(Pashtriku.org, 25. 11. 2012) – Manastiri, ishte kryeqendër e Vilajetit të Manastirit, dhe përfshinte një sipërfaqe prej 22.000 km katorë, në të cilin bënin pjesë tokat shqiptare deri në Elbasan, duke përfshirë edhe territore të tjera deri afër Janinës dhe më gjerë. Manastiri është qytet i hershëm mesjetar i banuar nga popullsia arbërore dhe graviton në arteriet më të rëndësishme të Ballkanit mesjetar. Në këtë qytet janë të njohura karavanet tregtare, të cilat ekspozonin mallrat dhe produktet tjera nga Lindja dhe Përëndimi. Sot Manastiri historik i alfabetit quhet – Bitolë, është qyteti i dytë më i madh në Maqedoni, dhe shtrihet në pjesën jugore të këtij vëndi.
Qyteti i vjetër i Manastirit
……………………………………………………
NË MANASTIR MORI UDHË ALFABETI SHQIP
Gjatë fillim shekullit XIX, Manastiri ka qenë një nga vatrat kryesore të klubeve shqiptare, të cilat aspironin përhapjen e arsimit shqip kudo ndër shqiptarë. Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi (në kapërcyellin e shek.XIX-XX), shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm shqip. Pas revolucionit xhonturk (1908), duke përfituar nga koncesionet e vogla që i bënë në fillim xhonturqit, Manastiri bëhet çerdhe e vërtetë e klubeve shqiptare, patriotëve shqiptarë dhe shtypshkronjave të librave në gjuhën shqipe.
Në këtë periudhë Rilindësit tanë me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti Unik të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë ndasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Lufta për ruajtjen e gjuhës së një populli është edhe luftë për identitet e mbijetesë të atij kombi! Kështu do të thoshte Mit`hat Frashëri, pas vendimeve historike të Kongresit të Manastirit (14 – 22 Nëntor 1908), pikërisht në kohën kur Rilindësit tanë ishin të preokupuar edhe me nevojën e krijimit të një shteti kombëtar. Një alfabet Unik do të ndihmonte padyshim, si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit tonë kombëtar – të bashkimit politik të popullit shqiptar, i cili do të finalizohet më 28 Nëntor 1912, në Kuvendin Gjithëkombëtar të Vlorës.
NË MANASTIRIN E ALFABETIT SHQIP, SOT NUK FLITET SHQIP!
Sot, qyteti i Manastirit i emërtuar Bitolë, është në gjendje tmerrësisht të rëndë. Kjo qendër e Vilajetit që dikur kishte rreth 90 % shqiptarë, sot i kanë mbetur vetëm 3.3% prej tyre, të cilët vuajnë çdo ditë nga ndjenja e unitetit kombëtar, sepse janë grimcuar e përçarë në çdo fushë nga politika ditore.
Arsimi, si njëra nga shtyllat kryesore të shqiptarëve në këtë kryeqendër të dikurshme kombëtare, sot është në gjendje të mjerueshme. Atje kanë mbetur vetëm edhe disa paralele me mësim në gjuhën shqipe, ku gjysma e lëndëve ligjërohen në gjuhën maqedone, nga mësimdhënësit maqedonas, ndërkohë që bredhin rrugëve shumë studentë të diplomuar shqiptarë!
Për më tepër, sot gjuha shqipe në Manastirin e alfabetit, ka mbetur gjuhë minore që filtet vetëm privatisht dhe qartazi duket se është nëmur institucionalisht.
Sado që partitë shqiptare në pushtet (sot BDI, dje PDSH) e tundin vazhdimisht flamurin e “suksesit” për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, veçanërisht të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, realiteti tregon se, shqiptarët në Manastir dhe në shumë qytete e vendbanime tjera, nuk mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre amtare.
Shpërngulja e Shqiptarëve nga Manastiri!
Dhe, sot (pas 104 vjetësh nga Kongresi i Manastirit) me dhimbje të thellë themi se, në këtë qytet ku u vunë bazat e alfabetit shqip, nuk flitet shqip!
MESAZH KUQEZI NGA SHTËPIA E ALFABETIT
Sivjet në 104 vjetorin e Kongresit të Manastirit (14 – 22 Nëntor 1908) nuk pati aktivitete të mëdha që shënojnë këtë datë të rëndësishme Kombëtare.
Por, në këtë përvjetor ishin Tifozët KUQEZI ata që e vizituan shtëpinë e Alfabetit Shqip në Manastir. Në një reportazh “Shqipëria tjetër” të Top-channel’it, të përgatitur nga gazetari Marin Mema, shpërfaqet vizita e Tifozëve Shqiptarë KUQ E ZI në shtëpinë e alfabetit.
Në këtë vizitë morën pjesë djem nga hapësira gjithë shqiptare, Prishtina, Shkupi, Dibra e Madhe, Tirana, Vlora, Shkodra, Durrësi, Elbasani e shumë qytete të tjera, duke përfaqësuar edhe dhjetra grupe që s’kanë mundur të marrin pjesë në këtë takim në Manastir në godinën, ku 104 vjet më parë, nga 14 deri me 22 nëntor 1908 lindi e mori udhë alfabeti shqip.
Pa marre parasysh pengesat që mund të dilnin nga organizimi i një aktiviteti të tillë, nga regjimi maqedonas, këta të rinjë janë derdhur si një masë e pandarë, duke udhëtuar për orë të tëra me shpenzimet e tyre, me dëshirën për të qenë pjesë e një fillimi të ri. Kjo rini nuk i përket asnjë grupimi politik, ata thonë se i takojnë veç shpirtit, zemrës e dinjitetit të të qenit shqiptar.
Tifozët KUQEZI në shtëpinë e Alfabetit Shqip në Manastir.
Me këtë rast, në shtëpinë e Alfabetit Tifo-grupet KUQEZI firmosin një deklaratë të përbashkët, me mesazhe të qarta, si një sinjal i parë në këto përmasa bashkëpunimi. Veç grupeve pjesmarrëse, deklarata ka marrë mbështetje edhe nga grupi “Ujqrit e Dëborës” së Korces, “Ballistët” e Tetovës, “Kuq e Zinjtë e Jakovës” të Gjakovës, intelektualët e Gjilanit, Patriotët e Strugës etj.
“Ne jemi mbledhur në Manastir për të dhënë një mesazh të qartë për politikën shqiptare kudo që ajo ka shtrirë rrënjët, kudo ku shqiptaria merr frymë mes alfabetit që ka lindur pikërisht në këtë godinë. Ne bëjmë apel për një vëmendje të vërtetë që t’i rikthejë kësaj ndërtese krenarinë e humbur, krenarinë e rrëmbyer, të nëpërkëmbur, e të shkelur prej vitesh të gjata. Politika shqiptare në këtë 100 vjetor të ndërgjegjësohet e të respektojë gjakun e martirëve të gjuhës shqipe….” – thuhet në këtë deklaratë.
Në vijim lexoni të plotë këtë deklaratë:
TË NDËRGJEGJËSOHET POLITIKA SHQIPTARE
D E K L A R A TË
Në këtë 100 vjetor, të kërkosh më shumë vëmendje për vendin ku lindi gjuha shqipe është minimalja që mund të kërkojnë shqiptarët kudo që ata jetojnë dhe ku flasin e shkruajnë shqip.
Ne jemi mbledhur në Manastir për të dhënë një mesazh të qartë për politikën shqiptare kudo që ajo ka shtrirë rrënjët, kudo ku shqiptaria merr frymë mes alfabetit që ka lindur pikërisht në këtë godinë.
Në bëjmë apel për një vëmendje të vërtetë që t’i rikthejë kësaj ndërtese krenarinë e humbur, krenarinë e rrëmbyer, të nëpërkëmbur, e të shkelur prej vitesh të gjata. Politika shqiptare në këtë 100 vjetor të ndërgjegjësohet e të respektojë gjakun e martirëve të gjuhës shqipe. Ndaj dhe ne jemi mbledhur këtu sot, për të dhënë një mesazh të qartë, të drejtpërdrejtë, pa dallim feje, krahine, pa dallim kufijsh që na mbajnë të ndarë, pa dallim besimesh partiake…
Jemi mbledhur këtu për të dhënë mesazhin e bashkëpunimit, mesazhin e bashkimit pa urrejtje e pa ekstremizma por me besimin se politika dhe politikanët shqiptarë duhet të lënë mënjanë interesat personale dhe të bashkohen me njëri-tjetrin në çdo zonë ku ata sot përballen të ndarë.
Shqiptarët kanë nevojë jo për urrejtje, akuza e përplasje, por për bashkimin që shkon kundër rrymave ekstremiste të fqinjëve tanë. Ne nuk urrejmë, përkundrazi ne duam bashkëjetesën në frymë të plotë bashkëpunimi sepse ne kemi qenë dhe jemi europianë, ne jemi vetë Europa, bijtë e Pellazgëve, të Ilirëve, e të Arbërve. Këta janë shqiptarët, pasardhës të Pirros, Agronit, Teutës, Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës, Ismail Qemalit, Adem Jasharit e gjithë atyre patriotëve, rilindasve e luftëtarëve që kanë dhënë jetën për këtë komb, duke lyer me gjakun e tyre këtë flamur.
Deklarata e KUQEZI’ve – një mesazh për politikën shqiptare
Politikat e përbashkëta në një sërë sektorësh kyç, ravijëzimi i qëndrimeve unike të klasës politike shqiptare kudo që ajo ndodhet dhe takimet mes krerëve të saj duhet të jenë pikënisja e një mënyre të re gjithëpërfshirjeje të shqiptarëve. Këto takime të përcaktuara njëherë në disa muaj me përfaqësim të nivelit të parë apo të dytë do të krijonin mundësinë e hartimit të politikave efektive që do t’i përgjigjeshin nevojave të ndryshme të shqiptarëve në zona të ndryshme.
Politikanët shqiptarë duhet të lënë ndasitë mes tyre dhe të ulen rreth tryezave të rrumbullakta për të diskutuar dhe zgjidhur problemet që shqetësojnë shqiptarët kudo që ata janë.
Koordinimi i qëndrimeve është mënyra më e mirë për të forcuar rolin e shqiptarëve në rajon dhe më gjerë e kjo mund të arrihet vetëm përmes një fryme të re bashkëpunimi.
Ne mund të jemi bashkë sepse ne kurrë nuk do të mund të na ndajnë, kurrë nuk do mund të na heqin nga shpirti të qenit shqiptar. Pjesë e të njëjtit komb, pjesë e të njëjtit realitet. Ne jemi Shqipëria e madhe, jemi Tirana, Prishtina, Shkupi, trekëndëshi i shqiptarizmës.
Ritheksojmë se apeli ynë s‘ka lidhje me asnjë qëndrim partiak apo forcë politike, apeli ynë është apeli i shqiptarëve të thjeshtë, i shqiptarëve që nuk kërkojnë luftë, që nuk kërkojnë masakra, që nuk kërkojnë përplasje, por thjesht të drejtat e tyre.
Ne jemi këtu duke apeluar fillimin e një ere të re që i shikon shqiptarët si pjesë kryesuese të një rajoni, si pjesë kryesuese e një mentaliteti europian, si pjesë e Bashkimit Europian.
Të bashkojmë zemrat në këtë 100 vjetor për të treguar qoftë edhe njëherë të vetme se dimë të bashkohemi, sepse nuk ka bashkim më të madh se ky bashkim zemrash dhe idesh rreth gjuhës sonë, rreth flamurit tonë të përbashkët, të cilin kemi ditur ta ngremë lart ndër shekuj e do të vijojmë deri në pafundësi!
………………………………………………
SHIKONI REPORTAZHIN ‘TIFOZËT SHQIPTARË PUSHTOJNË MANASTIRIN’
______________________________