SHERADIN BERISHA: GËZUAR 28 NËNTORIN 1912, KËTË PIKËNISJE TË PAVARËSISË!

Pashtriku.org, 28 nëntor 2017: Të nderuar lexues,
574 vjet më parë, më 28 nëntor 1443, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në prani të krutanëve (banorëve të Krujës) ngriti flamurin e Lirisë (atë të Kastriotëve) mbi muret e Kështjellës së Krujës. Me këtë rast, sipas kujtimeve të Marin Barletit, Skënderbeu iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: “Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja…”.

Ndërkaq 469 vjet më vonë, më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali – këtë Flamur Kombëtar e ngriti në Vlorë, pasi Kuvendi e proklamoi Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj Etnik, prej 121.319 km².

***
Në këtë fillim nëntor, të gjithë shqiptarët në gjeografinë etnike dhe kudo gjetiu në botë, shpirtin dhe mendjen e tyre e kanë përqendruar te Kryefesta më e Madhe historike, atje ku ka filluar numërimi i këtyre 105 viteve, më 28 Nëntor 1912, në këtë ditë pikënisjeje për Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë saj Etnik.
E quaj pikënisje për pavarësi, për faktin sepse nuk u bë kurrë – Shqipëria e 28 nëntorit 1912! Ajo u copëtua nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës (1913) duke e njohur një Shqipëri me hapësirë prej 28.748 km² !!!
Prandaj, Gëzuar 28 Nëntorin 1912, këtë pikënisje të Pavarësisë!
Punë të mbarë në bërjen e Shqipërisë së Bashkuar!

KATËR VILAJETET SHQIPTARE NË PRAG TË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Sipas vjetarit statistikor të Ministrisë së Financave të Perandorisë Osmane, situata demografike e vilajeteve shqiptare për vitet 1910 – 1911 paraqitet kështu:

1.Vilajeti i Shkodrës kishte një sipërfaqe prej 12.991 km2 dhe 233.965 banorë. Dendësia e popullsise ishte 18 banorë për km².

2.Vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 44.192 km2 dhe 1.243.501 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 28 banorë për km².

  1. Vilajeti i Manastirit kishte një sipërfaqe prej 44.136 km2 dhe 880.000 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 20 banorë për km².
  2. Vilajeti i Janinës kishte një sipërfaqe prej 20.000 km2 dhe 537.199 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 27 banorë për km².

Kosova dhe Janina hynin në vilajetet me dendësi popullsie të madhe në Perandorinë Osmane. Ndërsa të gjitha vilajetet shqiptare kishin një sipërfaqe prej 121.319 km² dhe një popullsi prej 2.894.719 banorësh.

Nga kjo shifër duhet zbritur një përqindje të popullsive të përkatësive etnike tjera. Por e sigurtë se shqiptarët kalonin shifrën e 2 milionshit. (Burimi: Hasan Bello – Sa ishte sipërfaqja dhe popullsia e vilajeteve shqiptare në vitet 1910-1911?)

***
Në këto rrethana u mblodh Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, më 17 dhjetor 1912, për të “zgjidhur” problemet e pazgjidhura nga lufta midis shteteve ortodokse të “Aleancës Ballkanike” dhe Turqisë (pa u përfshirë këtu shqiptarët). Kjo konferencë zgjati tetë muaj dhe më 29 korrik 1913, Fuqitë e Mëdha, në vend se ta njihnin pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj Etnik prej 121.319 km², ata e pranuan një Shqipëri prej 28 748 km2, ndërkaq pjesët tjera të teritorit etnik shqiptar ia dhuruan shteteve ortodokse ballkanike si: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë!!!
Sot shqiptarët më shumë se kurrë duhet të punojnë për bashkimin e arealit gjeografik të Shqipërisë në një shtet të Bashkuar!
Na priftë e mbara! Gëzuar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura