BEJTUSH ISUFI: ATDHEU DHE OPOZITA OSE ZEBRAT, PARTIZANËT DHE GJERMANËT!

Prishtinë, 18 shtatort 2017: …Sa herë ti shmangim zebrat (vijat e bardha për këmbsorë), edhe atje ku ato nuk janë vizatuar ende, na kujtohet se e shmangëm, ligjin, edhe shtetin edhe atdheun. E shmangim shtetin kur deklarojmë më pak tatime, kur blejmë artikuj të huaj në treg dhe i shmangim tanët pa anjë arsye. A na shkon mendja te ekonomia jonë, te atdheu ynë? A e kuptojmë se secili vend ka fuqi aq sa ka ekonomi? A na lëviz akrepi i gëzimit dhe shpirtit kur blejmë prodhimin shqiptar.
Kur e ngritim gishtin tregues, a dëshmojmë të vërtetën, guximin apo mashtrojmë e manipulojmë? A e tregojmë adresën e saktë, personin, faktin apo vetëm prodhojmë mjegull për ujkun? “A e shikojmë veten në pasqyrë para se të shpallim tjetrin fajtor? …Ata po i bëjnë të gjitha të këqijat, politikanët, udhëheqësit…, partia e tyre, mëhalla e atyre etj, a mund të quhet kjo ndërgjegje qytetare? Për këta tanët, kemi vetëm duartrokitje, për ata të tjerët kemi vetëm sharje, mallkime, shpifje, shfryrje…
Fjala “opozitë” në anglishte (“the opposite “ dhe “the opposition”) do të thotë të kesh pozitë të kundërt, të jesh përballë, e kundërta, por e kundërta e kujt? E kundërta e kundërshtarit tuaj, JO e kundërta e rregullave të “lojës” (ligjit), me analogji si te loja e futbollit, formacionet janë kundërshtare të njëra tjetrës, por loja duhet të zhvillohet brenda rregullave të futbollit, përndryshe gjyqtari i dënon palët, p.sh për goditjet fizike, kundër lojtarit të palës kundërshtare… dikuj mund ti mos pëlqej gjyqtari, por edhe për atë duhet të ketë zgjidhje sepse edhe kur dalim prej një sistemi duhet të hyjmë në sistemin tjetër, përndryshe i hapim derën anarkisë spontane ose të organizuar…dhe pastaj si thotë populli “ku rafshim, mos u vrafshim!”.

…Medalja gjithmonë i ka dy anë, pra edhe atë anën ku jemi ne, të cilën pamje nuk po duam ta shfaqim, atë po duam ta ruajmë të mbyllur, sepse kemi moral të dyfishtë, një kriter kemi për veten, një tjetër për të tjerët, ndryshe jemi në shtëpi, e të tjerë bëhemi në çarshi. Çka do të arrijnë me këtë moral qytetarët, prindërit, profesionistët, njerëzit? E si duket pastaj një shoqëri me këta individ? Jo, kështu nuk bëhet shoqëria me përgjegjësi dhe një shoqëri e lirë, një shoqëri ku personi me karakter, moral, dhe dinjitet është ideal i kësaj shoqërie. Dhe nuk është se këto vlera nuk ekzistonin, se janë idealizma, se janë fiksime, përkundrazi, një shoqëri pa këto vlera nuk di pse ekziston!?
Duke gërmuar në galeritë e shtetndërtimit na dalin përpara, “vajtuesit”, “kritikuesit”, “opozitarët”, “kujdestarët” e interesit “publik”, “shoqëror”, “kombëtar”. Ku jemi, cili është kontributi i secilit prej nesh? Cila është përgjegjësia jonë, a mund të mos e kuptojmë se nga ne kërkohet më shumë se sa të ngritim gishtin tregues sipas asaj, kapeni hajnin?
Pse për çdo ditë duhet të punojmë për vete dhe fëmijët tonë, e jo edhe për atdheun? A thua atdheu nuk u dashka të jetoj për çdo ditë? A mund të ngjallet ai vetëm kur të na kujtohet? Si mund ta mbulojmë fytyrën nga njëri tjetri në një vend të vogël si i yni? Jo, kjo nuk do të ishte e mundur sikur të flisnim dhe nuk do të jetë e mundur, secili duhet të marrë të drejtat e tij legjitime, por edhe detyrat, përkatësisht përgjegjësitë, pavarësisht të gjitha dallimeve në mes nesh.
Sigurisht, do të kritikojmë me argumente, me guxim qytetarë, do të ngritemi kundër të gjitha të këqijave, sepse askush nuk do të mund ta shantazhoj qytetarin e lirë, as krimi, as klanet, e as partitë.
Liria është buka jonë e përditshme dhe atë duhet ta fitojmë çdo ditë. Ne e dallojmë mirë diellin dhe hijen …nuk ka çmim që mund të na shtyj kundër të ardhmes së fëmijëve tonë, kundër krenarisë sonë kombëtare, kundër asaj për të cilën ëndërruan dhe ranë ata… më të shenjtit tanë, e ata nuk ranë që ne “atdheun ta mbyllim në valigje” dhe të marrim rrugët e botës.
Partitë duhet ti shërbejnë atdheut, e jo atdheu partisë, interesit partikular, klanor, privat dhe egoist. Ta harrojmë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tonë, duke e heshtur të keçen? Jo, jo! Kemi detyrë qytetare të flasim, nuk kemi të drejtë të heshtim, i vetmi garancion për një vend të lirë është qytetari, dhe atë qytetari i lirë. Nëse kështu nuk jemi dhe kështu nuk bëjmë, i bije se, “ kemi shaluar ujkun dhe po i ndjellim qentë?!
Jemi kundër padrejtësisë kur e bëjnë të tjerët, e jo kundër asaj që e bëjmë vetë,…ai tregimi i njohur për qimen, qullin dhe trarin.
Abc-ja e moralit qytetarë dhe patriotik na mëson se ne nuk mund të jemi/bëhemi opozitar ndaj interesave të mëdha jetike dhe strategjike të shtetit dhe atdheut tonë, gjoja në emër të demokracisë, të partisë …etj … ehu sa fshihen pas këtyre “lisave”, e në të vërtetë aty janë jo vetëm interesat tona të ngushta,…ose edhe më keq…interesat e “qoftëlargut”? O Zot i Madh, ku i kemi sytë dhe mendjen? Si mund të ngritët dora jonë kundër nesh, kundër vetvetes, kjo do të ishte vetëvrasje, për të cilën nuk do të mund ta akuzonim askënd… do të mbetej një krim i pa ndëshkuar dhe pa autorë?!
Filmi, bardh e zi apo me ngjyra e shfaq jetën, e jeta i ka të gjitha ngjyrat. Kur përcillnim filmin e luftës së dytë botërore rreshtoheshim “me partizanët”, një lloj i tillë lufte, pra lufta e së mirës kundër të keqes nuk merr fund kurrë por është e përjetshme, është pjesë e qenjes sonë morale. Një mendim i Jakov Xoxës thoshte: “ Kur e mira dhe e keqja qëndrojnë së bashku, deomos ato i marrin dhe i japin njëra tjetrës” prandaj ato gjithmonë duhet ti ndajmë…Për dallim nga “partizanët dhe gjermanët”, sot “palë ndërluftuese” jemi “ne të mirët” dhe “ata të këqinjët”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura