SHERADIN BERISHA: NË 76 VJETORIN E BOTIMIT TË GAZETËS “RILINDJA” (12. 02. 1945 – 12. 02. 2021)

Pashtriku, 22 shkurt 2021: Më 12 shkurt 1945, në Prizren, (kryeqyteti i parë i Kosova Metohisë – “Kosmetit”), doli numri i parë i gazetës në gjuhën shqipe “Rilindja”. Gazeta “Rilindja” ishte Organ i Frontit të Përbashkët Nacional Çlirimtar të Kosmetit. Emrin ‘Rilindja’ ia vuri shkrimtari, Esat Mekuli, ndërsa Kryeredaktori i parë i gazetës “Rilindja” ishte intelektuali i kohës, Xheladin Hana.
Autorët e shkrimeve të numrit të parë të gazetës “Rilindja” ishin bashkëpuntorët e fletores “Lirija – Slloboda”. Ishte një fletore ilegale partizane që dilte në emër të Shtabit Operativ për “Kosmet”. Kryeartikullin e këtij numri e shkroi Komandanti i shtabit operativ të “Kosmetit”, Fadil Hoxha.
Numri i parë u shtyp në Prizren në rrugën Juro Jakshiç, nr.17, dhe doli një herë në javë deri në qershor 1948. Fillimisht kishte vetëm në katër faqe, të gdhendur manualisht me shkronja plumbi.
Nga qershori 1948 “Rilindja” filloi të dalë dy herë në javë (të dielave dhe të enjteve).
Në vitin 1949, “Rilindja” organizoi kursin e parë të gazetarisë në Graqanicë!
Në vitin 1950, u themelua shtëpia botuese “Mustafa Bakija”, e cila fillimisht merrej me përkthimin e veprave të huaja.
Në vitin 1953, kjo shtëpi botuese boton librat e parë për fëmijë “Gjethet e Reja” të Rexhep Hoxhës dhe “Përrallat e gjyshit” të Mark Krasniqit.
Në vitin 1955, botohet përmbledhja me poezi “Për ty” nga Esad Mekuli dhe Romani i parë “Rrushi ka nisë me u pjekë” i Sinan Hasanit.
Në vitin 1956, shtëpia botuese “Mustafa Bakija”, integrohet në shtëpinë botuese “Miladin Popoviç”. Dhe ndërkohë kjo shtëpi botuese merr emrin Shtëpia Botuese “Rilindja”.
Gjatë historisë së saj kishte për kryeredaktorë: Stathi Kostarin, Mehmet Gjevorin, Ali Rexhën, Ramiz Kelmendin, Fahredin Gungën, Rrahman Dedajn dhe Nazmi Rrahmanin.
Nga nëntori 1958 gazeta “Rilindja” bartet në Prishtinë në ndërtesën e burgut të qarkut.
Nga numri 60-të del si gazetë e përditshme, përveç ditës së premte. Drejtor i Rilindjes së përditshme ishte Ymer Pula, ndërsa kryeredaktor, Asllan Fazliu.
Nga viti 1964 Rilindja del çdo ditë në 20 faqe, ndërsa të shtunave dhe ditëve të festave 24 – 32 faqe.
Në vitin 1971, projektohet Pallati i Shtypit “Rilindja” nga arkitekti maqedonas Georgi Konstantinovski. Pallati u projektua me detaje specifike të ventilimit të ajrit të cilat së jashtmi përceptohen si detaje të fasadës trekëndore të pallatit, maketë e huazuar nga arkitekti amerikan Paul Rudolph. Objekti u ndërtua në 18 kate me sipërfaqe prej 50 mijë m., katrorë.
Nga viti 1978, redaksia e gazetës “Rilindja” vendoset në objektin e ri të pallatit të shtypit.
Nga viti 1973, “Rilindja” nxjerr edhe një numër revistash me profile të ndryshme siç ishin: Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bat etj.
Në vitin 1979, u formua Organizata Themelore e Punës së Përbashkuar (OTHPB) e cila brenda kishte këto organizata:
1. OTHPB e Redaksia Rilindja,
2. OTHPB e Revistave,
3. OTHPB e Zërit të Rinisë,
4. OTHPB e Redaksisë së Botimeve,
5. OTHPB Shtypshkronja,
6. OTHPB e tregtisë me shumicë, pakicë, eksport, import,
7. Shitja dhe propaganda ekonomike.
Më 5 korrik 1990, Serbia mori vendim për suprimimin e Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast, shërbimet administrative u shpërndanë me dhunë dhe u dëbuan nga puna drejtuesit dhe punëtorët e administratës në të gjitha nivelet e pushtetit në Kosovë.
Më 8 gusht 1990, u ndalua botimi i gazetës “Rilindja” pasiqë punëtorët kishin kundërshtuar masat e dhunshme të datës 5 korrik 1990 të cilat kërkonin shpalljen e gazetës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Në këtë kohë kryeredaktor i “Rilindjes” ishte Nazmi Misini.
Nga 18 janari 1991, filloi botimi i përditshëm i gazetës “Rilindja” me emërtimin “Bujku”. Ndërsa në Zvicër dhe në Tiranë dilte me emrin e vërtetë “Rilindja”. Kryeredaktor i parë dhe themelues i kësaj gazete ishte Behlul Jashari.
Gazeta “Bujku” në Kosovë doli deri më 30 dhjetor 1998.
Më 12 qershor 1999, ekipi i Rilindjes së bashku me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hynë në Kosovë bashkë me hyrjen e trupave të NATO-s. Numri special i gazetës “Rilindja” u botua në Shkup, ndërsa në Prishtinë e solli korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Isak Ramadani.
Pas çlirimit të Kosovës (në qershor 1999), Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009.
Në vitin 1999, UNMIK-u, në bazë të rregullores 1999/1, nenit 6 – administron pasurinë e tundshme dhe të patundshme (edhe të Rilindjes), duke përfshirë financat, llogaritë bankare dhe format e tjera të pronës të regjistruara në emër të Republikës Federative të Jugosllavisë, të Republikës së Serbisë apo të cilitdo organ të saj, të cilat gjenden në teritorin e Kosovës.
Në vitin 2002, UNMIK-u bazuar në Rezolutën 1244 (të 10 qershorit 1999 të KS të OKB-së), ka nxjerrë rregullorën 2002/12, sipas së cilës ka themeluar Agjencionin Kosovar të Mirëbesimit, (AKM) me mision parësor dhe të vetëm: administrimin, ruajtjen dhe privatizimin e pronës shoqërore. Me ç’rast sipas kësaj rregulloreje ndërmarrja gjigante “Rilindja” hyri nën administrimin e AKM-së.
Më 21 maj 2008, në bazë të ligjit numër 03 /L – 067 formohet ‘Agjencioni Kosovar i Privatizimit’ (AKP) me të njejtin mision që kishte AKM-ja.
Më 14 korrik 2014, Ndërmarrja Grafike “Rilindja” hyn në proces likuidimi me vendim të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Më 14 mars 2017, bazuar në ligjin 04/L-034 Ndërmarrja Shoqërore Rilindja dhe gazeta, hyn në proces likuidimi me vendim të bordit të AKP-së.
***
Ilustrim: – Ballina e gazetës “Rilindja”, 12 shkurt 1945.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura