SHERADIN BERISHA: ALARM! KRYEMINISTRI BERISHA NIS PRIVATIZIMIN E 40 KALAVE DHE MONUMENTEVE TJERA TË TRASHËGIMISË SONË KOMBËTARE!

(Pashtriku.org, 29. 10. 2012) – Në 100 vjetorin Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj Etnik, 40 kala dhe monumente të tjera të trashëgimisë sonë kombëtare, në të gjithë Shqipërinë do të privatizohen dhe, biznesmenët e interesuar do të mund të ndërtojnë nga e para objekte të reja duke ndryshuar kështu identitetin historik dhe strukturor të tyre. Nisma për të “privatizuar” kalatë shqiptare duket se e ka marrë aprovimin paraprak nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Aldo Bumçi e të vetë kryeministrit Sali Berisha. Këtë lajm e ka konfirmuar vetë drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe. “Eshtë një kërkesë e ministrit të kulturës dhe e kryeministrit,…” ka thënë z. Apollon Baçe për mediat shqiptare.
Lista e rreth 40 monumenteve historike të cilat do të jepen me qira për t’u shndërruar në ambjente biznesi nga investitorët privatë në emër të “rivitalizimit të monumenteve”, ka shkaktuar reagim të menjëhershëm ndër specialistë të monumenteve, arkitektë, studiues të shumtë dhe njerëz të mediave në Shqipëri. Njëra nga kalatë që figuron në listën e “rivitalizimit…” është edhe Kalaja e Lezhës, ku Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe qeveria shqiptare, duke e konsideruar atë si një projekt rivitalizimi, ka dhënë lejen për ndërtimin e një moteli, një fushe tenisi, një bari e restoranti etj., të gjitha këto m’u në zemër të Akropolit të Lezhës.

Kryeministri Sali Berisha.

……………………………………

Protestë kundër motelizimit të Kalasë së Lezhës
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri, për të sensibilizuar opinionin publik, në verë të këtij viti kanë protestuar në ambientet e Kalasë së Lezhës, kundër nismës së qeverisë për motelizimin e Kalasë, me moton: “Jo moteleve në kalanë e Lezhës”.
Me këtë rast Artan Lame, drejtues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore shpjegon dëmet që sjell miratimi i këtij projekti. “Kemi ardhur sot në Kalanë e Lezhës, për të tërhequr vëmendjen për marrëzinë e radhës, për ndërtimin e moteleve në kala. Një pjesë e planimetrisë na tregon se në murin e jashtëm të xhamisë mesjetare të Kalasë së Lezhës, që ka qenë më herët një kishë, një histori e zakontë kjo në Shqipëri, pikërisht këtu do të ndërtohet kompleksi i moteleve. Shpresojmë që nuk do të vënë ndonjë krevat gjumi brenda territorit të xhamisë. Thirrja jonë për çdo qytetar normal të këtij vendi në këtë 100-vjetor të pavarësisë, është jo moteleve në kalanë e Lezhës”, ka thënë Artan Lame.

…………………………..

KALAJA E LEZHËS

Kalaja e Lezhës sot:

*   *   *

Kalaja e Lezhës nesër kur do të ndërtohen motelet, fusha e sportit etj.

……………………………………………..

Në këtë protestë kanë shprehur shqetësimet e tyre edhe studiues e specialistë të tjerë, si; Lorenc Bejko, Auron Tare, Artan Shkreli, Pëllumb Xhufi dhe Xhemal Mato.
“Jemi në ambientet më përfaqësuese të historisë së antikitetit dhe mesjetës shqiptare, në një nga vendet më domethënëse për historinë e vonë të shekullit XIX-XX. Ndërtimi i këtyre infrastrukturave të papranueshme përbën një nga shkeljet jo vetëm të ligjit për trashëgiminë kulturore e Kartës së Restaurimit, por edhe gjithçkaje që lidhet me parimet e ruajtjes së vlerave historike dhe restaurimin në nivel ndërkombëtar. Është e papranueshme që të rrimë pa e ngritur zërin ashtu siç është e papranueshme që ky ambient historik të rrënohet e të bëhet sikurse është bërë pjesa jashtë mureve rrethuese të kalasë, plot me ndërtime të paligjshme”, ka theksuar ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko. Thirrja për mbrojtjen e vlerave autentike ka nisur nga specialistët që para vajtjes në kala, duke parë ndërtimin e një ure betoni. “Vizita që bëmë ne sot këtu filloi me një surprizë mjaft të madhe që në hyrje, ku është ndërtuar një urë. Kjo është një lloj përçudnimi i bërë me sa duket me lejen e Institutit të Monumenteve të Kulturës – IMK’së dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve – MTKRS’së: një urë betoni mbi mure të shekullit IV para Krishtit. Për mua është një tmerr i vërtetë për ruajtjen e parqeve historike dhe ruajtjen e autenticitetit të kësaj kështjelle”, ka theksuar Auron Tare.

Artan Lame, drejtues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

…………………………………………………

Të njëjtin shqetësim ka shprehur edhe arkitekti Artan Shkreli, për të cilin zgjidhje të tilla janë të papranueshme. “Hyrja e kalasë së Lezhës ishte një dramë më vete. Aty u përballëm me një urë betoni që s’kishte asnjë lloj lidhje me vlerat e mureve ku ishte vendosur dhe mund të zgjidhej fare mirë duke e ndërtuar në dru. Që në krye të herës mungon një sinjalistikë në kala që të tregojë se cilat janë vlerat e saj, e se çfarë historie ka secili mur e gur aty”, ka theksuar Shkreli. Thirrjes për ta ruajtur këtë monument i është bashkuar edhe historiani Pëllumb Xhufi, i cili e ka quajtur skandal idenë e ngritjes së moteleve në kala. “Ajo që skandalizon është se po mendohet të ngrihet një objekt me funksion social, pra lokal, në pjesën më dominante të kalasë dhe brenda mureve. Siç dihet, në pikat kyçe të kalasë kanë qenë banesat e princërve, dhe nuk është çudi që aty të ketë qenë Pallati i Dukagjinëve për të mos thënë i Teutës, që do të qëndrojnë në themelet e asaj barake që do i ngrenë sipër. Do të bëhet një objekt ku do të shkohet për dasma, dreka e darka. Urojmë që të mos ndodhë ajo tjetra që të mos ikin vizitorët se do të bien në kontradiktë funksioni i vjetër i kalasë me të riun”, është shprehur z.Xhufi. Ndërkohë, ambientalisti Xhemal Mato ka theksuar se “të vlerësosh një park do të thotë t’i vlerësosh edhe rrethinat, dhe i gjithë ekosistemi shërben më mirë kështu siç është për ekoturizmin se sa duke ndërtuar një hotel, i cili vetëm sa do ta shkatërrojë dhe do t’i ulë vlerat kësaj zone”, ka theksuar ai.

Një urë betoni në hyrje të Kalasë së Lezhës!

………………………………….

Por krejt ndryshe është shprehur kryebashkiaku i Lezhës Viktor Tusha. Sipas tij nëse ndërtimet e parashikuara i japin hov turizmit, ato duhen lejuar të zhvillojnë aktivitet edhe brenda zonës muzeale.

…………………………………………
Protestë në Kalanë e Lezhës

……………………………….

Ndërtimet që rrënojnë Kështjellën e Lezhës
Bashkia e Lezhës ka vazhduar të japë leje për ndërtimin e banesave apo lokaleve në zonën historike të kështjellës së qytetit. Jo vetëm arkeologët por edhe një pjesë e opinionit publik është i shqetësuar për rrënimin e trashëgimisë kulturore nga këto ndërtime, të cilat duket se kanë në themel korrupsionin. Në vijim ju ftojë të shikoni emisionin”hapur” të gazetarit Agim Pipa, ku trajtohet gjerësisht kjo temë:

………………………………..

Shteti kërcënon e shantazhon njeriun që kundërshton privatizimin e Kalasë së Lezhës!
Para më shumë se një viti, nismën për të “privatizuar” kalanë e Lezhës, e kundërshtoi hapur edhe drejtori i Parkut Arkeologjik të Lezhës, Salvator Xheçi, dhe për çudi ai në vend se të përkrahet, u përball me kërcënime dhe shantazhe të ndryshme nga shteti. Ndërkohë pushtetarët kërkuan nga ai të jepte dorëheqjen, në të kundërtën (i thonë atij) inspektuesit shtetëror do të gjenin motive për ta shkarkuar nga kjo pozitë. Zoti Xheçi, u detyrua të jap dorëheqje duke menduar se mund të vazhdonte një betejë qytetare jashtëinstitucionale. I shkroi disa letra zyrtare ministrit të atëhershëm të Kulturës, Ferdinand Xhaferrit, kryeministrit Sali Berisha dhe gjithë institucioneve të tjera shtetërore. Në ato letra shpërfaqen përmasat tragjike të një shkatërrimi të mundshëm të Kalasë së Lezhës, diçka që të shkakton trishtim në 100 vjetorin e Pavarësisë! Në këtë situatë një nëpunës institucional në Lezhë ka patjetër pas vetes një konotacion paragjykues, por fakti që Salvator Xheçi, këtë betejë e vazhdoi i vetëm edhe kur nuk ishte me drejtor i parkut arkeologjik, përbën një motiv më shumë për ta besuar atë që thotë.

Ish’drejtori i Parkut Arkeologjik të Lezhës, Salvator Xheçi.

………………………………………….

Salvator Xheçi në një letër drejtuar kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Kulturës, z.Xhaferri, ndër të tjera shkruan:
“Mbi rrënojat e Akropolit Antik të Lissit do të ndërtohet një qytezë e re hotelesh dhe restorantesh; trojet historike të mbretërive Ilire do të shiten për gjelltore e për hotele; sarajet e Dukagjinëve të famshëm do të tjetërsohen në bare, restorante, motele, diskoteka, komplekse sportive; odat ku janë mbledhur prijësat shqiptarë për te bërë besëlidhjen do të kthehet në restorant për produkte mishi; atje ku ushtrohej kanuni i dukagjinëve do të ndërtohet një motel; atje ku u dergj Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në prag të vdekjes do të ndërtohet thertorja dhe dhomat frigoriferike; atje ku mund të ishte një muze etnografik do të ndërtohen nevojtore publike dhe gropa e zezë e gjashtë godinave të kësaj qyteze të re; mbi rrënojat e kishës së shekullit XIII do të ndërtohet një disko nate; bujtina e miqve të princëve Dukagjinas (e kthyer në xhami pas pushtimit turk) do të kthehet në restorantin e produkteve të mishit të derrit; Në vendin ku arkeologët parashikonin të bëhej muzeu arkeologjik do të hapet një restorant peshku; varrezat mesjetare do të kthehen në vend parkimi për automjetet, etj.”.

………………………………………………….

Shikoni në vazhdim emisionin “Shqipëria tjetër” të gazetarit Marin Memia – “Plani që “shemb” Kalanë e Lezhës”!

…………………………………………

PAK HISTORI
Lezha shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë, aty ku Lumi Drin i jep fund rrugëtimit të vet nëpër Shqipëri dhe bashkohej me Detin Adriatik për të krijuar Gjirin e Drinit; aty ku takohen zgjatimet e fushave pjellore të Zadrimës, të Torovicës (dikur kënetë) dhe të Bregut të Matit (krijuar nga prurjet e lumenjve Drin dhe Mat); aty në majen e një kodre në formë piramide (Mali i Shelbumit) dhe rrotull një kodre tjetër edhe më të vogël, në majen e së cilës sot dallohen bedenat e Kalasë Mesjetare, qarkuar nga Veri-Lindja prej një kreshte malore (pika më e lartë, Vela – 1171 m). Lezha është një ndër vendbanimet me të hershme mesdhetare. Ky qytet është një estetikë e gjallë e qytetërimit iliro-shqiptar, dhe përfaqëson një qerthull të një fisi ilir, prej të cilit trashëgonte edhe emrin “Lisso – Lissuss” që sipas studiuesve është një ngjyrim linguistik i emrit të vjetër ilir “Lisi”. Qyteti është themeluar në vitin 385 para erës së re nga Dionizi i Sirakuzës. Kronikania bizantine Ana Komnena në shekullin e 12’të Lezhën e quan një qytet të ngritur në ajër, që mund të “soditet” nga të gjitha anët… Skaje këto të rrethuara me metafora historie, ku çdo njeri jeton midis tyre dhe këtu qëndron sekreti i mbijetesës.

LEZHA

……………………………………………..

Kalaja e Lezhës ngrihet në lindje të qytetit në majë të një kodre me lartësi 186 metra. Ajo ka origjinë ilire dhe dokumentohet se ishte në listën e rindërtimeve të mëdha të Perandorit ilir Justiniani i Madh. Në vitin 1440 Kalaja iu nënshtrua një rindërtimi të ri nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe prej tyre. Në Kala mund të vërehen me lehtësi gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Në këtë Kala, objektet më interesante për tu vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Prej Kalasë shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik. Qyteti i ndërtuar në kodër ka një pozicion strategjik që kontrollon luginën e Drinit deri në Gjirin e Shën Gjinit në detin Adriatik Dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shek.IV p.k. Me pushtimin romak Lezha do të administrohet nën provincën e Prevelitanit. Në shek. VI e.s. (viti 592) Lezha ishte një qendër episkopale me peshkop Gjonin. Në vitin 1107 ajo ishte nën pronarin Aleks Komneni. Në 1153 në krye të perandorisë ishte perandor Nonali. Kisha e Lezhës është e ritit Benediktin që varej drejpërdejt nga Papati. Me krijimin e shtetit të Arbrit në shek.XIII princ Dhimitri më 1208-1215 bëri një marrëveshje për shkëmbime tregtare me republikën e Raguzës. Më 1393 ra nën sovranitetin e republikës së Venedikut e cila vuri përsëri nën zotërimin e saj pas vdekjes së Skënderbeut më 1468. Gjatë krijimit të shtetit të Arbrit qyteti i Lezhës ka luajtur një rol të rëndësishëm fetar, jo vetëm si qendër episkopale, por edhe për ngjarjet e kohës.

Kalaja e Lezhës

……………………………………

• Krijimi për herë të parë të “Urdhërit Françeskan” nga Shën Françesku.
• Kisha e Shën Kollit e shek.XIV është monument historik me rëndësi.
• Vendi ku u mblodh Kuvendi I Lezhës 1444 nën udhëheqjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga antikiteti shek.IV p.k me emrin qyteti i lashtë i Lisit. Këto janë mure të fuqishme me blloqe të mëdha guri. Rindërtimi i parë i kalasë datohet në shek. I p.k. Më vonë në shek. XI-XII në pjesën e akropolit të qytetit ndërtohet kështjella mesjetare e Lezhës – Elission me gurë të vegjël të gdhendur dhe me llaç. Kjo kështjellë u përforcua për të përballuar dyndjet e shteteve të para sllave që vinin nga veriu. Në ndërtimin e kështjellës ka ndihmuar pozicioni gjeografik i kodrës (planimetria paraqet formë vezake dhe drejtim lindje-perëndim.) Etapat e mureve dallohen qartë. Në kështjellë ka tri porta, dy të parat janë ndërtuar në vendet ku ishin portat e qytetit antik të Lisit. Si rezultat i tërmetit të vitit 1979 kalaja ka pasur disa dëmtime serioze. Me fillimin e punimeve restauruese në gusht 2002 DRMK Tiranë konsolidoi dhe mbylli punimet restauruese dhe konservuese në këtë kështjellë.
Si monumente të zbuluara historike aktualisht në Lezhë janë:
Akrolissi (shek. 11 p.k.) Gjurmët më të hershme të qytetërimit në Lezhë. Lissusi (385 p.k) qyteti antik mjaft i zhvilluar e me rëndësi të veçantë arkeologjike dhe historike. Kalaja e Lezhës (filluar në shek 4 përfunduar në vitin 1521) është një nga vlerat e spikatura monumentale e historike të qytetit. Obelisku (1968) është një vepër monumentale në qendër të qytetit që përjetëson bashkimin e princave shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut për ti bërë ballë pushtimit osman, në kuvendin e Lezhës të 2 marsit 1444. Vendvarrimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti’Skënderbeu (1981). Mbi rrënojat e Kishës së Shënkollit, më pas Xhamia e qytetit, është ndërtuar Memoriali për të nderuar vendin ku u varros Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me 17 Janar 1468. Shtëpia e Mlikajve (1910) është një banesë tipike qytetare e Lezhës (ka qenë ish muzeu i qytetit). Ura e Hekurit (1926) ura më e vjetër e ndërtuar mbi lumin Drin. Kuvendi Françeskan (1240), i themeluar nga vetë Shën Françesku nga Azizi në vitin 1221, kisha e Shën Eufemisë në Kallmet e rindërtuar në fundin e shekullit të kaluar. Ndërkohë që në Lezhë është e hapur dhe vlen të vizitohet edhe Galeria e Artit e cila ekspozon veprat e artistëve lezhjanë të cilët tashmë kanë krijuar një traditë artistike të qytetit.

………………………………………………………

VENDVARRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT
Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut shtrihet në zemër të qytetit antik të Lissusit – në Lezhë, në ambientet e Kishës së Shën Kollit, e cila rrethohet nga kjo ndërtesë e lartë e ngritur mbi 28 kolona, që përkujtojnë 28 nëntorin e parë kur Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë. Themelet e Kishës janë të shek. XIV, dhe ndërtesa është e tipit bazilikë me gjatësi 17 m dhe gjërësi 8 m. Në muret e saj ruhet një afresk i Shën Nikollës. Në Memorialin e Skënderbeut evidentohen dy nga ngjarjet më të mëdha të Kombit shqiptar: Së pari, mbajtja e Kuvendit të Lezhës më 2 mars 1444 ose siç njihet në histori me emrin Beslidhja e Lezhës, ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu bashkoi princat shqiptarë në luftë kundër pushtimit osman dhe, së dyti Vendin e Varrimit të Skënderbeut i cili vdiq në Lezhë më 17 Janar 1468 në moshën 63 vjeçare nga sëmundja e malarjes.
***
Gjatë sulmeve mbi Lezhën në vitet 1478 dhe 1501 ushtria osmane e dogjën kishën e Shën Kollit. Në vitin 1680 karakatina e kishës që konsiderohej nga vendasit si vend i shenjtë u shndërrua nga pushtuesit në xhami me emrin “Selime” (Daniele Farlati, Ilyricum Sacrum, VII). Turqit prishën edhe varrezat e dikurshme të kishës duke i hedhur eshtrat e varreve në lumin Drin që ndodhej aty pranë (Harvat Glasnik XXI, Dokum.83). Deri në vitin 1967 xhamia ishte në pronësi të komunitetit mysliman shqiptar. Po në këtë vit ajo ju nënshtrua gërmimeve intensive të zhvilluara nga arkeologu Frano Prendi, i cili arriti në përfundimin se këtu ishte varrosur heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ky objekt kulti i kaloi në administrim Institutit të monumenteve të kulturës në Tiranë, i cili e shndërroi në Muze Memorial.
* * *
Ky Memorial është një institucion i rëndësishëm Kombëtar, i cili tashmë ka një varësi të dyfishtë, nga Bashkia e Lezhës dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë (MTKRSSH). Memoriali është ngritur më 23 Nëntor 1981, dhe është projektuar e ideuar nga Skulptori i shquar Popullit, Odhise Paskali dhe arkitekt Latif Lazimi. Sipërfaqja e Memorialit është rreth 225m2 me lartësi 11m, muret origjinale të kishës së Shën Nikollit përfshijnë një sipërfaqe rreth 72m2, ndërsa lartësia e mureve arrin 5,25 m. Brenda kishës në absidën e dikurshme është vendosur një bust i Skënderbeut, punuar nga skulptori Odise Paskali. Në qendër të saj pranë altarit ndodhet një pllakë granite, mbi të cilën janë vendosur kopjet e shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut. Në të dy muret e kishës së dikurshme janë fiksuar një varg mburojash dekorative që tregojnë betejat e Skënderbeut. Elemente tjera të rëndësishme që ruhen sot në këtë kishë janë: Afresku origjinal i Shën Kollit, absida (harku i altarit) e kishës, tri dritaret dhe dera origjinale e kishës, si edhe harku mbi derë, një element dekoracioni origjinal i kishës. Më 27 Gusht 2011 e kam vizituar Kalanë e Lezhës dhe Memorialin e vendvarrimit të Skënderbeut, dhe me këtë rast sjellë një Fotoalbum me pamjet më të rëndësishme të këtij Kompleksi Kombëtar.

……………………………………………………………..

NGA VIZITA NË KOMPLEKSIN E LEZHËS


 

=========================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura