Në kujtim të dy atdhetarëve që u vranë nga dora e kriminelëve serbë në vitin 1999
Sabri e Nuhi Reka janë pjesë e lirisë së Kosovës
Nga Prof. Dr. Nusret Pllana
Kur në flakë digjej Ballkani
Nga Sulltanët e Dovletit
N’ Vuçitërnen legjendare u kalit zemra bujare
N’ato kohë me erë baroti
Kur lirisë i zihej fryma
Dha kushtrimin trim Hasan Prishtina!
Me këto vargje e fillonim çdo koncert që e organizonim në kuadër të programeve të shpeshta kulturore – artistike të Ansamblit arstistik “Hasan Prishtina” të Prishtinës, në ballë me tashmë martirët e kombit, vëllezërit Sabri e Nuhi Reka.
Këtu e 40 vite më parë, saktësisht në mars të vitit 1984, me propozimin e Sabri e Jahir Dragushës, aktivista e veprimtarë të palodhshëm të çështjes kombëtare, por edhe me përkrahjen time të parezervë dhe popullit e rinisë shqiptare të Bashkësisë Lokale të Bardhoshit, themeluam Ansamblin artistik “Hasan Prishtina” të Prishtinës, për ta bërë deri në vitin 1996 njërin nga Ansamblet më serioze, jo vetëm të Komunës së Prishtinës, por edhe më gjerë.
Jo rastësisht, udhëheqës artistik ishte instrumentisti i dalluar Sabri Reka, por dorë të djathtë e kishte edhe të vëllanë Nuhiun, Mehdiun, Avniun e plot djem e vajza të kësaj ane, të cilët edhe pse në ato kushte e rrethana të rënda të okupimit klasik serb mbi ne, siç thuhet në popull “kur pasuli zihej me nga një kokërr”, nuk kishte forcë që t’i ndalte, bile – bile, ishin aq të përkushtuar e të disiplinuar dhe të vendosur për t’i arritur sukseset maksimale, përmes programeve dhe koncerteve të shumta me karakter edukativ, kulturor e patriotik, sa që edhe pse të përcjellur hap pas hapi nga organet e pushtuesit barbarë serb, nuk i ndalte asgjë, bile edhe dimrit, as shiu as bora.
Prandaj të dashur vëllezër e motra, asgjë nuk ka të rastit në këtë botë, sikur nuk është e rastit që, sot e 25 vite më parë( më 18 prill 1999), Sabriu e Nuhiu u vranë nga dora gjakatare serbe, në pragun e shtëpisë së tyre, në prezencë të prindërve të tyre, vëllezërve e motrave të tyre, në prezencë të fëmijëve të tyre.
Me këtë rast, ata barbarë (kojshi të parë të tyre), në krye me kriminelin Trajko Sllavkoviç, në bashkëpunim me ushtrinë dhe policinë çetnike serbe, me skenar të përgatitur paraprakisht, qëllim e kishin shfarosjen e Familjes së Madhe patriotike Reka.
Epilogu megjithatë ishte shumë tragjik: Aty mbetën të vrarë:
1) SHEHIDE BRAJSHORI- REKA, ishte bashkëshortja e Imer Rekës. Pas vetes kanë lënë tre djem dhe pesë vajza; Avniun, Mehdiun, Bejtushin, Ikballen, Shukrijen, Meriten, Haliden dhe Ilfeten.
2) FATMIRE GASHI- REKA , ishte bashkëshortja e Ejup (Ali) Rekës. Fëmijët e tyre janë; Shqipja, Lulzimi, Albana, Eminja, Nora dhe Premtim Reka. Të gjithë me përgatije superiore.
3) SABRI (ALI) REKA, u vra në prezencën e djalit të tij Petritit 3 vjeçar. Bashkëshortja e tij Ibadetja( një heroinë e gjallë me plotkuptimin e fjalës), u bë edhe nënë edhe baba, për voglushët e tyre Petritin e Granitin, i rriti, i edukoi dhe i frymëzoi shqiptarisht. Ata tashmë janë bërë burra të pjekur dhe kanë arritë shkollim të lartë superior.
4) NUHI (ALI) REKA, ishte vetëm 28 vjec kur u vra nga cetnikët serb të fshatit Bërnicë. Nuhiu kishte mbaruar shkollën e mesme Ekonomike dhe punoi si automekanik.
5) AJVAZ (AVDYL) REKA, ishte i biri i Avdyl Rekës dhe i sapomartuar. U vra në moshën 22 vjeçare.
6) AFËRDITA REKA, ishte bashkëshortja e Ajvaz A. Rekës., u vra po atë ditë, më 18 prill 1999, siç u vra edhe
7) ÇERKIN (ADEM) BERISHA
Hyrje
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç dihet, as nuk ka pikur nga qielli, as nuk ka dalë vetiu nga toka. Ajo është organizuar nga të gjithë veprimtarët kombëtar, që pas ripushtimit të Kosovës nga Serbia, në vitin 1945. Shëmbëllimet e edukatës atdhetare vijnë që nga lashtësisë e Mesjetës shqiptare, njëra ndër periudhat më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Luftërat më shumë se njëzet e pesë vjeçare, nën udhëheqjen e strategut të përmasave botërore, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kundër perandorisë më të madhe të kohës, janë pjesë e kujtesës atdhetare të shqiptarëve nëpër shekuj, kudo që kanë jetuar ata, në atdhe, në pjesët e pushtuara të atdheut apo në mërgatën e madhe shqiptare kudo nëpër botë. Jo, rastësisht, andaj edhe kultura evropiane figurën e Gjergji Kastriotit Skënderbeut, e ka bërë pjesë të kulturës së saj. Kjo shkollë e madhe e lirisë kombëtare, gjen zbatim praktik edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila me veprimin e saj ushtarak, është bërë shëmbëllim i edukimit atdhetar të shqiptarëve. Kësisoj, vijmë deri te Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila pastaj ka lindur edhe dy bijat e saj, luftën e Ushtrisë së UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte shkolla e edukimit atdhetar edhe të dy veprimtarëve, Sabri dhe Nuhi Rekës, të cilët nuk kanë kursyer asgjë për të ardhur liria e kësaj pjese të atdheut, deri kur janë pushkatuar nga forcat pushtuese serbe, të cilët ishin edhe fqinjë të tyre.
Ata i këndonin lirisë kur ishte e ndaluar
Si kudo në Kosovë dhe në viset e tjera të atdheut të pushtuar, edhe në Bërnicën e Epërme, në vendlindjen e tyre, Sabri dhe Nuhi Reka, kishin gjetur mënyrën për ta luftuar pushtuesin. Ata ishin pjesë e rëndësishme e Ansamblit folklorik ‘‘Hasan Prishtina’’ që e kishte selinë e veprimtarisë në Bardhoshin e sotëm të Prishtinës. Do të thotë, kjo ishte njëra nga format e organizimit të qëndresës, njëra nga mënyrat e veprimit të atdhetarëve shqiptarë, që ishin bërë pjesë e veprimtarisë atdhetare të organizatave të fshehta atdhetare, që kanë vepruar në Kosovë dhe jashtë saj, nëpër periudha të ndryshme. Prandaj, nuk është gjë gand dhe e rastit, se veprimtarët përherë janë ndjekur, janë dënuar dhe janë likuiduar nga pushteti serb, qoftë gjatë ish-Jugosllavisë socialiste, qoftë kur Serbia, pas luftërave të përgjakshme, bëhet shtet me vete. Vëllezërit Sabri dhe Nuhi Reka, të cilët janë vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre, para anëtarëve të tjerë të familjes, prindërve dhe fëmijëve të tyre, në mënyrën e tyre, me veprimtarinë e tyre, sidomos gjatë pjesëmarrjes aktive në Ansamblin folklorik ‘‘Hasan Prishtina’’, kishin rënë në sy të fqinjëve të tyre serbë, të cilët edhe i kanë vrarë në mënyrën më çnjerëzore të mundshme. Të dy vëllezërit, Sabri dhe Nuhi Reka, instrumentistë të mrekullueshëm të Ansamblit folklorik ‘‘Hasan Prishtina’’ i jepnin zë ardhjes së lirisë, jo vetëm me muzikën e tyre, jo vetëm me këngën e tyre, por edhe me pjesëmarrjen e tyre në të gjitha veprimtaritë e këtij ansambli. Doemos, ata kishin rënë në sy të fqinjëve të tyre, të kriminelëve të tipit të Trajko Sllavkoviqit, të cilët bashkë me pushtetin okupues të Serbisë ushqenin ëndrrat se Kosova do të bëhej Serbi. Por, vetë kënga e tyre, vetë veprimtaria e tyre në frymën e kulturës kombëtare, që kultivonte Ansambli ‘‘Hasan Prishtina’’ ishte dëshmia më e qartë se ata ishin pjesë e përgatitjes së ardhjes së lirisë, me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata, edhe pas burgosjes sime ( autor i këtij shkrimi) për veprimtari atdhetare nga pushtuesi serb më 1986, vazhduan dhe nuk e ndërprenë aktivitetin e tyre patriotik, duke i pas krahë tërë familjen Reka, Dragusha e Pllana, e sidomos vëllain e tyre të madh Ejupin(veprimtar i dëshmuar i çështjes kombëtare) dhe përherë i përcjellur nga pushtuesi gjakatar serb, duke i pas krah të fortë Metush e Hajdin Dragushën dhe Muhamet R. Pllanën, kontribuesin e jashtëzakonshëm, gazetarin dhe humoristin e mrekullueshëm Shani Sejdiun – ish i burgosur politik në të njejtën Organizatë ilegale me mua, këngëtarët me zë bilbili Skender Berisha( e kishin shok të pandashëm deri në vdekje), Naim Shala e Gëzim Shala, Naime Osmani, Sadbere Zhushi, Nazlije Behadini, Edmond Belegu e Prof.dr.Fraim Gashi – instrumentist i Kontrabasit, Prof.Hyrije Veliu( luftëtare e lirisë së UÇK-së), pastaj edhe këngëtarët e instrumentistët profesionistë Bahri Rashiti, Xhelal Osmani e Besim Pllana, Bedri, Bastri, Ylfete, Drita, Emin, Fikrije, Sadete, Ilvije e Safet Dragusha, e shumë e shumë të tjerë, tashmë disa prej tyre ligjërues, Profesorë, mjekë, inxhinierë e doktorë shkencash, të cilët kontribuan aq shumë në ngritjen e vlerave të mirëfillta kulturore e kombëtare të rinisë shqiptare, sa që Ansamblin “Hasan Prishtina” e ngritën në piedestalin e Shoqatave dhe Ansambleve më serioze e më të suksesshme të viteve tetëdhjeta e nëntëdhejta të fundshekullit XX.
Ata ishin kudo ku ishte kënga që frymëzonte ardhjen e lirisë
Kur në vitin 1984 në fshatin Bardhosh të Prishtinës, formohet Ansambli folklorik ‘‘Hasan Prishtina’’, deri në vitin 1996, kur ishte pamundësuar veprimtaria e tij, ata, të dy vëllezërit, Sabri dhe Nuhi Reka, jo vetëm ishin anëtarë aktivë të këtij ansambli, po mbi të gjitha ata ishin ndër shtyllat kryesore të veprimtarisë që zhvillohej në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të traditës sonë kombëtare. Do të thotë, jo vetëm me praninë e tyre, jo vetëm me pjesëmarrjen në të gjitha organizimet, jo vetëm me të gjitha paraqitjet para qytetarëve të Kosovës, e sidomos të komunës së Prishtinës, por ata ishin edhe mjeshtër të instrumenteve popullore, duke kultivuar kështu frymën atdhetare të të parëve të tyre, në radhë të parë( të gjyshit të tyre Muharremit e babait të mrekullueshëm bacës Ali), si dhe duke ruajtur me kujdes vlerat e folklorit shqiptar. Në këtë mënyrë, duke u bërë pjesë e veprimtarisë atdhetare të Ansamblit ‘‘Hasan Prishtina’’, ata bëhen pjesë e edukimit të rinisë së Kosovës se pa lirinë e atdheut, asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme. Kënga që ata kultivonin, që ishte pjesë e veprimtarisë së Ansamblit, muzika që ata krijonin, ishte njëra nga mundësitë për ta luftuar robërinë e Kosovës, e cila vinte përherë e duke u bërë më e padurueshme. Me pjesëmarrjen e tyre në veprimtarinë e këtij Ansambli, më shumë se 12 vjeçare, ata dëshmonin se ishin pjesë e përgatitjes së rrugës së madhe të ardhjes së lirisë, e cila, edhe sipas përvojës së të parëve të tyre, gjyshi dhe babai, po ashtu të ndjekur dhe të keqtrajtuar, nuk vinte pa luftën e armatosur, nuk vinte pa gatishmërinë e shqiptarëve që të sakrifikojnë çdo gjë, edhe jetën në emër të lirisë së atdheut. Fqinjët e tyre serbë, të cilët ishin nën urdhërat e Beogradit pushtues, e dinin këtë veprimtari të tyre, siç e dinin punën e secilit njeri, jo vetëm në Bërnicën e Epërme, që ishte vendlindja e tyre, por kudo në Kosovën e robëruar. Kriminelët serbë, si Trajko Sllavkoviq , vetëm kishin pritur rastin që gjithë urrejtjen e tyre patologjike kundër shqiptarëve, ta zbraznin edhe mbi popullatën civile dhe të pambrojtur. Andaj, ata në Bërnicën e Epërme, vrasin jo vetëm Sabri dhe Nuhi Rekën, dy instrumentistë të mrekullueshëm, por edhe pesë qytetarë të tjerë, secili më i pafajshëm se tjetri. Të vetmin faj e kishin se ishin shqiptarë, për të cilët Serbia pushtuese kishte hartuar plane ushtarake për zhdukjen e tyre.
Përfundim
Me veprimtarinë e tyre kulturore, me edukatën e tyre familjare të atdhedashurisë, Sabri dhe Nuhi Reka, dashurinë ndaj lirisë së atdheut, e kanë manifestuar edhe me pjesëmarrjen e tyre në Ansamblin folklorik ‘‘Hasan Prishtina’’. Me pjesëmarrjen e tyre, ata bëhen pjesë e të gjitha përpjekjeve që bënte populli shqiptar për të hapur rrugët e ardhjes së lirisë. Prandaj, mund të thuhet me bindje të plotë, se Sabri dhe Nuhi Reka, si dhe të vrarët e tjerë të Bërnicës së Epërme( Shehide, Fatmire, Ajvaz e Afërdita Reka, si dhe Çerkin Berisha, janë pjesë e lirisë sonë, të cilën e gëzojnë shqiptarët kudo që janë, si dhe e gëzojnë edhe trashëgimtarët e tyre, të cilët i kujtojnë me respekt për çdo gjë që kanë bërë për lirinë e kësaj pjese të tokave të atdheut.
Lavdi e përjetshme gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, kudo dhe kurdo që kanë rënë për çlirimin e Kosovës dhe Bashkimin e trojeve shqiptare!