SHEMSIE ELSHANI: OPORTUNITETI POLITIK – PJESË E SË KEQES!

Bern, 24. 03. 2015 – Është për t’u habitur me një kategori të qytetarëve tanë, të cilët deri dje shpreheshin pothuajse hapur, se atyre nuk u mungonte asgjë, madje as nuk i trazonte gjë meqë jetonin si në pallat të mbretit. Sot edhe ata po ankohen. Të tillët, të rrethuar me 100 salltanete, me rroga të majme, as që ngritën zërin, qoftë edhe vetëm një herë, kundër padrejtësive që po u bëhej e u bëhet të tjerëve, armatës së të papunëve, që kryesisht janë të perqëndruar e mbijetojnë në lagjet periferike të Prishtinës, e në masë të madhe në zonat më të thella rurale. Dhe sakaq, sot edhe kjo kategori të përkdhelurish nga ish pushteti serb, po edhe nga strukturat e instaluara përmes UNMIK-ut, fill pas luftës, e edhe EULEX-it që e pasoi, tashti, po, ata po ankohen dhe po e ngrisin zërin. Edhe ky fakt dëshmon që ky zoopolitikumi ynë nuk del dot përtej logjikës egoiste. Me një fjalë, kjo kategori, vetëm kur ndjen se i “rrezikohet prapanica” atëhere, reagon, bile e dhe me nervozitet!
A e kupton vallë, kjo shtresë, se tashmë ka kaluar koha e tyre?
Ju, e patët mundësinë dhe, as edhe një herë, nuk e ngritët zërin përtej caqeve të pushtetit tuaj, i cili u jipte pagën, natyrisht për besnikërinë e dëshmuar. Ju, kujtuat që ne në mërgatë nuk ishim të aftë për poste shtetërore e diplomatike? Natyrisht se nuk ishim të paaftë, por ju nuk i latë as edhe një mundësi atyre, as për një vend pune të thjeshte se le më për ndonjë pozitë drejtuese.

Ky fakt na jep të drejtën të flasim dhe të ngremë zërin lartë, dhe se na ka hije edhe fjala ashtu siç nuk ju kishte hije juve dikur heshtja. Me heshtjen tuaj, ju u solidarizuat me krimin, andaj mbajeni përgjegjësinë.
Kjo situate në Kosove nuk ka pikur prej qiellit; kjo situatë është ngritur gradualisht dhe atë mu para hundës tuaj e jo rrallë edhe me mbështetjen tuaj! Kjo ju bënë juve të dështuar, ndaj bëhuni burra një herë dhe pranojeni dështimin, pranojeni gabimin.
Keni një jetë që ndërroni partitë, si kemishat! Cila parti të vijë në pushtet, ju merrni turr për të zënë një vend pune, një post në ministri a një karrike në qeveri. U harxhuat duke i ndërruar partitë. As falje nuk kërkuat, e as llogari para popullit nuk dhatë. Sa turp!
Juve, të përkdhelurit e përhershëm të sistemeve, të punësuarit e përhershëm të sistemeve, juve të lumturit e sistemeve …ju shtresa që pretendonit se ishit të moderuar, dhe tek të huajt shiteshit si kozmopolit, të zhveshur nga çfardo ndjesie kombëtare, ju iku koha. Heshtët kur nuk duhej të heshtnit, por përkundrazi do të duhej të bërtisnit dhe me këtë, definitivisht “de facto”edhe ju jeni bashkëfajtorë për këtë gjendje ku ndodhet sot Kosova.
Sot, kur lexuesi kritik ju lexon statuset tuaja, tek potenconi me forcë se si:
– “nuk ka liri në Kosove”,
– “nuk ka drejtësi në Kosovë”,
– “korrupsioni ta zë frymën”,
– “politikanët tane nuk dijnë me ba shtet”..
.
nuk ju honepsim e përballojmë dot më. Vetem tashti e patë ju këtë të keqe të madhe?!?
Aman, mos u tallni me intelegjencën e popullit, mos ia tendosni nervat më shumë, sepse edhe ashtu e keni tepruar! Tashti u kujtuat të bëheni heronj? Edhe bëheni! Jeni të njejtit, ata që me çdo kusht duan të qëndrojnë në pushtet, apo të gëzojnë privilegjet e tij si gjithmonë. Kështu edhe kjo periudhë e pasluftës, do të mund të cilësohej si e juaja! Por, si ju, edhe qytetaria aktive, do të duhej ta ketë më se të qartë se, nuk do të mund të ketë kurrë Kosovë të Lirë, nëse shkilen vlerat e njëmendëta të saj; nuk bëhemi kurrë shtet, duke shkelur mbi sakrificën, mbi mundin, mbi djersën e atyre që tërë jetën u munduan për lirinë e këtij vendi!
Në tërë botën e qytetruar e keqja luftohet para së gjithash për hirë të parimeve. Fatkeqësisht, jemi dëshmitar se tek ne, e keqja as atëhere kur e vë në pikepyetje ekzistencën tonë si qytetarë, si njerëz e si komb, as atëhere kjo e keqe nuk po luftohet! Ose, që të jemi më afër reales, e verifikueshme madje edhe në rrafshin empirik, ajo po luftohet jo sa duhet, jo në permasat sa e keqja ka kapluar këtë vend. Ju, politikanë, intelektualë të fushave të ndryshme, artistë, krijues e shkollarë oportunist, a e ndjeni se jeni shndërruar në pjesë të së keqes?!

(…)

……………………………………………………………..

(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura