SEJDI VESELI: NË PESË VJETORIN E VDEKJES SË VETERANIT TË UҪK’së, RRAHMAN BAHTIRI – SHPENDI

Prishtinë, 29. 04. 2015 – Përvjetorët e të përjetshmëve nuk janë ditë të zakonshme: Ata janë ditët e nderimit për Ata që kanë kontribuar për të ardhmen, duke sakrifikuar çfarë lypej prej tyre, që e shkuara jonë të jetë lavdiplotë; Ata janë kushtrim për ne të vdekshmit për të përbashkuar krejt potencialin tonë mendor dhe veprues, që përballjet tona me sfidat-dhuratë nga epoka, t’i kurorëzojmë me suksese të plota; Ata janë përkujtim i Amanetit nga të përjetshmit, se politika kombëtare nuk udhëhiqet nga direktivat që vijnë nga kancelaritë e huaja; Ata janë obligim për ne të vdekshmit, përmbushja e të cilit nuk mund të arrihet ndryshe, pos duke punuar me përkushtim dhe të përbashkuar përreth Flamurit tonë kombëtar, deri në përmbushjen e plotë të Idealit të ligjshëm, të cilit iu përkushtuan të përjetshmit, që edhe ne shqiptarët të jetojmë të lirë, në trojet tona, të ribashkuara në një shtet të vetëm – Shqipërinë Natyrale, me dinjitet dhe të drejtë të pa cenuar për të vetëvendosur lirshëm për të ardhmen tonë!
Po nuk e përmbushëm këtë obligim, do të na mallkoj historia!
Një ditë e tillë është edhe 30 prilli i vitit 2015. Është përvjetori i pestë që kur u nda nga ne, vetëm fizikisht: Veprimtari dhe Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrahman Hajrush Bahtiri-Shpendi.
Të shkruash përkujtimin për shokun e idealit nuk qenka punë e lehtë. Deri të ky përfundim erdha nga droja se mos po futem në subjektivizëm. Mirëpo, përballë veprimtarisë shembullore politike dhe ushtarake të Rrahmanit, kjo drojë mu avullua sikur vesa nga rrezet e diellit.

Rrahman Bahtiri-Shpendi ( 06 mars 1954 – 30 prill 2010)

Rrahmani la gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin e popullit tonë, drejt përmbushjes së kërkesës së tij të ligjshme, për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga thundra e pushtuesve sllavo-çetnik, që edhe ne shqiptarët të jetojmë të lirë dhe të vetëvendosim lirshëm për të ardhmen, në shtetin tonë të ribashkuar shqiptar.
Rrahmani u lind në fshatin Brainë të Gallabit, Komuna e Besianës, me 06 mars 1954, në një familje malësore, dera e të cilës ishte e hapur për njerëz të besës dhe të nderit.
Për shkak të kushteve të vështira për jetesë, në një terren të lënë në “harresë” nga pushtetarët( të dominuar nga kolonistët serbo-malazias) si shumë moshatarë të tij, edhe Rrahmani, si i mitur përjetoi shijen e hidhur të shpërnguljes nga vendlindja. Ngase i ati Bacë Hajrushi, në gjakim të kushteve elementare jetësore, detyrohet të shpërngulë familjen në Prishtinë.
Rrahmani, pas përfundimit të shkollës tetëvjeçare, i vendosur të ndihmojë shkollimin për dy vëllezërit dhe pesë motrat, regjistrohet në shkollën, siç quhej atëherë “të nxënësve në ekonomi”, pas të cilës e kishte të garantuar punësimin. Me të përfunduar shkollën punësohet si mjeshtër latimi në ndërtimet e larta, në Kombinatin Industrial Ndërtimor “Ramiz Sadiku”, në Prishtinë. Por, pa humbur kohë fillon përgatitjet për t’u regjistruar në fakultetin ekonomik, me synim që të ndjek studimet pa shkëputje nga puna. Por në ndërkohë zhvillohen demonstratat e Pranverës ’81, në të cilat merr pjesë aktive si pjesëtarë i organizuar i Frontit Nacional Çlirimtar, që prej 28 Nëntor 1978, si bashkëthemelues i tij.
Me 27 janar 1984 pason arrestimi edhe i Rrahmanit, nga pasardhësja e UDB-s, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror- sllavo-çetnik.
Akuzohet për vepra të inskenuara nga shovinistët sllavomëdhenj, për “irredentizëm” dhe “kundërrevolucion”, për çka dënohet me 13 vjet burgim të rëndë.
Duhet theksuar, se edhe gjatë qëndrimit në burg, Rrahmani nuk u thye, Ai qëndroi me stoicizëm edhe atëherë kur mësoi lajmin e hidhur për rënien e vëllait më të vogël, nxënësit dhe bashkëveprimtarit të tij, Bajramit, me 08 shkurt 1984, gjatë një përballjeje me falangat e shërbimit të sigurimit sllavo-çetnik – mercenarët shqipfolës, të njohur si policia speciale, e stacionuar në Hajvali!
Gjatë kohës sa kaloi në internim prapa grilave të kazamatit famëkeq serbo-çetnik, “Zabela” të Pozharevacit në Serbi, Rrahmani për as edhe një çast nuk do ta ndërpresë aktivitetin atëmëmëdhetar. Në këtë kazamat, Ai takon shumë të internuar politik shqiptar. Në bashkëpunim me ta pasuron njohuritë e tij, sidomos ato teorike në lëmin e përgatitjes dhe të organizimit të luftës çlirimtare.
Pas lirimit nga kazamati, detyrohet t’i nënshtrohet një kure intensive mjekësore, në kohëzgjatje prej disa javësh, në shtëpinë e tij përdhese, nën përkujdesjen e dr. Avdush Bajgorës dhe dr. Ramë Miftarit, për veshkat e tij të dëmtuara rënd gjatë procesit hetimor. Duhet theksuar, se si Rrahmani, ashtu edhe shokët tij e kishim të pamundur shfrytëzimin e ndihmës mjekësore nëpër spitale, pasi që ato ishin venë nën masa të dhunshme nga thundra fashiste e pushuesit serbo-çetnik.
Ende pa u shëruar plotësisht, Rrahmani rifillon punën për organizimin e njësiteve në terren dhe përgatitjen ushtarake të tyre në frymën e artit të luftës çlirimtare…
I rrezikuar nga arrestimi i serishëm, Rrahmani, pas konsultimit me shokë emigron, së pari në Kroaci, ku e siguron pasaportën kroate dhe më pas me ndihmën e saj vendoset në Gjermani. Në Gjermani vazhdon me propagandimin e domosdosë së luftës së armatosur çlirimtare, deri në momentin kur radhitet edhe vet si luftëtarë aktiv në Operacionin “Shigjeta”.
Pas përfundimit të luftës dhe shpërbërjes së UÇK-së, Rrahmani, punësohet në Institutin Kombëtarë të Shëndetit Publik të Kosovës, në vendin e punës Shef i depos qendrore, ku punon deri në momentet kur sëmuret rënd.
Vetë fakti se ndërron jetë në një spital vendor, në mungesë të shumicës nga barërat esenciale, ashtu siç vdesin të gjithë ata që interesat e popullit dhe të at’mëmëdheut i kanë vënë para atyre meskine, e që për pasojë nuk kanë mjete për të kërkuar shërim nëpër qendrat me shëndetësi më të avancuar është dëshmia më e qëndrueshme, se Rrahmani, nuk u mashtrua nga lakmia për pasuri si disa të mjerë, të cilët të verbuar pas lakmisë po hahen e grihen ndërmjet veti, sikur ujqit kur bien në mish, pa u mërzitur fare, se me këto veprime të turpshme po i minojnë themelet e ribashkimit të trojeve tona, për çka u vuajt aq shumë dhe e u derdhen lumenj lotësh dhe të gjakut.
Vepra vetëmohuese e Rrahmanit dhe virtytet e tij të larta njerëzore e kombëtare, mbetën shembull konkret për edukimin patriotik të gjeneratave të sotme dhe atyre që do të vijnë.

Lavdi jetës dhe veprës së Rrahman Hajrush Bahtirit-Shpendit!
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të lirisë!
Lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare te trojeve tona!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura