RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (15)

Nga Asllan Muharremi

Burgosja e Ramadan Pllanës    

    Më 16 nëntor të vitit 1979, në tren,  e takova Ferkiun.   

    ‒Pardje, herët në mëngjes, e kanë burgosurDanin!‒më tha Ferkiu, i cili dukej shumë brengosur.

     ‒A thua, përse e kanë burgosur?‒ e pyeta i habitur.

     ‒ Nuk i di arsyet, por mendoj se veprimtaria politike e Danit mund të jetë arsyeja e burgosjes së tij, u përgjigj Ferkiu!

    U trondita nga lajmi që mora.

    Së bashku me Ferkiun udhëtuam qëndruam në tren gjer në Zveçan. Rrugës, biseduam për atë që kishte ndodhur. Biseduam edhe për rrezikun e madh që na priste dhe masat që do duhej t’i ndërmerrnim…

    ‒Mund të na burgosin edhe ne! ‒ më paralajmëroi Ferkiu. 

    Ferkiu më këshilloi që të tregohesha syçelë dhe që pas kthimit në shtëpi të shikoja se mos gjeja ndonjë material apo libër  komprometues, që do të mund të përdorej si dëshmi kundër nesh  nga UDB-a.

    U ndamë me Ferkiun. Unë ika në shtëpi i mbushur me helm dhe ankth. Burgosjen e Danit më erdhi si një përjetim shumë i rënd. Mendja filloi të më fluturoj sa andej e sa këndej. Druaja për të ardhmen e Danit dhe shokëve tjerë. Nuk kisha idenë se gjer ku mund të shkonte UDB-a me arrestimet  e saj?!

     Duke njohur, deri diku, se çfarë potenciali intelektual përmbante Dani, arrestimin e tij e përjetoja si  një goditje e rëndë jo vetëm për mua personalisht, por e dhe për ata pak shokë që unë i njihja e që e dija se shoqëroheshin me te. 

     ‒Vallë, pse mund ta kenë burgosur? – vazhdoja ta pyesja kokën time. Mos e ka spiunuar ndokush për ndonjë libër apo revistë?  

    Unë nuk kisha idenë se çka do të sillte burgosja e Danit. Njohurit e mia për trajtimin që do t’u bënte UDB-a atyre që do të guxonin  ta ëndërronin lirinë, ishin të pakta. Nuk njihja asnjë ish të burgosur politik.

     Me 19 apo 20 nëntor 1979, sapo u kthye nga puna,  im atë më njoftoi se kishte dëgjuar nga një shok i punës se “me 18 nëntor e kishin arrestuar edhe djalin e dajës Hajdar!”

     Edhe këtë lajm e përjetova si një thikë  të  re në trupin tim! U bëra pelin. Vallë si do t’ia bëj pa dy shokët, – pyetja vetën?

    Nuk e di se a kam fjetur atë natë? Më ishte trazuar shpirti dhe ndjeja një dhembje të madhe për shokët. E tmerrshme! E tmerrshme!

     Mirëpo ‒ një mendje më thoshte ‒ se unë dhe shokët nuk duhej të gjunjëzoheshim për toke! Ndoshta, gjunjëzimi ynë ishte edhe qëllimi i armiqve tanë? Jo, jo  ne duhet të bënim ashtu si thoshte kënga e Mic Sokolit “Shtatë herë bie e tetë herë ngritëm…”,‒ e trimëroja vetën time.

  • Asllan Muharremi

22 nëntor 1979

    Gjumin ma prishi një trokitje në derën oborrit. Menjëherë u ngrita nga shtrati dhe u afrova shpejtë afër dritares. E hapa vetëm pak perden e dritares, e afrova kokën pranë dritarës dhe po përpiqesha të shihja se kush ishte. Para dyerve të oborrit i pashë disa burra të veshur me rroba civile e disa të tjerët me uniformë policësh. E kuptova se përse kishin ardhur!

    U vesha shpejtë e shpejtë, dola nga dhoma, shkova dhe e hapa derën e oborrit. Sapo hapa derën, njerëzit e panjohur u futën brenda në oborr dhe më urdhëruan të qëndroja në dhomën ku kisha fjetur. Pas futjes në odë, ata më urdhëruan, gjithashtu, të rrija aty, i ulur dhe të mos lëvizja nga vendi!

     Dy nga udbashët, që ishin veshur me mantele të gjata e ngjyrë të përhirtë, së bashku me një polic me uniformë, u futën  brenda në odë. U prezantuan se ishin Hajriz Mazhiqi dhe Beçir Voca. Më thanë se ishin punonjës të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav.

Beçir Voca me pyeti: 

    ‒A ke dëgjuar ndonjëherë për shërbimin tonë?!

    ‒Jo,‒ iu përgjigja me gjysmë zëri.

    Udbashët, vazhduan ta kontrollonin dhomën. I kontrolluan të gjitha librat që kisha në  vitrinë. Kontrolluan, nën shtratin, ku kisha fjetur, nëpër dysheme dhe kudo nëpër dhomë. Pas pak, dy udbashët dolën nga dhoma.  Për një kohë të gjatë, në dhomë ngela i vetëm me një policë.

    Udbashët u kthyen përsëri në dhomë. M’i vunë prangat.  Morën disa nga librat e mia dhe më urdhëruan të shkoja me ta.

    Para dyerve të oborrit qëndronte një makinë e policisë. E hapën derën e makinës dhe më urdhëruan të hyja brenda. Nga makina nuk shihej asgjë jashtë.

    ­‒Doli ashtu siç dyshonte Ferkiu,‒ thashë vetë me vete.

    Pas pak, makina u nis. Disa minuta më vonë, makina bëri një kthesë  në të djathtë. Në bazë të kthesës, e kuptova se makina po lëvizte në drejtim të Prelluzhës. Dikur, pas një gjysmë ore, makina u ndal. E hapën derën e makinës dhe  më urdhëruan të dilja jashtë. E pashë, se ndodhesha në Stacionin e Policisë në Mitrovicë. Hajriz Mazhiqi e Beçir Voca më shoqëruan në katin e dytë dhe më futën  në një dhomë. E mbyllën derën, dolën nga dhoma dhe për pak kohë më lanë të vetëm aty.

    Përballë meje, brenda në dhomë,  ishte një tavolinë dhe dy karrige. Pranë karriges sime ishin dy karrige të tjera. Në të djathtë, një dritare me perde të tejdukshme. Pritja i vetëm dhe kjo pritje mu duk një shekull e gjatë!

    Më në fund, Hajriz Mazhiqi dhe Beçir Voca u kthyen serish në dhomë. Hajrizi nisi pritjen e tij me nikoqirllëk të madh! Më pyeti se çfarë dëshiroja të pija? Udbashi, gjithashtu, më luti të ndjehesha si në shtëpi!

    Mirëseardhjen e tij, Hajrizi e vazhdoi duke më folur me dashamirësi për familjen time! Sidomos, më fliste mirë për tim atë! Më tha se kishte dëgjuar se ishte anëtar i “devotshëm” i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, besnik i vëllazërim-bashkimit dhe socializmit vetëqeverisës jugosllav! Edhe për mua nuk kurseu   fjalë të zgjedhura. Më tha se e dinte se isha Kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste në fshatin Mihaliq.

    Unë ndihesha i shtangur dhe i mbytur në ankth. Ndonëse nuk kisha futur asgjë në gojë, nuk më hahej as nuk më pihej. Dyshoja edhe në sinqeritetin e fjalëve të mira që dëgjova nga goja udbashit! Refuzimin e pijes e arsyetova se nuk e kisha zakon të ha e pi kaq herët! E vërteta e mospranimit të pijeve ishte se unë kisha dëgjuar se udbashët mund të më hidhnin në pije ndonjë substancë kimike dhe frikohesha se ata me ndihmën e saj do të më bënin të flisnja! Ku ta dish se çfarë mund t’ju pikë mendja këtyre maskarenjve? – thosha vetë me vete.  Dardha e ka bishtin prapa, thotë populli3, – thosha vetë me vete. Ndonëse ndodhesha në aty nendja më rrinte tek dy shokët e mi, që se dija se ku ndodheshin, por e dija se edhe ata ndodheshin diku në duart e UDB-ës. Në kokë me silleshin ato që më kishte thënë Ferkiu, dy-tre ditë më parë. Përpiqesha të mbahesha i qetë.

     Nuk vonoi shumë e në dhomë erdhën dhe nisën prezantimin e tyre, njëri pas tjetrit: Faruk Mehmeti, Burhan Prishtina, Januz Shala dhe Sylejman Arifi. Ata nuk qëndruan gjatë në dhomën e Hajriz Mazhiqit dhe Beçir Vocës.  Prezantimin e tyre e merrja mend se ishte  një demonstrim i forcës! Më këtë udbashët donin të më thoshin se ata ishin të shumtë, në numër, e të “plotfuqishëm”, ndërsa unë fillikat i vetëm! E merrja me mend se kjo duhej të ishte pjesë e punës së tyre.

     Ndonëse m’i kishin hequr prangat, vetën e ndjeja sikur të më kishin futur në kafaz. Tani nuk kisha kah t’ia mbaja. E vetmja rrugë, që më kishte ngelur, ishte të vazhdoja të qëndroja i fortë e të tregohesha  kureshtar për ato që do të thoshin dhe kuptohet, mbi të gjitha, ta ruaja gjakftohtësinë. Nuk mund ta merrja me mend se çka do të më pyesnin. Asnjëherë nuk kisha folur me ndonjërin nga shokët se si duhet të sillesha në rrethana të tilla. Megjithëkëtë, mendja ma thoshte se do të më pyesnin për ndonjërin nga librat apo revistat e ndaluara, sepse kjo ishte vepra ime e vetme antiligjore! Mirëpo, për të gjitha këto duhej të prisja…

     Nuk vonoi shumë dhe udbashi Hajriz Mazhiqi më pyeti:

     ‒ Na trego se me cilët shoqërohesh në fshat, në fakultet dhe  gjatë kohën së lirë?

     Ua thashë emrat e disa shokëve, por asnjë emër nuk ishte i atyre me të cilët unë kisha këmbyer ndonjë libër, revistë apo nga ata me të cilët kisha biseduar për çështjen e lirisë dhe kundër robërisë serbe.

     Përderisa, i kisha dy shokë në burg, e kuptoja se ata nuk më kishin marrë rastësisht. Dyshoja se këta gjarpërinj duhet të më kenë parë duke u shoqëruar me Danin apo Ferkiun, qoftë gjatë udhëtimeve me tren ose gjatë takimeve në fakultet.

     Nuk vonoi shumë dhe e kuptova se udbashët nuk ishin të kënaqur me përgjigjen time e as me emrat e atyre që i kisha përmendur.

     Pas pak Hajriz Mazhiqi më pyeti:

     ‒ Na thuaj se kë e njeh nga fshatrat rrëzë Malit të Qyqavicës, duke filluar nga fshati Pantinë e gjer në fshatin Hade?

    Unë e vazhdova përsëri me të vjetrën. Zija në gojë vetëm emrat e atyre shokëve që i kisha përmendur më parë.

    ‒ Cilët i njeh në fshatin Shtitaricë? ‒ më pyeti udbashi.

     Të gjithë burrat dhe studentët e Shtitaricës më dolën para sysh. E kisha të qartë se cilin emër dëshironin ta dëgjonin. Megjithëkëtë edhe kësaj radhe unë ua thashë vetëm emrat e disa burrave që i njihja nga fshati Shtitaricë, por emrin e Danit nuk ua thashë.

     Udbashët nuk ishin të kënaqur as pas kësaj përgjigje. Ata kërkonin që unë të mendohesha mirë dhe t’i gjeja në kujtesën time të gjithë ata që i njihja në fshatin Shtitaricë.

      Pyetja e udbashëve me vuri në siklet të madh: si të bëja dhe si të përgjigjesha? Isha në dilemë se a duhej ta pranoja apo jo njohjen time me  Danin?

     Nga sjellja e tyre po e kuptoja se udbashët kishin kohë dhe nuk nguteshin.  Edhe kur  lodheshin, e ndërronin njëri-tjetrin dhe në vend të tyre vinin të tjerët, që ishin të pushuar. Edhe ata i zëvendësonin e vazhdonin punën aty ku e kishin lënë shokët e tyre. Mirëpo të gjithë silleshin rreth emrit të Danit. Kohë pas kohe, udbashët, herë njëri e herë tjetri, më këshillonin të tregohesha i sinqertë, sepse, siç nisën ta përsëritnin sloganin e tyre në mënyrë monotone,  “ata i dinin të gjitha dhe se e gjithë kjo bëhej vetëm për ta provuar sinqeritetin tim!”

     Pas Hajriz Mazhiqit dhe Beçir Vocës, bisedën me mua e vazhduan Burhan Prishtina dhe Jonuz Shala.

     Burhan Prishtina është i pari që e përmendi  emrin e Danit.  Edhe ky, ashtu si edhe shokët e tij, më këshillonte që t’ia thosha të vërtetën.

     Megjithëkëtë, unë vazhdoja të bëhesha se nuk e njihja Danin. Por, e kuptoja se as udbashët nuk dorëzoheshin në këmbënguljen e tyre dhe vazhdonin të qëndronin gjithë kohën vetëm tek njohja ime me Danin. Herë njëri e herë tjetri më këshillonin të mos e mundoja vetën  sepse: “i dinin të gjitha dhe se ata vetëm po dëshironin të shihnin se a jam i sinqertë apo jo!

     Ndodhesha para një dileme të madhe. Si të veproja? Të vazhdoja  të qëndroja në atë që kisha thënë, apo ta pranoja se e njihja Danin? Ndoshta më kanë parë duke u shoqëruar me Danin dhe Ferkiun, – i thosha përsëri vetës sime. Në kokë më silleshin kujtimet e takimeve që kisha pasur me shokët, gjatë udhëtimeve më tren, takimeve në Prishtinë, në Fushë Kosovë, në Fakultetin Ekonomik, në Fakultetin Filozofik, takimet në kodrën mbi fshatin Shtitaricë  dhe në vende të tjera. Të vazhdoja të mos e pranoja njohjen me Danin apo jo? Kjo ishte dilema që kisha para vete. Kisha frikë se mospranimi, do ta rriste edhe më shumë dyshimin e gjarpërinjëve. Po të mos e dinin njohjen time me Danin, atëherë përse erdhën dhe më morën, e pyetja vetën? Pas bluarjes në kokë, që i bëra kësaj pyetje, vendosa ta pranoj se e njihja Danin, por nuk do të flisja  asgjë më tepër. Do të bëhesha se unë s’di asgjë më shumë dhe se gjer me tani nuk e kisha pranuar njohjen për shkak të frikës që kisha pasur.

    ‒ E vërtetë është se e njoh një që quhet Dan… Është student i gjuhës frënge… Po, këtë e kam takuar disa herë gjatë udhëtimeve me tren,  – i thashë me gjysmë zëri.

       Burhan Prishtina kërceu dhe tha:

    ‒ Po fol, more burrë! Tani, ke folur si burrat! Ne vetëm po të prisnim që të na tregosh vet se sa i sinqertë je! Mirëpo, më duhet të jem i sinqertë ndaj teje, njohja jote me Ramadan Pllanën nuk është  lajm për ne. Tani lind pyetja: përse nuk e pranove gjer me tani se njihesh me te? Pse? Pse? Pse? A e ke lexuar romanin e Sterjo Spases “Pse”? Pastaj, kjo nuk është gjithë e vërteta. Ti nuk na tregove se si jeni njohur dhe se ku jeni takuar dhe çka keni biseduar me njëri-tjetrin?

    Burhan m’i nguli sytë dhe më qëndronte përpara si një statujë. Në sytë e tij shihja një optimizëm; ai shpresonte se e hapa gojën dhe tani do t’jua thosha të gjitha. Burhani dukej i gëzuar dhe sikur e kishte kapur fillin e perit! Një optimizëm lexoja edhe në fytyrat e udbashëve tjerë që ndodheshin në dhomë!

    Një mendje më thoshte se mos “gabova” që e pranova njohjen time me Danin, se mos duke e pranuar njohjen unë u dhashë, me të vërtetë, fillin e perit? Megjithëkëtë, ma merrte mendja dhe besoja se ata e dinin njohjen tonë dhe mospranimi i njohjes me Danin, vetëm se do t’i shtonte edhe më shumë dyshimet që ata kishin në mua.  Prandaj, mendja ma thoshte se unë është dashur ta pranoj njohjen qysh në fillim. Isha i sigurt, se kisha gabuar që nuk e kisha pranuar më herët njohjen tonë. Mirëpo tani kjo nuk mund të zhbëhej. Tani e tutje nuk më mbetej tjetër pos të shpëtoja atë që mund të shpëtohej, i thosha vetës sime. Gjithashtu, po mendoja se si t’i jap një përgjigje  udbashit në pyetjet e tij, që tani s’ishte një pyetje, por një listë e gjatë pyetjesh.

     ‒ E kam takuar në tren… Nuk e njoh… Më është dukur njëri i mirë,‒ u përgjigja dhe po prisja reagimin e tyre.

      ‒ Për çka keni biseduar?‒ më pyeti Burhan Prishtina dhe më shikonte drejt në sy.

     ‒ Nuk e mbaj mend… Kemi folur për studimet, ‒ i thashë dhe nuk ia largova sytë Burhanit, që vazhdonte të më shikonte si një statujë.

     ‒ Nuk je i sinqertë. Ne po kërkojmë nga ti të na e thuash të vërtetën dhe asgjë tjetër? Nuk ke nevojë ta mundosh vetën tënde! Thuaje të vërtetën dhe shko në shtëpi, ‒ ndërhyri Januz Shala.

      ‒Unë jam i sinqertë dhe nuk kam se çka të them më shumë. Unë nuk e njoh më shumë Ramadan Pllanën, dhe nuk e kuptoj se përse më mundoni për diçka që nuk kam njohuri? , ‒ u përgjigja.

    ‒ Përsëri, nuk je i sinqertë ‒ vazhdoi Burhani ‒ Ramadan Pllana është nacionalist, është armik i vëllazërim-bashkimit të popujve të Jugosllavisë, është kundërrevolucionar, është irredentist….

    ‒ Unë u thashë se nuk e njoh, ‒ u përgjigja përsëri.

    ‒ E di ti se kush jam unë? ‒ mu drejtua Burhani.

    ‒ Jo, ‒ i thashë Burhanit.

     ‒Jam i familjes së Hasan Prishtinës,‒ ma ktheu Burhani. A ke dëgjuar ndonjëherë për Hasan Prishtinën?

     ‒ Po, kam dëgjuar. Kam dëgjuar  se ka qenë deputet në Stamboll dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Fshati im ka pasur disa bashkëluftëtarë të tij: Shaban Kapuçin, Beh Mihaliqin e ndonjë tjetër që kanë luftuar përkrah tij e kundër hordhive osmane,‒ i thashë me krenari Burhanit.

      ‒ Ti mendon se Ramadan Pllana është më patriot se unë! ‒ ma ktheu Burhani. Ai e kapi lëkurën e dorës së majtë me gishtërinjtë e dorës së djathtë dhe e tërhoqi lartë.

     ‒ Jo, ‒ i thashë, ‒ unë nuk po mendoj asgjë.

      ‒  Na thuaj se cilat libra t’i ka dhënë Ramadan Pllana? ‒ vazhdoi i mërrolur  Burhani.

      ‒ Asnjë, ‒ i thashë i vendosur.

       ‒ Ne vetëm po të presim të na e tregosh të vërtetën, sepse ne e dimë të “vërtetën”‒ vazhdoi  Burhani.

       ‒ Unë ua thashë të vërtetën dhe tjetër të vërtetë nuk kam, ‒ i përgjigjem  Burhanit.

      Unë besoja se shokët nuk kanë folur për librat që kishim pasur nëpër duar dhe se kjo ishte vetëm përpjekje e udbashëve për ta mësuar të vërtetën, se a  kisha lexuar apo jo literaturë patriotike e revolucionare.

     Çuditërisht, për Ferki Morinën, nuk më pyesnin! U kisha thënë në fillim se e njihja dhe ata nuk e zgjatën shumë rreth tij.

     Marrja në pyetje vazhdoi gjithë ditën dhe gjithë natën. Duke pasur parasysh pyetjet që m’i bënin, ma ngjallnin dyshimin se ata ishin në kërkim edhe të njohjes së bindjeve të mia politike. Ata m’i kishin marrë disa nga librat e mia dhe si duket i kishin shikuar shënimet, nënvizimet dhe citatet e zgjedhura, me kujdes të madh. Filluan të m’i nxirrnin përpara edhe disa nga shënimet që kishin bërë në nënvizimet e mia nëpër libra dhe të më pyesnin se çka kisha menduar kur e kisha lexuar këtë libër, se çfarë mendimi kisha për këtë pikëpamje të Marksit, Engelsit Leninit, Kardelit etj.

     Pyetjet e udbashëve po ma forconin bindjen që kisha edhe më parë se sa frikë kishin njerëzit e UDB-ës së LKJ-së nga veprat e Karl Marksit, Fridrih Engelsit dhe filozofët tjerë përfaqësues të materializmit dialektik dhe historik! Për fatkeqësinë e popujve të Jugosllavisë, unë kishte kohë që e kisha kuptuar se udbashët dhe pararoja e tyre e “kuqe”, i kishin tradhtuar idealet  dhe përpjekjet e popujve të Jugosllavisë për një botë të lirë, të barabartë dhe për një vëllazëri të vërtetë në mes popujve. 

    E konsideroja se në këtë “fatkeqësi”, që më kishte gjetur, kishte edhe një të mirë: ata nuk më kishin gjetur asnjë libër të ndaluar. Sa për librat që m’i morën nga biblioteka ime, si disa libra të Karl Marksit, Fridrih Engelsit, Vladimir Iliç Leninit dhe disa libra e fletore të shënimeve, nuk “shqetësohesha” shumë, ndonëse nuk e dija se çfarë kanë gjetur të shënuar e nënvizuar nëpër libra dhe fletoret e shënimeve! Druaja mos kisha shënuar ndonjë “mendim” në kundërshtim me vijën e LKJ-së! Përndryshe, librat në fjalë i kisha edhe literaturë të studimeve. Provimet e lëndëve si  ekonomia politike, marksizmi dhe sociologjia nuk mund të kaloheshinpa e studiuar, bie fjala, Kapitalin  dhe veprat e autorëve tjerë. Kisha frikë mos kisha shënuar ndonjë mendim kritik kundër disa librave të Kradelit! Kjo më mbante në ankth. Në anën tjetër isha shumë i lumtur që nuk ma kishin gjetur librin e Ajet Haxhiut “Shota dhe Azem Galica”,  revistën “Ylli”, “Shqipëria e re” apo ndonjë libër tjetër të ndaluar,  që kisha pasur nëpër duar.

   Të nesërmen, e vazhduan bisedën me mua Hajriz Mazhiqi dhe Beçir Voca. Hajrizi, ishte  veshur e pispillosur…

   Gjatë kohës së hetimeve, kam vërejtur se udbashët nganjëherë flisnin turqisht me njëri-tjetrin. Ma merrte mendja se flisnin diçka për mua, por unë nuk i merrja vesh. Unë e merrja me mend se turqishtja ishte si gjuhë koordinimi për punën e tyre. Megjithëkëtë, e folura turqisht krijonte tek unë frikë dhe pasiguri.

    Si duket këtë e kishte kuptuar edhe udbashi Hajriz Mazhiqi i cili pas një bisede turqisht me një udbash tjetër me pyeti:

     ‒ A po të bezdisim që po flasim turqisht?!

     Çka t’i përgjigjesha, këtij derri të UDB-ës? Ju përgjigja me një “Jo” dhe nuk i thashë asgjë më shumë. 

      Dyshoja se e folura turqisht ishte e qëllimshme. Mendja më shkonte se e gjithë kjo mund të ishte provokim. Ndoshta, thashë vetë me vete, udbashët presin mos po gabojë dhe po flas ndonjë fjalë kundër “minoritetit” turk! Mirëpo unë se kisha ndërmend të gaboja në këtë çështje. Le të flasin në cilën gjuhë të duan, i thashë vetës sime. Sidoqoftë, turqishtja s’kishte ngelur më shumë  se një njollë mbetjesh të zeza në ujin e pastër  të oqeanit shqiptar, ‒ thashë vetë me vete.

     Në një rast tjetër udbashi Hajriz Mazhiqi më tha me mburrje se udbashi Burhan Prishtina ishte edhe sekretar LKJ-së në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit Jugosllav, Dega në Mitrovicë.

     Ky lajm edhe nuk më befasoi. Pushtuesit serbë, ashtu si edhe pushtuesit tjerë, gjithmonë i kanë përdorur në punët antishqiptare, mohuesit më të mëdhenj të përkatësisë shqiptare, qofshin ata që mbaheshin si turq, boshnjak apo goran. S’kisha asnjë fije dyshimi se Burhan Prishtina, ishte një bastard i tillë. Këtë e kisha parë gjatë hetimeve ndaj meje, ku  ai shquhej me përkushtimin dhe zellin e madh që tregonte për të zbuluar gjithçka që ishte në llogari të shtetit jugosllav. Burhani nuk e fshihte urrejtjen e madhe që kishte për kundërshtarët e regjimit jugosllav, sidomos për ne shqiptarët; ai dukej sheshazi se ishte një turkoshak dhe antishqiptar i tërbuar.

    Më vonë, udbashi Hajriz Mazhiqi më pyet se a kisha dëgjuar ndonjëherë emrin e Aziz Zhilivodës.

    Sapo e dëgjova emrin e Aziz Zhilivodës, mendja me vajti tek një histori që e kisha dëgjuar nga nëna ime dhe që kishte lidhje me emrin e tij. Pa menduar mirë domethënien e historisë, nisa t’ia rrëfej udbashit:

    ‒ Nëna ime më ka treguar se policia dhe ushtria i kishin urdhëruar të gjitha gratë dhe fëmijët e fshatit Hade dhe të fshatrave përreth Artakollit, të shkonin në Malin e Qyqavicës dhe ta kërkonin Aziz Zhilivodën. Në atë rast policia dhe ushtria i kishte vendosur gratë dhe fëmijët para ushtarëve dhe policëve…

    E pashë se iu prish fytyra udbashit. E kuptova se kësaj radhe gabova shumë dhe se nuk do të duhej t’i tregoja këtë histori këtij hyzmeqari të pushtuesit. Udbashi, Hajriz Mazhiqi, ende pa e komentuar domethënien  e asaj që po i rrëfeja, më ndërpreu:

     ‒ A do të thoni, se ushtria dhe policia jugosllave është frikësuar nga krimineli Aziz Zhilivoda dhe i ka përdorur gratë dhe fëmijët si mburojë? ‒ mu drejtua Hajriz Mazhiqi dhe m’i nguli sytë.

    Mornicat ma pushtuan trupin! Mora frymë dhe po përpiqesha ta balancoja ngrohjen që ma kishe kapluar trupin me ndihmën e ajrit që po thithja dhe po mendoja se çfarë përgjigje t’i jepja.

    ‒Jo, unë vetëm të tregova se çka kam dëgjuar për Aziz Zhilivodën, ‒ i thashë, Hajriz Mazhiqit.

    Ndjehesha i zemëruar në vetën time për faktin se sërish kisha gabuar. Megjithëkëtë, pa dëshirën time, në kokë më silleshin një mori historish që kisha dëgjuar nga heroizmat e Aziz Zhilivodës. S’kisha asnjë fije dyshimi se dikur Aziz Zhilivoda kishte qenë një legjendë e rrethit të Artakollit dhe tmerri i serbomëdhenjve e shërbëtorëve të tyre. Por, tani, po e kuptoja se këtu nuk ishte vendi e  momenti as të flisja e as mendoja për trimëritë e tij.

    Në ndërkohë, gjersa po më hetonte Hajriz Mazhiqi, një udbash tjetër,  mjaftë i në moshë dhe fare tullacë, hyri në dhomën tonë dhe nuk u prezantua fare. U ngrita në këmbë  dhe kështu bëra edhe kur erdh dhe u futë në dhomë herën e dytë. Mirëpo kur tullaci u futë në dhomë  për herë të tretë, nuk u ngrita në këmbë. Sikur mos ngritja në këmbë të ishte një gabim, udbashi tullac  mua afrua  e më pyeti se përse  s’po ngrihesha  në këmbë dhe ende pa u përgjigjur në pyetjen e tij, m’i dha një seri grushte  fytyrës dhe trupit, gjersa u lodh e u mbushë me frymë?! Pas kësaj doli nga dhoma dhe na la aty të vetëm mua dhe Hajriz Mazhiqin.

    Udbashi Hajriz Mazhiqi vetëm shikonte dhe priste se  si do të reagoja.

    Unë e fshiva fytyrën dhe u ula në karrigen time që ishte përballë tavolinës së  Hajriz Mazhiqit. Pas një heshtje  e theva akullin dhe nisa të flas përsëri me “mikun” tim.

    ‒Tani filluat me grushte? ‒ i thashë Hajriz Mazhiqit.

    Ai lëvizi krahët lartë sikur të mos kishte parë asgjë dhe sikur të mos kishte ndodhur fare ai vetë në dhomë, gjatë kohës kur shoku i tij më grushtoi!

    ‒ Unë s’kam se çka t’ju them. Tani vazhdoni me mënyrën që dini! ‒ ia ktheva Hajriz Mazhiqit.

    Grushtet që m’i dhuroi udbashi,  që kurrë s’ia mësova emrin, sikur ma tërhoqën vërejtjen që  të isha shumë i kujdesshëm se çka po flisja. Ata më shkaktuan jo vetëm dhembje, por edhe “frikën” gjer në palcë. Njëkohësisht grushtet ishin edhe si kambanë alarmi. Historinë që kisha dëgjuar për Aziz Zhilivodën, nuk është dashur t’jua thosha udbashëve. Por tani ishte vonë, ‒ thosha vetë më vete.

    Sa më shumë që qëndroja aty, po e kuptoja se udbashët ishin profesionistë në punën e tyre, se  ata ishin aktorë të vërtetë dhe dinin t’i luanin të gjitha rolet që ua besonin padronët e tyre.

    Gjatë hetimit i vije radha të më merrte në pyetje edhe një udbashi me përkatësi kombëtare serbe, që quhej Momë dhe ishte nga fshati Gojbulë i Komunës së Vushtrrisë. Zemlaku4 e filloi bisedën në serbisht, por pas përgjigjes sime vazhdoi të më flas në gjuhën shqipe, të cilën  e fliste mirë dhe rrjedhshëm.

    Edhe Moma, m’i dha po ato  “këshilla” që i kisha dëgjuar edhe nga shokët e tij.  Moma, bënte, gjithashtu,  përpjekje që të më lidhte me fjalën time, pra që unë t’ia jepja besën e shqiptarit se do t’ia thosha të vërtetën! Duke e parë “merakun” e tij , “i premtova” se do të tregohesha i “sinqertë” dhe se nëse kisha për t’ju thënë diçka do t’ia thosha në “besë” Zemlakut tim! Vetë me vete më shkonte mendja se vallë çka mendonte ky djall se unë shihja ndonjë dallim në mes të tij dhe kolegëve të tij? Harronte Moma se për mua ata të gjithë ishin njerëz të pushtetit jugosllav dhe armiq të shqiptarëve dhe lirisë së tyre! 

    Ditën e dytë, më nxorën nga dhoma ku më kishin marrë në pyetje Hajriz Mazhiqi, Beçir Voca, Sylejman Arifi, Burhan Prishtina, Zenun Shala e Moma dhe më dërguan në dhomën e shefit, Faruk Mehmeti. Dhoma e shefit ishte më speciale: kishte kolltukë lëkure ngjyrë të zezë dhe dysheme ngjyrë të gjelbër. Kryeudbashi, Faruk Mehmeti, më priti i mërrolur dhe hijerëndë.

    Pyetja e parë që më bëri “shefi” ishte: 

    ‒ A e di ti se çka shkruan në hyrje të portës së burgjeve turke?

     I habitur nga pyetja, por edhe meqë nuk kisha idenë se çka shkruante në derën e burgjeve turke, ju përgjigja pa u përpjekur ta gjeja se çka shkruante:

     ‒ Jo, nuk di!

      ‒ Këtu nuk ka Zot! – i xhindosur, lëshoi një britmë shefi i udbashëve dhe më shikonte drejt në sy si një statujë.

     ‒ Nuk kam dëgjuar asnjëherë, ‒ ju përgjigja.

      Kryeudbashi, Faruk Mehmeti, vazhdonte të dukej i mërrolur e hijerëndë! Unë nuk po e kuptoja se a ishte përgjigja ime e pamend apo e gjithë kjo ishte vetëm një lojë e taktikës së punës së tij? Ende pa arritur ta kuptoja motivin e reagimit të tij, shefi i UDB-ës i ra tavolinës me kërbaç të zi si korbi dhe pastaj e tundi kërbaçin në ajër dhe mu drejtua:

     ‒ Kjo do të thotë se kur njeriu hynë në burg nuk mund ta kërkojë mëshirën e Zotit!

     Dhe përsëri e tundi shkopin në ajër dhe pastaj i ra tavolinës me gjithë forcë sa ushtoi e gjithë zyra e tij. Unë nuk nxora fjalë nga goja. Shefi i UDB-ës vazhdoi:

    ‒ Unë të mbys, nëse nuk e thua të vërtetën! Unë s’jap llogari para asnjërit…Unë jam Zoti dhe shteti!

    S’dija se çka t’i thosha. Vetëm prisja se do të vazhdonte edhe ky aty ku e kishte nisur një shërbëtor i tij. Nuk e kisha ndërmend t’i kërkoja mëshirë dhe nuk kisha frikë as nga ai e as nga Zoti i tij, meqë ai e identifikoi shtetin e tij me Zotin! Vetën e ngushëllova duke i thënë: shtrëngohu Asllan se të erdhi koha të tregosh se çfarë burri je…

    ‒ Jam i “pafajshëm” dhe kam bindjen se ata që s’kanë bërë faje nuk mund të trajtohen si të burgosurit në burgjet turke, ‒ ia ktheva me gjakftohtësi shefit të UDB-ës.

     Faruk Mehmeti, vazhdoi me britmat, me sharjet dhe me tundjen e kërbaçit në ajër.

     Papritur trokiti dera e dhomës së shefit. Kryeudbashi, Faruk Mehmeti,  u ndal dhe e urdhëroi atë që trokiti të hynte brenda. Edhe unë së bashku me shefin e UDB-ës e ktheva shikimin kah dera. Pas britmave të kryeudbashit prisja se do të hynte ndonjë tjetër udbash me ndonjë huri në dorë, por tek dera pashë një njëri të panjohur, një burrë të thinjur dhe me një fytyrë të thatë. U prezantua se ishte Sefedin Batalli dhe sikur të kishte qenë së bashku me ne brenda në dhomë, nisi bisedën aty ku e kishte lënë në gjysmë shefi i UDB-ës së Mitrovicës dhe mu drejtua:

      ‒ Dua të më tregosh se a e ke lexuar librin e Ajet Haxhiut “Shota dhe Azem Galica”?… Ma thuaj të vërtetën, sepse ky libër edhe nuk është i ndaluar… Mos harro se unë e di të vërtetën dhe vetëm po e provoi sinqeritetin tënd!

    E vërteta ishte se unë e kisha lexuar librin, jo njëherë, por dy herë dhe e dija se ajo përralla këtij gjarpri të ri, se gjoja libri na qenka i “lejuar,” ishte një gënjeshtër udbeske dhe vetëm një kurth e tij, ashtu siç ishte një kurth edhe pjesa tjetër e fjalisë ku ai kërkonte që unë të isha i sinqertë  sepse gjoja ai e dinte  të “vërtetën.” Unë besoja se përmendja e librit “Shota dhe Azem Galica” ishte vetëm një përpjekje për të me befasuar se gjoja ata e dinë se unë e kisha lexuar librin! Përkundër faktit se e kisha lexuar librin, vendosa të mos e pranoj një gjë të tillë. Ma merrte mendja se nëse e pranoj se e kam pasur në dorë librin e “ Shota dhe Azem Galica” unë vërtetoj se kam lexuar edhe libra të tjera të ndaluara dhe kështu i nxirrja shumë telashe vetës. Besoja se shokët nuk e kanë pranuar se ma kanë dhënë librin dhe se kjo mund të ishte informatë e ndonjë informatori të UDB-ës.

    ‒ Jo, nuk e kam lexuar, ‒ i thashë i vendosur.

    Nuk vonoi shumë dhe më nxorën nga dhoma e shefit dhe më vendosën në një dhomë tjetër. Aty më mbajtën deri pasdite. Rreth orës tre pasdite më dërguan në burgun e Mitrovicës, që ishte rreth dy-treqind metra nga Stacioni i Policisë. Gardianët  e burgut hapën disa dyer metalike me grila dhe më në fund me futën në një dhomë. Aty më lanë të vetëm.

    Të nesërmen në mëngjes më sollën përsëri në Stacionin e Policisë dhe vazhduan hetimet. Ditën e filluan me kërcënime. Më flisnin se  çfarë fati i pret armiqtë e Jugosllavisë socialiste dhe vetëqeverisëse. Kjo mu dukë shenjë e mirë. Dikur, afër mesit të ditës, udbashi Hajriz Mazhiqi sikur bëri edhe një kthesë tjetër dhe nisi të bëhej më njerëzor, madje edhe human! Ai shkoi aq larg me zemërgjerësinë e tij sa u tregua i gatshëm të më “ndihmonte” edhe me dhënien e provimeve, nëse do të kisha ndonjë vështirësi në shkollë. Oferta ishte shumë interesante: udbashët po ma hapnin derën të bëhesha spiun i tyre!

    ‒ Nuk ka problem për ne. Nëse ke problem në ndonjë lëndë studimi, eja dhe na kontakto dhe ne të ndihmojmë, ‒ më tha në fund të marrjes në pyetje, ditën e tretë, udbashi Hajriz Mazhiqi.

    Pas gjithë atyre akrobacive, herë lavdërime, herë kërcënime e herë oferta për ndihmë, më nxorën nga dhoma e marrjes në pyetje dhe zbritën poshtë në katin përdhes. Aty m’i bënë dy-tre fotografi dhe m’i morën gjurmët e gishtërinjve. Më kthyen serish në katin e dytë dhe pas një pritje rreth një gjysmë ore më liruan.

    ‒ O çfarë gëzimi ma pushtoj zemrën, – Përsëri i “lirë”! ‒ thashë vetë me vete.

    Nga Stacioni i Policisë, që gjendej në veriperëndim të Mitrovicës, ika me vrap tek halla Fazë, që banonte në lagjen Bair, që gjendej në juglindje të Mitrovicës, pak përtej Varrit të Kangjallozit5. Aty mora vesh se edhe halla Fazë kishte dëgjuar se në burg ndodhej  edhe djali i dajës Hajdar.  Nuk e komentova më shumë me hallën dhe njerëzit që takova aty çështjen e Ferkiut. Unë vetëm shpresoja se edhe ata do të lirohen, ashtu si u lirova unë.

    Pas një qëndrimi të shkurtër tek halla Fazë, u nisa në drejtim të Stacionit Hekurudhor të Mitrovicës prej nga do ta merrja trenin për shtëpi.

    Nëna u gëzua shumë kur më pa.

    Në shtëpi mësova sërish se Ferkiu edhe më tutje ndodhej në burg.

    Prindërve të mi ua shpjegova arrestimin tim. U thashë se ishte çështje hetimi nga policia:

     ‒ Policia dyshonte se i njihja disa shokë të shkollës, të cilët mora vesh se  ishin burgosur, por u bindë se unë nuk kisha kurrfarë lidhje me ta dhe policia më liroi, u thashë!

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (16)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura