SHERADIN BERISHA: HISTORIA E NJË KALAJE TË BRAKTISUR NGA SHTETI – TË CILËN PO E SHKATËRRON KOHA DHE MILETI!

Pashtriku.org, 29. 09. 2014: Kalaja e Vigut gjendet në një kryqëzim rrugësh antike mes Lezhës e Mirditës, sot krejtësisht e ‘harruara’ dhe sipas të dhënave është një ndër tri kalatë (Kastrit – Kastrum) ushtarake romake në territorin shqiptar. Është Monument kulture dhe mbrohet nga shteti, qysh prej vitit 1948, atëherë kur dhe bëhet inventarizim i parë i monumenteve kryesore në vend. Për fat të keq, prej kohësh, lumi i Gjadrit që i kalon pranë, po e gërryen çdo ditë atë duke rrënuar përgjithmonë vlerat e saj. Për më tepër, këtë trashëgimi historike-kulturore po e dëmtojnë edhe vetë shqiptarët, të cilët duke gërmuar, në zona të ndryshme të saj, kanë lënë gjurmë të mëdha të shkatërrimit të kujtesës sonë kombëtare!
Për Kalanë e Vigut fillimisht ka shkruar albanologu George Von Hahn. Famullitari i Vigut, Dom Engjëlli, i ka thënë G. von Hahn se, “Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh, tashmë të shkatërruar, rrënojat e shpërndara të të cilit ndodheshin në perëndim të famullisë së Vigut, të cilën populli e quante dhe sot e kësaj dite si Kastri. Këtu kishte jetuar i ati i Skënderbeut, i cili kishte vazhduar të rronte aty, edhe mbasi i ishte dorëzuar Sulltanit, derisa u helmua me anën e një xhybeje të kushtueshme (rrobëdeshambër i mëndafshtë), të cilën ia kishte dërguar Sulltani si dhuratë. Kështu kishte vazhduar të qeveriste dhe e veja e tij, deri në kthimin e Skënderbeut…” (Ndue Dedaj: Historitë e Udhës së Madhe Shkodër-Orosh-Prizren) Një studim të gjerë për këtë kala dhe të gjitha fortifikimet tjera në Shqipëri, ka bërë edhe studiuesi dhe specialisti i kalave, Gjerak Karasikaj në librin: ‘5000 vjet fortifikime në Shqipëri’.

– Kalaja e Vigut –

Kalaja e Vigut është ndërtuar mbi rrugën e rëndësishme ushtarako-tregtare Lisus-Naisus (Lezhë-Nish) dhe pikërisht në kryqëzimin e saj me rrugën që lidhte Shkodrën me Oroshin dhe Lezhë-Pukë-Prizren, rrugë kjo që me kalimin e kohës është rrënuar dhe është bërë e pashfrytëzuar. Saktësisht kalaja, graviton në një sheshore, ku bashkohet lumi i Gjadrit me atë të Vomës, me një sipërfaqe prej 5600 metrash katrorë. Kështjella ka formën e një katërkëndëshi të çrregullt me brinjë 75-98 m dhe është pajisur me 12 kulla. Katër kullat e këndeve kanë formën e një freskoreje, të ngjashme me ato të Elbasanit…” (Gjerak Karasikaj në librin: ‘5000 vjet fortifikime në Shqipëri’)
Themelet e mureve rrethuese mund të shihen gjatë anëve të këndit që formon derdhja e përroit të Vomës në atë të Gjadrit. Ato përbëhen nga gurë të palatuar, të lidhur midis tyre me gëlqere dhe janë të një madhësie të vogël “pikërisht ashtu siç ndërtohen dhe sot e kësaj dite”. Shtretërit e thellë që kanë hapur këta dy përrenj në tokën e butë fushore përbëjnë hendeqet (transhetë) natyrore të qytetit. Në pjesën e brendshme gjenden gjithashtu shumë mure themelesh, por asnjë që të ketë lidhje me ndërtesa të mëdha ose kisha. (Fatmir Nikolli: Kalaja e Vigut, lumi po merr monumentin e shekujve III-IV)
Profesor Gjerak Karaiskaj, thotë se kalaja është ndërtuar në fundit të shekullit të III ose në fillim të shekullit IV. “Është kala romake, e ndërtuar për të ruajtur rrugën që kalonte në drejtim të veriut. Në këtë periudhë ndërtoheshin kala fushore, pasi rreziku i dyndjeve nga fiset barbare nuk ishte aq i madh sa më vonë”. (Po aty) Ai thotë se kemi pak fortifikime të tilla në Shqipëri, dhe ato janë kalaja e Bushatit, Paleokastrës, Skampisit, Grazhdanit dhe e Peshkopisë, prandaj është e rëndësishme që të ruhen ato.
KALAJA E BRAKTISUR NGA SHTETI!
“Madhështia i dallohet ende nga lartësia e satelitit. Forma, kullat e gjithçka tjetër që lartëson ende kalanë e Vigut. Rruga drejt fshatit Vig, rreth 99 km nga Tirana dredhon e ndarë, një pjesë e mirë është e shtruar ndërsa tjetra jo. Tabelat orientuese mungojnë, çka e bën jo pak të vështirë orientimin nëse nuk pyet se ku ndodhet fshati. Edhe më e vështirë është gjetja e kalasë… Pa shoqërues ta arrish është e pamundur. Një aventurë e koklavitur në shteg pa shteg, mes lumenjsh që hedhin kryet kudo e që duket sikur të nxjerrin sërisht në të njejtin vend…” – kështu e nis rrëfimin, gazetari i Top Channel’it, Marin Mema, në dokumentarin kushtur Kalasë së Vigut në emisionin “Shqipëria tjetër”. E pastaj vazhdon: “Pas minutash të tëra kalaja monument kulture shfaqet shtrirazi në fushën e Vigut. Ajo mendohet të jetë ngritur diku mes fundit të shekullit të tretë dhe fillimit të atij të katërt, siç zbulon eksperti dhe studiuesi i njohur i fortifikimeve, profesor Gjerak Karaiskaj…

Kalaja fushore romake, siç janë edhe disa të tjera të tilla në Shqiperi, në atë kohe ishte pjesë e rrugëve të rëndësishme tregtare që kalonin përmes këtij kryqëzimi: Shkoder – Orosh dhe Lezhë – Pukë – Prizren. Pavarësisht shekujeve ajo mbetet e tillë ende edhe sot… Vigun e kap Shkodra, qindra metra me tej nis zona e Lezhës e balltazi ajo e Pukës, ndërsa dikur e përfshinte Mirdita. Nga karvanet e dikurshem sot s’ka me asgjë, e kalaja e Vigut duket e mbytur nga heshtja dhe vetmia.
Kalaja e lënë në harresë gjatë demokracisë dhe trajtimi i saj si një grumbull gurësh!
Prej vitesh tashmë, një pjesë të kalasë vazhdojnë ta marrin përroi i Vomit dhe lumi i Gjadrit, që kalojne shpeshti në këtë vend, sidomos gjatë periudhës së dimrit. Një pjesë muresh ka rënë, të tjerët po grryhen gjithnjë e me shumë.
“Gjatë demokracisë është lënë në harresë të plotë, gjatë demokracisë kjo është trajtu vetëm si një grumbull gurësh, sikur nuk mbart asnjë vlerë historike. Ndërhyrja restauruese në kala është e domosdoshme pasi mund të tërheqi edhe vëmendjen e turistëve dhe të ndikojë në zhvillimin e zonës me kalimin e kohës”, i ka thënë një banor i zonës, gazetarit Marin Mema.
“Degradimi është i madh edhe në pjesët e tjera të kalasë. Mosndërhyrja dallohet kudo me gjurmët e kohës që janë shtrirë si rrënjë vdekjeprurese mbi muret shekullore…” – ka vazhduar në rrëfimin e tij z.Mema.
Ndërsa një banor tjetër i vendit, me hidhërim thotë: “Te kalaja, e vërteta është që nuk e ruajmë të vjetrën, në gjithë botën të gjithë i ruajnë gjërat e vjetra, ne nuk e di pse, nga mos pasuria, nga mos dashuria se nuk e njohim mirë historinë, sikurse jemi të gjithë shqiptarët – them unë, nuk e di sepse. Mirë është të bëhet, të rregullohet, të jetë një vend i bukur. Sikurse keni bërë gjithë rrugën për të ardhur këtu për mirë, shpresoj se dikush tjetër të bëjë diçka, t’i japë një fije mirëqenie këtij vendi”.
Shkulja e historisë!
Ndërkaq M.Mema në vazhdim duke mësuar të vërtetën e kalasë së Vigut, thotë: “Ka patur të tjerë që kanë ndihmuar në shkatërrim duke i shkulur historinë, duke hequr gurë nga muri i kalasë për t’i përdorur me pas sipas interesit të tyre, për t’i ngulur me pas me llaç e tulla në ndonjë shtëpi moderne, a mur të rëndomtë rrethues… Ky është fati që ka ndjekur e ndjek shumë monumente të tilla…”
Një bari i zonës, i thotë gazetarit Mema se: “Kalaja ka qenë më e mbajtme, me mure më të bukura, më të mira. Ka pasur një fotografi tepër të pashme si kala. Për si kala është histori e vjetër, unë e mbaj mend shumë mirë, se unë kam pas rujt bagëtitë kësaj fushës këtu komplet dhe dilja këtu dhe shikoja komplet vendin këtu, fusha Vig, dmth dhe si kala këna pas ardh ditë për ditë në këtë vend këtu”.

Kalaja e Vigut – shqetësim për banorët e zonës!

Kalaja për banorët e zonës është një gjë me vlerë…
Në kalanë e Vigut nuk kanë munguar as ata, ethemëdhenjtë e arit që kanë gërmuar vende – vende përgjatë territorit të saj. Banorët që kanë një mikëpritje e qytetari të rrallë janë përpjekur shpeshmi që ta mbrojnë, por qenja e saj jo afër fshatit e ka bërë të pamundur shmangjen e sulmeve të tilla.
“Për zonën është një gjë me vlerë. Investime ka pas pak. Të paktën një rrugë që të vije këtu është e domosdoshme, të paktën për momentin, kurse masanej ju po e shifni vetë sesi është realiteti i punës, këtu gjendja e saj, është shumë – shumë e padëshirueshme për zonën dhe vendin ku jetojmë”, – shprehen shumë banorë të Vig’ut.
Dora e fundit restauruese është vënë vetëm gjatë sistemit të shkuar, ku siç thonë banorët janë bërë edhe kërkime. Që atëherë e deri më sot asgjë…veç rrënim e shkatërrim pafund…
Turistët shprehin keqardhje për gjendjen e sotme të Kalasë!
Banorët tregojnë se hera-herës vijnë edhe turistë shqiptarë e të huaj. Ngrenë kampingje e qëndrojnë këtu disa ditë. Më pas largohen jo pa keqardhje për gjendjen e sotme të kalasë. Në një situatë tjetër ajo do të ishte një resurs i jashtëzakonshëm për fshatin që sot është tkurrur nga 300 shtëpi në vetëm 35 të tilla. Maje kodrës qëndron i vetëm 1 nga 5 lapidarët e dikurshëm të heronjëve të Vigut …. të tjerët u hodhën në erë gjatë viteve të ethshme 96 – 98. I rrjepur edhe ai duket sikur hedh shikime tejmi në horizontin po aq të përhumbur e të harruar si historitë e zonës. Poshtë një qendër shëndetësore që hesht e drobitur, e banorët punëtorë që të ndarë në tre lagje përpiqen të sigurojnë mes hallesh mbijetesën e tyre… “Shteti s’ka vu dorë..” – thotë një banor i fshatit. “Ku ka rrugë ka jetë, ku ven dorë shteti ka jetë…”… thotë një tjetër banor. Në Vig, tek disa banorë gjen ende shpresë, tek të tjerët jo, ndoshta sepse janë të lodhur nga premtimet për ndryshimet që nuk vijnë kurrë. Fundja, thonë ata, fjalët janë mënyra më e mirë për të bërë politikë në Shqipëri… dhe…pak rëndësi ka nëse më pas ato realizohen ose jo…!!

…………………….

Në vijim shikoni të plotë dokumentarin e gazetarit të Top Channel’it, Marin Mema. “Historia e një kalaje të braktisur – Top Channel”:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura