SHEFIK SADIKU: AZEM VLLASI MIRË E DI ҪKA THOTË, POR NUK E THOTË ATË ҪKA DI

Viti, 19. 03. 2015 – Në përvjetorin e 34 të demonstratave të vitit 1981, Azem Vllasi, atëherë ish-udhëheqes i nomenklaturës politike në Kosovë dhe në Jugosllavi nuk po mund të qëndrojë pa thënë diçka, sepse atëherë pati thënë gjithçka. Ai (Azemi) , sot po thotë diçka që jo vetëm se ai e di, por atë e kanë ditur dhe e dinë edhe zogjtë e malit se shqiptarët kanë kërkuar Kosovën Republikë, prandaj për një gjë shumë të lehtë për mbamendjen njerëzore, të lutem Z. Vllasi mos na shit dije e ”patriotizëm”, sepse as nuk është koha e as nuk të shitet. Ja ç’thotë Azemi për ngjarjet e 1981-shit:
“Secili e ka mendimin e vet. Unë mendoj se ato demonstrata e kanë pasur mbulesë Kosovën Republikë, por se demonstrata është organizuar mbi baza ideologjike si marksizmin, leninizmin, dhe sistemin e atëhershëm të Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës.”
Nuk ka qenë kërkesa Kosova Republikë mbulesë për marksizëm leninizmin, siç, thotë Vllasi, por ka qenë marksizmi dhe leninizmi mbulesë për Kosovën Republikë. Edhe kjo nuk mund të jetë bash ashtu, por po e them sipas stilit të Azemit, sepse shqiptarët e Kosovës kanë pasur nevojë për liri kombëtare e jo për lulëzimin e marksizmit e as të leninizmit. Shqiptarëve të Kosovës u ka munguar liria kombëtare, kurse marksizmin e kanë pasur edhe në Jugosllavi, prandaj s’kanë pasur nevojë të kërkojnë diçka që veç e kanë pasur.

– Azem Vllasi dhe Rrahman Morina – 

Nëse demonstruesit do ta kërkonin marksizmin e Vllasit, atëherë pse Jugosllavia i shtypi me dhumë e torturë ato kërkesa, kur vet sistemi i Jugosllavisë ishte i bazuar në parimet e marksizmit?
Si mund të quheshin ato kërkesa armiqësore, e nën pretekstin e saj të shqiptoheshin mijëra vite dhe qindra shekuj burg për demonstruesit kur, veç sistemi i ish Jugosllavisë ishte komunist?
Pse të shpalleshin lëvizjet e 1981-isht si kundërrevolucion kur sistemi i atëhershëm ishte komunist si në Shqipëri si në Jugosllavi?
Po a nuk u quajt edhe lëvizja e Shaban Polluzhës, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kundërrevolucion e nën pretekstin e gjoja kundërrevolucionit u shtyp me gjak e me dhunë?
Çka i duhet Azem Vllasit, tani, pas 34 vjetësh të tregojë se ato kërkesa vetëm që, fatkeqësisht e paskan pasur kërkesën e gabuar se në të kundërtën Kosova do të bëhej Republikë pa ndonjë problem, bile sipas tij Kosova veç paska qenë Republikë, por demonstruesit, ja që paskan gabuar që se kanë lexuar Kushtetutën e atëhershme të Jugosllavisë?
Duke qenë Azem Vllasi ndër të parët, nuk them i pari, që ngjarjet e 1981-ishit i cilësuan si kundërrevolucion,ndoshta don ta kryej një lloj katarsisi, por më e ndershme është të thuhet e vërteta. Më e ndershme, jo vetëm për Azemin, por për të gjithë njerëzit është të pranohet e vërteta se njeriu mund të gabojë në vlerësimin e ngjarjeve shoqërore. Gabimi në vlerësimin e ngjarjeve shoqërore mund të ndodh për arsye shumë të ndryshme; qoftë nga koncepti që njeriu mund të ketë për shoqërinë, qoftë nga pikëvështrimi nga i cili niset, qoftë nga rrethanat në të cilat jeton. Azem Vllasi do të bënte mirë sikur ta pranonte se: ose vërtetë ka menduar ashtu, gjë që është e natyrshme njeriu mund të ketë bindjet e veta, ose ta thotë se ka qenë e pamundshme për të të veprojë dhe të thotë të vërtetën për ato ngjarje në atë kohë. Nëse Azemi këmbëngul në të tijën vetëm pse atëherë ashtu ka menduar, prandaj nuk heq dorë nga ato bindje bën dy gabime: e para del dogmatik dhe e dyta e vë në pikëpyetje intelektualitetin e tij.
Kur popujt janë të robëruar, ata më tepër se gjithçka kanë nevojë për lirinë e tyre se sa individin, prandaj nuk qëndron teza e Azemit se shqiptarët e Kosovës e kanë kërkuar sistemin e Shqipërisë, Enver Hoxhën apo ideologjinë, sepse kështu mund të mendojë një indivit, por jo një popull. Për shqiptarët e Kosovës, atëherë dhe sot, më shumë se sistemi, më shumë se individi, më shumë se ideologjia dhe më shumë se partia është liria e tyre kombëtare. Popujt edhe mund të udhëhiqen nga një sistem i caktuar, nga një individ i caktuar, nga një ideologji e caktuar, nga një parti e caktuar, por jeta e popujve nuk ka kuptim nën një robëri. Prandaj ju Z. Vllasi nëse doni katarsisin nuk e keni gjetur rrugën e duhur, po ta kërkoni mund ta gjeni. Ajnshtajni thotë kur teoria dhe praktika nuk përputhen, ndrysho të dhënat.

………………………………………………………………….

Azem Vllasi duhet ti kerkoj falje Popullit! ……………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura