arrestimin e 807 demonstruesve nuk ishte asgjë tjetër pos një gënjeshtër. Shokët flisnin për shifra të tjera që ishin shumë herë më të mëdha. Shokët flisnin gjithashtu edhe për masivizimin e kërkesave të demonstruesve dhe për përfshirjen e gjithë popullit në lëvizjen për liri dhe barazi.

Shihej qartë se energjitë liridashëse të popullit kishin shpërthyer me vrull të madh. Ky shpërthim dhe kjo gjendje e krijuar para nesh shtronte shumë detyra. Kërkesa “Kosova-Republikë” dukej sheshazi se i kishte pushtuar zemrat e të gjithëve dhe kishte bërë një bashkim të paimagjinueshëm të popullit tonë. 

Edhe shokët ishin entuziazmuar nga kërkesa “Kosova-Republikë”, ndonëse gjer me tani kishim ëndërruar dhe  përpjekur për bashkimin e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare me nënën Shqipëri! Për shkak të gjendjes së krijuar, unë isha duke u luhatur! Nuk kisha hequr dorë nga e drejta legjitime e popullit shqiptar për jetë në një shtet shqiptar, por  edhe kërkesa që Kosovës t’i njihej statusi i Republikës, më dukej një hap në atë drejtim. Megjithëkëtë, shumë pyetje më silleshin nëpër kokë dhe nuk ishte e lehtë të dije se  ç’qëndrim duhet  mbajtur?

Një pjesë e madhe e shokëve, me të cilët veproja, e kishim përqafuar botëkuptimin e materializmin dialektik dhe historik. Unë përpiqesha mbi bazën e këtij botëkuptimi të gjeja përgjigje edhe lidhur me qëndrimin që duhej ta mbanim ndaj kërkesës “Kosova-Republikë”. Gjatë debateve, me shokët, vinim në përfundime se kërkesën për Republikën e Kosovës,  duhet ta  shikonim si një ecje përpara, ashtu siç e kanë parë rilindësit tanë çështjen e autonomisë në kuadër të Perandorisë Otomane. Përndryshe  qëndrimi “besnik” i programit të LNÇKVShJ-së dhe mos mbështetja e kërkesës “Kosovës-Republikë” do të na zhyste në pozita dogmatike. Kërkesën “Kosova-Republikë” unë e shihja edhe si një mundësi për shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare. Ishte fat i madh që  kështu mendonin edhe shokët mi.

Mbrëmjen e 8 prillit 1981, si zakonisht, e hapa Radio Televizionin Shqiptar dhe po i shikoja lajmet. Sapo nisën lajmet folësi  i lajmeve të RTSh-së filloi së lexuari shkrimin redaksional të “Zërit të Popullit”: “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?” Atë natë e dëgjova edhe njëherë shkrimin e “Zërit të Popullit” në Radio Tiranë. Unë isha i entuziazmuar nga shkrimi i “Zërit të Popullit”, i cili në të vërtet ishte një shkrim shumë i matur, i ekuilibruar dhe që bënte thirrje për zgjidhje të çështjes së shqiptarëve të Kosovës mbi parimet e së drejtës që kanë popujt, por që edhe nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën e RSFJ-së. Për mua artikulli i “Zërit të Popullit” ishte një ndihmë e madhe për t’i gjetur detyrat tona dhe për ta kuptuar drejtë kërkesën “Kosova-republikë”.

Disa ditë më vonë i kam takuar edhe disa nga shokët dhe me ta kemi biseduar për artikullin e “Zërit të Popullit” dhe kudo kam gjetur po atë entuziazëm dhe besim të madh që kisha edhe unë për Shqipërinë dhe për qëndrimin e saj të palëkundur përkrah luftës sonë për liri.

Me 23 prill 1981, Radio Tirana emitoi shkrimin e “Zërit të Popullit” me titull “Kush nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë?” që ishte një shuplakë e re në fytyrën e politikës antishqiptare dhe shoviniste që ndiqte udhëheqja jugosllave, por që për mua dhe shokët e mi ishte dhe një shprehje e fuqishme e mbështetjes që i bënte shteti shqiptar luftës sonë për liri dhe barazi me popujt e Federatës jugosllave.

Izolimi

Me 30 prill 1981 u ktheva në shtëpi nga një vizitë tek Hoxha i Vogël. Sapo hyra brenda nëna me njoftojë se policia kishte qenë dhe e kishte kërkuar tim atë, revolen dhe pushkën e gjuetisë!

E çuditshme! As revolen dhe as pushkën e gjuetisë nuk i kishim. Revolen me leje, policia e Beogradit, ia kishte marrë tim atë, gjatë vizitës së fundit të Titos në Kosovë, gjersa ishte duke shkuar në punë në ndërrimin e tretë.

Meqë lajmi fliste se policia i kishte kërkuar armët për të cilat im atë nuk i kishte, nuk më bëri përshtypje shumë kjo vizitë e papritur e policisë. Mendova se, ndoshta, vizita kishte të  bënte me gjendjen e krijuar  në Kosovë, pas demonstratave të marsit e prillit?  Mendova se ndoshta policia e Kosovës, e urdhëruar nga ajo e Beogradit, ka nisur grumbullimin e armëve më leje, që ishin në duar të shqiptarëve? Meqë im atë dikur kishte një revole me leje, besoja se policia mund ta ketë shikuar ndonjë regjistër të vjetër të atyre që kishin armë me leje, prandaj kishte ardhur dhe kërkuar mbledhjen e tyre. Pastaj, emri im nuk ishte zënë në gojë dhe kjo me jepte shpresë se unë nuk do të  isha  pjesë e  këtij  aksioni policor.

Në mbrëmje, përsëri dëgjova një trokitje në derën e oborrit dhe pa frikën më të vogël shkova dhe e hapa derën. Sapo hapa e derën e oborrit, para saj, gjeta dy policë. Ata më treguan se kishin ardhur serish për armët e tim atë! Ju thashë se im atë  nuk ndodhej në shtëpi dhe se lidhur me armët ata duhej të flisnin me nënën time sepse unë nuk e dija për armët që po i kërkonin.

Shkova në shtëpi dhe e njoftova nënën time se përsëri kishte ardhur policia dhe e luta që ajo të vinte dhe të fliste me ta. Pas pak nëna erdhi tek dyert e oborrit dhe u shpjegoi policëve se im atë kishte pasur një revole me leje, por ajo i ishte marrë nga policia… Nëna u shpjegoi policëve se pushkën e gjuetisë nuk e kishim blerë asnjëherë. Pas informacionit që morën, policët ikën.

Me ikjen e policëve u çlirova dhe mendova se vërtet e paskan ndërmend t’i grumbullojnë të gjitha armët me leje dhe se ky aksion nuk kishte të bënte me mua. Pas pak, shkova në dhomën e gjumit dhe u shtrira për të fjetur.

Diku pas një ore dhe para se të më zinte gjumi, dëgjova përsëri trokitjen në derën e oborrit! Tani shkova shpejtë e shpejtë tek dera e oborrit dhe e hapa derën. Kur e hapa derën e pashë policin Beçir Magjupi dhe një koleg të tij. I  irrituar e i habitur, njëkohësisht, nga kjo ardhje e tyre, e tretë, ju drejtova policëve:

 ‒ Çfarë ka ndodhur? Beha (kështu e quanin ata tim atë) nuk ka ardhur ende nga puna. Nëse keni për të biseduar me atë, ju lutem, shkoni e flisni me të në punë dhe ju lutem shumë të na lini rehat, se është bërë edhe vonë e ka kaluar mesi i natës!

Beçir Magjupi ma ktheu:

‒ Jo, jo, ne e kemi kërkuar gabimisht babën tënd. E kishim ngatërruar emrin e tij me emrin tënd, prandaj ti duhet të vish me ne gjer në Stacionin e Policisë në Prelluzhë!

U befasova dhe nuk dija se çka t’ju thosha policëve. U mendova shpejtë e shpejtë dhe ju thashë të më prisnin gjersa të vishesha. Pastaj Beçir Magjupit i thashë që  të flisnin edhe me nënën time dhe t’i tregonin edhe asaj se si qëndron puna. Vetë me vete thashë: Ç’ma punuat e bëtë tetë me dy!

Pas bisedës me nënën, Beçir Maxhupi dhe shoku i tij policë me shoqëruan në Stacionin e Policisë në Prelluzhë dhe pasi më nxorën nga makina, për t’i thënë shefit të tyre se tani e kishin arrestuar atë që po e kërkonin, më dërguan në Stacionin e Policisë në Mitrovicë.

Tek porta e hyrjes së Stacionit të Policisë në Mitrovicë gjetëm një grumbull prej rreth dhjetë policësh me helmeta në kokë dhe të armatosur deri në dhëmbë. Policët dukeshin se ishin të njësive të policisë speciale federative. Ata më lëshuan një shikim të egër, por nuk më prekën me dorë.

Ora ishte dy e pas mesit të natës. Në korridorin e katit të dytë gjeta “miqtë” e mi të vjetër: Faruk Mehmetin dhe Sylejman Arifin. Unë si me shaka ju drejtova:

‒ Ç’u bë? Nuk ma dinit emrin?

Faruk Mehmeti m’u drejtua:

‒ Gabojmë edhe ne. Por, sidoqoftë, kësaj radhe do të qëndroni më gjatë se herën e kaluar!

Pas paralajmërimit të Shefit të UDB-ës, dy policë më shoqëruan në burgut e Mitrovicës.  Në  një zyrë të vogël brenda portës kryesore  të burgut të Mitrovicës më urdhëruan  ta hiqja rripin e pantallonave dhe gjithçka që kisha nëpër xhepa. Nga aty, gardianët më morën dhe më futën brenda lokaleve të burgut. Kaluam nëpër korridore me dyer metalike dhe më në fund njëri nga gardianët që më shoqëronin e hapi derën e një dhome dhe më urdhëroi të futesha brenda. Sapo hyra brenda, nga gardiani tjetër, u mbyllë dera e dhomës.

Në dhomë gjeta dy të burgosur. Ata i fërkonin sytë. Më erdhi keq që ua prisha gjumin! I përshëndeta dhe u prezantova se kush jam. Njëri nga të burgosurit më “përshëndeti” dhe e drejtojë dorën dhe shikimin kah shoku i tij duke më thënë:

‒ A nuk po e njeh se ky është profesor dr. Nexhat Daci?

Unë struka krahët dhe i kërkova falje se nuk po e njihja profesor Naxhat Dacin. Profesor Nexhat Daci, që ishte i përgjumur u ndie keq nga pyetja që më bëri i burgosuri tjetër që quhej Ferid Feka.

Të nesërmen, vazhduan ta mbushnin dhomën tonë me të burgosur të tjerë. Në dhomën tonë, që nuk ishte më e madhe se tre metra me katër dhe kishte gjashtë shtretër, e sollën edhe profesor Mujë Rugovën, magjistër Zenun Gjocajn dhe Kamber Rrukiqin. Pas dy-tre ditësh, në dhomë futën edhe ushtari Shahin Peci, të cilin e kishin sjell nga Titogradi. E menjëherë pas tij edhe pronarin e një restoranti në Mitrovicë që quhej Bajram Voca.

Ditën e dytë apo të tretë na e sollën edhe vendimin e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe motivimin e  “qëndrimit në vend të caktuar”! Në vendim shkruhej, gjithashtu, se unë kisha të drejtë ankese. Duke përfituar  nga kjo e drejtë, vendosa të ankohem. Ankesën e shkrova deri diku duke e shikuar edhe mënyrën e ankesës që bëri, për vetën e tij, profesor Nexhat Daci. Në ankesë e  shkrova “se nuk e ndjeja vetën fajtor për asgjë dhe nuk e kuptoja se përse duhej të qëndroja aty.”

Disa ditë më vonë mora përgjigje në ankesën time. Nënshkrues ishte njëfarë Kapllan Baruti nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës, që nuk ia kisha dëgjuar kurrë emrin. Përgjigja e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës e refuzonte ankesën time dhe e mbronte qëndrimin e mëhershëm se “qëndrimi në vend të caktuar mbetet në fuqi për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se personi në fjalë mund ta rrezikoi rendin publik”! O hajde Asllan, hajde, Jugosllavia paska frikë se po e rrezikoje rendin dhe qetësinë publike! – i thashë vetës sime.

Vendosja në një dhomë me gjithë ata burra të nderuar dhe që kishin bërë emër me veprën e tyre në shërbim të lirisë, më bënte krenar dhe nderë. Kënaqësinë dhe nderin që ndjeja se isha në mesin e profesorëve të nderuar, nisi të ma prish, nëpunësi Ferid Feka, i cili i bëri një pyetje të çuditshme profesor  Dr. Nexhat Dacit:

  • Profesor Daci, përse të kanë burgosur?!

 Profesor Dr. Nexhat Daci me një gjakftohtësi mahnitëse i përgjigjet Ferid Fekës:

‒ Nuk e di arsyen e arrestimit tim, Ferid. Unë, gjithë jetën time jam marrë me punë shkencore. Para pak ditësh kishim një mbledhje të LKJ-së në Universitetin e Prishtinës, ku po bëhej një diferencim ideo – politik. Në mbledhje kishte ardhur nga Beogradi edhe politikani Azem Vllasi. Meqë mbi 95 për qind nga të pranishmit në mbledhje ishin shqiptarë e luta Azem Vllasin të fliste shqip. Ndoshta ky mund të jetë shkaku?

Heshtja e mbuloi dhomën tonë. Asnjëri nuk e tha asnjë fjalë. Gjoksin ma përfshiu një e nxehur dhe më vinte ta përqafoja profesor Dr. Nexhat Dacin. Sa e vështirë ishte ta përmbaje vetën dhe të tregoheshe akull edhe atëherë kur përvëlimi ta kishte pushtuar zemrën?!

Gjatë javës që bëra në atë dhomë u njoha sadopak me të burgosurit e dhomës sime. profesor Dr. Nexhat Daci ishte një burrë shumë i qetë dhe i matur. Mujë Rugova, ishte shumë i heshtur dhe nuk mbaj mend ndonjë fjalë të tij. Zenun Gjocaj fliste fare pak e rrallë. Ajo çka e kam mbajtur në kujtesë nga ajo që ka folur  Zenun Gjocaj është tregimi i tij “për mënyrën e mbytjes së pleshtit…” nga i cili tregim alegorik dhe domethënës qeshëm të gjithë.

Ferid Feka ishte shumë interesant dhe dallonte nga shokët tjerë të dhomës! Ai vazhdimisht bënte pyetje që më irritonin dhe që më bënin të dyshoja se vallë a ishte me të vërtetë një i burgosur?! E shante Enver Hoxhën, që kinse po na nxiste ne dhe pastaj, ishim ne ata që po vuanim! Në një rast Ferid Feka edhe mua më pyeti se çfarë kisha bërë dhe se përse më kishin burgosur dhe kur unë i dhashë përgjigje se nuk i di arsyet e burgosjes sime ai ma ktheu:

-Mos je ndonjë spiun, meqë nuk paske bërë asgjë?!

Një e nxehur tjetër ma kapi gjithë trupin! Sjellja e Ferid Fekës ishte e çuditshme, prandaj unë përpiqesha t’i shmangesha, sa më shumë që ishte e mundur. Por, ku dreqi të shkoja, dhoma ishte shumë e vogël dhe e mbyllur?

Ditën e dytë apo të tretë, nuk më kujtohet me saktësi, në dhomën tonë u vendos edhe ushtari Shahin Peci. Çuditërisht ushtari doli i njohur me Ferid Fekën.  Krijova përshtypjen se Shahin Peci ishte një djalë shumë i mirë, por edhe shumë i çiltër. Qysh ditën e parë, Shahin Peci nisi t’i tregojë Ferid Fekës për të gjitha poezitë që i kishte shkruar gjatë shërbimit ushtarak, madje edhe për ato që nuk ia kishte zënë policia ushtarake! Ndjeja dhembje në zemër për Shahinin, por nuk kisha guxim ta bëja asnjë ndërhyrje. E merrja me mend se edhe ndërhyrja më e vogël, do të  mjaftonte që udbashët të ma kurdisin  ndonjë akuzë dhe kështu  do të ma  zgjasnin qëndrimin në këtë ferrë të mallkuar. Prandaj më duhet të qëndroja i shtrirë në shtratin tim dhe të mos përzihesha në bisedat e Ferid Fekës dhe Shahin Pecit.

Në një rast tjetër, gjersa po shëtisnim në shëtitoren e burgut dhe unë po ecja në rresht pas Shahin Pecit, përfitova nga rasti dhe e pyeta me zë të ultë se a e kishte marrë malli për nënën? Kisha përshtypjen se Shahini e kuptoi se ç’ desha t’i them dhe pas kësaj nuk e kam dëgjuar të ketë folur për poezitë e tij.

Gjatë kohës sa isha në dhomë me profesorët, një ditë, u ngrita në gjunjë nga krevati i katit të dytë dhe po shikoja në drejtim të oborrit të burgut. Nga aty dukej vetëm një pjesë e shëtitores së oborrit të burgut.  Arrita ta shoh duke shëtitur Xhemajl Pllanën, së bashku me një grup të burgosurish tjerë. U gëzova shumë kur e pashë se nuk ia kishin qethur flokët. Pas kësaj, shpresoja se edhe Xhema ishte i izoluar, kështu si ne të tjerët.  

Ditën e tetë, u hap dera e dhomës sonë dhe dy gardian më urdhëruan t’i merrja me vete gjërat e mia personale dhe më nxorën nga dhoma. Unë, edhe nuk kisha rroba të tjera nga ato që kisha veshur kur më morën në shtëpi. Në korridor gardianët  më takuan me Shaqir Selmanin. Shaqa ishte i zbehur. Kur më pa mua u befasua shumë… Pas pak na futën në një dhomë së bashku.

Sapo u futëm në dhomë, Shaqa nisi ta shpreh frikën dhe dyshimin  se pse na kishin bërë bashkë? Nuk kisha si t’ia shpjegoja, Shaqes, arsyet e vendosjes në një dhomë, sepse  isha i sigurt se mikrofonat e UDB-ës ishin aktivizuar dhe ata e përgjonin bisedën tonë. Shaqa vazhdonte të ishte shumë i shqetësuar dhe unë po bëja përpjekje ta qetësoj:

‒ Syla e di se s’kemi bërë asgjë të kundërligjshme as unë dhe as ti, prandaj na ka bërë bashkë që të mos mërzitemi… Syla (Sylejman Arifi) është një “patriot” i madh! ‒ i thashë Shaqës dhe po përpiqesha t’i them edhe me duar, që të qetësohej se gjithçka do të rregullohej.

Mirëpo, kisha përshtypjen se kjo që po i thosha nuk e qetësonte, përkundrazi po e shqetësonte edhe më shumë. Shaqa nisi të më pyet:

‒ Çfarë janë “Lajmëtari i Lirisë”, “ Liria” dhe “Këngët e lirisë”?!

‒ Nuk di. Nuk ua paskam dëgjuar kurrë emrin,‒ i përgjigjem Shaqës.

‒ Më  kanë pyetur për ato. Më thoshin se  Asllanin e kemi në dhomën tjetër dhe se ai i ka pranuar të gjitha! ‒ ma ktheu Shaqa.

‒ Me mua nuk ka folur njëri, as për ty dhe as për këto që po i zë në gojë. Mua më kanë futur këtu para një jave. Nga shtëpia i ke mirë, ‒ i thashë Shaqës.

Mirëpo kjo nuk po e qetësonte Shaqën. Kisha përshtypjen se ai nuk po më kuptonte se ç’po i thosha! E keqja ishte se unë nuk mund të flisja ndryshe me Shaqën, sepse isha i sigurt se njerëzit e Faruk Mehmetit ishin duke e përgjuar bisedën tonë.

E vërteta ishte se unë kisha biseduar me Shaqën kundër regjimit jugosllav dhe i kisha folur me simpati për Shqipërinë. Gjithashtu Shaqës, i kisha dhënë ndonjë roman dhe librin e Ajet Haxhiut “Shota dhe Azem Galica”, por asnjërën nga ato për të cilat e kishin pyetur. E kuptoja se udbashët ishin përpjekur të zbulojnë nga Shaqa fakte për të më futur në burg dhe për të më dënuar me ndonjë vit burg, por kësaj radhe u kishte shkuar mundi kot. Shaqa ishte treguar burrë dhe për ato që dinte për mua nuk ua kishte thënë asnjë fjalë dhe kjo më gëzonte shumë. Vendi ku ndodheshim nuk më lejonte t’ia sqaroja Shaqës se përse ata na kanë futur në një dhomë.

Të nesërmen, në mëngjes, dy gardian na e hapën derën dhe na urdhëruan të shkonim në nevojtore. Sapo hymë brenda,  e lëshova kroin, kinse po i lanim duart, dhe sytë dhe iu ofrova afër Shaqës e i them  në vesh :

‒ Kujdes dhe mos pyet për asgjë në dhomë. Ke parasysh se mund të na përgjojnë. Mua më kanë arrestuar para një jave dhe ato që t’i kanë  thënë udbashët janë gënjeshtra e trillime. Mos u shqetëso se s’kanë se çka na bëjnë, – i thashë  Shaqës.

Pas bisedës, Shaqa dukej më i qetë! Kur u kthyem në dhomë i treguam njëri-tjetrit shumë histori dashurie të trilluara e dëgjuara nga të tjerët. Kohën e kalonim duke luajtur degergjik7. Në një pako cigaresh e kishim vizatuar fushën e lojës dhe “kokrrat” e kuqe e të bardha  i kishim bërë, po ashtu në një pako tjetër të cigareve. Shaqa e pinte duhanin “si kovaç”!

Pas një jave, edhe udbashët u mërziten nga historitë tona dhe na larguan nga ajo dhomë!

Shaqën dhe mua  na dërguan në Odën e Madhe8, që ishte një dhomë e përshtatur, rishtazi, si dhomë burgu, por që më parë kishte qenë bodrum ku mbahej thëngjilli. Aty gjetëm Ali Aliun, Selatin Novosellën, Asllan Kastratin, Hazir Shalën, Sami Dërmakun, Ali Pecin, Idriz Dakën, Xhemajl Pllanën, Ferki Morinën, Skënder Haradinajn, Azem Haxhën dhe Jakup Rexhepin. Pos Xhemës, Ferkiut dhe Shaqës të tjerët po i  takoja për herë të parë.

Pa shiko se ç’nder më kanë bërë duke më futur në një dhomë me ajkën e djalërisë, burrërisë dhe qëndresës shqiptare? Të faleminderit UDB-ë!‒ thashë vetë me vete.

Oda e Madhe kishte një dritare të kthyer kah shëtitorja e burgut. Xhamat e dritares ishin të lyer me një ngjyrë që e bënte të pamundur të shihje jashtë. Dallohej se dikush nga të burgosurit, që kishte qëndruar në atë dhomë para nesh, e kishte gërvishtur një vrimë shumë të vogël në ngjyrën e xhamit dhe po ta afroje afër syrin mund t’i shihje të burgosurit në shëtitore. Por unë nuk isha nga ata trima që do ta merrja guximin e t’i afrohesha “vrimës së dritës”… Pastaj unë edhe nuk kisha se çka të shikoja. Xhemën dhe Ferkiun i gjeta në Odën e Madhe dhe shokë të tjerë të organizatës sime nuk njihja.

Vendosja në Odën e Madhe së bashku me Xhemën, Ferkiun dhe Shaqën më bëri përshtypje. Isha i sigurt se kjo ishte bërë me qëllim. Gjithashtu, isha i sigurt se UDB-a e kishte njeriun e saj në dhomën tonë dhe se spiuni do ta hetonte sjelljen tonë në çdo hap. Në rastin tonë, sidomos, do të përpiqej të mësonte për lidhjet e mia me Xhemën. Sa për shoqërimin tim me Ferkiun nuk shqetësohesha sepse isha i sigurt se ata na kishin parë së bashku në tren, në fakultet dhe shumë vende të tjera. Po ashtu, Shaqën, e kisha  mik shtëpie dhe nuk kishte asgjë sekrete për kontaktet tona.

Me Xhemën u prezantova ashtu si edhe me të gjithë të burgosurit tjerë. Me qëllim nuk shoqërohesha me të në dhomë dhe bëhesha sikur nuk e njihja.

Po më tmerronte fakti se të tre ishim në burg. Megjithëkëtë kisha bindjen se ata na kishin futur në burg vetëm për shkak të dyshimeve të vjetra dhe se këlyshët e Faruk Mehmetit nuk kishin asnjë informacion për “mëkatet” tona të pas vitit 1979-të.

Prandaj, më mbante shpresa se një ditë do të marrë fund ky lloj izolimi. Unë e kisha marrë një vendim dhe refuzim të ankesës time, por nuk e kuptoja se çka do të thoshte në praktikë ligji mbi bazën e të cilit ne ishim burgosur. Njëri nga të burgosurit e  Odës së Madhe na informoi se sipas ligjit, pushteti jugosllav, mund të na mbante në këtë lloj izolimi gjer në tre vite, pa na hedhur në gjyq, pra pa ngritur aktakuzë.

Shaqa, sapo dëgjoi shpjegimin e shokut të dhomës për “ligjin e izolimit”, lëshoi një seri mallkimesh me disa “t’u thaftë goja,” që na bëri të qeshnim të gjithëve! Shaqa i mallkonte ata që përhapin “gënjeshtra” të tilla! Ai nuk besonte se ligji thoshte se mund të na mbanin në izolim kaq kohë të gjatë.

Unë e kuptoja se Shaqa kishte arsye të mërzitej. Në shtëpi kishte lënë të shoqen me katër fëmijë dhe nuk kishte bërë asgjë “armiqësore” që ta mbanin në burg.

Qysh gjatë kohës sa isha në “liri”, sapo pata marrë vesh se e kanë arrestuar Shaqën, kisha edhe një dyshim se shkak i arrestimit mund të ishte një ndërhyrje e tij tek udbashi Sylejman Arifi, pas arrestimit tim në vitin 1979. E mbaja mend se sapo kishte marrë vesh, Shaqa, se më kishin arrestuar, e kishte kërkuar udbashin Sylejman Arifi, të cilin e kishte pasur edhe shok klase për dymbëdhjetë vite me radhë, dhe e kishte pyetur për mua.  Në atë rast Shaqa më kishte mbrojtur  para udbashit se “isha djalë i mirë dhe se më kishin marrë pa bërë ndonjë faj!” Sipas të gjitha gjasave, ma thoshte mendja, se udbashi Sylejman Arifi, duhet ta këtë raportuar “ndërhyrjen” e Shaqës tek shefat e tij. Arrestimi i tij dhe marrja në pyetje lidhur me mua ma shtonte edhe më shumë këtë dyshim. Por, më shkonte mendja gjithashtu, si shkak i arrestimit të tij mund të ishin edhe marrëdhëniet e këqija, që kishte Shaqa, me një kolege të nacionalitetit serb, në vendin e tij të punës në Komunën e Mitrovicës. Serbja, si pjesëtare e popullit “hyjnor” që ishte, mund ta ketë denoncuar Shaqën, si nacionalist?

Odën e Madhe unë takova dhe u njoha personalisht me figura të mëdha të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës,  si Ali Aliu, Hazir Shala, Selatin Novosella, Ali Peci, Sami Dërmaku e të tjerë, që njëherësh edhe kishin kaluar vite të tëra nëpër burgjet jugosllave dhe kishin një përvojë të hidhur por edhe shumë të rëndësishme në përballje me UDB-ën.

Një personalitet i madh dhe një njëri i jashtëzakonshëm që pushtetarët e kishin përplasur në bodrumin e thëngjillit së bashku me mua dhe shumë të tjerë, ishte padyshim edhe Ali Aliu. Në Odën e Madhe mësova se Ali Aliu ishte pjesëmarrës i Luftës Antifashiste e Nacionalçlirimtare dhe se ai qysh si i ri kishte marrë pjesë me pushkë në dorë për çlirimin e Shqipërisë, Kosovës dhe Jugosllavisë. Ishte gjithashtu edhe një nga ekonomistët e parë shqiptar në Jugosllavi dhe se para burgosjes, disa vite pas mbarimit të luftës antifashiste, kishte pasur detyra të rëndësishme në udhëheqjen e Komunës së Preshevës dhe Bujanovcit. Ali Aliu kishte shumë humor dhe na bënte të harronim se ku ishim. Ali Aliun dhe veteranët tjerë të lëvizjes sonë nacionalçlirimtare unë i konsideroja si shembull se si duhet sjell në rrethana burgu, që për mua ishin ende të panjohura.

Por fatkeqësisht në Odën e Madhe unë gjeta edhe Azem Haxhën dhe Jakup Rexhepin që ishin dy të burgosur të çuditshëm. Azem Haxha, që mbante mustaqe, mbahej si trim i madh dhe si njëri që e kishte udhëhequr demonstratën e Mitrovicës! Ai shkonte aq larg sa nganjëherë e rrihte gjoksin dhe fliste me krenari për trimëritë e tij dhe se si nuk kishte frik nga as policia e as nga burgu! Sjellje të çuditshme kishte edhe Jakup Rexhepi.  Të dy  i bënte të çuditshëm edhe fakti se ata ndonëse ishin nën hetime, e të akuzuar për veprimtari armiqësore, policia i kishte futur në një dhomë me veteranë të lëvizjes sonë nacionalçlirimtare!

Azem Haxha, gjatë një bisede që e dëgjonin edhe shokët tjerë të dhomës, me pyeti:

     ‒ A e ke parë dramën “Gërsheti i luftërave”?

     ‒ Jo nuk e kam parë,‒ iu përgjigja Azem Haxhës.

     ‒ A ke dëgjuar për Azem dhe Shota Galicën?

       Ndonëse nuk dëshiroja të flisja, pyetja e tij më nxiti t’ia tregoj dy histori që i kisha dëgjuar në fshatin  tim për Azem Galicën:

      ‒Në fshatin tim i kam dëgjuar dy histori për Azem Galicën: sipas historisë së parë, një mbrëmje, Azem Galica, vetë i shtati, vije tek kulla e Mehmet Mustafës në Mihaliq. Në momentin kur vije Azem Galica me shokë, Mehmet Mustafa dhe meshkujt e tij ndodheshin në lamë duke e fshirë grurin, me kuaj të lidhur rreth mullarit. Azem  Galica e përshëndet të zotin e kullës dhe i thotë t’ju prijë në kullë. Sapo hyjnë në kullë, Azem Galica e urdhëron të zotin e kullës ta dërgojë  një mashkull dhe ta thërret nga një burrë për fis. Pas pak vijnë burrat e fshatit dhe Mehmet Mustafa, ndonëse ishte i kamur, nuk ua pjekë bashkëfshatarëve të tij asnjë kafe! Këtë e heton Azem Galica dhe e urdhëron kafexhiun që t’jua pjekë nga një kafe burrave të fshatit. Në prani të burrave të fshatit, Azem Galica e pyet të zotin e kullës se përse nuk ia kishte dërguar ndihmën që ia kishte premtuar, para më shumë se një viti? Mehmet Mustafa, nis të arsyetohet dhe ankohet se nuk kishte pasur mundësi. Atëherë Azem Galica, në prani të fshatit,  i  thotë Mehmet Mustafës se kishte afat që deri pasnesër me ia përjcllë tridhjetë lira tek Kroni i Kishës në Qyqavicë.

      Njeriu që ia kishte dërguar tridhjetë lirat Azem Galicës tek Kroi i Kishës në Qyqavicë kishte qenë Veli Goli, i cili asokohe ishte rrogëtar në shtëpinë e Mehmet Mustafës. Unë e kam njohur dhe parë disa herë në fshatë gjatë fëmijërisë sime.

      Dhe historia e dytë, ka të bëjë me vrasjen e një fshatari të fshatit tonë, i cili asokohe kishte qenë xhandar i Serbisë. Një ditë, Azem Galica së bashku me katër ‒ pesë shokë, të hipur në kuaj po kalonin nëpër fshatin tonë.  Xhandari Serbisë, i sheh dhe ua lëshon një thirrje  në serbisht, që të ndalen: Stoj! Kur e dëgjon Azem Galica ia kthen pushkën dhe e vret..,‒ ia ktheva Azem Haxhes.

     Pas dëgjimit të historive  të mia, Azem Haxha më bëri të njëjtën pyetje që ma patë bërë ditën e parë Ferid Feka:

     ‒ Përse të kanë sjell këtu e të kanë bërë bashkë me ne? Mos të kanë sjellë për të na spiunuar?!

      Pyetja e Azem Haxhës ma çoj në kupë të qiellit tensionin e gjakut, por unë s’i thashë gjë, vetëm i lëshova një shikim dhe vazhdova të bëhesha sikur nuk më bëri përshtypje provokimi i tij.

      Selatin Novosella, që e kishte dëgjuar bisedën tonë dhe që ndodhej i shtrirë në shtrat, nën shtratin ku qëndroja i ulur, ma preku këmbën. Këtë unë e kuptova si vrejtje, që të mos e vazhdoja bisedën…

      Pas tregimit të historive të Azem Galicës, në një rast, ndodhesha në një qoshe të dhomës së bashku me Selatin Novosellën, i cili me zë të ultë me thotë:

      ‒ Mos trego histori, si ajo e Azem Galicës, se të shkallmojnë dru!

      Unë e kuptova këshillën e tij dhe iu përgjigja shkurt:

      ‒Ju kuptoj…

       Jakup Rexhepi, në anën tjetër, ndonëse  me profesion na thoshte se ishte jurist, mbahej nën hetime në Odën e Madhe së bashku me trembëdhjetë të burgosur të tjerë! Ajo që ishte edhe më e çuditshme, Jakup Rexhepi, i drejtohej herë Ali Aliut, herë Selatin Novosellës e herë Sami Dërmakut që ta ndihmonin dhe udhëzonin se si të mbrohej ditën e gjykimit!

     Pas tre javësh qëndrimi në izolim, na nxorën nga dhoma grupe-grupe dhe na lejuan të bëjmë dush, në një banjë të burgut.

   Diku rreth 14 dhe 15 majit 1981, një nga gardianët e burgut, nëpërmjet dritares së vogël të derës së Odës së Madhe e hodhi në dhomë një ekzemplar të gazetës “Rilindja”. Dikush nga shokët e dhomës e mori dhe filloi ta lexonte ”Rilindjen”. Pas pak kohe nisën ta lexojnë me radhë edhe të burgosurit tjerë.      

   I fundit që e lexoi “Rilindjen” ishte Azem Haxha. Sapo lexoi lajmin për përleshjen e Nebih dhe Tahir Mehës me policinë në Prekaz e lëshoi një thirrje: “Ju lumtë pushka!” Pas kësaj një heshtje e përgjithshme e pushtoi Odën e Madhe. Heshtja fliste vet. Ajo nuk kishte nevojë për komente. Ata që kishin kaluar me nga dhjetëra vite nëpër burgjet serbo-jugosllave nuk mund t’i mashtronte aq lehtë një  vegël e UDB-ës apo budalla!

      Një paradite, na u hap dera e  Odës së Madhe  dhe na urdhëruan të dilnim në shëtitoren e burgut, ku zakonisht na nxirrnin çdo mëngjes dhe ne e bënin edhe një shëtitje, të rreshtuar njëri pas tjetrit, por edhe i lanim sytë dhe dhëmbët në një krua që kishte aty në oborrin e burgut.

      Një gardian me fytyrë të rrumbullakët dhe lëkur ngjyrë të kuqe, që ishte i fshatrave të Artakollit9 më ndaloi në korridor. Të burgosurit tjerë vazhduan drejt oborrit të burgut. Gardiani që nuk ia kam mësuar kurrë emrin më thotë:

      ‒ Nga shtëpia i ke mirë!

      ‒Të faleminderit -ia ktheva dhe vazhdova rrugën drejt shëtitores!

      Ndonëse, e falënderova për lajmin që ma dha, nuk më pëlqeu mënyra dhe vendi  që  gardiani kishte zgjedhur për të biseduar me mua. Duke dyshuar se UDB-a kishte njerëzit e saj, që na mbanin në mbikëqyrje, jo vetëm ne, por edhe gardianët, mendoja se nuk ia vlente që gardiani të rrezikonte aq shumë për një lajm nga shtëpia! Sidoqoftë, i isha shumë mirënjohës gardianit për simpatinë që po tregonte për ne të burgosurit.  

      Pas katër javësh qëndrimi në izolim, u hap dera e Odës së Madhe, dy gardian më shoqëruan në një dhomë e cila  dukej se ishte dhe zyrë hetimesh.

      Sapo hyra në dhomë, më shkuan sytë mbi një tavolinë, ku qëndronte një revolver i “harruar” nga dikush! Meqë nuk kishte njëri në dhomë, po qëndroja në këmbë dhe po pritja një hap brenda, te dera. Pas pak erdh afër derës një njeri me rroba civile, që dyshoja se ishte ndonjë njëri i UDBës, që s’e njihja dhe se kisha parë kurrë. Meqë dera ishte e hapur dhe unë nuk po ulesha, por po qëndroja në këmbë afër derës, njeriu i panjohur u largua dhe pas pak erdhi përsëri. Si duket, i befasuar se unë nuk e kisha prekur revolverin, që e kishte lënë aty, pas pak hyri brenda në dhomë më urdhëroi të zija vend. E mori revolverin dhe e futi në një sirtar të tavolinës që e kishim në mes. I panjohuri, fillojë të më pyet:

     ‒ Kush je dhe përse ndodhesh këtu?!

     Unë i dhurova një “buzëqeshje” dhe i thashë:

      ‒ Quhem Asllan Muharremi. Jam nga fshati Mihaliq i Vushtrrisë. Nuk di se përse me kanë marrë shokët tuaj, por këtu më është dhënë një vendim i cili shpjegon se përse mbahem këtu! Po, ju kush jeni, ju lutem, a mund të prezantoheni, i them njerut të UDB-ës?

      ‒ Jam Ramadan Cana, ‒ u prezantua ai.

        Sapo më tha se quhej Ramadan Cana,  sikur më doli parasysh  Merita  Cana, shoqja ime e klasës!

       ‒ Ju i ngjani shumë një shoqeje të klasës sime e cila quhej Merita Cana, ‒ i them Ramadan Canës.

        E hetova se kjo që i thashë dhe që në njëfarë mënyre na bëri të “njohur” me njëri-tjetrin nuk i pëlqeu fare Ramadan Canës! Pash se fytyra e tij u skuq!

       ‒ Ku e njihni ju Merita Canën?

       ‒Ju thashë e kam pasur shoqe klase për katër vite në Gjimnazin “Silvira Tomazini” në Mitrovicë.

       ‒ Më trego se përse je arrestuar në vitin 1979? Me trego se si jeni njohur me Ramadan Pllanën dhe shokët e tij? ‒ më pyeti Ramadan Cana.

      Unë nuk dëshiroja të flisja për Ramadan Pllanën. Këtë e kuptoi, pas pak kohe, edhe udbashi Ramadan Cana, i cili pas rreth një ore marrje në pyetje më ofrojë ta nënshkruaj një dokument.

      Dokumentin e lexova dhe e kuptova se në të kërkohej nga unë njëfarë “dhënie bese” se do të isha për “vëllazërim-bashkimin e popujve të Jugosllavisë dhe për socializmin vetëqeverisës jugosllav…”. Meqë po kuptoja se nga nënshkrimi im varej edhe lirimi im nga burgu, e nënshkrova dokumentin, afër fundit të deklaratës së shkruar nga unë dhe diktuar nga Ramadan Cana. 

      Takimi me Ramadan Canën ishte shumë interesant. Mora vesh se ai ishte nip i Faruk Mehmetit, ndërsa Faruk Mehmeti nip i Sefedin Batallit. Çfarë lëmshi spiunësh! Ramadan Cana, hetues i Sherbimit të Sigurimt të Shtetit në Mitrovicë, Faruk Mehmeti shef i Sherbimit të Sigurimit të Shtetit në Mitrovicë, Sefedin Batalli shef i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit në Prishtinë. Një zinxhirë spiunësh në shërbim të Serbisë.             

      Sapo dola nga dera e burgut shkova drejtë tek halla Fazë në Bair të Mitrovicës. Shaqa ngeli në burg, prandaj familjes së tij dëshiroja t’ia përcillja lajmin se ai ishte shëndoshë e mirë dhe se shpresoja se edhe ai do të lirohej shumë shpejtë.

Përsëri në “liri”

Disa ditë pas lirimit tim është liruar edhe Ferkiu. Ndërsa, një javë apo dy pas nesh, është liruar Xhema dhe Shaqa.

Lirimin e shokëve nga burgu e konsideroja si fitore për të gjithë rrethin tonë. Isha i sigurt, se UDB-a na liroi nga izolimi, të treve, sepse nuk kishte asnjë informacion se ne vepronim së bashku. Më gëzonte edhe fakti se asnjë nga shokët e krahut tim: të Xhemës e as të Ferkiut, nuk ishte burgosur. Mos arrestimi i asnjë shoku dhe mos zbulimi i ndonjë fakti, gjatë hetimit që UDB-a kishte bërë me të burgosur të tjerë, fliste vetë, se shumë gjëra i kishim bërë mirë. Përndryshe, isha i sigurt, se UDB-a nuk do të na kishte falur kësaj radhe, asnjërin prej nesh, po të dispononte edhe informacionin më të vogël se ne ishim të organizuar dhe vepronim si pjesëtarë të një organizate nacionaliste e irredentiste.

     Kthimi në “liri”, për mua, nënkuptonte se punën e nisur duhej ta vazhdonim me hapa edhe më të shpejtë. Ne kishim shumë detyra para vetës,  që  po na prisnin. Mirëpo, përkundër kësaj, nuk kishte arsye të nxitohesha. Isha i mendimit se duhej ta bëja një “pushim” të vogël dhe të mos bëja veprime të gabuara!

     Një ditë, motra ime Nafija, më njoftoi për telashet që i kishte nxjerrë drejtori i Shkollës Fillore “Vuk Karaxhiq” në Prilluzhë. Ish bashkëfshatari e ish arsimtari im, Rrahman Syla, gjatë kohës sa isha mbajtur në izolim, i kishte marrë në pyetje, në drejtori, të gjitha vajzat shqiptare të shkollës dhe i kishte pyetur ato se “mos i kishte nxitur Nafija” të visheshin kuq e zi?

    Kur mora vesh këtë lajm, u mbusha me pezëm  në Rrahman Sylën, aq më tepër kur e kujtova një takim të rastësishëm me te, në Stacionin e Trenit në Prelluzhë, pas lirimit, dhe kur më bënte lajka e urata për lirimin tim!

     Disa ditë pas lirimit nga arrestimi, në  shtëpinë time vije për vizitë Ali Grajçefci së bashku me kushëririn tim Haqif Sadiku. Ali Grajçefcin e kishim nip; ai ishte i biri i Mihanës, bijës së tretë të Beh Mihaliqit. Aliu na vizitonte shumë rrallë. Edhe këtë vizitë të papritur, nipi e prezantoi, si  vizitë tek dajat e tij në Mihaliq dhe jo si një vizitë tek unë personalisht. 

     Megjithëkëtë, takimi me Ali Grajçefcin dhe kushëririn tim, u karakterizua nga një bisedë shumë interesante të cilën e kam rikujtuar shumë herë gjatë bisedave me shokë. Ali Grajçefci e filloi bisedën kështu:

    ‒ Pse more daja Asllan, po demonstroni dhe po i jepni shkak Serbisë me na i marrë edhe ato pak të drejta dhe liri që i kemi fituar me mund e gjak?! A nuk e kishim bërë edhe ne këtu Shqipëri? A nuk e bëmë Radio Televizionin e Prishtinës, si atë të Tiranës? A nuk sillnim libra me kamion nga Shqipëria? A nuk nisëm me lëvizë andej e këndej, si asnjëherë më parë?!

     E dëgjova me vëmendje të madhe. Ndjehesha paksa i habitur dhe nuk e kisha pritur një bisedë të tillë. Në një anë, më vinte mirë që Ali Grajçevci po bisedonte me mua çështje politike, por meqë unë nuk kisha biseduar asnjëherë me nipin për çështje të tilla, nuk dija se çka t’i thosha. Pyetjet e Aliut ishin njëfarë “akuze” në adresën time dhe të studentëve që po kërkonin që Kosova të bëhej e barabartë me Republikat tjera të Federatës Jugosllave! Megjithëkëtë, qëndrimi i nipit më dukej interesant, ndonëse sipas mendimit tim në të kishte edhe shumë kundërthënie. Unë nuk i fajësoja studentët dhe demonstruesit për  ndalimin e librave nga Shqipëria, ashtu siç nuk mund t’i fajësoja ata për përkeqësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Përkundrazi, unë mendoja se serbomëdhenjtë po i përdornin kërkesat e drejta si sebep për heqjen edhe të atyre pak të drejtave dhe lirive që shqiptarët i kishin fituar me shumë  sakrifica. Qëndrimi i Ali Grajçevcit  më ngjante me qëndrimin e një shtrese të gjerë intelektualësh, që kisha përshtypjen se ishin zënë në gjumë nga kurthet e serbomëdhenjve dhe tani ishin shumë të dëshpëruar e nuk dinin si të dilnin nga kjo gjendje.

      ‒ Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë demonstratë, prandaj UDB-a më liroi. Gjithashtu unë nuk i kam organizuar demonstratat dhe nuk kam lidhje me organizatorët e tyre. Pajtohem me ty se dikush po i përdorë demonstratat për qëllime të tjera dhe për t’ua hequr shqiptarëve edhe ato pak të drejta dhe liri të fituara me aq shumë gjak,‒ i thashë Aliut.

     Ali Grajçevci me shikoi dhe nuk e tha asnjë fjalë më shumë. Unë e kuptova reagimin e tij si një përputhshmëri mendimesh për gjenezën e demonstratave dhe interpretimin e qëllimshëm që u bëhej atyre nga ana e serbomëdhenjve.

      Ali Grajçevci jetonte në Prishtinë dhe punonte si jurist në Termocentralin “Kosova” në Obiliq. Nga im atë kisha dëgjuar se në vendin e tij të punës punonin edhe një mori intelektualësh të tjerë, të shquar, si Ismail Dumoshi, Ahmet Maloku e të tjerë. Ahmet Malokun e kam takuar disa herë, gjatë rrugës për shkollë, së bashku me Asllan Avdiun. Për qëndrimet e tij të njohura atdhetare kisha dëgjuar nga im atë dhe disa ish nxënës të Shkollës Normale në Mitrovicë.

     E mbaj mend një bisedë të tim atë lidhur me punësimin e Shefqet Jasharit në Termocentralin e Obiliqit. Ismet Jashari, e kishte lutur tim atë të fliste me Ali Grajçefcin lidhur me punësimin e Shefqet Jasharit. Kam dëgjuar se Shefqet Jashari ka punuar në Termocentralin e Obiliqit, për një kohë, gjersa është burgosur në nëntorin e vitit 1979. Besoj se punësimi i Shefqet Jasharit ka ndodhur për shkak të simpatisë që ka pasur rrethi i Ali Grajçafcit për të burgosurit politik. Punë e parë që bëra, pas lirimit, ishte vënia e kontakteve me shokët. Nga takimet mësoja edhe për gjendjen në terren, por edhe për problemet dhe telashet me të cilat përballej veprimtaria jonë.

     Gjatë takimit me Xhafën (Xhafer Durmishin – shën.im) u shqetësova kur mësova se ai ishte eksponuar në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë. Xhafa më tregoi se ai kishte qenë organizatori i ndërprerjes së mësimit në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, në mesin e marsit 1981, që ishte ngjarje me rëndësi. Gjatë këtij organizimi, Xhafa kishte vepruar, në radhë të parë, në mes shokëve që i kishte njohur prej vitesh, në një tjetër masë me studentë tjerë dhe ndonjë profesori që simpatizonte hapur lëvizjen studentore. Në një zhvillim të tillë ngjarjesh, në ditën e parë kur, faktikisht, një masë e madhe e studentëve ishte në sheshin përballë fakultetit dhe kur është realizuar qëllimi i organizimit, bojkotimi i mësimit në shenjë solidarizimi me studentët e Prishtinës, Luljeta Pula e dërgon shoferin e Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik, i cili pa rënë në sy, ia pëshpërit Xhafës fjalët dhe porosinë e Luljeta Pulës që të largohet menjëherë prej aty sepse qëllimi i asaj dite ishte arritur.

Ky ishte një lajm shumë shqetësues. Xhafa ishte një shok shumë i rëndësishëm për mua dhe unë nuk dëshiroja që puna e nisur të ndërpritej kështu. Fatmirësisht ndërhyrja e profesoreshës së tij, Luljeta Pula pati efekt shumë pozitiv për Xhafën dhe rrethin tonë.

     Me Xhafën biseduam për gjendjen e krijuar. U pajtuam që të tregohej i kujdesshëm dhe që për një kohë mos qëndronte në shtëpi të tij. Në atë takim, Xhafa më ka njoftuar se disa shokë të tij, ishin arrestuar gjatë demonstratës së  26 prillit 1981 në Mitrovicë.

     Diku në fund të qershori 1981, në shtëpi të Xhafës në fshatin Stanofc i Ultë, jam taktuar edhe me Sinan Kastratin nga rrethi i Malishevës, student i Fakultetit Filozofikë- Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, që sapo ishte liruar nga burgu pas një dënimi prej dy muajsh për pjesëmarrje në demonstratat e marsit në Prishtinë.  Së bashku me ne ka qenë edhe  Xhevat Durmishi, vëllai i Xhafës, i cili ishte student i Fakultetit të Mjekësisë. Në atë rast kemi biseduar për gjendjen e krijuar si dhe kemi shprehur opinionet tona për zhvillimet politike dhe qëndrimin e pushtetit jugosllav kundër demonstruesve dhe kërkesave të shtruara.

      Disa ditë më vonë, Xhafa është larguar nga Kosova dhe ka kaluar diku në Evropën Perëndimore. Unë nuk kam ditur as ditën e nisjes dhe as vendin për ku ishte nisur. 

      Pas largimit të Xhafës nga Kosova, në shtëpi të Hoxhës së Vogël në Gllavotin, për herë të parë e kam takuar Sheremet Saraçin, i cili ishte arsimtar në Shkollën Fillore “Liria” në fshatin Strofcë. Takimi me Sheremetin ka qenë i rastësishëm dhe i paplanifikuar. Hoxha i Vogël, më kishte folur fjalë të mira për Sheremet Saraçin edhe më herët. Pas  takimit me Hoxhën e Vogël jemi marrë vesh që ai dhe Sheremet Saraçi ta vazhdojnë miqësinë dhe bashkëpunimin  dhe që unë të vazhdoja të takohesha vetëm me Hoxhën e Vogël.

(VIJON)

© Pashtriku.org

____________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (19)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura