KADRUSH RADOGOSHI: JUSUF GËRVALLA DHE ELTON ZHERKA

Edmonton (Kanada), 11. 12. 2015: (Skicë për një ese krahasimtar) -Jusuf Gërvalla dhe Elton Zherka janë dy emra heronjsh, të cilët ndryshojnë shumë në mes veti, por çuditërisht kanë të përbashkët, jo vetëm mbylljen e jetës së tyre në dyluftim me robërinë, por edhe profilin e tyre profesional, që lidhej me skenën. Jusufi, pos gazetar dhe shkrimtar, ishte edhe kitarist dhe kantautor, ndërsa Eltoni ishte model, që e kishte bërë të njohur bukurinë shqiptare nëpër pasarelat e ndryshme të modës.
Ndryshimi i parë në mes tyre është se këta dy heronj u takojnë gjeneratave të ndryshme. Jusuf Gërvalla kishte lindur në vitin 1946, kur akoma nuk kishte lindur as babai i Eltonit, Gëzimi. Eltoni lindi në kohën, kur Jusufi u detyrya të largohej ilegelisht nga Kosova. Në vitin 1982, kur u vra Jusufi, Eltoni ishte fëmijë parashkollor. Mënyra e vrasjes së Jusufit ndryshon nga ajo e Eltonit. Jusufi u vra nga sigurimi shtetëror i ish Jugosllavisë në një atentat në Gjermani në vitin 1982 së bashku me vëllain e tij Bardhoshin dhe bashkëluftëtarin e tij Kadri Zekën, ndërsa Eltoni u vra në betejën e Junikut në vitin 1998 së bashku me Permet Vulën dhe Bedri Shalën. Ndonëse, të rëna në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, këto dy treshe heronjsh e kanë të përbashkët idealin e lirisë të shndërruar në qëllim: Çlirimi i atdheut.

– Jusuf Gërvalla dhe Elton Zherka –

Jusuf Gërvalla si njeri ishte më i emancipuar se shumë shokë të gjeneratës së tij. Në aspektin artistik, Jusufi ishte figurë shumëdimensionale. Nëse me gazetari e fitonte ekzistencën, në kohën kur gjendej në atdhe, me veprimtarinë e tij të shumanëshme artistike ai shprehte ylberin estetik të shpirtit të tij. Poezia e tij i siguroi atij një vend të denjë në panteonin e poezisë shqiptare. Figurën e tij prej shkrimtari e kompleton edhe proza dhe drama e tij. Jusufi në fundin e viteve të 60-ta dhe në fillimin e viteve të shtatëdhjeta ishte kitaristi dhe kantautori i shndërruar në model për rininë kosovare. Megjithatë, të qenët artist i famshëm në disa fusha të artit, nuk ishte i mjaftueshëm për HEROIN me atdhe të robëruar.
Elton Zherka, lindi në Gjakovë në vitin 1978 dhe ashtu si Jusuf Gërvalla lindi në një familje patriotike: Babai i tij, Gëzimi nuk ishte pajtuar me politikën antishqiptare, prandaj ishte burgosur për motive politike. Eltoni trashëgoi nga prindët një bukuri të rrallë fizike, e cila i kishte edhe përmasat e veta epike. Kjo pamje fizike dhe dashuria për të bukurën, për modën, e futën atë në pasarelat e modës ndërkombëtare dhe në momentet kur ylli i famës së tij kishte arritur në zenit, ai vendosi që bukurinë e tij fizike dhe shpirtërore, famën dhe adhurimin e shumë vajzave për të, t’i sakrifikojë në altarin e lirisë së atdheut në Betejën e Junikut, duke u përlesh me ushtrinë serbe në vijën e parë të frontit. Varrimi i Elton Zherkës dhe Përmet Vulës në Gjakovë në vitin 1998 (në kohë lufte dhe terrori policor) ishte madhështor siç kishte qenë 18 vjet më parë ai i Jusufit, Bardhit dhe Kadri Zekës.
Pas asaj që u tha më lartë, mund të përfundojmë se Jusuf Gërvalla dhe Elton Zherka janë të ndryshëm në shumë aspekte si njerëz dhe si artistë, por që kanë të përbashkët aktin e flijimit të jetës së shndërruar në art, estetikë dhe famë për lirinë e atdheut. Sa kuptimplotë tingëllojnë, në këtë kontekst, vargjet e poetit të Rilindjes hungareze Shandor Petëf, i cili para se të binte në fushën e nderit si Jusuf Gërvalla dhe Elton Zherka, pat shkruar: “Jetën time rinore plot ëndrra e jap për dashurinë, por për lirinë e jap edhe dashurinë”!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura