Pashtriku.org, 10. 04. 2013 – (ҪKA THONË BANORËT E KRUSHËS SË VOGËL, NË APELIN – DREJTUAR: “INSTITUCIONEVE VENDORE DHE NDËRKOMBËTARE NË KOSOVË, ORGANIZATAVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT DHE SHOQËRISË CIVILE”, LIDHUR ME MASAKRËN E 25/26 MARSIT 1999 DHE PROVOKIMET E UNMIK-ut&EULEX-it, ME VIZITAT E KRIMINELËVE NË KRUSHË TË VOGËL)
– Dihet mirëfilli, se, gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë, dhe 90% prej tyre ishin civilë të pa armatosur. Vetëm në fshatin Krushë e Vogël, që para luftës, kishte 850 banorë shqiptarë, më 25/26 mars 1999, u vranë e u dogjën pamëshirë 112 mashkuj, ndërsa në tetor 1999 nga mina e këmbësorisë serbe u mbyt edhe një fëmijë 13 vjeçar. Nga kjo masakër rezulton se kanë humbur jetën rreth 70% e mashkujve, nga mosha 13 – 77 vjeç. Ndërkaq, sot në Krushë të Vogël jetojnë 82 gra të veja me 145 fëmijë jetimë, ndërsa 10 familje kanë mbetur pa asnjë mashkull në shtëpi! Në varrezat e fshatit (afër Tyrbes) prehen 26 martirë, ndërsa 87 të tjerë konsiderohen të zhdukur! Krusha e Vogël deri në vitin 1999 kishte 145 shtëpi banimi, dhe vetëm 8 prej tyre kanë shpëtuar pjesërisht nga djeg’ja dhe shkatërrimi. Këto ishin disa të dhënë të evidentuar në raportin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999” – Krushë e Vogël.
Shoqata “26 Marsi 1999”, pas përfundimit të luftës ka mbledhur dëshmi rreth masakrës së 25/26 marsit 1999 në Krushë të Vogël, dhe ato ia ka dorëzuar institucioneve ndërkombëtare dhe vendore të drejtësisë, si: Prokurorisë Publike në Prizren, (më 24.01.2003); Prokurorisë Publike në Prishtinë, (më 02. 04. 2003 dhe më 06. 11. 2003); Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-t në Prishtinë, (më 27.11.2003); Njësisë së Policisë së UNMIK-t për Krime Lufte – Prishtinë, (më 02.04.2005 dhe 14.06.2005); Prokurorëve të UNMIK-ut, Michael Hartmann dhe Robert Dean (më 14.06.2005 dhe 22.06.2005); Kreut të policisë, Kai Vittrup – komisar i policisë së UNMIK dhe Sheremet Ahmetit – komandant i SHPK-ës (më 10. 05. 2005); Njësisë së Tribunalit të Hagës-Prishtinë, Lubomir Jozefciak-hetues (më 30. 07. 2005), EULEX-it etj.
Edhe pse, përgjegjësit e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë, policia, prokuroria dhe gjykata e UNMIK-ut (nga viti 1999 – 2008) dhe këta të EULEX’it (2008 – 2013), si dhe policia, prokuroria dhe gjykata e Kosovës, kishin në dorë dosjen e Krimit të kryer në Krushë të Vogël, deri më sot duket se askush prej tyre nuk ka marrë veprime konkrete për t’i sjellur përpara drejtësisë vrasësit e 112 mashkujve të këtij fshati.
Madje as institucionet shtetërore të Kosovës: qeveria, presidenca, kuvendi, partitë politike, as shoqëria civile, nuk kanë bërë asnjë përpjekje serioze në këtë drejtim.
Pra, edhe pas 14 vjetësh nga Masakra e kryer në Krushë të Vogël, krimi ka mbetur i pandëshkuar!
Kjo neglizhencë e përgjithshme, ka bërë që banorët e Krushës së Vogël t’i drejtohen me një APEL – institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, organizatave për të drejtat e njeriut, dhe shoqërisë civile. Ҫka thonë banorët e Krushës së Vogël në APEL?
=================================
A P E L
INSTITUCIONEVE VENDORE DHE NDËRKOMBËTARE NË KOSOVË, ORGANIZATAVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT DHE SHOQËRISË CIVILE
Për opinionin në Kosovë dhe jashtë saj, është e njohur se më 26 mars 1999 në fshatin Krushë e Vogël (Prizren) ndodhi njëra ndër masakrat më të mëdha në historinë më të re të Kosovës. Për të painformuarit eventual, po e bëjmë edhe një përshkrim të shkurtër tërë asaj vrasje masive.
Fshati Krushë e Vogël i takon komunës së Prizrenit dhe gjendet në kilometrin e 13 të magjistales Prizren-Gjakovë. Në fshat, para luftës, jetonin rreth 850 banorë shqiptarë, 150 serbë dhe 15 romë.
Më 25. 03. 1999, rreth orës katër të mëngjesit mu pranë fshatit tonë vendosen forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe të përcjellura nga makineri luftarake si: tankse, kundërajror (praga), autoblinda etj. Pas ca kohësh këtyre forcave të ardhura kryesisht nga Prizreni iu jepet shenjë nga serbët e fshatit tonë dhe ata fillojnë të marshojnë kah fshati, duke filluar djeg`jen e shtëpive të para. Duke parë një gjendje të tillë, banorët shqiptarë i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe largohen në periferi të fshatit, me shpresë se përsëri do të kthehen në shtëpitë e tyre pasi barbarët serb do ta kryenin plaçkën e tyre. Nëntë persona të cilët nuk i lëshuan shtëpitë tyre më 25. 03. 1999 u morrën mu atë ditë dhe nuk dihet gjë për fatin e tyre.
Pasi në mesin e popullatës së larguar kishte mjaft foshnje disa ditëshe dhe disa javëshe, gra shtatzëna, fëmijë të mitur e pleq dhe pasi koha ishte e ftohtë, e sidomos në mbrëmje, banorët vendosin që natën ta kalojnë në disa shtëpi të cilat janë ndër shtëpitë e fundit të fshatit.
Të nesërmen më 26. 03. 1999 rreth mesditës, të udhëhequr nga serbët lokal, të cilët ishin të armatosur pa përjashtim, bashkë me forcat shtesë (kryesisht forca policore), rrethohen civilët shqiptar në ato shtëpi ku ishin vendosur (grumbulluar) më parë. Pastaj urdhërohen që gratë dhe fëmijët e moshës nën 13 vjeç të shkojnë në Shqipëri, kurse të tjerët të qëndrojnë aty.
Të kota ishin lutjet e nënave, motrave e bashkëshorteve drejtuar serbëve vendas (fqinjë të deridjeshëm) për t’i lëshuar të tjerët, sepse ata ishin edhe më agresivë se ata që iu kishin ardhur të ju ndihmojnë. Shumë fëmijë (me rastin e ndarjes) të cilët tentonin të shkonin me nënat e tyre ndaheshin me forcë. Në këtë veprimtari më të dalluar ishin serbët nga fshati ynë.
Pasi gratë dhe fëmijët e vegjël urdhërohen të shkojnë në Shqipëri, pleqtë, burrat, të rinjët dhe fëmijët e moshës mbi 12 vjeç, të cilët ishin ndalur, urdhërohen të shkojnë në një shtëpi tjetër. Gjatë kësaj rruge ata ruhen të mos ikin kryesishtë nga serbë vendës. Pasi iu marrin të hollat, çelësat e automjeteve, dhe dokumentët futen në këtë shtëpi. Ishin 109 persona që u detyruan të futën. Shtëpia ishte përdhese dhe kishte dy dhoma dhe një koridor. Pastaj mbi këtë masë të madhe njerzish fillon gjuajtja me armë automatike. Dhe pas mitralimit të kësaj mase njerzish, kësaj shtëpie i vëhet zjarri nga serbët. Kishte një numër të madhë të plagosurish, të cilët nga plagët kishin filluar të digjeshin për së gjalli. Kishte persona të cilët nuk i kishin goditur plumbat dhe duke e parë një gjendje të tillë ngriten (pasi ishin paraqitur si të vrarë) dhe fillojnë të largohen nga vendi i krimit. Në ikje e sipër vriten edhe disa persona që arrijnë të dalin nga ajo shtëpi dhe numri i atyre që përfundimishtë shpëtuan nga 109 është vëtëm 6 gjashtë.
Dëshmitarët që shpëtuan nga kjo masakër (6 persona) thonë se duke ikur nga kjo shtëpi ne lamë mjaftë të plagosur që nuk mund të iknin për shkak të plagëve, por se çka u bë me ata ne nuk dimë. E tërë masakra është udhëhequr nga serbët vendës. Për dy ditë u rrëmbyen (zhdukën) dhe u vranë 112 civilë shqiptarë. Shtëpia ku është kryer krimi më 26. 03. 1999 është shkatërruar nga serbët dhe në të janë bërë dy gropa të thella për tu krijuar përshtypja se e tërë kjo masakër është rezultat i sulmeve ajrore të NATO-s.
Në këtë masakër janë vrarë (zhdukur) 112 shqiptarë nga 13 deri në 77 vjeç. Mbas kthimit të popullësisë nga Shqipëria, vritet edhe një fëmijë 12 vjeçar nga minat që serbët i kishin vendosur në fshat dhe numri i të vrarëve arrin në 113.
Shprehur në përqindje, në Krushë të Vogël janë vrarë (zhdukur) rreth 70% e meshkujve nga mosha 13 vjeçare deri në atë më të vjetrin. Pra, është masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë. Si pasojë e kësaj masakre fshati ka 82 të veja dhe 145 fëmijë jetimë. Dhjetë familje kanë mbetur pa asnjë mashkull në shtëpi, pra pa mundësi reprodukimi në të ardhmen. Familjet kanë të humbur nga 1 deri në 9 anëtarë. Nga 145 shtëpi banimi vetëm 8 i patën shpëtuar djeg’jes. Që nga 26 marsi i vitit 1999 janë rivarrosur vetëm 22 persona, gjersa ende mbeten të zhdukur 91 persona.
Menjëherë pas luftës, në bazë të asaj që ka ndodhur, kemi pritur që organet e hetuesisë do të vijnë në fshat, do të fillojnë hetimet dhe kudo dhe kurdo që do t’u jepet mundësia do të bëjn arrestimin e autorëve (ekzekutorëve) të masakrës së Krushës së Vogël dhe në këtë mënyrë, pos të tjerash do të sqarohet saktësisht edhe fati i personave të zhdukur (91 persona tani figurojnë ende të zhdukur, kurse atëherë figuronin 109). Përmasat e krimit të cilat i kishte përjetuar ky fshat kishin bërë që ndër banorët tanë të krijohej një bindje e thellë, se s’do mbetej institucion vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë dhe jashtë saj, pa bërë përpjekje të sillnin vrasësit para drejtësisë. Por e tërë kjo kishte qenë një iluzion dhe asgjë më shumë. Gjatë këtyre viteve asnjë prokuror, gjykatës, avokat vendor apo ndërkombëtar nuk është parë në fshatin tonë. Duke e parë një mosinteresim të tillë, ne vendosëm të shkonim te ata dhe t’u tregonim se çka kishte ndodhur kundër popullatës shqiptare të këtij fshati. Përgatitëm një material (dëshmi) i cili sqaronte tërë tragjedinë kolektive të këtij fshati, sqaronte kryesit e krimeve dhe rrethanat në të cilat u kryen këto krime.
Ky material i është dorëzuar:
Prokurorisë Publike në Prizren, më 24. 01. 2003 me numër PPN. 187/03
Prokurorisë Publike në Prishtinë, më 02. 04. 2003 dhe përsëri me 06. 11. 2003
Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-t në Prishtinë, më 27. 11. 2003 te Christopher Maxwell (Drejtor i Departamentit të Drejtësisë së UNMIK- ut për krime)
Njësisë së Policisë së UNMIK-t për Krime Lufte – Prishtinë, më 02. 04. 2005 dhe 14. 06. 2005 (hetuesve; James Dobrinski, Axel Stueve, Shahzada Sulltan etj)
Prokurorëve të UNMIK-ut: më 14. 06. 2005 dhe 22. 06. 2005 Michael Hartmann dhe Robert Dean, Kreut të policisë: më 10. 05. 2005, Kai Vittrup – komisar i policisë së UNMIK dhe Sheremet Ahmeti – komandant i SHPK-ës
Njësisë së Tribunalit të Hagës – Prishtinë, më 30 07 2005; Lubomir Jozefciak-hetues etj.
Fatëkeqësisht, asnjë nga institucionet e lartëpërmendura, që nga përfundimi i luftës e gjer më tani nuk ndërmorrën asgjë për të sjellur para drejtësisë ata të cilët janë përgjegjës për vrasjet masive në Krushë të Vogël. Madje do të duket paradoksale por strukturat e UNMIK-ut vazhdimisht kan qenë në shërbim të atyre që kanë bërë krime në Krushë të Vogël dhe më gjerë.
Për të konkretizuar këtë, po i sjellim vetëm disa dëshmi:
I. Më 21. 04. 2002, ditë e diele, ora 13, në fshatin tonë vie një automjet i bardhë i UNMIK-ut me tabelë: UN 20714. Në automjet gjendeshin tre persona: 1 mashkull dhe 2 femra. Mashkulli mbante një aparat fotografik, me të cilin vazhdimisht fotografonte shtëpitë, banorët të cilët i haste në rrugë e në oborret e shtëpive të tyre pa lejen e tyre dhe përkundër kundërshtimit të tyre. Fotografitë i bënte nga brendia e automjetit. Kur dikush tentonte të afrohej afër automjetit për marrë shpjegime për këto veprime, vozitësi e niste e ngaste) automjetin me shpejtësi të madhe. Bëri fotografi në shumë pika (pozita) të fshatit, dhe asnjërit që tentoi të bisedonte, nuk iu ndal t’i jep shpjegime, përkundrazi disa kishte tentuar t’i godiste me automjet, si veprim për t’i frikësuar dhe larguar nga rruga. Policia në Prizren, njoftohet për këtë rast, por gjer më sot nuk ka dhënë përgjigje.
II. Më 15. 02. 2003 marrim informatat të verifikuaraë (100%) se fotografitë të cilat i kishte bërë automjeti me tabelë UN – 20714 ju kishin dërguar kriminelëve serbë të Krushës së Vogël, të cilët gjendeshin në Serbi dhe të cilët nuk guxonin të ktheheshin në vendin e krimit. Fotografitë e dërguara në Serbi përputheshin me vendet ku automjeti i lartëpërmendur kishte fotografuar. Informata e tillë bëri që me ditë të tëra të diskutohej dhe të rrisë një pezëm të papërshkruar në mesin e banorve të fshatit tonë kundrejt UNMIK-ut. Gjithnjë në fshatin tonë shpresohej se UNMIK-u do të përpiçej që kriminelët e tillë do t’i kërkonte t’i arrestonte me çëllim t’i dënonte dhe të shpjegonin se ku i zhdukën 112 civilë nga fshati Krushë e Vogël. Por fatkeqësisht ndodhi e kundërta, ata ju ofronin informata në mënyrë sitematike!!!
III. Më 22. 02. 2003, ditë e shtunë, ora 13 në fshatin tonë vie një automjet i bardhë i UNMIK-ut me tabelë UN-10121. Në atë automjet gjendeshin tre meshkuj. Mbanin rroba civile. Në ulësen e prapme gjendej njëri nga këta tre meshkuj i cili mbante një fotoaparat, me të cilin bënte fotografi nga brendia e automjetit. Sikurse në rastin e parë edhe ky person bënte fotografi në stilin mafioz. Shumë persona që iu ekspozonin fotografimit të atyre, shprehnin kundërshtimin dhe revoltën e tyre, por kjo nuk iu bënte përshtypje. Meqë masa, kryesisht e gjinisë femrore, ishte e elektrizuar nga rasti i parë, veprimet e këtyre të fundit bënë që ky elektrizim të arrijë vlerat ekstreme.
Automjeti bëri disa xhiro (rrethe) nëpër fshat. Shumë gra dhe fëmijë në shenjë revolte nga një provokim i sërishëm i tillë u mblodhën masovikisht. Pas ca kohësh i tërë fshati u alarmua dhe u shëndrrua në një anarki (rrëmujë), derisa të lartëpërmendurit ikën me automjet. Poashtu, përsëri policia në Prizren, njoftohet për këtë rast dhe popullata e fshatit merrë premtime se nuk do të ketë më këso veprime provokative, por kjo më vonë doli se nuk ishte e vërtetë.
IV. Më 2003, serbi nga Krusha e Vogël, Blagoje Nikoliç i cili kishte marrë pjesë në masakrën e Krushës së Vogël, së bashku me disa serbë të tjerë e vizitojnë një kishë në periferi të Prizrenit. Policia e UNMIK-ut informohet për këtë person, por nuk e arreston atë. Përkundrazi ai sigurohet nga policia e UNMIK-ut dhe ushtarët e KFOR-it dhe lejohet të ikë për në Serbi. Ndërmjet personave që informoi policinë e UNMIK-ut ishte edhe i mbijetuari i masakrës, Lutfi Ramadani i cili në këtë masakër humbi dy bijtë e tij, vëllaun dhe djalin e vëllaut. Pra policia e UNMIK-ut u informua për këtë person nga i mbijetuari i kësaj masakre (dëshmitari okular), por kjo nuk kishte asnjë efekt për ta. Ata bën gjithçka që Bllagoje Nikoliç të kthehet nga ka ardhë, por jo të arrestohet.
V. Kulmi i këtyre veprimeve, që nuk mund të quhen ndryshe pos solidarizim i UNMIK-ut me vrasjet masive në Krushë të Vogël, ndodhi më 25 maj 2006, me rastin e një vizite spektakulare të një konvoji të automjeteve të policisë së UNMIK-ut. Më 25 maj 2006, një konvoj i automjeteve të policisë së UNMIK, i cili kishte rreth 20 automjete, hyri në fshatin Krushë e Vogël. Për banorët e Krushës së Vogël, kjo vizitë ishte e pazakonshme, për faktin se nuk ishin mësuar të shihnin një numër kaq të madh të automjeteve brenda fshatit. Zakonisht shihnin numër më të vogël të automjeteve të UNMIK-ut apo KFOR-it , por jo 20 apo më shumë. Ky konvoj kishte bërë disa gjiro nëpër fshat, duke filluar nga varrezat e serbëve dhe duke përfunduar te vendi ku ishte kryer masakra. Njerzit kishin filluar të dyshonin për këtë. Veçanërisht disa gra, kishin diktuar se në mesin e policëve të UNMIK-ut kishte edhe disa serbë nga Krusha e Vogël, të cilët serbë ishin vërejtur, kur policia e UNMIK-ut, së bashku me ta kishin shkuar te varrezat e serbëve dhe kishin dalur t’i vizitojnë në këmbë këto varreza.
Por poashtu këto gra, duke u afruar afër automjeteve, vërejtën se brenda tyre ishin serbët nga Krusha e Vogël: Borislav Cvetkovič dhe Gordana Ðorgjevič. Borislav Cvetkovič ishte person i cili së bashku më vëllaun e tij (Đorđe Cvetkovič), ndanin fëmijët shqiptarë nga nënat e tyre, për ti ekzekutuar pastaj. Ai, në mesin e shumë fëmijve ndau edhe dy fëmijët e Nexhmije Batushës (Enverin dhe Visarin) dhe dy fëmijët e Vezire Batushës (Burimin dhe Lirimin).
Në mesin e shumë grave që ishin afruar te automjetet e UNMIK-ut ishte edhe Nexhmije Batusha, e cila me të parë Borislav Cvetkovičin njofton gratë dhe policët në fjalë se Borislavi nga brendia e automjetit po i kërcënohet me gjeste duke i thënë se përsëri do të ju presim në fyt, përkundër faktit se kjo donte ta pyeste atë për fatin e bashkëshortit dhe dy djemve të saj që personalisht ai serb ja kishte marrë. Edhe shumë gra të tjera u afruan për të pyetur se ku i kanë lënë trupat e familjarëve të tyre, sepse askush më mirë se ata që kanë qenë aty nuk e di. Por policia, në përpjekje për të larguar turmën e grave dhe fëmijëve të mbledhur, nuk ka kursyer askënd që ka qenë atypari duke përdorur shkopinjë gome, grushta, gaz lotësjellës madje edhe shkrepje armësh në ajër.
Krushë e Vogël, 29 prill 2007: Delegacioni i OKB-së në krye me ambasadorin e Belgjikës, gjatë vizitës në Kosovë ka vizituar edhe Krushën e Vogël. Në oborrin e shkollës së fshatit, ky delegacion, (i shoqëruar nga kryeadministratori i Kosovës, Joachim Rücker dhe komandanti i KFOR-it, Roland Kather), u prit nga fëmijët me fotografi, të prindërve e vëllezërve të tyre në duar, të cilët më 25/26 mars 1999, u vranë, u masakruan dhe në fund u dogjën, nga forcat kriminale serbe!
Krushë e Vogël, 29 prill 2007: Delegacioni faktmbledhës i amabasdorëve të OKB-së përballë nënave dhe grave të Krushës së Vogël, të cilave më 25/26 mars 1999 forcat kriminale serbe, ua vranë, masakruan e dogjën, pa mëshirë, djemtë dhe burrat e tyre!
* * *
Të njëtën gjë e tregon edhe Afrim Batusha, i cili i gjakosur tërësisht, tregon se incidenti ka filluar kur gratë kanë kërkuar nga policia që t’i lejojnë t’i pyesin serbët e fshatit të tyre, se ku mund t’i gjejnë të afërmit e tyre të vrarë. Por policët nuk pranuan dhe filluan të sulmojnë gratë e veja dhe fëmijët jetimë duke i rrahur dhe rrëzuar përtokë. Ai rrëfen se policët që kanë sulmuar kanë qenë rusë, gjermanë dhe amerikanë. Këtë tmerr e kishin përjetuar rreth 40 banorë të fshatit tonë, shumica absolute e tyre femra. Kjo polici duke u tërhequr nga fshati, kur kalon pranë shkollës, hedhë në oborr të shkollës gaze lotësjellës, duke traumtizuar shume nxënës të kësaj shkolle fillore. Nga dhuna e policisë së UNMIK-ut, rreth 40 banorë të fshatit, prej tyre 37 femra, ishin trajtuar në Qendrën Spitalore të Prizrenit, disa prej të cilëve me javë të tëra kishin qëndruar në spital si rezultat i lëndimeve më të rënda nga rrahjet dhe rrëzimet.
Menjehërë pas kësaj dhune të shfrenuar të policisë së UNMIK-ut, fshatin tonë e vizitojnë disa herë autoritetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë. Zëvendës kryeadministratori, Steven Schook, komisar i policisë së UNMIK- Kai Vittrup, komandant i SHPK-ës Sheremet Ahmeti, autoritetet më të larta komunale etj., ishin disa nga vizitorët e shumtë që erdhën të njoftohen dhe njëkohësisht të na ngushllojnë për këtë dhunë që pësuam nga policët gangster të UNMIK-ut.
Në këto takime që u mbajtën me autoritetet e lartëpërmendura, u kërkua të merren masa ndaj atyre që e ushtruan këtë dhunë. Autoritetet e cekura disa herë kërkuan falje për këtë incident dhe premtuan se do të ndërmarrin gjithçka që shkelësit e detyrës zyrtare të japin përgjegjësi. Me kalimin e kohës ne vërejtëm se nuk kishte asgjë konkrete në këtë drejtim, por pasi zyrtarët e lartëpërmendur kërkuan disa herë falje për këtë incident dhe premtuan se kurrë më këso provokimesh nuk do të ketë, atëherë konsideruam që edhe ne duhet të jemi tolerantë ndaj këtij incidenti.
* * *
Por gjithçka ndryshoi më 3 mars 2009, kur njëri nga personat më të keqtrajtuar të këtij incidenti Afrim Batusha, ftohet nga gjykata e EULEX-it në Prizren në cilësinë e të pandehurit. Askush nuk besonte se pas tërë asaj dhune të shfrenuar të përdorur ndaj banorëve të fshatit tonë dhe pas atyre kërkimfaljeve të disahershme, do t’i shkonte ndërmend dikujt që nga viktima të kërkonte përgjegjësi. Por kjo megjithatë ndodhi.
Në shkresën e nënshkruar nga prokurori i EULEX-it, Gabriele Casalena, Afrim Batusha akuzohet për 5 vepra penale apo krime siç thuhet:
1. nxitje e urrejtjes, përçarjes ose e mos durimit kombëtar, racor, fetar ose etnik,
2. sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare,
3. pjesëmarrje në grupin që pengon personat zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare,
4. pjesëmarrje në grup që kryen vepër penale dhe
5. dëmtim i pasurisë së luajtshme.
Paramendoni këtë situatë, kur një grup i policive të UNMIK-ut, e shëtit kryesin e krimit (Borislav Cvetkovič) në vendin e krimit (Krushë të Vogël), rrah shumë familjarë të viktimave, në mesin e tyre shumë gra të veja dhe fëmijë jetim, krerët e saj kërkojnë disa herë falje për këtë akt brutal, kurse në fund kjo polici na paraqitet si viktimë.
Ne, si popullatë e këtij fshati gjithmonë kemi konsideruar se UNMIK-u gjatë tërë kohës ka qenë në shërbim të interesave serbe, ka mbrojtur krimin dhe kriminelët serbë, por këtë nuk kemi dashur ta besojmë se këtë kurs politik do ta vazhdon edhe EULEX-i, pavarsisht faktit se shumë zyrtar të UNMIK-ut vetëm e kanë ndërruar uniformën me atë të EULEX-it.
Ne kemi pritur që EULEX-i do të vie në fshat dhe përmes veprimeve të tij në drejtim të hetimit të këtij gjenocidi në nivel lokal, do të tregon konstruktivitetin e tij dhe në të njëjtën kohë do të jep shembullin konkret të distancimit nga përkrahësit dhe bartësitë e krimeve të kohës së Millosheviqit, por veprimi i fundit i EULEX-it tregon se në fakt në raport me krimet serbe në Kosovë, EULEX-i ka ndrruar vetëm uniformën por jo edhe qasjen.
Me ardhjen e EULEX-it përfundimisht menduam se është braktisur një praktikë e deritanishme e UNMIK-ut e solidarizimit me terroristët serbë dhe torturimit të viktimave të terrorit serbë, por kjo paska qenë vetëm një iluzion dhe asgjë më shumë. Ftesa e fundit në këtë gjykatë ndaj personit që serbët i vranë 5 anëtarë të familjes së tij kurse UNMIK-u e keqtrajtoi brutalisht duke i lënë pasoja fizike edhe tani, e demanton këtë.
Prandaj duke e parë një sjellje identike të EULEX-it mu sikurse të UNMIK-ut, ndaj familjeve të viktimave në Krushë të Vogël, dëshirojmë të njoftojmë opinionin në Kosovë, institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut etj., se nuk do të lejojmë që dëshirat sadiste të serbëve të ikur nga vendi i krimi kundër popullatës së mbetur shqiptare të këtij fshati, të plotësohen njëherë përmes UNMIK-ut e tani përmes EULEX-it.
Nuk do të lejojmë që sa herë grupet kriminale serbe të ikura nga Krusha e Vogël, të kërkojnë përmes struktutave ndërkombëtare në Kosovë, të ju plotësohen dëshirat sadiste të tyre, strukturat ndërkombëtare të vinë të na rrahin, fyejnë dhe së fundi përmes proceseve gjyqësore të tentojnë të na burgosin.
EULEX-i vazhdimisht thekson se rrënjësisht dallon nga UNMIK-u, sa i përketë efektshmërisë së veprimit të tij, por kjo nuk do të thotë se ata (EULEX-i) që në start duhet të sulen ndaj viktimave të terrorit serb, sikurse kanë filluar me rastin tonë dhe shumë raste të tjera në Kosovë.
EULEX-i mund të dëshmojë se nuk ka asgjë të përbashkët me UNMIK-ut, duke u distancuar dhe denoncuar publikisht dhe praktikisht sjelljen destruktive të UNMIK-ut ndaj viktimës dhe ledhatimin sistematik të terrorit dhe terroristëve serbë.
Apelojmë te të gjithë ata të cilët janë përmendur më lartë dhe të cilët nuk janë përmendur, të ndikojnë te EULEX-i në ndaljen e këtyre proceseve gjyqësore të nxitura nga motive të pastra politike, të ndikojnë në ndaljen e kësaj histeria antishqiptare, të ndikojnë që të ndërpren këto provokocione më të fundit ndaj kësaj popullate të mbijetuar nga masakra serbe.
Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se provokacioni i fundit i EULEX-it ka për qëllim të largoj vëmendjen nga krimet e bëra në Krushë të Vogël, të largojë vëmendjen nga mosinteresimi i institucioneve ndërkombëtare për të sjellur para drejtësisë kryesit e kësaj masakre dhe në të njëjtën kohë të disiplinojë këtë fshat, përmes mesazhit të nënkuptueshëm, sipas të cilit se pavarësisht se kë (cilin kriminel) e sjellin institucionet ndërkombëtare në fshat, banorët e Krushës së Vogël nuk guxojnë të reagojnë, sepse në të kundërtën do të ndiqen penalisht.
Në fund, përveç apelit, në të njëjtën kohë paralajmërojmë opinionin se për çfardo pasoje që do të mund të ndodhë në fshat, me rastin e provokacionit më të ri të EULEX-it, ne nuk do të bartim këtë përgjegjësi, por këtë do ta bart provokuesi.
BANORËT E KRUSHËS SË VOGËL – NËNSHKRUESIT E APELIT:
– FUND –
___________________________
REFERENCAT:
1. Materiali: Masakra në Krushë të Vogël – (Shoqata për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”- Krushë e Vogël (Agron Limani, kryetar)
2. Apeli – i banorëve të Krushës së Vogël, dërguar-Institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, organizatave për të drejtat e njeriut, shoqërisë civile (KMDLNJ – Dega rajonale, Prizren)
3. Dosja: Dëshmi të krimeve serbe në fshatin Krushë e Vogël:
– Dëshmitari: Bajram Zylfiu – i mbijetuar i masakrës serbe në Krushë të Vogël – 13.07.2008 (Agron Limani & Qemajl Krasniqi)
– Dëshmia e Xhafer Hajdarit (Agron Limani & Qemajl Krasniqi)
– Dëshmia e Shaban Avdylit
– Dëshmia e Mehmet Ukë Krasniqit – Krushë e Vogël, 24 shtator 2008 (Agron Limani& Qemajl Krasniqi)
– Dëshmia e Litafete Batushës
– Dëshmia e Petrit Rashkaj
– Dëshmia e Lutfi Ramadanit – i mbijetuar i masakrës serbe në Krushë të Vogël
– Dëshmia e Negjmije dhe Selvete Hajdarit
– Dëshmia e Nagjije Shehut
– Dëshmia e Qamil Shehut – i mbijetuari i masakrës në Krushë të Vogël – 12.09.2008
– Dëshmia e Drita Hajdarit
– Dëshmia e Zahrije Rashkajt,
– Dëshmia e Zeqir Budakovës
– Dëshmia e Ajshe Shehut
– Dëshmia e Gani Zylfiut – Mars 2013
4. Dëshmia e BajramZylfiut – Krushë e Vogël, 03 Janar 2012.
5. Dëshmia e Bajram Zylfiut: Krushë e Vogël- (KMDLNJ- Dega rajonale, Prizren)
6. Dëshmia e Gani Zylfiut – Krushë e Vogël, 13 gusht 2012
7. Dëshmia e Leart Batushës, Krushë e Vogël, 03 Janar 2012/13 gusht 2012
8. Sanije Gashi: Histori të tmerrit 1998 – 1999, Prishtinë, 2009
9. Gjykimi i kryekriminelit të Ballkanit në Tribunalin e Hagës, Zëri – 10 korrik 2002, faqe.6.
10. Ibrahim Koçi – Gjenocidi serb në Kosovë në prag të shekullit XXI, Prishtinë 2002.
11. Prof.Dr.Jusuf Osmani: Krimet e Serbisë në Kosovë 1998 – 1999 (Libri 2) , Prishtinë 2010.
12. Dr.Sabahadin Cena: Burimi i Epërm i Anadrinit (ish’Pataçani i Epërm) – Monografi për dëshmorin e kombit: Sakip Xhemajli Bellaqa, Prizren 2006.
13. Dokumentari i gazetarit anglez John Sweeney: Masakra në Krushë të Vogël – http://www.youtube.com/watch?v=IKTGsuQm-s0
===========================
– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426
PJESA E TRETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1429
PJESA E KATËRT:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1436
PJESA E PESTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1443
PJESA E GJASHTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1446
PJESA E SHTATË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1452
PJESA E TETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1456
PJESA E NËNTË
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1459
PJESA E DHJETË
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1467