RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (22)

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (22)

Nga Asllan Muharremi

Shumëzimi i “tetë kërkesave të parevokueshme…”

     Kishte kohë që e kishim një ekzemplar të numrit të parë të “Zërit të Kosovës,” të cilin  po e shpërndanim dorë me dorë. Numri i parë i “Zëri i Kosovës”, nëntorit 1981,  përmbante  edhe “tetë kërkesat e parevokueshme të LNÇKVShJ-së”, të cilat njëherazi ishin edhe  kërkesa programore të organit dhe organizatës sonë.

     Duke i konsideruar “tetë kërkesat e parevokueshme…” si busull kah duhej ta zhvillonim veprimtarinë tonë, gjatë një takimi me Xhemën dhe Ferkiun u pajtuam që t’i shumëzojmë dhe shpërndajmë si trakt . Nga shkrimi në “Zërin e Kosovës” u pajtuam që kjo të ishte përmbajtja e traktit me “tetë kërkesat e parevokueshme:

…Në mbrojtje të vullnetit sa e sa herë ndrydhur e të nëpërkëmbur të popullit shqiptar në Jugosllavi,-ne një pjesë e pararojës patriotike e komuniste të shqiptarëve të robëruar, që jemi organizuar në gji të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi – dalin para popullit tonë, para opinionin jugosllav dhe atij botëror me këto kërkesa minimale të parevokueshme:

1)Pa ju njohur Kosovës statusi i Republikës në kuadër të federatës jugosllave;

2)Pa ju njohur shqiptarëve në Jugosllavi statusi i kombit dhe, rrjedhimisht, e drejta demokratike e leniniste deri në shkëputje;

3)Pa u marrë menjëherë masat konkrete të të gjithë bashkësisë jugosllave që ritmi i zhvillimit të Kosovës të shpejtohet së paku në shkallën e parashikuar dhe të premtuar nga federata-do të thotë 60 për qind mbi mesataren jugosllave;

4)Pa u marrë masa të menjëhershme kundër papunësisë katastrofike në viset shqiptare, që në afatin sa më të shpejtë të inkuadrohet krahu i lirë(ekzistues) i punës dhe të tërhiqen punonjësit tanë të shkapërderdhur në Perëndim dhe nëpër republikat e zhvilluara të Jugosllavisë;

5)Pa shpalljen e amnistisë së përgjithshme, me të cilën do të liroheshin menjëherë dhe pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, që vuajnë dënime të rënda nëpër kazamatet jugosllave;

6)Pa marrë nga populli dënimin e merituar të gjithë ata udhëheqës politiko-shoqërorë, publicistë e njerëz të tjerë, qofshin nga Kosova ose nga republikat e Jugosllavisë, që janë implikuar në një mënyrë a në një tjetër në tragjedinë më të re të Kosovës, në fushatën e tërbuar antishqiptare të serbomëdhenjve, duke i shkaktuar popullit tonë plagë të reja dhe duke ndërsyer kundër tij popujt jugosllavë, të nxitur nga propaganda;

7)Pa formimin e një komisioni të posaçëm, që do të studiojë me themel dhe në hollësi aksionet shtetërore jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve, para e pas lufte, gjë që presupozon edhe publikimin e dokumenteve të fshehta shtetërore (të vjetra e të reja), që kanë të bëjnë me aksionin në fjalë; pa marrë dënimet e merituara të gjithë aktorët e gjallë (Çubrilloviçi me shokë) dhe të vdekur(Andriçi, Vukotiçi etj.)të këtij akti barbar të gjenocidit; pa iu marrë e drejta qytetare publike të gjithë atyre letrare (Duçiçi, Laliçi, Çosoçi, Bulatoviçi), kuazishkencore (Gjorgjeviçi, Cvijiçi etj.) e publicistike, në të cilat pasqyrohet përçmimi kombëtar e synimet antishqiptare, dhe mbi to të vihet embargo e përhershme jo vetëm në Kosovë po në mbarë Jugosllavinë;

8)Pa u rivendosur e pa u zhvilluar më tej marrëdhëniet e filluara kohë më parë mes popullit shqiptar( dhe popujve të tjerë) në Jugosllavi me shtetin dhe me popullin shqiptar në RPS të Shqipërisë, të ndërprera në mënyrë të njëanshme arbitrare e me qëllime thellësisht antishqiptare…

VDEKJE  FASHIZMIT-LIRI POPULLIT!  

 KOMITETI QENDROR I LËVIZJES NACIONALÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI”12

    Për realizimin e zotimit që kishim bërë, gjatë një takimi tjetër, së bashku me Ferkiun i ndamë detyrat. Unë e bleva një pako me letër të makinës së shkrimit në një librari të Mitrovicës. Aty bleva edhe fletët për shumëzim dhe materialin e nevojshëm për makinën e shkrimit. Ato ditë, gjithashtu, e takova Bedën (Bedri Selmanin) dhe i kërkova çelësin e shtëpisë së gjyshit të tij në Cerrnushë.

    Disa ditë më vonë u morëm vesh me Ferkiun që të shkonim  në Cerrnushë dhe caktuam ditën e nisjes. Unë i mora materialet që kisha, së bashku me makinën e shkrimit” dhe i futa në në çantë. Nga Mihaliqi, u nisa në këmbë, afër vijës hekurudhore Fushë Kosovë ‒ Mitrovicë. Me Ferkiun u bëmë bashkë në Stacionin Hekurudhor në Pantinë.

    Pas disa orë udhëtimi në këmbë, arritëm në Cerrnushë. Bënte një ditë e ftohtë dimri, por borë nuk kishte. Brenda në shtëpi, bënte shumë ftohtë. Megjithëkëtë, nga frika se po na diktonte roja e fshatit,  nuk guxuam të ndiznim as stufën dhe as oxhakun, që e kishim. Natën e parë e kaluam duke biseduar dhe fjetëm me rroba veshur dhe të mbuluar me disa jorgan të vjetër që i gjetëm në shtëpi.

     Gjatë tre netëve të qëndrimit në Cerrnushë, gjithçka shkoi mirë dhe sipas parashikimeve. Ndonëse shkruanim shumë ngadalë dhe gjatë çdo shkrimi nuk mund të kopjonim më shumë se katër-pesë kopje, arritëm t’i shumëzojmë rreth 80 kopje të “tetë kërkesave të parevokueshme…” Një vështirësi tjetër, ishte edhe pamundësia e korrigjimit të gabimeve. Çdo gabim ngelej në letër.

     Ditën e tretë, u zgjova herët nga gjumi dhe dola në oborr. Shtëpia, ashtu si të gjitha shtëpitë e fshatit, ishte ndërtuar në një kodër dhe kishte një oborr të pjerrtë. Nga aty, dukej si në pëllëmbë të dorës pothuajse e gjithë Shala e Bajgorës, gjer tek Maja e Zezë në Veri dhe Malet e Llapit dhe Gollakut në Lindje. Poshtë, nën fshatin Cerrnushë dukej si në pëllëmbë të dorës Gjyteti13( një kështjellë e vjetër ilire) dhe pak më në veri-perëndim fshati i shokut tim, Rexhep Ahmeti. Fshati Cerrnushë më kishte mahnitur, gjithmonë, me bukurinë e tij.  

     Në fshatin Cerrnushë kisha qëndruar shumë kohë gjatë fëmijërisë sime dhe e njihja, si Mihaliqin tim, çdo pëllëmbë të tij. Gjithmonë më kishte mahnitur bukuria e tij përrallore. Cerrnusha ishte e njohur për dardhat e saj. Aty bëheshin disa dhjetëra lloje dardhash të moçme. Fshatarët e Cerrnushës, që ishin të fisit gimë, mbaheshin krenar që ishin pasardhës të Nikës. Ishte mëkat i madh që fshatarët e Cerrnushës e kishin braktisur këtë fshat me natyrë të mrekullueshme dhe ishin shpërngulur pothuajse të gjithë në Mitrovicë. 

      Kah mesi i ditës, dhe gjersa po shkruanim, papritur e pashë se erdhi roja e fshatit dhe hyri në oborr të shtëpisë së Bahtir Cerrnushës. E alarmova Ferkiun ta ndërpriste shkrimin dhe ta fshihte nën krevatin prej druri makinën e shkrimit.

      Unë dola jashtë në oborr dhe u përshëndeta me Bajram Malokun dhe i thashë se isha së bashku me nipin tim, Idriz Selmanin, por që nuk ndodhej në shtëpi sepse “iku në drejtim të Livadhit të Ukut”!

      Qëndruam pak kohë në oborr së bashku me Barjarm Malokun dhe pas pak u ndamë nga njëri-tjetri.

      Unë hyra brenda në shtëpi, ndërsa roja shkoi në drejtim të Lagjes së Katunit.16                

       Sapo iku roja e fshatit iku nga oborri e futëm makinën e shkrimit dhe letrat në një çantë dhe e lamë shtëpinë. Ikëm poshtë nëpër ahishtë dhe  pas pak arritëm tek përroi poshtë afër Gjytetit. Nga aty, nëpër përrua ecëm gjersa arritëm pas gati një ore afër Smrekonicës. Aty, e kaluam rrugën automobilistike Mitrovicëm – Vushtrri, u futëm nëpër ara e livadhe, afër Silnicës dhe vazhduam rrugën në drejtim të Stacionit të Trenit në Pantinë. Pastaj kaluam nëpër Shtitaricë dhe pranë hekurudhës arritëm në fushën në mes fshatrave Druar dhe Pestovë. Aty afër rrugës gjetëm edhe një arë me lakra, fatbardhësisht edhe disa lakra që fshatarët i kishin lënë në ara dhe unë për vete u rashë lakrave gjersa i mbusha brinjët. Diku në mbrëmje arritëm në Mihaliq. Makinën e shkrimit dhe letrat i lamë në një gropë që e kisha përgatitur qysh më herët diku rreth dy-treqind metra larg shtëpisë.

      Të nesërmen nisëm shpërndarjen e “Tetë kërkesave të parevokueshme të Lëvizjes…” Disa kopje i shpërndamë nëpër shokë. Diku rreth tridhjetë ekzemplarë së bashku me Ferkiun, i kemi shpërndarë në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit Ekonomik (në Prishtinë). Pritem gjersa të gjithë studentët e lanë Sallën e Amfiteatrit dhe dolën në pushim. Ferkiu bënte roje tek dera e Amfiteatrit, ndërsa unë i nxora nga xhepi dorëzat e i vesha shpejtë e shpejtë dhe  nisa t’i fusë “tetë kërkesat…” nëpër librat e studentëve, që i kishin lënë të shtrira mbi banka. Pasi i shpërndamë të gjitha traktet që kishim me vete, u larguam nga ligjërata dhe fakulteti.

      Disa trakte të tjera i kemi shpërndarë nëpër shtëpi (nën dyer të oborrit) në Vushtrri dhe fshatra përreth.

      Disa ditë më vonë së bashku me Ferkiun (pas një takimi edhe me Xhemën) e kemi mbështjell makinën e shkrimit dhe vendosur në një gropë në fushë në mes Vushtrrisë, Stacionit Hekurudhor të Vushtrrisë dhe rrugës  së  Galicës.

Shkrimi i parullave në Lum të Madh

     Takimet e shpeshta me Shyqëri Imerin po më gëzonin shumë. Shyqëri Imeri po përparonte me ritëm të kënaqshëm.  Gjatë takimeve bënim debate për tema nga ma të ndryshmet. Gjithashtu, gjatë debateve me Shyqën, unë po e kuptoja se ai vepronte në shkollë në përputhje me këshillat dhe sugjerimet e mia dhe ishte bërë emër në rrethin e shokëve të shkollës së tij.

  • Shyqëri Imeri

Megjithëkëtë unë nuk dëshiroja që i gjithë aktiviteti ynë të ngelej vetëm në suazat e leximit të librave, shtypit ilegal dhe të debateve. Isha i mendimit që së bashku me Shyqën të bënim aksione dhe kështu me veprime praktike të kaliteshim dhe ta shtonim edhe më shumë besimin tek njëri- tjetri dhe pastaj ta shtroja, me të, edhe çështjen e Lëvizjes, pra t’i tregoja se unë isha anëtar i LNÇKVShJ-së, dhe t’i propozoja edhe atij që edhe ai t’i bashkohet organizatës sonë. Isha i sigurt se ai do ta pranonte me kënaqësi propozimin tim.

      Gjatë një takimi të radhës biseduam për ndërmarrjen e një aksioni për shkrimin e parullave. U pajtuam dhe e caktuam vendin dhe kohën ku do të shkruanim parulla dhe se çfarë parullash të shkruanim.

      Ashtu siç ishim pajtuar, u takuam tek Vigu ku bashkohen lumenjtë Silnica dhe Llap. Nga aty u futem në fshatin Lumi i Madh dhe pas pak arritëm tek shkolla fillore e fshatit. I ramë rreth e rrotull shkollës dhe pasi nuk pamë njëri as afër e as brenda saj nisëm ta zbukurojmë atë më nga një parullë “Kosova-Republikë” në tre ballinat e saj.  Pas mbarimit të punës me shkollën u nisem në drejtim të shitores së fshatit dhe aty e shkruam një parullë “Kosova-Republikë” dhe menjëherë ikëm në drejtim të vendtakimit tonë, tek Vigu mbi lumenjtë Silnica dhe Llap.

      Të nesërmen, aty diku rreth orës tetë të mëngjesit unë kalova nëpër fshatin Lumi i Madh dhe pranë shitores së fshatit i pashë disa policë e udbash duke e shlyer parullën “Kosovën-Republikë”,  që së bashku me Shyqën e kishim shkruar disa orë më parë.

      Shyqa,  gjatë një takimi tjetër që kam pasur me të më ka njoftuar se ai i vetëm  kishte shkruar disa parulla  “Kosova-Republikë” në fshatin e tij të lindjes,  Dumnicë e Poshtme. 

     Në atë rast unë i pata thënë Shyqës se nuk e pëlqej shkrimin e parullave në fshatin e tij. Gjithashtu, unë i tregova Shyqës edhe historinë e emrit “Tito” të shkruar në një mur betoni në kanalin “Ibër-Lepenc” në fshatin tim. Unë se kisha prekur emrin e satrapit Titos, sepse vet shkrimin e saj e kisha konsideruar si provokim dhe se isha shumë i sigurt se nëse do ta shlyeja apo njollosja, këlyshët e Burhan Prishtinës, do të dyshonin se unë e kam nxitur dikë për një punë të tillë dhe kështu ata do të më vëzhgonin edhe më shumë. “Ka mjaftë vende ku mund të shkruajmë parulla dhe ku edhe nëse na sheh dikush nuk do të na njeh,‒ i thashë Shyqës”.

     Në fund të dhjetorit 1982, gjatë një takimi me Shyqën, i kam folur për herë të parë hapur se unë isha anëtar i organizatës Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi. Në atë rast Shyqës ia kam ofruar për ta shikuar  e lexuar Statutin e LNÇKVShJ-së si dhe i kam propozuar që edhe ai t’i bashkohet organizatës sonë.

      Pas një jave, Shyqa i është përgjigjur me kënaqësi propozimit tim dhe ka pranuar programin dhe statutin e  LNÇKVShJ-së. Që nga ai takim Shyqëri Imeri ka qenë anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi.

(VIJON)

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura