Bern, 07. 12. 2015: Mendoj që shoqërisë kosovare i duhet një elite intelektuale, kulturore, artistike dhe mediale. Këto shtylla janë me rëndësi sepse, nëpërmes një elite të shëndoshë intelektuale, artistike, kulturore dhe mediale, do të mund të emancipohej ky popull dhe si i tillë do të leviz, me çka do të detyroj edhe klasën politike në pushtet të lëviz. Nuk janë me rëndësi politikanët. Në tërë botën politikanët janë vetëm transmetuesit e vullnetit të popullit. Kam qenë gjithmonë idhtare e ngritjes së vetëdijes, por sa herë kam përmendur këtë fakt edhe gjatë aktiviteteve te mia rinore për liri, dilte dikush që thoshte, një herë liria pastaj vetëdija. Njësoj është dhe sot, sa herë përmend vetëdijen, del dikush që më thotë, ekonomia. Por pyes, a nuk është vetëdija, ajo që shpije te liria, edhe te ekonomia.
Prandaj jam shumë skeptike se do të kemi ekonomi të zhvilluar pa ngritje të vetëdijes. Dhe për këtë shkallë të vetëdijes ka një kusht, i cili mendoj se është lëvizja qytetare, me kërkesën për një jetë me dinjitet. Për një vetëdije të tillë që shkakton një lëvizje qytetare, me një kërkesë të tillë, nevoiten njerëz të aftë të kulturës, artit, mediave, arsimit etj. Te ne asgjë nuk ka ndryshuar. Që prej përfundimit të luftës së dytë botërore, e deri me sot, të njetit njerëz marrin çmime, të njejtët njerëz dekorohen, të njejtët njerëz në media, në TV, të njejtët këngëtarë, të njejtët artistë, të njetët intelektualë, të njejtët akademik, të njejtët shkenctarë, madje edhe të njejtët njerëz të letrave.
Prandaj kemi ngelur në vend, duke jetuar në mënyrë simbiotike – popull (qytetar) – politikë, pa asnjë hap para. Si mund të konsiderohet vlerë një njeri i cili përfaqësonte vlerë njëkohësisht në kohën e Titos, të Rugoves, të Thaçit, e tash te IsëHashimit. Asgjë konstruktive nuk po shoh këtu. Fare nuk e di për çka luftuam!
Tash mu kujtua, e ka thënë Fanoni: – Ҫdo kolonizatorë para se t´a le koloninë e vet, instalon nëpër të gjitha strukturat njerëzit e vetë. E vetëkuptueshme, sa më të thella këto struktura, aq më gjatë këta njerëz do të dominojnë jetën shoqërore dhe politike në Kosovë, pasi si çdo kolonizator tjetër, edhe Serbia, gjithmonë mendon ta rikthejë prap koloninë e humbur – Kosovën.
Ndërkaq vlerat e mirëfillta vinë nga populli. Ato emërtohen nga populli, i cili në nominimin e tyre ka qenë gjithmonë para politikës. Janë pikërisht këto media, kjo elitë intelektuale dhe kulturore, që me mjete të ndryshme u vunë në shërbim të politikës për të injoruar vlerat e mirefillta, duke i sabotuar e bojkotuar pa iu dhënë kurrë hapësirën e merituar, e madje duke i lënë edhe pa bukën e gojës! Ndërsa në ndërkohë, duke i favorizuar e fryrë antivlerat. Prandaj, ju që sot dominoni jetën shoqërore dhe politike në Kosove, reflektoni dhe mendoni pak! Kaq budallenjë jeni, sa të mendoni që vërtetë jeni më të mirët? Jam e bindur që po i parashtruat vetes këtë pyetje, përgjigjen do ta gjeni, sapo t`a kuptoni që nuk jeni më të mirët, sapo të vëreni përtej hundës tuaj vlerat reale, mbi të cilat po shkilet pamshirshëm. Besoj tashme e kuptuat si keni ardhur deri aty, si të përzgjedhurit e kolonizatorit serb, paska thënë Fanoni.