SHERADIN BERISHA: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR(IV)

Pashtriku.org, 28. 03. 2013 – DËSHMITARËT LUTFI RAMADANI DHE MEHMET KRASNIQI, RRËFEJNË PËR MASAKRËN E KRUSHËS SË VOGËL) – Dëshmitari Lutfi Ramadani, para se të rrëfej ngjarjen e 26 marsit 1999, lidhur me të kaluarën e familjeve serbe të Krushës së Vogël, deklaron: “Pleqtë e fshatit tonë kanë treguar se disa prej familjeve të serbëve të fshatit Krushë e Vogël kanë qenë ortodoksë, por nuk dihet se kur janë sllavizuar. Ata më të vjetrit thoshin se këta serbë, kanë qenë të fisit Gashi, por nuk e mbanin mend se kur ishin konvertuar. Madje pleqtë tregonin se familja Nikoliç (e cila ishte organizatore e masakrës së 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël) mbante lidhje të ngushta me disa familje në Mushtisht, ku gjithashtu ka pasur ortodoksë. Deri në vitin 1981 serbët e fshatit flisnin shqip, ku edhe në ahengjet familjare vinin e shkonim, për urime dhe për mort, por pas vitit 1981, çdo gjë në fshat ka ndryshuër” thotë Lutfiu dhe vazhdon: “Pas demonstratave të vitit 1981, rrethanat u përkeqësuan. Në atë vit kam qenë në ushtrime ushtarake, pasi që isha rezervist dhe kisha gradën rreshter. Kur jam kthyer nga ushtrimet drejtori i bodrumit në Krushë të Vogël më ftoi për të pirë një kafe. Desha të mos ulem me të, por ai insistoi dhe qëllimi i tij kishte qenë që të tregojë se Kosova nuk mund të jetë Republikë, pasi që nuk ka njerëz për ta drejtuar atë. Sipas tij patjetër duhej që këtu të drejtonin kuadrot serbe.”

Lutfi Ramadani, i mbijetuari i masakrës në Krushë të Vogël.

“Nga kjo ditë” – thotë Lutfiu, – “nuk kam dashur më as të bisedoj me serbë, pasi që vazhdimisht na ofendonin me shprehjet nacionalist, irredentist, separatist e të ngjashme. Pra, ishte shumë e vështirë t’i bëje ballë gjithë atyre presioneve.” Lutfiut i kujtohet mirë, kur në vitin 1985 serbët e fshatit kanë nisur të armatosen nga kuadrot serbe të ushtrisë, gjoja se nuk janë të sigurt. “Mirëpo e vërteta, – thotë ai, – “është se asnjë serb nuk ka pësuar ndonjë dëm apo provokim nga ana jonë për vite me radhë. Përkundrazi, nga ky vit të gjithë serbët janë punësuar dhe kanë zgjedhur vende të mira pune. Dhe, nëse nuk ju plotësohej dëshira, atëherë kërcënonin se do të shpërnguleshin me arsyetimin se – kishin presion nga shqiptarët.”
Lutfi Ramadani në vazhdim të bisedës thotë se: Situata më shumë u përkeqësua pas heqjes së autonomisë së Kosovës (në mars 1989 – Sh.B). “Maltretimet kanë vazhduar sistematikisht dhe milicët serbë vazhdimisht qarkullonin nëpër fshat”. – thotë ai. Madje i kujtohet mirë, se nga serbët e Krushës së Vogël ishin mobilizuar: Gjorgje, Ranko, Sava, Momçillo, Zllatko, Sveta. Ata ishin të rregullt dhe kanë qenë vazhdimisht të uniformuar. Ne i vërenim se këta kanë marrë edhe gjëra të vjedhura nga Bosnja. Sillnin kamionë të ngarkuar me plaçkë lufte dhe i shisnin këtu. Mua më kanë ofruar të blej pajisje shtëpiake, por nuk kam dashur, duke e ditur se kjo ishte e vjedhur. Gjëra të tilla kanë sjellë vazhdimisht gjatë gjithë luftës në Bosnje.”- thotë Lutfi Ramadani.

Dëshmitari Lutfi Ramadani në deklaratën e tij për zhvillimet e datës 25 – 26 mars 1999, rrëfen:
“Në orën pesë të mëngjesit (të 25 marsit 1999 – Sh.B) forcat serbe janë ndalur afër fshati dhe kanë shtënë me breshëri nga mitralozat e autoblindave në drejtim të shtëpive të para të fshatit. Njerëzit të frikësuar kanë nisur të mblidhen në krye të fshatit dhe të gjithë kanë qenë tepër të shqetësuar. Serbët e këtushëm na shikonin se si njerëzit me traktorë e vetura mblidheshin në një vend. Atë ditë ka pasur të shtëna gjatë gjithë ditës, por nuk ndodhi marshimi i ushtrisë e milicisë në thellësi të fshatit. Një ditë të tërë e kemi kaluar ashtu me ankth e frikë të madhe. Fëmijët qanin, ndërsa gratë gjatë gjithë kohës janë marrë me përgatitjen e ndonjë ushqimi të lehtë, pasi që nuk kishte kushte për më shumë, sepse ishim krejtësisht në fushë. Në orën 7 të mbrëmjes jemi mbledhur në shtëpinë e Sejdi Batushës të gjithë burra, gra e fëmijë. Gratë janë marrë me përgatitjen e ushqimit, ndërsa ne burrat as që kemi mundur të vëmë gjumë në sy. Si mund të flihej në gjithë atë tollovi dhe ankth.
Në mëngjesin e 26 marsit shihnim se si serbët e fshatit tonë ngarkonin traktorët me gjësendet e shtëpive tona dhe më pas ju vinin flakën shtëpive. Në ndërkohë, mund të ketë qenë rreth orës 9 e mëngjesit, kur Hyseni me vëllain kishte shkuar për të zgjidhur lopën, duke u thyer në turmë, dëgjohet një e shtënë nga shtëpia e Milaim Batushës, ku ishin të vendosur forcat e milicisë serbe. Hyseni ra përmbys dhe ashtu mbeti. Askush nuk guxoi të ngrihet për ti ofruar ndihmë, sepse edhe vëllai i tij iku anash dhe u bashkua me turmën.

Lutfi Ramadani, tregon vendin ku është kryer masakra – më 26 Mars 1999.

* * *
Lutfi Ramadanit i kujtohet mirë, se si: policët serb pasi kanë urdhëruar ndarjen e meshkujve nga gratë dhe fëmijët e vegjël dhe nisjen e tyre për në Shqipëri, ia morën të hollat dhe dokumentet personale. “Pastaj nga vendi ku na ndanë urdhëruan të shkojmë në shtëpi të Qazim Batushës.” – thotë Lutfiu dhe vazhdon: “Gjatë rrugës derisa ne arritëm në shtëpi të Qazim Batushës ne përcilleshim në të dy anët që të mos iknim. Kryesisht na përcillnin serb nga fshati ynë të armatosur mirë, disa të uniformuar e disa të pauniformuar. Me atë rast unë pash se duke na përcjellur ishin:
1. Nikolič Sava,
2. Tasič Sveta,
3. Nikolič Zvezdan,
4. Cvetkovič Borislav,
5. Đorđevič Zlatko,
6. Nikolič Momčila,
7. Cvetkovič Đorđe,
8. Nikolič Dimitria,
9. Petkovič Ranko
,
10. Nikolič Ranko – e të tjerë nga fshati ynë dhe nga vende të tjera që iu kishin ardhë në ndihmë.

Libreza ushtarake e kriminelit Sava Nikolič.

Krimineli Sveta Tasič.

Krimineli Momčila Nikolič.

Pasi na futën në atë shtëpi (të Qazim Batushës – Sh.B) ata hapën zjarr mbi ne nga dritaret dhe dera e asaj shtëpie. Shumë persona që ishin të plagosur pastaj ekzekutoheshin me revole nga serbët që hynin në dhomat ku e bënë masakrën. Pas një kohe ata gjuajtën një materie speciale mbi trupat tanë, e cila u shndërrua në flakë. Duke e parë një gjendje të tillë vendosa të ngritesha (pasi isha shtrirë si i vrarë) dhe të provoja të ikja nga shtëpia ku filluan të digjeshin të vrarët. Posa u afrova për të dalur (ikur) te dritarja e shtëpisë ku u bë masakra pashë se pak më tutje (rreth 50m) qëndronin duke biseduar dhe duke qeshur ndërmjet vete shumë serb nga lista e lartëshënuar. Duke shfrytëzuar moskujdesin e tyre unë dola nga shtëpia. Megjithë thirrjet e tyre për tu ndalur – kur më panë, unë nuk u ndala dhe duke ikur ata shtinë me armë për të më vrarë, por unë arrita të shpëtoj.” – përfundon rrëfimin Lutfi Ramadani. Lutfi Ramadani, pasi ka shpëtuar nga masakra, bashkë me Bajram Zylfiun dhe Agim Asllanin kanë kaluar nëpër shtëpinë e tij, të Agim Asllanit dhe të Sokol Limanit dhe kanë dalë në rrugën që të çonë për në Krushë të Madhe. Gjatë kësaj kohe janë ndjekur me një makinë “Golf” nga serbët e fshatit: Nikolič Sava, Tasič Sveta, Nikolič Zvezdan, Cvetkovič Borislav dhe Đorđevič Zlatko, të cilët kanë gjuatur disa herë me armë për t’i vrarë, por për fat të mirë kanë shpëtuar. Janë strehuar në mal dhe pas disa ditësh, bashkë me Bajram Zylfiun, Gani Zylfiun dhe Safet Berishën strehohen në fshatin Bregdri dhe prej aty, nëpër malet e Pashtrikut kalojnë në Shqipëri.

MEHMET UKË KRASNIQI: SI I SHPËTOVA VRAJES, MË 26 MARS 1999?!

Dëshmitari Mehmet Ukë Krasniqi, i cili ka shpëtuar nga ekzekutimi më 26 mars 199, rrëfen: “Ditën kur NATO-ja sulmoi caqet serbe (më 24 mars 1999 – Sh.B), në fshat erdhën forca të shumta ushtarako-policore. Ishte kohë e rrëmujshme. Pasi kishim dalë në mal për të evituar ndonjë të keqe të madhe, u detyrova të kthehem në shtëpi për të zgjidhur lopët nga ahuri dhe i mola lopët, ndërsa me qumësht vendosëm të gatuaj një bukë, sepse ujë të nxehtë nuk kishim. Aty i pashë dy djemtë e Dobrit të Spases, shumë të rinj, ishin të armatosur me kallashnikovë dhe me revole në dorë. Ata u nisën drejt meje, por unë ika menjëherë sepse e kuptova se do të ishte rrezik. Ishte dhe Nenadi i Xhekës. Kur më kanë vërejtur se jam në shtëpi kanë marrë vrapin drejt meje. Ishte ora 6 e mëngjesit. Në oborrin e Culit ishin gati të gjithë serbët e fshatit dhe po bisedonin diçka. Aty ishin djemtë e Xhekës, djemtë e Gollubi, djali i Stanimirit të Xhikës dhe Zllatko djali i Spiros. Të gjithë ishin të gëzuar dhe njëri prej tyre shtinte në ajër e qeshnin me të madhe. Culi ishte veshur me një nënkëmishë pa krahë dhe në qafë kishte të varur pushkën, ndërsa në dorë mbante vajzën e tij të vogël. Për të kishin thënë se ishte vrarë, prandaj serbët e fshatit kishin deklaruar se për këtë do të hakmerreshin.
Kur më kanë parë janë nisur në drejtimin tim dhe unë kam ikur. Kam dëgjuar të shtëna, por unë nuk kam kuptuar se në drejtim të kujt kanë shtënë. Kur kam arritur tek njerëzit në mal ju kam thënë:
– Burra, dëgjoni! Ranki i Petkos (Culi) është i gjallë dhe nuk është e vërtetë që është vrarë. Prandaj diçka e tmerrshme po na përgatitet” – ju thashë unë. Ata kishin thënë se më 22 mars është vrarë Ranko Petkoviç, prandaj duhet të keni kujdes se kur të vijnë për ta varrosur do të jenë shumë të nervozuar e mund të bëjnë ndonjë veprim.
Jam kthyer edhe një herë në shtëpinë e xhaxhait tim Baliut, ku e kisha lënë shportën me brumë, sepse mu desh të ikja. Atëherë jemi rikthyer në shtëpi për ta pjekur bukën. Mirëpo tashmë lëvizjet ishin shpeshtuar nëpër fshat dhe nuk arrita të shkoj deri në shtëpinë e xhaxhait për të pjekur bukën. U bëmë të gjithë bashkë në shtëpinë e Sejdi Batushës dhe aty prisnim fatin tonë.
Në ndërkohë u dëgjua një e shtënë nga shtëpia e Milaimit në drejtim të Hysen Ramadanit. Hyseni ra përdhe, ndërsa vëllai i tij nuk di si shpëtoi, ai erdhi dhe u bashkua me turmën. Tha – ah medet për ne e vranë Hysenin bre!
Pak më vonë një zë nga shtëpia e Milaimit e ka thirrur me zë Aziz Shehun dhe Sylën. Ata kanë shkuar në shtëpinë që ishte shumë afër dhe nga aty shihej shumë mirë oborri ku ishim ne të mbledhur. Atyre ju kishin thënë që të shkonin në përrua dhe të thërrisnin edhe të tjerët që të bashkoheshin me turmën, sepse nëse gjendej ndonjë në përrua, atëherë të gjithë do të pushkatoheni, ju kishte thënë nuk e di se kush prej milicëve. Pas pak kanë ardhur në turmë edhe familja Limani dhe disa të tjerë. Kur kanë menduar se të gjithë janë aty, kanë urdhëruar ndarjen në grupe të fëmijëve, grave dhe të meshkujve. Fëmijët kanë nisur të bërtasin e të qajnë, duke mos dashur të ndahen nga nënat e tyre. Atëherë dikush prej tyre ka urdhëruar që gratë dhe fëmijët të mbeten së bashku, kurse meshkujt të gjithë të dalin në rrugë. Pasi jemi ndarë gratë kanë nisur të qajnë e të thërrasin zotin për ndihmë. Gratë dhe fëmijët i kanë urdhëruar të nisen rrugës së fshatit teposhtë, ndërsa burrave ju kanë thënë që të ulen dhe të qëndrojnë ashtu me duar mbi kokë. Askush nuk guxonte të lëvizte. Njëri që deshi të shikojë diçka u godit me kondak të pushkës dhe u shtri përdhe e më pas u ngrit.
Pastaj na urdhëruan që nxjerrim çdo gjë që kishim nga xhepat.
“Nëse ju gjejmë më pas diçka në xhepa do të pushkatoheni në vend! Tha njëri prej milicëve. E kanë marrë një çantë… (të Adem Asllanit – plotësim i Sh.B), i cili në të kishte futur disa dokumente të pensionit të tij gjerman dhe i kanë thënë: Këtu ke futur materiale për UÇK-në a? Tani do ta shohësh ti! Mirëpo ai ju tregoi se ishin vetëm dokumentet e tij personale dhe nuk kishte asnjë lidhje me UÇK-në. Në ndërkohë dëgjoheshin të shtëna të fuqishme në disa drejtime. Kishte granatime dhe gjuajtje me armë artilerie, ndërsa njëri prej tyre thoshte:
– Sllushaj kako puca uçka majku im jebem – dhe qeshnin ndërmjet tyre. Na provokonin në mënyrat më të ndryshme dhe vazhdimisht na mbanin në ankth.
Pastaj kanë urdhëruar të rreshtohemi për tre dhe të niseshim….
“Kur kemi arritur afër shtëpisë së Qazim Batushës na kanë urdhëruar të ndalemi dhe të futemi në oborrin e tij. Pastaj kanë thënë se duhet të futemi në shtëpinë përdhese (ahur) të kësaj shtëpie. E kuptuam se çka do të ndodhte dhe nisëm të pëshpëritnim ndërmjet vete. U mblodhëm në korridorin e shtëpisë, por ata na bërtisnin që të shpërndaheshim edhe në dy dhomat tjera anash. Pranë meje ishin disa bashkëfshatarë të mi: Xhafa, Fadili, Seferi, Shefqeti, Ademi, Xhelali, Adnani, Agimi, Muharremi dhe shumë të tjerë, por nuk guxonim të kthenim kokën as majtas as djathtas. Ashtu kemi qëndruar disa minuta, deri sa ka ardhur një milic me mitraloz me dy këmbë. Ai e vuri mitralozin në dritare, ndërsa nën të kishte doboshin me fishekë. E ka tërhequr shulin dhe ka nisur të shtijë në drejtim tonin. Njerëzit binin si kallinjtë e grurit nën kosë, duke bërtitur kur i godiste plumbi. Rënkimet nuk ndaleshin dhe grahmat e njerëzve dëgjoheshin qartë. Gjithkush aty kishte hallin e vet dhe nuk mund të dëgjoje se kush po kërkonte ndihmë. Të shtënat nuk kanë zgjatur më shumë se dy – tre minuta. Të shtëna të shumta ka pasur edhe në dy dhomat tjera. Të plagosurit thërrisnin në ndihmë, ndërsa grahmat e tyre më dukeshin sikur ato të bagëtive kur i thernin për mish. Unë u shtriva me të dëgjuar të shtënat, ndërsa mbi mua binin trupat e pa jetë dhe të plagosur. Kam vërejtur se si mbi mua ka rënë i rëndë trupi i Xhelilit, i cili nxirrte shumë gjak nga goja. Gjaku i tij më binte mbi fytyrë dhe unë e ndjeja gjakun e tij të nxehtë që më binte në fytyrë, qafë e gjoks. Kam parë se kishte edhe të tjerë të mbetur gjallë. Shefqet Shehu, u ngrit në këmbë dhe e njohu serbin e fshatit (Momçilla Nikoliç – Sh.B) duke shtënë në drejtim të njerëzve dhe i tha: “Pse bre Momçilo, bre kojshi edhe ti po bën kështu a?” Ai nuk priti shumë dhe menjëherë e drejtoi automatikun në drejtim të Shefqetit dhe i dha zjarr. Kam dëgjuar se si njëherë ka lëshuar frymën e fundit që kishte, ufshshsshshsshsshs, që dukej si një gomë që nxjerr frymën dhe ka rënë mbi të vdekurit e tjerë.
Për herë të dytë kanë ardhur përsëri disa milicë dhe kanë nisur të shtinë mbi njerëzit që ende lëviznin, kërkonin ndihmë apo jepnin shenja jete. Unë arrija të dalloja zërat e shumë bashkëfshatarëve që kërkonin ndihmë dhe që rënkonin. Nuk isha në gjendje të dija se cilët ishin, sepse kisha hallin tim. Gjaku i Xhelilit më kishte rënë gjithandej nëpër kokë dhe më kishte hyrë edhe në sy. Nuk mund t’i hapja sytë mirë dhe i fshiva paksa me mëngën e dorës. Pas pak ka ardhur dikush prej milicëve dhe e kanë hedhur një shishe, që menjëherë është shndërruar në flakë. Njerëzi që ende ishin gjallë rënkonin nën temperaturën e lartë që përhapte zjarri dhe mundoheshin të merrnin frymë. Flaka filloi të përhapej shumë shpejt dhe njerëzit thërrisnin me sa zë që kishin. Kam parë se si Muharrem Asllani ka qenë gjallë dhe i fortë kur është hedhur lëngu. Ai në fakt u përfshi shumë shpejt nga flaka duke thirrur me të madhe për ndihmë. Mbeta nën kufoma dhe nuk mund të ngrihesha. Isha i tëri me gjak dhe nuk shihja si duhet për shkak se gjaku tashmë kishte nisur të mpiksej në fytyrën time. Jam ngritur me shumë mund. Në atë moment kam menduar, më mirë të vdes nga plumbi se sa të digjem i gjallë në zjarr…

Mehmet Ukë Krasniqi, i mbijetuari i masakrës në Krushë të Vogël.

Një pikë e atij lëngu më ra në vesh dhe e fshiva menjëherë sepse më digjte aq shumë sa nuk mund ta merrni me mend. Mirëpo, shpirti ishte i ëmbël dhe menjëherë jam ngritur ashtu nëpër tym e flakë dhe kam dalë jashtë. I kam vënë duart mbi trupat e njerëzve që digjeshin dhe flaka ka nisur të më kaplojë edhe mua. U hodha sipër kufomave dhe kam dalë përmes dritares, pa menduar se jashtë më priste dikush me pushkë për të më vrarë. Dëgjova në serbisht se dikush thërriste të ndalesha, por nuk doja t’ia dija për gjë. Jam nisur të dal menjëherë pas shtëpisë dhe jam futur në shtëpinë më të afërt që kam gjetur. Aty kishte shumë rroba e gjësende të hedhura gjithandej. E kuptova se serbët e kishin kontrolluar dhe menjëherë gjeta disa rroba, me të cilat i lidha duart që më digjnin shumë nga flakët. Temperatura e trupit nisi të më ngrihej, por nuk doja t’ia dija. Atëherë jam ngjitur kam zgjatur kokën nga një dritare e vogël e shtëpisë ku isha dhe kam parë se si serbët e fshatit tonë kishin nisur të sillnin kashtë dhe duaj të misrit nga shtëpia e Brahim Batushës dhe i futnin në shtëpinë që digjej. 
Aty pashë serbët Zllatko Petkoviç, Petkovič Slavko, Lupçe i Cekes, Sveta Tasiç… Derisa qëndroja i fshehur në një shtëpi, afër shtëpisë ku ishte kryer masakra, në oborrin e asaj shtëpie (shtëpisë së Bali Avdylit) vijnë: Blagoje Nikolič, Nikolič Duško, Nikolič Nenad dhe një polic uniformuar i cili nuk ishte nga fshati ynë. Që të katërt ishin të armatosur mirë. Ata vëzhgonin terrenin pranë shtëpisë ku digjeshin kufomat, ku Tymi e era e mishit të djegur përhapej gjithandej lugut. Gjatë bisedës së tyre, që dëgjohej mjaftë qartë, thuhej se në rast se shihej ndonjëri nga ata që kishte shpëtuar nga vendi i krimit duhet vrarë pa paralajmrim.
* * *
Të nesërmen më 27. 03. 1999 ende gjendesha i fshehur në malin e fshatit tonë. Kah mbrëmja desha të largohesha më larg, por gjatë lëvizjes më kishin diktuar nga fshati. Pasi më diktuan ata filluan të më ndjekin. Unë me atë rast vrapova deri në një distancë dhe meqë s’mund të vrapoja më tutje sepse isha i djegur pjesërisht u fsheha në një gropë të një përroni mbi të cilën gjendej një glli (një lloj peme e ulët që rritet në mal). Disa metra më tutje nga vendi ku unë isha i fshehur, duke më ndjekur, kaluan Cvetkovič Đorđe, dhe romët Agim Gashi dhe Lulëzim Gashi. Që të tre kishin me vete automatik. Pasi shkuan më tutje duke më ndjekur, unë e lëshova vendin ku isha i fshehur dhe fillova të iki në drejtim të Krushës së Madhe. Pasi jam larguar në një distance të madhe nga ata, përsëri më kanë diktuar dhe më kanë gjuajtur tri herë me armë, por fatmirësishtë nuk më kanë goditur… Në hyrje të Krushë së Madhe u ndala tek shtëpitë e para të fshatit të familjes Bajram Hyseni. Xhaferi dhe disa të tjerë ishin aty. Ka dalë Bajrami dhe kur më ka parë se si isha bërë më tha: “Ahi medet si qenke bërë bre!”
– Asgjë nuk kam unë në krahasim me të tjerët – ju thashë.
– Po çka ka bërë vaki bre burrë? – më pyeti ai.
– Na kanë mbledhë të gjithëve dha na kanë pushkatuar e më pas edhe i kanë djegur të gjallë, – ju thashë unë. Ata mbetën të shushatur dhe nuk flisnin asgjë. U tmerruan nga ato që shihnin e që dëgjonin prej meje. Ju tregova historinë shkurt dhe ata më lanë në afërsi të shtëpisë së tyre dhe më mjekuan pak. Me çka kishin mundësi. Unë mbeta në afërsi të shtëpisë së tyre dhe vetëm shikoja se çka ndodhte. Diku pas mesditës në shtëpinë e tyre ka ardhur një togë milicësh dhe i kanë nxjerrë prej shtëpisë dhe i kanë dërguar kah asfalti.
Në ndërkohë kam vërejtur se dikush po vinte me një makinë civile, ndërsa kur u ndalën në hyrje të fshatit tonë i kam vërejtur romët e fshatit tonë të uniformuar Lulin, Agimin dhe serbin Gjorgje. Ata ishin vënë në kërkim të dikujt. Ka qenë edhe një tjetër me ta por unë nuk e kam njohur atë.
* * *
Kur ka rënë mbrëmja kam marrë rrugë në drejtim të Nagacit dhe nuk dija as vetë se nga të shkoja. Kur jam ngjitur në kodër që ndan fshatin tonë, Krushën e Madhe, Nagacin dhe Randobravën, kam vërejtur një grup njerëzish që gjithashtu ishin në arrati. Gjithandej kishte tanke e makineri ushtarake serbe në këtë kodër. Kudo ndeshesha me këto forca. Ecja pa ditur as vetë se ku shkoja. Në mëngjesin e datës 29 mars jam afruar pranë fshatit Nagac. Nuk guxoja as të afrohesha, sepse gjithandej kishte forca të mëdha ushtarake dhe kisha frikë sapo të më diktonin do të më vrisnin.
Jam strukur në një gropë dhe aty e kam kaluar ditën. Lëkura e djegur e duarve më ishte ngritur dhe më ishte bërë si kore buke. Asgjë nuk ndjeja në lëkurë, sepse ishte krejtësisht e djegur. Atëherë kam nisur që ta heq pjesë – pjesë nga dora, ndërsa mishi i skuqur dukej si mish i pjekur. Madje edhe kontakti me ajrin më pengonte në duar që nisën të më digjnin së tepërmi. Në mbrëmje jam nisur në drejtim të fshatit Fortesë (ish’Bellacerkë-Sh.B), por befas jam ndeshur në një autoblindë të ushtrisë serbe. Jam kthyer prapa dhe përsëri jam nisur në drejtim të fshatit tim, me shpresë se tashmë do të jetë hequr rrethimi dhe mos ndoshta do ta takoj ndonjë të njohur. Kur befas dëgjoj se dikush po më thërriste. Fillimisht pashë nga larg dy silueta njerëzish, që nga largësia më dukeshin si ushtarë të uniformuar serb. Nisa të ikë dhe të gjej ndonjë vend për të shpëtuar jetën. Unë ikja e ata më ndiqnin nga pas. U lodha duke ikur, kur pas pak i dëgjova të flisnin shqip. Atëherë ndala dhe u takova me ta. Ishin dy njerëz nga Apterusha, që gjithashtu ishin duke shpresuar të gjenin shpëtim diku. Të nesërmen (30 mars – Sh.B) jemi afruar shumë pranë Nagacit dhe kemi parë se në disa shtëpi kishte njerëz që lëviznin nëpër oborret e tyre. Mendova se këtu do të gjej dikë që të më ofrojë ndihmë, sepse tashmë lëkura e djegur kishte zënë të më qelbej dhe më vinte erë shumë e keqe.
Jemi afruar pranë vendit ku tani është xhamia e Nagacit dhe kemi thirrur në shtëpinë e Elhami Gashit. O Elhami, o Elhami, por aty nuk ka dalë askush, sepse kishin frikë nga ndonjë provokim i serbëve. Një ditë më parë aty kishin qenë shkijet e Krushës së Vogël dhe i kishin plaçkitur të gjithë banorët dhe ata që ishin në fshat. Mësova se ata ishin identifikuar prej disa grave të fshatit tonë, që tani ishin martuar në Nagac. Morëm informatë se kishin arritur të grumbullonin rreth 50 mijë marka gjermane dhe kishin ikur. Unë e kuptoja frikën e tyre, sepse tashmë ne e kishim përjetuar tragjedinë. Atëherë kemi vendosur të futemi në shtëpinë e Agron Gashit. Aty ishte vajza e bashkëfshatarit tim Sefer Shehu, i cili kishte mbetur në shtëpinë e djegur në fshat, bashkë me nëntë anëtarë të tjerë të familjes së tij. Në një familje aty afër kishte qenë i strehuar edhe doktori Ali Hoti nga Krusha e Madhe, i cili më ka ofruar ndihmën mjekësore pas sa ditësh vuajtjeje. Lëkura e fytyrës dhe e duarve nisi të më binte sikur kur djeg dielli.
Aliu kërkoi të dinte se çka ka ndodhur, por unë ia tërhoqa vërejtjen që të mos përhapej shumë prezenca ime në Nagac, sepse mund të kuptohej kjo nga serbët e pastaj do të më vrisnin. I rrëfeva atij se çka ka ndodhur në Krushë të Vogël, ndërsa ai më ofroi ndihmë me ato që kishte pranë vetes. Nuk kishte me çka të më shërojë, por m’i lyente duart me kos dhe mi mbështolli me lecka të pastra. Shkuan dhe ftuan edhe doktorin Xhemajl Dana, por edhe ai nuk ishte asnjë ilaç shërues për djegie. Mjekët më thanë se ilaçi i vetëm në këtë rast do të ishte urina e njeriut. Ashtu kam bërë, sepse dhimbjet nisën të bëhen të padurueshme. Pas urinimit të plagëve – djegiet u bënë edhe më të tmerrshme. Disa njerëz e kuptuan që unë isha në fshat dhe nisën të vinin gra që kishin të afërm në Krushë të Vogël, apo ishin bija të Krushës. Ato interesoheshin për fatin e njerëzve të tyre, por e kisha shumë të vështirë të tregoja të vërtetën, sepse e parandjeja pikëllimin që do të përjetonin ato. Doja t’i lija ende me shpresë për më të dashurit e tyre.

=================================

NJË FOTO FLET SA 10 000 FJALË!

(Nagavc, 02 Prill 1999: Masakrimi i fëmijëve nga bombardimet e forcave kriminale serbe! – Nga arkivi i KMDLNJ-së për Rajonin e Prizrenit)

Ashtu kam qëndruar deri më 2 prill, dhe në orën 2 e 15 minuta është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në fshat. I gjithë fshati u trondit rëndë. Shumë shtëpi u rrënuan dhe disa njerëz mbetën nën rrënoja. Xhamat e të gjitha shtëpive ishin thyer. Dikush tha se andej kishin fluturuar aeroplanë, që gjëmonin sikur të ishin aeroplanë MIG, pasi që të tillët kishin fluturuar shumë shpesh mbi këto hapësira. Ata lëshuan një bombë dhe njerëzit u tmerruan sa më s’ka. I gjithë fshati u ngrit për të ikur sa më parë për në Shqipëri. Tani ishte problemi që edhe makina kishin mbetur shumë pak, ngase shumë prej kamionëve, veturave dhe traktorëve të fshatarëve ishin në flakë apo ishin dëmtuar nga shpërthimi. Arrita të hipja në një kamion të miqve të Xhaferit. Aty ishte Sadriu dhe kishte shumë gra e fëmijë. Fëmijët u tmerruan nga pamja ime. U futa sa më në brendësi të kamionit pasi që kisha frikë se mos më diktonin serbët dhe më vrisnin rrugës. Pak para se të kalonim Zhurin, në kamion hyri edhe një mik i kësaj familjeje nga Krusha e Madhe, cili kur më pa tha se duhet të zbrisja nga kamioni, sepse prania ime paraqiste rrezik për gjithë familjen. Atij i thoshin Kaca dhe me insistimin e tij u detyrova të zbres e të eci në këmbë. Mirëpo vajza e Xhafës, Suada nuk më la vetëm. Ajo erdhi me mua dhe tha se çka do që të ndodhte ajo do të ishte me mua. Kur arritëm në kufi i futa duart në xhepa që të mos dalloheshin se ishin të djegura, por fytyrën nuk munda ta fsheh. Atëherë, një milic më nxori nga rreshti dhe më merrnin në pyetje.
– Ku të ka gjetur kjo granatë dhe cilët ishin komandantët e tu?
– Ju thashë se jam Mehmet Krasniqi nga Nagaci dhe se aty kanë bombarduar NATO-ja. Në shtëpinë ku kam qenë unë ka ndodhur një tragjedi dhe se shumë njerëz janë vrarë, kurse unë kam mbetur nën flakët e shtëpisë së djegur. E sajova një tregim që atyre tu dukej më i saktë, sepse e dinin çka ka ndodhur në Nagac. Më ndalën dhe më lidhën pranë një radiatori ku më mbajtën gjatë gjithë ditës. Sigurisht u interesuan të dinin se kush isha në të vërtetë. Kisha frikë se mos e thërrisnin ndonjë serb të fshatit për të më identifikuar. Mirëpo kuptoja se pyetnin me radio dikë që të mësonin se kush isha unë. Pas shumë orësh ka rënë telefoni i doganës dhe nuk e di çka kanë biseduar, por prisja me ankth kthimin e milicit tek unë. Mendova se tani unë mora fund me të vërtetë, sepse thosha me vete tani po i tregojnë se kush jam. Milici që më merrte në pyetje më liroi dorën nga radiatori dhe më tha që të shkoja pas tij.
– Dëgjo tani me kujdes, nisi të fliste serbisht. Ajo që sheh përtej është Shqipëria. Aty është vendi yt i ardhshëm. Aty do të kalosh pjesën tjetër të jetës dhe mos mendo të kthehesh kurrë më këtu. Tani ik dhe shko tek vëllezërit e tu, më tha në fund milici.
Nuk mund ta besoja se kjo mund të jetë e vërtetë. Më dukej se po ëndërroj. Shikova njëherë diellin sikur doja ti lutesha Zotit për mëshirën e tij. Ndodhi kjo pak para se të perëndonte dielli. U nisa në fillim me hapa të ngadalshëm, duke shikuar gjithnjë me bisht të syrit prapa se mos më ndiqte dikush. Posa kalova pesë apo gjashtë hapa kam nisur të vrapoj me sa fuqi që kisha.
Milici që më foli nisi të qeshte dhe më thërriste nga prapa: “pollako deçko, qe da padnesh, hej qujesh!” – dhe qeshte. Në fakt ai nuk e dinte gjithë atë odiseadë që kisha përjetuar unë disa ditë me radhë. Ai nuk mund ta dinte se çka dija unë, prandaj i dukej qesharake, – rrëfen me emocion Mehmeti.
“Kur arrita në pjesën shqiptare gati sa nuk më ra të fikët. Nuk mund ta besoja që jam i sigurt dhe që jam gjallë. Aty më pritën shumë kamera të mediave të huaja dhe atyre shqiptare. Ju tregova gjithë atë që kishim përjetuar. Më dërguan në spitalin e Kukësit ku më dhanë ndihmën e parë. Tashmë nisa ta marr veten dhe pashë se në spital kishte aq shumë njerëz të plagosur e të thërrisnin për ndihmë. Kjo më ngjalli emocione të tmerrshme, sikur atë ditë që ishim pushkatuar e djegur në Krushë të Vogël. Nuk munda të qëndroj më gjatë, ndërsa mjekëve ju thashë se ndjehem mirë dhe nuk mund të zë vend këtu, pasi që paska të plagosur shumë më rëndë se sa që jam unë. Ndonëse nuk deshën të më linin të shkoja, unë këtë e kisha vendosur. Atëherë kërkova të ha bukë dhe ta marr pak veten. Atë natë e kam kaluar në pallatin e sporteve në Kukës. Aty e kam takuar gazetarin Armand Mero, i cili më ka intervistuar dhe e ka emituar këtë intervistë përmes “Zërit të Amerikës”. Këtu kanë pasur rastin që njerëzit e mi ta kuptojnë se unë jam gjallë. Shumica e njerëzve të fshatit më kishin parë në televizion. Ata e kishin kuptuar gjithë tragjedinë që kishte ndodhur, por askush nuk donte ta besonte një gjë të tillë, sepse vërtet ishte shumë e rëndë vetëm të imagjinohet një krim i tillë. Pas kthimit në vendlindje ju kam treguar të gjithëve se si kishte ndodhur puna dhe se nuk duhej të shpresonin për njerëzit që kanë qenë në atë shtëpi, sepse të gjithë janë të vrarë dhe të djegur. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite disa ende vazhdojnë të shpresojnë…” – thotë në fund të deklaratës së tij Mehmet Krasniqi, të dhënë më 24 shtator 2008.

( VIJON… )

=============================

– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424  
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426  
PJESA E TRETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1429

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura