DILAVER GOXHAJ: SITUATA E SOTME NË KOSOVË NË FILOZOFINË POLITIKE TË UKSHIN HOTIT

Tiranë, 06. 03. 2016: Ngjarjet tregji-komike të datës 26 shkurt 2016, për zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës, ishin aq të rënda e të turpshme sa, edhe pse kanë kaluar gati dy javë, zyrtarët e lartë të BE-së ende nuk po çlirohen dot nga ajo ndjenjë e fortë turbullimi e hutimi për ta uruar Hashimin, për mënyrën se si “u zgjodh”. Nuk kaluan as pesë ditë pas asaj maskarade parlamentare dhe arrestohet për të disatën herë Albin Kurti dhe, pas dy ditësh të tjera arrestohet kryetari i opozitës së bashkuar, Visar Ymeri si dhe deputetit tjetër i VV, Rexhep Selimi, me akuzën se para katër viteve, 2012, “kanë goditur me grushta” një deputet të PDK-së! Të nesërmen arrestohet aktivisi tjetër i VV, Salih Zyba, ngaqë edhe ai, para tre vitesh, në 27 nëntor 2013, “ka bërë një shkelje të rëndë ligjore, ka hequr flamurin e imponuar të Republikës Kosovës në një vend publik të Prishtinës dhe ka vendosur në vend të tij flamurin kombëtar shqiptar”!
Këto arrestime u bënë jo vetëm si shenjë hakmarrjeje nga qeveria e PDK-LDK-së, por edhe për t’ia tërhequr vemendien opozitës për të mos rënë në sy të opinionit publik marrëveshja e fshehtë që është bërë me Serbinë nga Thaçi dhe Mustafa, për krijimin e komunës së 11-të serbe, me katër fshatra: Prelluzhë, Plemetin, Babin Most dhe Gracë. Kjo “si shpërblim ngaqë Lista Serbe ia mundësoi zgjedhjen Thaçit si president”, sikundër shprehet deputeti serb Petar Miletiç. Në këtë mënyrë zgjerohet edhe më shumë “Zajednica”, duke i mundësuar Serbisë të zotëroi më shumë se 35% të territorit të Kosovës, duke i siguruar edhe të drejtën e pronësisë së burimit qymirguror me të cilin është e pasur nëntoka e kësaj komune.

Pse po përdoret gjithë ky terror shtetëror prej Mustafës dhe Thaçit?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep filozofi ynë, Ukshin Hoti, i cili thotë: “që politika të ndalet në gjykimin formal të rasteve të tilla, dhe më vonë, me të gjitha mjetet e mundshme, të kapitalizoi dhe të mbledhë poena për veten, duke u mbështetur ekskluzivisht në faktorët e jashtëm në dëm të faktorit të brendshëm, politikë që nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me popullin shqiptar. Në qoftë se ajo nuk është shprehje e tradhëtisë së interesave kombëtare, atëherë ajo është edhe vetë viktimë e ndonjë komploti, gjë që nuk e zvogëlon përgjegjësinë e saj për gabimet dhe për lëshimet e bëra.”, (U.Hoti “Filozofia…, f.192).
Mirëpo, (vijon më tej Ukshin Hoti, sikur të ketë qenë dëshmitar okular i ngjarjeve të këtyre ditëve), gjykuar sipas fakteve që janë arrestuar më shumë se gjysma e deputetëve të opozitës së bashkuar dhe ende vijojnë arrestimet e aktivistëve të tyre për shkaqe banale, për shkak se opozita insiston në bërjen e Kosovës një vend të ligjeve dhe jo një vend që të drejtohet nga kasapë partiakë, “është shumë afër mendsh se kjo lloj politike që po ndjek kjo qeveri synon një zgjidhje shumë specifike të përcaktuar, përndryshe përse po burgosen dhe gjykohet një profil shumë i përcaktuar intelektualësh dhe pikërisht ata që kanë manifestuar një shkallë të lartë morali vetjak dhe që u besojnë fuqimisht ndershmërisë dhe fisnkërisë së qëllimeve që kanë kërkuar privacione kolosale, viktima e flijime e që ende po luftojnë për demokracinë? Sepse ky lloj qëllimi fisnik nuk mund të realizohet me metoda makiaveliste të intrigave dhe të shpifjeve, që tingëllojnë cinike, dhe që nuk i kanë hije askujt, as kohës dhe as vendit! Kjo është e tmerrshme.”, (f.199).
Bazuar në filozofinë e këtij burrështeti të zhdukur pa nam e pa nishan, Ukshin Hoti, kuptojmë se Hashimi dhe klani i tij, që pretendojnë se kanë bërë udhëheqjen e luftës për çlirimin e Kosovës, “të cilëve populli u besoi me fanatizëm të verbër, nuk arrijnë ta kuptojnë dot se kanë startuar shtrembër. Duke e përkrahur një praktikë përfundimisht imorale, ata kanë rënë në provimet elementare të etikës dhe nuk e shohin lidhjen e saj më politikën… Ata janë hutuar nga titujt e larta të politikës, pasi tashmë e kanë harruar mënyrën e arritjes së tyre. Ata demokracinë e barazojnë me interesat e veta të veçanta. Për këtë shkak, metodat mafioze që përdorin për arritjen e këtyre qëllimeve jo vetëm që i prezantojnë si “demokratike”, por fatkeqësishtë i besojnë si të tilla. Ata e kanë përvehtësuar qasjen cinike dhe jo atë idealiste ndaj demokracisë, duke harruar se pikërisht kjo e ka avancuar demokracinë… Rendi, skrupujt, ligji, ligjshmëria, normat etike, me vetë qasjen e tillë, janë të eleminura nga rezonimi i tyre politik. Bukuria sublime e demokracisë duhet të ekzistoi vetëm për budallenjtë”, (f.307), sikundër ata e quajnë opozitën aktuale.
Thaçi, Mustafa dhe deputetët marjoneta të tyre, “politikën e kanë reduktuar në një mjeshtëri për dallavere dhe për pazarllëqe. Ata po bëjnë tregëti me opsionet politike dhe nuk e ndjejnë se fjala është për interesa fondamentale të një populli të tërë. Si rrjedhojë, përderisa ata këto gjëra nuk duan t’i shohin sot, ata që për këto nuk mërziten tani, nuk do të mërziten kurrë. Ata janë një lloj karieristësh tejet të zhdërvjelltë, dhe padyshim që duan të mbeten me çdo kusht në pushtet në çfarëdo rrethane. Ky ishte dhe mbetet qëllimi i tyre i vetëm, por nuk e di se kujt, pos vet atyre, do t’u duhet ai pushtet? Pushteti mbi një popull të përgjysmuar nga çdo drejtim nuk është gjë tjetër veçse një karikaturë e mjerë e vetes.”, (f.308).
Degjenerimi i tyre deri në këtë lloj mendësie ka ardhur ngaqë “Procesi i racionalizimit në mendjen e tyre nuk i ka lejuar të kuptojnë të vërtetën; nuk e ndjejnë se mendimin e kanë sipërfaqësor, të pathelluar dhe as që mund ta thellojnë. Për këtë shkak ata janë të prirur t’i besojnë tepër shumë argumentit të autoritetit dhe jo autoritetit të argumentit. Janë të bindur se duhet ta konsiderojnë veten “super-burra” në kuptimin niçean të fjalës, duke përdorur edhe kamxhikun. Në thelb, intelektualisht të pakompletuar, veten e identifikojnë me këto pozita. Si rrjedhojë politike e këtij identifikimi doemos paraqitet karjerrizmi i tepëruar, i cili ndodhet në raport të zhdrejtë me shkallën e kompletimit intelektual dhe të identitetit personal të tyre. Për këtë shkak, frika nga rreziku për humbjen e pozitave që kanë i drejton të gjitha veprimet e tjera, si në raport me veten, ashtu edhe në raport me të tjerët. Andaj, është e kuptueshme pse janë tejet të pandjeshëm për problemet që nuk i rrezikojnë pozitat e tyre dhe tejet të ndjeshëm për çdo synim të kundërt. Ky ka qenë dhe ka mbetur i vetmi kriter i sjelljes së tyre gjer me ndryshimin e ambientit politik, i cili akoma nuk është përfunduar.”, (f.304-305).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura