DR.JAKUP KRASNIQI: REXHEP MALAJ DHE NUHI BERISHA

Prishtinë, 14. 01. 2014 – Të flasësh apo të shkruash për vitet e veprimtarisë së Rexhep Malajt e Nuhi Berishës dhe brezit të tyre nuk është ndonjë vështirësi, pasi shumëçka nga jeta e tyre atdhetare është e freskët. Janë kujtimet nga gjenerata e kohës me të cilën vepruan. Janë ish-të burgosurit që bashëvuajtën në burgjet jugosllave me Rexhep Malajn. Janë shkrimet e tyre personale dhe një sërë dokumentesh zyrtare. Janë librat e shumtë të shkruar e të botuar jo vetëm për këta dy heronj dhe, së këndejmi, që të gjitha këto së bashku forcërisht dëshmojnë për veprën e tyre jetësore – atdhetarizmin e konfirmuar deri në frymën e fundit të jetës. Lehtë është sot të shkruash apo të flasësh për këta kolosë me integritet të lartë të Lëvizjes Klandestine Atdhetare, por qe tepër e vështirë të veprohej, sidomos në vitet e shtatëdhjeta e të tetëdhjeta, siç vepruan këta në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare. Pa integritetin e nivelit të lartë, i cili integritet nuk u mungoi kurrë heronjve – Rexhep Malaj e Nuhi Berisha dhe bashkëveprimtarëve të tyre, që e mbajtën dhe e përcollën me guxim e dashuri nga brezi në brez flakadanin e lirisë. Adem Demaçi, heroi i gjallë i kombit dhe të gjithë ata që e ndoqën guximshëm në rrugën e lirisë, u bënë burim i pashtershëm frymëzimi për luftëtarët e lirisë të Lëvizjes Kombëtare Klandestine për çlirim.

Përse ishte vështirë?
Sigurisht që vështirësia nuk vinte vetëm nga fakti pse Kosova ishte e pushtuar, pse mekanizmat e shtetit ishin në gjurmim e ndjekje të përhershme të “armiqvetë popullit”, të cilët edhe kur mungonin për një çast – sajoheshin, pasi policia sekrete serbo/jugosllave dhe argatët e tyre në Kosovë me pagë e pa pagë nuk mund të mbeteshin të papunë. Ata duhej ta arsyetonin ekzistimin e tyre, duke gjurmuar e shumëzuar “armikun e klasës”, siç quheshin atyre viteve nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë. Vështirësia më e madhe ishte se rolin për mbrojtjene shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës, e kishte uzurpuar klasa politike autonomiste me Titon në krye. Kësaj duhet shtuar edhe entuziazmin që ishte krijuar të klasa politike shqiptare në Jugosllavi pas realizimit të pjesshëm të kërkesave të Demonstratave të vitit 1968, siç ishin: Kushtetuta, Universiteti dhe Autonomia Socialiste e Kosovës. Natyrisht që nuk duhet mohuar avancimi që iu bë statusit politik të shqiptarëve të Kosovës me Kushtetutën e vitit 1974. Por për Lëvizjen Kombëtare Klandestine për Çlirim kjo nuk paraqiste fundin e aspiratës së shqiptarëve, pa mohuar faktin se ishte një hap i rëndësishëm, por hapërimi i shqiptarëve në realizimin e së drejtës së tyre as duhej dhe as mund të ndalej. Ata edhe në rrethanat e reja duhej ta vazhdonin veprimtarinë klandestine për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve. Një veprimtar i dalluar, një korife vizionar i këtij ideali, i një brumi të veçantë pa dyshim që ishte Rexhep Malaj, njëri nga anëtaret e Grupit Revolucionar të Kosovës. Ai këtë veprimtari me një vendosmëri të veçantë e ushtronte në radhët e Grupit të Studentëve Revolucionar në Universitetin e Prishtinës.
Rexhep Malaj u lind në fshatin Hogosht të Dardanës (Kamenicës) më 29 mars 1951: nga i ati Mehmeti, dhe e ëma Fahrija. Familja e Rexhepit kishte kushte mesatare ekonomike për jetën. Duhet theksuar se familja e Rexhës ishte një familje me traditë të pasur atdhedashëse. Me një urti dhe bindje të veçantë atdhetare dallohej i ati, Mehmeti. Shkollën fillore Rexhep Malaj e kreu ne Hogosht. Ndërsa shkollimin e mesëm e fillon në gjimnazin e Gjilant, pasi i ati Mehmeti do të shpërngulej ne Gjilan. Qyteti kryesor i Anamoravës atëherë ofronte mundësi më të mira për jetë, punë dhe arsim sesa fshati Hogosht. Rexhepi i vazhdoi mësimet në gjimnazin e Gjilanit. Në vitin e tretë ai, edhe pse në moshë të re, duke qenë njëri ndër organizatorët e demonstratës së 1968-ës në qytetin e Gjilanit, në fundtë atij viti përjashtohet nga gjimnazi. Në vitin shkollor vijues, 1969/1970 Rexhep Malaj gjimnazin do ta vazhdojë në Preshevë, ku edhe e kreu me sukses. Nga këto të dhëna, ndonëse telegrafike vijmë në konstatime të qëndrueshme: Mehmet Malaj ishte prind i urtë, atdhetar dhe vizionar i kohës dhe se Rexhep Malaj bazat e atdhetarizmit i mori në familje, i çelnikosi në gjimnaz e më pas në organizimin klandestin dhe i kristalizoi në burgjet jugosllave, aty ku e formoi deri në përsosshmëri personalitetin e tij me një integritet të nivelit të lartë atdhetar. Këtë integritet e pamë gjatë ushtrimit të veprimtarisë atdhetare pas daljes nga burgu së bashku me Nuhi Berishën dhe veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Klandestine.
Nuhi Berisha u lind më 3 tetor 1961 në fshatin Svircë të Dardanës. Shkollën fillore Nuhiu e përfundoi në vendlindje, gjimnazin në Gjilan, ku ishte shpërngulur familja e tij, ndërsa Fakultetin Juridik dhe Fakultetin e Kulturës Fizike i vijoi në Prishtinë. Në këtë kohë fillon dhe veprimtaria e tij atdhetare. Edhe Nuhiu, veç edukimit familjar për atdhedashuri, në formimin e tij politik pati ndikimin e vet edhe afria familjare me Kadri Zekën e ndoshta mbi të gjitha, vetë fryma atdhetare e atyre viteve dhe gatishmëria e tij për t’u vënë guximshëm në shërbim të çlirimit për komb e atdhe.
Anamorava pas Luftës se Dytë Botërore ishte një vatër e zjarrtë e edukimit atdhetar.
Këtë frymë atdhetarizmi të nisur nga Mulla Idriz Gjilani, Ramiz e Raif Cernica, Metush Krasniqi, Kadri Zeka, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Zija Shemsiu, Halil Alidemaj, Kadri Osmani etj., e vazhdoi dhe e realizoi Legjendari Adem Jashari me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të pasuar guximshëm në atë anë nga Abdullah Tahiri, Agim Ramadani, Isa Kastrati e shumë tëtjerë.
Në një fjalë rasti, në përkujtim të Rexhep Malajt e të Nuhi Berishës, në shënim të 30-vjetorit të rënies heroike në Kodrën e Trimave (nga e ka marrë me të drejtë emrin kjo pjesë e Prishtinës), është vështirë, madje tepër vështirë për ta përmbledhur krejt atë që duhet të thuhet për këta korifenj të Lëvizjes Kombëtare Klandestine për Çlirim. E më se paku kjo mund të bëhet në një Akademi Përkujtimore, qoftë edhe jubilare, siç është kjo e sotmja. Këta heronj të kombit, edhe pse patën një jetë të shkurtër, edhe atë pak jetë që e jetuan, e jetuan me dinjitet, duke treguar integritetin e nivelit më të lartë politik, kombëtar e njerëzor. Heronjtë tanë ishin përcaktuar me vetëdije për integritetin e tyre njerëzor për çështje patriotike. Ata gjithashtu ishin të bindur se integriteti njerëzor e atdhetar nën robëri e kishte shkallën e lartë të rrezikshmërisë, por gjithashtu ishin të bindur se duhej çdo sakrificë për liri e atdhe. Në kohë të ndryshme, nga mendimtarë të shquar është përsëritur shpesh thëna: “Për liri ia vlen çdo sakrificë”. Por, jo vetëm historia jonë ka dëshmuar se është një përqindje e kufizuar e njerëzve që kanë guximin që të jenë të edukuar me gatishmërinë për flijimin sublim. Prandaj janë në numër të kufizuar ata burra që hapin brazda orientuese për breza të tërë. Në kohën tonë integriteti njerëzor apo intelektual nuk e kërkon shkallën e rrezikshmërisë, së paku jo atë shkallë që e kërkonte Kosova para qershorit 1999 për t’i parë gjërat pa tisin e zi që ta krijojnë disa lloje syzash. E megjithatë kemi mungesë integriteti në shoqërinë tonë.
Rexhep Malaj e më pas edhe Nuhi Berisha ishin të bindur se çlirimi i Kosovës do të ndodhë vetëm atëherë kur populli shqiptar ta marrë në dorë pushtetin, ndërsa lirinë e plotë do ta arrijë kur të bashkohemi me Shqipërinë. Në dokumentet dhe në traktet e kohës nënvizonin se:
“Luftën kundër regjimit jugosllav populli ynë e konsideron (…) si të vetmen rrugë për realizimin e aspiratës së tij”.
Ata ishin të bindur se “shqiptarët e Kosovës fitoren e kishin nga gryka e pushkës”. Në këtë plan ata dhe brezi i tyre qenë parashikues të pagabueshëm. Citatet e sapo thëna i përkasin periudhës para se të burgosej Rexhep Malaj, por këtë mendim do ta kishin edhe pak ditë para rënies heroike, në duelin e armatosur me policinë, më 12 janar 1984. Pas rënies së tyre, shokët i kujtonin fjalët e Rexhepit: “Rruga e nisur s’duhet lënë përgjysmë! Vetëm me luftë mund të çlirohemi!” Këto fjalë u vinin atyre si amanet dhe si jehonë.
Tani, në masë të madhe mund të themi se rruga e nisur nuk u la përgjysmë, shumëçka e programuar dhe e aspiruar nga Lëvizja Kombëtare Klandestine për Çlirim është realizuar, por për të ardhur deri te pavarësia e Kosovës u deshën jo pak flijime.
Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, këtu e 30 vjet më parë në Kodrën e Trimave në Prishtinë, me gjakun e tyre vulosën fjalën e dhënë, vulosën aspiratën e brezave, vulosën bindjen e tyre, parimet e tyre, për t’iu lënë amanet brezave vazhdimin e luftës për liri, për çlirim e bashkim kombëtar. Ky ishte vullneti i tyre, për të rënë si dy heronj në altarin e lirisë, e për t’u ngritur mijëra të tjerë në luftën për liri e pavarësi.
Lavdi rënies heroike të Rexhep Malajt e Nuhi Berishës!
Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit!

– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë luftës ishte zëdhënës i SHP të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura