SADRI RAMABAJA: SHTETI DUHET TË DËSHMOHET – PËR NJË AGJENDË KOMBËTARE NË ARSIM

Prishtinë, 21. 05. 2013 – Mungesa e politikave serioze në arsim ka krijuar gjenerata të tëra që do të jenë thjeshtë ndihmëspunëtorë në korporatat multinacionale që po e gllabrojnë tregun si rezultat i procesit të globalizimit. Shih për këtë dy Republikat tona, kanë nevojë për një agjendë të përbashkët të arsimit për fundin e kësaj dekade, në prag të aderimit në Unionin Evropian
– Për fat të keq, kjo agjendë as që është në diskutim! Në nivel qeverish, si në Tiranë ashtu edhe në Prishitnë, sikur janë të kënaqur me projektin për Abetaren e përbashkët. Kaq!
Kësaj agjende, gjithësesi do të duhej paraprirë një reformë e thellë në rrafshin zhvillimor dhe ekonomik. Strategjitë e promovuara për fushën e arsimit, lënë edhe ashtu shumë për të dëshiruar, ndërkaq nëse atyre nuk ju paraprinë një studim i thellë në lëmin e integrimit dhe zhvillimit të ekonomisë sonë kombëtare, gjithëçka do të sillet në rrethin vicioz të interesave neoliberale që po promovojnë korporatat dhe qarqet e interesit mafioz. Shembulli më drastik që flet për këtë është transmisioni energjetik mes dy republikave tona, që qe promovuar me burbujë si autostrada energjetike e kombit.

Mungesa e debatit për strategjinë e arsimit, por edhe cilësinë, në rrafshin kombëtar është irrituese. Ku janë qeveritë e republikave tona, shoqëria civile, institutet dhe shoqatat tona etj. që nuk e ngrejnë zërin për cilësinë e munguar në arsimin tonë, për mjerimin në të cilin është katandisur sistemi jonë shkollor?
Një kategori e mirë e qeveritarëve aktual gjithandej, në përpjekjet e tyre ‘titanike‘ për të siguruar mirëqenie e lluks edhe për brezin e tyre të tretë biologjik, janë në hallë për të përvetësuar pasuritë publike të kombit. Prandaj nuk kanë kohë të mirren me agjenda nacionale. As në ekonomi e zhvillim, as në arsim. Një lagje e kësaj nomenklature, si tipa narcisoidësh që janë, ju pëlqen të luajnë rolin e burrështetasve rajonal, me ndikim në planin integrues euroatlantik! Madje, jo rrrallë, si fetishizues e narcisoid tipik që janë, ju mbushet mendja se shqiptarët kanë fat që ata janë në krye të „pashallëqeve“ shqiptare sot.
Shteti definitivisht duhet të dëshmohet në lëmin e arsimit. Investimi në arsim duhet trajtuar si strategji dhe interes nacional i dorës së parë. Investimet vetëm në objekte, madje pa plan strategjik, larg inovacioneve tekniko-teknologjike të kohës, flasin më shumë për mungesë invencioni, por edhe për prezencë të një lloj makutërie primitive të pashoqe.
Sipas ligjit të arsimit parauniversitar, produkt më shumë i Pakos së Ahtisarit se sa objektiv dhe interes nacional, komunat janë ato që posedojnë shumë kompetenca, por ato nuk mund të jenë hartuese të strategjive nacionale, ndërkaq ju mungon vullneti politik për të investuar në dobi të cilësisë, aty ku janë kompetente. Kjo strategji, fundja do të duhej të ishte produkt i një trupe nacionale profesionale, që do t` ju mundësonte komunave kryerjen e detyrave dhe oblikive që ju garanton ligji. Aktualisht në këtë fushë të interesit nacinal po ndodhë përplasja mes niveleve të pushteteve, në dëm të cilësisë dhe mbarëvajtjes së cilësisë në arsim. Këtë fakt, do të mund ta konstatonte secili ekip profesional që do të vizitonte drejtoritë e arsimit nëpër komuna dhe cilëndo nga shkollat në cilindo cikël të arsimit, pa përjashtuar në këtë rast as atë universitar. Ndërkaq Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ndoshta është ekzemplari më eklatant i modelit negativ!
Vendi që nuk i sheh të rinjtë si resursin më të madhë që disponon, e që investon aq pak për ta, duke përjashtuar madje edhe talentet që nuk na mungojnë, nuk mund të pretendojë ta kaloj rubikonin e vendeve në zhvillim, e që në Unionin Evropian, duket se do të mbesin si rrethi i tretë i përjetshëm.
Në asnjë vend në Evropë nuk është bërë dhe nuk bëhet ndarja kaq disproporcionale e të mirave materiale në fushat tjera përballë asaj të arsimit, sa në Kosovë. Në këtë mënyrë sistemi i arsimit po i demotivon talentët, në vend që t` i nxis dhe mbështesë ata. Në buxhetin e Kosovës për vitin 2013, shuma e ndarë për stimulim dhe nxitje të arsimit cilsor dhe nxitje të talentëve nuk e arrinë as edhe 1% e bruto prodhimit kombëtar.
Qeveritarët tanë obskurant, që janë të shumtë në qeveri, do të mund të pyesnin se prej nga pretendoni ju idealistët t` i merrni dhe ndani këto para, nëse supozojmë se jeni në pozicione vendimmarrëse? Përgjegjia do të ishte relativisht e thjeshtë: për çdo vit me miliona euro Kosova transferon jashtë, si rezultat i debalancit në eksport dhe import, në tregun fiskal të sheteve perendimore etj., qoftë duke blerë mallra serbe, qoftë përmes të të ashtuquajturit Trust Pensional. Pa logaritur këtu transferin e milionave tjerë në bankat e jashtme si kursime të një kategorie politikanësh, respektivisht biznismenësh, që janë përfshirë në skemat e krimit të organizuar. Do të mjaftonte që mekanizmat e shtetit ligjor të viheshin në veprim dhe kjo çështje do të mirrte udhë zgjidhjeje, pa përjashtuar në kët mes edhe politikat fiskale dhe tatimore që kërkojnë të rishikohen në dobi të forcimit të shtyllës së shtetit social.
Pa investime të mëdha në arsim, respektivisht në segmentet që garantojnë rritje të cilësisë në arsim, qoftë edhe duke hyrë në borgje të brendshme, ne do të vazhdojmë të nxjerrim në treg të rinjë e të reja të diplomuar, por pa dijet e duhura që kërkon tregu dhe për pasojë po prodhojmë fuqi punëtore ndihmëse për korporatat multinacionale, që po e gllabrojnë tregun si rezultat i procesit të globalizimit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura