Kujtesa historik
SADRI KAPITI – ATDHETAR I PËRBETUAR
Nga Bedri TAHIRI, Pashtriku 29 shtator 2021
Të heshtesh nuk do të thotë se je memec, por që refuzon të flasësh dhe kjo është akoma e folur.
(Sartri)
Fjala popullore: Guri peshon rëndë në vendin e vet, sikur nuk vleka gjithmonë e për çdokend. Jo, ore, jo. Këtë më së miri e dëshmuan shqiptarët e Sanxhakut të Nishit. Ata, edhe pse u rrokullisën nga vendi i vet, kudo që vajtën, nuk i zbehen aspak burrërinë, bujarinë e trimërinë, trashëguar nga stërgjyshërit e tyre atdhetarë. I tillë qe edhe burri me nam, nacionalisti e atdhetari i përbetuar, qё kurrё nuk provoi nёnshtrimin, Sadri Ibrahim Kapiti. Katundi Kapit (nga iliro-latinishtja qё ka kuptimin i kamur, fisnik).
Fёmijёria dhe rinia
Sadri Kapiti u lind më 1915 në Zallq të Istogut. Rridhte nga një familje patriotike e ardhur andej nga rrethina e Preshevës. Babai i tij, Ibrahimi, një kaçak i rryer i kohës së Azem Galicës, dhe axha Bajrami, poashtu një trim i madh, kishin rënë në luftën kundër serbo- malazezve në Shkodër. As Sadriu me vëllanë Baftijarin kurrë nuk u pajtuan me serbin e pabesë, i cili edhe i kishte dëbuar dhunshëm nga trojet e veta stërgjyshore në vitet 1878/1880, duke i lënë pa plangë e pa shtëpi.
Fëmijëria dhe rinia e këtij djaloshi të etur për liri ishin të ngjashme me ato të moshatarëve të tij; me skamje, me halle, me vuajtje, me mjerim. Gjithmonë të ndjekur e të përndjekur. Edhe në truallin e ri, në Kosovë, hasmëria me cerberët karpatianë nuk u zbut fare. Përkundrazi, ajo u thellua dhe u ashpërsua edhe më shumë. Zullumi i gjakpirësve serbo-malazezë ishte bërë i padurueshëm. Me këtë gjendje të rëndë robërie nuk mundi të pajtohej kurrësesi as Sadri Kapiti. Konfliktet e përditshme me kolonistët serbë e malazezë e detyruan që të kalojë matanë Alpeve Shqiptare. Për çudi, edhe në Shqipërinë e ëndërruar, i përcollën zezonat. Regjimi i egër enverist ua bëri më zi, i degdisi ku hanë pula gurë, i maltretoi, i dënoi, por kurrë nuk arriti t’i gjunjëzojë. Fillimisht u vendos në katundin Ahmetbejas të rrethit tё Fierit.
Mirëpo, as aty nuk gjetën fare qetësi, andaj pas dy vitesh sërish kthehen në Kosovë, me shpresë se zjarri ishte shuar pakëz. Por, jo. Asgjë nuk kishte ndryshuar për të mirë. Madje, ishte bërë veç më keq. Kriminelët serbë e malazezë nuk linin gjë pa bërë mbi shqiptarët e pambrojtur. Çdo ditë rrahje, maltretime, tortura, vrasje.
As gjaku i shqiptarit autokton nuk mund të bëhej ujë. Herë- herë ai ngrihej në pikën e vlimit. Kështu, i vëllai i Sadriut, Bahtijar Kapiti, një trim që të merrte gjak në vetull dhe vdekjes i thoshte plaç, një ditë ua hoqi qafesh kriminelin e pashpirt serb, Likrivaqa. Ishte pjesёtar i rregullt i çetёs sё trimit Nak Berisha. I ati i tyre, Hima, ndёrroi tri gra derisa e mori Hylёn nga dera e fisme e luftatre, nga Kёrnina. Kёtё e dёshmon edhe Qerim Rexhaj, kur shkruan: ”Nak Berisha, i vetёdijshёm pёr rrugёn qё kishte marrё, paraprakisht familjen e tij e kishte strehuar te familja Kapiti nё fshatin Zallç tё komunёs sё Burimit.[1] Dhe, në fillim të vitit 1939, u detyruan përsëri të nisen drejt Shqipërisë. Kësaj here u vendosen në katundin Fllakë të rrethit të Durrësit.
Kjo degdisje torturuese poshtë e lartë nëpër gjeografinë shqiptare nuk ishte e lehtë për këtë familje atdhetare, e cila tashmë edhe ishte shtuar. Në jetën private Sadriut i kishte ecur mirë e mbarë. Fatin e kishte lidhur me një malësore nga Gremniku i Klinës, me Dinore Mehë Gashin Këtyre dy bashkëshortëve u linden tetë fëmijë: Sylejmani, Fatmiri, Skënderi, Naimi, Ganiu, Lirija, Nadirja dhe Shefkija. Të gjendur midis kudhrës dhe çekanit, ata u bënë tok dhe ia vunë gjoksin së keqes, duke qëndruan të pathyeshëm, mu si lisat e Kosovës martire. Vëllai i tij, Bahtijari, i dënuar me vdekje nga UDB-ja jugosllave, për vrasjen e kriminelit serb Likrivaqa, edhe këtu vuajti njëzet vjet nëpër Burrel e gjetiu..
Bashkёluftёtar i Shaban Palluzhёs
Sadriu si një nacionalist i përbetuar gjatë shërbimit ushtarak në Tiranë rrahu një oficër dhe dy ushtarë italianë, sepse kishin ngacmuar dhe fyer disa femra shqiptare në qytet. Që nga aty e braktisi fare ushtrinë dhe në vitin 1940, me vëllezërit e vet, Baftiajarin dhe Sadikun u kthyen në Istog, me shpresë se Trojet Etrnike Shqiptare u çliruan dhe u bashkuan. Gjatë kësaj periudhe u lidh me forcat nacionaliste shqiptare dhe veproi hiç pa u ndalur në të mirë të çështjes kombëtare. Mori pjesё nё luftёrat dhe betejaat pёr mbrojtjen e myslimanёve dhe shqiptarёve tё Sanxhakut e tё Kolashinit. Atje iu vra edhe i nipi, Sadiku, trupin e tё cilit nuk e la, por e barti nё shpinё deri nё vendlindje. Më vonë u inkuadrua në Brigadën e tribunit Shaban Palluzha. Heroizmi dhe trimëritë e tij u panë në çdo betejë e në çdo aksion luftarak, andaj përherë lavdërohej e çmohej nga shokët dhe eprorët ushtarakë.
Në dhjetor të vitit 1944 Shqipëria u çlirua cep më cep, mirëpo armiku duhej shporrur edhe përtej Jugosllavisë. Partizanët shqiptarë u vunë në ndjekje të tij. Sadri Kapiti, i cili mendjen e kishte për të çliruar Kosovën dhe vëllezërit e tij të dashur, që përherë i mbante në zemër. Ai nuk vajti më tutje por u ndal në Kosovë për t’i mbrojtur trojet stërgjyshore.
Në një përleshje me serboçetnikë Sadriu plagoset rëndë në shpatullën e majtë dhe në këmbën e djathtë. Pasi e merr ndihmën e parë në spitalet fushore, dërgohet në spitalin e Prishtinës, ku kishte plot partizanë. Dreq, o punë! Aty, siç rrëfente më vonë vetë Sadriu, u ra në sy spiujve serbë, të cilët edhe deshën ta mbysnin. Me ndihmën e miqve dhe dashamirëve të vet që ishin partizanë nga Shqipëria, gjegjësisht nga Mallkastra, të cilët e njihnin mirë, arrin që ilegalisht të largohet nga aty dhe të kalojë për shërim në spitalin e Tiranës. Aty, gjatë bisedës me një oficër të lartë shqiptar, u tregoi saktë se kush ishin dhe se sa antishqiptarë ishin serbosllavët, të cilët po bënin kërdi mbi popullatën shqiptare në Kosovë. Oficeri iu afrua ngadalë dhe i tha:”Këtë që ma the mua mos ia thuaj tjetërkujt, sepse këta kanë një ide me partizanët jugosllavë dhe ta bëjnë më zi se ata. Për ta ju jeni ballistë dhe nacionalistë”,- kujtojnë sot fëmijët e tij, veçanёrisht Skёnderi, të cilët thonë se po të ishte ai gjallë, do të kishit mundësi ta shkruanit një libër të tërë për ato ngjarje e që mjerisht ne nuk shënuam asgjë, meqë nuk besohej nga askush se do të ndryshohej realiteti i censuaruar nga komunizmi kёtej e andej kufirit dhe Kosova do të çlirohej nga UCK-ja dhe NATO-ja, nen drejtimin e SHBA- ve.
Pas gjashtë muajsh erdhi në Shqipëri edhe Bahtijari, e më pas Sadiku me familjet e tre vëllezërve.
“Sa ishin në Zallç, forcat e OZN-së erdhën dhe e arrestuan Sadikun. E dija se do ta pushkatonin, andaj kriminelit që e njihja e që ishte poashtu nga katundi ynë, i thashë: Po e gjeti gjë Sadikun, Sadriu dhe Baftijari do të të vrasin ty, sepse ata janë kendejpari. Ai u frikёsua dhe e liroi, por të nesërmen me qerre kuajsh na përcollën për në Shqipëri. Kësaj here u vendosem në Qerret të Durrësit, ku kishte plot kosovarë, – rrëfen sot e shoqja, Dinorja, cila, mjerisht nuk dёgjon mirё, se pёrndryshe ka njohuri tё shumta pёr ato ngjarje.
Deri në vitin 1949 kemi jetuar në gjysmë ilegalitet, sepse druheshim që në emër të vëllazerim- bashkimit mund tё na kthenin në Jugosllavinё e atёhershme e ku, sigurisht, na priste ekzekutimi. Vetё Sadriu rronte nёpёr shkurret, qё atёbotё ishin tё paçelura tё rrethinёs sё Durrёsit.
Sadri Kapiti nuk e rrudhte gojёn para padrejtёsive, pavarёsisht qё mund tё pёsonte. Kёshtu, kur erdhi njё delegacion i lartё rus, mё 1953, pushtetarёt erdhёn tё Sadriu pёr t’ia kёrkuar njё qengj tё madh pёr t’ua prerё. Ky, jo qё nuk ua dha, por u tha:Jo ore, ata meritojnё plumba!!! Ndёrkaq kur u prishёm me Jugosllavinё dhe u lidhёm me Rusinё, ai shprehej hapur: Ore, keni parё ju, u prishёm me djalin e u
pajtuam me babёn!!!
Edhe në varr me plagë në zemër për Kosovën
Koha ecte me hapa ujku e plagët e luftëtarit të lirisë shëroheshin ngadalë. Një ditë ai u kthye në gjirin e ngrohtë familjar, në Fllakë. Siç duket, i zhgёnjyer e i pakënaqur me sistemin e kohës, i la të gjitha mënjanë dhe nisi të merrej me bujqësi. Vitet e fundit të jetës së tij u shpërngul në Shkozet të Durrësit.
Sidoqoftë, në mendjen e tij i sillej vërdallë vetëm një emër: KOSOVA! Në çdo kuvend burrash Sadriu shprehej: “Kryet më ka lindur në Kosovë, trupi m’u burrërua në Shqipërinë nanë. Në Kosovë fisi jonë ka derdhur gjak me okë, po nuk mujta me e pa Kosovën e lirë, të gëzueme, pa barrë në shpinë, pa serbë me lloj-lloj shirita e spaleta mbi supe e me kamzhik ndër duar. Kosova është kreshnike me burra të mençur e trima, ka edhe ferra me gjemba, porse më shumë ka lisa që i përballin stuhive dhe një ditë ka për ta parë veten të lulëzuar dhe krenare, me burra më të mirë në krye të Arbërit. Lum kush ta shikojë e ta gëzojë, more lum miku!”.[2]
Sadri Kapiti ndёrroi jetё më 7 janar 1997. I pёrcjell nga familjarёt e farefisi u varros në Rrashbull. I mbylli sytë me plagën në zemër se nuk arriti ta shoh Kosovën e lirë e të bashkuar me Shqipërinë mëmë, por profecitë e tij dolën, ëndërrat iu realizuan. Lisat e Kosovës suksesshëm përballuan stuhitë dhe rrëbeshet e barbarisë serbe. Ata ishin luftëtarët e lirisë, ishin trimat e UÇK- së, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Sadri Kapiti ka qenë burrë mbi burra. Kënaq fakti që edhe të bijtë ndoqen besnikërisht rrugën e tij”- thotë z. Qemal Mançe, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të LANÇ-it për rrethin e Durrësit.
Një propozim i qëlluar që duhet realizuar!
Më 14 shtator 2007, në sallën e madhe të Muzeut Historik të Tiranës, në promovimin e librit tim (Bedri Tahirit) “Nga Shqipëria në Shqipëri”, të gjithë të pranishmit: krijues, artistë, politikanë, përfaqësues shoqatash e sindikatash, ushtarakë e deputetë, klerikë fetarë e të përndjekur si dhe vetë princi i ri, Leka Zogu II, dolën me propozimin: “Sadri Kapiti dhe familja e tij të dekorohen dhe të marrin statut special nga shteti si familje atdhetare“!
Një propozim të tillë e kanë bërë edhe Shoqata e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare tё Shqipёrisё në krye me z. Qemal Mançe dhe Shoqata atdhetare “KOSOVA”.
Tё njёjtin propozim ka marrё kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeminstri Sali Berisha dhe presidenti Bamir Topi nga Mёrgata shqiptare nё Austri, Finlandё dhe Suedi si dhe nga Shoqata e tё Burgosurve Politikё tё Kosovёs pёr kontributin e dhёnё nё çёshtjen kombёtare shqiptare, për çlirimin e Kosovës dhe për vendosjen e demokracisё nё Shqipёri.
Edhe unë, personalisht, duke qëmtuar në historinë e bujshme të kësaj familjeje me tradita atdhetarie, nxora përfundime të njëjta se, vërtet, Sadri Kapiti dhe familja e tij meritojnë një tretman të veçantë nga shteti shqiptar dhe nga Kosova, ashtu siç meriton edhe hotel “DRENICA”, ku u bë pritja dhe përcjellja e mijëra luftëtarëve të lirisë, të cilët vinin nga luksi përendimor dhe shkonin drejt vdekjes në Kosovën e gjakosur nga barbarёt, të shpallet “SHTËPI MUZE”! Tё mos harrojmё, emrin DRENICA ia kishin lёnё mu pёr hatёr tё Sadriut, sepse e çmonte shumё ketё trevё luftarake. Emrin Drenicё e ka edhe njё mbesё e tij, bija e Armata Shoshit, e cila lindi ditёn qё filluan bombardimet e NATO-sё mbi Serbinё.
Besoj dhe shpresoj shumë së, më në fund, forcat e reja demokratike shqiptare do t’i çmojnë drejt këto vlera atdhetare dhe do t’i realizojnë këto kërkesë plotësisht të arsyeshme!
Një veprim i tillë i mënçur do ta nderojë edhe vetë shtetin shqiptar, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historië, krijon ardhmërinë!
Kosovë, 08 07 2011
______________
SADRI KAPITI – ATDHETAR I PËRBETUAR
https://pashtriku.beepworld.de/files/Kosova_2011/korrik_11/bedri_tahiri_sadri_kapiti_11.7.11.htm