SHEFIK SH.VOCA: SI E PA MIT’HAT FRASHËRI MITROVICËN, NË NËNTOR 1912

Mitrovicë, 15. 04. 2013 – Materiali është i ndarë në katër pjesë. Pjesa e parë me pak fjalë do të përfshinë historikun e lashtë të Mitrovicës, në pjesën e dytë do të mundohemi me i cek të gjithë ata emra të udhëpërshkruesve të cilët me rastin e kalim-qëndrimit në Mitrovicë, nëpër veprat e tyre kanë shkruar për këtë qytet ashtu si e kanë parë. Pjesa e tretë përfshinë të dhëna biografike të figurës së Mid’hat Frashërit, ndërsa në pjesën e katërt dhe të fundit do ta prezantojmë Mitrovicën ashtu si e ka pa vetë Mid’hat Frashëri me rastin e vizitës së tij diku kah muaji nëntor 1912, pa ndërhyrje ortografike dhe gjuhësore.
Pjesa e I
Në bazë të zbulimeve arkeologjike mund të thuhet se Mitrovica me rrethinën e vet të afërme ka qenë e banuar qysh në kohën e re të gurit-në neolit (nja 3000 vjet para epokës sonë). Këtë e dëshmojnë një varg eksponatesh nga perioda e lashtë neolite dhe halshtate. Lokaliteti më i lashtë është zbuluar në terasë buzë Ibrit, në Zhitkofc. Zbulimet arkeologjike të periudhës kalimtare prej neoliti në kohën e metalit (kah viti 2000 para epokës sonë) janë zbuluar në lokalitetin “Karagaq”, në fshatin Zhitkofc dhe në bregun e lumit Lushta, në periferi të Mitrovicës. Lokalitetet parahistorike e vazhdojnë kontinuitetin me fiset ilire. Kontinuiteti në jetën e lokaliteteve parahistorike vazhdon prej kohës së re të gurit deri me ardhjen e romakëve në këto vise. Nën Romën Mitrovica e hershme zhvillohet si stacion pushimi dhe si vend i përpunimit të mineraleve. Gjurmët e ndërtesave, statujat prej balte e prej plumbi, sarkofagu etj. përcjellin njëri pas tjetrit në këtë vendbanim, jetën nga shekulli II e deri në atë IV. Sipas studiuesve në Mitrovicën e kohës pak më të vonshme antike mund të vërehet edhe prezenca bizantine ku gjinden mbeturina të kështjellës në kodrën e Zveqanit. Në themelet e kështjellës së përmendur është ndërtuar fortifikata mesjetare.

Pjesa e II
Për Mitrovicën prej formimit të saj si kasaba osmane, nga fillimi i shekullit XV deri ne shek. XIX-shumë udhëpërshkrues japin të dhëna të shumta në shënimet e tyre. Të gjitha të dhënat rezultojnë prej “Lamenta de fortis” të Dubrovnikut nga viti 1445, kur Mitrovica përmendet si De Dimitrouic. Në defterin osman të krahinarit Isa-beg Ishakut të vitit 1455, Mitrovica përmendet me emrin Dimitrofci. Udhëpërshkruesi Arnold Von Harfi e përmend në vitin 1499 si kasaba të quajtur, “Mitrix”, porse që nga kjo kohë ajo fillon të përmendet edhe si Mitrovica. Në shekullin XVI (1530), Benedikt Kuripeshiqi, Mitrovicën e përmend si qendër tregtare eksportuese në Kosovë. Kurse Filip D. Kanej më 1573, e përmend si qytezë me një bollëk të pa besueshëm pemësh. Në shekullin XVII, Mitrovica përshkruhet si një vend i vogël me plot gjallëri; Marin Bici në vitin 1614 e përmendë në të ashtuquajturën “rrugë e re” e cila të shpie prej Malit të Zi në Sjenicë, Tregun e Ri (Novi Pazar) dhe më tej nëpër Kosovë. Gjeografi, enciklopedisti dhe udhëpërshkruesi i njohur turk Haxhi Kalfa (1609-1657), i njohur edhe me emra pak më ndryshe si Katib Çelebi dhe Haxhi Halifa, emri i vërtet i të cilit ishte Mustafa ibn Abdulla (plotësim i SH. V.), Mitrovicën e përmend si kadillëk në sanxhakun e Vushtrrisë, ndërsa udhëpërshkruesi tjetër turk Evlia Çelebiu duke na ofruar disa sqarime bënë dallimin e Mitrovicës së Sremit me këtë të Kosovës. Pak më vonë Mitrovicën e përmend edhe Pjetër Bogdani si një vendbanim me 500 shtëpi, ndërsa në fermanin e Sulltan Abdulhamiti I, të vitit 1776, Mitrovica theksohet si një vend e cila i epet dioqezës së mitropolitit të Novi Pazarit (Tregut të Ri) Nikodimit. Një Dubrovnikas i panjohur në udhë përshkrimet e veta e përmend “vendin e quajtur Mitrovica”. Baron Bonxhuri i cili në shkrimet e tija na sjell të dhëna mjaft interesante dhe të mira, e quan Mitrovicën qytezën e fundit të Rashkës, sepse aty lumi Ibër (tani Lumëbardhi) formon kufirin mes Serbisë dhe Bosnjës. Anri (diku Henri) Pukvili në vitin 1807 duke udhëtuar nga Bosnja e cekë Mitrovicën, si një zonë e pasur me drithëra, vreshta dhe me konopë. Më vonë më 1828 kjo Mitrovicë u quajt Mitrovica e Pazarit. Ami Blue në shkrimet e veta Mitrovicën e njehson prej 200 deri në 300 shtëpi dhe me 800 banor, dy xhami, dy hane, një sahat kullë dhe disa dyqane. F. Llukiqi në vitin 1852 Mitrovicën e llogariste me 300 shtëpi myslimane dhe 50 shtëpi krishtere. Ndërsa A. Gilferding më 1857 thotë se Mitrovica kishte vetëm 300 shtëpi, (botimi serbo-kroatisht në Sarajevë 1972, Sh. V.). Spiridon Gopqeviq në “Stara Srbija i Makedonija” Beograd 1890, është shumë i shkurtë në përshkrimin e tij për Mitrovicën. Po ashtu Mitrovicën e përmendin si qytezë të Bosnjës edhe Mis. Makenzijeva dhe Ibrijeva në librin e udhë përshkrimeve “Putovanje po slovenskim zemljama Turske u Evropi” Beograd 1868, përkthim nga anglishtja. Historiani, juristi dhe profesori Serb Millosh S. Milojeviq (1840-1907), për të cilin vetë historiografia serbe thotë se ishte një person mjaft kontrovers, në vitin 1872, gjatë kalim-qëndrimit të tij në Mitrovicë e ngritë numrin e shtëpive ku diku shkruan se ishin 500 ndërsa diku tjetër 600 shtëpi, me më shumë se 7 xhamia, një faltore të vogël krishtere me një dhomë të ngushtë, dhe një shkollë turke, kurse Vjekoslav Klajiçi në vitin 1878 shënon se në Mitrovicë kishte gjithsejtë 350 shtëpi. Për qytetin e Mitrovicës kanë shkruar edhe shumë të tjerë si për shembull; Ivan Ivaniç në librin “Na Kosovu” Beograd,1903; Todor Stankoviç në librin “Putne beleske po staroj Srbiji” Beograd,1910; dr. Jevto Dedijer në librin e tij “Nova Serbija” Beograd, 1913; pastaj Kosta N. Kostici “Nasi novi gradovi na jugu” Beograd, 1922; Aleksanadar Popoviqi, “O postanku Kosovske Mitrovice” në “Juzna Serbija” Shkup 1922; Diplomati francez Ogist Bpop, në shënimet e tija me titull: “Sa srpskom vladom od Nisa do Krfa”, Gjenevë 1916; Nikola Trajkoviq, në “Jugoslavija u slici i reci I-va knjiga Serbija”, 1927 Beograd; Branislav Nushiqi në “Kosovo Opis Zemlje i Naroda” fletorja e dytë 1903; Novi Sad; Sami Frashëri në: “Kamus Al’Alam” po ashtu e përmend Mitrovicën, si dhe më vonë nipi i tij Mithat Frashëri në: “Mbresa Udhëtimesh-Shkup, Kosovë, Sofje, Zvicër, Paris 1911-1921”, prej së cilës ne më poshtë do ta shkoqitim pjesën në të cilën Mid’hat Frashëri e përshkruan Mitrovicën, pastaj Atanasije Urosevic, “Kosovska Mitrovica-antropogeografska ispitivanja”, 1953-1954,1 e shumë të tjerë. Duhet theksuar se pas luftës së fundit të Kosovës për Mitrovicën shkruan edhe Prof. dr. Jusuf Osmani historian, si dhe publicisti dhe veprimtari mjaft i frytshëm nga Mitrovica, profesor Fazli Hajrizi. (Shënim, Shefki Sh. Voca)

……………………………………………

Londër, zbulohet inçizimi i rrallë i zërit të Mit’hat Frashërit

Pjesa e III
DISA FJALË PËR PERSONALITETIN E MID’HAT FRASHËRIT
Plejadës së një numri të madh të rilindëseve tanë i takon edhe veprimtari, patrioti, atdhetari, politikani,shkrimtari, publicisti, poligloti, eruditi dhe përkthyesi , Mid’hat Frashëri, (i njohur edhe me pseudonimet Lumo Skendo dhe Mali Kokojka). Por duhet theksuar që ky vigan e kolos i mbarë shqiptarisë, më se 50 vjet u radhit në grupin e atyre që regjimi komunist i anatemoj, për ndjeku, largoj, persekutoj, burgosi, vrau, e çfarë tjetër nuk ju bëri vetëm e vetëm pse e dinin se ky regjim, apo ky sistem do të jetë shumë i dëmshëm dhe nuk do të sjell asgjë të mirë në ecjen e kombit përpara.
Mid’hat Frashëri lindi në Janinë, në vitin 1880. Ishte djali i rilindësit të njohur Abdyl Frashërit. Pas lirimit të babait nga burgu u vendosën në Stamboll. Me që baba i vdiq herët kujdesin për te e murrën axhët e tij, Naimi dhe Samiu. Historiani njohur nga Shqipëria, Sherif Delvina, për Mid’had Frashërin thotë: “ Ai është sintezë e të parëve të tij. Nga gjyshi, Halit bej Frashëri trashëgonte cilësitë luftarake; nga babai Abdyli në fushën e diplomacisë ecte rrugës së ruajtjes së integritetit të Atdheut; si letrar trashëgoi Naimin kurse nga kultura enciklopedike Samiun.”2 Kishte një prirje të veçantë për diturit dhe njohurit enciklopedike. Kur ishte si trembëdhjetë vjeçar shkruante për veti: “ Në frëngjishte kam zotësi e kompetencë të gjerë. Persishten e marr vesh, arabishten e kuptoj, gjermanishten e greqishten i lexoj.”3 Si autodidakt përfitoi një kulturë të gjerë. Më vonë, ai u aftësua edhe në disa gjuhë botërore. Aftësitë e tija në njohurin e gjuhëve të huaja si dhe diturit enciklopedike që për dit e më shumë i zgjeronte i mundësuan që të punoj në administratën osmane në Stamboll deri në vitin 1905 (diku shkruan deri ne vitin 1910, Sh. V.), prej nga kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. 4 Qysh në moshën e re iu përkushtua çështjes kombëtare. Pa i mbushur ende plot 18 vjet Mid’hat Frashëri u bë atëbotë edhe objekt vlerësimi nga ana e Faik Konicës i cili në “ Parashtresë mbi lëvizjen kombëtare shqiptare” të tij, të vitit 1899 në Bruksel e quan atdhetar dhe njërin më të ditur në mesin e të rinjve…5 Në vitin 1908, e gjejmë kryetar të Kongresit Kombëtar të Manastirit dhe nënkryetar të Komisionit të Alfabetit të Shqipes që kryesohej nga Gjergj Fishta. Po në këtë vit kishte themeluar gazetën “Liria”. Nga viti 1897-1928 botoi me disa ndërprerje revistën “Kalendari Kambiar”, kurse në vitin 1909 themeloi revistën, “Dituria” që doli në fillim në Selanik, pastaj në Konstancë (1916) dhe në Tiranë (1926-1929).6 Më 28 nëntor 1912, ditën e pavarësisë së Shqipërisë ishte përfaqësues i Gjakovës, Pejës ,Gucisë dhe Plavës në ngritjen e Flamurit Kombëtarë në Vlorë. Është e udhës të cekim se rrugës për në Vlorë me sa gjendej në vizitë në Kosovë, ai në Crnobeg takon Bajram Curin, i cili ishte me disa krerë të vendit dhe të Gjakovës me të cilët përballonte luftën kundër serbit. Bajram Curri dhe krerët e Gjakovës i dhanë Mid’had Frashërit mandatin e përfaqësimit të krahinës, një kartë përfaqësimi të firmosur e të vulosur. Në Qeverinë e parë u emërua Ministër i Punëve Botërore. Ka pasur funksione të ndryshme në qeverinë shqiptare. Si delegat i Stambollit dhe i “Vatrës” ka qenë pjesë marrës në Konferencën e Paqes në Parisë më 1920. Në vitin 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku protestoi për shpërnguljen me dhunë për në Turqi të popullsisë Çame. Gjatë viteve 1926-1939, hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”, një librari tejet e pasur me libra e revista vendor dhe botërorë. Ajo frekuentohej nga njerëz të ndryshëm, duke filluar prej nxënësve te shkollave të ulëta e deri tek personalitete të larta qofshin të jetës politike-publike, qofshin ata qytetar të rëndomtë, student etj. Kjo librari siç thotë studiuesi Uran Butka u kthye në një qendër të menaxhimit të librit shqiptar e të huaj. Numri i librave arrinte shifrën prej 40.000 vëllimesh, ndërsa sipas Kol Jakovës i cili e kishte vizituar Mid’hat Frashërin edhe në shtëpi thoshte: “Më tepër se shtëpi ajo ishte një bibliotekë.7 Pra sikurse po shihet Mid’hati, përveç librave që i mbante në librari, ai kishte edhe një sasi të madhe të tyre edhe në shtëpi ku jetonte i vetmuar, por i rrethuar në të katër anët e saj me libra dhe revista. Librarinë e Mid’hatit, me një rast e kishte vizituar edhe komunisti Enver Hoxha i cili në veprën e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re” mes tjerash shkruan:
“Lumoja diç bluante në mendje, hoqi syzet e i fshiu me një fanellatë, pastaj i vuri prapë.
– Dëgjo more djalë, – ia nisi Lumoja dhe prapë hoqi syzet.- Unë do të flasë me ty dhe do të-të ndihmoj, në rast se ti ndjek rrugën e xhaxhait tënd, patriotit Hysen Hoxha.
– Rrugën e atij po e ndjek, – iu përgjigja,-bile me besnikëri.
– Jo, – mu kthye Mid’hat beu, – nuk është ashtu.-Ai ishte nacionalist i flaktë , ishte me Ismail Qemalin në Vlorë kur u ngrit flamuri, ishte me Çerçizin e të tjerë, kurse ti, nipi i tij, ke marrë një rrugë të keqe antishqiptare ti je bolshevik dhe bolshevizmi është armiku i Shqipërisë!” (fundi citatit ).8
Por Enver Hoxha në të njëjtin libër përkundër veprimtarisë dhe vlerave kombëtare të Mid’hat Frashërit, nuk heziton që t’i ç’vlerësoj ato me çrrastë shkruan: “Lumo Skëndoja s’kishte bërë për Shqipërinë veçse dy-tri broshura pa vlerë letrare e politike dhe ca muhabete të stërholluara.”
Në vitet e pushtimit Italian themeloi dhe udhëhoqi organizatën “Balli Kombëtar”. Me 1-2 gusht të vitit 1943, ishte njëri nga frymëzuesit dhe organizatorët e Konferencës së Mukjes, bashkë me Abaz Kupin, Hasan Dostin, Omer Dishnicën dhe ca të tjerë. Në përfundim të luftës u largua nga Shqipëria, për fillim u vendos në Itali e më pas në Londër ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë.” Nga Anglia Mid’hat Frashëri shkoi në SHBA, në Nju Jork ku komiteti në fjalë do të kishte selinë e përhershme. Më 3 tetor 1949, ora 9.25, Mid’hat Frashëri vdiq papritur në Nju Jork në hotelin “Vintrop” në të cilën ishte vendosur. Disa të dhëna na bëjnë të ditur se ishte helmuar prej pirjes së një kafeje, në të cilën kishin pas gisht agjentët rus të KGB-ës.
Veprimtaria letrare dhe kulturore e Mid’hatit është e shumanshme. Ai u murr me përkthime, publicistikë, diplomaci, fonologji, udhë përshkrime, ese dhe artikuj shkencor, studimor për politikën, ekonominë, historinë, etj. Ndër botimet e tij më të njohur janë: “Kalendari Kombiar” (1897-1928) botim i parvjetshëm me shkrime e tema të ndryshme, një lloj enciklopedie; “Këndimet” Selanik 1901; “Dhetregonje” Sofje 1902; “Naim Be Frashëri” 1901 (jetëshkrim i Naim Frashërit, poetit kombëtar); “Metodë për gjuhën angleze” 1908; “Popullsia e Epirit” Sofje 1915; “Shqiptarët dhe sllavët” Lozanë 1919; “Shqiptarët mes tyre dhe jashtë” Lozanë 1919, me një parathënie nga Eugen Pitard si dhe “Rivendimet shqiptare” Lozanë 1919; “Plagët tona” Tiranë 1924 etj. U murr edhe me mbledhjen e fjalëve të urta të popullit tonë. (Shënim, Shefki Sh. Voca)
Pjesa e IV
MITROVICA NË SHËNIMET E MID’HAT FRASHËRIT *

“Mitrovica është qyteti i mbetur më një kënd, në një çip të verilindjes të Shqipërisë, në skaj fare të Kososvës, në mbarim të Shqipërisë dhe në fillim të Sllavisë. Për ne pra, ka një rëndësi të madhe.
Qyteti i sotëm (më shumë se 2000 banorë) është shtuar më tepër me ardhjen e të huajve, të ardhur prej vendeve që ka marrë Serbia, muhaxhirë shqiptarë, por edhe disa të pakë të ardhur nga Brinja të cilët flasin shqip dhe e heqin veten e tyre shqiptarë.
Qyteti s’ka ndonjë pamje të begatshme, duket pak i shëmtuar,, me rrugët e ngushta, me shtëpit më tepër të vogla, pak në faqezë, uji Ibar (ose Ibri) e ndan qytetin më dysh më një vijë matanë ujit nga veriu dhe një fushë apo luadh të gjerë anë tij. Në qytet vetë, ana që është nga stacioni, ka tregun, hanet, dyqanet; duket që do të ketë një tregëti të madhe, se të qenët fundi i udhës së hekurt, ndihmon shumë, e bënë Mitrovicën si një farë entroporti për Pejën dhe zjeni Pazarin. Prandaj edhe shumë tregëtarë nga Gjakova kanë ardhur dhe kanë zënë punë të mira këtu, po e shtojnë dhe zgjerojnë tregëtinë. Serbët mbase nuk kanë dot dhjetë dyqane, me firma të mëdha në ballë dhe një degë bange, Zadruga, pa dyshim më tepër për propagandë se sa për tregëti.
Sa vallë prej këtyre tregëtarëve janë spiunë të Serbisë? Prej nëpunesve të Bashkisë kush na siguron se nuk janë oficerë serbë në mes tyre? Që në fillesë të konstitucionit të Turqisë këtu u manifestuan ndeshjet e kombësisë, që aherë filloi një klub dhe pa shkuar shumë u çel një shkollë shqipe me një mësues të ardhur nga Gjirokastra. Shkolla vajti fort mbarë dhe do t’i ishte akoma sot pa ato sjelljet ç’njerezote të gjuqeve ushtarake, të atyre përndjekjeve kaq pakë konstitucionale.
Uji Ibar vjen nga lindja e Mitrovicës, nga faqet veriore të maleve të Rrnoshajit; pa aritur këtu, shkon një pyll të mirë dhe të pasur, nga Kolashini, me luadhe të mbëdha. Në Skaj të qytetit është një fabrikë e madhe, një sharrë me zjarr e familjes Draga (ku dhe jamë musafirë) eksploaton pyllin e Kolashinit:drurët e mëdhenj i sjell uji vetë duke bërë not gjer në fabrikë dhe dhogat e çara shpihen më çdo anë, gjer në Selanik dhe Manastir. Kjo fabrikë, me të dy oxhakët e mëdhenj, i jep një ngjyrë qytetërimi Mitrovicës, e bënë të ngaj ky çap i saj me një çap të nonjë vendi të perëndimit, të përparuar dhe industrial. Nga Selaniku e këtu është e para godinë industriale dhe do të jetë e vetmja në gjithë Shqipërinë, për fat të keq.
Lindja dhe veriu i Mitrovicës është një vend me kodra e me male që zgjaten gjer në kufi të Serbisë dhe zbresin në Prishtinë. Në një prej këtyre kodrave është katundi Boletin, në mes ca shkëmbinjve të mbëdhenj, një fshat me shtëpi, i dëgjuar vetëm për zënkat dhe luftërat me ushtrinë Isa Boletinit, i cili me një grusht njerëz, ka qëndruar dy vjet më parë kundër pesë taborëve ushtarë dhe gjashtë topave dhe më në fund ka dalë me gjithë shokë.
Më të mëngjer të Boletinit, nga veriu, majë një kodre, duket një gërmadhë fortese, Sveçani, që I duken së largu ca mure akoma më këmbë. Kjo kështjellë ka qenë pak kohë në duart e mbretit Samuel, prej të cilit e muar Birantinjtë, lufta që u bë në mes të samuelit dhe të imperatorit Vasil i Dytë të ngjau në melnik (serres) në 1014. Bullgarët u thyen dhe Vasili, të pesëmbëdhjetë mijë robërve që kishte zënë të gjallë u nxori sytë, duke lënë për çdo qint njerëz me një sy të vetëm qe t’i shpjerë në Prilep, tek ishte hequr Samueli. Mbi luftën e Melnikut, pra Sveçani ra në duart e birantinjtë prej të cilëve e muar serbët, në kohë të mbretit Stefan Nemania. Në këtë kështjellë ka ndenjur mbyllur dhe është vrarë Urosh i Tretë, i themi Deçanski, me urdhër siç duket të birit të tij Stefan Dushanit se froni i serbëve s’është gjakosur vetëm në kohë të Obrenoviçëve. Ky zakon ka qenë dhe më parë.

– Mitrovica e vjetër – 

Në perëndim të qytetit janë ca kodra të vogla, nga ana e semurtores dhe i dëbojit të armeve. Mbi një prej këtyreve kodra është një varr, një gurë veshur me një garth të unjët, shkruar rusisht mbi të; rrëfen se këtu është vrarë konsulli rus i Mitrovicës, Roskovski më 1893, (sipas gjasave në këtë rast M.F. e ka ngatëruar vrasjen e një konsulli tjetër Rus me emrin Roskovski, i cili u vra në gusht të vitit 1903 në Manastir nga dora e një shqiptari.9 Kurse në Mitrovicë disa muaj më parë më 31, mars 1903, ishte plagos rëndë dhe pas dhjetë dite edhe kishte vdek konzulli Rus, Gligorije S. Shqerbin, në të cilin kishte shtënë oficeri shqiptar që shërbente në ushtrin Osmane, Ibrahim Haliti nga fshati Gumnishtë, afër Cërnicës, Komuna e Gjilanit, por në disa burime përmenden edhe fshatrat Sukë dhe Llashticë, dhe se shenimet mbi këtë guri kanë qenë të këtij konsulli, i cili nuk u varros aty, por e kan bartë në Rusi, ndersa në at vend ku ai u plagos ka qen e vendosur shenja që mos të humben gjurmët e plagosjes-vrasjes së tij. Me këtë rast Mid’hat Frashëri përveç emrit të konsullit ka ngatëruar edhe vitin e vrasjes së tij. Vërj. Sh. V.), se Mitrovica ka një konsull rus dhe një austriak. Nga këto kodra, drejt jugës ka një pamje të bukur dhe të këndëshme. Fusha e gjerë dhe pjellore zgjatet nën këmbë, e ujitur me ujra të vegjël që vënë në sitnicë; atje tej në qark, Sharri; me bregun e madh, me kurrizin e dalë mbi gjith këtë tokë, një pirg i ri, shumë herë ngjyrë hiri dhe i kaltërtë. Nga këto kodra shohim një pjesë të madhe të Shqipërisë, gjer nga Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe Peja. Trualli shqiptar nga jugu dhe perëndimi, nga lindja dhe verilindja, nuk mban më tepër se një ditë udhë në këmbë gjer në kufi të armikut, këtu prapa këtyre maleve të vegjël.”
________________
Referencat:
1 – Prof. dr. Jusuf Osmani “Mitrovica dhe Diplomacia Ruso-Serbe 1901-1903 (sipas burimeve arkivore)”, Prishtinë 2009, faqe 9; “KOSOVA në vështrimin enciklopedik”, Akademia e Shkencave-Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, Tiranë 1999, faqe, 63; “Mitrovica dhe rrethina I”,Grup autor,1979, faqe 50; Kosta N. Kostic, “Nasi novi gradovi na jugu” Beograd 1922, faqe 58-61; Shevki Sh. Voca “Mitrovica në udhë përshkrimet e Branisllav Nushiqit”. Fejton, në “ZËRI”, 25, 26, 27, qershor 2009. Konsultimi dhe shfrytëzimi i literaturës është shumë më i gjerë, por për shkak hapësirës dhe ngjashmërisë së rrëfimeve ne e lëmë me kaq.
2 – Sherif Delvina, “MID’HAT FRASHËRI-figurë madhore e diplomacisë shqiptare”, faqe 3,Tiranë, 2002.
3 – Uran Butka, “Gjeniu i Kombit”, 2000, faqe 13. Krahaso, Bardhosh Gaçe “Ata që shpallën pavarësinë kombëtare”, Tiranë, 2002, faqe,76.
4 – Aristidh Plaka, Ibrahim Xhamaj, “Kalendari Enciklopedik I” faqe, 371. Tiranë, 1999, dhe “Midhat Frashëri Vepra”, Prishtinë,1996, faqe 7.
5 – Prof. Ramiz Kelmendi “Lumo Skëndo-shkrimtar që do rivlerësuar dhe Riinterpretuar” në “Fjala”, Nr.6. 25 qershor, 1994, faqe, 26-27. Po ashtu në Faik Konica “VEPRA 2”,Prishtinë 1995, faqe, 45 dhe në M.F.opcioni cituar faqe 8.
6 – “Kthimi i Mid’hat Frashërit” nën përgatitjen e Uran Butka, faqe 7, Tiranë,1997; “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, 2008, faqe,725. Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
7 – Kolë Jakova, “Takimi me Lumo Skendon”, Tiranë, 1996.
8 – U. B. “Gjen..Komb…, faqe, 290.
9 – Midhat Frashëri “Mbresa Udhëtimesh Shkup, Kosovë, Sofje, Zvicër, Paris”. Tiranë, 1999, faqe 30-32. George Gawriq (historian anglez) “GJYSËMHËNA dhe SHQIPONJA”, “Sundimi Otoman, Islamizmi, dhe Shqiptarët, 1874-1913, Tiranë, 2007, faqe 205.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura