RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (3)

Nga Asllan Muharremi

    Ringjallja e kontakteve me Shqipërinë

    Qysh i vogël kisha dëgjuar se Shqipëria shtrihej përtej malit të Qyqavicës. Asnjëherë, gjatë fëmijërisë sime, nuk e kisha kuptuar se përse një vend duhej të shtrihej pas një mali, që e “prekte” qiellin, ndërsa vendi ku kisha lindur e isha rritur, ndonëse frymonte shqip, rreth e rrotull tij, nuk quhej Shqipëri?

    Nga dëshira për të mësuar për Shqipërinë, kam lexuar shumë nga librat, të cilat im atë na i kishte sjell në shtëpi. Qysh në klasën e gjashtë të shkollës fillore e kam lexuar librin e Marin Barletit “Historia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ashtu siç kam lexuar  edhe shumë shkrimtarë të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare.  Luftërat e Gjergj Kastriotit kundër ushtrive otomane dhe ato që paraardhësit tanë bënë për lirinë e Shqipërisë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën time.

    Mirëpo, ndonëse gjatë leximit më kishte lindur edhe dëshira për ta vizituar Shqipërinë, nga prindërit e mi dhe të afërmit e familjes, kisha mësuar se vizita në Shqipëri ishte diçka që nuk ishte më shumë se një dëshirë  apo ëndërr e parealizueshme. Nga njerëzit e afërm kisha dëgjuar se Shqipëria ishte si një “mollë e ndaluar”, për ne që jetonim në Kosovë!

    Radio Tiranën, e kam dëgjuar për herë të parë tek dajat në Hade. Pas kthimit nga vizita në Stamboll, im atë na e solli një transistor të cilin ia kishte dhuruar baca Selim. Nga kjo kohë, lidhja ime me Radio Tiranën u bë e përjetshme! Radio Tiranën e dëgjoja në mëngjes, para se të shkoja në shkollë, dhe pas shkolle,  deri natën vonë.

    Si dëgjues i rregullt i Radio Tiranës dhe shikues i rregullt i Radiotelevizionit Shqiptar unë kisha krijuar përfytyrimet e mia për vendin që propaganda jugosllave e quante  Shqipëria e Enver Hoxhës. Shqipërinë e përfytyroja si një vend të lirë,  ku mbretëronte barazia e demokracia e vërtetë. Ndërsa, udhëheqjen e Shqipërisë së re e përfytyroja si udhëheqje e dalë nga gjiri i popullit.  Gjithçka që kisha lexuar dhe dëgjuar nga  propaganda jugosllave për Shqipërinë e konsideroja si propagandë antishqiptare. Madje, edhe rrëfimet e disa të arratisurve nga Shqipëria, ashtu si edhe disa të arratisurve nga Kosova (pas kthimit të tyre të serishëm nga Shqipëria) i konsideroja si propagandë të spiunëve të UDB-ës jugosllave!

       ***

    Për ndryshim nga vitet e pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në fund të viteve të shtatëdhjeta, vëreheshin disa zhvillime pozitive në marrëdhëniet Kosova – Shqipëri. Një numër profesorësh nga Universiteti i Tiranës, mbanin ligjërata në fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës. Kosovën  e vizitonin shkrimtarë të shquar, grupe të ndryshme muzikore, trupa teatrale, klube sportive, por edhe pjesëtarë të familjeve nga Shqipëria, që kishin pjesëtarë të familjes këndej kufirit, të vendosur arbitrarisht nga forca e Fuqive të Mëdha. Nga Shqipëria në Kosovë gjithnjë e më shumë lejoheshin libra të botuara në Tiranë, ndonëse në ndonjë libër që e kishte kaluar sitën e UDB-ës mund të gjeje, aty këtu,  ndonjë rresht të fshirë me tush të zi. Unë dhe të gjithë njerëzit që kisha pranë meje u gëzoheshim këtyre zhvillimeve.

    Mirëpo, përkundër këtyre hapave pozitiv në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, nga ana e shtetit jugosllav – që kontrollohej rreptësishtë nga LKJ-ja dhe UDB-ja – bëheshin përpjekje maksimale që lëvizjet pozitive të ngadalësoheshin apo që ato të ngeleshin të kufizuara e sa për sy e faqe.

    Shqiptarët që dëshironin ta vizitonin Shqipërinë përballeshin me shumë telashe. Leja e udhëtimit për në Shqipëri, shoqërohej me marrje në pyetje nga oficerët e UDB-ë, qoftë para udhëtimit për Shqipëri ose pas kthimit në Kosovë. Njerëzit shtrëngoheshin të mos flisnin për përshtypjet  që u kishte lënë vizita. Për shkak të këtyre telasheve dhe për shkak të kontrollimit të rreptë të UDB-ës, numri i vizitorëve  nga Kosova, ishte shumë i kufizuar.

     Ndonëse pasojat, për shumë të rinj dhe të reja, një shtrëngim duarsh apo një përqafim me njerëzit nga Shqipëria, madje edhe një duartrokitje entuziaste pas një koncerti muzikor apo pas një ndeshje sportive, përjetohej si një kënaqësi e madhe.

    Mirëpo kjo sjellje normale e të rinjve dhe të rejave, zgjonte “kureshtjen” e njerëzve të UDB-ës dhe vëzhgohej, hap pas hapi, prej saj. Pas shfaqjeve, ndeshjeve sportive apo vizitave të ndryshe, njerëzit ftoheshin në biseda informative e madje edhe burgoseshin dhe e gjithë kjo motivohej si cënim “vëllazërim-bashkimit” dhe “socializmit vetëqeverisës jugosllav”.    

    E mëgjithëkëtë, ndonëse, pasojat e një përqafimi, shtrëngimi duarsh apo edhe të një përshëndetje të vetme ishin të rënda, numri i pjesëmarrësve nëpër paraqitje të ndryshme të profesorëve, të këngëtarëve dhe të sportistëve, që vinin nga Shqipëria, sa vinte e shtohej. Si një “epidemi” përhapej lajmi dhe sallat mbusheshin me të rinj e të reja. Nëpër koncertet muzikore, së bashku me artistët nga Shqipëria, këndonte edhe publiku dhe duartrokitjet e tij nuk kishin të ndalur. Publiku kthehej në adhurues të “vizitorëve” nga Shqipëria. I gjithë shpirti liridashës, i gjithë pezmi, i gjithë zemërimi e mospajtimi i rinisë me padrejtësinë dhe pabarazinë, shpalosej para pushtuesit jugosllav, por edhe përpara vëllezërve që vinin nga shtetit shqiptar.

    Isha pjesëmarrës i një ndeshje volejbolli në mes reprezentacionit të Jugosllavisë dhe Shqipërisë në Palestrën e Sporteve në Prishtinë. Salle “25 Maji” ishte përplot me spektatorë të cilët qëndronin në këmbë dhe duartrokisnin për reprezentacionin e Shqipërisë. Sportistët e ekipit jugosllav dhe agjentët e UDB-ës  kapnin kokën dhe  sikur pyesnin:  se vallë ku ishin duke luajtur, brenda apo jashtë vendi?!

    Pas ndeshjes, policët u lëshuan si lukuni ujqish mbi spektatorët dhe arrestuan e përplasen burgjeve disa dhjetëra të rinj e të reja shqiptare, për mëkatin e prishjes së rendit dhe animin e publikut për ekipin e  një vendi të “huaj”.

    Në prag të njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shtypi i Kosovës, Radio Televizioni i Prishtinës, Trupa e Teatrit Popullorë të Prishtinës  por edhe ato të rretheve të tjera të Kosovës dhe shoqëri muzikore po përkujtonin këtë ngjarje shumë të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.

    Aktiviteti i historianëve, gazetarëve, shkrimtarëve, shoqërive kulturore dhe të trupave teatrale për ta ndriçuar veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në kuadër të saj edhe të përpjekjeve të paraardhësve tanë për liri, vinte në shënjestër luftën e popullit shqiptar për heqjen qafe të Perandorisë Otomane, ambiciet e shteteve shoviniste fqinje, por edhe vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha gjatë Kongresit të Berlinit.

      Ndërgjegjësimi i popullit, sidomos i rinisë studentore, që po bëhej në këto përpjekje, ishte një punë jashtëzakonisht e vlefshme, të cilën, unë dhe shokët e mi e çmonim shumë. Ne mendonim se inteligjenca shqiptare duke e ndërgjegjësuar popullin shqiptar, me këtë periudhë të lavdishme të historisë popullit tonë, po e armatoste atë me dije dhe po e përgatiste për betejat e ardhshme për liri dhe çlirim.

    Një punë shumë të mirë në ndriçimin e veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit bënte edhe Radio Televizioni Shqiptar. RTSh-ja  emitoi dramën “Epoka para gjyqi” të dramaturgut Ekrem Kryeziu, ashtu siç emitoi edhe pjesë tjera teatrale dhe emisione dokumentare nga periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Në Kosovë, shoqëri të shumta muzikore, gjithashtu, po bënin një punë shumë të vlefshme në  ndërgjegjësimin e popullit dhe sidomos rinisë me të kaluarën e lavdishme të paraardhësve tanë. Lista e këngëtarëve dhe këngëtareve që kishte fituar zemrat e publikut liridashës të Kosovës ishte e gjatë. Shkurte Fejza dhe Shyhrete Behluli ishin heroinat e kohës, si për zërin e tyre të ëmbël ashtu edhe për këngët plotë kushtrim. Këngët si “Ushton gryka e Kaçanikut”, “ Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”, “Kënga e Rexhës” e shumë këngë të tjera, që   gjëmonin nëpër stadiume, shtëpi kulture dhe valët e Radiotelevizionit të Prishtinës, ishin shndërruar në himne të rinisë shqiptare.

   Në kuadër të njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në  Galerinë e Arteve në Prishtinë ishte hapur një ekspozitë e piktorëve dhe artistëve nga Tirana. Qysh ditën e parë të hapjes së ekspozitës shkova dhe e vizitova Galerinë e Arteve. Eca nëpër sallë dhe i shikova një nga një pikturat dhe skulpturat e vendosura, që kryesisht bënin fjalë për historinë e lavdishme të popullit shqiptar gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në atë rast, në një sallë përplot me vizitorë, ndërrova dy-tri fjalë me artistët e pranishëm dhe u thashë fjalë shumë të mira për veprat e tyre. Disa nga përfaqësuesit e ekspozitës që kishin ardhur nga Tirana, ishin edhe autorë të veprave të pranishme në ekspozitë.

    Isha i mahnitur nga ajo që më panë sytë, ashtu siç isha krenar, për pranin time  në një ekspozitë të krijuesve nga Shqipëria nënë. Duke e vizituar ekspozitën u ndala në mënyrë të veçantë para pikturës së Mic Sokolit dhe Sefë Koshares. Pranë pikturës së Sefë Koshares shkruante edhe një tekst që ishte njëherësh edhe teksti i një kënge që e kisha dëgjuar sa e sa herë në Radio Tiranë por edhe në Radio Prishtinë:

                      “Sefë Kosharja i pari i fisit

                       Hije të paska maja e plisit

                       Hije më ka o shokët e mi

                      Kam dhanë jetën për Shqipni.”

    Ekspozita dhe pikturat e saj, më bënë edhe më shumë krenar, që isha pasardhës i personazheve të pikturave dhe skulpturave që u ekspozuan! Më dukej sikur se po shihja në mesin e pikturave edhe gjyshin e tim atë – Beh Mihaliqi – të cilin nuk e kisha parë kurrë, por që për pjesëmarrjen e tij në betejat e Cerrnalevës, Merdares, Mitrovicës dhe përpjekjet  e tij për liri përkrah Isa Boletinit, kisha dëgjuar nga të bijat e tij, dada Nurie dhe dada Halë. 

    Artistët nga Tirana, bashkë me veprat e tyre të artit, sikur  na e kishin sjellë edhe një pjesë të madhe të historisë së të parëve tanë të lavdishëm, duke filluar nga koha e Gjergj Kastriotit e deri tek heronjtë e penës dhe pushkës të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Mic Sokoli i kishte hapur gjoksin topit turk, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Ymer Prizrenin kishin shtrënguar duart dhe  thirrja e famshme  “gegë dhe toskë- një është Shqipnia”, sikur na thërriste edhe ne që të luftonim për realizimin e atij amaneti?

    Dola nga Galeria e Arteve dhe u nisa në drejtim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, i entuziazmuar dhe i dehur nga gëzimi për ato që kisha parë.

(VIJON)

© Pashtriku.org

___________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (4)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura