SHEMSI REҪICA: TË IKURIT – QEVERISË NUK I BESOJNË, NË OPOZITË NUK SHPRESOJNË!

Prishtinë, 10. 02. 2015 – Çka ndodhi në ndërkohë në Kosovë, që shqiptarët, nga njerëz optimistë, me besim të madh dhe me shpresa të mëdha, në vitin 1999, – në vitin 2015 e humbën besimin dhe u shndërruan në njerëz pesimistë dhe të pashpresë, për të ardhmen e tyre në Kosëvë? Pse motivi i tyre i fortë, për t’u kthyer masivisht në Kosovë në vitin 1999, – në vitin 2015 u shndërrua në motiv po aq të fortë për të ikur masivisht nga Kosova?
Kur në verën e hershme të vitit 1999, shqiptarët e dëbuar nga dhuna serbe, po ktheheshin në Kosovë, me gëzim dhe entuziazëm të paparë, të papërmbajtur e të papërshkrueshëm, këmbë dhe me automjete të stërmbushura me fëmijë e pleq, në kolona të gjata e të pafundme, – askujt prej tyre (absolutisht askujt) nuk mund t’i ketë shkuar ndërmend se po ata shqiptarë, 16 vjet më vonë, do të ikin prapë masivisht, nga Kosova e tyre e lirë dhe e pavarur(!). Aq më pak mund t’i ketë shkuar ndërmend ndokujt, se po ata shqiptarë, për të ikur nga Kosova, do ta kalojnë kufirin Kosovë-Serbi dhe do të udhëtojnë lirshëm(!) përgjatë gjithë tokës serbe, në drejtim të BE-së.
Ajo që as mund të imagjinohej në verën e vitit 1999, – në vitin 2015 po bëhet realitet: burra dhe gra, pleq dhe fëmijë, të rinj e të reja, familje të tëra, në autobusë të stërmbushur, masivisht po ikin nga vendi i tyre i lirë dhe i pavarur. Tani, jo më nga dhuna serbe, por nga humbja e besimit në qeverinë e tyre dhe nga mungesa e shpresës në opozitën e vendit, pavarësisht se cila parti ose cili koalicion partishë e ka pushtetin dhe cilat parti politike janë në opozitë.

“Elita” politike që nuk i beson askush!

Kur pas përfundimi të luftës, po ktheheshin masivisht dhe për një afat kohor rekord në Kosovë, shqiptarët, atëbotë, ishin të vetëdijshëm për vështirësitë që i prisnin. Ata e dinin që pronat e tyre do t’i gjenin të plaçkitura e të djegura, e dinin se kishin humbur pothuaj gjithçka, e dinin se duhej të fillonin një jetë të re dhe nga e para, por motivi i tyre për t’u kthyer në Kosovën e lirë ishte aq i fortë. Poashtu edhe besimi dhe shpresa, për një të ardhme të mirë dhe të sigurt në vendin e tyre.
Tani, pas 16 vjetësh, vendin e optimizmit, të besimit dhe të shpresës së dikurshme të shqiptarëve, po e zënë pesimizmi, mungesa e besimit dhe e shpresës së tyre, për një jetë të mirë dhe të sigurt, për një jetë normale dhe të natyrshme, në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Çka ndodhi në ndërkohë në Kosovë, që shqiptarët, nga njerëz optimistë, me besim të madh dhe me shpresa të mëdha, në vitin 1999, – në vitin 2015 e humbën besimin dhe u shndërruan në njerëz pesimistë dhe të pashpresë, për të ardhmen e tyre në Kosëvë? Pse motivi i tyre i fortë, për t’u kthyer masivisht në Kosovë në vitin 1999, – në vitin 2015 u shndërrua në motiv po aq të fortë për të ikur masivisht nga Kosova?
Përgjigjet në këto pyetje lidhen pazgjidhshmërisht me mjegullën e krijuar rreth prioriteteve kombëtare të “elitave” të partive politike, në koalicionet qeverisëse, dhe shfrytëzimin e asaj mjegulle nga vetë “elitat” e partive politike, në Kosovën e pasluftës.
Prioritetet kombëtare të “elitave” të partive politike, në koalicione qeverisëse, nuk kishin as kanë, as sot, të sosur. Në fillim, për rreth 10 vjet me radhë, pas përfundimit të luftës, prioriteti kryesor i koalicioneve të “elitave” të partive politike ishte Pavarësia e Kosovës. Pas këtij prioriteti, vinte Njohja ndërkombëtare e Pavarësisë së Kosovës. Pas saj, Liberalizimi i vizave, që s’u bë ende. Pas këtij prioriteti do të vinë prioritete të tjera: MSA-ja, Integrimet euro-atlantike, NATO, BE.
Në këto prioritete, për 16 vjet me radhë, propaganda e “elitave” të partive politike e ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe të opinionit të gjerë të Kosovës, ndërkohë që, nën hijen e tyre dhe në mjegullën e krijuar rreth këtyre prioriteteve, pothuaj pahetueshëm, por pandalshëm, janë rritur ngecja ekonomike, papunësia, varfëria e qytetarëve, krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi, e dukuri të tjera negative në shoqërinë tonë.
Nën hijen dhe në mjegullën e krijuar rreth po këtyre prioriteteve, militantët e partive politike dhe familjarët e “elitave” të partive, u sistemuan në pozitat kyçe të institucioneve më të rëndësishme shtetërore dhe në bordet e ndërmarrjeve publike më fitimprurëse dhe të atyre me ndikimin më të madh në shoqërinë kosovare.
Në njërën anë, ekonomitë familjare dhe bizneset e shqiptarëve, me përjashtime të vogla (në saje të qeverisjes së keqe të të gjitha qeverive të pasluftës), ecën me vështirësi të mëdha, madje kanë shënuar edhe rënie graduale dhe të vazhdueshme sa, tashmë, shumë prej tyre e kanë marrë tatëpjetën, dhe varfëria e qytetarëve të pakrahë të Kosovës rritej e po rritet pa u ndalur dhe po shkon drejt pikës kritike.
Në anën tjetër, “elitat” e partive politike, qofshin në qeveri apo në opozitë, në nivelin qendror dhe në nivelin komunal, që kishin dalë nga lufta, siç mund thuhet, brekëçjerra, – për një kohë të shkurtër (në saje të vjedhjes së pasurisë dhe të pronave publike, në saje të përfitimeve nga tenderët dhe nga keqpërdorimet e tjera zyrtare), – arritën të pasurohen dhe u bënë milionerë. Kështu, nga “elita” të varfëra politike, ato u shndërruan, brenda natës, në elita të pasura ekonomike, zunë pozita të larta në institucionet shtetërore dhe në gjithë shoqërinë kosovare dhe u betonizuan në atë pozita.
Rrjedhimisht, nën hijen dhe në mjegullën e krijuar rreth këtyre prioriteteve, më në fund, duhej të duronin e të mrizonin në heshtje, edhe qytetarët e varfëruar, të pakënaqur e të shumëvuajtur të Kosovës, në mënyrë që, sipas “elitave” të partive politike, “të mos dëmtohej dhe prishej imazhi i Kosovës, në sy të ndërkombëtarëve”(!).
Besimin dhe shpresat për një jetë të mirë dhe të sigurt në vendin e tyre, shqiptarët i kishin mbështetur, për shumë arsye dhe për një kohë të gjatë, edhe në praninë e administratës civile ndërkombëtare në Kosovë.
– E para, ndërkombëtarët kishin ndihmuar në çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe, për këtë arsye, e kishin fituar besimin e shqiptarëve.
– E dyta, pas çlirimit të Kosovës, “krahu i luftës” dhe “krahu i paqes”, siç quheshin dhe vetëquheshin pas përfundimit të luftës, njerëzit e UÇK-së dhe ata të LDK-së, jo vetëm që nuk bashkëpunonin me njëri-tjetrin, por as nuk komunikonin midis tyre dhe ishin, pothuaj, në “gjendje lufte”. Mospërplasja ndërmjet këtyre dy krahëve kuptohej, në radhë të parë, si meritë e pranisë së administratës civile ndërkombëtarëve në Kosovë.
– E treta, shqiptarët besonin dhe shpresonin në ndihmën e ndërkombëtarëve në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të punës, në luftimin e krimit të organizuar, të korrupsionit, etj.
Përkundër pritjeve të mëdha prej tyre, sidomos prej EULEX-i, besimi dhe shpresa e shqiptarëve në administratën civile ndërkombëtare në Kosovë, janë zbehur gradualisht, për të zbritur në nivelin më të ulët, në vitin e kaluar (2014), pas publikimit të aferave korruptive, që lidhen me EULEX-in.
Besimin dhe shpresën, shqiptarët i kanë humbur edhe në ambasadat e huaja në Prishtinë. Është krijuar një përshtypje sikur, këtyre të fundit, megjithë ndikimin e madh të tyre në zhvillimet kryesore në Kosovë, – nuk iu intereson asgjë tjetër, përveç ruajtjes së gjendjes stabile në Kosovë dhe mbrojtjes së interesave të tyre në rajon. Ato e mbështesin dhe e sjellin në pushtet çdo “elitë” të partive politike, të dëgjueshme e të nënshtrueshme, që punon për realizimin e atyre qëllimeve, pavarësisht implikimit të saj në afera kriminale apo korruptive.

Ikja nga Kosova e “pavarur dhe sovrane”!!!

Rrjedhimisht, qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin në të gjitha qeveritë e deritashme, edhe në qeverinë aktuale, por edhe në administratën civile ndërkombëtare në Kosovë. Atyre nuk ka mundur t’u ofrojë shpresë për të ardhmen, as opozita aktualisht e përçarë. Ata nuk po shohin asnjë mundësi për ndryshime pozitive në Kosovë, që do të çonin ujë edhe në mullirin e tyre. Të dëshpëruar nga gjendja e rëndë ekonomike, por edhe të pakënaqur me pozitën e tyre sociale në shoqërinë tonë, ata po shpresojnë që ikja nga vendi i tyre, do t’i shpëtojë nga kjo gjendje.
Në ikjen e shqiptarëve nga Kosova kanë ndikim plotësues edhe faktorë të tjerë, të shumtë dhe të ndryshëm, të dukshëm dhe të padukshëm, të brendshëm dhe të jashtëm, socialë dhe psikologjikë, të organizuar dhe spontanë, por edhe faktorë të tjerë të rastit, si: “Po ikim, sepse po ikin të gjithë”, “Këta që po ikin dinë diçka”, “Po shkojmë të shohim çka ka çka s’ka”, “Nuk do të humbim asgjë”, etj. që mund të kenë rol kryesor në marrjen e vendimit për ikje nga Kosova.

– Autori është sociolog.

…………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura