GJOKË DABAJ: ‘BILDI’ I SOTËM DHE REMARKU I DIKURSHËM

Durrës, 18 Qershor 2019: Kur e pashë fytyrën e gazetarit Peter në ekranin e televizorit, mbasi e kisha publikuar shkrimin “A është gazeta Bild, një prostitutë mediatike”, m’u kujtua romani „Tre shokët” i E.M.Remarkut dhe pata përshtypjen se I KISHA FYER prostitutat e atij romani. I KISHA FYER! I KISHA FYER! Ato, vërtet ishin prostituta, por ishin gra shumë të mira. Ndonjëra prej tyre, madje, kish arritur të bëhej edhe nënë e përkushtuar. Ndërkq, “Bildin”, së paku në raport me ne shqiptarët, nuk e di si do ta quante E.M.Remarku.
Dhe ja si po e arsyetoj unë këtë pohim kaq RËNDUES për një gazetë me renome, jo veç në Gjermani, por në krejt Evropën:
Në Shijakun dhe në Durrësin e vitevet 1990 kanë ndodhur ngjarje shumë tronditëse. Mijëfish më tronditëse se këto të kategorisë “Dako”, me të cilën kjo gazetë e pa të arsyeshme të merret ekskluzivisht.
Shijaku, deri në vitet 1990, ka qenë një qendër e këndshme industriale e bujqësore. Shprehjet trafikant droge, trafikant femrash, manipulues zgjedhjesh, përgjues telefonash, në atë kohë as që njiheshin prej banorëvet të këtij vendi. Këtu, në këtë Shijak të vogël, ekzistonte një ekonomi bujqësore shumë e përparuar, me rreth 14500 punonjës, e cila, mbas vitit 1990 U SHKATËRRUA e tëra. Njerëzit s’patën ç’të bëjnë, veçse të ikin prej këndej dhe, vetëm një pjesë e vogël, po them, vetëm një pjesë e vogël e tyre, kërkuan rrugë jo fort të ndershme, për të mbijetuar.

– Petri dhe Edi –

Këtu, pra në Shijak, ekzistonte një fabrikë niseshteje, e cila njihej në krejt Republikën e Shqipërisë për prodhimet e saj nga më cilësorët. Këtu funksiononte edhe një fabrikë, ku ndërtoheshin karro, qerre dhe karroceri automjetesh, në të cilën punësoheshin me dhjetëra punëtorë e specialistë. Këtu kryente punë shumë cilësore dhe dukshëm fitimprurëse një i quajtur Stacion i Makinavet dhe Traktorëvet, i rëndësishëm për krejt rrethin e Durrësit. Këtu qe ngritur një rrjet tregtie i atillë që bënte shumë përpjekje për të plotësuar sa më mirë kërkesat e popullatës.
Të gjitha këto vatra të mirëqenies, aspak spekulative, U SHKATËRRUAN në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit 21. Ka pasur me qindra telefonata në funksion të atij shkatërrimi.
A i ka publikuar “Bildi” telefonatat që po u sillnin mjerim banorëvet të këtij lokaliteti?! A i ka publikuar “Bildi” telefonatat që e koordinonin shkatërrimin e fabrikavet dhe plaçkitjen e magazinavet të këtushme të tregtisë?! Sepse “Bildi”, me anë të gazetarëvet të vet investigativë, jo vetëm duhej të dinte KUSH i koordinonte ata veprime kundër shqiptarëvet, por duhej të dinte edhe KUSH po e urdhëronte një shkatërrim të tillë.
Në Durrës ekzistonin: Një uzinë e mekanikës bujqësore, një uzinë elektro-mekanike, një ofiçinë e rëndësishme për riparimin e makinerivet të ndërtimit, një ofiçinë e hekurudhavet, një industri kimike, një fabrikë e gomavet dhe e lëndëvet plastike, një uzinë e radiovet dhe televizorëvet, një industri komplekse ushqimore, një industri portuale nga më ambiciozet dhe një hoteleri shumë tërheqëse për vizitorët, sepse vepronte jashtë çdo lloj spekulimi.
Të gjitha këto U SHKATËRRUAN dhe, për t’i realizuar ata shkatërrime, ka pasur me qindra urdhëra e telefonata. A i ka publikuar “Bildi” në atë kohë ato telefonata, për t’i zbuluar shkatërruesit e asaj ekonomie shqiptare nga më paqësoret në botë?!
Nuk po flas për qytetet e tjerë të Republikës së Shqipërisë. As për hapësirat rurale të kësaj republike, të cilat ta kish ënda t’i shihje, qoftë edhe nga avionic: Ta kish ënda t’i shihje se sa bukur ishin sistemuar dhe që, tashmë, janë shndërruar në hapësira dhimbshëm të braktisura, mbuluar me shkurre.
Në vitet 1990 dhe më vonë kanë ndodhur mynxyra të papërfytyrueshme në krejt Shqipërinë dhe janë bërë ME MIJËRA BISEDA TELEFONIKE, për t’i realizur ato mynxyra.
“Bildi”, nëse vërtet është një gazetë e mirinformuar, duhet ta dijë ç’kuptojnë njerëzit objektivë me shprehjen në krejt Shqipërinë. Shprehja në krejt Shqipërinë nënkupton krejt hapësirën që është apo ishte e banuar prej shqiptarëvet, që nga Leskovci e deri në kufi me Mesolongjin.
E pra, në një pjesë të KËSAJ SHQIPËRIE, oficerët e ushtrisë sërbe dhe oficerët e policisë sërbe, sekrete dhe jo sekrete, i TELEFONONIN fare hapur, pa kurrfarë shifrimi, njëri-tjetrit: …për të djegur fshatra, për të vrarë civilë, për të përzënë e për t’i nxjerrë prej atdheut të vet qindra mijë shqiptarë! A i publikoi “Bildi” ato biseda telefonike, nga më antinjerëzoret që ishin kryer ndonjëherë në truallin e Evropës?!
Edhe sot rrojnë, në Beograd e në qytete të tjerë të Sërbisë, me dhjetëra dhunues femrash, boshnjake e shqiptare. Ia tregojnë njëri-tjetrit bëmat, herë të plota e herë gjysma-gjysma, dhe unë nuk e di: A është marrë ai farë Peteri i “Bildit” edhe me atë lloj shkelësish të moralit njerëzor, apo i ka interesuar “në mënyrë të veçantë” vetëm “fenomeni Dako e Abdyli” këtu në Shijak e Durrës?!
DAKOT DHE ABDYLËT, ZOTI PETER, NUK TA DËMTOJNË EVROPËN MË SHUMË SE MIJËRA GJERMANË, FRANCEZË E HOLLANDEZË TË PO KËSAJ KATEGORIE, POR SHUMËFISH MË DËMPRURËSE!
Të gjitha këto i kalova nëpër mendje, kur e pashë në televizor atë gazetar dhe kur dëgjova prononcimet e tij ZGËRDHITËS, lidhur me ngjarjen që po trajtohej. I kalova nëpër mendje dhe më erdhi keq që s’e kisha bërë dallimin midis prostitutavet të E.M.Remarkut dhe këtij lloji të sotëm prostitucioni. Ato, vërtet ishin plagë e kohës, por shpirtin e kishin diell.
Lexoje, o „Bild“, E.M.Remarkun, se s’të del keq! Ai është një shkollë për të gjithë ne dhe një arsye shumë e fortë për t’i thirrur mendjes Evropa dhe shekullit 21!
Shijak-Durrës, 8-11 qershor 2019. Gjokë Dabaj.
__________________
Shënim shtesë: Siç shihet, këtë shkrim e pata përfunduar më 11 qershor 2019. Por pata vendosur të mos e publikoja, me shpresën që “Bildi” nuk do të përpiqej më të ndizte zjarret e përçarjes ndër shqiptarët. Por, me sa duket, „Bildi“ i paska vënë qëllim vetes të bëjë punën e FITMAXHIUT. Në popullin tonë, FITMAXHIU ka qenë njeriu më i ulët, të cilin askush nuk e respektonte. S’ma merrte mendja që një gazetë gjermane ta ulë veten kaq poshtë.
Gj.D. Durrës – Shijak 17 qershor 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura