SABRI KIÇMARI: KONFERENCA E PARË E LËVIZJES POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (LPRK), DIVJAKË, 21 PRILL 1989

Pashtriku, 26 korrik 2020: Si erdhi deri te Konferenca?
Pas demonstratave të vitit 1981, grupet e fshehta u goditën keq nga Lidhja Komuniste dhe shteti jugosllav. Dhjetëra vetë u vranë, mijëra tjerë u burgosën dhe u detyruan të arratiseshin. Përkundër terrorit masiv shtetëror, Lëvizja jonë nuk u shua. Sa goditej qendra drejtuese, riorganizoheshin radhët e mbetura. Ky proces u ripërsërit disa herë deri në pranverën e vitit 1988.

Në mbledhjen e parë konstituitive të mbajtur në një banesë studentësh në Prishtinë, u riorganizua Komiteti Organizativ me këtë përbërje: Fadil Vata – Sekretar Politik, Sabri Kiçmari – Sekretar Organizativ, Beqir Beqa – Sekretar për Propagandë dhe Agjitacion. U vendos të shpërndahej nje trakt dhe të fillohej me punë për organizimin e botimit të gazetës në Kosovë. Arrestimet e 27 shtatorit të vitit 1988 e sollën në gjendje të vështirë Lëvizjen. Shumë nga anëtarët u arrestuan, por askush nga qendra drejtuese. Beqir Beqa në Varosh dhe Sabri Kiçmari në Llap, dhe shumë shoqe dhe shokë të tjerë, arritën t’i shmangen rrethimit të policisë. Beqa për pak kohë u largua jashtë vendit, Fadili dhe unë vendosëm të vazhdojmë riorganizimin e radhëve. E kooptuam në Komitetin Organizativ Afrim Zhitinë, në cilësinë e Sekretarit për Progandë dhe Agjitacion, në vend të Beqir Beqës, kurse u emërua edhe Binak Berisha si anëtar i Komitetit Organizativ. Në një mbedhje në Mirofc të Komitetit Organizativ, në nëntor të vitit 1988, e diskutuam mundësinë e mbajtjes së Konferencës së Parë. I dërguam një propozim edhe Degës jashtë vendit.
Në janar të vitit 1989 në Kosovë erdhën nga jashtë vendit me detyrë Ali Ahmeti dhe Hajdin Abazi. Ata u kooptuan si anëtarë me të drejtë vote konsultative në Komitetin Organizativ, gjatë kohës sa do të qëndronin në Kosovë. Në muajin shkurt u organizuan dy Mbledhje Konsultative në Obiliq, në shtëpinë e Sahit Krasniqit. Në mbledhjen e parë u vendos që të organizoheshin manifestimet e studentëve në mbështetje të Grevës së Minatorëve, kurse në Mbledhjen e Dytë Konsultative u debatua në lidhje me shkuarjen drejt Konferencës.
Krahas angazhimeve të përditshme të organeve udhëheqëse dhe gjithë anëtarësisë së të dy krahëve të Lëvizjes, në organizmin e solidarizimit të rinisë studentore me Grevat e Minatorëve, organizimin e Grevave në Kombinatin e Obliqit dhe në KNI Ramiz Sadiku, hapi pasues ishte organizimi i demonstratave më 27. Mars 1989.

Këto rrethana e shtynë Konferencën për disa javë. Kishte dy opcione për vendin e Konferencës: Mirofci në Llap ose Divjaka. Të dy ishin zona të larta malore. Mirofci fare afër kufirit me Serbinë, kurse Divjaka në zemër të Kosovës. U vendos për Divjakën. U vendos që Konferenca të fillonte të premtën, më 21. Prill 1989, sepse u vlerësua se lëvizja e pahetueshme e delegatëve në fundjavë do të ishte më e lehtë. Nga dy drejtime të ndryshme, delegatët erdhën në Divjakë pa hetuar. Në konferencë kanë marrë pjesë: Fadil Vata (Fehmiu), Sabri Kiçmari (Zefi), Afrim Zhitia (Ismaili), Bardhyl Mahmuti (Fatosi), Ali Ahmeti (Abazi), Binak Berisha (Adili), Ruzhdi Saramati (Aliu), Hajdin Abazi (Rexha), Fadil Bajrami (Adashi), Sahit Krasniqi (Kujtimi), Abdyl Krasniqi, Selami Kryeziu, Bajram Kadriu (Koci). Për transportin u kujdes Sahit Krasniqi me bashkëpunëtorë. Për ushqimet dhe rojet u kujdesën pjesëtarët e familjes së Nezir Zogajt.
Raportin me titull “Situata politike në Kosovë e më gjerë” u lexua nga Sekretari Politik Fadil Vata. Raporti Organizativ u mbajt nga Sekretari Organizativ Sabri Kiçmari. Përshëndetja në emër të Degës jashtë vendit u lexua nga Ali Ahmeti. U lexuan edhe dy kumtesa tematike nga Afrim Zhitia dhe Hajdin Abazi. Për dy ditë me radhë u debatua për Raportin Politik, për Raportin Organizativ, për taktikën dhe strategjinë e Lëvizjes, etj.
Në fund të Konferencës u zgjodh Komiteti Organizativ me këtë përbërje: Fadil Vata, Afrim Zhitia, Bardhyl Mahmuti, Bajram Kadriu, Behajdin Hallaqi, Binak Berisha. Për Sabri Kiçmarin u vendos që të largohej jashtë vendit në një afat optimal dhe prandaj u zgjodh anëtar i Komitetit Organizativ përkohësisht, bashkë me Ali Ahmetin dhe Hajdin Abazin, deri sa të vazhdonte qëndrimi i tyre në Kosovë. Në Sekretariatin e Komitetit Drejtues u zgjodhën: Fadil Vata – Sekretar Politik, Afrim Zhitia – Sekretar Organizativ dhe Behajdin Hallaqi – Sekretar për Propagandë dhe Agjitacion.
Le të shohim së bashku vendimet e Konferencës së Parë:
– Të organizohen demonstrata me rastin e ardhjes së Parlamentit Evropian në Kosovë;
– Të organizohet edhe më tutje rezistenca popullore me ato forma që më së miri u përshtaten rrethanave të krijuara me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, si grevat, demonstratat, sabotazh ekonomik e bojkot tregtar dhe forma tjera popullore;
– Të konsolidohen radhët e organizuara në Kosovë dhe viset e saj,
– Të udhëheqë punën në organizmin e këshillave popullore brenda e jashtë vendit;
– Të vazhdohet me botimin e “Rrugës së lirisë”, trakteve, proklamatave dhe shkrimine parullës “Kosova Republikë”, kudo ku ka mundësi;
– Të organizohen protesta nëpër të gjitha vendet perëndimore, ku ka mundësi.
***
Ideale të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut ishin liria, republika dhe bashkimi
Sabri Kiçmari
I dashur Baca Osman dhe Nëna Qamile,
Te dashur vëllezër dhe motra të Afrimit dhe Fahriut,
Shoqe dhe shokë, bashkëveprimtare, bashkëveprimtarë dhe miq të heronjve të kombit,
Të dashur pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës,
Më lejoni që sot, në 30 vjetorin e rënies së heronjve dhe shokëve tanë të dashur t’i shmangem klishesë së fjalimeve tona përkujtimore. Nuk e di nëse kjo është një thyerje e protokollit të pashkruar, apo një sjellje tejshoqërore, por dua që të kthej në vëmendjen tuaj te një moment reflektimi për jetën dhe lirinë, shtetin dhe shoqërinë, Republikën dhe Shqipërinë.
Cili ka qenë mendimi i fundit politik e filozofik i Afrim Zhitisë para se të pushonte zemra e tij e madhe?
Cili ka qenë veprimi dhe reflektimi i fundit i Fahri Fazliut para se të shtrihej i goditur nga plumbat trupi i tij i pashëm?
Si një nga shokët e shumtë të tyre, një hamendësim i tillë më përcjellë prej 30 vitesh. Do të dëshiroja shumë të dija shumë më shumë për momentet e tyre të fundit: mendimet e tyre të fundit, reflektimet e tyre, veprimet e tyre të fundit.
Por, në të njëjtën kohë, e ndjej veten me fat, se e di cili ka qenë përfytyrimi i tyre për Lirinë, Republikën, Shoqërinë, Kosovën dhe Shqipërinë. I di shumë nga të fshehtat e panjohura publikisht, dashuritë dhe urrejtjet e tyre, miqësitë dhe armiqësitë, mallin, dhembjen dhe krenarinë e tyre. Nuk e fsheh: bashkëjetoj shpesh me këto kujtime.
Të nderuar miq,
2 nëntori i vitit 1989 është një shembull tipik përfaqësues, se si një popull e krijon historinë, duke sakrifikuar jetën dy të rinj idealistë, dhe me këtë fillon të ndërtojë të ardhmen. Siguria, me të cilën Afrimi dhe Fahriu shkuan drejt vdekjes, është e rrallë, është heroizëm i veçantë.
Si mund të shpjegohet kjo gatishmëri për shkuarje drejt vdekjes në rrafshin filozofik-politik? Si mund të shpjegohet guximi i Afrimit dhe Fahriut për të sfiduar vdekjen? Si mund të shpjegohet vetëdija e tyre për të pranuar, në një moshë të tillë të re, natyrshmërinë e vdekjes për liri?
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, do të mundohem që sot, me rastin e 30-vjetorit të rënies së tyre, të reflektojnë akord me botëkuptimet tona të para 30 viteve.
Afrimi në rrafshin teorik ka mbrojtur pikëpamjen se qëllimi i politikës është liria. Ajo në kohën tonë manifestohej në formën e kërkesës “Kosova Republikë!” si hap i parë, kurse bashkimi kombëtar ishte rrjedhim logjik, ose qëllimi strategjik. Duke e njohur sentencën se “historia botërore është një përparim në vetëdijen e lirisë – një përparim që duhet ta njohim në domosdoshmërinë e tij”, Afrimi ishe i vetëdijshëm se lufta për liri është e domosdoshme, sepse vetëm kur një komb është i lirë, ai mund të njohë dhe realizojë të vërtetën dhe jo thjesht të përmbush vullnetin e kombit tjetër. Ashtu siç është graviteti thelbi i materies, ashtu është edhe liria thelbi i frymës së kombit. Dhe, për të arritur lirinë, njeriu duhet të ngritët, të organizohet dhe të punoj kundër pushtimit, shtypjes dhe skllavërisë.
Fahriu ishte dora vepruese e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Ai ishte aksionisti, planifikuesi dhe realizuesi i planeve operative të sektorit të veçantë, i demonstrative dhe grevave. I vetëdijshëm se “njeriu lind i lirë, por gjendet gjithkah i rrethuar nga prangat”, Fahriu do të insistonte që qytetarët e Kosovës përmes veprimit konkret për idenë e lirisë të shndërroheshin në subjekt për vete. Duke u shndërruar nga subjekt në vete në subjekt për vete, ai e sfidon determinizmin fatalist të nomenklaturës së kohës, duke i dhënë kuptim lirisë si “liri e vullnetit, e lidhur menjë sferë të veçantë që e kishte parasysh njeriun e “përgjithshëm” veprues historik”.
Të nderuar miq,
Kur e takova Afrimin për herë të parë në një banesë modeste studentësh, që ishte baza jonë e veprimtarisë në Breg të Diellit, në fjalitë e tij të para, njoha mendjen e thellë analitike politike dhe mendimin e ndritur shqiptar. E njoha njeriun e bashkimit. Atë ditë ne u bashkuam me një grup tjetër. Afrimi dhe unë ishim caktuar të përfaqësonim Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës në takim. Mendimi i tij racional, fjala e tij e peshuar dhe strategjia e tij afruese, i dhanë vulën idesë së bashkimit.
Në vitin 1988 pas arrestimeve dhe largimeve të shpeshta të shokëve të niveleve drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës,së bashku me Fadil Vatën dhe Beqir Beqën e konstituam Komitetin Organizativ të Lëvizjes, si organ drejtues në nivel vendi, detyrë kjo e ngarkuar nga rrethet e ndryshme organizative. Kur më 27 shtator 1988 UDB na goditi keq, duke arrestuar rreth 44 shoqe dhe shokë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (atëherë LPRK), shoku ynë i nderuar, që për fat sot është në mesin tonë, Beqir Beqa u detyrua të largohej jashtë vendit. Vendin e tij në Sekretariatin e Komitetit Organizativ të Lëvizjes e zuri natyrshëm Afrim Zhitia. Ai mori përsipër organizimin e shtypit të fshehtë. Për tre muaj, u realizua ky synim yni: U botua fillimisht “Minatori” në ditët e Grevës së Urisë së Minatorëve, dhe më pas edhe “Rruga e lirisë”. Në dy mbledhjet konsultative, të mbajtura në shkurt të vitit 1989, në familjen e Sahit Krasniqit në Obiliq, fjala e Afrim Zhitisë do të ishte e peshuar, orientuese dhe strategjike. Në tubimet solidarizuese me minatorët të studentëve, në demonstratën e 27 marsit dhe atë të 1 nëntorit 1989 Afrimi do të shkëlqente me fjalimet e tij, mendimet e tij dhe orientimet e tij prej drejtuesi. Në Konferencën e Lëvizjes në Divjakë më 22 prill 1989, Afrimi do të zbulonte para nesh gjithë potencialin e tij të dijes, maturimit politik dhe aftësisë strategjike. Më duhet ta them sot me mall dhe modesti njëkohësisht: U gëzova shumë që në përfundim të Konferencës do të bëja dorëzimin e detyrës së Sekretarit Organizativ te heroi ynë Afrim Zhitia, pasi që për mua u vendos të largohesha jashtë vendit.
Dorëzimi i lidhjeve, informatave dhe planeve organizative te Afrimi është një nga momentet më të paharruara për mua. Fahriu operonte në një dimension tjetër veprues: siguronte burimet e armatimit, teknikën dhe veprimet operative. Ai ishte në ballë të demonstratës si njeri operativ, që jep orientimet, vendos për sulmet dhe tërheqjet. Ishte i dashur dhe i papërtueshëm. Kishte pushtuar zemrat e shokëve, që e njihnin, me dashurinë dhe vendosmërinë e tij. Kur e takova për herë të fundit, ishte plot humor. Ishte nata ime e fundit në Kosovë, në banesën e tij, para se të largohesha. Në tavolinë mbante librin e Qemal Stafës. Një libër i fotokopjuar. Ndoshta kishte një lloj parandjenje: Fahriu ynë, bashkë me Afrimin, do të përsëritnin heroizmin e Qemal Stafës.
Të dashur miq,
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu me punën dhe rënien e tyre kanë krijuar një atmosferë përbashkësie morali për një ideal. Ideal i tyre ishte Liria, Republika dhe Bashkimi. Ata e njëjtësuan veten me kombin. Në këtë kontekst Afrimi dhe Fahriu kanë vdekur të lirë. Në vetëdijen dhe ndërgjegjen e tyre ata kanë qenë njerëz të lirë. Duke e sfiduar vdekjen me vetëdije të plotë, ata e kanë përcaktuar statusin e tyre vetërealizues në lirinë e kombit. Përmes kësaj sakrifice sublime, ata e përcaktuan edhe fatin e kombit të tyre. E motivuar prej tyre shoqëria shqiptare në Kosovë e realizon nivelin më të lartë të organizimit të bashkësisë së saj – organizimin e luftës çlirimtare, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, bashkë me Fadil Vatën, Ali Ajetin dhe një gjeneratë të tërë veprimtar është viteve 1988-1989 simbolizojnë mendjet sakrifikuese ndër shqiptarë, të cilët në pushtetin e Republikës së ardhme të Kosovës e shihnin jo një forcë shtypëse, por themelin e lirisë dhe dinjitetit të qytetarit shqiptar. Ata ishin krejtësisht të çiltërt në bindjet dhe përfytyrimet e tyre. Ata i dhanë përmbajtje lirie frymës politike, në formën e shtetit kombëtar. Ata ëndërronin një shtet tëri, i cili do të ishte më shumë se një kuadër ligjor të drejtash dhe obligimesh. Ata ëndërronin një botë krejtësisht të barabartë, të lirë dhe të drejtë. Ata e donin shumë Shqipërinë dhe bashkimin kombëtar. Bota e tyre dhe shteti i tyre kishin natyrë ideale. Shenjtërimi i idesë së lirisë së kombit te ta ishte një lloj strehe për të shpëtuar shqiptarët nga vuajtjet, padrejtësitë dhe terrori i regjimit serb.
Të nderuar miq,
Për fund më lejoni të them diçka tepër personale. E kam ndjerë mungesën e tyre rregullisht, por veçanërisht në dy momente të rëndësishme të historisë sonë të re: – kam pasur shumë dëshirë që Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu të ishin në mesin tonë më 12 qershor 1999 – të përjetonin shporrjen e pushtuesve nga trojet tona dhe fitoren e UÇK. E di se do të dinin t’i gëzoheshin pa masë; – Dhe kam pasur ndjenja të përziera gëzimi e dhimbjeje njëkohësisht më 17 Shkurt 2008. Atë ditë më kanë munguar Ali Ajeti dhe Fadil Vata. Më kanë munguar Xhemajl Fetahaj dhe Fehmi Lladrovci me buzëqeshjen e tij të pakufishme dhe, zonja dhe zotrinjë, atë ditë më kanë munguar shumë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Sa do të dëshiroja që Afrimi dhe Fahriu të ishin në mesin tonë dhe të përjetonin atë moment gëzimi për të gjithë ne. Por, unë them se ata janë emocionalisht në mesin tonë. Ata gjenden në frymën tonë lirisë. Ata janë pjesë e pandashme jo vetën e të kaluarës, por edhe e së tashmes, dhe në mënyrë të veçantë e së ardhmes sonë!
Lavdi ju qoftë!
(Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, 2 nëntor 2019).
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura