SADRI RAMABAJA: DEETNIZIMI I POLITIKËS SI PËRRALLË

Prishtinë, 19. 05. 2015 – Promovimi i të ashtuquajturave lëvizje politike pro Maqedonisë qytetare është përpjekje e destinuar të dështojë, respektivisht tentativë për të rishkruar përrallën e Titos mbi barazinë nacionale!
Etnizimi i politikës në Evropën Juglindore ishte produkt i luftës për shkëputje nga çfardo ndikimi centralist, qoftë ai i komanduar nga Moska, nga Beogradi apo ndonjë qendër tjetër e madhe; ky fenomen ishte njëkohësisht edhe njësim e gjakim me dhe për demokracinë liberale.
Protesta e së shtunës e cilësuar si hap drejt deetnizimit të politikës në Maqedoni, siç u shpreh një përralltar i Prishtinës, de fakto është një thirrje për të harruar historinë.
Opozita maqedonase, që po pretendon të zëvendësojë Gruevskin, në raport me shqiptarët ende tregohet e pasinqertë.
Zoran Zaev flet për barazi qytetare, pra barazi të individëve, si të ishte lider diku në Skandinavi a SHBA, duke lënë mënjanë faktin se qytetarët shqiptar të Makedonisë ishin dhe vazhdojnë të jenë të shtypur, qytetar të rendit të tretë, mbi të gjitha sepse janë shqiptarë.
Duke garantuar barazi kombtare për shqiptarët, opozita mund të garantoj edhe barazi qytetare. Koncepti i barazisë në shtetet multietnike duhet të jetë i mbushur me përmbajtje kushtetuese e ligjore, jo me retorikë.
Por nëse protesta e opozitës mbillte iluzione gjithandej, kjo e organizuar nga partia-shtet (VMRO/DPNE) një ditë më pas, pra të hënën në orët e mbrëmjes, dëshmoi se eshaloni nacionalist maqedon është përcaktuar për ndarje të shtetit.

“Rroftë përralla e Titos mbi barazinë nacionale”!!!!

– A mund ta shpëtojnë Maqedoninë BDI-ja dhe shqiptarët dhe a është detyrë e tyre ta bëjnë këtë?
– Në interes të kujt ishte krijimi i kësaj Republike, madje në pjesën më të madhe të saj pikërisht në trojet autoktone shqiptare, duke shërbyer për sa kohë si tampon-zonë mes shteteve në Ballkan?
– A ka gjasa që politikat e Gruevskit të promovojnë fenomenin palestinez në rajon?
– Ku është përgjegjësia e NATO-s dhe BE që nuk imponoi realizimin e Marrveshjes së Ohrit?
– A është në interesin e Perendimit ndarja e Maqedonisë?
-Nëse vërtet Komisioni Evropian i ka kërkuar dorëheqjen Nikolla Gruevskit, ku e merr ky i fundit fuqinë të organizojë kundërprotestën dhe të mbjaë fjalim ala millosheviqian në zemrën e Shkupit?
(…)
Këto dhe një varg pyetjesh tjera të kësaj natyre, do të duhej të mirrnin përgjegje relativisht shpejt dhe pa ekuivoke.
Në këtë stad zhvillimesh dramatike në Makedoni, edhe qëndrimi i Tiranës dhe Prishtinës është jetik për këtë krah të Kombit. Fakti se në prag të tragjedisë së Kumanovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi po bëheshin gati të lauroheshin me titullin Doctor Honoris Causa në Universitetin e Tetovës, është më se iritues për shkallën e vigjilencës së munguar të institucioneve gjegjëse shtetërore, që do të duhej ta sinjalizonin kryeministrin shqiptar – z Rama.
Ndërkaq orkestrimi i sulmeve të ulta në adresë të Ali Ahmetit nga një pjesë e mirë e shërbëtorëve të ish nomenklaturave, që dihen publikisht si ish bashkëpunëtorë të Stanishiqit (ish shef i Sigurimti Serb para e gjatë luftës në Kosovë) dhe ndonjë përralltari si puna e HM, duke shprehur urrejtje patologjike pikërisht ndaj LPK, shpjegon qartë prapavijën ideologjike të luftës.
Për ata që e njohin historinë politike të LPK dhe meritën e saj në krijimin e UÇK, e din se ka qenë pikërisht Hashim Thaçi me Kadri Veselin e ca të tjerë që, duke e luftuar Ali Ahmetin dhe kryesinë e LPK-së në fillimet e luftës, po bëheshin gati të ushtronin puçin historik ndaj LPK dhe ta fusnin në dorë UÇK, si edhe e bën de fakto në maj 1998. Por si Ali Ahmeti edhe kryesia e atëhershme e LPK kishin ideal çlirimin e Kosovës dhe jo pozitat drejtuese, prandaj lanë grindjet e brendshme, lëshuan rrugë, dhe vazhduan detyrën e shenjtë për liri. Prandaj, përpjekja për të ngritur paralele mes Ali Ahmetit dhe puçistëve brenda LPK është shprehje e padijes, injorancës, tinzare edhe e padinjitetshme. Ndërkaq insistimi për ta njollosur një organizatë me merita historike për çlirimin e Kosovës, flet për mungesë elementare të dinjitetit dhe respektit për vlera historike. Këtë pa ekuivok do ta cilësoja si tendencë të hapur të tipit fashistoid për të nivelizuar e nulifikuar përgjegjësitë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë reale.
Politika dhe e Drejta janë të ndërvarura dhe ndërlidhura ngushtësisht njëra me tjetrën. Në Makedoni shqiptarëve iu krijua mundësia që përmes Marrëveshjes së Ohrit të marrin garancione për të realizuar një varg të drejtash, por realiteti flet se tashmë ajo marrveshje është e vdekur.
Në sistemin politik dhe kushtetues të Maqedonisë, politka dhe e drejta në raport me shqiptarët ishte përherë në relacione të zhdrejta. Këtë e bën sidomos qeverisja komplekse e forcave politike të tipit fashistoid, si puna e VMRO/DPMN.
Shih për këtë çështjen maqedone sot do shikuar si produkt i konfliktit të heshtur kushtetues, të cilit i ka ndihmuar edhe qeveria autokrate e Gruevskit.
Por duke analizuar më thellë fenomenin Makedoni sot, rezulton qartë se ishte pikërisht Kushtetuta që prodhoi institucione që mbajnë në jetë etnizimin e politikës dhe majorizimin si proces juridiko-politik në dëm të shqiptarëve.
Këto institucione rrjedhimisht prodhojnë konflikte mes Politikës dhe të Drejtës dhe me këtë dëmtojnë procesin e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.
Shih për këtë, periudha në kërkim të platformës që do të shpiente Maqedonin drejt federalizimit, mbetet zgjidhja kalimtare më e mirë e mundshme. Ndërkaq promovimi i të ashtuquajturave lëvizje politike pro një shteti me bazë qytetare, është edhe një përpjekje e re e destinuar të dështojë, respektivisht tentativë për të rishkruar përrallën e Titos mbi barazinë nacionale!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura