SADRI RAMABAJA: HISTERIA POLITIKE E ISA MUSTAFËS

Prishtinë, 28. 10. 2013 – Qytetarët e Prishtinës e kanë përjetuar dhe e njohin mirë epokën e sundimit të klanit të Isa Mustafës, si para luftës (1982- 1989), kur ai ishte pjesë e qeverisë më kuislinge të Rrahman Morinës, por edhe tashti pas luftës, në këto dy mandatet e fundit. Në memorien e qytetarëve ai do të kujtohet si kryetari që lejoj e toleroi terrorin urban dhe shëmtimin e Prishtinës.
„Unë kam ardh sot, që të kërkoj votën e juaj, edhe të juajen që jetoni në fshatra edhe të atyre që jetojnë në qytete, që gravitojnë, nga fshatrat e Gollakut, sepse kjo votë është votë e merituar, është votë e merituar, për qytetarë që jetojnë në Marevcë, sepse s`kemi rrugë në Marevcë, as shtëpi në Marevcë që s`ja kemi shtruar rrugën, për qytetarët që jetojnë në Gllogovicë, sepse kemi quar asfaltin deri në qendër të fshatit, edhe kemi hyrë me asfalt deri në fshat, për qytetarët që jetojnë në Hajkobill që jetojnë në Dabishevc, për ata që janë në Prapashticë. Po ashtu ju kem quar deri të dera e shtëpisë asfaltin, për ata që janë në Keqekoll, për ata që janë në Mramur, Busi , edhe krejt lagjet e Mramorit, për këta që janë në Makovc dhe Llukar, vetëm kthehuni dhe shikojeni rrugën mbrapa, para tri vjetësh si e keni pas rrugët e katunit dhe si i keni, edhe mua bile për juve s`më vjen hiq marre t`ju kërkoj votën edhe me ju thonë Zoti ju marroftë të gjithëve nëse s’e votoni LDK-në“, ka thënë Mustafa në një takim në kuadër të fushatës së tij në zonën e Gollakut.

Isa Mustafa, sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor – teknik me botën, në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës! (Shkëputur nga gazeta Rilindja, datë 5 dhjetor 1989)

Ky është diskursi politik i një të frustruari, që tashmë është goditur nga histeria politike. Në shkencat e mjekësisë histeria njihet si sëmundje nervore, që atakon njerëzit shumë të ndjeshëm, e cila shfaqet me turbullimin e herëpashershëm të gjendjes shpirtërore e mendore dhe shoqërohet me britma, me të qeshura, me dridhma, me lot etj., e që cilësohen në enciklopeditë bashkëkohore si çaste histerie, krizë histerie. Por termi histeri përdoret edhe për të përshkruar një inat të shfrenuar, tërbim të papërmbajtur. Flet (sillet) me histeri, themi kur një person del jashtë kontrollit. Gjithashtu në mënyrë figurative nocioni histeri përdoret edhe në rastin e një veprimtarie të ethshme dhe të shfrenuar që zhvillohet në një fushë të caktuar të jetës shoqërore, në luftën kundër dikujt etj. 
Në historinë politike të Europës, ishte Hitleri ai që shquhej për histerinë e tij antihebreje dhe antikomuniste. Ndërkaq dy dekadat e fundit të shekullit XX, në truallin e Evropës ishte pikërisht histerizmi i politikës antishqiptare të Beogradit që solli në skenë Milosheviqin, sivëllain e Hitlerit.
Si përfundimi i të parit, edhe ai i të dytit, kishin përmasa tragjiko-komike. Prandaj ata hynë në histori si politikanët ndër më histerik që ka njohur historia e njerëzimit.
Historia edhe nëse përsëritet, theksojnë studiuesit e saj, e sidomos sociologët dhe psikoanalistët, në përmasa të ndjeshme ajo merr ngjyresa të groteskes. Historia e partive politike pa koncept, fund e krye autoritariste, gjithandej në Evropën e shekujve XIX-XX, edhe tek ne në këto 20 vjet të tranzicionit pluripartiak, dëshmon se, edhe nëse ndonjëra prej tyre ka bërë jetë tutje pas vdekjes së liderit themelues, përfundimi mbetet i pashmangshëm, madje duke u shoqëruar me skena e nota të theksuara groteske.
Në ligjësinë e historisë politike, kjo kategori partish, harrohen shpejt. Le të kujtojmë një dyzinë partish në hapësirën shqiptare që funksiononin si dekor i të ashtuquajturit sistem i demokracisë liberale në vitet e nëntëdhjeta. Fakti se pse nuk ndodhi kjo me LDK, sidomos pas pozicionimit të saj të turpshëm në epokën e luftës së UÇK-së, do të duhej të ishte objekt trajtesash shkencore multidisiplinare. Por një pjesë e përgjegjësisë për këtë gjithsesi i bie PDK-së, respektivisht atij grushti njerëzish që pas puçit në LPRK dhe tutje në UÇK, i hapën rrugë koketimit me atë pjesë të LDK-së që zotronte mjetet e Fondit të 3%-shit dhe të ashtuquajturve koalicione të gjera qeverisëse në Kosovën e pasluftës.
Humbja e paralajmëruar e LDK-së në Prishtinë, shih për këtë, po shoqërohet me tone të theksuara histerizmi politik të Isa Mustafës. Rënia e “kështjellës” së fundit të LDK-së, shih për këtë, merr konotacione politike të rëndësisë së veçantë për Republikën tonë. Shih për këtë, duke e ndjerë këtë fund tragjiko-komik, tashti në prag të 3 nëntorit, ditës kur qytetarët e Prishtinës do të shndërrohen në sovran të mirëfilltë, histerizmi politik i liderit të LDK merr përmasa groteske. Ky lloj histerizmi shpërtheu pikërisht aty ku Isa Mustafa filloi karrierën e tij politike në vitet e komunizmit jugosllav – në zonën e të ashtuquajturës levë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë – në zonën Lidhjes Socialiste të Krahinës (Socialiste) Autonome të Kosovës, respektivisht Lidhjen Socialiste të Serbisë, që më pas do të ristrukturohet e kalojë tërësisht në Degë të LDK-së.
Këtë valë histerie politke të Isa Mustafës, ç`është vërteta në përmasa më të përmbajtura, e kisha përjetuar edhe më heret,duke qenë i vetmi opozitar në Kuvendin e Komunës së Prishtinës për gati 3 vjet rresht, por gjithsesi ai nuk bëhej sa do të duhej objekt medial.
Rrita dhe shtrirja e Lëvizjes Vetëvendosje! gjithandej në çdo cep të Prishtinës, pa përjashtuar edhe fshatrat e Gollakut dhe zonat që soji i politikanëve me mendësi feudale i konsiderojnë si bastione të tyre, duket se gjatë kësaj fushate u bë edhe për kreun e LDK më i qartë, prandaj histerizmi i tij politik shpërtheu në formë dhe përmbajtje siç pati rastin tashmë ta shoh opinioni i gjerë.
Qytetarët e Prishtinës, përfshirë edhe ata të paktë që kanë ngelur në Gollak, e kanë përjetuar epokën e sundimit të klanit të Isa Mustafës në formë e përmbajtje të ndryshme, si para luftës (1982- 1989), kur ai ishte pjesë e qeverisë më kuislinge në Kosovën e epokës së titizmit jugosllav në krye me Rrahman Morinën, por edhe tashti pas luftës, në këto dy mandatet e fundit.
Terrori urban që ka përlarë zona të tëra të Prishtinës, pa përjashtim (prej lagjeve fare afër zyrës së kryetarit-mbret, e deri tek e ashtuquajtura Prishtinë e Re (Lagjia e Spitalit tutje deri tek Pallati i Drejtësisë), e ka vulën e Isa Mustafës.
Kjo vulë e ky turp, më 3 tetor, pret të stivohet në sirtarët e historisë. Prandaj 3 tetori do të mund të quhet nga studiuesit e ardhshëm, edhe si çlirimi i dytë i Prishtinës (pas atij të 11 qershorit). Të jesh pjesë e këtij akti historik, gjithsesi për qytetarët e Prishtinës, me të drejtë ndjehet si krenari e ligjshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura