SHABAN ÇUPI: GAFURR LUMA – BILBILI I KËNGËVE TË LIRISË

Kaçanik, 21. 05. 2016: Në agun e 12 prillit të vitit 1961, derisa bora e Sharrit ende dyluftonte me lulevjollcat që mbinin fushave e maleve të Qafës së Shqipes, nënë Zylfija lindi më të bukurin djalë Avdylgafurr Lumën, të cilin që nga fëmijëria: babai, nëna, familja dhe shokët e tij do ta thërrasin shkurt, Gafurr. Me këtë emër do të njihet jo vetëm në Qafshqipen e Kaçanikut ku u lind e u rrit, por edhe anë e kënd kah udhëtoi dhe këndoi këngën e lirisë.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në rrënjët e Sharrit vigan, në majën e të cilit Gafurri kishte shkelur shpeshherë për të vështruar Kosovën, Shkupin e Pollogun. Kishte dëshirë shtatlarti Gafurr të njihte bukuritë e atdheut, nga peisazhet e të cilit, që herët zbuloi se ky atdhe, kaq i bukur e aq historik para banorëve të tij shfaqte ,,buzëqeshje të ngrirë’’.
I etur për diturinë, pas shkollës fillore, regjistrohet në gjimnazin e Kaçanikut i cili më parë kishte emrin ,,Skënderbeu’’, por që politika pansllave e kishte shartuar në një emër tjetër neveritës. Meqë gjimnazi nga vendlindja e Gafurrit ishte larg dhe kushtet për të udhëtuar të rënda, ai do të banoj në një banesë private në Lagjen e Bobëve të Kaçanikut, por mësimit nuk iu nda sepse me kohë kishte kuptuar se arsimimi i shqiptarëve ishte domosdoshmëri dhe siç deklarojnë shokët e paralelës të gjimnazit matematikor, Gafurri ishte lexues i pasionuar, lexonte libra të ndryshme dhe përcjellke shtypin ditor. Sa ishte në banesën private në Lagjen e Bobëve, Gafurr Luma kontaktonte me ish të burgosurin politik Ferid Qallakun nga fshati Gajre, i cili që herët ishte i angazhuar në veprimtarinë ilegale për Republikën e Kosovës dhe njëherit njëri nga organizatorët e demonstratave të 5 majit në Kaçanik dhe më pas i arrestuar dhe i dënuar me 8 vite burg të rëndë.


Avdylgafurr Luma (1961 – 1999)

Duke kujtuar veprimtarinë ilegale të dëshmorit Gafurr Luma, bashkëveprimtari i tij Ferid Qallaku thotë:
Njohja ime e parë me dëshmorin Gafurr Luma ka ndodhur në vjeshtën e vitit 1979 atëherë kur me erdhi në vizitë në laboratorin e Fabrikës së Gelqeres “Lepenci ” në Kaçanik. Ai erdhi me disa shokë të tij gjimnazistë ; Ibush Luzha, Remzi Elezi, Muhamet Malsiu dhe nje tjetër nga Tushajt por s`më kujtohet emri. Unë që më parë isha në dijeni nga shoku i celulës Kadri Luzha se ai kishte një grup të gjerë shokësh në shkollë të mesme që punonte me ta. Njëkohësisht unë mbaja ligjërata dy herë në javë për nxënësit e drejtimit Kimi – Teknologji, për procesin teknologjik dhe analizat kimike me gëlqere në prani të arsimtarit të tyre patriotit Ramadan Thaqit. Ndërkohë me nxënës bëja punë patriotike u shpjegoja për çështjen tonë të pa zgjidhur kombëtare, u flisja për historinë e popullit shqiptar, i udhëzoja që të përcjellnin programet e Radio Tiranës, u jepja literaturë e revista ilegale dhe legale, ndërkohë i nxisja ta mësonin kiminë. Gafurr Luma që në bisedën e parë me la përshtypjen e një djali të sinqertë, i zgjuar, kureshtar e i çiltër me një buzëqeshje të ëmbël dhe nga shtati ishte më i gjatë se shokët e tij. Pastaj e pyeta për familjen dhe si udhëtonte. Më tregoi se udhëtonte me kushëririn e tij Vahidin i cili punonte si shofer në fabrikën tonë, ndërsa banonte në një banesë private në fshatin Bob. Kështuqë filluam të shihemi e të komunikojmë në mënyrë të rregullt ngase edhe unë e kisha një banesë ilegale në fshatin. Bob. Me Gafurr Lumën, në veprimtarinë ilegale punonte edhe Kadri Luzha nga fshati Begracë. Gjatë kontakteve dhe ngritjes organizative, Gafurri mbante pseudonimin “Agimi”, kurse unë e kisha “Agroni”. Takimet, për çështje konspirative, zakonisht i mbanim natën dhe këmbenim literaturë dhe informacione të ndryshme. Kishte raste kur takimet ilegale me Gafurrin i mbaja edhe te shkolla në fshatin e tij të lindjes, në Glloboqicë(Qafshqipe). Në rrjedhë të aktivitetit patriotik, Gafurr Luma dhe veprimtari Remzi Krraba janë edhe shpërndarësit e 100 ekzemplarëve të revistës ilegale ,,Liria’’, të cilat unë i pata marrë nga Hydajet Hyseni në Prishtinë. Në aksione, si celulë e organizuar, kemi marrë pjesë edhe herave të tjera, thot ai.
Pas rënies sime në burg,( qershor 1981) kujton më tej Ferid Qallaku, Gafurr Luma rregullisht e ka vizituar familjen time dhe është kujdesur për çdo gjë të mundshme. Kur isha në burgun e Mitrovicës së Kosovës, bashkë me Vahidin dy herë ka ardhur dhe më ka vizituar dhe më ka pyetur me kënd me u lidhë për të vepruar më tej, si dhe më informonte për rrjedhat aktuale politike. E kam sugjeruar që të vazhdoj aktivitetin ilegal me Remzi Krrabën e disa patriot e simpatizant të cilët edhe Ai i njihte. Kjo duhej të bëhej ngase i gjithë trupi organizativ me gjithë udhëheqjen ishim të burgosur, prandaj pjesët e tresheve që kishin shpëtuar nga burgosja duhej të lidheshin mes vehte dhe të riorganizoheshin. Së treti herë ka ardhur të më vizitoj në burgun e Mitrovicës së bashku me Remzi Krrabën, madje gjatë vizitës biseduam mundësinë e ikjes time prej burgut. U thashë të më sjellin një sharrë çeliku dhe ta vendosin në pastën e dhëmbëve që t`i pres grilat. Remzi Krraba e kishte siguruar tehun e sharrës, por kur ka ardhur të ma dorëzoj në burg, mua më patën transferuar në burgun e Sarajevës, kujton veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Ferid Qallaku nga fshati Gajre i Kaçanikut.
Në anën tjetër, Berat Luzha gjithashtu anëtar i Organizatës që militonte për Republikën e Kosovës, kujton se Gafurr Luma qysh si nxënës i shkollës së mesme në Kaçanik, duke qenë në grupin e nxënësve përparimtarë e atdhetarë, ai nuk do të qëndrojë anash, nuk do të frikësohet për asnjë çast, por do t’i kushtohet e përkushtohet, me zell çështjes sonë madhore kombëtare. Kështu, edhe futet në organizmat e fshehta të kohës, për ta dhënë edhe Ai kontributin e tij të madh, veçanërisht në propagandimin e ideve dhe të idealeve kombëtare, duke shtuar se me Gafurr Lumën, Kadri Luzha ishte i ngarkuar nga Organizata që të mbulonte aktivitetin me nxënësit e shkollës së mesme, andaj edhe Feridi edhe Kadriu kanë pasur kontakte me Avdylgafurr Lumën dhe Remzi Elezin dhe që të dy, nga viti 1980 kanë qenë të përfshirë në veprimtarinë ilegale.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Avdylgafurr Luma, në vitin 1980, ftohet në shërbimin ushtarak, ndërsa në tetor të vitit 1981 fillon studimet në Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë ku arrin t`i përfundoj tri vite. Demonstratat e vitit 1981 për Avdylgafurr Lumën do të jenë kthesë e madhe historike, andaj jo vetëm që i përkrahu ato, por aktivitetin e tij politik e drejton në propagandimin e kërkesës Kosova-Republikë dhe bashkë me studentin Remzi Elezin, vazhdojnë punën e filluar që nga viti 1980 edhepse Organizata ku vepronin ata, tanimë përballej në hetuesi me torturat e tmerrshme udbeske. Gafurri përsëri bie në kontakt me shtypin ilegal, që grupet e fshehura atdhetare e shpërndanin dhe disa numra të revistës ilegale ,,Liria’’ do t`i ketë në duar edhe ai dhe në këtë revistë ilegale, rreth situatës politike në Kosovën e vitit 1981, ndër të tjera shkruante:
,, Rini punëtore, fshatare, shkollore e studenteske e Kosovës trime, rini e barrikadave dhe e aksioneve heroike revolucionare, ti i vure gjoksin e para tiranëve shtypës e gjakatarë, ti e para derdhe gjakun rinor në përleshjet e përgjakshme me armikun . Dhjetëra vite me radhë armiqtë u munduan, me çdo mjet e me çdo formë, të të degjenerojnë, të të fusin në një jetë të shthurur, pa ideale e pa kuptim, por ti ruajte me besnikëri traditën e të parëve, trimërinë e baballarëve, idealin e aspiratat e popullit që të lindi, dhe në ngjarjet e fundit shembe për tokë gjithë ato përpjekje të ethshme e të vazhdueshme të armikut kundër teje, i tregove gjithë botës se në Kosovë po rritet e ngrihet një rini e madhe, e fortë, e bashkuar, trime dhe e vendosur, që nuk do ta durojnë më shtypjen dhe robërinë…

Dëshmori Gafurr Luma, në mesin e një pjese të të burgosurve politik të Kaçanikut në shënimin e 10 vjetorit të demonstratave të vitit 1981.

Demonstratat që shpërthyen anë e kënd Kosovës u shuan në gjak. Qindra bij e bija të popullit u vranë, u plagosën dhe u lënduan rëndë, por lufta e drejtë e popullit për të drejta e liri nuk u shua. Në përkrahje të kërkesave të drejta të popullit, në shumë qytete të Kosovës shpërthyen greva e demonstrata të tjera, kurse vëllezërit tanë në kurbet organizuan dhe po vazhdojnë të organizojnë demonstrata të fuqishme dhe mitingje të shumta proteste nëpër vendet e ndryshme të botës. Populli ynë po e vazhdon luftën e tij në forma të ndryshme, dhe do ta vazhdojë atë deri në realizimin e plotë të kërkesave dhe aspiratave të tij, deri në fitoren e tij të plotë…
Populli shqiptar, në historinë e tij të gjatë ka vuajtur shumë nga pushtuesit e huaj, gjithmonë ka luftuar kundër shovinistëve e zullumqarëve të huaj, por ai vetë kurrë nuk ka qenë pushtues, kurrë nuk ka qenë shovinist e zullumqar ndaj të tjerëve…
Populli ynë nuk dëshiron luftë e gjakderdhje. Prandaj, kërkesat e tij i bëri në rrugë paqësore. Por, udhëheqja shoviniste e Beogradit me qëllim që ta frikësojë atë, këtyre kërkesave iu përgjigj me dhunën dhe terrorin më të egër fashist. Por, ajo duhet ta dijë mirë dhe ta mbajë parasysh se masat e dhunës policore dhe ushtarake që u ndërmorën e po vazhdojnë akoma, vrasjet, burgosjet masive dhe torturat çnjerëzore, kërcënimet e vazhdueshme me tanke, aeroplanë e masa të ashpra ligjore, jo vetëm që nuk e frikësojnë popullin tonë, por e zemërojnë dhe e egërsojnë atë edhe më shumë, jo vetëm që nuk mund ta qetësojnë, por e detyrojnë që, për realizimin e kërkesave (nga të cilat nuk lëvizi dot), të mendojë edhe në rrugë dhe me mjete të tjera…’’
Kjo revistë që shpërndahej dorë në dorë nëpër Kosovë e që Gafurr Luma numrin e saj të parë e kishte pasur që në vitin 1980, si dhe trakte e komunikata të ndryshme, pos që i lexon, arrin që t`ia jep edhe studentit të Fakultetit Juridik, Bajram Dernjanit nga fshati Paldenicë të Hanit të Elezit. Në anën tjetër Remzi Elezi nga Sllatina e Kaçanikut i cili në vazhdim të veprimtarisë së tij ilegale kishte rënë në kontakt me Agron Morinën nga Ferizaj, Gafurr Lumën e pajisë me materiale tjera ilegale nga Komiteti Organizativ, një organizatë e cila tanimë tentonte t`i shkrinte grupet e vogla në një organizim më të madh. Në rrjedhë të aktivitetit ilegal, në fshatin Sllatinë, formohet edhe Komiteti i Rrethit për Kaçanik. Në këtë mbledhje konstituive marrin pjesë: Remzi Elezi, Avdylgafurr Luma, Bajram Dernjani dhe Remzi Krraba. Në këtë mbledhje Remzi Elezi zgjedhet sekretar organizativ, ndërsa Avdylgafurr Luma merr detyrën e sekretarit për propagandë dhe agjitacion ku edhe i caktohet emri konspirativ,,Avdiu’’. Duke shfaqur nevojën për ngritjen e një baze të tipografisë, një makinë shkrimi e sigurojnë nga Grupi i Paldenicës, përkatësisht nga Shaban Çupi dhe në Fushë të Pajtimit, Bajram Dernjani e Sejdi Dernjani i dorëzojnë Gafurr Lumës. Në fakt, Grupi i Paldenicës në përbërje të Bajram Dernjani, Shaban Çupi, Sejdi Dernjani e Naser Dernjani dhe anëtarë të tjerë që mbetën të pazbuluar, kishin vepruar të pavarur që nga viti 1981 e këtej dhe kishin arritur që me mjaft sukses të shtrihen në shumë pjesë të trevës së Hanit të Elezit. Komiteti i Rrethit për Kaçanik do të masivizohet edhe me Remzi Krrabën nga fshati Stagovë, një veprimtarë i hershëm dhe në lidhje ilegale në celulën e Ferid Qallakut që nga viti 1978, pastaj Mefail Vishin, Ismail Malsiun, Kadri Rakën, Emrush Tafilin, Muhamet Qorrin dhe të tjerë, që gjatë hetuesisë mbetën të pazbuluar, dhe gjatë ngritjes organizative, grupi në fjalë shkëmbejnë materiale të tjera ilegale si Projektprogramin dhe Projektstatutin e organizatës, revistën Liria e Pararoja, shumë ekzemplarë të revistës Zëri i Kosovës, Këngët e Lirisë, Pushkën amanet, librin Titistët, traktin për vrasjen e Zija Shemsiut, Traktin kundër tradhtisë, Armiku na ka në dorë vetëm aq sa e lejojmë ne vetë apo siç njihej ndryshe si Tezat e Konspiracionit, si dhe materiale të tjera ilegale nga Fronti Nacional Çlirimtarë ku vepronte tanimë dëshmori Afrim Zhitia. Ndërsa me rastin e trevjetorit të demonstratave të vitit 1981, në një trakt të shpërndarë, ndër të tjera thuhej se:
,,Para tri vjetësh, rinia, studentët, klasa punëtore dhe fshatarët, si një grusht i bashkuar,u ngritën në këmbë për të kërkuar të drejta e liri në Kosovën e robëruar nga shovenistët serbomëdhenjë. U ngrit populli në këmbë më i fortë se kurrë, më i vendosur se kurrë për të kërkuar me vendosmëri realizimin e të drejtës jetike, statusin e Republikës së Kosovës, për Republikën ku do të përfshiheshin shqiptarët që jetojnë në trojet e veta por të shkapërderdhura në tri republika të Jugosllavisë…Mirëpo, çka ngjau !- thuhej më tej në traktin e shpërndarë, në vend se kërkesa e popullit shqiptar të merren me arsye e maturi, në vend që palët të shtrohen në bisedime, populli shqiptar u shkel me tanke, u vra edhe një herë,u sakatos edhe një herë…’’
Në vazhdë të këtij aktiviteti të madh kombëtar, që ideja e lirisë të përhapej në çdo shtëpi shqiptare, me 4 nëntor 1985 zbulohet organizata e cila kishte një shtrirje në të gjitha viset shqiptare e në këtë rast zbulohet edhe Komiteti i Rrethit për Kaçanik dhe krahas arrestimit të anëtarëve të tjerë, me 12 nëntor 1985 arrestohet edhe Avdylgafurr Luma dhe pas hetimeve 6 mujore në Gjilan e Prizren, ai me 9 qershor 1986 do të gjykohet me 4 vite burg në grupin prej 23 pjesëtarëve dhe krahas Gafurr Lumës, me dënime të rënda dënohen edhe Remzi Elezi, Bajram Dernjani, Remzi Krraba, Shaban Çupi, Mefail Vishi, Muhamet Qorri, Ismail Malësiu, Emrush Tafili, Kadri Raka, Metush Krasniqi, Ramadan Haziri, Sylejman Bytyqi, Hyzer Haxhiu, Muzafer Lika, Nexhat Xhokli, Jahir Haliti, Ruzhdi Shkodra, Xhemajl Azemi, Daut Shkodra, Skender Osmani, Ahmet Bekteshi dhe Nuhi Ramadani.
Avdylgafurr Luma dënimin e shqiptuar nga burgosja e parë e vuan në Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Gurrakoc gjithnjë i dashur, dhe i respektuar nga të gjithë.
Pas daljes nga burgu, Avdylgafurr Luma do të vazhdoj studimet e mbetura nga arrestimi i parë, por kushtet e vështira ekonomike dhe situata gjithnjë e më rëndë që pasoi pas viteve të 90-ta ai për një kohë do të punoj si mësues pranë shkollës ,,Kongresi i Manastirit’’ në Qafshipe e më pas si sekretar i kësaj shkolle, ku ndërkohë edhe martohet me Hidajete Luzhën nga Begraca e Kaçanikut nga e cila martesë e shkurtër u lindën dy fëmijë, djali Lirimi dhe vajza Kaltrina. Krahas përballjeve me kushtet e vështira ekonomike, kontributin e tij Gafurri e jep edhe në jetën politike qoftë në LDK, qoftë në Këshillin e Financave, qoftë në KMLDNJ dhe rreth këtij aktiviteti Gafurri për disa herë ftohet nga sigurimi i armikut në të ashtuquajtura ,,biseda informative‘‘.
Në fshatin e tij, kujton bashkëveprimtari Berat Luzha, Gafurr Luma udhëhiqte të gjitha aktivitetet, si ato politike, ashtu edhe ato humanitare, kulturore, për të drejtat e njeriut etj. Njihej për urtësi e aftësi organizuese. Ishte tip politikani dhe diplomati, por që aftësitë e tij nuk mundte t’i zbatonte, përveç në biseda dhe në punë konkrete me shokët e tij të idealit e të veprimit, duke shtuar se Gafurri ishte një personalitet vizionar, me prirje të një politikani profesionist, i fjalës, i besës, i përkushtuar për çështje dhe i matur e serioz në veprimet e tij.
Ndërsa Naser Kuka, gjithashtu një veprimtar i dalluar i ilegales, për Gafurr Lumën, kujton se ishte një veprimtarë i përmasave që e tejkalonte kulturën provincialiste të formimit intelektual dhe politik të kohës që i përkiste. Ishte krejtësisht i liruar nga dogmat e së kaluarës, me një kulturë të gjerë intelektuale dhe formim atdhetar. I përkushtuar gjerësisht dhe jetësisht në Lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës.
Meqë situata politike në Kosovë, gjithnjë e më tepër ashpërsohej e dhuna kishte prekur pothuajse çdo derë të shqiptarëve, Gafurr Luma i humb shpresat se çështja e Kosovës do të zgjidhet me mjete paqësore dhe në rrjedhë të aktivitetit të tij, bie në kontakt me veprimtarin e njohur Ekrem Jasharin nga Ferizaj dhe nga ai do të mësoj më shumë për ekzistimin e UÇK-së dhe siç deklaron në një akademi përkujtimore, ish i burgosuri dhe njëherit pjesëtari i UÇK-së, Bislim Zogaj nga Drenasi, në muajin shkurt të vitit 1996 na kishte ardhur një pjesë e armatimit nga jashtë dhe armatimin e kishim vendosur në një vend të papërshtatshëm në brezin kufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, andaj shkuam me Nait Hasanin dhe ,,Plakun’’ Xheladin Gashin në emër të Azem Sylës te Avdylgafurr Luma që ai t`na ndihmoj, duke vazhduar më tej Bislim Zogaj, se Gafurri, bashkë me vëllezërit e tij, pranoi pa hezitim një detyrë të tillë dhe armët i strehoi në një vend tjetër dhe pas dy dite arritëm t`i tërheqim për në zonat më të thella të Drenicës, ku tanimë vepronte UÇK -ja.
Siç dëshmon veprimtari dhe ish i burgosuri politik Berat Luzha, Gafurr Luma ka pasur lidhje më të hershme me Azem Sylën dhe në kuadër të kësaj lidhjeje, Gafurri do të jetë personi kyç në përcjelljen e pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nga Kosova për në Maqedoni dhe anasjelltas. Në rrjedh të këtij aktiviteti ai do të përcjell për disa herë ilegalisht në kalimin kufitar edhe vetë Azem Sylën, Sokol Bashotën, Rexhep Selimin, Ekrem Jasharin si dhe ushtarë të tjerë, armë dhe municion.
Avdylgafurr Luma për herë të dytë për veprimtari politike, tani si pjesëtarë i UÇK-së do të burgoset me 11 gusht 1998, pak orë pasi vritet në luftë me pushtuesin serb, komandanti i UÇK-së për Kaçanik, Agim Bajrami i njohur si komandant,,Zefi‘‘ dhe dy pjesëtarët e tjerë Besnik Begunca dhe Xheladin Kurtaj. Krahas Gafurr Lumës u burgosën edhe i vëllau i Xheladinit, Danushi, Hasan Dalloshi, Fatmir Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka, Xhavit Haziri, ndërsa ndaj Berat Luzhës, Hajrush Kurtajt, Qamil Ilazit, Naser Kukës, Reshat Salihajt, Bexhet Imishtit, Remzi Elezit dhe Naim Bekës, aktakuza u ngritet në mungesë, por është karakteristike të theksojmë se nga ky grup të akuzuarish, 6 pjesëtarë kanë rënë dëshmor, 4 në burgun e Dubravës, ndërsa Naim Beka e Komandanti i Brigadës, Qamil Ilazi, fushëbetjave për lirinë e Kosovës.
Hetimet e rënda Gafurr Luma do t`i kryej në Gjilan, por para hetuesve, përkundër dhunës, Gafurri nuk do të pranoj akuzën dhe kjo dëshmohet edhe në vetë aktakuzën e ngritur të datës 8.10.1998 ndërsa Gjykata pushtuese e Prishtinës do ta dënoj me 6 vite burg. Gafurr Luma, në burgun e Dubravës do të sjellet nga burgu i Gjilanit më 30 prill 1999 bashkë me shokët e tjerë të burgosur nga komuna e Kaçanikut, ashtu siç i sollën edhe të burgosurit tjerë nga burgjet tjera, dhe para se të sistemoheshin të burgosurit në pavijone, në aneksin e këtij burgu, torturoheshin rëndë për të vazhduar edhe brenda pavijonit si dhe në qelitë e këtij burgu famëkeq, ku të burgosurit krahas torturave, përballeshin edhe me uri.
Me Gafurr Lumën, gjatë burgut të dytë, jam takuar më 19 maj 1999 në burgun e Dubravës, pasi i thyem dyert e burgut dhe dolëm në oborr, por mbetëm brenda mureve të burgut pasiqë ai ishte i rrethuar në të katër anët nga forcat serbe. Që në takimin e parë më pyeti se di gjë për familjen dhe vëllezërit e tij. E vërejta se nga shqetësimi që kish, ia kishte ndier zemra se diçka kishte ndodhur në familjen e tij. E binda se familjen e ke ,,mirë‘‘ dhe se kanë shkuar në Tetovë, ndërsa vëllezërit i ke në luftë. Nuk i tregova se i është vrarë vëllau i tij Qaniu më 8 mars 1999, nuk munda. Në fakt kisha në plan t`i tregoja në ndonjë rrethanë pak më të mirë, por…
Gagurr Luma vritet në burgun e Dubravës nga forcat pushtuese serbe në mëngjesin e datës 22 maj 1999. U vra në të ashtuquajturën Fusha Sportive e burgut, bashkë me 150 shokë të tjerë, pasiqë paraprakisht gardianët serb, kishin sajuar kurthin dhe ftuan të burgosurit që të tubohen për t`i transferuar në burgun e Nishit. Në momentin kur të burgosurit tubohen, fillimisht nga karakolli, të burgosurit sulmohen me granatahedhës dhe pastaj në të gjitha anët me mitraloz, bomba, automatik e snajper. Ishte një krim i organizuar shtetëror serb. Sipas dëshmisë së të mbijetuarit Xhevat Haziri nga Vitia, Gafurr Lumën plumbi e mori në zemër. Nga komuna e Kaçanikut pos Gafurr Lumës u vranë: Prof.Mejdi Dalloshi, Mr.Tefik Raka e Danush Kurtaj, ndërsa nga Hani i Elezit, i mituri 17 vjeçar Suad Brava.
Në fakt, Gafurr Luma u plagos në kokë ( nga copat e betonit) edhe më 19 maj, tri ditë para se të vritej, në çastin kur u vranë Enver Topalli nga Ferizaj, Avdullah Tahiri nga Gjilani e Gjokë Ndrecaj nga Gjakova. Fashoja e mbështjellë rreth kokës së plagosur të Gafurrit, i përngjante plisit të bardhë kombëtar me të cilin ai krenohej edhe gjatë aksioneve ilegale, edhe gjatë demonstratave popullore për Republikën e Kosovës.
Pas vrasjes së Avdylgafurr Lumës me 22 maj 1999, serbët kufomën e tij dhe të burgosurve të tjerë do t`i varrosin në varrezën masive të fshatit Rakosh të Istogut ku pas lufte do të bëhet zhvarrimi dhe do të rivarroset me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik, ndërsa dy fëmijët e tij, Lirimi e Kaltrina rriten krenar për babain që kishin, në përkujdesjen e ngrohtë të nënë Hydajetes.
Krahas kësaj, i vëllau i Avdylgafurrit, Qani Luma i lindur në vitin 1976, bie heroikisht me 8 mars 1999 si pjesëtarë i UÇK-së në fshatin Ivajë të Kaçanikut në përballjet frontale me pushtuesin serb, si ushtar i Brigadës 162 ,,Agim Bajrami ‘’ bashkë me kushëririn e tij Osman Lumën.
Pra, Familja Luma, ishte çerdhja e lirisë dhe e qëndresës shqiptare në krye me nënëshqiponjën Zylfinë, një grua burrëresh, tanimë e ndjerë e cila me të gjithë bijtë e saj luftonte për lirinë e vatanit dhe nga katër djem që kishte, dy i fali atdheut; Gafurrin dhe Qaniun, ndërsa Eminin tanimë edhe ai i ndjerë, veteran i UÇK-së. Kjo familje me taban të shtresuar kombëtarë priti e përcolli ditën e natën, qëndrestarë vendeve të ndryshme. Besnikëria kombëtare e Gafurr Lumës, jo vetëm që nderonte familjen, fisin e fshatin, por ajo nderonte edhe Sharrin Dardan e bashkë me atë edhe atdheun epik.
Avdylgafurr Luma ishte një veprimtar i orëve të para për çlirimin e atdheut dhe si i tillë kishte një rreth të gjerë shokësh veprimtarë. Nga gjykata e pushtuesit u dënua( në të dy burgjet) me 10 vite burg. Lirinë e atdheut e donte më tepër se vetveten. ,, Më mirë të vdes unë se Atdheu‘‘, mirë e thotë rapsodi. Që nga viti 1980 e deri sa u vra në majin e vitit 1999, ai nuk pushoi së vepruari. Ishte i shoqëruar dhe me fjalorin e tij shpejt të bënte për vete. Kishte mprehtësi organizative dhe kthjelltësi politike. Ishte tolerant dhe argumentues. Kur u martua, në dasmë ftoi shumë shokë të ilegales. Mbaj mend një diskutim të tij para shokëve dasmorë:
,, Qerrja ka mbetur keq në baltë. Me ne janë të gjithë ata që synojnë dhe përpiqen që këtë qerre ta nxjerrin nga balta. Me ne nuk janë dhe nuk mund të jen vetëm ata që qerres i kanë hipur sipër dhe dëshirojnë që ta fundosin edhe më thellë‘‘.
Nga instrumentet muzikore preferonte fyellin, ndërsa prej këngëve, atë të Malësisë së Lumës. Mbaj në mendje edhe një kujtim nga burgu i parë në Gurrakoc. Një fyell s`di se kah i erdhi në duart e Gafurr Lumës. Më tha t`ia ruaj derën nga gardianët derisa të çmallej me meloditë e bukura të fyellit. Si më tha, ashtu veprova dhe derisa i dëgjoja meloditë e bukura nga fylli i Gafurr Lumës, në vetvete thash: Eh sa mall ka shqiptari për atdheun e tij, për këngën dhe melodinë baritore shqiptare! Eh,…!

Pas vrasjes së tij, në shenjë nderimi e krenarie, shkolla fillore në Qafshqipe mori emrin e tij dhe në oborr të shkollës, bashkëfshatarët kanë ngritur bustin e dëshmorit, aty ku edhe mori mësimet e para dhe për çdo muaj maji; nxënës, arsimtarë e veprimtarë anë e kënd Kosovës, Shkupit e Pollogut me lule të Sharrit përkujtojnë bilbilin e këngëve të lirisë.
Ndërsa rapsodi popullor, Milaim Mezini, kështu e skalitë në këngë pavdekësinë e dëshmorit Gafurr Luma:
Hej moj Qafë e Shipes, mori kështjellë dardane
O ti krenarinë, sot e ke më të madhe
Me shumë plagë e vrima, djemtë e tu i pashë
Jo kurr s`ti lëshuan, muret e kalasë.
Lartë e ngriti zërin o ky sokol mali
Zgjohet Gafurr Luma o nji zemër mali
Nga majet e Sharrit, zbret në Kaçanik
Po i thot pa u trembur, o armikut ik!
Ik tiran nga toka jonë
Ik më shpejtë sa s`është bë vonë
Grykës Sharrit, bëfsh me hy
Ka me t ` knu qyqja mbi kry
Këtu dhe lisat e malit janë shokët e mi…
Emri yt kësaj shkolle, ja shton krenarinë
Koha i shëron plagët, dëshmorët kanë lavdinë
Sa herë t`na i sjell maji, lulkuqet n`pranverë
Veprat e dëshmorëve i kujtojmë përherë.
Ti o vëlla i Qaniut dhe drita e Osmanit
Vëlla i luftëtarit, Arif Kapidanit
O ti edhe n`pranga qëndrove si burrë
N`përjetësi t`atdheut sot je bë flamur…

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura