AUREL PLASARI: SKËNDERBEU, NJË HISTORI POLITIKE

AUREL PLASARI: SKËNDERBEU, NJË HISTORI POLITIKE

Një kryevepër të historiografisë shqiptare, rajonale dhe europiane njëherësh, përmes së cilës lexohet dhe përimtohet i gjithë konteksi i Arbërisë që prodhoi Gjergj Kastriotin

Vepra “Skënderbeu një histori politike”, përveçse një studim me një origjinalitet shkencor të përveçëm realizuar sipas një metodologjike shkencore bashkëkohore ku bie në sy përvjelja dhe nënshtrimi që i bën studimit të tij nën dritën e kritikës së burimeve tregimtare të jetëshkruesve të tij klasikë si dhe dokumentacionit burimor arkivor, përbën po ashtu një vepër unikale për një personalitet unik dhe të jashtëzakonshëm të botës arbërore dhe të historisë politike dhe diplomatike europiane njëherësh sikurse ishet Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Prej më se tetë vitesh në dorë të publikut të interesuar gjendet studimi monografik i Aurel Plasarit Skënderbeu, një histori politike, e cila paraqitet si vepër fort e mëvehtësishme në traditën historiografike shqiptare.

Përpos anës përmbajtësore, të cilën do ta marrim në shqyrtim në vijim të këtij shkrimi, mbi të gjitha kjo vepër mund të shihet edhe si një model i artikulimit konkret të diskursit metodologjik të shkrimit të historisë përmes dokumenteve. Shfaqja dhe shpërfaqja diskutueshme e shkrimit të historisë së Shqipërisë, dhe posaçërisht jetëshkrimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, parë ky nga media të shkruara dhe elektronike si pjesë e një diskutimi publik në kuadër të çmitizimit të rolit të tij në historinë e popullit shqiptar, gjen përmes kësaj vepre një provë shumë të fortë argumentuese se në të vërtetë ky “mit” veçse është përforcuar si i tillë, ngaqë ai është zhbërë dhe ribërë si i tillë pa patur aspak nevojë për mitin e sajuar, sepse statura politike e Gjergj Kastriot ka qenë e tillë, sa miti i tij nuk ka qenë gjë tjetër veçse një shfaqje e përmasës së tij reale, e cila provohet fatbardhësisht e faktuar prej dokumentacionit të shumtë vëllimor historik që Plasari si askush tjetër më parë e ka kaluar përduarsh thuajse shterrueshëm. 

Nuk e kam për zakon të shpenzoj rutinë fjalësin honorifik për vepra letrare, apo studimore, pa qenë i bindur se këto vepra brendambajnë vlera të njëmendta, por e them me bindje se“Skënderbeu, një histori politike,” i Aurel Plasarit është një punë me të vërtetë magjistrale, një ndër studimet më më mira monografike që një studiues shqiptar ka kryer deri më sot. Për habinë me të madhe, me gjithë çmimet dhe përlavdërimet e shumta që janë ngritur nëpër podiume për autorë e vepra pa kurrëfarë rëndësie, çuditërisht për këtë vepër askush nuk u kthjellua më herët se paskësh pasë ekzistuar, një dëshmi mjaft domethënëse kjo e greminës kulturore ku kemi rënë me gjithë shkencën që kultivojmë. Përveç nja dy-tre shkrimeve kohë më parë asgjë nuk u tha e nuk u shkrua asgjë në periodikët tanë shkencorë e njohur si: “Studime historike”, “Hylli i dritës” e ndonjë tjetër, apo diku gjetkë, nga historianë të shumtë që pretendojnë se janë të tillë e që i kemi nëpër këmbë qoftë si të rekrutuar nëpër institucione qoftë në “gjendje të lirë”. Shumica syresh për të mos thënë se nuk e kanë lexuar librin (me sa duket prej volumit), kanë bërë rolin e të paditurit (në këtë rast xhelozët), duke u dhënë rëndësi me gjasë më fort shkrimit të parathënive të librave të historianëve provincialë që kanë mbërritur të shkruajnë historinë e katundeve apo krahinave prej nga kanë ardhur se sa një libri studimor për personalitetin më të rëndësishëm të botës shqiptare. Na janë shtuar aq shumë “analistët”, sa nuk ke ku të hedhës kokrrën e mollës sepse ata do ta hanë menjëherë dhe me të do të prodhojnë “analiza”, paçka se nuk ua di kush një artikull për të qenë e që mund të pranohet i denjë për t’u botuar në një revistë shkencore serioze. Për fat të keq nuk kemi mendimtarë, nuk kemi studiues dhe më e keqja është se nuk kemi gati-gati as lexues. Më në fund rasti e solli që falë një jurie profesionale, në 550-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar (20 shtator 2018), ju dha vendi që meritonte kësaj vepre e bashkë me të edhe autorit të saj.

U bë shumë jo pak zhurmë dhe debat vite më parë për “Skenderbeu-n” e Oliver Jens Shmitt-it (2008), ndërkohë çuditërisht që pak kush është kujtuar të lexojë më pas prej “zhurmuesve” dhe debatuesve “patriotë” librin e studiuesit Aurel Plasari: “Skënderbeu-një histori politike”, një ndër botimet më të rëndësishme dhe më dinjitoze të realizuara deri më sot nga studiuesit shqiptarë, dhe jo vetëm, lidhur me historinë e Shqipërisë, studim i cili do të meritonte të përkthehej domosdoshmërisht në gjuhët kryesore europiane. E themi këtë sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu përfaqëson personalitetin më karizmatik që kombi shqiptar i fali Europës dhe botës gjatë gjithë historisë së tij. Vetëm mbas pesë shekujsh kombi shqiptar do t’i dhuronte botës sërish një pjellë të tij të denjë, tashmë jo një mashkull luftëtar, natyrisht të fizikshëm dhe njëherazi një politikan të mençuar, por një femër të mpakët mjaft larg nga lufta dhe politika, madje larg syve të “botës, e cila jetonte mes të sëmurve dhe të varfërve: Nënë Terezën. Mbas “Skënderbeut” të Shmitt-it rendën të polemizojnë, debatojnë e shkruajnë një numër i madh shkruesish, profesionistë apo jo të tillë, mjaftonte që secili syresh të tregonte në masën më të madhe që kishte mundësi mbi të gjitha patriotizmin e tij, pa i dhënë rëndësi nëse ishte marrë ndonjëherë të vetme së paku të shkruante një artikull të vetëm për të. Ngjante të ishte folklorike, por një pjesë e mirë e atyrë që rrekeshin të shkruanin apo të diskutonin studiove televizive flisnin për shitje e blereje të studiuesit zviceran, ndërkohë Skënderbeun e interpretonin nga ato njohuri që kishin marrë gjatë leximit të hershëm në tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, një pjesë më e kënduar përmes një romani të shkruar nga shkrimtari Sabri Godos dhe vetëm tek-tuk ndonjë që kishte lexuar tekstet zyrtare të historisë së Shqipërisë dhe artikujt dhe monografitë e Athanas Gegajt, Fan Nolit, Alek Budës, Kristo Frashërit, Kasem  Biçokut e ndonjë tjetri. Studiuesit shqiptarë në vend që të diskutonin lidhur me hipotezat dhe argumentet e studiuesit riosh zviceran, shfaqnin hapur se nuk pajtoheheshin me përfundimet e librit të tij dhe madje këtë e shprehnin hapur me ofendime deri në urrejtje ndaj kombësisë së tij duke shpërdoruar kësisoji të gjithë vulgun e fjetur të tyre. Në debatin që u zhvillua për “Skënderbeu-n” e Schmitti-t, Ismail Kadare dhe i ndjeri Sabri Godo, diskutonin për të pa e lexuar librin, madje ata deklaronin publikisht se nuk kishin nevojë t’a lexonin atë. Kur një lexues, opinionist, publicist apo studiues, shkrimtar i njohur pavarësisht kush është ai, vihet e diskuton mbi një libër pa e njohur tekstin për të cilin ka marrë përsipër të flasë, dhe këtë e bën duke u bazuar mbi opinionet e dëgjuara e të mbledhura aty-këtu, merret vesh sa sa rëndësi ka mendimi i tij. Së dyti duhet të jetë e qartë se të diskutosh mbi një argument të caktuar historik do të duhet të kesh së paku njohuritë e domosdoshme rreth disiplinës përkatëse, njohuri të thelluara të periudhës historike për të cilën flitet dhe kur bëhet fjalë për t’u hedhur në shkencë, kompetenca duhet t’i përafrohet së paku autorit për të cilin flitet/shkruhet. Prej kësi lloj diskutimesh është e qartë se nuk ke çfarë të presësh, ndaj Schmitt është argëtuar prej së largu jo pak, duke kundruar këtë diskurs të këtij grumbulli amatorësh që tjerrnin histori mesjetare. Afërmendësh se kjo nuk do të qe tjetër për historianin vienez, veçse një rehatim profesional në kushtet kur historia skënderbeiane kishtë rënë në kësi duarsh, ndaj atij s’i mbetej gjë tjetër veçse të livadhiste si t’i dëshironte qjefi. Në kushtet kur pazotësia e përballjes me kundërfakte sfumonte këtë stërmundim amatorial, Shmitt-it nuk i mbetej tjetër veçse të akomodohej mirë duke përftuar prej saj efektin pozitiv në “mediatizimin” e Skënderbeut të tij

Janë shkruar këto dhjetë vjet nja dhjetë a më shumë libra kundër Schmitt-it, nga partizanë, ballistë, legalistë, mësues katundesh, mekanikë, agronomë, inxhinierë, veterinerë, kimistë, por asnjë nuk ka shkruar një monografi për Skënderbeun. Plasari edhe pse e ndjeu dhe ndoqi këtë debat, nuk u bë pjesë e tij edhe pse prej vitesh ai kishte publikuar radhazi një seri artikujsh për subjektin për të cilin diskutohej. Ai me sa duket ka punuar i qetë teksa ishte në fund të veprës së tij e cila do të shihte dritën e botimit vetëm dy vjet mbas monografisë së zviceranit të cilin e ka përfshirë në interpretimet dhe bibliografinë e tij me artikujt pararendës të monografisë, por jo vetë monografinë. Me sa duket Plasarit pesëmbëdhjetë vitet plot punë për kryeveprën e tij, nuk i kanë sjellë ndonjë gjë të të re në atë botim, shto edhe këtu faktin se puna e tij tashmë ishte kryer dhe një titull shtesë thjesht si njësi bibliografike për etikë me sa shihet nuk i është dukur atij një shestim shumë serioz veçse për dekor. Për fat të keq shkolla shqiptare, institucionet tona kërkimore shkencore apo më mirë të themi albanologjia, ende e vuan jo pak sindromin etnocentrist patriotik marksist, madje më shumë se sa duhet. Metodologjia shkencore lidhur me trajtimin e historisë, të cilën me sa shihet ende nuk e kishim bërë tonën mbas një çerek shekulli të rënies së perdes së hekurt, teksa shohim studimin e Plasarit na fton jo pak t’a shtrydhim mendjen e t’a ripërkufizojme veteveten në raport me punët e tij, e cila nuk mund të shihet ndryshe veçse si modeli i një udhe të cilën duhet ta ndjekin edhe të tjerë sepse në të vërtetë Plasari këtë përpiqet dhe ja ka dalë të na sjellë: një model studimor.

Vepra “Skënderbeu-një histori politike”, e them me bindje se është një ndër monografitë historike ndosha më të plota, më shembullore, me më shumë informacion, përplot me të dhëna dhe burime dokumentare të huaja dhe vendase, më shumë se çdo vepër tjetër shkruar ndonjëherë për shqiptarët dhe nga shqiptarët. Ka brenda saj një erudicion mahnitës dhe po ashtu një interpretim krahasues dhe kritik të burimeve dokumentare të botuara dhe të pabotuara thuajse shterrues përmes të cilave studiuesi ka mbërritur ta veçojë Skënderbeun ashtu siç ishte në të vërtetë; një nga prijësit më të rëndësishëm të historisë politike të kontinentit europian të të gjithë shekullit XV, duke e tejkaluar cakun e përcaktimeve të derisotme si prijës/komandan/gjeneral ushtarak. Skënderbeu përmes studimit të Plasarit tashmë na shfaqet ashtu sikundër ishte; një strateg i madh i historisë politike europiane të kohës, një ndër aktorët kryesorë në teatrin politik të kontinentit të vjetër, që për një çerek shekulli, jo vetëm në Arbëri, por në Ballkan dhe Europë mbajti mbi vete gjithë barrën e besimit dhe përgjegjësisë së një populli të vogël që u bë në një farë mënyre një ledh mbrojtës i pakapërcyeshëm i kontinentit për plot një çerek shekulli prej sulmeve të njëpasnjëshme të fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, sikundër ishte Perandoria Osmane. Një pamje gjeopolitike e Europës dhe e arbërve në shekullin e XV, mund të kundrohet qartas përmes Skënderbeut, përkatësisht përmes këtij studimi që shqyrton, përimton dhe projekton personalitetin e tij politik i cili dominoi për gjatë një shekulli historinë e madhe të një populli të vogël që përmes tij e tejkaloi dhe e përmasoi shumëfish vetveten.

Aurel Plasari me studimin “Skënderbeun-një histori politike”, ka vënë në dorë të studiuesve shqiptarë dhe atyre të huaj një kryevepër të historiografisë shqiptare, rajonale dhe europiane njëherësh, përmes së cilës lexohet dhe përimtohet i gjithë konteksi i Arbërisë që prodhoi Gjergj Kastriotin. Kjo është realizuar përmes këqyrjes, krahasimit dhe analizës së kujdesshme të dhjetëra burimeve të ndryshme, përmes qindra e për mos të thënë përmes mijëra monografive dhe artikujve të botuara si studime që kanë pasur si subjekt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë këtë argument, duke bërë me këtë rast edhe kritikën e duhur dhe të paanshme të burimeve qofshin ato osmane, bizantine, sllave, perëndimore si dhe ato të pakta shqiptare, çka tregon një nivel njohje dhe pjekurie njëkohësisht në historishkrimin e historise së popullit shqiptar si pjesë integrale e historisë së kontinentit të vjetër. Duket qartë se vepra është e “armatosur rëndë” me shënime referenciale dokumentare e studimore çka një lexues të zakonshëm duket sikur e tremb duke e vënë në provën e dijenive të mëhershme në pamje të parë, por me sa duket qëllimi i autorit ka qenë bukur mirë i menduar që të bindë pikërisht secilin lexues që të besojë pikërisht materialin burimor që i serviret i cili nuk lë hamendësime për atë që autori rrëfen përgjatë tekstit që i paraprin shënimeve në fundfaqe.

Sa i takon historiografisë Skënderbejane autori tërthorazi qet në shesh qasjen e njëanshme të historiografisë shqiptare ndaj Skënderbeut falë faktit se ajo nuk u pajtua gjithëaq me përfundimet historishkruesve të saj kryesorë Athanas Gegaj (1937) dhe Fan Noli (1921 dhe 1947), të cilët i kishin dhënë sikurse ishte në të vërtete, peshë të rëndësishme marrëdhënieve të Skënderbeut me Europën e kohës dhe fuqitë e krishtera e ku vendin qendror e mbante Shteti Papnor, mbase edhe prej faktit se ata (Gegaj dhe Noli) formalisht ishin “klerikë” dhe medodologjisë ideologjike e kohës nuk i shkonte për shtat ky lloj qëndrimi. Deshën apo nuk deshën ata, duan apo nuk duan disa të tjerë edhe sot, do të ishte ahistorike dhe mungesë profesionalizmi i cilitdo historishkrues të historisë së Skënderbeut që ngjarjet e Arbërisë së shekullit XV të mos vendoseshin sikurse ishin në të vërtetë në kontekstin e plotë të historisë së Euriopës “së krishterë”.

Shkrimi apo më sak rishkrimi i historisë së Skënderbeut nga Plasari, me sa shihet nuk ka ardhur gjithaq thjesht dhe vetëm se janë zbuluar të dhëna të reja. Ajo ka ardhur më së shumti si një shqyrtim kritik i vëmendshëm krahasues i të dhënave të mëparshme tashmë të njohura, me të dhënat e reja që autori ka shtënë në duar, shqyrtimi dhe krahasimi i të cilave ka bërë të mundur korigjimin në shumë pika të rëndësishme të kalendarit kronologjik të jetëshkrimit të heroit jo thjesht dhe vetëm si rendim datash, këto jo me pak rëndësi, por mbi të gjitha se kanë qenë pikërisht këto data të cilat duke mos qenë dhënë të qëndrushme nga biografët e shumtë të Skënderbeut kanë shkaktuar për pasojë një varg paqartësish dhe për më tepër një seri interpretimesh të cilat janë transmetuar e përkapur shumë herë njëlloj ndër breza të ndryshëm studiuesish dhe shumë herë  në këndvështrime të ndryshme çfarë e kishte bërë të sjellurin politik të heroit shkak interpretimesh kundërthënëse. Shkurt vepra synon të sqarojë kuptimin e drejtpërdrejtë, motivimin politik të qëndresës dhe luftërave të Gjergj Kastriotit. Qortimi i kalendarit historik të ngjarjeve jetësore të Skënderbeut e ka shpënë autorin në qortimin e kujdesshëm e të matur të të gjithë grafikut të veprimtarisë dhe marrëdhënieve politike, diplomatike e po të dojë kush edhe fetarë me fuqitë më të mëdha politikëbërëse të kohës me klerikë-legatë, përfaqësues ambasadorë, oratorë, etj., çfarë tregon qartë mënyrën e qasjes dhe të sjellurit të tij  me një vizion të qartë, qoftë largpamës dhe qoftë pragmatik njëherësh që e çoi atë një një zhvillim të epërm të mënyrës së të bërit politikë në sheshin e politikës europiane të kohës. Lidhja e tij me aleanca të herëpashershme me shtete të ndryshme si me Mbretërinë e Aragonës, Republikën e Venedikut, qytetin e Raguzës, Mbretërinë e Hungarisë dhe kryesisht me Shtetin Papnor përmes Eugjenit IV, Nikollës V, Kalikstit III, Piut II dhe Palit II etj, tregon jo vetëm fuqimë dhe zotësinë e krijimit nga ana e Skënderbeut të një rrjeti të qëndrueshëm diplomatik por edhe vizionin e qartë dhe aftësinë e jashtëzakonshme të tij për të bërë diplomaci karahas luftës në sheshin e betejës. 

Vepra është ndarë në kapitujt: “Arbrit dhe Arbëria politike përpara pushtimit osman (shek. XI-shek. XIV),” (f. 46-169) dhe “Ekspandimi turk në kontekstin europian-arbëror, (rr.1300-rr.1400)” (f. 170-233). Shfaqja dhe ngritja në histori e Gjergj Kastriotit, (rr.1400-1443), (f. 234-), Shpallja e politikës së luftës (1443-1444), (f. 319-359), Drejt “aleancës së krishterë (1444-1446), (f. 360-388), “Luftëtarë i Krishtit” mes turkut dhe Venedikut (1447-1448), (f. 389-413), Ballë për ballë me Muratin II (1449-1451), (f. 414-431), Mes Papës Nikollë dhe mbretit Alfons (1451-1455) (f. 432-483), Mes Kalikstit III dhe Alfonsit V (I), (1455-1456), (f. 484-519), Mes Kalikstit III dhe Alfonsit V (II), (1456-1458), (f. 520-553), Me Piun II në kulmin e plotikës (1458-1462), (f. 554-600), Me dhe pa “kryqëzatën” e Piut II (1463-1464), (f. 601-643), Në ballafaqim me “Mehmet Pushtuesin” (1464-1466), (f. 644-696), Zhgënjimi prej furisë së Romës (1466-1467), (f. 697-721), Ballafaqim i dytë me Mehmet pushtuesin (1467), (f.722-748), “Ethet” e vdekjes dhe fundi (1468-), (f. 749-784), Skënderbeu hero semantik. Në formë konkluzionesh (f. 785-829), Fjalorth termash historikë (f. 831-854), Shkurtesa të arkivave dhe bibliotekave (f. 855-856), Bibliografi e autorëve të cituar ose të përmendur (f. 857-944), e ndarë në disa seksione I. Katalogë dhe bibliografi (f. 857-859) me 39 tituj; II. Përmbledhje dokumentesh (f. 860-874) me 248 tituj; III. Burime tregimtare (f. 874-895) me 289 tituj; IV. Histori (f. 895-903) me 134 tituj; V. Punime monografike (903-919) me 281 tituj dhe VI. Studime dhe artikuj (f. 919-944) me 385 tituj që i bie të jenë 1376 tituj gjithsej e shpërndarë si literaturë e cituar dhe e referuar në 4258 fusnota përgjatë tekstit të monografisë, e cila përbën një bibliografi e pazakontë në studimet albanologjike të derisotme.

Por, aftësia e përdorimit të burimeve të shumëllojshme spikat në mënyrën se si autori i ka alternuar ato duke ballafaquar burimet bizantine, ato perëndimore europiane, ato osmane, ndonjëherë edhe ato sllave, si De Sponde, (Spondanus), Raynaldi, Farlati dhe Coleti, Ëaddingo, Kayser, Pastor, Makušev, Theiner, Gelcich e Thalloczy, Nagy e Nyari, Thaloczy, Jireček e Ŝufflay, Jorga, Ceroneja, Ljubic, Marinescu, Cordignano e Valentini, Sciambra e Parrino, Serras e Pall, qoftë edhe një varg përmbledhjesh dokumentare të shpërfillura nga historishkruesit e mëparshëm si ato të De Lellisit dhe Mazzolen, De la Torre dhe njëkohësisht duke i hierarkizuar sipas parimeve bashkëkohore të shkencës së historisë. Përparësia u është dhënë atyre që u takon, burimeve dokumentare-arkivore, pastaj atyre tregimtare, por pa shpërfillur si burime me vlerë të gjithë të mundshmet, edhe ato në dukje më të parëndësishme. Të gjitha burimrt historike dhe ato tregimtare i janë nënshtruar kritikës së burimeve duke nisur nga Marin Barleti me “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut princ i epirotëve (rreth 1515-1522), jetëshkrimet e Antivarinos ose “Anonimit të Tivarit” riprodhuar nga Gianmmaria Biemmi në veprën e tij “Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbe”, (1742), ai thesarmbajtësit të Skënderbeut Dhimitër Frangu, me “Komentar i punëve të turqve dhe i Zotëri Gjergj Skënderbeut princ i Epirit”, (1545), “Bëmat e përndritura e të lavdishme, si dhe sipërmarrja fitimtare, bërë kundër Turqve prej Zotit Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe, princ i Epirit”, (1584), Paolo Jovi (Paulus Jovius) (1483-1552), Henri de Sponde (Spondanus) (1680), Edëard Gibboni “Histori e teposhtes dhe rënies së Perandorisë romane”, (1776),  Jean Charles Leonard Simonde de Sismondi (1773-1842) me “Histori e republikave italiane në Mesjetë”, Joseph von Hammer me “Histori e Perandorisë Osmane mbështetur në pjesën më të madhe në dorëshkrime dhe arkiva të pashfrytëzuara”, (1827-1833), Johann Ëilhelm Zienkeisen me “Histori e Perandorisë osmane në Europë” (1854), Samulele Romanini “Historia e dokumentuar e Venedikut”, (1855), Georg Vogiti, Kvint Kurt Rufi, dhe sidomos Jacob Ph. Fallmerayeri me “Elementi shqiptar në Greqi”, (1856-1860-1862), Karl Hopfi me “Greqia në Mesjetë dhe në kohën e re”, (1868), por edhe Vikenti V. Makushev, Ivan S. Jastrebovi, Jirečeku, Nikolae Jorga, Marinescu, Francisc Pall (1937, 1938), Franc Babinger (1931), Farlati, Tajani, Pisko, Cuniberti, Galanti, Barbarich, Jakova-Merturi, Nopcsa, Sirdani, Grimaldi me “Origjina dhe historia e Engjëjve-Komnenëve”, (1906) e deri tek Setton etj. Plasari i është shmangur kursit të mëparshëm të të koncetuarit materialist të historisë, skajuar kryesisht mbi njohjen dhe analizën e “kushteve sociale”, “faktorëve ekonomikë”, dhe ”luftës së klasave”. Historia “politike” e Skënderbeut ndërtohet mbi marrëdhëniet dhe manovrat diplomatike, mbi intrigat dhe debatet politike dhe mbi ndikimet dhe ndërthurjen e politikës kishtare të kohës duke na mundësuar ta shohim prijësin arbër Skënderbeun si burrë të politikës. Historia sipas këtij konceptimi dhe realizimi njëkohësisht, nuk është një strehimore e shkencave sociale si antropologjia dhe sociologjia dhe në rastin e Skënderbeut janë privilegjuar dhe përfilluar sipas parimit metodik hierarkik burimet dokumentare të cilat kur nuk kanë mjaftuar janë ndihmuar edhe nga burimet tregimtare, ndërkohë që në shumë prej historive të mëparshme për këtë personalitet (Skënderbeun), përzierja e burimeve dokumentare me ato tregimtare, letrare e folklorike ka lënë përanësh së vështruarit e drejtpeshuar marrëdhënien e historisë kronologjike të fakteve të ndodhura me siguri me ato të dyshuara.

Historishkrimin për Skënderbeun në shqip mund ta shihet përmes botimeve: “Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV”, i At Athanas Gegajt (Louvain 1937), “Gjergj Kastrioti Skënderbeu 1405-1468” i Fan S. Nolit (Neë York 1947), studimet e Alek Budës,  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra 1405-1468”, e Kristo Frashërit (Tiranë, 2002), “Skënderbeu” (Tiranë, 2005), dhe “Për Skënderbeun” (Tiranë 2005) të Kasem Biçokut, “Skënderbeu”, Jens Oliver Schmidt (Tiranë, 2008), “Skënderbeu-një histori politike”, (2010), dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit”, (Tiranë, 2011) Virgjil Kule-s. Merita e padiskutueshme e Plasarit në studimet e tij, vjen prej faktit se argumentet studimore ai shoqëron me një ujedhesë gjuhësore fisnikërisht të zgjedhur, duke shtënë në përdorim jo vetëm terminologjinë e duhur e cila e shpërfaq komunikimin ligjërues të disiplinës, por mbi të gjitha se përdor një larushi shprehjesh e gjetjesh nga gjedhet leksiko-gramatikore e sintaksore, të cilat i ka qëmtuar kujdesshëm në fondin e plleshëm të arsenalit të gjithmbarshëm të shqipes. Për një historian që shkruan në gjuhën shqipe një vepër si kjo mbi një personalitet si Gjergj Kastrioti Skënderbeu është e natyrshme që rreziku dhe suksesi të varen në radhë të parë prej trajtimit shkencor të fakteve nga autori dhe së dyti prej gjuhës në të cilën komunikohet vepra. Gjuha shqipe në rastin konkret është vetëm se e nevojshme për rastin e “Skënderbeu një histori politike”, ndërkohë që ajo bëhet e domosdoshme, që do të thotë se do të duhej që “Skënderbeu, një histori politike” të ishte shkruar në një nga gjuhët e përbotshme si anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht italisht etj., sepse vetëm duke u njohur në gjuhë të tilla do të rinjihej Europa me arbërin më karizmatik që ka prodhuar populli dhe kombi shqiptar dhe njëkohësisht me njërin nga etërit e themelues të kësaj Europe (Bashkimi Europian), ku dëshirojmë të mbërrijmë politikisht sepse gjeografikisht aty kemi qenë e jemi prej se ky kontinent ekziston si i tillë. Dhashtë Zoti që dikush t’a marrë në konsideratë përkthimin e kësaj vepre sa më parë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura