Prishtinë, 17. 05. 2016: Në fillim të shekullit XX, Serbia kishte shumëfishuar financimin për organizatat çetnike dhe ato paraushtarake në Vilajetin e Kosovës. Duke përfituar nga ngrohja e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Stambollit për çështjen ‘maqedonase’, Porta e Lartë do të jepte leje për hapjen e një sërë organizatash dhe asociacionesh serbe në Vilajetin e Kosovës, të cilat tani e tutje do të vepronin brenda rrugëve legale. Kështu, në vitin 1909 në Kumanovë dhe Prizren do të hapeshin degët e shoqërisë sportive ‘Dušan Silni’. Një vit më vonë, kjo organizatë do të krijonte zgjatimet e saj edhe në Prishtinë, Mitrovicë, Tetovë, Ferizaj, Pejë, Gjilan, Graçanicë dhe Deviq. Kjo shoqëri ishte pjesë e një lëvizje pan-serbe e quajtur ‘Lëvizja e Sokolave’ (соколски покрет), që drejtohej nga koloneli, Millutin Mishkoviq, gjeneral i ushtrisë mbretërore serbe. Ndonëse si qëllim i këtyre shoqatave thuhej se ishte kalitja e të rinjve serbë me kulturën fizike, ‘Dušan Silni’ do të krijonte trupa paraushtarake.
E udhëhequr nga militanti Rajko Karaklajiq, kjo organizatë që ishte gjithë-shtrirë në qytetet kryesore të Vilajetit të Kosovës, do të fitonte gjithnjë e më shumë staturën e një grupacioni para-ushtarak. Si gjest i marrëdhënieve të përzemërta të organizatës ‘Dušan Silni’ me administratën osmane të Vilajetit të Kosovës, shërbeu parada që organizuan të rinjtë serbë me rastin e ardhjes së Sulltan Mehmet Reshatit V në Gazimestan, në qershor të vitit 1911. Me udhëzimet e konsullit serb në Kosovë, Milan Rakiq, përfaqësues të serbëve të Kosovës bashkë me korin e seminaristëve serbë të Prizrenit do t’i organizonin një pritje me nderime sulltanit, të cilit iu kërkua që të mos lëshonte pe ndaj kërkesave shqiptare për autonomi. Një vit më vonë, paramilitarët e organizatës ‘Dušan Silni’ do të luftonin përkrah Armatës së III serbe, të drejtuar nga gjenerali Bozhidar Jankoviq, që në fund të tetorit të vitit 1912, mësyu Kosovën nga disa drejtime. Të rinjtë e këtij grupacioni kishin luftuar më tepër në pozicione avangarde ashtu sikurse edhe njësitë çetnike, duke u përfshirë në krime ndaj popullatës shqiptare.
Postime të Lidhura
GENC KASTRATI: POLITIKË POPULLSIE
Prishtinë, 28. 08. 2015 – Politika e popullsisë është jo vetëm, ashtu siç e kuptojnë disa, një mundësi…
DR.QAZIM NAMANI: HISTORIA E QYTETIT TË PRISHTINËS DHE TRASHËGIMIA KULTURORE
Prishtinë, 25 mars 2017: Territori i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 vjetësh. Gjatë punimeve…
ARTAN SHKRELI: TEZAT JOREALE SLLAVE PËR SKËNDERBEUN!
Pashtriku.org, 19 korrik 2017: Barleti nuk thotë askund e në asnjë rresht se Vojsava është sllave, thjesht është…
FITIM RIFATI: RËNIA HEROIKE E REXHEP MALËS DHE NUHI BERISHËS, SIPAS GAZETËS ‘RILINDJA’ NË JANAR 1984
Prishtinë, 16 janar 2019: Lufta çlirimtare e shqiptarëve për bashkim kombëtar ndërmjet viteve 1912-2001, ka nxjerrë disa figura…