GJOKË DABAJ: ISË BOLETININ NUK E ÇUAM DOT NË BOLETIN! NUK NA E MBAJTI! NUK GUXUAM!

(Durrës, 25. 11. 2012) – Kur ishte gjallë, Isë Boletini, ish në gjendje të mbërrinte gjithkund: Në Slivovë (pa i mbushur 17 vjeç), në Ferizaj, në Shtimje, në Caralevë, në Shkup, në Drenicë, në Mitrovicë, në Podujevë, në Prishtinë, në Vlorë (përmes zjarrevet të Sërbisë, ndezur gjer në Lezhë e Elbasan), në Londër, në Podgoricë (ku i la, në Altar të Atdheut, veç vetes, 2 djemtë, Halilin dhe Zahidin e 2 nipat, Jonuzin e Halitin). Sa ish gjallë, Isë Boletini ishte kudo nëpër Shqipëri dhe mbërrinte deri në skaj të Europës, për të çuar atje fjalën e vendit të Tij.
Por, mbasi u vra, ne, nipërit e tij, nuk qemë në gjendje ta çonim atje ku Ai shkonte kur ish vetë midis të gjallëvet. Në Kohën e Enverit, e prumë deri në Shkodër, por në Podgoricë, atje ku pushtuesit e Podgoricës dhe të Dioklesë së hershme, na e patën vrarë, nuk ia ngritëm dot asnjë përmendore. As atëherë, as tash! E çuam edhe në Rrafsh të Dukagjinit, duke thënë, madje, se “prej këndej e paska prejardhjen”. Tash, fatmirësisht, arritëm ta çojmë në Mitrovicën e Jugut, por jo në Boletin. Në Boletin jo!

Në Boletin nuk e çuam dot! Nuk na e mbajti! Nuk guxuam!
Që të mund ta çonim deri atje, ne duhej t’i kishim disa cilësi që Ai i kishte e që ne, fatkeqësisht, nuk po i kemi. Duhej të ishim të përkushtuar ndaj Atdheut, deri në gatishmërinë për t’u bjerrë, nëse dikush do të na e gjente shtegun për të na vrarë. (Apo, të paktën, të ishim të gatshëm, për një Isë Boletin, ta linim karriken! Ta linim karriken, se s’bëhej kiameti!) Duhej të ishim të aftë, për të mbledhur rreth vetes mijëra djem të rinj e vajza të reja, të gatshëm edhe ata për t’u bjerrë për një Isë Boletin. Hashimi e Saliu duhej ta kishin këtë dhunti (Jo kundër “armiqvet” të vet politikë, por… për I S ËN!). Duhej të ishim të mençur si Ai, për të bërë ato punë që duhen bërë, pikërisht në çastin kur duhen bërë. (Psh TASH duhej çuar Isë Boletini në Boletin, sepse MUND të çohej!) Duhej të ishim diplomatë si Ai, për të shtruar para të huajvet atë çfarë duam ne, e jo atë çfarë duan ata. Duhej të ishim, mbi të gjitha, trima si ai.
Por është fati i keq i yni, i Tiji, i eshtravet të Tija, i bronxit të Tij, i Shalës së Bajgorës dhe i vetë Boletinit, që ne nuk po arrijmë dot deri atje ku ai ish në gjendje të mbërrijë. Eshtrat po ia “shetisim” nëpër thasë, sa këtu, sa atje, deri afër Londrës, ku ai shkoi vetë, me një lundër e me një gisht të prerë, por me 2 kobure. Shkoi me 2 kobure, jo si ne pa asnjë! Po ia “shëtisim” eshtrat, se u dashka “të vërtetohet” a janë të tijat apo jo! A janë të Isë Boletinit një palë eshtra apo jo! Në një kohë kur për eshtrat e Kosinës, të Grykës së Këlcyrës apo të Boboshticës, askush nuk po kërkon t’u bëhen analiza AND-je. Në një kohë kur dikush po guxon, pa akuzuar më parë veten, të na akuzojë se paskemi “trafikuar” organe! Madje, “transplantuar”, në ca shtëpi të verdha Gjurre e në ca haure Fushë-Kruje! A mund të përfytyrohemi, ne nipërit e Isë Boletinit, më për faqe të zezë se kaq?!
Ndonjë prej nesh mund të thotë: “Mjaft kemi arritur deri këtu!” Është e vërtetë, kemi arritur, se kish midis nesh edhe Isë Boletinë të tjerë. Kemi arritur t’i kemi këta 2 shtete. Jemi të lumtur që i kemi dhe shpresën e kemi edhe për më mirë, por kjo nuk duhet të na pengojë për të na ardhur TURP, pse nuk e çuam Isën prej bronxi atje ku Ai shkelte me këmbët e veta të njoma edhe kur toka digjej.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura