SALI ONUZI: LUAN RAMA, DIPLOMATI I KULTURËS SHQIPTARE NË PARIS

Tiranë, 06. 02. 2014 – Luan Rama ka lindur në Tiranë në janar të vitit 1952. Ai është i biri i Sadik Ramës (Doci) nga fshati Nangë i Lumës, qarku i Kukesit. I ati ka qenë partizan i Brigadës 24 S, pas Ҫlirimit oficer i lartë, zv/komandant i Shkollës së lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, një nga drejtuesit e talentuar të saj dhe të armës së Artilerisë shqiptare, personalitet që gëzonte simpatinë dhe respektin e oficerëve në gjithë vendin. E ëma, Illdize, pjesëmarrëse në Luftën ANҪL veterane e Luftës, është nga Ҫamëria, motra e Ali Demit – “Hero i Popullit”.
Luan Rama ka mbaruar studimet universitare në Tiranë në fakultetin e Shkencave Politike, për gazetari si dhe në Universitetin Parisi VII – «Denis Diderot» në Paris për audiovizual, komunikim dhe kinematografi. Fillimin e karrierës së tij profesionale ai e filloi në studiot kinematografike ‘Shqipëria e Re’, në vitin 1975, ku për 13 vjet rradhazi shkroi rreth 40 skenarë të filmave dokumentarë (Eposi i kreshnikeve, Mos harroni (për Mathauzenin), Pranvera dy hapa afër), 4 skenarë të filmave me metrazh të gjatë (Vajzat me kordele të Kuqe, regj. G. Erebara, Prilli i hidhur, regj. M. Fejzo, Dëshmorët e Monumenteve, regj. F. Hoshafi, Në Prag të jetës, regj. G. Erebara) dhe 15 filma vizatimorë (Dy Gostitë – i vlerësuar me çmim ndërkombëtar). Njëkohësisht është angazhuar dhe si gazetar në Shqiperi apo dhe në Paris, ku në vitet 1995-1997 ishte redaktor në ‘Courrier International’.

– LUAN RAMA – 

Më pas u angazhua në fushën e diplomacisë, ku gjatë viteve 1997-2001 ishte ambasador i Shqipërisë në Francë dhe Portugali, si dhe përfaqësues i presidentit të Republikës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Në vitin 2002 është nderuar nga presidenti i Republikës franceze Jacques Chirac me dekoratën e lartë «Grand Officier de l’Ordre National de Merite», (Oficer i Madh i Urdhërit Kombëtar të Meritës). Po kështu ka dhe dekoratën «Naim Frashëri» nga presidenti i Republikës, në vitin 1986.
Në vitet 2002-2006 ka qenë zgjedhur nga organizata e Frankofonisë në forumin e lartë të saj “Këshilli i Lartë i Frankofonisë”, ku shumica ishin ish kryeministra, ish ministra të jashtëm dhe akademikë francezë. Në këtë periudhë ka drejtuar misione të Observimit të zgjedhjeve në disa vende frankofone si në Madagaskar, Kongo Brazavil, Ishujt Moris, Guiné Bisao (i dërguar nga OKB-ja), etj.
Ka marrë pjesë në shumë kolokiume e konferenca ndërkombëtare rreth Ballkanit në Paris, Amstardam dhe vende të tjera. Që prej disa vjetësh jep mësim në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO) mbi Gjeopolitikën, për Historinë e Shqipërisë dhe «Mbi traditën dhe modernitetin» – Master).
Gjatë kësaj periudhe ka botuar mbi 30 libra ndër të cilat shumë ese si për François Mitterand, Gjenerali De Gaulle, për figura të ndryshme të artit si për Arthur Rimbaud, Jean Cocteau, për themeluesin e simbolizmit francez Jean Moréas, me origjinë shqiptare, për piktorin Abedin Dino, piktorin Omer Kaleshi, piktorin Valdet Hamidi, etj. Veç disa librave të tjerë si Parisi letrar, Dorëshkrimet e Purpurta, Pont entre deux Rives (Ura midis dy brigjeve), ai ka shkruar dhe dy romane: Santa Quaranta (për balerinën Isadora Dunkan gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri) dhe Camera Obscura (në lidhje më historinë e famshme të tablosë së piktorit Courbet, Origjina e botës). Eseja Udha e gjatë në tunelin e Platonit, botuar në Francë, është vlerësuar me çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge, në vitin 2002. Gjithashtu ka botuar në Francë vëllimin poetik Couvrez-moi avec un morceau de ciel (Mbulomëni me një copëz qiell). Me 2013 u botua në Francë libri i tij mbi arkeologun francez Léon Rey, «Léon Rey à la decouvert d’Apollonie». Ka botuar gjithashtu librat historikë «Kalorësit e Stuhisë» dhe «Bujtês të largët», pêr udhëtarët francezë në Shqipëri gjatë shekullit XIX. Ka shkruar gjithashtu skenarët e filmave dokumentarë Omer, shtërgu nga Ballkani, «Marko Boçari, një mit për Evropën» dhe «Shqiptarja e Parisit».

——————————–

FLET LUAN RAMA

*  *  *

………………………………

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura