Pashtriku.org, 06. 04. 2013 – (SI E PËRJETOJ DRITA HAJDARI – TRAGJEDINË E 25 – 26 MARSIT 1999, NË KRUSHË TË VOGËL? SI U VRANE DHE U DOGJËN – GJASHTË KRUSHJANËT, NË SHTËPINË E SELIM ҪOLLAKUT, MË 25 MARS 1999. ESAT GUTA: “JOVAN NIKOLIҪI MË THA – TË GJITHË SHQIPTARËT E KRUSHËS SË VOGËL I KEMI VRA DHE I KEMI BA SAPUN!” SI U ZHVARROSËN KUFOMAT NGA VARRET E KRUSHËS SË VOGËL?!) – Dëshmitarja Drita Hajdari, është motra e Mehmet Krasniqit, i cili ka mbijetuar nga masakra e 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël. Atë ditë kobëzezë Dritës i ka shpëtuar vëllai Mehmeti, por jo edhe bashëkshorti i saj Shaniu (1959) dhe vëllezërit e tij: Qamil Mahmut Hajdari (1945), Halil Mahmut Hajdari (1950) dhe Sait Mahmut Hajdari (1964). Më 26 mars 1999, në shtëpinë përdhese të Qazim Batushës, përveç atyre kanë mbetur të vrarë, janë djegur e shkrumuar edhe dhjetë mashkuj tjerë të familjes së gjerë Hajdari: Hysni Halil Hajdari (1978), Zenun Qamil Hajdari (1975), Abaz Abedin Hajdari (1956), Abedin Abaz Hajdari (1983), Halim Abaz Hajdari (1935), Selajdin Halim Hajdari (1965), Nazim Halim Hajdari (1969), Rasim Halim Hajdari (1974), Vesel Halim Hajdari (1982), Mursel Halim Hajdari (1986).
SI E PËRJETOJ DRITA HAJDARI – TRAGJEDINË E 25 – 26 MARSIT 1999, NË KRUSHË TË VOGËL
“Një javë para se të nisnin sulmet e NATO-s lëvizja e forcave serbe u shpeshtua shumë në Krushë të Vogël. Ata vinin në këtë rrugën tonë dhe si dukej afroheshin sa mundnin pozicioneve të UÇK-së që ndodheshin në Randobravë. Në mbrëmje ktheheshin po në këtë rrugë, ndërsa forca të shumta ishin vendosur kohë më parë në shtëpinë – stanicë të Dimitrije Nikoliçit. Lëvizjet tona tashmë ishin tepër të rralla, dilnim vetëm kur nuk kishim zgjidhje, sepse forcat serbe qarkullonin ditë e natë nëpër fshat. Ne jetonim ashtu me ankth e frikë të vazhdueshme, duke pritur vetëm momentin kur ata do të thyenin derën e të futeshin brenda.” – kështu nis rrëfimin e saj, Drita Hajdari.
– Dëshmitarja Drita Hajdari –
“Më 24 mars në mbrëmje (pas fillimit të bombardimeve ajrore të NATO’s – Sh.B) pamë lëvizje të shumta të makinerisë ushtarake serbe, që u ndalën në rrugën kryesore për Prizren.” – kujton Drita.
“Fillimisht” – thotë ajo – “menduam se vetëm po shkonin për të kryer ndonjë nga aksionet e radhës, pasi që i kishim parë disa herë të shkonin në drejtim të Gjakovës dhe vetëm më pas mësonim se kishin djegur këtë apo atë fshat. Atë natë gëzimi u përzije me ankthin për fatin tonë, sepse ne kishim marrë disa paralajmërime të serbëve të katundit tonë, se nëse ndërhyn NATO-ja ne shqiptarët do ta kishim punën pisk. Prandaj edhe kishim frikë. Ne i vumë për të fjetur fëmijët në gjumë të veshur me rroba, vetëm këpucët nuk ju kishim mbathur. Erdhi Zenuni dhe na tha se është më së miri që të bëhemi bashkë në një shtëpi, sepse gjendja nuk ishte aspak e mirë. Shaniu, burri im i tha se edhe sonte do të rrinim në shtëpi, ndërsa nesër si qoftë hair u bëftë. Gjatë natës kemi jetuar në ankth dhe nuk dinim se çka të flisnim. Dikush mundohej të nxirrte ndonjë fjalë sa për të thyer heshtjen. Njerëzit thoshin se nëse duan serbët e fshatit mund të bëjnë diçka për të dalë njerëzit të pa prekur, por nëse ata kanë vendosur të bëjnë ndonjë gjë të keqe, atëherë nuk ka kush tjetër të na shpëtojë. Ndonëse pak kush e ka menduar se mund të ndodhte tragjedia, ashtu siç ndodhi. Kishim shpresë se vetëm mund të djegin shtëpitë dhe njerëzit të mbeten të pa prekur. Kishim parandjenjë se do të ndodhte diçka e tmerrshme, por jo në ato përmasa. Ne gratë vazhdimisht luteshim që të shpëtojnë djemtë e burrat.
Në mëngjesin e së enjtes, rreth orës 4 e gjysmë apo pesë, erdhi Bekimi dhe na tha se forcat serbe tashmë kanë nisur marshimin në fshat, prandaj duhet të ikim të gjithë nga shtëpitë. Ne ishim pothuajse gati, sepse ishim bërë tërë sy e veshë që nga mbrëmë.
Bekimi tha:
– “Serbët i kishin zënë në shtëpi meshkujt tanë, prandaj nuk dihet fati i tyre, ndërsa ne arritëm të kapërcejmë murin e të ikim. Edhe ju duhet të ikni, sepse po ju zunë do t’ju vrasin”.
Ne dolëm ashtu si mundëm shpejt e shpejtë dhe me vete e kishim edhe Sahitin (Sahit Mehmeti – Sh.B), i cili ishte i palëvizshëm, invalid në karrocë, prandaj i duhej ndihma jonë. Hysniu, Fadili e Zenuni e bartnin Sahitin, pasi që ai ishte me karrocë dhe kjo na vononte shumë të gjithëve për të ikur sa më shpejt. Mezi e kaluan Sahitin mbi një urë druri mbi përroin e fshatit. Fëmijët na ndiqnin sa kishin mundësi të ecnin, por ne kujdeseshim që askush të mos mbetej prapa. Sahiti vazhdonte të kishte probleme me karrocën e tij. Mbi kokat tona dëgjoheshin të shtëna snajperësh, ndërsa plumbat fishkëllenin tutje. Na dukej sikur plumbat vinin nga shtëpia e Vuqes, ndërsa krismat e plumbave që kërcisnin në ajër dukeshin sikur i kishim serbët mbi kokë. Ne mbetëm të ngujuar në shtëpinë e Halimit (Halim Abaz Hajdarit – Sh.B) dhe nuk e dija se ku i kisha fëmijët, sepse mbetëm prapa me Sahitin. Askush nuk mund të propozonte ndonjë zgjidhje, sepse e dinim që tashmë ishim në duart e serbëve.
Rreth orës 12 të shtënat u ndalën paksa dhe ne mundëm të gatuajmë bukë. Posa u poqën bukët nisën përsëri të shtënat, ndërsa ne morëm sa mundëm bukë. Në furrë mbetën edhe bukë të tjera të pa pjekura. Ikëm nga shtëpia dhe rrugës Abedini kërkoi të hante diçka, sepse e kishte marrë uria shumë. Ne iknim nëpër mal dhe nuk e dinim as vetë se ku po shkonim. Ecnim malit rrugë pa rrugë dhe mezi e nxirrnim karrocën e Sahitit nga balta e gropat.
Rreth orës 14 jemi bashkuar me pjesën tjetër të katundit në shtëpinë e Sejdiut (Sejdi Batushës – Sh.B). Aty ishte i gjithë katundi. Gratë u vendosën në shtëpinë e Osmanit, kurse burrat në atë të Sejdës. Fëmijtë qanin vazhdimisht, sepse në mesin e tyre kishte të sapo lindur, por kishte edhe të sëmurë. Gratë rrinin si të shushatura dhe flisnin shumë pak. Secila mendonte skenarin më të keq për njerëzit e vet. Disa vazhdimisht thërrisnin zotin për ndihmë dhe mëshirë. Atë natë pothuajse nuk kemi fjetur fare, sepse ishte edhe ngushtë edhe frikë bashkë. Unë nuk e di a kam mundur të fle të paktën një orë. Në mëngjes na thirrën që të gjithë burra e gra të bashkohemi në oborrin e Sejdës. Ashtu qëndruam për disa orë, pa guxuar të lëvizte askush nga turma.
Vrasja e Hysen Ramadanit shkaktoi panik të madh. Ne e pamë të gjithë kur Hyseni ra i goditur nga dy plumba. Gjuajtja edhi nga shtëpia e Milaim Batushës, ku ishin vendosur milicë serbë. Në ndërkohë Bekimi nisi të qante dhe ju hodh në përqafim burrit tim Shaniut. Ky sikur donte t’i jepte kurajë i tha se nuk do të ndodhte asgjë e keqe, sepse këtu të gjithë ishin të pafajshëm. Kur na urdhëruan që të ndaheshim nga burrat sikur na ra qielli mbi kokë. Shaniu më shikoi drejt në sy dhe më tha:
– “kujdesu për fëmijët!”
– “Hiq mos u bëj merak se do të kujdesemi bashkë, sepse nuk do t’ju ndodhë asgjë as juve, se nuk keni bërë gjë të keqe”, – i thashë unë, por zëri më dridhej dhe e kuptova se më nuk do të shiheshim kurrë. Vdekja lexohej në sytë e secilit prej burrave e djemve tanë. Vëllai im Mehmet Krasniqi e mbante djalin e vogël në krah. Një milic i tha se duhej ta lëshonte fëmijën menjëherë. Gruaja e tij e lëshoi një çantë që mbante në dorë, ndërsa në krahun tjetër e mbante vajzën e vogël disa muajsh. Ajo e mori djalin nga duart e Mehmetit dhe ata u ndanë. E shikova me dhembshuri Mehmetin në sy dhe i urova:
– Zoti ju pastë në dorë, o vëlla!”
Abedini u mundua që të merrte karrocën e Sahitit dhe ta shtynte, por milicët nuk e lanë të ecte as ai e as Sahiti që ishte invalid.
Një milic ju drejtua Bekimit dhe i tha:
– “Ti, deçko hajde ovamo!”
Djali që nuk e kuptonte serbishten më tha:
– “Nënë çka po kërkojnë prej meje?”
Unë i thashë djalit, hiqu tyre e mos i shiko e nisu përpara. E mbulova me një pallto pak më të madhe se vetë djali dhe e shtyva përpara. Mirëpo Murselin e morën nga duart e nënës së vet. Ai nuk arriti të maskohej, sepse ishte pak më i gjatë se djali im. Bekimi ishte paksa i hajthëm dhe i gjatë, por dukej shumë më i ri se sa ishte në të vërtetë. U nisëm dhe kur kemi arritur afër shtëpisë së Culit e pamë që bëri një kryq të madh me katër S (C), në shtëpinë e Mehmetit, me qëllim që të mos e digjnin. Na mori mendja se ai e bëri këtë pasi që ne e kishim blerë atë shtëpi nga gjyshi i tij dhe tani ai mund të mendonte që shtëpia duhet ti përkiste atij, pasi që neve po na dëbonin nga katundi. Ai nuk foli fare me ne edhe pse disa gra ju drejtuan për të kërkuar ndihmë prej tij për të shpëtuar meshkujt. Pak më tutje e pamë Dimitrijen (Nikolič Dimitria – Sh.B) dhe gruan e tij Raden.
Sofije Rashkaj kërkoi nga ata që t’ia shpëtonin djalin e vetëm, por përgjigja e tyre qe:
– “Ashtu si e keni kërkuar ashtu do ta gjeni. Vetë keni kërkuar luftë dhe tani do të vuani pasojat”, – tha Dimitrije.
Me këtë kuptuam përfundimisht se fati i meshkujve tanë ishte në duart e serbëve.
* * *
Vazhduam rrugën deri tek tyrbja, ku na ndalën përsëri ushtarë e milicë serbë. Sofija pyeti se nga duhej të shkonim, ndërsa përgjigja ishte se duhej të shkonim ose në Shqipëri ose të mbyteshim në lumë. Rrugës kemi parë se si serbët e katundit tonë bartnin sa kishin mundësi të gjitha gjësendet dhe orenditë e shtëpive të shqiptarëve. Shtëpitë e katundit kishin nisur të digjeshin me radhë. Copat e tjegullave dhe trarët e shtëpive binin në rrugë dhe kërcisnin nga zjarri. Njerëzit i shmangeshin trarëve që binin vazhdimisht. Ikëm matanë Drinit duke qarë e duke vajtuar. Gati të gjitha gratë qanin. E mora djalin e Mehmetit në dorë dhe nisa ta përkëdhel.
Djali, Ukshini tha:
– “Ku është babi?”
– “Babi vjen më vonë” – i thash, dhe e përqafova fort.
Në këto çaste të rënda shpirtërore, Drita nuk i përmban dot lotët dhe fjalët i ngulfaten në fyt. Disa pika loti rrjedhin faqeve dhe bashkohen në fund të mjekrës thatanike që dridhej nga përmallimi.
Ajo e mbledh veten dhe vazhdon rrëfimin:
“Matanë Drinit, vëllai im Ahmeti më pa dhe më pyeti se ku ishte Mehmeti.
– “Ku është Mehmeti, moj motër?”
– “Ka mbetur në duart e serbëve, bashkë me shumë burra të tjerë të katundit.” – i thash.
– “Po djali im, ku është moj motër?”
– “Kanë shkuar të gjithë së bashku me traktor dhe nuk i kam parë më”, i thashë – duke mos mundur t’ia tregoj të vërtetën për djalin e tij të ri. Mirëpo ai e vërejti se diçka po i fsheh, sepse lotët nuk mund t’i përmbaja dot.
* * *
Na bënë konak katundarët e Bregdrinit. Nga aty shihej i gjithë fshati jonë teksa digjej. I tëri ishte në flakë. Nga aty kemi parë një kamion të madh, që dikush tha se ishte i mbushur me kufoma. Serbët që e sollën aty dhe më pas e dogjën ishin nga Krusha e Vogël.
DRITA HAJDARI: SI MORA VESH, SE MEHMETI ËSHTË GJALLË
Pas tri ditësh dhanë urdhër që të iknim nga aty dhe të shkonim për në Shqipëri. Atje na thoshin se dikush i kishte parë një grup burrash që ishin nxjerrë nga fshati me duart mbi kokë dhe ishin dërguar dika. Mirëpo më pas e kuptuam se të gjitha këto ishin vetëm fjalë boshe.
Mehmet Krasniqi (vëllai i Dritës), njëri nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së 26 marsit 1999, në Krushë të Vogël.
* * *
Në Shqipëri na kanë trajtuar shumë mirë. Pas disa ditësh na kanë dërguar në Berat. Nuk ka kaluar as një javë, kur ka telefonuar Avdyli nga Gjermania dhe ka treguar se tani po flet në televizion Mehmeti. Djali i Mehmetit, Ukshini e ka zgjuar nga gjumi duke thirrur nënën e Mehmetit dhe i ka thënë:
– “Nënë babi, nënë babi.” Ai kishte para ndjerë diçka.
Ajo u ngrit me një frymë dhe tha:
– “Hair na qoftë. Inshallah mos po na del gjallë Mehmeti.”
Unë vrapova tek nëna dhe i tregova sa kisha dëgjuar, se vetë nuk e kam parë Mehmetin në televizor.
Ajo më tha se kishte dëgjuar nga djali i vogël, por nuk mund ta besonte një gjë të tillë. Ne ia nisëm vajti dhe nuk dinim çka të bënim, rrëfen Drita dhe vaji përsëri e mposht. Ndalon për pak qaste dhe fshin lotët që ia mbushën sytë. Kur nisi emisioni i lajmeve ne e pamë Mehmetin të lidhur të tërin me fasha në fytyrë në duar dhe mezi fliste. Vaji na kaploi të gjithëve sa ishim aty. E preknim ekranin me duar, sikur donim të çmalleshim me Mehmetin në këtë mënyrë. Lotët na rridhnin pa pushim. Djali vraponte pas fotografisë sikur donte të futej brenda në televizor. Rrëfimi i tij na tronditi edhe më shumë, sepse aty mësuam gjithë të vërtetën, por nuk donim ta besonim, edhe pse e dinim se serbët mund të bënin çdo gjë të keqe mbi shqiptarët.
Pas dy ditësh e sollën tek ne. Pantallonat i kishte tërë gjak të tharë. Dukeshin si koret e bubrekut kur piqen shumë. Fytyrën e kishte të mbuluar me fashë, por dukej qartë se e gjithë fytyra ishte djegur. Duart po ashtu i kishte me fasha. Ai tha se dikush ia kishte lyer me dhjamin e ariut, sepse thuhej të ishte ky ilaçi më i mirë. Na tregoj se në Kukës e kishte takuar nënën e gruas dhe ajo ia kishte larë kokën, sepse e kishte pasur tërë gjak të tharë.
Duart e fytyra ju shëruan shpejt. Por hallin më të madh e kishte kur e pyesnin për atë që kishte ndodhur. Vuante shumë dhe nuk dëshironte të fliste fare për atë ngjarje. Kur e pyesnin ai i bishtëronte muhabetit. Ai nuk mund të fliste dhe ngushtohej shumë. Thoshte vazhdimisht që të mos ngacmonin më shumë, sepse nuk mund të tregonte atë që ka përjetuar ai dhe katundarët e tjerë. Nganjëherë kur ishim vetëm e pyesja për Shaniun, burrin tim. Thoshte se nuk dinte më shumë se deri në korridor të shtëpisë, sepse aty i kishin ndarë dhe nuk kishte parë më asgjë. Kur dikush insistonte të dinte më shumë, Mehmeti tregonte se si kishte ndodhur tërë ngjarja, por shumë shkurt. Tregonte se si i kishin futur në shtëpinë e vogël, si i kishin pushkatuar e më pas si i kishin djegur. Ne tmerroheshim nga ajo që dëgjonim. Më pas i thoshim njëri – tjetrit se, do të kishte qenë më mirë të mos e kishim pyetur, por kujt i durohej pa pyetur se. Zakonisht përpiqej t’i ikte kësaj bisede të rëndë për të, sepse pastaj vuante shumë, kur e detyronin të tregonte. Duke e ditur këtë gjendje të tij nuk e ngacmonim shumë edhe pse dëshironim që të dinim të vërtetën, që askujt nuk i pëlqente.
DRITA HAJDARI: KISHA EDHE HALLIN E DJALIT TIM ADNANIT, I CILI ISHTE BASHKUAR NË RADHËT E UÇK-së.
Mirëpo ta them të drejtën, fryti yt, pjella jote ishte mbi të gjitha. Gjithmonë kisha hallin e djalit tim Adnanit, i cili tashmë ishte bashkuar në radhët e UÇK-së. Deri sa nuk e kam mësuar se është gjallë nuk kam gjetur qetësi dhe nuk i kam përmendur fare as vëllain e as burrin. Shpesh e shihja në ëndërr dhe më bëhej se endej nëpër mjegull. Evlati ishte gjithçka. I kuptoj ato nëna që nuk i kanë bijtë e tyre. Ato kanë siklet të madh.
Vazhdimisht gjatë gjithë kohës kam folur me veten, duke e thirrur emrin e Adnanit:
– “O Adnan ku je o bir, o Adnan ku je tani, a thua ku është tani Adnani im”, – ishin këto bisedat që i bëja me veten time, madje edhe me zë të lartë, sa që të gjithë më dëgjonin në shtëpi. Por nuk e kisha këtë merak se më dëgjonin të tjerët e mund të qeshin me mua.
Kur më është plagosur djali në luftë e kam parë në ëndërr dhe kisha një parandjenjë se diçka do t’i ndodhte. Ëndërrova sikur Adnani vraponte kodrës përpjetë nëpër tym. Në mëngjes i thashë nënës:
– “Adnani më është plagosur, sepse e kam parë në ëndërr duke vrapuar nëpër tym”.
Ajo më dha shpresë, se pasi që ka qenë duke vrapuar, do të shpëtojë.
Në mbrëmje lajmet në televizor treguan për luftimet e zhvilluara diku në rajonin tonë dhe se një kishte rëndë dëshmor dhe një tjetër ishte plagosur. Emrin ia thanë, por mbiemrin nuk ia thanë. Në atë moment isha duke e përgatitur darkën. Në dorë kisha thikën dhe një domate. Domatja më ra nga duart. Kërkova të më tregonin se çka treguan në lajme, por më thanë se nuk ishte në rajonin tonë. Ju thashë se Adnanit i ka ndodhur diçka e keqe, por ju nuk po ma thoni. Ata mundoheshin të më qetësonin me gjithfarë fjalësh. Sa më shumë që flisnin ata, unë edhe më shumë dyshoja në ato fjalë. Ju thosha se nëse i ka ndodhur gjë është më mirë që ta di se sa të jetoj me shpresa të rreme.
Lista e serbëve të Krushës së Vogël, që morën pjesë
në Masakrimin e shqiptarëve të këtij fshati.
* * *
“Kërkova me ngulm të më tregonin, por ata mundoheshin të ma fshihnin të vërtetën”, – tregon Drita dhe mallëngjimi nuk e lejon të vazhdojë më tej. Lotët nisin t’i rrjedhin faqeve, ndërsa ul sytë përdhe, duke dashur të fshehë tërë atë tronditje që kishte pësuar në atë kohë. “Dikush më tha se ia kishin këputur këmbën, dikush thoshte se është i palëvizshëm e kështu. Qaja vazhdimisht ngado që shkoja. As nuk mund të haja, as të flija, as të qetësohesha. Vetëm qaja. Jeta mu bë e padurueshme. Avdyli më mori në telefon dhe më tregoi se Adnani ishte plagosur lehtë dhe se të gjithë ushtarët kishin dalë në anën e Hasit dhe se kishte folur vetë me të. Kjo më qetësoi paksa, por zemra e nënës nuk qetësohej dot. Deri sa e kam parë vetë me sytë e mi nuk kam besuar se është gjallë. Tani ende po vuan nga plagët e marra, por pasi është gjallë, nuk po mërzitem shumë. Adnani më bëri që të përballoj më lehtë humbjen e burrit dhe të dashurve të mi.” – përfundon rrëfimin Drita Hajdari.
ZEҪIR SALLAUKA-BUDAKOVA: JU RRËFEJ SHPËTIMIN E FAMILJES SIME, NGA MASAKRA
Dëshmitari Zeçir Sallauka – Budakova në rrëfimin e tij thotë: “Unë dhe familja ime kemi ardhur nga Budakova në vitin 1975 dhe menjëherë kam zënë punë në bodrumin e verës si roje. Aty kam vërejtur se shumë prej krushjanëve që ishin në punë, më të mira i kishin marrëdhëniet me serbët se sa me mua që isha i ardhur nga një fshat tjetër. Raportet e mia me serbët nuk kanë qenë të këqija, por as me shqiptarët nuk kam pasur asnjë problem. Ne kemi shiku punët tona dhe nuk jemi marrë me çështjet e të tjerëve. Kam punuar aty deri në vitin 1981 pa asnjë problem. Pas demonstratave studentore situata ndryshoi shumë” – kujton Zeqiri dhe vazhdon:
“Kur u hoq autonomia e Kosovës u mërzitëm shumë të gjithë. Një milic serb Lubisha nga Mushtishti që e thërrisnin me emër shqiptari Syla, më vuri syrin dhe vinte shumë shpesh në vizitë në vendin e punës dhe më bënte presion vazhdimisht. Nuk më linte rehat asnjëherë dhe vazhdimisht mundohej të më kapte në ndonjë gabim dhe ta bënte të veten. Unë ngushtohesha shumë dhe vazhdimisht isha nën presion. Isha shumë nervoz dhe nuk munda ta duroj më presionin. Një ditë më kapi një dridhje e fortë dhe humba vetëdijen. Pata një paralizë të pjesshme dhe kam qëndruar për shumë kohë në komë. Kisha 16 vite përvojë pune dhe familja mbeti pa burime jetësore. Pasi e mora veten paksa, u riktheva në punë edhe pse nuk isha në gjendje të mirë fizike. Mirëpo pas kësaj nuk më besonin më. Më vunë si roje njëfarë Lubën, i cili ishte gati i pa aftë për punë, por serbët në atë kohë nuk prekeshin. Prandaj edhe mua nuk më hoqën nga puna. Pastaj gjatë gjithë kohës më kanë mbajtur nën vëzhgim, ndërsa Luba dukej se kishte për detyrë të më vëzhgonte vazhdimisht.
Në atë kohë kam vërejtur se si Sveta Tasiç largohej shpesh nga shtëpia dhe ne nuk e dinim se ku kishte shkuar. Nëna e tij Elena thoshte se djali kishte shkuar të punojë jashtë dhe se po punonte shumë me dy ndërrime. Sa herë kthehej në shtëpi sillte vetura, kamionë dhe orendi të vjedhura nga Kroacia e Bosnja. Ne i besonim Elenës, sepse nuk e kishim syrin tek pasuria e huaj. Kështu ka vazhduar disa herë dhe ata u bënë të pasur duke sjellë plaçkë lufte nga Bosnja e Kroacia. Edhe serbët tjerë vazhdimisht shkonin në stërvitje ushtarake dhe në gjuajtje. Këtë e tregonin hapur, sikur donin të na tregonin se ata ishin të përgatitur dhe se ne nuk duhej të përpiqeshim të bënim ndonjë veprim në kundërshtim me vullnetin e tyre.
SI U VRANE DHE U DOGJËN – GJASHTË KRUSHJANËT – NË SHTËPINË E SELIM ҪOLLAKUT, MË 25 MARS 1999
Zeçir Sallauka – Budakova, për ditën e 25 marsit 1999 në Krushë të Vogël rrëfen: “Natën e 24/25 marsit kur u stacionuan forcat serbe në asfalt ne mbetëm të ngujuar në shtëpi. Kisha tre djemtë të rritur dhe pesë vajza. Nuk kishim zgjidhje, sepse asfalti ishte shumë afër shtëpisë tonë. Mbase nuk ka as 20 metra, prandaj ne shihnim tinës nëpër disa vrima të dyerve. Më 25. 03. 1999 rreth orës 10 (paradite) kam parë se si policia serbe i kanë nxjerrë me duar pas koke 6 persona prej shtëpive të tyre, prej të cilëve 3 i dallova: Sali Shehun, Reshat Shehun, Dërvish Shehun. Dy prej tyre ishin me kësula të bardha në kokë. (Tre personat tjerë ishin: Sejdi Emrullahu, Raif Shehu dhe Nexhat Shehu – Sh.B). Këta persona policia serbe i quan në shtëpinë e Selim Çollakut. Kati i parë i kësaj shtëpie shrytëzohet si ahur. Në hyrje të ahurit i ndalën dhe i rreshtuan përball murit të shtëpisë. Pastaj njëri nga 5-6 policët serb gjuan me armë dhe të gjithë bien menjëherë përtokë nga plumbat. Prej tyre pastaj dy policë vijnë nga vendi i krimit (ekzekutimit) te shtëpia e Srečko Tasičit e cila nga shtëpia ime është larg rreth 80m. Të dy policët jashtë shtëpisë së tij biseduan rreth gjysmë ore me të zotin e shtëpisë, Srečkin (Keka) dhe gruan e tij Jelenën. Pastaj të dy policët kthehen në vendin e ekzekutimit. Me tu kthyer në atë vend, pas 15 minutash e ndezin shtëpinë ku ishin të ekzekutuar të 6 personat. Vendi i krimit nga shtëpia ime është rreth 250m. Këtë ngjarje e përcolla me të gjithë anëtarët e familjes sime nga shtëpia jonë ku ishim fshehur.
Shtëpia e Selim Çollakut: dhoma ku u dogjën, (pas ekzekutimit – më 25 Mars 1999), nëntë mashkujt e Krushës së Vogël. Ata janë: Sejdi Emrullahu, Sali Shehu, Reshat Shehu, Dërvish Shehu, Raif Shehu, Nexhat Shehu, Isni Rashkaj, Nazmi Rashkaj dhe Demir Rashkaj.
Mbetjet e kufomës së karbonizuar të Sejdi Emërrllahut!
* * *
Unë e di – thotë Zeçiri – se Srečko Tasiči (Keka) ka pasur raporte shumë të mira me Dervishin (Dervish Shehun e vrarë – Sh.B) dhe një ditë më parë (më 24 mars 1999 – Sh.B) kanë pirë kafe së bashku në ugar, pranë shtëpisë së Dervishit. Të nesërmen ndodhi vrasja dhe Keka nuk bëri asgjë për të shpëtuar ata njerëz që deri dje kishin pirë kafe bashkë. Lidhur me ekzekutimin e 6 banorëve të paarmatosur të Krushës së Vogël si dhe të tre bashkëfshatarëve tjerë (më 25 mars 1999): Isni Rashkës, Nazmi Rashkës dhe nxënësin Demir Rashkaj, dëshmon edhe një ish-pjestar i Njësisë Speciale të Policisë serbe (PJP) në procesin gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës më 09. 07. 2002, si dëshmitar i mbrojtur me shifrën K25.
ZEҪIR SALLAUKA-BUDAKOVA: SI DOLËM NGA RRETHIMI…
Zeçir Sallauka – Budakova në vazhdim rrëfen: “Ne kemi qëndruar në shtëpi dhe nuk kemi guxuar as të dalim në oborr për asnjë punë. Gjatë gjithë ditës i kemi parë të gjitha lëvizjet e tyre në atë pjesë të rrugës. Shihnim se si forcat serbe vazhdimisht dyndeshin kah bodrumi dhe shkonin në drejtim të Randobravës. Prisnim në ankth se kur do të vinin edhe tek ne. Djemtë ishin të rritur dhe nuk mund të gjenim asnjë mundësi për ti nxjerrë jashtë shtëpisë, sepse serbët ishin shumë afër, kurse fusha ishte krejt e zhveshur. I lutesha zotit që të bëhej natë sa më parë dhe të kishim mundësi të iknim. Pas orës katër të pas ditës kam parë kur disa milicë kanë hyrë në shtëpinë e Ali Emrullahut dhe fillojnë ta plaçkisin. Pasi e plaçkitën, ata kalojnë në shtëpinë e Dërvish Shehut (e cila është afër shtëpisë së Aliut). Kanë qëndruar pak kohë aty e më pas janë drejtuar kah shtëpia ime. I kam parë mirë se kah janë nisur dhe ju kam thënë fëmijëve e gruas: tani e kemi radhën ne. Mbaruam. Mirëpo kur do fati apo zoti, në atë moment ka ardhur një kamion i rëndë me ngarkesë. Dukej se kishte peshë të madhe. Milicët u futën në kamion dhe shkuan në drejtim të katundit. Edhe kësaj radhe shpëtuam. Atëherë deri në mbrëmje më nuk ka pasur asnjë lëvizje në drejtim të shtëpisë time.
Kjo ishte dita më e gjatë e jetës time. Kemi pritur deri në mbrëmje dhe pastaj jemi larguar vjedhurazi nga shtëpia. Kur kemi arritur në breg të Drinit kemi qëndruar aty pa guxuar të futemi në ujë, sepse ishte natë dhe kishim frikë se mos mbytemi në ujë. Aty kemi fjetur në hapësirë.
Rreth orës 6 të mëngjesit (të datës 26 mars – Sh.B) kaluam lumin dhe shkuam në fshatin Bregdri. Aty jemi bërë bashkë me katundarët tjerë dhe kemi mësuar se si kanë rrjedhë ngjarjet në pjesën e epërme të katundit (Krushë e Voigël – Sh.B). Ishte një tmerr i pa përshkruar. Vetëm aty e kuptuam se në çfarë rreziku kishim qenë si familje dhe vetëm zoti na kishte ruajtur, duke na i larguar keqbërësit nga shtëpia jonë. Pastaj nga ky fshat kemi kalur në Shqipëri.” – përfundon rrëfimin Zeçir Sallauka – Budakova.
ESAT GUTA: “JOVAN NIKOLIҪI MË THA – TË GJITHË SHQIPTARËT E KRUSHËS SË VOGËL I KEMI VRA DHE I KEMI BA SAPUN!”
Avokati Esat Guta nga Prizreni, lidhur me masakrën e 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël, deklaron: “Më 27. 03. 1999 rreth orës 10, Nikolič Jovan – personi nga Krusha e Vogël i cili punonte në bashkësinë e ujrave, të cilin e kam njohur mirë, ka qenë në grup së bashku me 12-15 persona me një kamionetë “zastava” dhe janë futur në depon time “Flaka” që gjendet afër gjimnazit në Prizren. Kur më takoi Nikolič Jovan në depo fjala e parë ishte se a ende nuk ke ikur në Shqipëri? Pastaj një shok i tij tha ta likuidojmë por Jovani tha jo jo se është shok i imi. Së bashku me të kanë qenë një grup me shami të lidhura në kokë, shumica prej tyre me gjak në fytyra dhe rroba. Në një moment Nikolič Jovan më tha se: “të gjithë shqiptarët e Krushë së Vogël i kemi vra dhe i kemi ba sapun. Në mesin e tyre e kemi vra edhe bagjanakun tuaj Lutfi Ramadanin.” Do të ishte mirë që Nikolič Jovan tregojë për ngjarjen e Krushës së Vogël në cilësinë e dëshmitarit. – ka thënë Avokati Esat Guta.
SI U ZHVARROSËN KUFOMAT NGA VARRET E KRUSHËS SË VOGËL?!
Dëshmitarit Dritan Limani, nga fshati Krushë e Vogël, i cili në kohën e masakrës në fshat, ishte strehur në fshatin Xërxë, i kujtohet mirë, kur, më 04. 04. 1999 banorëve të fshatit Xërxë iu ipet ultimatum nga policia serbe ta lëshojnë fshatin dhe të nisen për në Shqipëri. Gjatë udhëtimit, – thotë Dritani, – duke kaluar pranë varrezave të fshatit Krushë e Vogël pashë 20-30 varre të reja. Atë ditë na kthyen në gjysmën e rrugës. Të nesërmen më 05. 04. 1999 përsëri na urdhëruan të shkojmë për në Shqipëri. Tani duke kaluar pranë këtyre varreve pashë se ato ishin duke u hapur nga një numër personash dhe kufomat e zhvarrosura po vendoseshin në një kamion.”
– Varrezat e Krushës së Vogël –
* * *
Ndërkaq Kirurgu i njohur Dr.Hidajet Lutfiu, i cili atëkohë ka punuar në spitalin e Prizrenit, ka deklaruar, se: “Deri sa punoja në spital (të Prizrenit – Sh.B) gjatë kohës së luftës, policia serbe më urdhëroi të bëja autopsinë e rreth 25 meshkujve. Ishin të moshës prej 18-45 vjeç. Raportin komplet rreth autopsisë së këtyre personave e mbajti prokurori i Prokurorisë së Qarkut të Prizrenit, Jugosllav Skenderi, i cili ishte i pranishëm me atë rast. Nga biseda që zhvillohej në mes policëve serb dhe prokurorit Jugosllav Skenderi (boshnjak i ikur pas luftës në Serbi) kuptova se të vrarët ishin nga Krusha e Vogël”. – thotë Dr. Hidajet Lutfiu.
( VIJON… )
================================
– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426
PJESA E TRETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1429
PJESA E KATËRT:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1436
PJESA E PESTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1443
PJESA E GJASHTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1446
PJESA E SHTATË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1452
PJESA E TETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1456