SADRI RAMABAJA: FEDERATA SHQIPTARE SI DOMOSDOSHMËRI

Prishtinë, 16. 02. 2015 – Politika shqiptare ka nevojë për zhvillimin e një metode të re të të menduarit, respektivisht një doktrine politike, që do të mundësonte njohjen e tendencave politike globale, duke i vënë ato në funksion të interesit nacional. Shqiptarët për realizimin e Federatës Shqiptare dhe zgjerimin e influencës në rajon, kanë nevojë për një doktrinë të re politike.
Përmes këtij reagimi ndaj deklaratave të mikut tim të rinisë, Halil Matoshit, që barazonte Shpend Ahmetin, kryetarin e kryeqendrës sonë, me kryetarin e komunës ahtisariane (Graçanicës), Vladeta Kostiq, por edhe lagjes xhuxhe të bashkëmentimtarëve të tij nevrik, që sheston për çarjen e Kombit shqiptar përmes skizmës që ndërlidhet me idenë e të të ashtuquajturit Komb kosovar, dua të sjell ca argumente dhe të hedhë dritë mbi disa teza që kanë të bëjnë jo vetëm me historinë e shtetit, por edhe me atë të kombit, duke filluar nga vet nocioni mbi kombin deri tek shteti-komb.
1.
Në literaturën bashkëkohore, tashmë është etabluar gjykimi se kuptimi më i gjerë i nocionit “komb” është ai që ka kontekst politik. Ai njësohet, shkrihet, në nocionin që shënon edhe shtetin. Por jo gjithmonë shteti njësohet me kombin. Janë një varg rastesh kur një komb është i ndarë në disa shtete.

Sipas shprehjes republikane franceze kombi “duhej të ishte një dhe i pandashëm”.
Nga ky përkufizim rrjedh që kombi është i paracaktuar të formojë një shtet të vetëm dhe që përbënë një tërësi të pandashme.
Sipas këtij koncepti “kombi” ishte një tërësi qytetarësh, sovraniteti kolektiv i të cilëve konstituonte një shtet, si shprehje e vullnetit të tyre politik.
Në këtë përkufizim “barazimi komb=shtet=popull, veçanërisht popull Sovran, padyshim që e lidhte kombin me territorin.
Historia si vlerë e veçantë shenjuese e kombit në kujtesën e përbashkët për të kaluarën, luan rol të rëndësishëm. Kombi është dëshmuar si fuqia kohezive më e madhe politike për integrimin e pjesëtarëve të grupit.
Shtetinën kupton kuadrin juridik dhe institucional, ndërkaq kombi përmbledh dimensionet morale dhe kulturore.
Shteti-komb është një bashkim konceptesh, i cili nuk vetkuptohet. Ai më shumë përbën një tip ideal dhe rezulton si produkt i transformimeve, konflikteve dhe përballjeve të shumta gjatë historisë moderne evropiane.
Shteti-komb në thelb është shteti me kombin (popullin, etnin) si bartës të shtetësisë.
E kundërta e këtij nocioni është ai për shtetin multietnik.
2.
Dhjetëvjetëshi i fundit i shekullit XX është epoka kur po përmbysej rendi shoqëror në Evropën Lindore. Kjo periudhë do të hyjë në histori edhe si epokë e rinlindjes së dytë të shtetit-komb për këtë pjesë të Europës.
SHBA-të i kontribuan shumë kësaj rilindje përmes doktrinës që legjitimonte planet për ngritjen e shteteve qoftë edhe të vegjël, por funksional. Kjo strategji u aplikua në Kosovë.
Kundër kësaj strategjie ishin dhe mbesin të angazhuar Beogradi dhe aleatëte tij.
Vetëvendosja dhe rrjedhimisht edhe Shpend Ahmeti, angazhohen pikërisht për funkasionalizimin e Republikës, që do të rezultonte me shndërrimin e saj në shtet zhvillimor. E kundërta ndodh, miku im, me Valdeta Kostiqin. Ai angazhohet pikërisht për ta zhbërë Republikën. Pra për defunksionalizimin e Republikës dhe shndërrimin e saj në një shtet të dështuar.
Në fakt në këtë betejë, VV na rezulton si mbrojtësja më reale e Republikës, ndërkaq ata që nënshkruajnë marrveshje të tipit të asaj të prillit 2013, i vënë themelet e federalizimit të brendshëm, rrjedhimisht ndarjes së Republikës. Marrveshja e fundit është rrjedhojë e së parës. Kjo ndan Gjyqësorin mbi baza etnike. E ti, mik, e din se shtylla e tretë e Shtetit të së drejtës dhe garantuesi i Lirive qytetare, është Gjyqësori. Kjo kastë politikanësh që e sjell Republikën në këtë stat zhbërjeje janë pikërisht ata që do të duhej barazuar me Vladeta Kostiqin.
Në këtë epokë ndryshimesh të mëdha, sidomos tashti kur fushbeteja mes konceptit perendimor mbi shtetin modern dhe atij lindor mbi shtetin me sovranitet të kufizuar (teoria e Brezhnjevit për të cilën angazhohet sot Putini), janë pikërisht kombet e Evropës Lindore dhe asaj Juglindore që ndjehen të rrezikuar. Shih për këtë, teoria mbi Shtetin-komb del sërish në skenë si struktura që garanton Shtetin dhe qytetarin, rrjedhimisht lirinë, paqen dhesigurinë.
Arsyet janë të natyrave të ndryshme. Madje konstatimi se vetëm në shtetin-komb demokracia, në kuptimin e gjerë të fjalës, gjenë truallin më të përshtatshëm për selitjen e saj të mirëfilltë, tashmë pas kapjes së Shtetit nga mafia politike dhe bandat e krimit në Kosovë, pas egzodit pothuajse biblik të qytetarëve, që de fakto po nulifikon legjitimitetin e kësaj qeverie, merrë peshë edhe më specifike.
3.
Kryengritja gjithëpërfshirëse e vitit 1912 filloi me Kuvendin e Junikut të majit 1912. Në ballë të saj ishte Hasan Prishtina, korifeu i saj, që shtroi edhe programin politik. Më 28 nëntor 1912 ajo u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së shtetit Shqiptar.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimi i Shtetit të Pavarur Shqiptar po hapte një epokë të re për shqiptarët.
Edhe në relacion me Bashkësinë Ndërkombëtare të kohës, prej 28 Nëntorit të vitit 1912 e deri në marrjen e vendimeve nga Fuqitë e Mëdha dhe fillimin e zbatimit të tyre, në muajt e parë të vitit 1914, Shqipëria ishte dhe sillej si shtet i pavarur.
Ajo kishte një qeveri legjitime dhe organe tjera shtetërore, të cilat kishin shpallur dhe kishin vendosur autoritetin e vet mbi popullsi që jetonte në territore, të cilat formalisht dhe juridikisht përfshinin katër vilajetet e Perandorisë Osmane të banuara me shqiptarë. Në to bënin pjesë edhe Kosova dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Greqi, të njohura tradicionalisht nën emërimin Shqipëri.
Kjo Shqipëri, sipas teorisë deklarative të njohjes, e cila mbizotëron në të drejtën ndërkombëtare, formalisht ishte shtet dhe subjekti saj, për rrjedhojë edhe anëtar i bashkësisë botërore të asaj kohe, konstaton me të drejtë Prof. Ksenofon KRISAFI.
4.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër la jashtë hartës politike të shtetit Shqiptar më shumë se gjysmën e territorit që banohej nga shqiptarët. Përmes një marrveshjeje iracionale në mars të 1913, traktatit të Bukureshtit më 11 gusht 1913 dhe Protokollit të Firencës të 17 dhjetorit 1913, Konferenca e Ambasadorëve shpërbleu fqinjtë e shqiptarëve me sipërfaqe të tëra të banuara kryesisht nga shqiptarët. Pas këtij vendimi kaq tragjik, ishte plotësisht e natyrshme të pritej rezistenca e shqiptarëve të krahinave të pushtuara dhe mosnënshtrimi i tyre. Kjo rezistencë në forma të ndryshme përthekoi tërë shekullin XX, deri më 12 qershor 1999, me hyrjen e trupave të NATO-së në Kosovë.
5.
Politika shqiptare ka nevojë për zhvillimin e një metode të re të të menduarit, respektivisht një doktrine politike, që do të mundësonte njohjen e tendencave politike globale, duke i vënë ato në funksion të interesit nacional.
Nëse anglosaksonët pas Luftës së Dytë Botërore ishin përqendruar në ndërtimin e kësaj medote të të menduarit politik, duke marrë në konsideratë aspektet dhe interesat gjeostrategjike, ndërkaq francezët krahas përqendrimit në selitjen e mendimit mbi interesin hapësinor, kishin kultivuar, përmes shkencave sociale dhe politike, komponentën filozofike dhe ideologjike, shqiptarët për realizimin e projektit të Federatës Shqiptare dhe zgjerimin e influencës në rajon, kanë nevojë për kombinimin të që të dy shkollave të lartëtheksuara, duke i shtuar kësaj konceptin ushtarak të të menduarit.
Ky koncept Federatën Shqiptare do ta bënte më me peshë në syrin e aleatëve tanë gjeopolitik, para së gjithash SHBA-ve.
Në këtë rast, Aleancës sonë gjeopolitke (NATO-s) në vend se t’i japin refugjatë, qytetarë që ikin nga mjerimi, nga Republika në dështim, si po bëjmë tashti, do t’ i afronim partneritet serioz, meqë do të ishim një Republikë e zhvilluar dhe me mirëqenie për qytetarë, rrjedhimisht asaj, pra Aleancës, do t’ i jipnim gjeneralë e ushtarë.

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura