RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (14)

Nga Asllan Muharremi

Njohja me Ferki Morinën

Pas vizitës në Galerinë e Arteve, u nisa për shtëpi. Në Stacionin e Vjetër të Autobusëve në Prishtinë kishte shumë pak udhëtarë.  Aty e takova Ferki Morinën, të cilin, më dukej se e kisha parë në Fakultetin Ekonomik, por që nuk e njihja më shumë. Ai e mbante në dorë të përjavshmen “Zëri i Rinisë”, në ballinën e të cilës ishte piktura “Mic Sokoli”. Ballina e “Zërit të Rinisë” me pikturën “Mic Sokoli” më  nxiti t’i afrohesha dhe të bisedoja me Ferkiun. Gjatë prezantimit dhe bisedës, mësova se Ferkiu ishte nga fshati Akrashticë i Vushtrrisë. Ai ishte edhe  kushëri me dajat e tim atë, Bajram dhe Miran Morina. Në pritje të autobusit dhe gjatë rrugës biseduam rreth ekspozitës në Galerinë e Arteve dhe përshtypjeve që na kishte lënë ajo. Edhe Ferkiu, ishte i entuziazmuar nga ajo që kishte parë në ekspozitë. Në  fshatin Lum i Madh, u përshëndetëm me njëri-tjetrin dhe unë zbrita nga autobusi e vazhdova rrugën, në këmbë, për në shtëpi.

Biseda që pata me Ferkiun me la përshtypje shumë të mira. U gëzova shumë që u njoha me një student të fakultetit tim, më të cilin, doli se e kisha edhe një lidhje familjare.

Pas takimit të parë, me Ferkiun kemi vazhduar të takohemi, kryesisht, në fakultet, ku pothuajse nuk linim ditë pa qëndruar bashkë. Nuk vonuam shumë dhe nisëm ta vizitojmë njëri-tjetrin edhe në shtëpi. Në shtëpi të Ferkiut, ashtu si edhe në shtëpinë time,  dëgjohej Radio Tirana dhe shikohej Radiotelevizioni Shqiptar. E gjithë familja e tij, më la mbresa shumë të mira.

Me kalimin e kohës e kuptova se me Ferkiun na bashkonte, jo vetëm shkolla e ideali, por  edhe libri. Të dy kishim lexuar e vazhdonim të lexonim shkrimtarë shqiptarë, si ata të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare ashtu edhe ata bashkëkohorë. Lexonim edhe shkrimtarë të huaj. Shpeshherë gjatë takimeve i komentonim librat që i kishim lexuar.

Sa më shumë që po shoqërohesha dhe po bisedoja më atë, po bindesha se Ferkiu ishte një shok i veçantë! Shumë virtyte të tij më kishin bërë për vete. Ai ishte një njëri jashtëzakonisht i qetë, fjalëpakë, parimor në qëndrimet e tij dhe që  kishte edhe një formim politik të admirueshëm. Ferkiu, gjithashtu dallohej për sjelljen e tij. E kisha vërejtur se nuk vonohej asnjëherë në kohën e takimeve, por vinte gjithmonë me kohë. Gjatë kohës së lirë i binte çiftelisë me pasion të madh. Falë ndikimit të tij pothuajse të gjithë vëllezërit dhe motrat e tij i binin çiftelisë dhe merreshin gjatë kohës së lirë me këngën e bukur të melosit shqiptar.

Disa  muaj më vonë, për befasinë time, sapo zbrita nga treni në Fushë Kosovë dhe u nisa në drejtim të Stacionit të Autobusëve, u takova me Ferkiun, i cili ishte në shoqëri me Ramadan Pllanën.

Takimi i serishëm me Ramadan Pllanën më gëzoi shumë. Një befasi e këndshme ishte, sidomos, shoqërimi i tij së bashku me Ferkiun.

Nga Fushë Kosova, gjer në oborrin e Fakultetit Filozofik, udhëtuam së bashku. Aty u ndamë. Unë dhe Ferkiu vazhduam në drejtim të Fakultetit Ekonomik, ndërsa Dani u ndal në fakultetin e tij. Atë ditë nuk e kam pyetur Ferkiun se sa kohë kishte që njihej me Danin (Ramadan Pllanën).

Gjatë një takimi tjetër në fakultet me Ferkiun kemi biseduar për Danin. Në atë rast, Ferkiu më ka folur se si është njohur me Danin, për qëndrimin e tij në Francë, për kthimin në Kosovë dhe regjistrimin e tij në Fakultetin Filozofik-Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Universitetin e Prishtinës. Ferkiu, gjithashtu, e ka shprehur edhe respektin e madh që kishte për Danin.

  • Prishtinë, e hëne, me 4 prill 1983: Së bashku me Ferki Morinën, shokun e përpjekjeve për lirinë e Kosovës.

Sa më shumë që po shoqërohesha me Ferkiun, gjithnjë e më shumë po  e kuptoja  edhe ndikimin e madh që Dani kishte pasur në formimin e tij intelektual dhe revolucionar.

Disa javë më vonë, gjatë ligjëratave, Ferkiu  më propozon që pas mbarimit të ligjëratave të shkonim së bashku gjer në fshatin Shtitaricë dhe të takoheshim aty me Danin dhe me disa shokë të tjerë.

Pas mbarimit të ligjëratave e vazhduam rrugën gjer në Stacionin e Trenit në Vushtrri. E lamë trenin dhe u ngjitem kodrës përpjetë. Pas pak dolëm mbi fshat. Nga aty, Vushtrria dukej si në pëllëmbë të dorës. Në të majtë, qëndronte krenare Sokolica e Isa Boletinit, krejt në veri, Shala e Bajgorës dhe përballë  Rrafshi i Kosovës me lumin Silnica, që e gjarpëronte fushën dhe të  mahniste me bukurinë e saj.

Në maje të kodrës, mbi fshatin Shtitaricë, i gjetëm Danin, Latën (Latif Pllanën, Xhemën (Xhemajl Pllanën), Demën (Demë Jasharin) dhe Samiun (Sami Pllanën). Disa prej tyre po më dukej se po i njihja si fytyra dhe se i kisha parë gjatë udhëtimeve për në shkollë, mirëpo nuk e dija se të gjithë ishin shokë dhe njiheshin me njëri-tjetrin. Kjo ishte një befasi e këndshme.

Ndjehesha i entuziazmuar. Megjithëkëtë me kishte pushtuar një heshtje e pakuptueshme. Për mua, kjo ishte hera e parë që po takoja, në një vend, jashtë shkolle, një numër kaq të madh studentësh dhe me ta po bisedoja, apo më mirë të them po i dëgjoja duke debatuar, për çështje shumë serioze. Njëri niste të fliste për një libër, që kishte lexuar dhe përshtypjet që kishte lënë libri i lexuar dhe tjetri i nxirrte në kuvend përshtypjet, mendimet dhe argumentet apo kundër argumentet  e tij lidhur me librin në fjalë apo çështjen e shtruar. Në këtë debat shquheshin Dani dhe Lata. Të tjerët flisnin më rrallë. Ndërsa unë më shumë dëgjoja dhe miratoja me kokë ato që i thoshin. Ndonëse unë kisha lexuar, sipas mendimit tim mjaft shumë, e shihja se ata ishin shumë më përpara dhe për shumë çështje që ata i shtronin, unë, edhe nuk i merrja vesh se përse e kishin fjalën!

gjendesha në një mes të tillë dhe që kisha nderin të njoh gjithë këta studentë që kishin qartësi dhe vetëdije politike e kombëtare. Ma merrte mendje se ata ishin shokë të vjetër dhe që njiheshin shumë mirë me njëri-tjetrin.

Nuk e mbaj mend sa orë qëndruam në kodrën e Shtitaricës. U përshëndeta me shokët dhe së bashku me Ferkiun u nisëm drejtë Stacioni të Trenit. Duke ecur,  Ferkiu ma dha me vete një libër të vogël, që ishte një monografi për Shyqëri  Ishmin, që për mua,  ishte libri i parë i “ndaluar” që po merrja në dorë. E futa në xhepin e brendshëm të palltos dhe “fluturova” në shtëpi. Sapo arrita në shtëpi u futa në odën e burrave, ku s’kishte njëri,  dhe lexova dhe rilexova po atë natë librin për jetën heroike të Shyqëri Ishmit, heroit të Luftës Antifashiste e Nacionalçlirimtare Shqiptare.

Pas takimit në kodrën mbi fshatin Shtitaricë, kontaktet me Ferkiun  i kisha pothuajse të përditshme. Edhe Danin e takoja më shpesh. Ndërsa, kohë pas kohe i kam takuar edhe Xhemën, Latën, Samiun dhe Demën, por takimet me këta të fundit, kanë qenë kryesisht gjatë udhëtimeve për në shkollë apo shtëpi dhe kanë qenë takime të rastësishme.

Përshtypje shumë të mira më kanë lënë takimet me Xhemën, që ishte student i Fakulteti i Shkencave Matematiko – Natyrore – Dega e Gjeografisë. Ai ishte njëri jashtëzakonisht i qetë, fliste ngadalë e rrjedhshëm dhe të bënte për vete me gjuhën e pastër dhe mendimet e tij  të pjekura, që t’i thoshte.

Gjithashtu, përshtypje shumë të mira kisha krijuar edhe Latën, që për nga natyra ishte shumë i qetë dhe shumë i matur. Deri në një masë ai më dukej shumë i kujdesshëm kur fliste me të tjerët! Lata, ishte student i Fakultetit Juridik.

Samiu, studenti i Fakultetit Filozofik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe,  fliste shumë rrallë, por ishte shumë miqësor dhe që të bënte për vete me sjelljen e tij shumë të urtë. Pas njohjes me të e mora vesh se ai ishte vëlla i arsimtarit tim të biologjisë, Sejdi Pllana, për të cilin unë kisha shumë simpati dhe ruaja shumë kujtime të mira që nga shkolla fillore në fshatin Prelluzhë. Dani e Xhema ishin vëllezër, ndërsa Lata dhe Samiu ishin kushërinj.

  • Shtruere, 1 maj 1978: Ferki Morina, Xhemajl dhe Ramadan Pllana

   ***

Disa javë më vonë, së bashku me Danin dhe Ferkiun kemi marrë pjesë në një ligjëratë të dy profesorëve nga Shqipëria në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik. Tema e ligjëratës ka qenë: “Ngushtimi i dallimit në mes punës fizike dhe mendore”. Njëri nga ligjëruesit quhej prof. Hekuran Rusi që shoqërohej nga një profesor tjetër, emrin e të cilit nuk e mbaj mend. Salla e Amfiteatrit të Fakultetit Ekonomik ishte përplot me studentë. Lista e pyetjeve që studentët ju shtruan profesorëve ishte shumë e gjatë. Dhe në fund të ligjëratës,  duartrokitjet e duartrokitje që vazhduan një copë herë.

                  ***

E mbaj mend një takim me Sylejman Qyqallën dhe Danin në hyrje të Fakultetit Filozofik.

                  ***

Në kuadër të njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Prishtinë ishte mbajtur një koncert me artistë nga Shqipëria. Të nesërmen, në faqet e “Rilindjes” lexova një shkrim të Jusuf Gërvallës me titull “Klodiana Skënderi dhe nëntë pranverat e saj”. Nëntëvjeçarja, Klodiana Skënderi, me paraqitjen e saj të shkëlqyeshme, kishte pushtuar zemrën e Jusuf Gërvallës dhe të spektatorëve të tjerë të pranishëm në koncert. Jusuf Gërvalla, me një zgjuarsi të jashtëzakonshme dhe mjeshtri të madhe, kishte shfrytëzuar shtypin legal për ta prezantuar gjithë entuziazmin që kishte shfaqur koncerti dhe artisja e vogël. Shkrimi ishte një befasi e këndshme.

                  ***

Gjatë një takimi, gjatë verës së vitit 1979, Dani më ka njoftuar se së shpejti do të udhëtonte në Francë dhe se atje do t’i vizitonte disa shokë dhe miq të tij francezë. Në atë rast, Dani nuk më ka thënë asnjë fjalë as për karakterin e udhëtimit dhe as se kush ishin shokët apo miqtë që do t’i vizitonte.

Megjithëkëtë, udhëtimin e Danit në Francë e konsideroja të rëndësishëm për çështjen tonë!

Pritjet ishin të mëdha edhe për faktin se nga Radio Tirana kisha mësuar se në Francë vepronin shoqata e  organizata revolucionare që bashkëpunim me Shqipërinë.  Ndonëse, Dani nuk më kishte thënë asgjë konkrete, shpresoja se ndoshta ai ka si cakë selinë e ndonjë organizate të tillë? Ndoshta, thosha vetë me vete, Dani qysh gjatë kohës së qëndrimit të tij në Francë, ka pasur kontakte me ndonjë organizatë të tillë revolucionare?

Dy javë më vonë, isha duke e pritur trenin në Stacionin e Trenit në Mihaliq. Treni u ndal dhe në dritaren e trenit e pashë Danin. Hyra në vagon, u përqafuam me mall dhe së bashku e vazhduam rrugën gjer në Prishtinë.

Lidhur me udhëtimin e tij në Francë, Dani, më tha se kishte kaluar mirë. Asgjë më shumë. As unë nuk e pyeta më tepër.

Tani, Danin, e konsideroja më tepër se shok. Ma merrte mendja se ai ishte i vetëdijshëm se çka duhet të më tregonte e çka jo. Veç kësaj, disa çështje, si udhëtimi në Francë,  i konsideroja si çështje të punëve të tij në shërbim të lirisë. Prandaj, edhe nuk e shihja të udhës as të pyesja por as edhe të dija për to.

Gjatë kohës së njohjes me Danin dhe Ferkiun, unë i kisha intensifikuar kontaktet me shokët e mi të vjetër. Kisha disa shokë, të cilët, gjithashtu, lexonin literaturë të ngjashme me atë që lexoja unë, që e dëgjonin Radio Tiranën dhe që gjatë takimeve, që kisha me ta, flisnim kundër pushtuesit jugosllav.

Qysh gjatë gjimnazit në Mitrovicë, nëpërmjet Shaqir e Bedri Selmanit dhe nipave të mi, isha njohur me Rexhep Ahmetin nga fshati Stranë (Gurakuq). Gjatë studimeve të tij në Fakultetin Filozofik-Dega Sociologji-Filozofi në Universitetin e Prishtinës, u afruam edhe më shumë. Rexha, ishte student i shkëlqyeshëm dhe vet drejtimi që studionte i bënte  takimet dhe debatet tona shumë interesante. Rexhës,  i kam ofruar edhe literaturë të ndaluar, e cila literaturë i shtronte çështjet e luftës sonë për liri shumë më ndryshe nga librat që ne i kishim studiuar në shkollë.

  • Xhafer Durmishi

Xhafer Durmishi nga fshati Stanovc i Ultë, që e njihja qysh nga shkolla fillore, ishte një shok tjetër me të cilin kisha kontakte prej vitesh. Xhafa, për nga mosha, ishte një vjet më i ri nga unë, por shquhej për pjekurinë e tij dhe formimin intelektual, që të bënte për vete. Kontaktet dhe veprimtarinë politike e kemi nisur gjatë studimeve të Xhafës në Fakultetin Xehtaro – Metalurgjik – Dega e Teknologjisë në Mitrovicë. Në fillim, jemi takuar dhe kemi biseduar për çështje të ndryshme dhe bisedat tona kanë pasur më tepër karakter njohës. Me kalimin e kohës, kemi thelluar bashkëpunimin. Më vonë, pas kontakteve të mia me Danin dhe Ferkiun, literaturën ilegale ia kam ofruar edhe Xhafës. Gjithashtu, edhe Xhafa, më ka ofruar libra dhe revista të ndaluara, që i ka marrë nga shokët e krahut të tij. Gjatë takimeve tona, me Xhafën nuk kemi folur për shokët e njëri-tjetrit dhe emrat e tyre.

Kontakte të vazhdueshme kisha edhe me Mahmut Muratin, hoxhë i xhamisë së Beçukut, të cilin e kisha edhe  kushëri.

Mahmut Murati vinte dhe na vizitonte shpesh në shtëpinë tonë. Gjatë vizitave të tij dhe takimeve bisedonim për tema të ndryshme. Ai shfaqte një formim shumë të mirë si njeri dhe fliste me simpati për Shqipërinë dhe filmat shqiptar që i kishte parë në RTSh-ë. Ky qëndrim i  Mahmut Muratit më bënte përshtypje shumë të madhe, aq më tepër kur kisha parasysh se ai ishte hoxhë i xhamisë së Beçukut.

Një ditë Hoxha i Vogël, kështu e quanim Mahmut Muratin, meqë i ati i tij ishte gjithashtu hoxhë, vije tek ne për vizitë. Gjatë vizitës biseduam edhe për çështje të fesë dhe në atë rast u “grindem”  me njëri-tjetrin… Në qëndrimet tona për fenë, dolëm se ishim krejt të ndryshëm. Unë, u bëra tym në Hoxhën e Vogël. Kisha përshtypjen se edhe ai ishte prekur shumë nga qëndrimet e mia! Më vonë, e pashë se nuk kisha qenë i drejtë ndaj tij, sepse ma merrte mendja, se nuk kishte qenë e nevojshme një bisedë e tillë, sepse, fundi i fundi, ai ishte hoxhë dhe unë do të duhej të tregoja më tepër mirëkuptim për profesion e tij dhe bindjet e tij. Më dukej se kisha harruar në atë rast se diku kisha lexuar se “feja është një çështje private”!

Në një takim tjetër, u morëm vesh që të mos bisedojmë për çështje të fesë në ardhmen. Mund të them me plotë gojë se të dy e kemi mbajtur fjalën, sepse pas atij takimi të neveritshëm, ne, asnjëherë nuk kemi folur për fenë! Unë e kam respektuar Hoxhën e Vogël, ashtu siç ka qenë dhe nuk jam përpjekur asnjëherë t’ia mbushë mendjen në kotësinë e besimit në Zot. Kam pasur përshtypjen se edhe ai më respektonte ashtu siç isha.

   Është interesant të thuhet se shpeshherë gjatë muajit të agjërimit, Hoxha i Vogël, ma ka shtruar drekën, në rastet kur kam qëlluar në vizitë tek ai, ashtu siç ka bërë, nëse e kam ndihmuar me ndonjë punë të verës. Në raste të tilla Hoxha i Vogël ma ka sjell bukën dhe ujin në arë. Kjo sjellje e Hoxhës së Vogël më ka mahnitur gjithmonë! 

Në shtëpi të Hoxhës së Vogël jam njohur edhe me kunatin e tij, Vehbi Muja, nga fshati Gradicë, me banim në Gllogovc, që ishte student i Fakultetit  Xhehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë. Vehbi Muja ishte një shok i mirë, i formuar politikisht dhe që fliste me simpati për Shqipërinë dhe tregohej i interesuar për çështjen tonë kombëtare.

Në Mitrovicë, gjithashtu kisha kontakte të vazhdueshme me Bedri Selmanin, i cili ishte nxënës i shkollës së mesme. Bedriun e kisha edhe nip të burrit të hallës sime. Bedriu ishte një djalë i ri që po përparonte me ritëm të shpejtë.

Në Fakultetin Ekonomik, pos kontakteve me Ferkiun, kisha kontakte me Burim Zagragjën, Behxhet Ahmetin, Ymer Dragushën, Hilmi Gashin, Nysret Pllanën, Fatmir Makollin si dhe me disa nga ish shokë të klasës sime nga gjimnazi i Mitrovicës me të cilët studionim së bashku.

Nga Ferki Morina, për herë të parë,  e kam marrë revistën “Ylli” që botohej në Tiranë.  “Yllin” e kam lexuar dhe ua kam dhënë të gjithë shokëve  dhe disa të afërmve të tjerë që u besoja.

Gjithashtu, nga Ferki Morina e kam marrë edhe librin e Ajet Haxhiut “Shota dhe Azem Galica”, të cilin për disa muaj rresht ua kam përcjell të gjithë shokëve të mi. Këtë libër ia kam dhënë edhe Ramadan Nasufit, bashkëfshatarit tim që ishte mësues në Shkollën Fillore “Liria” në Strofc dhe që njëherësh ishte edhe nip i Shaban Kapuçit, për të cilin me disa rreshta shkruhet edhe në librin “Shota dhe Azem Galica.”

                                                   ***

     Gjatë takimeve me Danin, Ferkiun dhe shokët tjerë një detyrë e pashkruar, që i kishim dhënë vetës, ishte ngritja ideologjike dhe vetëdijesimi kombëtar. Për ta arritur këtë qëllim studionim historinë e popullit tonë, filozofë që nga antika e deri në ditët tona, si dhe studionim  shkrimtarë të letërsinë shqiptare e asaj botërore. Për këtë qëllim, shfrytëzonim gjithë literaturën legale, që e konsideronim si progresive dhe revolucionare.

Shtëpitë botuese në Kosovë, sidomos “Rilindja”, kishte botuar e ribotuar shumë shkrimtarë të Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe ata bashkëkohorë nga Shqipëria, Kosova dhe viset shqiptare në Jugosllavi, si dhe shkrimtarë nga letërsia botërore. Leximin dhe studimin e kësaj literature e konsideronim si një punë shumë të rëndësishme,   për rritjen e vetëdijes kombëtare dhe të kundërshtimit të përpjekjeve që bëheshin nga propaganda jugosllave për nxitjen e ndasive në mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë etj.  Unë dhe shokët e rrethit tim i përhapnim librat që botoheshin në Prishtinë dhe i konsideronim si libra të mirëfillta për shkak të frymës kombëtare e progresive që përmbanin në vete, ndërsa i luftonim ata libra që bënin propagandë antishqiptare dhe që ishin të shkruar nga autorë jugosllavë apo disa renegatë shqiptarë.

Libra politike, që shkruheshin nga autorë jugosllavë apo shqipfolës ishin kryesisht libra që Shqipërinë e paraqitnin si një vend të izoluar, të varfër dhe që nëpërmjet kësaj synonin të krijonin përshtypjen, tek shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, se Jugosllavia e Titos u kishte dhënë shqiptarëve të “saj” më shumë të drejta e liri sesa Shqipëria e Enver Hoxhës. Veç kësaj, hartuesit e librave sipas kuzhinës së Beogradit, synonin t’i thellonin ndarjet në mes shqiptarëve.  Komunistët jugosllav dhe bashkëpunëtorët e tyre bënin përpjekje për krijimin një kombi të ri nga shqiptarët në Jugosllavi. Në librat e kuzhinës serbomadhe propagandohej për ndasitë gjuhësore dhe krahinore që kanë shqiptarët. Shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare prezantoheshin si shiftari 2 ndërsa ata të Shqipërisë  si albanci.

                                                       ***

Një nga çështjet që i shtronim gjatë bisedave me shokët,  ishte dhe çështja e fesë dhe rolit të saj tek ne shqiptarët. Duke ditur ndasitë dhe përçarjet që kishte shkaktuar feja tek shqiptarët, që nga pushtimi i tokave shqiptare nga Perandoria Otomane, ne e konsideronim të drejtë qëndrimin e shtetit shqiptar  për mbylljen e kishave dhe xhamive në Shqipëri. Ne e admironim thirrjen e Pashko Vasës se feja e shqiptarit është shqiptaria.

Për ndryshim nga gjendja e pozitës së besimeve fetare në Shqipëri, në Jugosllavinë e Titos, të gjitha komunitetet fetare gëzonin liri të plotë veprimi. Madje, në bazë të informacionit që kishim,  ekzistonte edhe një bashkëpunim shumë i madh në mes të klerit fetar dhe pushtetit. Shumë priftërinj dhe hoxhallarë ishin dorë e zgjatur e pushtetit jugosllav.

Duke qenë ithtar i materializmit dialektik dhe historik, unë e shihja propagandën e priftërinjve dhe hoxhallarëve si reaksionare dhe si përpjekje për ta mbajtur popullin shqiptar në errësirë dhe padituri. Gjithashtu, bashkëpunimin e klerit mysliman e katolik dhe pushtetit jugosllav e konsideroja si përpjekje për islamizimin dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve. Kisha parasysh edhe bashkëpunimin e klerit mysliman me pushtetin jugosllav, gjatë shpërnguljes së disa qindra mijëra shqiptarëve në Turqi, në që rast, kleri mysliman kishte luajtur një rol shumë antishqiptar duke bashkëpunuar me pushtetin dhe duke propaganduar për “atdheun e turqve”.

Jugosllavia e Titos, ashtu si pushtuesit Otomanë, nga shqiptarët kishte krijuar edhe popuj të tjerë. Një pjesë e shqiptarëve të besimit myslimanë ishin shpallur turq, boshnjak e të tjerë. Pastaj shumë shqiptarë të besimit ortodoks ishin shkombëtarizuar në serbë, maqedonas e malazias, ashtu siç ishin shkombëtarizuar edhe shumë shqiptarë të besimit katolik në kroat! Në këtë vepër antishqiptare, roli i hoxhallarëve dhe priftërinjve ka qenë thellësisht antishqiptar.

Por, për mua dhe shokët e mi, jo të gjithë hoxhallarët dhe priftërinjtë ishin bashkëpunëtorë të UDB-ës dhe unë e shokët e mi nuk i fusnim të gjithë në një thes. Unë, personalisht,  e kisha rastin e Hoxhës së Vogël  dhe disa hoxhallarëve të tjerë që kishin profesionin e hoxhës, por që para së gjithash ata ndjeheshin shqiptarë dhe atdheun e kombin i vinin në vijën e parë, para fesë. Hoxha i Vogël dhe i ati i tij, që ishte gjithashtu hoxhë, i kishin lejuar vajzat e tyre të shkolloheshin dhe ishin treguar shumë përparimtarë kur ishte në pyetje emancipimi i femrës shqiptare.

Një çështje tjetër që ishte pjesë e veprimtarisë sonë dhe debateve ishte edhe pozita e gruas shqiptare. Një pjesë e madhe e grave shqiptare bënin jetë të ngjashme me atë të grave shqiptare të katër-pesë shekujve të kaluar. Shumica e grave ishin analfabete dhe numri i femrave shqiptare që shkollohej dhe punonte ishte ende shumë i vogël. Nëpër zonat rurale, gruaja shqiptare, ishte tërësisht e lënë në mëshirën e traditës patriarkale dhe asaj të klerit. Pushteti i komunistëve jugosllav nuk bënte asnjë përpjekje për emancipimin e femrës shqiptare. Gjithçka kishte ngelur në mëshirën e fatit dhe zakoneve prapanike.

Me shokët bisedonim për pozitën e gruas shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Për ne transformimet e bëra në shoqërinë shqiptare në Shqipërinë e re, sidomos emancipimi i gruas shqiptare, e konsideronim si shembull se nga duhet të ecnim edhe ne. Në Shqipërinë e re, gruaja shqiptare, ishte shkolluar, punësuar dhe çliruar nga kanuni i Lek Dukagjinit dhe zakoneve patriarkale e dogmës së fesë.

Duke pasur si shembull ndryshimet në Shqipëri, ne bënim përpjekjeje për ndryshime në shoqërinë tonë edhe në familjet tona. Pothuajse çdonjëri prej nesh në shtëpi bisedonim me vëllezër e motra për rëndësinë që ka shkollimi i femrës dhe barazia gjinore në familje e shoqëri. Në këtë drejtim, merrnim  si shembull edhe shoqërinë shqiptare në Shqipëri dhe pozitën e gruas atje, në të kaluarën dhe sot. I përhapnim librat legale, si librin e Haki Stërmillit “Sikur të isha djalë”, filma bashkëkohorë shqiptarë, kur trajtohej çështja e emancipimit të femrës shqiptare.

I  frymëzuar dhe  ndikuar nga literatura revolucionare që e studioja, “luftoja”  që motrat e mia ta vazhdonin shkollën e mesme dhe që ato të mos rrinin në shtëpi, ashtu siç bënin shumë të reja deri atëherë, por që të shkolloheshin e punonin në të ardhmen. Për këtë qëllim vazhdimisht kam biseduar me prindërit e mi dhe atyre ua kam shpjeguar arsyet se përse motrat e mia duhet të shkolloheshin. Pas shumë përpjekjeve edhe nëna ime, që kishte shkuar në shkollë vetën ditën e parë të klasës së parë dhe e kishte ndërprerë shkollimin pas ndërhyrjes së të atit në shkollë,  u “dorëzua” dhe pajtua që motrat ta vijojnë shkollën e mesme.

Në fshatin tim, kushërira ime Sabrije Sadik Sadiku, ka qenë vajza e parë që ka ndjekur Shkollën e Mesme Normale në Mitrovicë. Pas saj, e dyta, ka qenë motra ime, Nafija, që ka vijuar shkollën e mesme.

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (15)

Nga Asllan Muharremi

Burgosja e Ramadan Pllanës    

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura