SEJDI GEGA: ADEM DEMAÇI – ZËRI I KOSOVËS

Pashtriku, 2 janar 2021: Sot, në edicionin e botimeve të Shoqërisë LËVIZJA, doli nga shtypi libri: “ADEM DEMAÇI – zëri i Kosovës”.
Përmes këtij libri i bëhet me dije opinionit të brendshëm dhe të jashtëm se, si Shteti Shqiptar i njohur nga Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1913, që kishte marrë atributin moral të Shqipërisë si qendër frymëzuese për luftë dhe bashkim të të gjithë shqiptarëve dhe se, si Adem Demaçi dhe shokët e tij të Lëvizjes së ’68-ës në Kosovë, ashtu si në të gjithë Evropën, mbajtën flakën e lirisë të ndezur për brezat e mëvonshëm, ata që luftuan dhe e fituan lirinë. Pra, Shqipëria dhe Adem Demaçi ishin ideatorë të UÇK-së. …

Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (më vonë LPRK, LPK) është e vetmja organizatë politiko-ushtarake, e cila prezantoi interesat e popullit të Kosovës, prezantoi simbolin e rezistencës, Adem Demaçin me organin e vet „Zërin e Kosovës“ dhe me broshura në gjuhën gjermane, angleze e franceze para qytetarëve e politikanëve evropian…
“Zëri i Kosovës” si Organ i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (më vonë Lëvizja Popullore e Kosovës) kishte për qëllim, që si nismëtare e publicistikës ilegale kosovare, të bëhet zadhënës i pjesës së robruar të Jugosllavisë, të prezentonte interesin e popullit të Kosovës me vise, i cili shkonte në duart e shqiptarëve si një rreze e ngrohtë e diellit, e që lexohej kudo nga shqiptarët në botë…
Libri, pas 10 janarit 2021 gjendet te Mejdi Gega në lokalet e autoshkollës TINA në Therandë (Suharekë).
***

REDAKTORI I LIBRIT, BEDRI HALIMI:
NJË LIBËR HISTORIK PËR NJË PËRSONALITET EMBLEMATIK
Adem Demaçi – zëri i Kosovës
Përgatiti: Sejdi Gega
Botues: Shoqëria LËVIZJA

S’ka dyshim se Adem Demaçi paraqet njërën nga figurat më emblematike në historinë më të re të kombit shqiptar në tërësi, dhe të Kosovës në veçanti. Emri dhe vepra e tij kanë mbetur si një vulë e pashlyeshme në memorien dhe ndërgjegjien e të gjithë shqiptarëve në viset e tyre në Ballkan, dhe në memorien dhe ndërgjegjien e të gjithë shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë. Jeta dhe vepra e Adem Demaçit ka motivuar shumë krijues për të shkruar për të; shumë gazetar për të bërë intervista me të; shumë studiues për ta hulumtuar veprimtarinë e tij kombëtare, letrare e publicistike. Për Adem Demaçin janë shkruar libra, ese, poezi, janë bërë piktura e janë kënduar këngë. Adem Demaçi ka qenë e ka mbetur njëra nga figurat më poliedrike e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.
Së këndejmi, veprimtari i çështjes kombëtare Sejdi Gega, një ish i burgosur politikë nga Theranda, që një pjesë të dënimit të tij e ka vuajtur së bashku me Adem Demaçin në burgun e Stara Gradishkës, tani së fundi ka përpiluar një libër për Adem Demaçin në të cilin janë paraqitur: intervistat e Adem Demaçit dhënë mediave të ndryshme të ish jugosllavisë, mediave të ndryshme ndërkombëtare, si dhe gazetës, «Zëri i Kosovës»; shkrime me kritika pozitive të bëra nga autorë të ndryshëm rreth librave të Adem Demçit, shkrime këto po ashtu të publikuara në gazetën “Zëri i Kosovës”; takimet e komunikimet e Adem Demaçit me personalitete të ndryshme ndërkombëtare; fjalimet e tij para demonstruesve shqiptarë nëpër qytete të Evropës e deri në Amerikë; intervistat e Adem Demaçit të dhëna gjatë viteve 1997-1999 të Luftës Çlirmtare të Kosovës, si dhe janë paraqitur edhe krijime të ndryshme poetike të individëve të njohur e të panjohur, të cilët Adem Demaçit i kanë kushtuar vargje që u kanë buruar nga zemra.
Mendoj se libri i autorit Sejdi Gega, ndër të tjera, do të shërbejë edhe si shtysë më shumë, që edhe autorë tjerë të bëjnë përpjekje për ta mbledhur trashëgiminë atdhtare, politike dhe letrare të Adem Demaçit, të shkruar apo të folur, por që ka mbetuar e shpërnadarë nëpër kohë e vende të ndryshme, përgjatë tri dekadave të qëndrimit të tij në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë, dhe gjatë e përgjatë rreth tri dekadave të fundit të jetës të cilat ai i kaloi jashtë burgut, që nga viti 1990 kur nën trysninë ndërkombëtare u lirua nga burgu i fundit e deri në vitin 2018 kur ai ndërroi jetë. Më tej mendoj se materialet e vendosura në këtë libër nuk janë vetëm materiale që thjeshtë e ndriçojnë veprimtarinë politike e letrare të Adem Demaçit, por janë edhe materiale të patejkalueshme për hulumtuesit e ndryshëm, qoftë për ata që do mirren me studimin e veprimtarisë së Adem Demaçit, qoftë për ata që do të merren me periudhën historike në të cilën veproi e jetoi Adem Demaçi. Prandaj vlerësoj se Sejdi Gega, duke i botuar materialet e përmendura më lartë në librin «Adem Demaçi-Zëri i Kosovës», ka bërë një punë të çmuar lidhur me ndriçimin e një pjese të veprimtarisë shumëdimensionale të Adem Demaçit. Libri është i pajisur edhe me faksimile të ndryshme, me data e vite të prezantimit të tyre, qoftë kur janë prezantuar për herë të parë, qoftë edhe kur janë riprezantuar në gazetën e njohur “Zëri i Kosovës”.
Siç dihet gazeta “Zëri i Kosovës” duke qenë organ i «Lëvizjes Popullore të Kosovës» dhe duke qenë një gazetë me orientim çlirimtar për një Kosovë të lirë e për bashkim kombëtar, nuk ka mundur të botohej brenda në Kosovë. Por edhe pse «Zëri i Kosovës» është botuar jashtë vendit në Zvicër, ajo nëpërmjetë veprimtarëve të guximshëm është futur edhe brenda vendit, në Kosovë e vise të tjera shqiptare të mbetura padrejtësisht brenda ish-Jugosllavisë, duke sjellë në radhët e ilegales në Kosovë e vise të saj gjithnjë një shpresë e një frymë të re. Meqë politika redaktuese e «Zërit të Kosovës» ka qenë e përputhshme me idetë atëdhetare të Adem Demaçit, kjo ka bërë që «Zëri i Kosovës» ta intervistojë me dëshirë të madhe Adem Demaçin, dhe po kjo ka bërë që edhe Adem Demaçi t`i japë me dëshirë intervista «Zërit të Kosovës». Prandaj natyrshëm ka dalë edhe titulli i këtij libri: «Adem Demaçi – Zëri i Kosovës».
Meqenëse hartuesi i librit «Adem Demaçi-Zëri i Kosovës» Sejdi Gega, edhe pas lirimit nga burgu e vazhdoi veprimtarinë e tij ilegale në të mirë të çështjes së Kosovës, për shkak të përndjekjes serbe në fillim të viteve të `90 të shekullit të kaluar u detyrua të emigrojë jashtë vendit, duke u vendosur në Zvicër. Në Zvicër, bashkë me shumë anëtarë të tjerë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, u angazhua më tej për çështjen e Kosovës, duke e dhënë kësisoj kontributin e tij në këtë drejtim deri gjatë viteve 1998/1999 të Luftës Çlirimtare të Kosovës të bërë nga UÇK-ja.
Mbledhja dhe botimi i materialeve që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e Adem Demaçit nga ana e Sejdi Gegës, flet se Sejdi Gega edhe njëzetë vite pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, vazhdon ende të mirret me Kosovën dhe figurat e saj emblematike si Adem Demaçi e të tjerë. Mua s`më mbetet tjetër veçse ta përgëzoj Sejdi Gegën për punën e mirë që ka bërë me rastin e hartimit të këtij libri. Përpiluesit të librit i dëshiroj shëndet e suksese që të shkruaj e të botojë edhe libra të tjera po kaq të arrira.

Prishtinë, dhjetor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura