RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (2)

Nga Asllan Muharremi

Kontaktet e para me Lëvizjen

Një ditë të bukur pranvere të vitit 1978, dola nga shtëpia dhe po shkoja në ushtrimet e boksit të cilat i zhvilloja në Klubin e Boksit “Trepça” në Mitrovicë. Kalova nëpër Malin e Hajdar Agës, zbrita në Livadhet e Kosovës dhe arrita në Stacionin Hekurudhor në Mihaliq. Pas një pritje të shkurtër e pashë lokomotivën e trenit duke kaluar tejpërtej nëpër Urën e Frengut e duke lënë pas vete një tym të bardhë e të zi në qiellin e kaltër.

Nga udhëtimet e përditshme me tren e kisha kuptuar se treni i orës pesëmbëdhjetë, sidomos gjatë ditëve të punës, ishte i stërmbushur me udhëtarë, të cilët, kryesisht, ishin punëtorë të Termocentralit “Kosova” në Obiliq. I vetëdijshëm për këtë fakt, sapo treni u ndal në stacion, u ngjita me shpejtësi shkallëve përpjetë, hyra brenda në vagon dhe menjëherë nisa kërkimin e një vendi të lirë. Në kërkim e sipër, fare papritur,  e takova Asllan Avdiun, shokun e punës së tim atë. Pranë tij, qëndronte i ulur, një burrë i panjohur, i cili  ishte i rreth të tridhjetave.

Asllani, sapo më pa dhe ende pa arritur ta pyesja se a ishte vendi i lirë, ma preku krahun me njërën dorë dhe me dorën tjetër e drejtoi  drejt vendit të lirë. Pas pak,  Asllani,  fillojë të na prezantoi  me njëri-tjetrin, mua dhe shokun e tij. Shoku i Asllanit, quhej Ramadan Pllana. Ai ishte nga fshati Shtitaricë dhe studionte në Fakultetin Filozofik-Dega e Gjuhës Frënge.

Pas prezantimit, Ramadani më tha fjalë miradije për gjyshin e tim atë –  Beh Mihaliqi. Ai, gjithashtu,  më bëri shumë pyetje për kohën e lirë, librat që kisha lexuar dhe radiostacionet që i dëgjoja!

Çuditërisht, koha iku shumë shpejtë dhe treni nisi ta ngadalësonte shpejtësinë. Pas pak, treni u ndal në Stacionin e Hekurudhor  në Vushtrri. Ata të dy, u ngritën në këmbë. Para se të largoheshin e përshëndeteshin me mua, Ramadani më tha:

– Qenke djalë i mirë, por sportin e paske të keq!

I shtrënguam duart me njëri-tjetrin, u përshëndetëm dhe ata e lanë vagonin e trenit.

I habitur nga vlerësimi i shokut të Asllanit,  e hapa dritaren e vagonit të trenit dhe po i përcillja me sy duke zbritur nga treni. Edhe ata e kthyen shikimin kah dritarja e trenit, ku ndodhesha unë. Ua bëra me dorë. Ata ikën në drejtim të brendisë së fshatit Shtitaricë, që ishte i shtrirë në një kodër sipër hekurudhës e në veriperëndim të Fushës së Mëllenjave dhe qytetit tëVushtrrisë. U ula dhe vazhdova rrugën drejt Mitrovicës.

Ndonëse nuk biseduam më shumë se pesëmbëdhjetë minuta, biseda me shokun e Asllanit më la mbresa të mëdha. Sidomos, ma kishin zgjuar kureshtjen pyetjet e tij, që ishin sa të papritura po aq edhe interesante. 

Asllanin e dija për burrë të urtë e patriot, prandaj pyetjet e Ramadanit, menjëherë, ma shtuan kureshtjen për te. Dëshiroja ta takoja serish e ta njihja. Gjithë atë pasdite, mendja me ka vajtur tek vlerësimi që m’i patë bërë sportit të boksit, shoku i Asllanit, sidomos më kishte lënë përshtypje vlerësimi i tij: “Qenke djalë i mirë, por sportin e paske të keq!”

  • Shtruere, 1 maj 1978: Ferki Morina, Xhemjal Pllana dhe Ramadan Pllana

Pas takimit tonë të parë, vetën time e kam pyetur disa herë se përse shoku i Asllanit ma kritikoi sportin të cilin unë e adhuroja aq shumë dhe që më kishte bërë të ëndërroja se një ditë do të bëhesha një boksier i njohur si Mehmet Bogujevci, Nazif Gashi, Xhevdet Peci, Aziz Salihu e boksierë të tjerë të famshëm që kishte Kosova në atë kohë? Mos vallë, me këtë, shoku i Asllanit donte të më thoshte se koha në të cilën jetojmë ka punë të tjera, madje edhe më të rëndësishme se boksi me të cilin po merresha?!

Meqë biseda në tren ishte shumë e shkurtër, unë nuk pata arritur t’i shpjegoja shokut të Asllanit se cilat libra i kisha lexuar dhe as t’i shpjegoja se cilat prej tyre më kishin pëlqyer më shumë. Biseda jonë,  nuk ma dha as mundësinë t’i tregoja shokut të Asllanit se unë e dëgjoja Radio Tiranën, dhe, atë, jo kohë pas kohe, por përditë, madje  edhe nga disa orë në ditë. Ndoshta, edhe Ramadani është dëgjues i Radio Tiranës, – e pyeta vetën time – ndonëse ai gjatë bisedës me mua, si me shaka, më pati thënë se ishte dëgjues i Radio Pekinit?

Pas takimit të parë, shokun e Asllanit, shpeshherë, e kam kërkuar nëpër vagonët e trenit, gjatë udhëtimeve për në shkollë. Dy-tre herë më ka ndodhur që ndonjëri nga udhëtarët të më jenë dukur të ngjashëm me të dhe të jem afruar pranë njerëzve të panjohur e jem larguar i zhgënjyer kur e kam kuptuar se ata ishin njerëz të tjerë. Sikur ndjeja një etje për ta vazhduar bisedën me burrin flokë ngjyrë gështenje e pak kaçurrela, me një fytyrë babaxhane dhe që të dëgjonte me vëmendje kur flisje.

Takimi im i parë me shokun e Asllanit është mbajtur në një kohë interesante të jetës sime. Asokohe isha student i Fakultetit Ekonomik e njëherazi isha edhe dëgjues i rregullt i Radio Tiranës. Gjithashtu, isha edhe lexues i rregullt i “Rilindjes”, i “Zërit të Rinisë” dhe i librit shqip. Në shkollë, dhe jashtë saj, shoqërohesha me një rreth shokësh, me të cilët, në mënyrë spontane flisnim për lirinë, për Shqipërinë, për Kosovën, për luftërat e Skënderbeut, Azem e Shote Galicës, Isa Boletinit, Shaban Polluzhës dhe të heronjve të tjerë. Ishte një kohë kur në kokë më silleshin shumë pyetje, që lidheshin me lirinë dhe çlirimin e popullit tim nga zgjedha serbe.

Mirëpo, dorën në zemër, asokohe, unë, ende e kisha të vështirë ta gjeja se cila ishte rruga me të drejt që duhej ta ndiqja për të arritur në cak, ashtu siç nuk e kisha të qartë se çka mund të bëja unë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës? Në atë kohë, nganjëherë më dukej vetja sikur ndodhesha në një udhëkryq dhe s’kisha idenë se nga duhej t’ia mbaja!

Nga aq sa kisha dëgjuar dhe lexuar, e kisha të “qartë” se lufta për liri nuk mund të bëhej pa një organizatë politike. Deri diku, librat që i kisha lexuar e kishin kristalizuar idenë se çfarë duhej të ishte organizata dhe se nga çfarë brumi duhej të bëhej ajo. Por, më duhet pranuar, se atëherë tek unë e tek shokët e mi, me të cilët  shoqërohesha, ende, pothuajse, gjithçka ishte  në stadin e bisedave,  që nganjëherë më dukeshin se ishin tepër të gjata dhe monotone! Nganjëherë, më shkonte mendja se mua dhe shokëve të mi na mungonte një dorë e cila do të na ndihmonte ta braktisnim “kaosin” ku gjendeshim dhe ishim futur pa dëshirën tonë! 

***

Në shtëpinë tonë, dy-tre herë në vit, vinin në të pame bijat tona: dada Nurie, dada Halë dhe dada Fazë. Dada Nurie, ishte e martuar në Abri të Drenices, dada Halë në Hade të Obiliqit dhe dada Fazë, halla ime, në Cerrnushë të Shalës së Bajgorës.

Pa pasur frikë se po e teproj, mund të them se  hallat e tim atë,  ishin mësueset e mia të para të historisë së lavdishme të familjes sime! Jam rritur me rrëfimet e tyre për rrethimin, djegien e rrafshimin me tokë të kullës së Beh Mihaliqit nga ushtarët turq; me rrëfimet për luftimet nga kulla, të burrave e grave dhe çarjen e rrethimit, pas ardhjes së ndihmës së shokëve të Beh Mihaliqit. Ato i kam dëgjuar shpesh duke biseduar për jetën nëpër bunker, në malin e Qyqavicës edhe nëpër miq e shokë, të Shaban Beh Mihaliqit dhe kushëririt të tij, Avdullah Mihaliqi. Dada Nuri tregonte shpesh se si e kanë përcjell deri tek ara sipër shtëpisë, Shabanin, mbrëmjen e natës së vrasjes nga OZNA jugosllave, gjersa ishin duke fjetur në konakun e Gelajve të Mihaliqit të Nemozhëve. Hallat shpeshherë i kam dëgjuar duke folur edhe për konfiskimin e disa dhjetëra hektarëve mal nga pushteti i Titos dhe dhënies së tyre kolonëve serbë dhe shërbëtorëve shqiptarë në emër të reformës agrare. Dadën  Halë, e mbaj mend edhe për këngët e saj për Zhuj Selmanin e Ahmet Delinë, këngë këto që ajo i kishte kënduar qysh si fëmijë.

Gjurmë të thella në jetën time kanë lënë edhe rrëfimet për rrugëtimin nëpër Bjeshkët e Nëmura të Sahit Hasanit, fqinjit tim, të  Zenel Tërnavës, dhëndrit të mixhës Halim dhe  bacës Selim. Baca Selim ishte pushkatuar së bashku me mijëra shqiptarë në Tivar, por përkundër njëmbëdhjetë plagëve  në trup, kishte shpëtuar i gjallë, të cilin fat nuk e kishin pasur vëllai i tij, Zeneli dhe kushëriri Ramadani, trupat e të cilëve ishin hedhur në det nga partizanët e Titos! 

 ***

Nga leximi dhe dëgjimi i shumë rrëfimeve të dëshmitarëve të kohës kisha kuptuar se shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjerë në vitet e shtatëdhjeta, ishin përballur me shumë sfida. Nga ato që kisha mësuar kisha ardhur në përfundime se Jugosllavia e Titos ishte vazhduese e denjë e Jugosllavisë së Vjetër; se në emër të luftës kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, edhe Jugosllavia e Titos kishte kryer krime monstruoze kundër shqiptarëve. Vetëm pas mbarimit të Luftës së Dytë Boterore mbi 250 mijë shqiptarë ishin detyruar të shpërnguleshin në Turqi, se me mijëra të tjerë ishin vrarë e torturuar, si bie fjala gjatë aksionit famkeq të armëve, që ishte udhëhequr nga ministri i Titos, Aleksandër Rankoviç.

Gjatë viteve të gjimnazit, dhe sidomos gjatë vitit të parë të studimeve, kisha mësuar se Kosova dispononte pasuri të mëdha nëntokësore. Se toka e saj pjellore ofronte mundësi të mëdha zhvillimi e përparimi, e, megjithëkëtë, dallimi në mes Kosovës dhe republikave tjera të Federatës Jugosllave,  ishte shumë i madh. Kosova, ndonëse ishte një vend me mundësi të mëdha zhvillimi, për shkak politikës diskriminuese dhe të mos investimeve në ngritjen e industrisë përpunuese, kishte shumë prapa republikave tjera. Industria e Kosovës ishte kryesisht një industri  që merrej me nxjerrjen e mineraleve të nëntokës së saj dhe mineralet e saj përpunoheshin nëpër republikat tjera!  Në popull nuk thuhej kot se “Trepça punon – Beogradi e ndërton”! Populli e dinte se përkundër disa ndryshimeve pozitive, shqiptarët dhe vendi i tyre nuk ishte i lirë dhe i barabartë me republikat tjera, se shqiptarët vazhdonin të ishin nën kthetrat serbe.

Nga këndvështrimi im, gjendja ekonomike e Kosovës,  pasqyrohej më së miri në gjendjen ekonomike e komunës së Vushtrrisë. Si shembull po e marrë Vushtrrinë dhe 68 fshatrat e saj shqiptare dhe Prelluzhen, që banohej kryesisht me serbë.

Vushtrria dhe 69 fshatrat e saj, përkundër ndryshimeve pozitive, vazhdonte të ishte një komunë e varfër.  Vushtrria, që shtrihej në mes gjigantëve të industrisë së Kosovës – “Trepçës” dhe Termocentralit të Obiliqit – kishte një fabrikë të llamarinës, një fabrikë të ngjyrave dhe tekstilit,  dhjetë-pesëmbëdhjetë kafene ku pihej çaji i rusit, një shtëpi kulture, një bibliotekë, një librari, gjimnazin me disa drejtime, një shkollë të mesme (të policisë), një stacion të policisë dhe rrugë të mbushura me baltë dhe pisllëk. Ditëve të pazarit, Vushtrria të ngjante me qytetet e Indisë, ku njerëz, bagëti mblidheshin ditën e pazarit dhe defilonin nëpër qytet.

Ndërsa fshati Prelluzhë, fshat fqinj ky me fshatin tim, i banuar kryesisht me serbë, kishte rrugë të asfaltuara, shtëpi kulture, shtëpi shëndeti, disa shitore, fushë futbolli dhe një ndërmarrje bujqësore etj…

Për dallim nga fshati Prelluzhë, fshatrat shqiptare përreth ishin pa rrugë të asfaltuara, pa ujësjellës, pa kanalizim,  pa shkolla, pa shtëpi kulture dhe shtëpi shëndeti.

Fshati Mihaliq, që përbëhej nga tri fshatra të vegjël, me gjithsej dyqind shtëpi, deri në vitin 1974, ishte pa energji elektrike, me rrugë të mbytura në baltë dhe me një shkollë katërvjeçare. Shtëpitë e ndërtuara me tulla dhe të rrethuara me mure ose avlli ishin si republika të pavarura të mbretërisë së Kanunit të Lekë Dukagjinit! Nxënësit e Mihaliqit, pas shkollës katërvjeçare, duhej ta vijonin shkollën fillore në Prelluzhë ose Druar, që gjendeshin rreth 5-6 kilometra larg. Rrugët e Mihaliqit, ishin po ato që kanë qenë tash e mijëra vjet më parë: të mbytura në baltë, deri në gju, e me puse, deri në brez.

Pasuria më e madhe e fshatit Mihaliqi është toka pjellore, e cila shtrihet në fushë, në mes lumit Silnicë dhe hekurudhës Fushë Kosovë- Mitrovicë dhe nuk të le asnjëherë pa bukë. Për mendimin tim po të punohej si duhet kjo sipërfaqe tokësore, fshatarët e Mihaliqit, nuk do të kishin nevojë të punonin në Termocentralin e Obiliqit e as të kërkonin punë nëpër qytetet tjera në Kosovë dhe jashtë saj.

Në një gjendje të mjerueshme gjendej edhe arsimi shqip në Kosovë. Përkundër hapjes së Universitetit të Prishtinës dhe shkollave në gjuhën shqipe, numri i shqiptarëve që nuk dinin shkrim dhe lexim ishte shumë i lartë. Flitej dhe shkruhej se mbi 30 për qind e popullsisë nuk dinte shkrim e lexim, mirëpo dihej nga të gjithë se kjo përqindje, sidomos tek gjinia femërore, ishte mbi 50 për qind. Gjithashtu, përfshirja e vajzave në shkollat e mesme dhe të larta ishte shumë e ultë. Nëpër fshatrat e Kosovës, një numër i madh i vajzave, e ndërprisnin shkollimin, madje edhe gjatë vizimit të ciklit të ultë të shkollës fillore, përkundër faktit se shkolla fillore ishte e obligueshme me ligj.

Shoqëria shqiptare, përkundër ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, hapjes Universitetit të Prishtinës dhe të  shkollave të mesme në çdo qytet dhe qytezë të Kosovës,  vazhdonte të ishte një shoqëri patriarkale ku ligjin e bënte kanuni i Lekë Dukagjinit, kleri fetar dhe pushteti jugosllav. Kishte një bashkëpunim,  të hapur e të fshehtë, në mes të pushtetit jugosllav, të klerit mysliman dhe atij të krishterë. Ky bashkëpunim bëhej për ta mbajtur në prapambetje dhe errësirë shoqërinë shqiptare! 

Vëllavrasja dhe gjakmarrja ndër shqiptarët ishte mjaftë e madhe dhe pushteti nuk bënte asgjë për çrrënjosjen e saj, ashtu siç nuk bënte asgjë për ta ndërprerë veprimtarinë obskurantiste të klerit mysliman, i cili bënte gjithçka për ta ruajtur pushtetin e tij të dikurshëm mbi familjen shqiptare, sidomos për të mos e përfshirë gruan shqiptare në shkollë dhe punë dhe duke e penguar në këtë mënyrë emancipimin e saj.

***

Ndonëse në një gjendje të rëndë dhe pa vullnetin e udhëheqjes titiste, qoftë asaj federative apo kosovare, në Kosovë kishte lindur dhe po rritej edhe një elitë e guximshme intelektuale shqiptare e  cila me punën e saj të palodhshme e kishin shndërruar Universitetin e Prishtinës në një qendër të zhvillimit dhe përparimit, por edhe në bastion të qëndresës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri. Në krye të kësaj elite ishin Ali Hadri, Anton Çeta, Dervish Rozhaja, Mark Krasniqi, Rexhep Qosja, Ukshin Hoti, Fehmi Agani e të tjerë intelektual të shquar shqiptarë. Fara e hedhur në tokën dardane, nga elita intelektuale shqiptare, kishte mbirë e shëndetshme dhe po rritej me shpejtësi të jashtëzakonshme.

As një dekadë nuk kishte kaluar që nga hapja e Universitetit të Prishtinës e megjithëkëtë nëpër fakultete të ndryshme studionin disa dhjetëra mijëra të rinj e të reja, që kishin ardhur nga të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi. Universiteti i Prishtinës, pa edhe më të voglin dyshim, mund të thuhet se ishte boshti kurrizor edhe i luftës së shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Serbia.

Universiteti i Prishtinës dhe elita intelektuale, që lindi në gjirin e tij, bëri një revolucion në shoqërinë shqiptare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi. Veç kësaj, Universiteti i Prishtinës, bëri edhe një ndarje përfundimtare në mes pushtetit jugosllav dhe popullit shqiptar. Fal shkollimit të shqiptarëve, Lidhja e Komunistëve dhe Lidhja e Socialistëve  të Jugosllavisë, kishte ngelur me vetëm një turmë spiunësh matufë dhe pa gjakun e ri të rinisë shqiptare të Kosovës.

Udhëheqja e Kosovës, qoftë ajo që punonte në Kosovë, qoftë ajo që mbante poste në organet e Republikës së Serbisë dhe organet federative, ishte një udhëheqje që asnjëherë nuk kishte arritur të krijonte lidhje me popullin shqiptar. As ndryshimet kushtetuese të vitit 1974 nuk e ndihmuan udhëheqjen jugosllave (shqiptare)  të lëshonte rrënjë në popull. Si dukej, shkëputjet e bëra, qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishin qenë vendimtare në dështimin e këtyre  përpjekjeve. Populli shqiptar i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, që nuk mashtrohej lehtë nga pushtuesi serbo-sllavë, i mbante sytë tek bijtë e tij të shkolluar dhe të armatosur me dije në Universitetin e Prishtinës.

Udhëheqja e Kosovës, e cila ishte e ndarë nga populli dhe ishte tërësisht në shërbim të Beogradit, bënte zhurmë për përfitimet që kishin marrë shqiptarët nga ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, por nuk tregonte as vullnetin e as gatishmërinë më të vogël për të përfituar prej tyre e për ta çuar përpara dhe forcuar pozitën e shqiptarëve në Federatën Jugosllave; ajo nuk ishte e gatshme të rrezikonte interesat e saj për hir të interesave të popullit shqiptar, përkundrazi zbatonte vetëm urdhrat e padronëve të saj.

Se çfarë lidhje kishte udhëheqja e shqiptare e Kosovës me popullin shqiptar, unë e shihja më së miri nga vizitat e Fadil Hoxhës dhe udhëheqësve tjerë jugosllav, që i bënte fshatit tim, herë pas here, nga njëherë në vit.

Fshati Mihaliq, ka disa qindra hektar pyje të pasur me drurë, por ai është i pasur edhe lepuj të egër. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, i gjithë pylli i fshatit është prerë rrafsh me tokë dhe druri është marrë nga shteti jugosllav.

Dimër për dimër në fshatin tonë vinin për gjueti personalitete të larta nga Beogradi. Disa dimra e mbaj mend të ketë ardhur edhe Fadil Hoxha dhe disa shokë të tij nga Beogradi. Suita e  komunistve jugosllavë dhe policve civilë e braktisin fshatin me dhjetëra kuti të mbushura me lepuj. Para se të vinte dhe gjersa iknin funksionarët “popullor”, fshati mbahej si në karantinë nga policia. Të gjithë  gëzoheshim kur “mysafirët e paftuar” e thyenin qafën dhe iknin nga fshati!

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (3)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura