SHEFIK SADIKU: ATË QË NUK E BËJMË NE PËR VETE, NUK E BËJNË TË TJERËT PËR NE!

Viti, 21. 04. 2015 – Kosova në qershor të vitit 1999 u çlirua përfundimisht nga një pushtim i egër. Çlirimi nuk ishte synim vetëm i gjeneratave të ditëve të sotme, ai gjakohej që nga mbetja e kësaj pjese nën sundimin e Serbisë. Për këtë synim madhor punuan dhe vepruan shumë gjenerata në kohë të ndryshme, herë më shumë e herë më pak, varësisht nga rrethanat historike, shoqërore, politike, ndërkombëtare, që përcaktonin dhe mundësonin veprimin e shqiptarëve. Dorën në zemër liria e shqiptarëve të Kosovës u pagua shtrenjtë. Robëria gati njëshekullore nën regjimet e Serbisë, Kosovën e la mbrapa në zhvillimin e përgjithshëm, andaj përpjekjet e njerëzve të kësaj toke për të drejta, për trajtim të barabartë me të tjerët, për liri kombëtare dhe për zhvillim nuk kishin alternativë tjetër pos deri edhe në mobilizimin e përgjithshëm për të dalur një herë e përgjithmonë nga kjo zgjedhë e robërisë.
Liria e shumëpritur dhe e ëndërruar më në fund erdhi në saje të sakrificave të shumta, në saje të çmimit të lartë që u pagua për të. E drejta jonë për të qenë të lirë, fatmirësisht, kësaj here u përkrah edhe nga faktorët ndërkombëtarë të vendosjes. Por jo gjithçka shkoi mirë dhe mbarë pas çlirimit më 1999 për Kosovën dhe qytetarët e saj. Vendosja e vendit nën administrimin ndërkombëtar të njohur si UNMIK nuk dha pritjet që qytetarët e këtij vendi gjakonin, më pas edhe vendosja e misionit të EULEXI-it, po ashtu, nuk bëri atë që pritej se do ta bënte, sidomos, në vendosjen e sundimit të ligjit dhe ligjshmërisë, përgjithsisht. Duhet të jemi realistë dhe duhet ta dimë mirë se vendosja e administrimit të një vendi nën mbikqyrjen e misioneve të jashtme nuk mund të jetë zgjidhja më e mirë për një vend të caktuar. Të paktën edhe shembujt kudo në botë e kanë dëshmuar këtë të vërtetë.

Por ajo që më shumë i ka brengosur dhe po vazhdon t’i brengosë qytetarët e vendit tonë është papërgjeshmëria e institucioneve tona, të cilat kanë dalur dhe po dalin nga procesi zgjedhor. Jemi dëshmitarë se jo gjithçka në shoqërinë tonë ka ecur në rrugë të drejtë për të mos thënë fare pak. Duke mos pretenduar se do të jap një pasqyrë shterruese të ngecjes sonë në të gjitha fushat e shtetndërtimit, po i jap vetes të drejtën të potencoj disa segmente ku pritjet për një zhvillim më ndryshe kanë qenë më të mëdha karshi zhvillimeve që kanë ndodhur dhe po ndodhin që nga paslufta e fundit çlirimtare.
Me të drejtë kemi pritur se, tani në kushte të lirisë, do të kemi një arsim shumë më cilësor, por, fatkeqësisht, në këtë segment, përjashto ndërtimin e disa shkollave të reja, cilësia e arsimit nuk është ajo e dëshirueshmja dhe e mundshmja. Shkollat tona, duke përjashtuar pak nga to, ende punojnë me shkumës dhe dërrasë të zezë! Këto mjete të mësimit shkollat tona i kanë pasur edhe para 50 viteve. Fatmirësisht që këto i kanë pasur para 50 viteve, por fatkeqësisht që ende i kanë sot, të vetmet, pas 50 viteve! Njohuritë e përgjithshme të nxënësve, duke përjashtuar njohjen e kompjuterit, jo që janë ngritur, por kanë rënë së tepërmi. Për të mos i dhënë dikujt mundësi të më demantojë për këtë që po e them, mjafton të pyeten, sipërfaqësisht,
– sa nxënës në njëqind prej tyre dinë t’i përmendin kryeqytetet e shteteve fqinje me ne,
– sa nxënës nga njëqind prej tyre mund ta shkruajnë një fjali pa gabime drejtshkrimore,
– sa nxënës nga njëqind prej tyre mund ta zgjidhin një ekuacion me një apo dy të panjohura.
– Sa studenët nga njëqind prej tyre me diploma drejtësie mund ta hartojnë një kërkesë, një ankesë, një vendim, një prapshtim pa pasur nevojë të korrigjohet nga një ekspert?
– Për çfarë cilësie mund të flasim në arsim kur në Testin e Maturës Shtetërore detyrat dhe pyetjet që parashtroheshin për nxënës i zgjidhnin arsimtarët?

Nuk përjashtojë të vërtetën se, sot ka edhe nxënës shumë të mirë, që kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme në fusha të ndryshme të dijes qoftë brenda Kosovës, apo jashtë, por rastet e tilla janë individuale, kurse si tërësi arsimi është në rënie.
Hiq më mirë nuk është sistemi shëndetësor dhe ai i drejtësisë në Kosovë. Por për këto dhe të tjera do të them diç, ndoshta, në një shkrim tjetër.
Është e natyrshme që qytetarët e Kosovës kanë pritur dhe kanë merituar një zhvillim tjetër nga ky që po na përcjellë që nga paslufta çlirimtare e këndej.
Nëse dikush ka përgjegjësi për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, ndryshe nga ky zhvillim që aktualisht e kemi, atëherë kjo përgjegjësi dhe përgjegjshmëria është e klasës politike që udhëheqë me vendin. Kosova ka merituar dhe meriton të udhëhiqet ndryshe, prandaj të mundshëm e bëm të pamundshme e do të duhej të ndodhte e kundërta e kësaj.

– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura