REXHEP KASUMAJ: PËRBETIMI RUS…

Berlin, 4 mars 2017: Nga Kullat e Kremlinit vjen shqetësimi i stisur. Një shkollë e vjetër pansllave që kurrë s’u lodh të punojë kundër shqiptarëve. Vërejtja e Moskës ka po atë amzë të njohur dhe po atë floskulë të fshehtë diplomatike: perëndimi dhe shqiptarët destabilizojnë Maqedoninë.
Po kush e thotë këtë?
Rusia që (pa vajtur larg në të kaluarën e errtë) përzihet e ndërhyn me spiunim kibernetik, para dhe ushtri kudo që i diktojnë interesat e saj për resurse, tregje e shtigje gjeopolitike në botë?
– Ajo anekson Krimenë e Detit të zi me vjegën që rusët e përsekutuar vendorë e nëvojisin këtë.
– I vë poashtu Ukrajinës, me vrasje e gjak, jashtë kontrollit gati gjysmën e territorit sovran tash sa vjet.
– Gjunjëzon për vdekje deri në kufijtë e zhbërjes, një komb e qytetní të tërë: Sirinë dhe atllasin kulturor të Shamit.

– I ofronte ndihmë danaike Greqisë në orën e vështirë të krizës, që ajo të refuzonte Brukselin dhe, këso udhe, ti jepte një të çarë Ngrehës europiane.
– Publikon, e mbase, falsifikon dokumenta të besueshëm të rivales Klinton, duke ndikuar zgjedhjet dhe, më pas, përplasjet civile në Amerikë.
– Ka hedhur në qarkullim misionarët subverzivë në Baltik që, dhe atje, popujt të thërrasin për mëshirë hemetat ruse.
– I jep kredi prej 50 milionë eurosh Marine Le Pen, shefe e Frontit nacional, që Franca të ndjekë britët dhe të shuhet Europa komunitare.
– Gatitet (me ç’thonë) të turbullojë ujërat elektoralë dhe në Berlinin e Zonjës së rëndë Merkel.
– Mban peng e të çorientuar Serbinë, duke i dhënë krah shpirtit testamental të krimit në filozofinë shtetërore të saj.
– Instrukton e mbështetë një grusht shteti në Mal të zi, ku, sipas skenarit komplotues, duhej të mbetej i vrarë premieri i tij.
– I ndërsen serbët boshnjakë për ta defunksionalizuar Bosnjën me projektin e Reich – ut të madh serbian (“nga varret në perëndim e deri tek tempujt në jug”).
– Bën shpesh një ekuacion simetrik mes Kosovës e Krimesë, anipse kanë territore, histori, popull, gjenealogji e përmasë krejtësisht ë ndryshme.
– Shpall se vetëvendosja e popujve është themel i lirisë, por, ndërsa kërkon t’i njihet pushtimi i gadishullit heterogjen – refuzon të njohë Kosovën, vullnetin e ligjshëm të popullit të saj shqiptar.
Ja ky është indi i politikës ruse që rikthen teatrin e vjetër në motin e ri. Por, njëkohësisht, ky është dhe kodi i sjelljes reale në marrëdhëniet ndërkombëtare: një lokomotivë që nuk e lëvizin as drejtësia e parimet dhe as dhimbja e lotët. Janë vetëm interesat e fuqia që përcaktojnë frymën dhe rendin tij.
Dhe të botës, mjerisht!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura