SHERADIN BERISHA: AMFITEATRI MIJËVJEҪAR I DURRËSIT (FOTO + VIDEO)

Pashtriku.org, 15. 12. 2015: Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe shtrihet 33 km në perëndim të Tiranës. Sipas të dhënave të vitit 2009 Durrësi ka rreth 202.000 banorë. Është një nga qytetet më të lashtë dhe portet më të mëdha në Shqipëri dhe mund të krahasohet me qytetet më të mëdhenj të mesdheut antik. Banorët e parë të Durrësit, (para ilirëve), pellazgët, ngritën në rrethinat e këtij qyteti, vendbanimet e para prehistorike. Në bregdetin e Gjirit të Durrësit u vendos qendra e parë apo limani me emrin Dyrrah. Sipas autoreve antik, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjine ilire të quajtur Epidamn dhe nipi i tij Dyrrah (e lindi Melisa, bija e Epidamnit). Mbreti Epidamn, ndërtoi pjesën e fortifikuar të qytetit në juglindje të Malit të Durrësit, kurse Dyrrah’u ndërtoi Portin që për shumë shekuj mban emrin e tij. Nga këto dy emra mbijetoi deri në ditët tona, emri Dyrrah-Durrësi, për vetë rolin e tij si liman-Port. Emri i vërtet i mbretit vendas Dyrrah, identifikohej dhe me konfiguracionin gadishullor të relievit, duke shprehur qenien e dy shpateve (dy rrahe), që duken kur hyn në Gjirin e Durrësit.
AMFITEATRI I DURRËSIT
Amfiteatri i Durrësit është monument unikal në Shqipëri. Ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe vlerësohet mes 45 amfiteatrove të zbuluar të botës antike. Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966, nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi me bashkëpunëtorët e tij, atë kohë kur kishin nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Gërmimet e bëra nga arkeologu V.Toçi nxorrën në pah një pjesë të caveas, një pjesë të arenës dhe një pjesë të galerive të Amfiteatrit.
***
Amfiteatri është ndërtuar në fillim të shek. II të e.r., në kohën e perandorit romak Trajan (98-117), në faqen lindore të kodrës në kuoten 59 m, në pjesën juglindore të kalasë, në mes të harkut verior dhe jugperendimor të mureve të kalasë.

Arkeologu Vangjel Toçi (1920 – 1999)

Vangjel Toçi mbi mozaikun – Bukuroshja e Durrësit në Amfiteatrin e Durrëst.

Vangjel Toçi dhe stafi i tij në Amfiteatrin e Durrësit, 1969.

Amfiteatri ka dy boshte: Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë 63 dhe 39 metra. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Vlerësohet si kolos inxhinierik e arkitektonik i kohës antike dhe vepër e mjeshtrave vendas. Zbulimi i arenës do të qartësoi edhe funksionin e amfiteatrit. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 15-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin dyluftimet e gladiatorëve. Të dhënat më të rëndësishme për ekzistencën e amfiteatrit i ka dhënë historiografi Marin Barleti në shek. XVI’të, i cili në veprën e tij mbi jetën dhe veprën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu shkruan se në Durrës “ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme”.
***
Për hapjen e shkallareve dhe galerive të pjesës perëndimore që ishte ndërtuar në faqen e kodrës që ndan qendrën e qytetit nga pjesa bregdetare janë prishur 33 shtëpi, ku banonin 50 familje të vjetra durrsake si: Kthupi, Njala, Velja, Kapedani, Bebeziqi, Plepi etj. Ekspeditat intensive për hapjen e amfiteatrit kanë vazhduar nga viti 1966 deri në vitin 1970, e megjithatë ky monument antik nuk u zbulua dot plotësisht. Misionet e mëvonshme qenë të shkurtra dhe të karakterit shkencor. Që nga viti 2004 një ekspeditë italo-shqiptare (Umiversiteti i Parmës) e financuar nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme dhe Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, ka mundësuar gërmimin në një sipërfaqe prej 600 metra katrorë në pjesën juglindore të monumentit. Zbulimet kanë hedhur dritë mbi mënyrën e jetesës së banorëve gjatë periudhës nga shekulli IX – XIII. Gërmimet e kësaj ekspedite arkeologjike gjatë një periudhe afro 12 javore, (nga nëntori 2004 – në qershor të vitit 2005), kanë nxjerrë në dritë një lagje mesjetare të qytetit me rrugë, shtëpi, oborre, puse, sterna, magazina, kishëza, të ndërtuara mbi rrënojat e amfiteatrit gjigant.
***
Nga pamjet duket që sistemi i shpërndarjes në amfiteatër realizohej përmes një serie korridoresh në formë unazore, jo simetrike, të bashkuara me njëra-tjetrën me shkallë dhe nëpërmjet një galerie të madhe e cila futet në brendësi të kodrës në pjesën veriore. Arena, e cila është e gërmuar shumë pak, ishte e ndarë nga cavea përmes një podiumi (bazament i lartë për mbrojtje); caveja ishte e ndarë në dy rangje maenianum (shkallë që i korespondon rangjeve të ndryshme sociale dhe publike) dhe praecintio (parmak ndarës). Ndërtesa është e ndërtuar me teknikën opus coementicium me gur gëlqeror dhe e veshur me teknikën opus mixtum me tulla dhe gurë; shkallët që kanë qenë prej guri gëlqeror janë tërësisht të zhvendosura.
***
Nga studimet e deritanishme rezulton se ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5.5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri hyrjen kryesore ka pasur nga veriu dhe një dalje në jug në të njejtin aks. Fasada lindore nga qendra e qytetit ka qenë dykatësh me harqe e kolona dhe mbi to një strukturë dekorative me dritare.
***
Amfiteatri gjeti përdorim deri në vitin 346 (shek.IV), kur ndodhi një tërmet i madh, ndërkaq në fillim të shek.V, lojrat në amfiteatrot antik u ndaluan nga perandori romak Honor (në vitin 404). Kjo ndodhi edhe në amfiteatrin e Durrësit dhe në mjediset e tij u ndërtua një kapelë (kishëz) bizantine, ku zhvilloheshin ceremonitë fetare dhe funerale të shumta. Kjo kishëz ndodhet në anën tjetër të amfiteatrit me hyrje direkte nga ana e arenës. Gjatë gërmimeve pranë saj kanë dalë në dritë rreth 70 varre të periudhës së mesjetës së vonë.
Në muret e kapelës janë kompozuar vertikalisht disa afreske dhe mozaikë, të cilët përbëjnë një rast unik ndër mozaikët e zbuluar në Shqipëri. Fillimisht kisha ishte zbukuruar me afreske. Jetëgjatësia e saj dëshmon për ndërhyrje të mëvonshme (shek. VI-VII), duke i zbukuruar të dy faqet, jugore e perëndimore, me panela mozaikësh mural, unikal. Ky mozaik i është kushtuar Shën Stefanit, martir i qytetit të Durrësit. Në vazhdim paraqitet Shën Maria si perandoreshë bizantine rrethuar me dy engjëj, i pari me mbishkrim në krye dhe në këmbët e figurave dy shoqërues në miniaturë. Faqja perëndimore ruan fragmente të dy shenjtoreve, Shën Irini dhe Shën Sofia me emrat përkatës. Si vend strehimi i bashkësive të krishtera, ka shërbyer dhe galeria lindore, zbukuruar me afresk me figurën e Shën Gabrielit. Paralel me monumentin u zbuluan edhe varret mesjetare në zonën e arenës.
***
Muret antike, rrugët dhe qeramika e gjetur nga arkeologët tregojnë mënyrën me të cilën banorët e qytetit ditën t’i ripërdornin strukturat e amfiteatrit romak duke ngritur shtëpi, portikë me dru, ndërtuan rrugë, puse e magazina. Tërmeti shkatërrues i vitit 1276 është vërtetuar dhe nga strukturat e trakteve të mureve të amfiteatrit. Pas këtij tërmeti qyteti nuk u braktis, po vazhdoi të jetojë nën dominimin venecian. Gjatë sundimit osmane në shpatin e kodrës ku ishte amfiteatri u ndërtuan shtëpi dhe ndërtimi i rrugëve të lagjes në kodër mbulonte gjithë pjesën ovale të tij.
***
Amfiteatri antik, më i madhi i këtij lloji në Ballkan, termat (banjat) romake, forumi rrethor mesjetar në qendër të Durrësit, muret e kalasë së periudhës bizantine dhe Torra Veneciane, janë disa nga pikat më joshëse të qytetit, të cilat bashkë me muzeun arkeologjik dhe muzeun etnografik të qytetit plotësojnë mozaikun e monumenteve arkeologjike dhe pikave historike më të vizitueshme. Megjithatë, një pjesë e këtij thesari kombëtar sot është shkatërruar e zhdukur, jo nga koha, por nga pushtuesit modernë prej betoni, që po hanë e po shkatërrojnë çdo vlerë të tij me nërtimin e pallateve shumëkatëshe!!! Këtë rrënim të Dyrrah’ut të lashtë nga matrapazët e sotëm, e kam parë nga afër gjatë vizitës që ia kam bërë Kalasë (mureve rrethuese) dhe Amfiteatrit antik të qytetit, në gusht të këtij viti si dhe në gusht të vitit 2014!

NË AMFITEATRIN E DURRËSIT – FOTOGALERIA

(Klikoni këtu: https://pashtriku.org/?kat=48&id=21 )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura