Pashtriku.org, 27. 11. 2015 – (Në 103 vjetorin e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912) – Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina nga Shkupi shkoi në Drenicë dhe në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz mbajti një tubim me gjithë parinë e Drenicës. Në një letër të drejtuar krerëve të Kosovës Hasan Prishtina do të shkruaj: ”Tue u bind se politika Jeni turke po vijon mizorisht në Shqipni, ashtu si pata deklarue në parlament (në parlamentin turk – Sh.B), po e ngrehi sot flamurin e kryengritjes kundra sundimit të Turkisë”. (Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912 – Hasan Prishtina).
***
Lëvizja xhonturke dhe ideja për Autonominë e Shqipërisë
Shekulli i XIX për popullin shqiptar, ashtu si për të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, shënoi një epokë të re në historinë e tij, atë të Rilindjes Kombëtare. Gjatë këtij shekulli u organizuan lëvizje të shumta kombëtare të cilat pashmangshëm çuan në çlirimin e popujve nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe në krijimin e shteteve të pavarura. Në fund të shekullit XIX, në Stamboll lindi lëvizja nacional – borgjeze e turqve të rinj që veten e quanin xhonturq. Kjo lëvizje vepronte përmes Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim” (Ittihad ve Terakki) dhe drejtohej kundër pushtetit absolutist të sulltan Abdyl Hamitit II. Në këto zhvillime, lëvizja kombëtare shqiptare, për të krijuar kushte të favorshme në luftën për autonominë e Shqipërisë dhe për të larguar rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare, u bashkua me lëvizjen e turqve të rinj. Në pranverën e verën e vitit 1908 në shumë qytete të Shqipërisë, si në Ohër, Prespë, Strugë, Manastir, Shkup, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë etj, krahas komiteteve kombëtare ”Për lirinë e Shqipërisë” u formuan edhe komitetet xhonturke ”Bashkim e Përparim”.1
Zgjerimi i veprimtarisë së komiteteve xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Në rrethanat kur administrata Osmane në Rumeli (ku përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare) ishte shthurur dhe zotër të situatës ishin bërë xhonturqit, si edhe përballë rrezikut të një sulmi të ushtrisë kryengritëse kundër Stambollit, Sulltan Abdyl Hamiti II u detyrua të pranonte, natën e 23/24 korrikut, shpalljen e kushtetutës së vitit 1876 dhe rivendosjen e rendit kushtetues. 2 Shpallja e Kushtetutës së Hyrietit (lirisë) u prit me gëzim e entuziazëm edhe nga populli shqiptar, i cili vuante prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Mirëpo ky entuziazëm nuk zgjati shumë. Qysh në zgjedhjet e para për parlamentin turk, që i shpallën xhonturqit me 15 shtator 1908, sipas ligjit elektoral nuk njiheshin popujt joturk dhe të gjithë banorët e Perandorisë u shpallën ”osmanlinj”.3
Meqenëse revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909 – 1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare, të cilat u shtypën me gjak nga ekspeditat ushtarake xhonturke. Për t´i joshur krerët shqiptar, sulltani ju ofronte edhe pozita të larta ministrore. Kështu, në vitin 1909, Ismail Qemali refuzoi dy herë rresht postin e Ministrit të Drejtësisë dhe më pas atë të Ministrit të Brendshëm të Perandorisë* dhe në një takim të drejtpërdrejt që pati ai me Sulltanin ia komunikoi qëllimin për: Shpalljen e Autonomisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe emërimin e një shqiptari në krye të shtetit të ri që pritej të lindte. Këtë ide dy vjet me vonë (1911), Ismail Qemali nuk hezitoi t’ia përsëriste edhe Vezirit Qamil Pasha, por Veziri ndonëse nuk ishte plotësisht në dijeni të zhvillimeve që priteshin të ndodhnin në viset shqiptare, këmbënguli që Shqipëria të mbetej pjesë e Perandorisë. 4 Fillimi i luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911) krijoi kushte të favorshme për vazhdimin e kryengritjes shqiptare.
Ismail Qemali, Qazim bej Vlora dhe Hasan Prishtina (Stamboll, në vitin 1910
Kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912
Nisma për organizimin e kësaj kryengritjeje të përgjithshme u morë pas këshillimeve që u zhvilluan ndërmjet Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, të cilët më 12 janar 1912 thirrën në Pera Palace (Stamboll) një takim me disa personalitete shqiptare si: Myfid bej Libohovën, Aziz pashë Vrionin, Sylejman bej Vlorën dhe Esat pashë Toptanin. 5 Të pranishmit u morën vesh dhe thirrën një mbledhje më të zgjeruar në shtëpinë e Syrja bej Vlorës, në lagjen ”Taksim” të Stambollit. Në këtë mbledhje përveç të lartëpërmendurve morën pjesë edhe Bedri Pejani si procesmbajtës, Mustafë Asim Kruja dhe dy – tre të tjerë, që asokohe punonin në Stamboll.6 Mbledhja e Taksimit nxori vendimin se shqiptarët, për të siguruar të drejtat kombëtare e politike, nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë dhe pastaj të përhapet në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua nga mbledhja, që të organizonte kryengritjen fillimisht në Kosovë, E.Toptani u zotua se do të ngrihte në kryengritje Shqipërinë e mesme dhe Mirëditën, ndërsa S.Vlora, M.Libohova dhe A.Vrioni, Shqipërinë e jugut. Ndërkaq Ismail Qemali u caktua të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane.7
( *** )
Më poshtë lexoni të plotë studimin në dy pjesë:
SHERADIN BERISHA: KOSOVA MIDIS ÇLIRIMIT NGA TURQIA DHE PUSHTIMIT NGA SËRBIA, JANAR – 5 NËNTOR 1912 (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1005
***
SHERADIN BERISHA: KOSOVA MIDIS ÇLIRIMIT NGA TURQIA DHE PUSHTIMIT NGA SËRBIA, JANAR – 5 NËNTOR 1912 (II)
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=1006