Sabit Alidema: Halil Alidema – Meteorë Lirie (11)

Pashtriku, 18 prill 2021:
INTELEKTUALËT E PAPUNË – FITOJNË KAFSHATËN E GOJËS NË RRUGË
Lili brengosej shumë për problemin e papunësisë së popullatës shqiptare. E veçanërisht për intelektualët e kualifikuar me kualifikime të larta. Ndonëse ata kishin kryer shkollimin e lartë dhe ishin aftësuar për të kryer punë të rëndësishme për shoqërinë në profile të ndryshme, ata kishin mbetur pa punë, si terzinjt pa penj, e bredhnin posht e lartë qyteteve të Kosovës.

Këta ngurronin të merrnin botën në sy, sepse dashuria ndaj familjes, vendlindjes, ndaj popullit e atdheut ishte shumë më e fortë sesa skamja, mjerimi e papunësia. Këta kishin vendosur të mbijetonin skamjen e papunësinë ashtu si të dinin e si të mundnin. Sepse guri peshon rëndë në vend të vet. Intelektualët nuk donin të jenë gur i luajtur. Ata thonin se për këtë popull duhet sakrifikuar edhe jetën.
Pas vitit 1990, veçanërisht pas grevës së përgjithshme kombëtare të 3 shtatorit 1990, kur e gjithë klasa punëtore me përkatësi kombëtare shqiptare, në shenjë proteste kundër padrejtësive që ushtronte pushteti terrorist jugosllav ndaj popullatës shqiptare, u hodh në grevë të përgjithshme kundër kësaj padrejtësie. Kjo grevë kishte karakter politik, sepse i bëri me dije pushtetit hegjemonist serb se shqiptarët nuk pajtohen me metodat e tyre barbare robëruese, ndaj ata janë unik në synimet e qëllimet e veta. Dhe në këtë drejtim ata kurrë nuk do të heqin dorë nga synimet e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.
Në shenjë hakmarrjeje brutale, pushteti fashisoid serb, ndërmori masat më të rrepta kundër klasës punëtore, nëpunësve, punonjësve të arsimit, të shkencës e udhëheqësve shqiptarë, duke i nxjerr nga puna, i hodhi në rrugë mbi 150.000 punëtorë shqiptarë. Madje, kundër disave, që i konsideronte udhëheqës apo liderë partiakë, ndërmori edhe masa ndëshkuese me gjykime e dënime me burg, siç ishte prof. Hajrullah Gorani, kryetar i Bashkësisë së Sindikatave të Kosovës.

Kështu pas kësaj ngjarjeje historike që përjetoi klasa punëtore shqiptare, në Kosovë mbetën pa punë edhe shumë inetelektuarlë me kualifikime të larta të profileve të ndryshme. Njëri ndër ta ishte edhe vetë Lili. Ai përveç dënimit me burg, më 1981, kur u dënua 11 vjet, e ndër to i mbajti 10 vjet, mbeti edhe pa punë. Mirëpo, atë nuk e brente aq problemi i vet personal sa çështja e përgjithshme e papunësisë së shtresës intelektuale, ndaj tepër i dëshpëruar dhe i revolutar për këtë gjendje të rëndë të kuadrove tona ai shpesh më drejtohej me këto fjalë:
-O Bit-o, a sheh ti se në ç‘gjendje ekonomike kemi katandisur? Armiku ynë shekullor na ka prekur në magje.
Kur filluan Demonstratat e Përgjithshme të Pranverës së Madhe Studentore të vitit 1981, njëri nga delegatët shqiptar, funksionar politik besnik i politikës serbomadhe dhe tradhtar i popullit, Ali Shukriu, në një mbledhje të partisë dhe Komitetit të LKJ-ës pati propozuar:
“Shqiptarët janë popull kryefortë. Rebelizmi i tyre mund të gjunjëzohet vetëm, duke i shtrënguar me uri të bukës. Atyre duhet tharë magjen ashtu siç vepruam në vitet e pasluftës 1945-1951, duke i ngarkuar me “teprica” drithi, duke ua fshirë magjen me krah pule, ua morëm edhe kafshatën e fundit të gojës, atëherë ata u gjunëzuan. I shpartalluam edhe bandat e fundit të ballistëve në male. Si duket ka ardhur koha që të zbatojmë përsëri këtë metodë praktike kundër rinisë rebeluese shqiptare dhe kundër popullatës shqiptare në përgjithësi, veçanërisht kundër të padëgjueshmëve, në Kosovë. Kjo është e vetmja masë dhe i vetmi ndëshkim që i përulë shqiptarët”.
Dhe vërtetë, ndonëse pushtetarët serbë haptaz nuk i thanë “aferim” renegatit shqiptar, ata vepruan pikërisht ashtu siç u propozoi renegati Ali Shkuriu. Një popull i tërë u nxor nga puna, duke menduar se ata do të dorëzohen dhe do të heqin dorë nga kërkesat e tyre shekullore për liri e pavarësi. Mirëpo, armiku ynë shekullor serbosllav, në krye me renegatin shqiptar Ali Shukriun, u mashtruan keq. Në gjirin e popullit shqiptar u krijua një front i përbashkët dhe unik kundër pushtetit serb. Hendeku u thellua ndërmjet popullit shqiptar dhe serboçetnikëve deri dje të maskuar nën parullën demagogjike të “vëllazërim – bashkimit”. Urrejtja u shtua dhe revolta rritej për çdo ditë e më tepër. Prandaj, për ë mos u bërë vegël e armikut, për të mos u gjunjëzuar para masave drakonike ekonomike, populli shqiptar, e veçanërisht inelektualët, jo që nuk ngurronin të kryenin çfarëdo pune të ndershme, por edhe krenoheshin me qëndrimin e tyre stoik, duke kryer punë të ndryshme fizike, tregtie, madje edhe hamallëku të thjeshtë, për të cilat nuk duhej kurrfarë kualifikimi shkollor.
-Prandaj, po të them o Bit, se sot nuk është çudi se në rrugë, në tezga, punëtorë krahu fizik, sheh edhe mësues, arsimtarë, inxhinierë, ekonomistë, doktorë e shkencëtarë, etj. Ata i gjenë si shitës nëpër rrugë, në trotuare të qyteteve tona, shesin plaçka të ndryshme, pjekin gështenja e kallamoça shtalba në rrugë, ushtrojnë edhe punën e hamallëkut me karrocë etj. Ndërkaq, ata që kanë pasur ndonjë zeje, të cilën e kanë mësuar nga babai apo nga ndokush tjetër, ata kanë qenë të privilegjuar, si mjeshtër kanapesh, muratorë, rrobaqepës, molerë, etj. Madje edhe kasapë e mishshitës. Një pjesë e tyre janë detyruar të merren edhe me tregti. Ata ballafaqoheshin me këto vuajtje e vështirësi, vetëm e vetëm për të fituar kafshatën e gojës për vete dhe për familje. Duke ushtruar çfarëdo zeje, intelektualët tanë në mënyrë stoike po mbijetojnë skamjen dhe papunësinë – o Bit!
– E more Lil, të gjitha këto vështirësi që i numërove ti, do të ishin shumë më të lehta sikur pushteti serbosllav mos t’i pengonte intelektualët tanë që t’i kryejnë me mund, me djersë e me nderë. Mirëpo, ata i ndjek këmba këmbës policia financiare, e cila përfaqëson formën më perfide të plaçkitjes jo vetëm të firmave të ndryshme shtetërore, firmave private, bankave etj, por edhe kundër shitësve e tregtarëve të vegjël, që shitnin plaçkat e blera për fitim ditëve të tregut në treg, duke u ndenjur si korbat mbi krye, iu vërsuleshin si kaçubeti, e rrethonin tregun ua konfiskonin mallin kinse ishte pa leje dhe kontraband, ua plaçkitnin të gjitha paratë që ua gjenin në xhepa – fitimin ditor, duke u kthyer në shtëpi me gishta në gojë. Madje ndaj disave që reagonin, apo kishin qëllime të caktuara politike i torturonin edhe fizikisht, i arrestonin. Por ka pasur edhe raste të vrasjeve tragjike, siç e pësoi ai që ishte duke shitur cigare në treg. Policët serbë, lëre që e vranë, por edhe e shpallën “terrorist”, duke ia vënë revolën në dorë, kinse kishte sulmuar policët fizikisht, ata e vranë gjëja në vetëmbrojtje. Gjepura. Thuase ky popull po ha bar, e nuk sheh, nuk dëgjon e nuk di se ç‘po ndodh. Ai i di të gjitha, o Lil. Dhe kjo anë është edhe më e vështirë.
-Po o Bit ashtu është. Më vjen mirë që më plotësove kaq fuqishëm. Mirëpo, ky popull i përvuajtur nuk po vuan për sy të zi. Ai po akumulon urrejtje dhe energji për një luftë të re. Dhe do të vijë një ditë që tek ai do të shpërthejë i gjithë ky mllef dhe kjo urrejtje kundër armikut, sepse s’ka forcë më të madhe se urrejtja e popullit, kur ajo shndërrohet në energji vullkanike. Bota nuk rri gjithmonë njësoj, ajo ndërron dhe Zoti maron shkallë – thotë populli ynë. Mirëpo e ka thënë shumë më bukur, në mënyrë më largpamëse dhe gjeniale shkrimtari dhe poeti ynë, rilindasi, Don Ndre Mjeda:
“Bylbyl ky shekull
Or e ças ndërrohet,
Bijnë posht të naltit,
I vogli çohet”.
Pra, kjo gjendje e vështirë ekonomike Bit-o është një parapërgatitje shpirtërore për luftë. E lufta gjithmonë i ndërron gjërat, i ndërron rolet dhe pozicionet ndërmjet sunduesit dhe të sunduarit.
E unë e di, po e shoh, po e ndjej, po e kuptoj dhe po punoj në këtë drejtim o Bit, por këtë po ta them vetëm ty, e ti askujt.
Liria e pavarësia e një populli nuk fitohet pa sakrifica të mëdha, qoftë edhe me jetra e me gjak, nuk e kemi çare herëdokurdo pa u kacafytur me armikun e egër e barbar serb.
Kur ma tha këtë mendim kaq të prerë e kaq të vendosur, atëherë e kuptova rrugën e pakthim të Lilit tim.
SHTËPITË TONA – SHKOLLA
Armiku ynë shekullor duke parë se populli shqiptar po marshon me hapa të shpejt drejt arsimimit dhe emancipimit të përgjithshëm kombëtar, jo vetëm të gjinisë mashkullore, por edhe të asaj femërore, shihte një rrezik të madh në vetëdijësimin e masës popullore. Për armikun ishte i mirë vetëm njeriu me plis, bujku e lavërtari analfabet, bariu e rrogëtari, sharraxhiu e pastruesi i rrugëve, ndërsa nxënësit e studentët, mësuesit dhe profesorët, e intelegjenca shqiptare në përgjithësi, ishte e dyshimtë për të, sepse nga kjo shtresë rekrutoheshin vazhdimisht armiq të rinj që nuk pajtoheshin me politikën shfrytëzuese dhe asimiluese serbosllave.
Në vitin e largët, 1956 serboçetnikët imagjinuan grumbullimin e armëve nga populli shqiptar, sepse këta kinse po përgatitnin një Kryengritje Gjithëpopullore në Kosovë kundër sistemit socialist dhe kundër “vëllazërim – bashkimit” jugosllav.
Udbashët ushtruan dhunë e terror të paparë mbi popullin shqiptar, duke i rrahur pamëshirshëm fshatarët shqiptarë, pati edhe raste vrasjeje, vetëvrasjeje dhe varjeje, vetëm për të mos u rënë në duar xhelatëve të UDB-ës.
Dhe kur i mblodhën armët, një udbash në shenj sihariqi e njoftoi pop Perën në Gjilan: – I kemi çarmatosur të gjithë shqiptarët.
I kemi mbledhur të gjitha armët prej tyre. Më nuk ka rrezik prej shqiptarëve.
Ata kanë mbetur si gjarpëri pa dhëmb që nuk mund të të kafshojë.
A e di ç‘i tha pop Pera atij udbashi: Asgjë nuk keni bërë. Nuk e keni çarmatosur popullin shqiptar, por e keni armatosur. Sepse në vend se t’ua merrni pushkët, ju u keni dhënë topin – Si është e mundur kjo që thoni pop Pero? – u shtang dhe u tmerrua udbashi i habitur, mbeti pa gojë dhe priste t’ia shkoqiste pop Pera në hollësi.
-Po, po, është e mundshme, mos u çuditni aspak, sepse ju ua keni marrë pushkët popullit shqiptar, por u keni hapur shkollat dhe u keni dhënë të drejtën e shkollimit. E shkollat janë top. Ato janë armët më të rrezikshme për ne, me të cilat herdokurdo ata do të na luftojnë neve – e bindi me fjalë e me fakte pop Pera udbashin shkurtpamës e trashaman.
Dhe kështu nga kjo ide, pas katër dekadash u mbyll Universiteti i Prishtinës, u mbyllën shkollat e mesme, madje në shumë vende edhe disa shkolla tetëvjeçare. U larguan studentët nga konviktet, u helmuan më se 7000 nxënës shqiptarë. Në të vërtetë armiku përpiqej të mbyllte shkollat shqipe dhe të rianalfabetizonte tërë popullatën shqiptare.
-Mirëpo, një ndërmarrje e këtillë, që ishte një aparthejd i vërtetë, sot nuk është e mundshme të realizohet o Lil – ia thash me shqetësim të madh, por edhe me krenari e vetëbesim të plotë për një dështim total të armikut.
-Ashtu është o Bit, sepse armiku këtu është vonuar shumë, kurse ne kemi ecur më shpejt se planet e tyre djallëzore. Një punë e tillë do të mund të bëhej në fillim, menjëherë pas lufës së Dytë Botërore. Atëherë kur vërtetë më se 90% e popullatës shqiptare ishte analfabet. Mirëpo, sot kur kemi një armatë nxënësish e studentësh të dy gjinive të arsimuar e të kualifikuar për profile të të gjitha lëmënjve shkencorë, është i kotë dhe i parealizueshëm qëllimi djallëzor serbosllav. Tahir Berisha, një plak i urtë i maleve të Berishës së Drenicës kishte pasë thënë:
“Populli shqiptar do të çlirohet nga robëria shekullore, kur të vijë koha që gjyshja ta dërgojë mbesën ose nipin për t’ia blerë gazetën”, sepse nuk mund të rrijë pa e lexuar atë. Ajo bëhet ushqim shpirtëror i ditës. Sa largpamës ishte ky plak i urtë i maleve tona. Dhe vërtetë sot ka ardhur koha kur edhe gjyshet e nipave tanë janë shkolluar e arsimuar. Arsimi e shkolla janë bërë ushqim yni shpirtëror.
Sot shqiptarët e Kosovës nuk mund të jetojnë pa shkolla dhe pa arsimim, ashtu siç nuk mund të jetojnë pa ajr, pa ujë e pa bukë. Shkolla është bërë bukë e krypë, është bërë si shujtë e përditshme shpirtërore. Populli shqiptar me shekuj e ka përjetuar etjen për dije, për shkollim e arsimim. Pikërisht për këtë arsye ai sot nuk mund të rrijë pa shkolla.
Prandaj kur okupatori serb urdhëroi që me dhunë të mbyllen shkollat shqipe në Kosovë, populli shqiptar hapi zemrat e veta dhe shtëpitë i shndërroi në shkolla. Mësimet u zhvilluan në podrume, garazha, shtalla, shkolla të improvizuara me najllon, nga njëra anë, por pati raste që mësimet i zhvilloi edhe në kuzhina, dhoma fjetjeje e dhoma pritjeje, por edhe nëpër oda, nga ana tjetër. Dhe kështu odat tona, të cilat gjithmonë luajtën rolin e shkollave, ku arsimoheshin dhe edukoheshin patriotët e shquar, u kthyen në univeristet të vërtetë.
I gjithë Universiteti i Prishtinës ndërtoi rrjetin e vet shkollor nëpër shtëpitë – shkolla. Është i njohur arsimdashësi Haxhi Hamdi Aliu, i Kodrës së Trimave, i cili bashkë me bijt e vet, dy shtëpitë e veta i shndërroi në shtëpi – shkolla. Raste të këtilla ka plot jo vetëm në Prishtinë, por në mbarë Kosovën.
Zhvillimi i procesit mësimor në shtëpitë – shkolla ishte rast i një dukurie unikate në botë. Bota as nuk mund ta kuptonte mundësinë e zhvillimit të mësimit në shkolla të tilla. Ndërsa pushteti serb, këto shkolla i quante shkolla ilegale dhe primitive, ku nuk mund të mësohen kurrfarë njohurishë mësimore. Në mënyrë të pavetëdijshme një mësim të këtillë në mungesë të njohjes së rrethanave politike në Kosovë, si padashtas e pat shprehur edhe shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadareja, kur pat thënë se këto shkolla, nuk mund të jenë shkolla të vërteta, por ato janë shkolla karikaturë. Një mendim i këtillë i pat dhimt çdo pronari të këtyre shkollave, çdo mësimdhënësi e çdo nxënësi e studenti. Ndonëse në këto shkolla nuk ka pasur as kushte minimale për punë dhe mësim, por ka pasur vullnet, vendosmëri e qëllim të caktuar për të mos hequr dorë nga shkollat tona amtare shqipe. Për këto shkolla u derdh edhe gjak dhe u sakrifikua shumë. Madje protestat e studentëve në krye me rektorin e tyre prof. Dr. Ejup Statovcin e prorektorin prof. Dr. Ahmet Gecin, historianin e njohur dr. Zekeria Canën, e shumë të tjerë, më 1 tetor 1997 që u zhvilluan në lagjen e Velanisë, u nisën drejt qytetit, duke qëndruar trimërisht para tytave të tanksave serboçetnike, pikërisht kishin për qëllim mbrojtjen e Universitetit dhe të shkollës shqipe.
Këta patriotë mandej shpejtuan edhe daljen në skenë të UÇK-ës. Një qëndrim i këtillë stoik e heroik dëshmoi se sa e fortë ishte etja dhe dashuria e popullit shqiptar për shkolla, për dije e arsimim, për të cilin ky popull ishte në gjendje edhe të sakrifikohej e të vdiste, duke bërë luftë të pakompromis për shkollën shqipe. Prandaj, shikuar në retrospektivë pop Pera kishte pasur të drejtë kur e kishte qortuar udbashin për çarmatosjen e popullit shqiptar, duke ua marrë armët e ndryshkura, por duke i lejuar të hapnin shkollat në gjuhën e tyre amtare. Ai e kishte ditur se një ditë do të ballafaqoheshin me këtë problem në një konflikt të ashpër ndërmejet pushtetit hegjemonist dhe fashisoid serb dhe popullit arsimdashës e liridashës shqiptar.
Këtu konflikti ishte i pashmangshëm, sepse ose serbët duhej të hiqnin dorë nga qëllimet e tyre grabitçare e shoveniste, ose shqiptarët të hiqnin dorë nga liria e arsimimi në gjuhën e tyre amtare. E meqenëse të dy palët ishin të vendosur në dy drejtimet diametralisht të kundërta njëri nga tjetri, konfrontimi ndërmjet tyre do të jetë i pashmangshëm. Ky edhe ndodhi me fitoren e dritës mbi errësirën, të drejtës mbi të padrejtën, humanizmit mbi barbarizmin, dashuria mbi urrejtjen, fitoren mbi disfatën, lufta e drejtë e popullit shqiptar e përkrahur nga aleatët e tij kundër hegjemonizmit fashisoid dhe luftës ekspansioniste të popullit serb, që pësoi me disfatë të turpshme.
KTHIM PRAPA NUK KA
Në bisedat e mia të përditshme që zhvilloja herëpashere me Lilin, unë e kuptoja drejt atë se në rrugën që ishtë nisur ai kthim prapa s’kishte. Ai ishte i përgatitur qoftë shpirtërisht qoftë fizikisht për një luftë të gjatë, por që përfundimi i saj domosdo do të ishte fitorja. Dhe në rrugën që ishte nisur ai apelonte një unitet e bashkim forcash mendore e fizike gjithëkombëtare në forma e varianta të ndryshme kundërshtimi e luftimi kundër armikut tonë shekullor.
Ja se çfarë porosie më la ai një ditë, në një ligjëratë të gjatë, duke m’u drejtuar me këto fjalë:
-Përditshmëria jonë, synimet dhe qëllimet tona duhet të jenë të përhershme e të paluhatshme drejt realizimit të tyre, pavarësisht sesa do të zgjas kjo kohë, sepse ato një ditë patjetër do të realizohen.
Ne duhet patjetër të udhëhiqemi me plane të caktuara, që i kundërvihen armikut dhe që do të përfillen nga Evropa dhe nga mbarë bota paqëdashëse. Mirëpo, këtë propagandë tonën ne nuk duhet ta bëjmë me fjalë, por me vepra e me punë të vazhdueshme e të pandërprerë, duke i treguar botës me fakte se kush jemi, nga e heqim origjinën si popull i vjetër në trojet ballkanike, sa jemi në numër dhe kë kemi armik e kë kemi mik, kush na përkrah e kush lufton kundër synimeve tona. Më parë duhet zbuluar e përfituar miqtë, e pastaj duhet përkrahur ndihmën e tyre ashtu siç duhet njohur më parë armiqtë tanë, ndaj të cilëve gjithmonë duhet të jemi syçelë e vigjilent, sepse të gjitha të këqiat mund të na vijnë prej tyre. Vetëmashtrimi është verbërim dhe hutim në politikë, o Bit!
Në këtë drejtim prej nesh kërkohet të jemi sa më të vendosur dhe të trimëruar në iniciativat dhe luftën tonë të gjatë për liri e pavarësi, nga njëra anë, por duhet të jemi objektiv, vetëkritik e real, duke mos u rrëmbyer nga ndjenjat tona subjektive, se përndryshe jo vtëm që bota nuk do të na kuptojë, por as nuk do të na përkrah e ndihmojë, por do të na nxjerrë pengesa të reja dhe do të na izolojë nga qëndrimet e orientimet zhvillimore të gjithmbarshme të tyre, nga ana tjetër – o Bit!
Në tërësi me këtë që m’u drejtua mua Lili, paraqiti njëlloj memorandumi shumë të detajizuar. Ai shtroi çështjen shqiptare në shumë rrafshe e dimensione të konktekstit politik e gjeopolitik e luftarak në zhvillimin e luftës.
-Dëgjo Bit-o, kjo çështje duhet programuar mirë e bukur me ekspertë të të gjitha profileve shkencore. Mirëpo, pjesa dërrmuese e tyre nuk kishin guxim, sepse bisedat tona ishin përgjuar posa kishin filluar, veçanërisht kur ishte fjala për mallrat strategjike derivatet e cigaret, mbi të cilat ndoshta ka pasur dorë dikush tjetër, i cili me ngulm ka mbrojtur interesat e veta. Ndërkaq, disa më thonin se nuk guxojmë të lëshohemi në këto ujëra, sepse mund të humbim përkrahjen e bashkësisë ekonomike evropiane dhe ndërkombëtare. Meqenëse këto probleme janë shumë të ndjeshme dhe duken të pazgjidhura në shikim të parë, nga ne kërkohet që të gjejmë zgjidhje, por duke qenë të matur e të saktë në konstatimet tona duhet secili prej nesh të marrë obligimet, barrën dhe përgjegjësinë që i takon. Kosova është peng yni, ne asaj patjetër duhet t’i japim një zgjidhje të përhershme. Cila është kjo zgjidhje? Më parë çlirimi nga robëria dhekullore serbe. Si mund të bëhet kjo zgjidhje?
Në radhë të parë duke qenë unik të gjithë intelektualët, të gjitha partitë, i gjithë populli. Prej nesh lypset guximi e veprimi, angazhimi i pandërprerë qoftë edhe me sakrifica të mëdha lufte për të cilën duhet të jemi të gatshëm të gjithë, i tërë populli. Dhe kur vendos populli s’ka fuqi që mund ta kthej prapa, ai do të ecë përpara. Ngjarjet tona për t’i afirmuar në mbarë botën duhet t’i përcjell gazetari e televizioni evropian e botëror, sepse lufta nuk bëhet vetëm me pushtkë, por edhe me media. Populli ynë thotë se lufta bëhet në tri mënyra e zhvillohet në tri fronte kryesore: me dije, me pasuri dhe me trimëri. Do të thotë intelektualët që kanë dije e aftësi mendore duhet t’i angazhojnë të gjitha aftësitë e tyre intelektuatle e mendore në shërbim dhe në dobi të popullit të vet, e veçanërisht kur ai gjendet nën thundrën e huaj, ndihma e tyre në formë mendimi e ideje, plani e projekti strategjik ekonomik apo ushtarak është tepër i nevojshëm. Ndërkaq, të pasurit, tregtarët, bujqit, zejtarët, farmerët, etj. Me pasurinë e tyre, me ndihmën e tyre financiare e materiale, mundësojnë realizimin e shumë nismave e ndërmarrjeve aksionale, planeve dhe projekteve tona kombëtare. Ndërsa kur nga ndihma intelektuale e dijetarëve dhe nga ndihma financiare e materiale e pasanikëve janë bëra gati të gjitha, njerëzit e gatshëm për sakrifica, të cilët mbi të gjitha e duan dhe janë të gatshëm të vdesin për atdheun e vet, janë ushtarët tanë trima, luftëtarët, dëshmorët dhe heronjt e popullit tonë. Pa këta tre faktorë që i zumë ngoje nuk mund të fitohet liria. Liria është nisur rrugës së saj, ndonëse rruga e saj nuk është e shtruar me lule, por ajo është një rrugë zikzake me gjemba e vështirësi të mëdha, ajo domosdo o Bit, një ditë do të triumfojë. Unë jam i bindur në këtë rrugë, ndaj pikërisht për këtë unë jam nisur në drejtim të saj, jam bërë bashkudhëtar i saj dhe po jetoj për të e me të deri në frymëmarrjen time të fundit. Unë po e shoh, po e ndjej dhe po e përjetoj Kosovën e Lirë.
KRAHU IM I DJATHTË ËSHTË TINA
Jeta ka shumë stacione. Secili zbret në stacionin e vet. Dikush zbret në stacionin e autobusit, kurse dikush tjetër në stacionin e trenit, disa në aeroportin e aeroplanit, kurse disa në limanin ose portin e anijeve. Mirëpo, unë nuk kisha ku të shkoja as ku të zbrisja, veç të shkoja te Nëna Zade, sepse fëmijët e mi u tretën diku në Evropë, kurse bashkëshortja ime e dashur dhe e respektuar, Tina, që ishte krah imi i djathtë në jetë më vdiq. Mbeta pothuaj i vetmuar, mbeta me Kosovën.
– Kështu e ngushëllonte veten Lili në raste përmallimi e nostalgjie për bashkëshorten e vet – Tinën.
Dhe vërtetë Tina ishte një grua e edukuar dhe arsimuar në frymën patriotike. Ajo ishte jo vetëm nënë e amvise e përkryer, por edhe bashkëshorte ideale.
Me Lilin kishin raporte shumë të mira jo vetëm bashkëshortore, por edhe ideore. Ajo pajtohej plotësisht me platfomën ideore të Lilit të saj. Madje, jo vetëm që e përkrahte, por edhe e ndihmonte në aksione konkrete. Idetë e Lilit e porositë e tij ajo i përhapte dhe i shpërndante anembanë Kosovës. Ajo ishte një trimëreshë sokoleshë që nuk i trembej syri nga kërcënimet e armikut. I përballoi të gjitha vështirësitë jetësore, por kurrë nuk u ligështua as nuk u gjunjëzua para rreziqeve të gjendura.
– VIJON –
_________________________
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (10)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11138

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura